Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Ligji do të godasë çdo abuzim”, Rama: Nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ligjore për mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta në qytetet shqiptare, duke theksuar se prona private nuk mund të cënojë interesin kolektiv.

Gjatë fjalës së tij me deputetët dhe drejtuesit e bashkive, Rama tha se do të prapakthehen të gjitha dokumentet që legalizojnë ndërhyrje në mjediset e përbashkëta, duke i cilësuar ato si abuzime që cenojnë të drejtën e komunitetit.

Ai theksoi se ndonëse prona ka karakter individual, në zonat urbane ajo merr edhe një funksion shoqëror, dhe çdo shkelje në këtë drejtim do të përballet me forcën më të ashpër të ligjit. Kryeministri shtoi se nuk synohet dëmtimi i biznesit, por vendosja e një rendi të ri komunitar që garanton të drejtën e qytetarëve për hapësira të lira dhe të përbashkëta.

“Çdo mjedis i përbashkët është një mjedis i përbashkët i të gjithëve dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrim një masë ligjore për të prapakthyer të gjitha dokumentet që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të të gjithë këtyre komuniteteve. Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë dhe të thotë që e kam këtë lokalin bashkë me këtë çatinë ndërkohë që atje është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën, sepse ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar.

Prona ka karakter individual, por ka dhe karakter social kur është fjala në një hapësirë ku jetojnë shoqëria, për këtë arsye e gjithë përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë të re dhe një rend të ri komunitar në të gjitha qytetet tona. Të gjithë ata që do i bien ndesh jo qeverisë, as bashkisë, ne jemi më të dobëtit në këtë anë, por do i bien desh të drejtës së fortë dhe të patundshme të komunitetit dhe të familjeve që kanë vendosur që të jetojnë në një pellg komunitar së bashku do të përballen me forcën më të ashpër të mundshme të ligjit dhe të shtetit.

E vërteta është që një pjesë jo e vogël e ka kuptuar dhe është përfshirë vetë në çmontimin e këtyre ngrehinave dhe i falënderoj. Patjetër që ne nuk jemi këtu për të fshirë nga dheu biznesin, nuk jemi këtu për të dëmtuar askënd, nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran. Ky është kryeqyteti i Mesdheut, është vend mesdhetar, qëndrimi i njerëzve jashtëm, tavolinat, karriget e shumë të tjera janë gjëja më normale, por jo kur zënë vendin ku kalojnë njerëzit”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

“Garanci bankare për çdo leje”, Rama paralajmëron shkelësit: Konfiskim total nëse kalohet 2% i lejes së ndërtimit

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja të forta në sektorin e ndërtimit dhe të sigurimeve, gjatë një mbledhjeje me deputetët e Tiranës dhe drejtues të bashkisë.

Ai tha se pas tërmetit janë bërë ndërhyrje të arsyeshme, por ka pasur devijime serioze, përfshirë edhe nga noterët.

Rama njoftoi se do të ndërmerren masa për rregullimin e sistemit të sigurimeve, përfshirë dhe garantimin bankar për lejet e ndërtimit, si dhe konfiskimin e objekteve të braktisura apo ndërtimeve problematike që datojnë që nga vitet ’90.

Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo tejkalim mbi 2% të lejes së ndërtimit do të çojë në sekuestrim të menjëhershëm të objektit.

“Ne kemi bërë disa ndërhyrje të arsyeshme pas tërmetit, por gjithsesi ka pasur shumë devijime në disa kategori, përfshirë edhe noterët. Për këtë arsye do e adresojmë edhe problematikën e sigurimeve jo vetëm për tërmetet. Dhe bashkë me sigurimin jemi duke siguruar edhe një garanci bankare për të gjithë ata që marrin një leje drejtimi. Nga ana tjetër do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ndërtimet që nga vitet ‘90 që qëndrojnë si karakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Kur vjen puna për shkeljen e lejes së ndërtimit mbi 2% mbi lejen e ndërtimit, atëherë kjo do të prodhojë sekuestrim të menjëherë të të gjithë ndërtimit. Paligjshmëria është e plotë, nuk është e pjesshme, bëhen me muaj dhe me vite nga njëherë janë me vetëdije të plotë ndaj ligjit”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

Papa bisedon me Abbasin për luftën në Gazë

Papa Leoni ka biseduar përmes telefonit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, lidhur me luftën në Gazë dhe dhunën në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha Vatikani më 21 korrik.

Kjo ishte biseda e parë zyrtare mes dy udhëheqësve që kur Leoni u zgjodh në krye të Kishës Katolike.

“Ati i Shenjtë ka përsëritur thirrjen e tij që ligji humanitar ndërkombëtar të respektohet plotësisht, duke theksuar veçmas obligimin për mbrojtjen e civilëve dhe vendeve të shenjta, ndalimin e forcës disproporcionale dhe transferimin me forcë të popullatës”, tha Vatikani.

Papa po ashtu tha se “ka nevojë urgjente për ofrimin e ndihmës për më të cenueshmit si pasojë e konfliktit dhe lejimin e ndihmës humanitare”.

Kjo bisedë u zhvillua pasi fundjavën e kaluar, Papa bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë pas një sulmi ajror izraelit goditi Kishën e vetme Katolike në Gazë, duke vrarë tre persona.

Të dielën, Leoni dënoi “barbarinë” e luftës në Gazë dhe përsëriti thirrjen për zgjidhje paqësore.

Vatikani, që mbështet zgjidhjen me dy shtete, zyrtarisht e ka njohur shtetin e Palestinës përmes një marrëveshjeje të nënshkruar më 2015, duke u bërë një ndër shtetet e para në Evropë që e njohin këtë shtet./REL

“Zvarritja e konstituimit të Kuvendit, e qëllimshme”, Shkodra: Kurti i paaftë të udhëheqë Kosovën

Kriza politike në Kosovë po thellohet, ndërsa përpjekjet për konstituimin e Kuvendit vazhdojnë të dështojnë. Analistja Magbule Shkodra, në një intervistë për emisionin “Balkan Update” në ABC News, u shpreh pesimiste për një zgjidhje të shpejtë, duke theksuar se qasja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e qëllimshme dhe pa vullnet për formimin e qeverisë.

Sipas saj, vonesat sistematike, mungesa e marrëveshjeve dhe moskonstituimi i institucioneve po dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, veçanërisht në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik dhe në prag të zgjedhjeve lokale.

“Tani na mbetet që të shohim nëse zoti Limaj ka hequr dorë nga pakti i kreut të Kuvendit. Sot ishte tentimi i 50-të, në fakt ne kishim një pritje se do të arrihej një marrëveshje mes tyre, por ja që nuk ndodhi. Duhet që të konstituohet Kuvendi, por unë sot nuk pashë ndonjë lëvizje dhe, me thënë të drejtën, nuk kam shpresa se do të zgjidhet gjë.

Kurti po luan lojëra politike, nuk ka aspak vullnet për krijimin e qeverisë. Kurti këtë zvarritje e ka bërë të qëllimshme sepse nuk është i gatshëm që ta qeverisë vendin në këto kushte gjeopolitike. Duhet të kujtojmë që ai e ka humbur numrin dhe mbështetjen e popullatës vetëm nga kjo zvarritje.

Nga ana tjetër, të mos harrojmë që Serbia, një nga propagandat më të mëdha që bën për Kosovën, është se shqiptarët nuk dinë të bëjnë qeverisje. Zgjedhjet lokale tani janë shumë afër. Tani Kurti, duke qenë në pozitën e kryeministrit, është duke mbajtur dy pozicione, dhe paaftësia e tyre do të ndikojë në zgjedhjet lokale.

Të gjithë e kishim shpresën se VV do të sillte ndryshimin, por kjo krizë tregon se VV dhe Albin Kurti janë të paaftë të qeverisin Kosovën dhe ta çojnë në dyert e BE-së. Fatkeqësisht, në të gjitha ekuacionet e Kurtit nuk është qeverisja e Kosovës dhe qytetarët,” tha analistja./abcnews.al

Policia belge merr në pyetje dy izraelitë të akuzuar për krime lufte

Dy shtetas izraelitë janë marrë në pyetje nga autoritetet belge pasi u identifikuan në festivalin e muzikës elektronike Tomorrowland pranë qytetit Antwerp, pas akuzave për përfshirje në krime lufte në Rripin e Gazës.

Prokuroria Federale belge njoftoi se ka ndërmarrë veprime pas marrjes së një ankese ligjore që pretendonte se dy ushtarë izraelitë, të përfshirë në “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, ndodheshin mes pjesëmarrësve në festival.

“Pas intervistimit të tyre nga policia, ata janë lënë të lirë,” thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë, e cila shton se çështja është ende në fazë hetimore dhe për momentin nuk do të jepen informacione të tjera. Identiteti i dy personave nuk është bërë publik.

Sipas fondacionit belg pro-palestinez Hind Rajab Foundation (HRF), dy ushtarët izraelitë të dyshuar janë identifikuar në mesin e turmës në festival, ndërsa një grup të rinjsh mbanin flamurin e Brigadës Givati, një njësi ushtarake izraelite e përfshirë në luftime në Gaza.

HRF tha se ka depozituar një kallëzim penal pranë prokurorisë, në bashkëpunim me Global Legal Action Network (GLAN), një rrjet juristësh që merret me çështje të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Prokuroria belge bëri të ditur se ka vepruar duke u bazuar në juridiksionin ekstraterritorial që Belgjika gëzon për hetimin e krimeve të luftës.

Tomorrowland është një nga festivalet më të mëdha të muzikës elektronike në botë, që këtë vit pritet të mbledhë rreth 400 mijë vizitorë përgjatë dy fundjavave./abcnews.al

Përmbytet anija turistike në Vietnam, 38 viktima mes tyre edhe fëmijë

Një anije turistike u përmbyt si pasojë e një stuhie të fuqishme në Gjirin Ha Long të Vietnamit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 38 personave, përfshirë edhe fëmijë.

Anija me emrin Wonder Sea kishte në bord 48 turistë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, gjatë një turneu në një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin gjallë vetëm 11 persona deri më tani, ndërsa operacionet e kërkimit vijojnë për gjetjen e të zhdukurve. Lajmi është konfirmuar nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Vietnamit.

Ngjarja ndodhi në kulmin e stuhisë tropikale Wipha, e cila kishte përfshirë Detin e Kinës Jugore, duke sjellë reshje të rrëmbyeshme dhe erëra të forta që goditën zonën bregdetare.

Kjo është stuhia e tretë që prek Vietnamin këtë vit dhe pritet të godasë bregun verior të vendit në fillim të javës së ardhshme.

Gjiri Ha Long, një vend i mbrojtur nga UNESCO si Trashëgimi Botërore, është i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe qindra ishujt e vegjël që tërheqin çdo vit mijëra turistë nga e gjithë bota./abcnews.al

Përfshihet nga flakët një anije pranë Indonezisë, 280 persona hidhen në det për t’i shpëtuar zjarrit

Një anije me 280 pasagjerë u përfshi nga flakët pranë brigjeve të Indonezisë, duke detyruar udhëtarët e frikësuar të hidhen në det të veshur me jelekë shpëtimi për të shpëtuar jetën.

Ngjarja dramatike ndodhi sot rreth orës 13:30 me orën lokale, në anijen KM Barcelona, e cila lundronte në linjën Manado–Tahunda. Zjarri shpërtheu papritur dhe u shoqërua me re të dendura tymi, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve, të cilët filluan të bërtasin dhe të qanin nga frika.

A fire broke out on the KM Barcelona VA ferry, also known as the KM Barcelona V or the Gregorius Barcelona V, at around 1:30 p.m. local time on July 20, 2025. The fire occurred off the coast of North Sulawesi, Indonesia, near Talise Island in the North Minahasa Regency. The ferry… pic.twitter.com/BmKSXy8gsO

— T_CAS videos (@tecas2000) July 20, 2025

Pamjet e filmuara nga pasagjerët me celularët e tyre u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale. Ato tregojnë flakët e mëdha që përpijnë anijen dhe njerëzit në ujë, teksa përpiqen të qëndrojnë larg mjetit që digjej. Në një nga videot më të shpërndara, shihet një burrë që shpëton një fëmijë të vogël, ndërsa tregon përjetimin tronditës, me fëmijën që kollitet në krahët e tij.

Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije shpëtimi, KM Barcelona III, KM Venecian dhe KM Cantika Lestari 9F, të cilat ndihmuan në evakuimin e udhëtarëve. Për fat të mirë, nuk raportohet për viktima./abcnews.al

Izraeli urdhëron largimin e civilëve nga një zonë e Gazës, paralajmërohet ofensivë tokësore

Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra për evakuimin e një pjese të populluar në qytetin Deir al-Balah, në Gazën qendrore, një zonë ku deri më tani nuk ka ndërmarrë një ofensivë tokësore gjatë 21 muajve të luftës kundër Hamasit.

Të dielën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kërkuan nga banorët dhe të zhvendosurit që janë strehuar në qytet të largohen menjëherë dhe të zhvendosen drejt al-Mawasit, një zonë pranë bregdetit të Mesdheut, e caktuar nga Izraeli si “zonë e sigurt”.

Ky urdhër evakuimi ka shkaktuar panik të përhapur mes dhjetëra mijëra palestinezëve, por edhe te familjet e pengjeve izraelite, të cilat druajnë se të afërmit e tyre mund të ndodhen në këtë zonë.

Ndërsa IDF ka ndërmarrë sulme ajrore në zonë, nuk ka hyrë ende me trupa tokësore. Të dielën, ushtria izraelite hodhi fletushka nga ajri mbi disa lagje në jugperëndim të Deir al-Balahut, duke u kërkuar njerëzve të largohen menjëherë drejt jugut.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po veprojnë me forcë për të shkatërruar kapacitetet dhe infrastrukturën terroriste të armikut në zonë,” thuhej në deklaratën e ushtrisë, duke shtuar se këto lagje nuk janë goditur më parë gjatë luftës.

Lagjet e prekura janë të mbushura me njerëz të zhvendosur që jetojnë në çadra dhe kushte të rënda humanitare. Burime izraelite thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se një nga arsyet pse ushtria nuk ka hyrë më parë në këtë zonë është dyshimi se aty mund të mbahen pengje të Hamasit.

Aktualisht besohet se të paktën 20 nga 50 pengjet e mbetura në Gaza janë ende gjallë.

Pjesa më e madhe e më shumë se dy milionë banorëve të Rripit të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë që nga fillimi i luftës në tetor të vitit të kaluar, ndërsa urdhrat e përsëritur për evakuim kanë përfshirë zona të gjera të territorit.

Urdhrat e reja për evakuim erdhën në të njëjtën ditë kur zyrtarë shëndetësorë në Spitalin Shifa të qytetit të Gazës thanë se mbi 40 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarr izraelit, teksa pritnin ndihmat humanitare të OKB-së.

Sipas spitaleve në jug të territorit, edhe në pikëndarje të tjera janë raportuar viktima nga sulmet ndaj civilëve që presin ndihma. BBC ka kontaktuar ushtrinë izraelite për një reagim lidhur me këto zhvillime.

Ndërkohë, Papa Leo XIV ka bërë thirrje për një “ndërprerje të menjëhershme të barbarisë së luftës”, duke dënuar përdorimin e “forcës së pakufizuar” ndaj civilëve. Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pas një sulmi vdekjeprurës izraelit ndaj të vetmes kishë katolike në Gaza, një veprim për të cilin kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu “keqardhje të thellë”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se civilët në Gaza po përballen me uri ekstreme dhe ka kërkuar një furnizim urgjent me ndihma jetike.

Që nga fundi i majit, kur nisi funksionimi i Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, janë raportuar pothuajse çdo ditë vrasje të palestinezëve që kërkojnë ndihma. Dëshmitarët thonë se shumica janë qëlluar nga forcat izraelite, ndërsa Izraeli thotë se sistemi i ri i shpërndarjes synon të parandalojë përfitimin e Hamasit nga ndihmat.

Lufta në Gaza nisi si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi në Gaza – një burim që edhe OKB e konsideron si më të besueshmin për statistika, mbi 58,895 persona janë vrarë nga sulmet izraelite.

Radhë të gjata pritjeje në doganë/ Fluks udhëtarësh në kufirin me Greqinë e Maqedoninë e Veriut

Personave që nga Greqia kanë hyrë në Shqipëri, por dhe ata që  kanë dalë nga vendi ynë drejt shtetit fqinj  nga  pika kufitare e Qafë Botës,  të dielën   iu është dashur  të presin disa orë  në radhë.

Kjo për shkak se autoritetet greke po punojnë vetëm me një sportel ku procedohet në të njëjtën kohë me hyrjet dhe me daljet.  Ndërkohë që  autoritetet shqiptare aktualisht  punojnë me tre sportele ato greke  pritet të marrin masa në fillim të javës së ardhshme.

Paraditen e të dielës nga pika kufitare e Qafë Botës  kaluan rreth 1400 shqiptar dhe të huaj me 460 mjete.

Me radhë janë përballur dhe ata  persona që kanë hyrë  në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut. Në pikën kufitare të Qafë Thanës në anën e Maqedonisë së Veriut iu është dashur të presin deri në tre orë në doganë.

Sipas policisë kufitare shkak është bërë fluksi i lartë  i  udhëtarëve.  Procedurat për të hyrë në Shqipëri   kryhen vetëm në  pjesën e policisë së  Maqedonisë së Veriut. Kapaciteti i saj i përpunimit të të dhënave në sportele është shumë më i ulët se në doganën shqiptare./abcnews.al

Kontrolle intensive në det/ Brenda një javë, bllokohen 30 mjete lundruese

Në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, Policia Kufitare, përgjatë kësaj jave ka bllokuar 30 mjete lundruares për shkelje të perimetrit të sigurisë detare.

Mjetet e bllokuara janë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.12 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100 mijë lekë secili. Ndërkohë, nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 7 raste për t’u ardhur në ndihmë 13 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese./abcnews.al

Të paktën 73 palestinezë të vrarë teksa po tentonin të merrnin ndihma

Të paktën 73 palestinezë janë vrarë teksa po tentonin të arrinin në qendrat për shpërndarjen e ndihmave në mbarë Gazën më 20 korrik, tha Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez.

Numri më i madh i viktimave është regjistruar në veri të Gazës, ku të paktën 67 palestinezë u vranë teksa po tentonin të arrin në një qendër të ndihmës përmes kalimit Zikim me Izraelin, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazë dhe spitalet lokale.

Më shumë se 150 persona janë plagosur dhe disa prej tyre janë në gjendje kritike, sipas spitaleve.

Ende është e paqartë nëse ata janë vrarë nga ushtria izraelite apo nga bandat e armatosura. Por, disa dëshmitarë thanë se ushtria izraelite shtiu drejt turmës.

Vrasjet në veri të Gazës nuk ndodhën në afërsi të qendrave të shpërndarjes së ndihmës, që udhëhiqen nga Fondi Humanitar për Gazën (GHF), që mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Dëshmitarët dhe punëtorët e ndihmës kanë thënë se qindra persona janë vrarë nga Izraeli teksa tentonin të arrinin në qendrat e GHF-së.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për vrasjet që ndodhën të dielën.

Njoftimi për vrasjen e palestinezëve vjen në kohën kur Izraeli lëshoi një urdhër të ri për evakuimin e banorëve nga pjesa qendrore e Gazës dhe disa zona të tjera, pasi tha se synon të kryejë operacione ndaj Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zgjerimi i ofensivës, në pjesë ku Izraeli më parë nuk ka operuar, vjen teksa Izraeli dhe Hamasi po mbajnë bisedime indirekte për një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e pengjeve.

Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 – sulm që nxiti luftën – Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu 251 të tjerë. Nga ta, 49 ende mbahen në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se kanë vdekur.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 58.000 palestinezë, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze./REL

 

Aksioni kundër zaptimit të hapësirave/ Kryeministri Rama: Çlirim i madh për komunitetin

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel një foto që tregon lirimin e hapësirave publike të zëna më parë nga ndërtimet pa leje, duke e cilësuar këtë si një “çlirim të madh” për komunitetin dhe për këmbësorët.

Kryeministri paralajmëron gjithashtu se të gjitha ndërtimet pa leje që zënë hapësirat publike do të largohen, pavarësisht rezistencës. Ai thekson se edhe ato objekte që ende nuk janë shembur do të prishen, ndërsa ndërtuesit që nuk bashkëpunojnë do të përballen me gjoba të kripura.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptua”, ka shkruar kryeministri Rama.

/abcnews.al 

 

 

OKB: Më shumë se 128 mijë të zhvendosur për shkak të dhunës sektare në jug të Sirisë

Të paktën 128 mijë persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të përshkallëzimit të dhunës sektare në jug të Sirisë. Kjo është bërë e ditur nga Agjencia e Migracionit e Kombeve të Bashkuara këtë të diel, më 20 korrik, në një raport të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), cituar nga agjencia AFP.

Sipas raportit, numri i të zhvendosurve është rritur ndjeshëm pas një jave përplasjesh në provincën Sweida, bastion i komunitetit druz. Vetëm më 19 korrik, mbi 43 mijë persona janë larguar nga zonat e tyre për shkak të përkeqësimit të situatës.

“Deri më tani, gjithsej 128,571 individë janë zhvendosur që nga fillimi i luftimeve,” thuhet në deklaratën e IOM.

Që nga shpërthimi i dhunës të dielën e kaluar, më shumë se 900 persona janë raportuar të vrarë në Sweida. Konflikti, i karakterizuar nga tensione sektare midis druzëve dhe beduinëve, është ndërlikuar më tej nga përfshirja e qeverisë siriane të udhëhequr nga islamistët, Izraelit dhe grupeve të armatosura fisnore nga pjesë të tjera të vendit./abcnews.al

Forca e jetës në sytë e Ervinit/ 29-vjeçari që s’ka qenë asnjëherë në shkollë, por ëndërron të bëhet poet

Aq sa e trishtë, edhe frymëzuese historia e të riut nga Memaliaj. Ervin Kanani, para 29 vitesh erdhi si një bekim në familjen e Rustem dhe Teuta Kananit.

Lindi i shëndetshme, por, një temperaturë e lartë kur ishte vetëm 6 muajshë, i la gjurmë të pashlyeshme në shëndet. Ai është i diagnostikuar me spektrin autik, dhe epilepsi. Probleme të cilat i sollën mungesë të zhvillimit normal trupor, për të cilat iu desh të kryente edhe 3 operacione të vështira jashtë vendit për zgjatje e barazim të këmbëve. Ndërhyrje që i ndryshuan jetën, pasi sot Ervini mund të ecë lehtësisht.

Krahas probleme të shumta shëndetësore, Ervini në moshën 6-vjeçare humbi nënën, ndërsa vite më vonë edhe babain. Humbja e prindërve, e afroi më shumë me xhaxhin Gjergj Kanani, i cili ia shtrëngoi dorën njëherë e mirë, për të mos ia lëshuar më kurrë.

Vështirësitë e njëpasnjëshme me shëndetin, të riut i kushtuan të ardhmen. Sot është 29 vjeç, dhe nuk e ka përjetuar asnjë ditë të vetme, ndjesinë e të qenurit nxënës.

Ervini nuk ka pasur fatin e bashkëmoshatarëve për të mësuar në bankat e shkollës, por, është mirënjohës që falë miqve, ai din të lexoj dhe të shkruaj.

Si çdo fëmijë, edhe Ervini kishte dëshirat e tij për të ardhmen, ndërsa sytë i qeshin kur tregon për ëndërrat.

I riu i buzëqesh çdo dite, dhe lumturohet me gjëra të vogla që e rrethojnë, ndërsa kur është fjala për pasionet, ai përgjigjet kështu:

Pas vështirësive vjen lehtësim, Ervini sot prej 2 muajsh shkon çdo ditë në Qendrën Komunitare për Personat me Aftësi Ndryshe në Laprakë, ku kalon kohë me bashkëmoshatarët e tij. Ndërsa tregon sesi kalon një ditë të tij./abcnews.al

 

 

Messi më shumë gola se CR7/ Argjentinasi ka më shumë rrjeta se Ronaldo pa penallti

Do të mbetet ndoshta më i madhi i të gjitha kohëve për klasin dhe universalitetin.

Lionel Messi është ende në garë me një Pele apo Maradona për të hyrë në histori si numri 1 i futbollit botëror, diçka që nuk nënkupton vetëm gola, por gjithsesi edhe në këtë element ai është i jashtëzakonshëm.

Me dy rrjetat e shënuara në ndeshjen e radhës së Ligës Profesioniste të futbollit amerikan, kampioni i botës arriti në 764 goditje të sakta nga loja, pra duke përjashtuar penalltitë.

Ky është rekordi botëror i momentit, pasi i mbiquajturi “Pleshti” ka një më shumë sesa Kristiano Ronaldo që është ndalur në 763. Jo vetëm kaq, por argjentinasi ia ka dalë në 167 ndeshje më pak sesa CR7.

Falë kontributit të Mesit, ekipi i tij, Inter i Majemit fitoi 5-1 në fushën e ekipit nga Nju Jorku, Red Bull.

Leo pati dy rrjeta e dy asistë, ndërsa Segovia shënoi dy të tjera. Forma e tij është tepër e madhe këto kohë pasi ka gjashtë dygolësha në 7 ndeshjet e fundit.

Në të gjithë karrierën, magjistari i futbollit ka realizuar 872 gola, 66 më pak sesa Ronaldo, por duke luajtur plot 168 ndeshje më pak, e duke pasur mesatare më të mirë golash për ndeshje, apo minutash për ndeshje.

Po ashtu, Mesi ka 385 asiste, ndërsa Kristiano ka arritur deri në 257./abcnews.al

Gjermania fiton “llotarinë”/ Europiani i femrave, vajzat e Francës mundën pas penalltive

Ndoshta futbolli po kthehet në shtëpi. Gjermania, kombëtarja më e madhe në historinë e futbollit të femrave në Europë, dhe e dyta më e famshmja në botë pas Shteteve të Bashkuara, dhe tashmë arriti në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian.

Vajzat teutone nuk e patën aspak të lehtë, por kjo skuadër ka ditur të fitojë mes vështirësive, ashtu si edhe kombëtarja e djemve.

Në çerekfinale u mund Franca, veçse vetëm pas penalltive. Në prani të mbi 34 mijë spektatorëve në “St. Jakob Park” të Bazelit, francezet kaluan të parat në epërsi kur Gejoro ekzekutoi saktë 11-metërshin në 15’.

Barazimi erdhi shpejt, pas vetëm 10 minutave kur realizoi Nysken. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund të 90 minutave, madje as pas shtesave, veçse futbolli u tregua i padrejtë me Francën.

Një nga ekipet më të mira të këtij turneu pati epërsi të ndjeshme edhe pse përballë ishte një rival i madh.

Francezet mbajtën topin 75 për qind, diçka vërtet e jashtëzakonshme, dhe bënë 18 gjuajtje, nga të cilat 9 në kuadrat.

Vajzat gjermane e gjetën portën kundërshtare vetëm dy herë, por në fund fituan.

Tek penalltitë pati më pak gabime sesa në ndeshjet e tjera, me Francën që humbi dy dhe Gjermaninë vetëm një.

Tashmë, shpresohet të fitohet një tjetër titull pas dy herë si kampione e botës, një herë si kampione olimpike dhe plot 8 herë si kampione e Europës.

Në gjysmëfinale, në 23 korrik, ekipi i trajnerit Kristian Vyk do të kenë përballë kampionen e botës në fuqi, Spanjën, ndërsa dueli tjetër në 22 korrik është Angli-Itali./abcnews.al

Oleksandr Usyk nuk ka rival/ Boksieri i madh ukrainas, tani kampion absolut i botës

Nuk dihet nëse mund të krahasohet me një Muhamed Ali apo Majk Tajson, por është ai legjenda e sotme e boksit profesionist.

Oleksandr Usyk vazhdon të nderojë atdheun e tij, Ukrainën, dhe ja ku arriti fitoren e radhës, duke u bërë sërish kampion absolut I botës në peshat e rënda.

Rivali i tij aspak për t’u hedhur poshtë, britaniku Daniel Dybua, nuk rezistoi dot më shumë se pesë raunde, edhe pse lufta u zhvillua në ringun e ngritur në stadiumin “Uembli” të Londrës.

Usyk pati epërsi, siç ka ndodhur edhe në duelet e së kaluarës ndaj të tillëve si Entoni Xhoshua apo Tajson Fjuri, gjithashtu anglezë, me shkathtësi të jashtëzakonshme të këmbëve, dhe reflekse tepër të shpejta.

Nokauti në raundin e pestë ishte i dyfishtë, dhe rezultat logjik i asaj që po ndodhte brenda litarëve, ndërsa ukrainasi ka tani brezat e të 4 federatave kryesore të boksit profesionist, IBF, IBO, WBC dhe WBO.

Edhe pse 38-vjeçar ai duket në formë të shkëlqyer, dhe mban rekordin si i vetmi boksier që ka dalë tri herë kampion absolut i botës.

Ish-kampion i botës, ish-kampioni i Europës, dhe ish-kampion olimpik si amator, Usik ka bilancin e papërlyer me 24 fitore në 24 ndeshje, pra mbetet i pathyer e do të synojë ta mbyllë karrierën i tillë, si dikur Roki Marçiano apo Flojd Mejuedhër./abcnews.al

❌