“Jam nga Gjakova, jam nga Kosova – shqiponja ishte përgjigjja ime” – publikohet momenti i kërcimit të Shkëlzen Goqit në Podgoricë
Është publikuar pamja që tregon momentin kur sportisti nga Kosova, Shkëlzen Goqi, bën kërcimin e tij nga “Ura e Vezirovit” në Podgoricë – duke shoqëruar hedhjen me një gjest të njohur për shqiptarët: simbolin e shqiponjës dy-krenare.
Videoja, e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, dokumenton qartë çastin kur Goqi bën shenjën me duar para se të hidhet nga lartësia – një gjest që më pas u interpretua si “provokues” nga organizatorët dhe që solli diskualifikimin e tij nga gara tradicionale e kërcimeve në ujë, të mbajtur të dielën në kryeqytetin e Malit të Zi.
Shkëlzen Goqi, një emër i njohur për publikun kosovar dhe i vlerësuar për aftësitë e tij në kërcime ekstreme, është me origjinë nga Gjakova. Ai theksoi se nuk kishte qëllim tjetër përveçse të shprehte përkatësinë e tij kombëtare.
Albanian diver from Gjakova, Shkelzen Goqi, was disqualified from a competition in Montenegro
for the double eagle gesture.
Why does the Eagle hand-gesture offend Serbs?
His dive was top class though
![]()
pic.twitter.com/a7c4WmoKcY
— Epirote Report
(@EpiroteReport) July 20, 2025
Në një deklaratë për Radio Gjakova, Goqi u shpreh qartë dhe me dinjitet: “Pavarësisht si më prezantuan, unë e di nga vij. Jam nga Gjakova, jam nga Kosova, dhe këtë nuk ma heq askush. Shqiponja ishte përgjigjja ime”.
Diskualifikimi i tij ka nxitur shumë reagime dhe komente mbështetëse në rrjetet sociale, ku qytetarë, sportistë dhe figura publike kanë cilësuar ndëshkimin si i padrejtë dhe politik. Për shumë shqiptarë, gjesti i Goqit nuk është provokim, por shprehje e identitetit kombëtar, e njëjtë me mënyrën se si sportistët shqiptarë e kanë përdorur simbolin e shqiponjës në ngjarje ndërkombëtare.
Sipas mediave malazeze, vendimi për diskualifikim u mor pas reagimeve nga publiku dhe ndërhyrjes së Evald Krniq, fituesit të garës, i cili i kërkoi jurisë përjashtimin e Goqit. Organizatorët, përmes sekretarit për sport të Podgoricës, Darko Nikçeviq, sqaruan se “rregullat e manifestimit ndalojnë shfaqjen e simboleve politike apo kombëtare”.
Në fund të ditës, Shkëlzen Goqi nuk mori çmim – por mori zemrat dhe respektin e shumë shqiptarëve, të cilët në vend të medaljes, i dhanë mbështetjen dhe solidaritetin e tyre. /Telegrafi/
The post “Jam nga Gjakova, jam nga Kosova – shqiponja ishte përgjigjja ime” – publikohet momenti i kërcimit të Shkëlzen Goqit në Podgoricë appeared first on Telegrafi.