Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ministri Hasani pret homologun irlandez: Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në rrugën tonë drejt BE-së

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në ambientet e MEPJ Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës,  Thomas Byrne. Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si një dimension thelbësor për paqen dhe sigurinë afatgjatë në kontinent.

Në fokus ishte progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ministri Hasani theksoi përkushtimin e palëkundur të qeverisë për të avancuar reformat kyçe, duke e cilësuar integrimin evropian si prioritet të qartë kombëtar.

“Mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Irlandës për procesin e zgjerimit dhe për përkrahjen konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit. Shpresojmë të thellojmë bashkëpunimin edhe më tej gjatë Presidencës së Irlandës në Këshillin e BE- së në gjysmën e dytë të vitit 2026,”  u shpreh Ministri Hasani.

Ai shtoi se Shqipëria është e gatshme të hapë grup-kapitujt e radhës në negociata dhe synon përmbylljen e pjesës teknike brenda vitit 2027, me synimin për anëtarësim përpara fundit të dekadës.

Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe është aktive në misionet civile dhe ushtarake të saj – një kontribut i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Irlandës, përfshirë hapjen e fluturimeve direkte, si dhe për mundësitë e rritjes së investimeve irlandeze.

Nga Amerika Latine prostituonin në Shqipëri/ Prokuroria e Elbasanit mbyll hetimet, çon për gjykim 13 persona

TIRANË- Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 13 persona, më së shumti nga Amerika Latine, të cilët akuzohen për veprat penale  ‘Prostitucion’ dhe ‘Shfrytëzim prostitucioni’

Hetimet disa mujore zbuluan një rrjet prostitucioni ku shtetase të huaja nga Amerika Latine dhe vende të tjera ishin rekrutuar, transportuar dhe vendosur në Shqipëri për të ushtruar veprimtari prostitucioni kundrejt pagesës.

Në qendër të këtij rrjeti qëndronin dy shtetas  të huaj, të cilët, përmes një skeme të mirëmenduar dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë, koordinonin aktivitetin e paligjshëm dhe përfitonin nga shërbimet seksuale të ofruara nga gratë e rekrutuara.

Gjatë fazës intensive të hetimeve janë përdorur operacione të simuluara dhe agjentë më mbulim, të cilët mundësuan dokumentimin e qartë të veprimtarisë kriminale. U sekuestruan prova materiale, përfshirë para të shënuara, aparate telefonike, komunikime komprometuese dhe u dokumentuan të gjitha elementet që vërtetojnë strukturën dhe funksionimin e këtij rrjeti kriminal.

Në total u dërguan për gjykim 13 të pandehur, ndër të cilët:

2 organizatorë për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” në rrethana cilësuese;

2 shtetas të dyshuar si klientë që kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës;

8 shtetase të huaja, nga Amerika Latine, të akuzuara për ushtrimin e prostitucionit në territorin e Republikës së Shqipërisë; dhe

1 person i përdorur për shfrytëzim.

Veprimtaria kriminale ishte e shtrirë në disa qytete të vendit dhe rrjeti operonte duke shfrytëzuar platforma ndërkombëtare online të prezantimit të eskortave, ku përmes publikimit të fotove dhe tarifave, realizohej kontakti me klientët shqiptarë dhe të huaj.

Prokuroria ka dokumentuar jo vetëm mënyrën e organizimit dhe funksionimit të rrjetit, por edhe lidhjet e ndërsjella të bashkëpunimit mes personave të përfshirë.

Prokuroria e Elbasanit do të vijojë të mbikëqyrë dhe ndjekë me vendosmëri të gjithë hapat e mëtejshëm procedurialë për këtë çështje, me qëllim që të gjithë të përfshirët të mbajnë përgjegjësinë penale për veprimet e tyre.

Rama: Të gjithë universitetet e Shqipërisë duhet të ndjekin shembullin e UBT, ndryshe s’ka mbështetje financiare

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se nuk do ketë asnjë mbështetje financiare për universitet e vendit, nëse ato nuk ndjekin shembullin që po bën Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Ai theksoi se qeveria do vijojë ta mbështesë me fonde e buxhet këtë universitet, i cili sipas tij, do të kthehet në një prej institucioneve rrezatuese në rajon dhe burim dijesh të rëndësishme për nevojat e Shqipërisë.

“Natyrisht që ky territor ka nevojë për forcat e reja. Në kapitujt e negociatave për anëtarësim, bujqësia dhe zhvillimi rural është një kapitull më vetëe që është e “nëne o nëne”, realisht. Ata pedagogë që merren shumë ose pak me direktivat evropiane e dinë shumë mirë, mjedisi dhe ndryshimet klimatike është kapitull më vete.

Ujërat dhe menaxhimi i mbetjeve janë kapituj në vete dhe të gjitha këto bashkë, është dhimbja më e madhe e kokës për një vend si ne, por dhimbja e madhe e kokës jo se ne kemi problem që të tjerët s’i kanë pasur, por se ne na duhen dije, na duhen njerëz të ditur dhe patjetër që bazë është ky universitet.

Nuk bëhet kjo me miell të huaj, sado të marrim ekspertë dhe ndihmë, por na duhet ky brum, që kjo furrë po bëhet gati për ta pjekur, por ama prurjet janë të rëndësishme, por është interes kombëtar dhe prioritet mbështetje pa rezervë e kësaj reforme edhe këtij universiteti. Të gjithë universitetet e Shqipërisë duhet ta kenë të qartë që tani që e kemi shembullin, nëse duan mbështetje ekstra, duhet të bëjnë atë që po bën UBT.

Duhet të gjejnë shokun apo shoqen në Europë, të ngjiten me të, të dorëzojnë letrat e fejesës që ne t’i mbështesim për martesë. Historia që kemi një program, jo do bëjmë atë, jo këtë, mund t’i bëjnë, janë autonon, por nuk kanë mbështetje nga qeveria.

Qeveria do ndryshojë komplet qasjen financiare dhe për sa kohë nuk do ketë një të dytë, çfarë janë ekstra, ne do t’i vendosim të UBT. Do ta bëjmë UBT një rrezatim në të gjithë rajonin. Do ta fusim në listën dinjitoze të Evropës për këto tema dhe do t’i japim Shqipërisë një burim të jashtëzakonshëm dijeje”, tha ai./abcnews.al

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Nëntë vatra mbeten aktive, rrezik i lartë në disa qarqe

SHQIPËRI- Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend. Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive dhe 1 në monitorim.

Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Vlorë, Elbasan, Belsh, Kurbin, Devoll, Korçë, Maliq, Përmet, Shijak dhe Malësi e Madhe.

Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:

• Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë. Zjarri po zhvillohet në tre vatra me intensitet të ulët gjatë natës.Vatrat e zjarrit janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth liqenit të zi dhe në Fushën e pelave. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit operoi 1 avion Canadair nga shteti Italian. Ditën e sotme janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 forca ushtarake të FA-së për shuarjen e zjarrit.
• Vazhdon aktive vatra në fshatin Ulëz, bashkia Mat
• Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e rënë zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor është shumë i thyer dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
• Qarku Vlorë, Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era ditën e djeshme përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë operuar 2 avionë Canadair nga shteti Grek. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter të FA-së.
• Qarku Elbasan ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në pyll gështenje në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal.
• Qarku Lezhë, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave. Terreni është i vështirë për ndërhyrje me mjete. Sot vazhdon puna për prerjen zjarrit, në lartësitë mbi fshatin Lurth. Rrezik për banesa nuk ka.
• Qarku Korçë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, në fshatin Vernik, bashkia Devoll. Vatra është vënën në kontroll. Ditën e sotme janë angazhuar forcat operacionale për shuarjen e plotë të zjarrit.
• Në fshatin Dishnicë, njësia administrative Bulgarec, bashkia Korçë .Ditën e sotme janë angazhuar forcat operacionale për shuarjen e plotë të zjarrit.
• Qarku Gjirokastër, në fshatin Kosinë, bashkia Përmet. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave, për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktive. Rrezik për banesa nuk ka.
Në monitorim
• Zjarri ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 9 efektivë.

Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 32 hektarësh të djegur.
Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 51 automjete zjarrfikëse dhe 684 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 185 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 Helikopterë.
Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve. Sipas IGJEUM, sot nuk priten reshje.
Zjarret në pyje: Sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR”, kurse rrezik “I LARTË” nё zona tё lokalizuara qarku Durrës (Jug Lindje).
Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme.
Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse/abcnews.al

Rama: Kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike do ndëshkohet penalisht

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka paralajmëruar se kushdo që zapton hapësirën e përbashkët publike do të ndëshkohet penalisht.
Kjo praktikë theksoi kryeministri duhet të marrë fund dhe askush nuk mund të bëjë biznes, të krijojë ndotje të ambientit për qëllime përfitimi.

“Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare duke i gjobitur.
Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet të ndëshkohet penalisht. Shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”, theksoi ai./abcnews.al

Media britanike: Vizitoni qytetin e bukur evropian, Tiranën!

TIRANË– Ekspertja e udhëtimeve Chelsea Dickenson është gjithmonë në kërkim të destinacioneve më pak të njohura. Kohët e fundit, ajo zbuloi një qytet evropian të vendosur në Shqipëri – një destinacion i vlerësuar për vijën e tij bregdetare mahnitëse, shkruan Ellen Jenne në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

“Tirana, duhet të jetë në radarin e shumë turistëve, është vërtet interesante, sepse Shqipëria ka marrë shumë më tepër vëmendje për Rivierën e saj… Por, mendoj se kryeqyteti i saj, Tirana, është absolutisht i mrekullueshëm”, tha ajo.

E vendosur në zemër të Shqipërisë, Tirana është e rrethuar nga kodra dhe male, përfshirë Dajtin.

Qyteti u themelua nga një gjeneral etnik shqiptar dhe guvernator i Perandorisë Osmane në vitin 1614 dhe u bë një vend i pavarur në vitin 1912, pothuajse tre shekuj më vonë.

Tirana është vlerësuar si një parajsë për turistët që kërkojnë hapësira të gjelbra, me zona të shumta në natyrë për t’u çlodhur gjatë muajve me diell të verës.

Në Tiranë ekziston një kulturë kafenesh dhe restorantesh, kështu që ka kaq shumë vende në natyrë për t’u ulur. Gjithashtu mund të shijoni ëmbëlsira tradicionale për vetëm 45 qindarka.

Qyteti është plot me ëmbëlsira ballkanike, të tilla si kadaif, kompekaj dhe bakllava. Një specialitet tjetër për të provuar është byreku.

Një banor vendas i Tiranës ofroi disa këshilla mbi vendet më të mira të kuzhinës. “Kernace Zgare Fatosi” është vendi i preferuar për adhuruesit e qofteve, bukës dhe kosit.

Nëse dëshironi të provoni kuzhinën tradicionale shqiptare, shkoni në “Restorant GjinoKastra”.

Për disa eksplorime dhe atraksione kulturore, vizitoni Sheshin Skënderbej, Kalanë e Tiranës, Pazarin e Ri dhe Sofrën e Ariut.

Vizitoni zonën e Bllokut, për të shijuar një pije ndërsa shihni pamjet panoramike të qytetit, nga “Hotel Xheko Imperial”.

Një tjetër avantazh i vizitës në Tiranë?

Fluturimet ofrohen me çmime të ulëta. Kryeqyteti shqiptar renditet si një nga destinacionet e rralla ku mund të gjeni një fluturim vajtje-ardhje për afërsisht 40 paund gjatë sezonit më të qetë.

Një fluturim nga Londra me “Ryanair” në shtator mund t’ju kushtojë vetëm 15 paund vajtje-ardhje.

Gjithashtu, për një pushim treditor dhe dy netë në qytet do të shpenzoni vetëm 100 paund./abcnews.al

VIDEO/ Makina e shkrumbuar dhe dëme materiale, çfarë la pas shpërthimi me tritol në Sarandë

SARANDË- Pamjet që shihni janë pasojat e shpërthimit të fuqishëm më tritol në qytetin e Sarandës.

Ngjarja po hetohet për motive hakmarrjeje pasi automjeti që u hodh në erë është në pronësi të Klaus Jacaj, 31-vjeçarit, i cili u shpall në kërkim nga Policia për ngjarjen e disa ditëve më parë, ku dy persona nga Kamza mbetën të plagosur me armë zjarri në Sarandë.

Pas shpërthimit makina është përfshirë nga flakët, ndërsa janë raportuar dëmtime në ambientet përreth.

Ai akuzohet se ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan me armë dy të rinj pas sherrit për pronën në bregdet./abcnews.al

Shkurtime masive të vendeve të punës në OKB

Qindra punonjës të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë kanë humbur tashmë vendet e punës, dhe priten shkurtime të tjera edhe më të mëdha.

Që nga janari 2025, kur Donald Trump mori detyrën si President i SHBA, ai e tërhoqi vendin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe pezulloi financimet për shumë agjenci e OJQ të tjera të bazuara në Gjenevë, si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Deri tani:

Punësimet në OKB janë ulur me 43% krahasuar me vitin e kaluar.

Shumë programe humanitare janë ndërprerë, ndërsa mijëra punonjës janë larguar globalisht.

Shkurtime të mëdha të paralajmëruara:

UN AIDS: Nga 127 punonjës do të mbesin vetëm 19.

Gavi – Aleanca e Vaksinave: 155 vende pune do të shkurtohen.

IOM: 200 vende pune do të eliminohen në selinë qendrore.

ILO – Organizata Ndërkombëtare e Punës: 190 punonjës do të largohen, ndërsa 92 do të transferohen në terren.

OBSH: Pritet të largojë 40% të stafit të saj në Gjenevë, që përbën mbi 1,000 vende pune.

UNCTAD – Agjencia për Tregti dhe Zhvillim: 70 vende pune, ose 20% e stafit, do të shkurtohen.

Reagimi në Zvicër

Për të mbrojtur prezencën e OKB-së dhe OJQ-ve në Gjenevë:

Parlamenti i kantonit ka miratuar 10 milionë franga ndihmë urgjente për OJQ-të.

Qeveria federale ka caktuar 269 milionë franga për të ndihmuar Gjenevën të përballojë krizën.

Këshilli Federal deklaroi se shkurtimet e kontributeve financiare nga disa vende anëtare, pa përmendur drejtpërdrejt SHBA-në, kanë sjellë sfida serioze për organizatat ndërkombëtare.

Shpërthim me tritol në Sarandë/ Hidhet në erë një automjet, dyshohet për hakmarrje pas konfliktit për pronën

SARANDË- Qyteti i Sarandës u trondit mbrëmjen e së hënës nga një shpërthim i fuqishëm me tritol. Policia thotë se lënda plasëse i është vendosur një automjeti të parkua, i cili ëahtë hedhur në erë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 3 rreth orës 23:50.

“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas”, njoftoi Policia.

Policia thotë se si pasojë e shpërthimit nuk raportohet për persona të lënduar, pasi mjeti ka qenë i parkuar pranë një pallati. Hakmarrja po hetohet si një nga pistat kryesore, pasi pronar i mjetit rezulton Klaus Jaçaj 31 vjeç.

Ai është shpallur në kërkim nga policia vetën 4 ditë më parë pas një sherri për pronësi. Sakaq, 31-vjeçari akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan dy të rinj pas sherrit për pronën në bregdet. Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

 

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

I nxehti afrikan vijon ndikimin e tij edhe gjatë ditës së martë, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura të larta, ku vlera ekstrem priten në zonat jugore deri në 40 gradë Celcius.

Orët e pasdites sjellin prezencë të vranësirave të pakta në të gjithë territorin e vendit, ku më të dukshme do të jenë në zonat verilindore dhe juglindore.

Mundësia për reshje është thuajse zero. Rritet ndjeshëm lagështira relative në ajër duke bërë që i nxehti të ndjehet edhe më shumë.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes dhe në mesditë, duke luhatur vlerat ditore nga 13°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 40°C vlera më e lartë e cila pritet për-gjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë e lehtë dhe herë pas herë mesatare me shpejtësi mbi 28 km/h nga drejtimi permanent Perëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

Dashi

Duke pasur Jupiterin në krah sot do jeni më të gatshëm për të negociuar për çdo gjë dhe do jeni edhe mjaft bindës. Për ju të dashuruarit do ndodhin veçse gjëra të mira. Do bëni shumë për njëri-tjetrin dhe besimi do jetë reciprok. Edhe nëse keni pasur probleme do i kaloni. Ju beqarët do keni mundësi të krijoni një lidhje mjaft të bukur dhe që do iu sjellë kënaqësi pa fund. Në punë do jeni shumë të zotët dhe do realizoni çdo detyrë që do iu jepet. Mundet t’i jepni një ndihmë edhe kolegëve të ngushtë. Përfitoni nga kjo ditë e qetë për të riorganizuar buxhetin tuaj. Saturni do jetë në anën tuaj dhe do iu ndihmojë tej mase.

Demi

Edhe sot do jeni ndërmjet influencës së Neptunit dhe Jupiterit. Në tërësi situata do jetë e qetë dhe nuk do ketë asgjë të jashtëzakonshme Jeta juaj në çift nuk do ketë ndryshime të mëdha dhe në përgjithësi rutina do mbizotërojë. Për ju beqarët do krijohet një ambient mjaft pasionant. Nëse keni kohë që keni menduar për dashurinë, më në fund do e gjeni pasi takimet do jenë të shumta. Në punë do vonoheni paksa nduke u marrë me gjëra pa rëndësi, por sërish do e mbaroni detyrën në momentin e kërkuar. Marsi do jetë planeti që do iu japë energji për ta menaxhuar me kujdes buxhetin, por ju sërish nuk do i ndalni shpenzimet e tepruara.

Binjakët

Gjatë kësaj dite duhet të jeni më largpamës dhe duhet të mendoni më shumë për të ardhmen. Shprehini ato që mendoni dhe veproni. Nëse keni një lidhje erdhi më në fund dita më e përshtatshme për të marrë një vendim të rëndësishëm. Çdo moment do jetë i mbushur me bashkëpunim dhe komunikim. Venusi do jetë planeti që do iu garantojë beqarëve një dashuri të qetë dhe romantike. Mos e humbisni këtë rast. Sektori i financave do jetë i mbrojtur. Të ardhurat tuaja do të rriten pak nga pak sepse ju do jeni të kujdesshëm edhe me shpenzimet.

Gaforrja

Intuita dhe ndjeshmëria do jenë aleatet tuaja më të fortë gjatë kësaj dite. Ata do ju ndihmojnë të dilni edhe nga situatat delikate ku keni rënë. Nëse jeni në një lidhje dhe keni pasur mosmarrëveshje me partnerin tuaj mundohuni t’i sqaroni gjërat shpejt sepse nëse i lini pas dore situata mund të përkeqësohet më tepër. Ju beqarët nuk duhet të nxitoheni. Personat që do takoni sot nuk janë për ju kështu që qëndrojuni larg. Në punë do keni edhe më tepër besim tek vetja dhe do i merrni seriozisht detyrat që do iu jepen. Financat rrezikojnë të preken nga ndikimi negativ i Uranit. Vetëm nëse tregoheni vigjilentë do mund të dilni pa u lagur nga kjo situatë.

Luani

Influencat e planetëve do jene te kontrastuara sot. Në disa momente do ndiheni edhe në udhëkryqe dhe nuk do dini çfarë të bëni. Nëse keni një lidhje, nga njëra anë Jupiteri dhe Urani do sjellin debate të papritura dhe nga ana tjetër Venusi do e mbrojë dashurinë. Ju beqarët do keni një takim që nuk e prisnit, por që do iu pëlqejë jashtë mase. Personi do jetë tepër interesant për t’u njohur. Në punë çdo iniciativë që do ndërmerrni do mbështetet nga Hëna dhe gjërat do jenë shumë më të lehta nga sa mund ta kishit menduar. Në planin financiar Dielli do jetë ogur i mirë. Kujdes duhet të bëni nga Plutoni që do iu nxitë ta lironi dorën me shpenzimet.

Virgjëresha

Do jeni shumë vizionarë sot dhe nuk do bëni aspak gabime. Yjet do iu japin mbështetje të madhe. Nëse jeni në një lidhje, gjithë maturia dhe durimi që keni treguar do japë frytet e duhura. Mjedisi yjor do iu bëjë t’i shprehni edhe më shumë ndjenjat. Nëse jeni vetëm nuk do doni ta ndryshoni këtë status. Takimi me disa miq të vjetër do iu përmbushë dhe do ju gëzojë pafundësisht. Në punë mund t’iu duhet të qëndroni me orare të zgjatura për të përfunduar atë që keni nisur. Ambicia nuk do ju mungojë për asnjë moment. Në sektorin e financave gjithçka do iu shërbehet në pjatë të argjendtë. Fati do jetë me ju dhe buxheti do të përmirësohet goxha.

Peshorja

Do jeni shumë të matur gjatë kësaj dite dhe nuk do nxitoheni për asgjë. Kjo mënyrë të sjelli do mbajë larg edhe problemet. Ju që keni një lidhje do kujdeseni shumë që marrëdhënia me partnerin të jetë sa më harmonike dhe me ngjyra. Dialogu dhe bashkëpunimi me të do të përmirësohet. Ju beqarët do jeni më ëndërrimtare se kurrë dhe do prisni gjatë gjithë kohës princin e kaltër. Deri në fund të ditës ëndrra mund të bëhet edhe realitet. Në punë do dilni më në pah dhe idetë tuaja do marrin aprovimin e shefave. Influenca e Saturnit tek financat do jete një sfide e vërtetë për ju. Tregohuni shumë të kujdesshëm.

Akrepi

Edhe pse mund t’iu dalin të papritura jo të pëlqyeshme sot nuk do e lëshoni veten, por do luftoni fort për të zgjidhur çdo gjë. Ju të dashuruarit do e merrni më seriozisht lidhjen tuaj sentimantale. Nëse ende nuk i keni bërë gjërat zyrtare ka ardhur koha të merrni vendime. Nëse jeni vetëm, nuk do përjetoni aventura, por do filloni një histori të sinqertë që do vazhdojë gjatë. Në punë, në orët e mesditës mund të ketë edhe tension për shkak të xhelozisë së disa kolegëve,. Planetët nuk do influencojnë aspak në planin financiar. Për pasojë ai do jetë në ekuilibër të plotë dhe do jeni të qetë.

Shigjetari

Kjo ditë do shënjohet nga ndryshime të rëndësishme që mund t’iu bëjnë t’i rimendoni projektet që keni nisur. Nëse jeni në një lidhje vërtet do mendoheni seriozisht për të ardhmen, por asnjë moment nuk do e lini pas dore atë që dashuroni. Në këtë mënyrë edhe problemet do kalohen më shpejt. Ju beqarët do mund të keni një takim vërtet të rëndësishëm, por duhet të bëheni të duruar dhe kurrsesi nuk duhet të merrni vendime. Perspektivat në planin financiar duken të mira. Gjendja do vazhdojë të mbetet edhe sot e qëndrueshme. Në planin financiar duhet të merrni masa dhe duhet të punoni më shumë për ta mbajtur gjendjen të mirë.

Bricjapi

Intuita juaj nuk do jetë e keqe, por shpeshherë nuk do dini si ta përdorni atë. Jeta juaj sentimentale nuk do jetë mjaftueshëm e qetë kështu që duhet të jeni më të kujdesshëm. Për ju beqarët ka ardhur momenti të përjetoni emocione shumë të forta. Do keni të gjitha mundësitë për të nisur një histori të bukur dashurie. Në punë do e keni paksa të vështirë të ndiqni në mënyrë strikte planet që keni bërë dhe kjo do ua vonojë pak përfundimin e projekteve të kërkuara. Fati do iu buzëqeshë në planin financiar. Nga mesi i ditës do keni edhe një surprizë që do ua bëjë ditën edhe më të këndshme.

Ujori

Sot në shumë momente do keni dyshime për vazhdimësinë në çdo fushë dhe do keni frikë të hidhni hapa para. Nëse keni një lidhje do doni të qëndroni pak kohë vetëm dhe nëse jeni vetëm do doni të krijoni një lidhje. Për ju beqarët do jetë dite mjaft e përshtatshme. Personi që aq shumë e keni menduar do shfaqet si me magji. Përfitoni sa me shumë të munden. Në punë dëgjojeni zërin tuaj të brendshëm dhe mundohuni të bëni diçka ndryshe për të marrë akoma më shumë kënaqësi. Një koleg i besuar do ju ndihmojë gjithë kohës. Buxheti nuk do jetë aspak i stabilizuar kështu që mos bëni asnjë investim financiar. Prisni edhe disa ditë me tepër sepse do jeni me më shumë fat.

Peshqit

Do bëni çdo gjë që ta rinovoni jetën tuaj sot dhe motivimi nuk do ju mungojë asgjë moment. Plutoni dhe Neptuni do ndikojnë paksa në jetën tuaj sentimentale nëse keni një lidhje. Ne ç’mënyrë? Do filloni të mendoni projekte të reja të përbashkëta dhe do ndiheni mirë. Ju beqarët më në fund do takoni dashurinë e shumëpritur. Shfrytëzojeni sa më shumë ditën për të qëndruar pranë tij. Në punë tensioni do shihet përfundimisht dhe do ndiheni shumë më të qetë të vazhdoni me detyrat që iu janë dhënë. Në planin financiar shmangni me çdo kusht të ndërmerrni rreziqe të mëdha sepse situata nuk do jetë në favorin tuaj.

Takim i nivelit të lartë, vendet perëndimore koordinojnë armatimin e Ukrainës

Anëtarët e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), të kryesuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, do të takohen për të diskutuar planet e presidentit të SHBA-së Donald Trump që aleatët e NATO-s t’i sigurojnë Ukrainës armë.

UDCG – i njohur edhe si formati Ramstein – vjen pasi Trump tha se dërgesat e armëve, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, mund të mbërrijnë në Ukrainë brenda ditësh.

Trump javën e kaluar tha se ai nënshkroi një marrëveshje me aleatët e NATO-s që do të çonte në dërgesa armësh në shkallë të gjerë në Ukrainë, duke përfshirë sistemet Patriot – të konsideruara si një nga më të mirat në botë për zbulimin dhe kapjen e një game të gjerë objektivash ajrore që vijnë.

“Ne do të dërgojmë Patriot në NATO dhe më pas NATO do t’i shpërndajë ato”, tha Trump.

“Aleanca do të paguajë për sistemet”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, duke folur së bashku me shefin e NATO-s Mark Rutte, tha se armët do të paguhen nga aleatët evropianë dhe se dërgesat fillestare do të mbërrijnë “brenda disa ditësh”.

Kuptohet që kombet evropiane do t’i transferojnë armët – të mbledhura nga rezervat ekzistuese ose nga ato të reja të blera nga SHBA, në Ukrainë. Zëvendësimet do të blihen nga SHBA.

Nuk është ende e qartë nëse janë bërë transferime armësh në Ukrainë, me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Gjeneralin Alexus Grynkewich, i cili tha se përgatitjet për dorëzimin e armëve ishin “në proces”.

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, tha se nuk mund të jepte një afat kohor. Ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ishte i bindur se Gjermania së shpejti do të arrinte një marrëveshje me SHBA-në për dorëzimin e Patriotëve.

“Negociatat midis ministrave të mbrojtjes ishin konkrete dhe dorëzimi i tyre ishte çështje ditësh, ndoshta javësh”, tha Merz.

Raportohet se Forcat e armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr, do të dorëzojnë dy nga nëntë sistemet e saj të mbetura Patriot dhe do të marrin zëvendësime nga SHBA.

Ky veprim vjen pavarësisht planeve fillestare për të blerë dy sisteme Patriot nga SHBA dhe për t’i dërguar ato direkt në Ukrainë.

Sisteme të tjera mund të dorëzohen nëpërmjet Zvicrës, ministria e mbrojtjes e së cilës njoftoi gjithashtu se ishte informuar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së për të “ripërcaktuar përparësitë e dorëzimit” të pesë sistemeve të porositura më parë për të mbështetur Ukrainën.

Një zyrtar i lartë i NATO-s deklaroi se aleanca po koordinon dorëzimin e mbështetjes shtesë ushtarake, duke përfshirë municione dhe predha artilerie, ndërsa Ukraina pret mbërritjen e sistemeve Patriot.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se zyrtarët e tij kanë propozuar një raund të ri bisedimesh për paqe që do të zhvillohen këtë javë.

Mbante drogë me vete, pranga belges në Rinas

TIRANË- Një 25-vjeçare nga Belgjika është arrestuar në Rinas pasi u kap me një sasie lënde narkotike Amphetaminë, që mbante me vete.

Ajo u kap në flagrancë, në tentativë për të dalë nga Shqipëria.

Lëna narkotike u sekuestruar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Greqi, temperaturat pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius

Nga sot deri të premten, Greqia pritet të përjetojë një valë të nxehti përvëlues, me temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius dhe në disa vende që mund të arrijnë deri në 43-44 gradë Celsius.

Në deklaratat për agjencinë greke të lajmeve, ANA, drejtori i kërkimeve të Observatorit Kombëtar të Athinës (NOA), Kostas Lagouvardos shpjegoi se vala fillestare e temperaturave të larta filloi javën e kaluar, me temperatura që arritën në 37 gradë Celsius dhe se faza e dytë, më intensive, do të zgjasë afërsisht gjashtë ditë para një ftohjeje graduale në disa pjesë të Greqisë, të shtunën e ardhshme.

Sipas Lagouvardos, temperaturat më të larta do të jenë të martën, të mërkurën dhe të enjten dhe madje mund të shtrihen deri të premten, megjithëse temperaturat maksimale do të varen edhe nga modalitetet e erës.

“Sipas të dhënave të parashikimit, duke parë karakteristikat e temperaturës së masave të ajrit të nxehtë që presim, në disa zona mund të jemi afër një moti ekstrem”, vuri në dukje ai.

Temperaturat më të larta priten në Thesali, pjesë të Maqedonisë Qendrore dhe Trakisë, si dhe disa pjesë të Peloponezit, Greqisë Qendrore lindore, përfshirë Atikën. Një sfidë shtesë do të jenë temperaturat vazhdimisht të larta gjatë natës, të cilat do të rrisin stresin nga nxehtësia.

Lagouvardos theksoi se temperaturat gjatë javës së kaluar mbetën rreth 30°C deri në orët e para të mëngjesit në disa zona të Atikës, veçanërisht në rrethet qendrore dhe jugore.

Meteorologu i NOA-s, Stravros Dafis konfirmoi se temperaturat pritet të kalojnë 40°C dhe të jenë afër 35°C edhe në lartësi deri në 800 metra mbi nivelin e detit dhe të rriten deri në 25-26°C edhe në lartësi më të mëdha se 1 500 metra në javën e ardhshme.

Sipas profesoreshës, Klea Katsougianni të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës dhe profesoreshës së Shëndetit Publik në Imperial College London, temperaturat e larta mund të çojnë në shkallë më të lartë të vdekshmërisë.

“Nëse nuk marrim masa për të përmirësuar dhe përshtatur ndryshimet klimatike, do të kemi pasoja shumë serioze në shëndet”, vuri në dukje ajo.

Duke cituar një studim të botuar në “Nature Medicine”, ajo tha se Athina ishte një nga 10 qytetet evropiane në rrezik të një rritjeje të lartë të numrit të vdekjeve për shkak të rritjes së temperaturave deri në fund të shekullit, nëse nuk merren masa për të përmbajtur ndryshimet klimatike.

Përhapet zjarri në Dukat/ Dhjetëra hektarë të djegur, flakët vijojnë prej tre ditësh

VLORË– Vijon prej tre ditësh zjarri në malin e dukatit në Vlorë. Aktualisht vijon puna nga toka edhe pse është terren mjaft i vështirë.

Në vend ndodhen 30 efektivë të Forcave të Armatosura si edhe 17 efektivë të zjarrfikësve por edhe punonjës të emergjencave civile Vlorë dhe të pyjores.

Pritet në varësi të situatës të këtë sërish ndërhyrje nga ajri ndërsa qëllimi mbetet lokalizimi i zjarrit për të mos vijuar drejt Parkut Kombëtar te Llogarasë.

Nga zjarri deri me tani është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi, pemë dhe shkurre në zonë.

Një ditë me parë veç ndërhyrjes nga toka , në ndihmë gjatë gjithë ditës u punua edhe nga ajri me helikopter për të mos lejuar avancimin e flakëve./abcnews.al

 

VIDEO/ Përfshihet nga zjarri masivi pyjor në Shkopet

SHKOPET- Zjarri i përmasave të mëdha në Shkopet.

Zjarri ka përshkuar dhe zonën e Lurthit në Malësinë e Mirditës dhe atë të Ulzës një park natyror të Matit.

Zjarri është riaktivizuar gjatë natës, duke u djegur masiv pyjor dhe bimësi.

Rreth 50 hektarë pyje janë shkrumbuar, ndërsa vijon zjarri aktiv.

Forca të shumta nga ushtria ndodhen në terren, por e pamundur izolimi i vatrave.

Pritet ndërhyrja nga ajri, ndërsa situata mbetet problematike në zonën e mbrojtur të Shkopetit nga zjarri/ abcnews.al

❌