Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, do të vijë në Prishtinë javën e ardhshme për të marrë pjesë në Festivalin Sunny Hill. Lajmin e ka konfirmuar vetë artistja nëpërmjet një videoje të postuar në profilin e saj në Instagram.
Dua Lipa do të jetë pjesë e këtij festivali madhështor që do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht. Këngëtarja ka paralajmëruar se ky do të jetë edicioni më i madh i festivalit deri tani, duke treguar se është shumë e emocionuar për këtë ngjarje,transmeton KultPlus
“Jam e lumtur që do vijë në shtëpinë time, në Prishtinë javën e ardhshme. Ky do të jetë edicioni më i madh. Jam shumë krenare se sa shumë është rritur. Mezi pres t’iu shoh të gjithëve. Ju dua shumë,” ka thënë Lipa në video.
Festivalin Sunny Hill, që ka fituar popullaritet ndërkombëtar, pritet të sjellë një mori artistësh të njohur dhe një atmosferë spektakolare në kryeqytetin e Kosovës. Fansat e Duas dhe muzikës globale tashmë janë të ngazëllyer për këtë edicion të veçantë/KultPlus.com
Eve Jobs, vajza e bashkëthemeluesit të Apple, Steve Jobs, u martua me kampionin olimpik të hipizmit, Harry Charles.
Çifti u martua në Kishën e Shën Mikelit në fshatin anglez të Great Tew.
Të ftuarit e pranishëm shkëlqenin me fustane elegante dhe kostume zyrtare, dhe midis nëntë shoqërueseve të nuses me fustane sateni të kuq ishte edhe Jessica Springsteen, vajza e legjendës së muzikës Bruce Springsteen.
Lista e të ftuarve përfshinte shumë personazhe të famshëm si Princesha Beatrice dhe bashkëshorti i saj Eduardo Mapelli Mozzi, Kamala Harris si dhe vajza e Bill Gates.
Eva mbërriti në ceremoni me makinë private 30 minuta me vonesë, dhe 45 minuta më vonë, ajo dhe Charles thanë “Po”-në e tyre.
Pas dasmës, çifti u largua nga kisha me një furgon luksoz Mercedes dhe u drejtua për në pritjen e dasmës. Dasma e plotë, e cila kushtoi rreth afro gjashtë milionë euro, u organizua nga organizatori i famshëm i eventeve Stanley Gatti. Një burim pranë çiftit zbuloi për gazetën Sun se ishte një ngjarje shoqërore që nuk do të mbahet mend dhe se e kishte kthyer përmbys të gjithë Oxfordshire-in.
Eve dhe Charles konfirmuan lidhjen e tyre gjatë Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ku atleti britanik fitoi medaljen e artë. Eve, e cila është vetë një hipiste dhe modele e suksesshme, e mbështeti atë nga tribunat. Çifti është në një lidhje që nga viti 2022. Pas suksesit të tij olimpik, Charles i tha revistës Tatler se mezi pret të kalojë kohë me të dashurën e tij./KultPlus.com
A jeni bërë gati për edicionin më të madh ndonjëherë të “Festivalit Sunny Hill”? A keni menduar se çfarë të merrni me vete? Lista më poshtë mund t’ju ndihmojë.
Prishtinë, Na ndajnë edhe pak ditë deri të edicioni më i ri i “Festivalit Sunny Hill”. Koha e duhur për të shikuar listën e gjërave që duhet të merrni me vete dhe atyre që nuk lejohen në hapësirat e festivalit. Ky udhëzues është menduar për t’ju ndihmuar që të përgatiteni për një përvojë të paharrueshme, të sigurt dhe pa shqetësime.
Çka mund të merrni me vete? ID – Letërnjoftim/pasaportë ose dokument tjetër identifikues; Powerbank – që të mos mbeteni pa bateri në momentet më të mira; Syze dielli dhe kapelë – për të shijuar ditët me diell pa u shqetësuar. SPF/krem mbrojtës nga dielli – sepse kujdesi për lëkurën nuk del kurrë nga moda; Çantë shpine ose tote bag, si dhe një xhaketë apo duks për netët e freskëta; Kamera (jo profesionale) – për të kapur kujtimet më të bukura; Mos harroni të pini shumë ujë, të konsumoni alkool me përgjegjësi dhe të kujdeseni për ambientin.
Çka nuk duhet të merrni me vete, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve! Substanca të paligjshme dhe narkotike; Produkte aerosolike (sprej, deodorant, parfume etj); Ushqime e pije nga jashtë; Objekte të mprehta. Festoni me përgjegjësi dhe nëse akoma nuk keni blerë biletën tuaj tani keni mundësinë e fundit. Klikoni në link dhe bëhuni gati për një eksperiencë të paharruar: https://sunnyhillfestival.com/
Sot, më 28 korrik, Prishtina do të bëhet skena e një mbrëmje magjike operistike. Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, sopranoja e njohur Marigona Qerkezi do të ngjitet në skenën e hapur pranë Bibliotekës Kombëtare, duke sjellë një performance të jashtëzakonshme, e cila do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike dhe operës nga gjithë rajoni.
Mbrëmja e titulluar “Opera Night”, e cila do të nisë në orën 20:30, do të ofrojë një repertor të pasur muzikor, duke sjellë arie nga kompozitorët më të mëdhenj të operës, si Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini, dhe Leonard Bernstein. Ky repertor do të udhëtojë përmes epokave dhe ndjenjave, duke përfshirë dramatizmin dhe pasionin e operës klasike, por edhe energjinë dhe freskinë e kompozitorëve modernë,transmeton KultPlus
Marigona Qerkezi, një nga zërat më të njohur të Kosovës, ka një karrierë ndërkombëtare të suksesshme dhe ka performuar në disa nga skenat më prestigjioze të botës. Pasionin dhe përvojën e saj, ajo do ta sjellë sot për publikun e Prishtinës, duke interpretuar disa prej arieve më të njohura të operës, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës.
Ky koncert është një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e muzikës klasike dhe operës, pasi hyrja është falas, një dhuratë për ata që duan të përjetojnë një natë të paharrueshme në një nga ambientet më të veçanta të qytetit të Prishtinës./KultPlus.com
Giovanni Boccaccio (1313–1375) është një ndër figurat më përfaqësuese të letërsisë italiane të shekullit XIV, dhe një nga etërit themelues të humanizmit evropian
Ai i dha jetë një stili të ri letrar që ndërthurte elementët klasikë me një vëzhgim të hollë mbi natyrën njerëzore, duke sjellë një realitet më tokësor në letërsinë e kohës së tij. I lindur në Certaldo ose ndoshta në Firence, si bir i një tregtari të pasur, Boccaccio jetoi në mes të krizave politike, murtajës së zezë dhe përmbysjeve shoqërore ngjarje që më vonë do të përshkonin fuqishëm veprat e tij. Veprimi i tij më i famshëm, “Dekameroni”, është një monument i rrëfimit klasik.
Me 100 tregime të strukturuara përmes dhjetë të rinjve që strehohen në një vilë larg murtajës që ka goditur Firencen, libri është një enciklopedi e jetës së përditshme, e pasioneve njerëzore dhe e moralit të paqëndrueshëm të kohës. Aty gjenden figura klerikësh të korruptuar, gra të zgjuara, tregtarë të pafat dhe princër naivë të gjithë të përshkruar me një ironi fine dhe një gjuhë të gjallë që fliste për një Itali në transformim. Përtej “Dekameronit”, Boccaccio ishte një studiues i pasionuar i antikitetit klasik.
Ai ishte mik i ngushtë i Francesco Petrarca-s dhe përfaqësonte me të atë binom të artë të fillimeve të humanizmit Boccaccio si rrëfimtar i ndjeshmërisë popullore, Petrarca si zëri më formal i latinishtes klasike. Në fund të jetës, Boccaccio iu përkushtua studimeve të Dantes dhe shkroi komente mbi “Komedinë Hyjnore”, duke ndihmuar në kanonizimin e poetit të madh si simbol i kulturës italiane. Stili i tij ishte i lirshëm, rrëfimtar, shpesh me humor të hollë dhe një vështrim realist që nuk gjykohej nga dogmat fetare, por nga logjika e jetës së përditshme. Ai e konsideronte dashurinë një fuqi çliruese, shpeshherë rebeluese, ndërsa të dashuruarit i portretizonte si qenie që sfidonin normat për hir të ndjenjës dhe mendjes. Në letërsinë evropiane, Boccaccio la një ndikim të madh. Dekameroni shërbeu si model për rrëfime të mëvonshme, përfshirë edhe Canterbury Tales të Chaucer-it në Angli.
Struktura e tregimeve brenda një kornize një teknikë letrare që më pas do të përdorej gjerësisht është një nga trashëgimitë më të forta të tij. Për më tepër, Boccaccio ishte ndër të parët që shkroi në italishten vulgare, duke i dhënë kështu dinjitet gjuhës së popullit, një akt që më vonë do të përqafohej nga autorë të Rilindjes. Pas vdekjes, figura e tij kaloi në heshtje për një periudhë, por më pas rilindësit dhe studiuesit modernë e rivlerësuan si një ndër figurat që hodhi urën mes mesjetës dhe modernitetit. Në Certaldo, ku kaloi vitet e fundit, çdo vit mbahet një festival në nder të tij, ndërsa në akademitë italiane, emri i tij qëndron krahas Dantes dhe Petrarcës si pjesë e “Triadës së Madhe”. Xhovani Bokaço nuk ishte thjesht një shkrimtar që tregonte histori ai ishte një vrojtues i jetës, një humanist që e kuptonte se përmes rrëfimit, njeriu mund të çlirohej, të qeshte, të kritikonte dhe të mbijetonte. Ai shkroi për njerëzit siç janë, jo siç do të donim të ishin. Dhe në këtë ndershmëri qëndron përjetësia e tij./konica.al
Festivali i muzikës elektronike Lumina solli emocion dhe ritëm gjatë dy netëve që kapërcyen çdo pritshmëri.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme. Mbrëmja e dytë e Lumina Electronic Festival përfundoi me një superatmosferë. Muzika elektronike, natyra dhe të rinjtë u bënë një dhe e ndezën Korçën për dy net rresht.
Të rinjtë, vendas dhe turistë, u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.
“Kjo është Korça që po ndërtojmë bashkë, një qytet që rreh ndryshe, që jeton me ritmin e kohës dhe që frymëzon të ardhmen. Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj përvoje unike”, shkroi kryebashkiaku Sotiraq Filo në rrjetet sociale, ku edhe ndau një album me pamjet nga mbrëmja e fundit, që e cilësoi si “magji nën yje”/atsh/
Rruga e re Ura e Çerenecit – Zgosht, e cila është rreth 47 km e gjatë dhe lidh Dibrën me Elbasanin, përbën një investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje pas përfundimit të punimeve për këtë segment rrugor, duke theksuar ndikimin e madh që do të ketë ky projekt për përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjen mes dy qarqeve të vendit.
“Me rrugën e re Bulqizë–Librazhd, aksi Ura e Çerenecit–Zgosht, që jo vetëm lidh Dibrën me Elbasanin, por krijon një korridor të ri lindor duke sjellë më afër bukuritë natyrore dhe pasuritë e turizmit malor, nxit ekonominë rurale dhe i jep jetë sipërmarrjeve të reja bujqësore e turistike,” shkruan Rama në postimin e tij.
Ky segment rrugor është i rëndësishëm për përmirësimin e mundësive të hyrje-daljeve për komunitetet lokale, fermerët dhe ndërmarrjet e tjera ekonomike, duke ofruar një rrugë të shpejtë dhe të sigurt për turistët që duan të vizitojnë destinacione në Shqipërinë lindore. Disa prej këtyre destinacioneve përfshijnë Parkun Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës,transmeton KultPlus.com
Ky projekt, përveç ndikimit të tij ekonomik, do të kontribuojë në forcimin e turizmit malor dhe zhvillimin e bizneseve të reja, duke sjellë mundësi të reja për sipërmarrësit dhe të rinjtë në këto zona. Po ashtu, hapja e një pike kufitare të re në Urat e Bushtricës, pjesë e Korridorit 8, që po ndërtohet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe turistëve, duke ofruar lidhje më të shpejta dhe më të sigurta me vendet fqinje.
Kjo rrugë do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë rurale, duke nxitur më shumë investime dhe mundësi për të rinjtë e zonave përkatëse, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet e këtyre rajoneve./KultPlus.com
Grupi legjendar Destiny’s Child u ribashkua për herë të parë pas shtatë vitesh për finalen e madhe të turneut “Cowboy Carter” të Beyoncé në Las Vegas, duke e surprizuar audiencën me një performancë të jashtëzakonshme. Treshja, që përbëhet nga Beyoncé, Kelly Rowland dhe Michelle Williams, dha një përzierje të disa prej këngëve të tyre më të njohura, përfshirë hitet e paharrueshme “Lose My Breath” dhe “Bootylicious”.
Përveç këtyre, Kelly Rowland dhe Michelle Williams iu bashkuan Beyoncé për një interpretim të këngës së saj të vitit 2022, “Energy”, duke krijuar një atmosferë emocionuese për fansat e grupeve të viteve të shkuara, raportoi BBC, transmeton KultPlus
Destiny’s Child shkëputi rrugët e saj në vitin 2006, por ky nuk është hera e parë që ato janë ribashkuar për performanca të veçanta. Grupi ka qenë bashkë gjatë Super Bowl në vitin 2013, kur Beyoncé u shfaq në gjysmë të ndeshjes për një performancë të jashtëzakonshme, dhe gjithashtu gjatë Coachella në vitin 2018, ku Destiny’s Child shënoi një rikthim të madh përpara audiencës së gjerë të festivalit.
Pas shfaqjes së së shtunës, Beyoncé ndau një foto të trio-s, të veshur me kostume të arta, në Instagram pa një përshkrim. Fansat gjithashtu u surprizuan me performanca të tjera nga disa të ftuar të njohur gjatë shfaqjes në Las Vegas, duke përfshirë bashkëshortin e Beyoncé, Jay-Z, dhe këngëtarin country Shaboozey për disa cameo të shkurtra.
Dhe, për të shtuar më shumë emocion, Blue Ivy, vajza 13-vjeçare e Beyoncé, u shfaq gjithashtu në skenë. Ajo ka qenë një pjesë e pandashme e shfaqjeve të nënës së saj gjatë gjithë këtij turneu
Shfaqja në Las Vegas ishte e 32-ta dhe finale e turneut “Cowboy Carter” të Beyoncé, që gjithashtu e çoi atë në qytetin e saj të lindjes, Houston, Texas, në muajin qershor. Ky spektakël tri-orësh është lavdëruar për energjinë e tij të lartë dhe artin e jashtëzakonshëm të skenës.
Turneu ka marrë vlerësime të larta dhe ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, duke thyer rekorde të biletave në stadiume si Tottenham Hotspur Stadium në Londër dhe Stade de France në Paris.
Emri i turneut “Cowboy Carter” vjen nga albumi i ri i Beyoncé për vitin 2024, që mori lavdërime të mëdha kritike, duke fituar çmimin për albumin më të mirë në Grammy Awards të këtij viti./KultPlus.com
Më 28 korrik 1958, lindi Terry Fox, një nga figurat më të njohura dhe frymëzuese të Kanadasë dhe një simbol global i shpresës, guximit dhe qëndresës njerëzore. Historia e tij e jashtëzakonshme është një dëshmi e forcës së shpirtit njerëzor dhe e mundësisë për të tejkaluar çdo pengesë, pavarësisht vështirësive që mund të duken të pamundura. Edhe pse nuk ishte një sportist i njohur para se të niste nismën e tij, trashëgimia e Terry Fox sot është më e madhe se çdo rekord atletik.
Terry Fox u diagnostikua me kancer në vitin 1977, në moshën vetëm 18 vjeçare. Pas një periudhe të vështirë trajtimi, ai humbi këmbën e tij të djathtë, por nuk lejoj që kjo të ishte fundi i ëndrrës së tij. Në vend të kësaj, ai u vendos të bëjë diçka që do të ndihmonte mijëra njerëz që ishin duke luftuar të njëjtën betejë si ai. Ai vendosi të realizonte një maratonë të vetme për të mbledhur fonde për kërkimet kundër kancerit, duke e quajtur këtë nismë “Maratona e Shpresës.”
Në prill të vitit 1980, Terry Fox filloi udhëtimin e tij ambicioz nga qyteti i St. John’s në Newfoundland dhe Labrador, duke synuar të kalonte gjithë territorin kanadez për të mbledhur fonde për kërkimet mjekësore. Ai zhvilloi një ritëm të jashtëzakonshëm duke kaluar mesatarisht mbi 40 kilometra çdo ditë, dhe së shpejti u bë një hero kombëtar, ndërkohë që mijëra njerëz po e ndiqnin dhe mbështesnin nga pas.
Për çdo kilometër që Terry Fox përparonte, ai shpresonte që do të arrinte të ndihmonte të tjerët që po kalonin sfida të ngjashme. Qëllimi i tij ishte të mbledhë fonde për të financuar kërkime shkencore për luftën kundër kancerit, dhe ndonëse ai nuk mundi ta përfundonte maratonën për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij, mesazhi i tij vazhdoi të udhëhiqte nisma të tjera të ngjashme në mbarë botën. Rruga e tij mbeti e hapur, dhe pas vitesh, gjithnjë e më shumë njerëz u bashkuan me kauzën e tij.
Në vitin 1981, vetëm një vit pas fillimit të Maratonës së Shpresës, Terry Fox humbi betejën me kancerin, por ajo që ai arriti të linte pas ishte një trashëgimi që është ende e gjallë edhe sot. Fondacioni Terry Fox, i themeluar nga familja e tij, ka mbledhur miliarda dollarë për kërkime shkencore dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër kancerit. Sot, gara vjetore e quajtur “Terry Fox Run” është organizuar në më shumë se 30 shtete të botës dhe ka grumbulluar dhjetëra miliona dollarë për kërkime shkencore, duke mbajtur gjallë kauzën e tij.
Trashëgimia e Terry Fox nuk është thjesht një histori suksesi në sport. Ajo është një histori e njerëzve të zakonshëm që, duke u bashkuar për një kauzë të madhe, bëjnë ndryshim. Emri i Terry Fox është i lidhur me një mesazh të fortë: asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh, pavarësisht sfidave që të dalin përpara. Për më shumë se katër dekada, ai ka mbetur një nga simbolet më të fuqishme të guximit dhe shpresës në Kanadë dhe përtej saj.
Sot, numri i pjesëmarrësve në garat e Terry Fox vazhdon të rritet, dhe shumë nga ata që marrin pjesë në këto aktivitete janë të rinj që e kanë mësuar historinë e tij dhe janë frymëzuar nga vlera e guximit dhe solidaritetit. Kjo është dëshmi e ndikimit të tij që mbetet i gjallë përmes brezave të tërë, duke e bërë Terry Fox një emër të paharrueshëm dhe një hero për të gjithë botën.
Në një kohë kur shëndeti dhe kërkimet mjekësore janë në qendër të vëmendjes, historia e Terry Fox vazhdon të jetë një kujtesë e fuqishme se secili mund të bëjë një ndryshim të madh, pa marrë parasysh pengesat që mund të hasim. Ai është një hero, jo vetëm për kanadezët, por për të gjithë ata që luftojnë çdo ditë për shëndetin dhe jetën e më të dashurve të tyre./KultPlus.com
Sistemi satelitor i NASA-s ka kapur imazhe shqetësuese që tregojnë përhapjen e zjarreve të shumta përgjatë gjithë Mesdheut, nga Greqia dhe Spanja, deri në Shqipëri dhe Qipro.
Qindra vatra aktive të zjarreve janë duke djegur pyje dhe zona të mëdha të gjelbërta, duke krijuar një panoramë dramatike në regjion. Pikat e kuqe në hartat satelitore përfaqësojnë vatrat aktive, qoftë të mëdha, qoftë më të vogla. Imazhet tregojnë zhvillimin e zjarreve, duke shfaqur ato që janë aktive sot, ato të regjistruara në 24 orët e fundit, dhe ato të ndodhur gjatë 7 ditëve të fundit,transmeton KultPlus
Javën e kaluar, të dhënat tregojnë një përhapje të gjerë të zjarreve, duke përfshirë disa nga vendet më të goditura nga temperaturat e larta. Vendet e Ballkanit dhe Italia janë përballur me një valë të fortë të të nxehtit, e cila ka ndihmuar në përhapjen e flakëve, përveç kushteve të tjera natyrore dhe të njerëzve që favorizojnë këtë proces.
Shumica e vatrave të zjarrit janë shfaqur në zona pyjore, ku flakët përhapen më lehtë për shkak të dendësisë së materialeve të djegshme. Disa prej pikave të kuqe mund të tregojnë aktivitete të tjera, si shpërthime që lidhen me luftën në Ukrainë, fabrika, ose djegie të kontrolluara nga fermerët në fusha.
Zjarret janë një kërcënim serioz për mjedisin dhe sigurinë e njerëzve. Pasojat janë të shumta, duke përfshirë shkatërrimin e florës dhe faunës, përveç rrezikut të mundshëm për jetën e banorëve që jetojnë pranë vatrave të zjarrit./KultPlus.com
Në një moment të rëndësishëm për kulturën dhe kujtesën kombëtare, në fshatin Menkulas të Devollit janë hedhur themelet e Shtëpisë-Muze kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli.
Shtëpia-muze do të shërbejë si një hapësirë e gjallë për të ruajtur kujtimin e tij, për të ekspozuar dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe materiale arkivore, si dhe për të organizuar aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë letrare shqiptare.
Vajza e shkrimtarit Elona Agolli u shpreh për RTSH se “Do të ketë një mundësi dhe një hapësirë të posaçme dedikuar edhe traditave të familjes Bektashiane, historisë familjare të shkrimtarit Dritëro Agollit.” ~
Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj nënvizoi se ,”Dritëroi ishte një personalitet i këtij kombi, ka qenë deputet i këtij populli i cili me veprat dhe fjalët e tij na ka frymëzuar për punë të mira.” Ndërsa kryetar i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa theksoi se, “Ngritja e një Memoriali apo qoft dhe një muze në vendlindjen e tij është një akt kulturor. Është një akt i memories kombëtare për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare. Dritëro Agolli, sikurse e quanin dikur në kritikën evropianë, “kafka me më tepër dritë” është një fenomen letrar.
I afërm i Dritëroit, Ylber Hoxha teksa shprehu vlerësime për ndërtimin e këtij muzeu në vendlindje tha se, “kjo është një gjë shumë e bukur për fshatin tonë dhe falënderojmë jashtë mase qeverinë.” Ky projekt synon të bëhet një pikë referimi për vizitorë, studiues dhe të rinj që duan të njihen më nga afër me jetën e një prej figurave më humane, më të ndershme dhe më të dashura të kulturës shqiptare./rtsh/
Një ekip studentësh të elektronikës industriale të aplikuar nga Universiteti i Aalborgut në Danimarkë përdorën një printer 3D për të prodhuar dhe më pas për të testuar një dron hibrid që mund të fluturojë, të zhytet në ujë, të manovrojë nën sipërfaqe dhe pastaj të kthehet në ajër, të gjitha në një sekuencë të vetme pa ndërprerje.
Prototipi u krijua për një punim diplome dhe demonstron kalime të shpejta nga ajri në ujë, gjë që madje i habiti krijuesit e tij.
Pjesa më e rëndësishme e performancës së dronit është sistemi i helikës së ndryshueshme, fletët e të cilit rrotullohen në kënde të ndryshme në ujë dhe ajër.
Pjerrësia e fletëve është më e madhe në ajër për të krijuar rrjedhje ajri, ndërsa në ujë është më e vogël për të zvogëluar rezistencën dhe për të rritur efikasitetin.
Këto helika gjithashtu mund të krijojnë shtytje negative për manovrim më të saktë nënujor.
Pamjet tregojnë mjetin duke u ngritur nga një pishinë e madhe, duke u zhytur, duke “notuar” shkurtimisht dhe pastaj duke u kthyer vertikalisht në ajër, duke përsëritur rutinën disa herë, të treguar nga kënde të ndryshme kamerash.
Ndryshe, dronët hibridë nuk janë krejtësisht të rinj.
Një raport i Live Science thotë se studiuesit nga Universiteti Rutgers prezantuan një prototip të ngjashëm ajër-ujë në vitin 2015, dhe shkencëtarët kinezë demonstruan një manovër të ngjashme tranzicioni në vitin 2023.
Ajo që e dallon projektin e studentëve të Aalborg është butësia e tranzicionit midis dy mjediseve të kapura në një kornizë të vazhdueshme dhe të arritur me një zgjidhje të thjeshtë të bazuar në helikë në vend të rikonfigurimeve mekanike më komplekse.
Mungesa jote ndihet më shumë se prania e kujtdo tjetër.
Frikacakët vdesin mijëra herë, ndërsa guximtarët e provojnë shijen e vdekjes një herë të vetme.
Sa më e bukur paraqitja, aq më i thellë mashtrimi.
Duaji të gjithë, besoju pak vetave e mos i bëj keq njeriu.
Ka ç’të thotë luani, kur përreth tij ka veç gomerë që pëllasin.
Dashuria e vërtetë fillon kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë.
Shumë zhurmë për asgjë.
Nuk ke ç’të zgjedhësh mes mollëve të kalbura.
Porsi rrezet e një qiriu të vogël që mbërrijnë larg në errësirë, ashtu në një botë të ligë ndriçon një vepër e mirë.
Është gjë e mirë të zotërosh një forcë gjigantësh, por është tirani nëse e përdor si gjigant.
Fatkeqësia i bën njerëzit ta ndajnë shtratin me partnerë të çuditshëm.
Nëse dikush do të bënte një vit pushim, argëtimi do të ishte po aq stresues sa puna.
Unë e konsideroj botën për atë që është: një teatër ku secili duhet të recitojë pjesën e tij.
Poezia më e vërtetë është ajo më fallcoja.
Për të njohur mirë të tjerët duhet më parë të njohësh vetëveten.
Njerëzit ia mbyllin derën në fytyrë një dielli që perëndon.
Asnjë virtyt nuk mund të krahasohet me nevojën.
Kush më vjedh kuletën, më vjedh diçka pa rëndësi. Paratë ishin të miat, u bënë të tijat, kanë qenë skllave edhe të shumë të tjerëve; por kush më merr nderin, më vjedh diçka që atë vetë nuk e pasuron, por mua më le më të vërtetë të varfër.
Ndarja është një dhimbje kaq e ëmbël saqë do të të thoja natën e mirë deri në mëngjes.
Jeto për të qenë mahnia dhe admirimi i kohës sate.
Mjerimi nuk vjen vetëm si pararojë, por i shtrirë si batalion.
Miqësia është besnike në gjithçka, përveçse në ndere dhe në çështje dashurie.
E kush është ai që vdes pa marrë me vete edhe një shkelm, dhuratë të një miku?
Të paktë janë ata që dëshirojnë të dëgjojnë për mëkatet që u pëlqen të bëjnë.
Po të trajtohej çdokush sipas meritës, kush do t’i shpëtonte kamxhikut?
Budallai beson se është i mençur, ndërsa i mençuri e di fort mirë që është budalla.
Fama është si rrethi i ujit që zgjerohet gjithnjë, derisa si rrjedhojë e zgjerimit, shpërbëhet në asgjë.
Çfarë ne quajmë trëndafil, do të mbante të njëjtën aromë të këndshme edhe me një emër tjetër.
Komedianët nuk janë të aftë të mbajnë sekrete, tregojnë çdo gjë.
Mjafton vetëm bukuria për të joshur sytë e njerëzve, pa nevojën e oratorëve.
Jeta është si një përrallë e trilluar nga një i çmendur: plot mahni e vrull, por pa domethënie.
I çmendur është njeriu që i flet hënës. I pamend, njeriu që nuk ia vë veshin.
A nuk e di që jam femër? Kur mendoj duhet të flas.
Fatkeqësia bën që një orë të duket e gjatë sa një ditë.
Jemi të bërë nga e njëjta substancë me ëndrrat.
Ne mund t’i mbyllim hesapet me të shkuarën, por e shkuara s’i mbyll hesapet me ne.
Nuk ka pasur kurrë një filozof që të mund të duronte dhimbjen e dhëmbëve qetësisht.
Çdokush mund të durojë një dhimbje, përveç atij që e ka.
Nëse nuk mban mend që dashuria të të ketë shtyrë të bësh as çmendurinë më të vogël, atëherë nuk ke dashuruar kurrë.
Dashuria është e verbër dhe të dashuruarit nuk mund të shohin çmenduritë e ëmbla që ata bëjnë.
Çmenduria është si dielli që shëtit të gjithë botën dhe nuk ka vend ku nuk ndriçon.
Bukuria i tundon hajdutët më shumë se ari.
Brishtësi, emri yt është femër.
Jepja gjithkujt veshin tënd, por pakkujt zërin tënd.
Çdo ankth që tani duket vdekjeprurës nuk krahasohet me të humburit ty.
Enkileda Carja ka arritur rezultate mbresëlënëse në Kampionatin Europian për 17-vjeçarët që po zhvillohet në Madrid, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës dhe duke thyer tre rekorde europiane gjatë garës.
Kryeministri Edi Rama përcolli pamje nga ceremonia e ndarjes së medaljeve në kampionat ku luhet himni shqiptar, ndërsa përcolli urimet për kampionen e re.
“Peshëngritësja e talentuar Enkileda Carja fiton medaljen e artë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj, që po zhvillohet në Madrid, duke thyer 3 rekorde europiane për të rinj, në peshën 63 kg”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Me një kombinim prej 204 kilogramësh, Enkileda Carja fitoi 3 medalje ari dhe la pas të gjitha rivalet, duke e ngjitur flamurin kuqezi në majën e podiumit në Madrid.
Peshëngritja shqiptare ka nxjerrë ndër vite talente duke shënuar suksese në arenën ndërkombëtare./ KultPlus.com
Ka jetë që digjen ngadalë si qirinj të vegjël, dhe ka jetë që rrezatojnë si një dritare e hapur mbi kohën. Jeta e Violeta Sekujt është nga ato që mbeten, nga ato që zgjaten përtej kufirit të vetvetes, duke dhënë prej shpirtit atë që arti kërkon më shumë se çdo gjë tjetër: një të vërtetë njerëzore. I bashkohet yjeve të përjetësisë, Violeta Sekuj, një korçare që u rrit me mëkim shpirtëror në tempullin e korifenjve, Teatrin “Migjeni”, në atë institucion që e ktheu artin në besim dhe çdo rrahje zemre në ovacione dhe duartrokitje, aty ku për dekada, veprimtaria krijuese, puna dhe përkushtimi, pasioni dhe vlerat, arritën të shkruanin një nga faqet më të vezullimta të traditës shqiptare të artit skenik, aty ku u ngjitën në skenë për t’u bashkuar me yjet, yje që vijojnë dritin, yje që presin t’u bashkohet edhe sot një tjetër yll, që qielli i natës së adhurimit të vijojë të shkrepëtijë nga dritat e shpirtrave që e shenjtëruan aktin krijues, e shndërruan skenën në ëndrrën e tyre dhe mision.
Teatri “Migjeni” i Shkodrës, ai tempull ku Violeta Sekuj e lidhi jetën dhe emrin e saj, e përcolli me pikëllim dhe dhimbje lajmin e ndarjes nga jeta, më 23 korrik 2025, në Massachusetts të SHBA. Në moshën 94‑vjeçare u shua një ndër figurat më të shquara të skenës sonë kombëtare, duke lënë pas një boshllëk që vetëm kujtimi i saj i madh mund ta mbushë. I gjithë komuniteti i artistëve shkodranë dhe jo vetëm, iu bashkua këtij zëri të dhimbjes, duke i shprehur familjes Sekuj ngushëllimet më të sinqerta për një humbje që tejkalon kufijtë e privates.
Ajo ishte një dritë në skenë Lindur më 1 mars 1931 në Korçë, ajo solli me vete në Shkodër një dashuri të madhe për artin dhe një ndjenjë të palodhur përgjegjësie. Në mesin e viteve ’50, kur nisi rrugëtimin e saj në teatrin “Migjeni”, askush nuk mund të parashikonte se një vajzë e re do të bëhej pionere dhe themeltare e një fryme të re artistike. Ajo ishte aktorja e parë me formim profesional në atë skenë dhe regjisorja e parë grua që i dha Teatrit “Migjeni” një horizont të panjohur më parë.
Një jetë në shërbim të personazheve Violeta Sekuj nuk u mjaftua kurrë me rolë të zakonshme. Në secilën figurë që interpretoi – qoftë tek “Shërbëtori i dy zotnive” që shënoi fillimin e saj, apo tek “Nora”, “Zekthi”, “Çifti i lumtur” e “Gjaku i Arbrit” – ajo e qiti shpirtin, duke i dhënë publikut personazhe që të rrënqethnin me gjallërinë dhe ndjenjën e tyre. Në kinematografi la po ashtu gjurmë me role në filma që sot janë pjesë e kujtesës sonë të përbashkët: “Fundi i një gjakmarrje”, “Militanti”, “Flutura në kabinën time”.
Një dorë krijuese mbi skenë Si regjisore, ajo drejtoi 15 shfaqje që mbeten monumente të Teatrit “Migjeni”: “Prefekti”, “Djem të mbarë”, “Nora”, “Kaçakët” dhe të tjera, ku kujdesi, ndjeshmëria dhe intuita e saj u bënë shkollë për breza të tërë. Ishte bashkëudhëtare e emrave të mëdhenj si Zef Jubani, Adem Kastrati, Tinka Kurti, Vitore Nino, Antonjeta Fishta, Ndrek Prela, Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Serafin Fanko, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja… një plejadë që ajo e pasuroi dhe e udhëhoqi me përulësi e dinjitet.
Një bashkëudhëtare e jetës dhe artit Në zemër të jetës së saj ishte gjithnjë një tjetër figurë e rëndësishme e artit shqiptar, bashkëshorti i saj, regjisori dhe themeluesi i Estradës Profesioniste të Teatrit “Migjeni”, Paulin Sekuj. Ata ndanë jo vetëm dashurinë dhe familjen, por edhe betejat dhe gëzimet e skenës. Sot, kur kujtojmë Violeta Sekujn, nuk jemi vetëm në një akt kujtese, por në një akt mirënjohjeje. Ajo i dha skenës një jetë të gjatë, të bukur, të përkushtuar; i dha publikut emocione të papërsëritshme; i dha brezave një shembull se arti nuk është thjesht një profesion, por një mision që të digjet nga brenda e të ndriçojë të tjerët. E përjetshme qoftë drita jote, Violeta. Teatri “Migjeni” dhe kujtesa jonë të mbajnë gjithnjë në skenën e zemrës.
Achille Claude Debussy (1862 – 1918), kompozitor francez. Njëri ndër më të rëndësishmit e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX; po ashtu nganjëherë është parë edhe si kompozitori i parë impresionist, megjithëse ai vetë e ka përjashtuar këtë fuqishëm.
Për Raoul Bardac
E shtunë, 24 shkurt 1906
dhe të dielën, më 25
I dashur Rara,
Do të falësh për datën e kësaj letre dhe… dembelinë time!
Tash, “Le të shkapërdahemi në kujtimet e dimrit edhe njëherë,” siç Fauna e Mallarmes kishte thënë sikur Willy ta kishte botuar.
Dhe çfarë dimri! Po bie shi, pemët janë si vejusha të pangushëllueshme, lulet janë brenda dhe “shpendët shtëpiake janë jashtë” – sa për ndryshim – dhe disa nga mendjemëdhenjtë po mundohen ta kompensojnë këtë mungesë me përshkrime simfonike. Kështu edhe provat tona me Sheherzadenë1… që nuk është përmirësuar me kalimin e viteve, duke u bërë më shumë pazar se sa orientale. Për më tepër, jemi të detyruar të pranojmë se Chevillardi në asnjë mënyrë nuk i ngjan princeshës Boudour… Ai i lëviz duart si një demonstrues politik, shpina e tij vepron si ajo e një polici në biçikletë, e gjithë kjo pra krijon një efekt krejt të kundërt me të bukurën.
Dëgjuam po ashtu Un jour d’été à la montagne të Vincent d’Indy. Është d’Indy përtej Cevennes. Derisa nuk kam të dhëna të sakta rreth klimës së asaj zone, nuk mund të të them ndonjë gjë. Më duket se përdorin fagotin në një shkallë të pamoderuar dhe është bukur befasuese të dëgjosh një piano në atë regjion. Mendoja se pianot gjenden vetëm në bjeshkët zvicerane.
Ti nuk ke pasur shumë fat me Société Nationale2. Nuk duhet ta lejosh këtë ndodhi të të mërzisë më shumë se sa duhet. Së pari, ti nuk e kishe mbështetjen e duhur, pastaj ti nuk i përket asnjërës prej klikave të kanë leje zyrtare t’i përkushtohen muzikës.
Lejomë të mos më vij shumë keq që Colonne nuk po luan asgjë tënden këtë vit… Ti ke kohë të planifikosh strategjinë tënde, të përfitosh prej saj, ashtu që të mos rrezikosh të luash një dorë që, sado që mund të mos jetë e keqe, shumë lehtë mund të mos ia vlejë.
Ti ke talent dhe dhunti, por ti nuk i beson kurrë mjaftueshëm shtegut nëpër të cilin të çojnë idetë e tua. Nganjëherë, kjo të drejton kah diçka që është disi e palidhur dhe madje e ngutshme, duke krijuar përshtypjen hutuese se po mundoheshe ta përfundoje me çdo kusht. Ti e se sa pak i shijoj llojet parazitë të zhvillimeve rraskapitëse ku Mjeshtërit janë lavdëruar tepër shpesh dhe ne duhet të përpiqemi të zëvendësojmë atë një zgjedhje më rigoroze të ideve, një varg normalisht më të kujdesshëm ndaj vlerave që nocione të tilla mund të përfshijnë në horizontin ornamental orkestral dhe të shoh te kjo mbi të gjitha se idetë mund të marrin frymë, në vend se ngulfaten siç ndodh zakonisht me të gjitha, deri në banalizimin e rrethanave të tyre. Mirë pra, ki durim! Është një virtyt më i lartë, madje shtëpiak, që na e bën të mundur të nxjerrim më të mirën tonë në punën tonë.
Gjithsesi nuk dua të ta prish ditën tënde të shkëlqyeshme me një dush shqyrtimesh estetike a morale. Është fare pak e dobishme… Shkurt, estetika nuk është veçse një vlerë që ndryshon çelës sipas periudhave dhe kam frikë se edhe moraliteti është një rast i ngjashëm.
Përshkrimi yt se si e kalon kohën tënde është i këndshëm, gjithë ato orë të kaluara duke mos bërë asgjë më duket një orar i vërtetë provash.
Ke të drejtë… më mirë të marinosh trurin tënd në një banjë dielli. Shikoji lulet dhe fotografitë e çastit – derisa indi yt nervor është ende në gjendje të reagojë ndaj tyre.
Kthehu me përshtypjet që ke marrë. Mos u ngut t’i flakësh tutje. Ngase muzika është superiore ndaj pikturës në atë se bën bashkë në një njësi të vetme ngjyrën dhe variacionet e dritës së një shikimi të vetëm.
Kjo është e vërtetë që përgjithësisht harrohet, pavarësisht thjeshtësisë së saj… madje ti edhe mund të braktisësh muzikën, herë pas here… Opinioni sipas të cilit një person mund të shkruajë shumë duke mësuar se si të shkruajë është budallallëk me brirë… Dhe nuk ka shije e mirë të ngacmojë njerëzit dikush që supozohet të jetë i dhënë më së shumti pas tyre duke u parashtruar kërkesa të vazhdueshme.
Nëna jote ka një rast të jashtëzakonshëm të rrufës… ti e di se si ajo është kundër çdo lloj ilaçi, çka nuk i lehtëson gjërat fare.
Claude i vogël edhe njëherë do të një ndryshim dadoje. E fundmja, thotë ajo, ishte mashtruar nga i shoqi! Kështu që ka marrë pushim që të verifikojë fatkeqësinë e saj – psikologji e dyshimtë dhe shkencë e përçmueshme shtëpiake.
S’do të flas për atë që kam qenë duke bërë… se sado që jam duke shkruar muzikë paksa, ajo pakëz gjë më trazon bukur fort. Në mungesë të ndonjë shpjegimi tjetër, ia atribuoj këtë gjendjes së qiellit.
Lamtumirë, i dashur Rara
me miqësinë time të sinqertë
Claude Debussy
Shënime:
Loja e fjalëve me të cilën e hap letrën është referencë në vargun 66 të ekologes së Mallarmes L’Aprés-midi d’un Faune:“O nymphes, regonflons des souvenirs divers.” (O nimfa, le të mbufatemi nga kujtimet e shumta.) Debussy kishte qenë në vitet e hershme cak i komenteve të përzgjedhura të Willyt, njëri prej tyre i referohet pjesës Cinq Poémes de Charles Baudelaire. (Poezia ishte marrë nga Les Fleurs du mal) ‘Debussy qui jette l’engrais de sa musique sur les Fleurs de Baudelaire.” (Debussy që shtron komposto të muzikës së tij përreth Luleve të baudelairet.)
Ndërsa kur përdor frazën “la volaille à l’extérieur,” (“shpendët shtëpiake janë jashtë”). Debussy mund të ketë qenë duke kujtuar një pasazh nga kapitulli XI i Mon Amie Nane, roman i shokut të tij P.-J. Toulet, i botuar më 1905 dhe i cili i kishte pëlqyer shumë.
1) Nga Rimsky-Korsakov.
2) I referohet këngëve të kompozuara nga Raoul Bardac që ishin kënduar keq në një koncert të Société Nationale de Musique.
3) Bija e Debussyt.
/Marrë nga ‘De Poetic Debussy A Collection of His Song Texts and Selected Letters’, Northeastern University Press, 1982
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje Çfarë pretendon se do shikoje? Cilin përbindësh mendon se fsheh? Po të zhgënjej, por nuk më njeh. Nuk ka nevojë për të trokitur Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur. Mure të zbrazët lyer pa ngjyra Fotografi, por pa fytyra. Diku e hedhur afër shtratit Është nje kuti e tersit, e fatit. E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime. Janë fjalët që kam thënë aty, gjithkush që njoha, përfshi ty. Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova Vendet ku shkela, ku jetova. Janë zënkat tona dhe mëritë Janë puthjet netëve pa dritë. Veset e mia që aq urreve Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty Herët kur s’të pash në sy. Jetët që pa ty jetova Të tjera femra që dashurova. Janë dhe sekretet që s’të kam thënë E amanetet që të kam lënë.
Fëmijet që kurrë nuk më lindën Epshet që vrava se nuk mu bindën. Ka letra, që për ty i shkrova Në zarfet që kurrë s’ti dërgova. E nëse gjithcka përmbys do kthesh Sekretin më të madh do gjesh. E kam fshehur në fund fare Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim Atë më të shtrenjtin sendin tim. Balsamin që plagët shëronte kur kjo djall jete më kafshonte. Para fytyrës ngadalë afroje Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje. E kur ngadalë ta kesh zbuluar. Veç një pasqyrë do gjesh në duar. Do shohësh veten, reflektim Se ti , ishe thesari im! / KultPlus.com
Krijimtaria artistike e dizajnatores së re Riona Sylejmani, e prezantuar para publikut artdashës gjilanas dhe më gjerë, nën titullin “Fuqizimi i Grave dhe Moda gjatë viteve ’90 në Kosovë”, përfaqëson një dëshmi vizuale dhe konceptuale të një periudhe të trazuar, të përplasur ndërmjet represionit dhe një vetëdijeje të re shoqërore.
Ekspozita sjell një dialog të thellë midis të kaluarës dhe të tashmes përmes veshjeve të ruajtura nga fundi i shekullit XX dhe krijimeve bashkëkohore që komunikojnë me to në një gjuhë estetike të guximshme. Këto veshje nuk janë thjesht pjesë të një arkive mode – ato janë narrativa tekstile të identitetit femëror në Kosovë, një histori që rrëfehet përmes fijeve, formave dhe ngjyrave.
Veshjet e paraqitura mishërojnë kodin estetik të grave gjatë kohës së luftës, një kohë kur moda ishte një akt rezistence, vetëpërkufizimi dhe ruajtjeje të dinjitetit. Ato karakterizohen nga materiale të pasura dhe me ngarkesë simbolike – kadife, saten, dantella – që në atë kohë përfaqësonin përkatësinë, kulturën dhe shpresën.
Riona sjell në pah silueta të veçanta: fustane për darka, martesa dhe ngjarje familjare, që ishin shpesh të vetmet hapësira për vetëshprehje dhe bukuri në kohë represioni. Dizajnet e saj eksperimentale përdorin nota ironike, poetike dhe kritike për të risjellë imazhet e asaj periudhe të dhimbshme.
Ndër tiparet dalluese të koleksionit janë:
Fustani i bardhë me vrima, që ngjan me një fustan nusesh të rrënuar – një metaforë e fuqishme për martesat e detyruara, dhunën dhe çnjerëzimin e gruas gjatë luftës. Një veshje që flet më shumë se çdo fjalë.
Krijimi me copa të qepura, butona dhe tekstile të mbledhura, që përçon narrativën e fragmentimit, mbijetesës dhe rindërtimit – një koment i thellë mbi gruan si arkitekte të qëndrueshmërisë dhe transformimit.
Fustani konceptual me prerje të hapura dhe strukturë grafike, që ndërthur sensualitetin me forcën, si një reflektim mbi rikonceptimin bashkëkohor të feminitetit përtej normave dhe tabuve.
Fustanet me ngjyra të ndara dhe lule shumëngjyrëshe mbi rrjetë, të frymëzuara nga flamuri shqiptar dhe dhimbjet e luftës, ofrojnë një kombinim të ndjeshëm dhe të fuqishëm mes trishtimit dhe shpresës.
Moda, në këtë ekspozitë, shndërrohet në një gjuhë të heshtur politike – që nga rrobat e thjeshta të ruajtura me kujdes në kohë izolimi, deri te instalacionet artistike të frymëzuara nga trauma, dhimbja dhe rezistenca. Gratë nuk ishin vetëm bartëse të modës, por krijuese të saj – një akt emancipimi dhe vetëdijesimi kolektiv.
Kjo krijimtari stilistike e Rionës është një akt dokumentimi, proteste dhe rilindjeje. Ajo ndërthur kujtesën historike me kreativitetin bashkëkohor, duke e kthyer ekspozitën në një hapësirë reflektimi mbi rolin dhe zërin e gruas në shoqërinë kosovare – dikur dhe sot.
Suksese Riona Sylejmani në rrugëtimin tënd krijues dhe stilistik – zëri yt tashmë ka filluar të rezonojë fuqishëm në skenën e artit dhe modës!
Shënim: Ekspozita është kuruar nga Riona Sylejmani dhe përfshinte punime të studentëve të saj, të frymëzuara nga rrëfime personale të grave gjatë viteve ’90 në Kosovë. Kjo përbën një dialog ndërbreznor mbi modën, kujtesën dhe rezistencën.
Hafsa Zyberi është këngëtare shqiptare e cila i takon brezit të Fitnete Rexhës, Nexhmije Pagarushës, Vaçe Zelës, Fatime Sokolit, Merita Halilit etj.
Gjatë karrierës së saj këndoi dhe kultivoi me një pasion të madh këngët e Shqipërisë së Mesme.
Disa prej këngëve të cilat ajo i këndoi ndër vite janë: Hajde Moj Malenake, S’paske Pas Një Pikë Mëshirë, Si Më Ke Sytë Më Ke Vetullat, Të Du Moj Goce E Vogel, Ti Pelqeva Ato Sy, Unë Ty Moj Të Kam Dashte, Kënga E Shoqënisë, Balluket E Tuja, Çohuni Djema Shaloni Atin, Këngë Për Kajo Karafilin, Kumuri Qafëbardhë, Kur Ke Qenë Një Herë E Re, Lum E Lum Se Ja Mërrina, Më Shikon Më Buz Në Gaz, Moj Thëllënxa Mitare, Mun Te Ara Kë Tagjia, Në Bash Të Qejfit E T’muhabetit, Rrallë Kam Pa Ksoj Bukurie etj.
KultPlus ju sjell një interpretim të saj “Rrallë Kam Pa Ksoj Bukurie”: