Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ruben Amorim zbulon se kur do të debutojë Mbuemo me fanellën e Man Utd

Bryan Mbeumo pritet të debutojë së shpejti me Manchester United, siç ka bërë të ditur trajneri Ruben Amorim për ndeshjen e së dielës. 

Trajneri i ‘Djajve të Kuq’ shpjegoi se sulmuesi nga Kameruni, i cili u transferua nga Brentford për 71 milionë euro në këtë afat kalimtar, do të bëjë paraqitjen e tij të parë me fanellën e United. 

Klubi ka luajtur tashmë miqësore ndaj Leeds, West Ham dhe Bournemouth gjatë përgatitjeve verore, por Mbeumo nuk ka qenë i gatshëm për të marrë pjesë. 

Megjithatë, me ndeshjet e ardhshme ndaj Everton dhe Fiorentina në këtë periudhë përgatitore, Mbeumo do të ketë mundësinë të përshtatet me skuadrën dhe të marrë minuta para nisjes së sezonit. 

“Do të luajë. Jam shumë i emocionuar ta shoh duke luajtur dhe se çfarë mund të sjellë për ekipin tonë. Por isha gjithashtu shumë i kënaqur me lojën e skuadrës në ndeshjen e fundit”. 

“Ndoshta në fillim duke parë formacionin do të thoshit ‘asgjë për të parë sot’, por unë isha shumë i emocionuar sepse e di që mund të bëjmë më mirë. Kështu që gjithmonë jam entuziast, sidomos në këtë moment”, ka thënë Amorim. 

Edhe pas transferimeve të Mbeumo dhe Matheus Cunha, Manchester United vazhdon të kërkojë përforcime të tjera. 

Sipas lidhjeve të fundit, klubi është interesuar për sulmuesin e Leipzig, Benjamin Sesko, por raportet e së shtunës sugjerojnë se lojtari slloven mund të jetë afër kalimit te Newcastle./Telegrafi/ 

The post Ruben Amorim zbulon se kur do të debutojë Mbuemo me fanellën e Man Utd appeared first on Telegrafi.

Vinicius i vendos ultimatum Real Madridit: Kaq para ose nuk ka marrëveshje

Vinicius Jr. ka vendosur një kusht për rinovimin e kontratës së tij, duke kërkuar një pagë neto vjetore prej 25 milionë eurosh, duke pohuar se nëse Real Madrid nuk mund ta përmbushë këtë shifër, nuk do të ketë marrëveshje, sipas raportimeve të Cadena SER

Aktualisht ai fiton rreth 15 milionë euro neto në sezon, në një kontratë që zgjat deri në vitin 2027, dhe beson se ia vlen shumë më shumë, pavarësisht nga pagat e të tjerëve në skuadër, përfshirë edhe Kylian Mbappe. 

Nëse Real Madrid plotëson kërkesat e Viniciusit, ai do të tejkalojë pagën e Mbappes dhe do të bëhet lojtari më i paguar në Real Madrid. 

Bisedimet raportohet se janë bllokuar për shkak të strukturës strikte të pagave në Madrid, e cila kufizon pagat në një nivel aktual për të ruajtur ekuilibrin e brendshëm. 

Për momentin, Madrid nuk është i prirur të negociojë një kontratë që kalon politikat aktuale.  

Ndërkohë, Vinicius deri tani ka refuzuar ofertat nga Arabia Saudite dhe insiston se dëshiron të qëndrojë. 

Burime të tjera thonë se presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, do të marrë pjesë personalisht në negociata për të zgjidhur ngërçin, por kjo mund të ndodhë vetëm kur Vini të kthehet nga pushimet në gusht. 

Megjithatë, performancat e Viniciusit në sezonin e ardhshëm do të kenë ndikim të madh në vendimin nëse Real Madrid do të pranojë kërkesat e tij apo do ta lejojë të largohet për të mirën e klubit./Telegrafi/

The post Vinicius i vendos ultimatum Real Madridit: Kaq para ose nuk ka marrëveshje appeared first on Telegrafi.

Real Madridi konfirmon një ndeshje miqësore – do ta luajë në Austri

Real Madridi ka konfirmuar një përditësim në orarin e përgatitjeve parasezonale përpara fillimit të sezonit 2025/2026 në La Liga. 

‘Los Blancos’ mbyllën sezonin e zgjatur 2024/2025 me një humbje ndaj PSG-së në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube. 

Ndeshjet që zgjatën deri në korrik patën efekt zinxhir në planet parasezonale të klubit, ndërsa La Liga nuk tregoi shumë mirëkuptim për situatën. 

Skuadra e Xabi Alonsos tashmë është kthyer për testet mjekësore dhe vlerësimet fizike, përpara ndeshjes hapëse të sezonit më 19 gusht kundër Osasunës në ‘Santiago Bernabeu’. 

Kjo datë e fillimit ka shkaktuar polemika, pasi Real Madridi ka kërkuar dy herë që të shtyhet për t’i dhënë lojtarëve më shumë kohë për përgatitje pas një vere të ngarkuar. 

Mungesa e kohës mes rikthimit nga pushimet dhe stërvitjeve ka shkaktuar ndryshime të mëdha në orar, por klubi tashmë ka shtuar një ndeshje miqësore në kalendarin e tyre. 

🆚 @WSGTIROL
🗓 12/08 | 19:00 CEST
🏟 Estadio Tivoli
📍 Innsbruck pic.twitter.com/9TZvchhY7Q

— Real Madrid C.F. (@realmadrid) August 1, 2025

Fillimisht ishte planifikuar që të mos zhvillohej asnjë ndeshje parasezonale, vendim që ngjalli reagime, por tani skuadra e Alonsos do të përballet me ekipin austriak WSG Tirol më 12 gusht në ‘Tivoli Stadion’ të Innsbruck, me fillim nga ora 19:00 sipas kohës lokale. 

Alonso do të udhëtojë me një formacion të plotë drejt Austrisë për të përshpejtuar përgatitjet, por Jude Bellingham nuk do të jetë pjesë e ekipit që do të udhëtojë. 

Mesfushori anglez iu nënshtrua një operacioni të vonuar në shpatull pas Kupës së Botës për Klube dhe pritet të mungojë deri të paktën në muajin nëntor./Telegrafi/

The post Real Madridi konfirmon një ndeshje miqësore – do ta luajë në Austri appeared first on Telegrafi.

Dele Alli po e konsideron pensionimin nga futbolli në moshën 29-vjeçare

Dele Alli po shqyrton mundësinë e pensionimit nga futbolli, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cesc Fabregas te Como, sipas raportimeve nga Italia. 

Ish-mesfushori i Tottenham dhe Anglisë ka pasur vështirësi me formën dhe dëmtimet gjatë viteve të fundit, duke kaluar kohë te Everton dhe Besiktas pas largimit nga Spurs në vitin 2022. 

Në janar, ai u transferua te Como në Serie A me një kontratë 18-mujore, duke marrë një mundësi të re për të ringjallur karrierën nën drejtimin e legjendës së Chelsea dhe Arsenal, Fabregas. 

Megjithatë, fillimi në Itali ishte i vështirë. Në debutimin e tij ndaj Milanit në ‘San Siro’ në mars, paraqitja e tij e parë zyrtare pas më shumë se dy vitesh, Alli u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm nëntë minutash për një ndërhyrje të gabuar ndaj Ruben Loftus-Cheek. 

Ai nuk luajti më për Como gjatë sezonit, edhe pse u rikthye në stërvitje pas një tjetër dëmtimi. Tani, situata e tij është përkeqësuar, pasi 29-vjeçari nuk është marrë fare në kampin stërvitor parasezonal të skuadrës në Marbella. 

Sipas La Gazzetta dello Sport, Alli është lënë të stërvitet me lojtarët jashtë planeve të klubit dhe po e shqyrton seriozisht largimin nga futbolli, ndonëse i ka mbetur edhe një vit kontratë me klubin. 

Dikur i konsideruar si një nga talentët më premtues në Evropë, karriera e Alli mori tatëpjetën pas dëmtimeve të shpeshta dhe problemeve jashtë fushës që e mbajtën për një kohë të gjatë larg lojës. 

Ai ka shënuar 67 gola në 269 paraqitje për Tottenham, ka zhvilluar 37 ndeshje me Anglinë dhe ka qenë pjesë e ekipit në Kupën e Botës 2018. 

Që nga largimi nga Spurs, Alli ka folur publikisht për betejën e tij me varësinë, kohën e kaluar në rehabilitim dhe përvojat traumatike të fëmijërisë së tij./Telegrafi/

The post Dele Alli po e konsideron pensionimin nga futbolli në moshën 29-vjeçare appeared first on Telegrafi.

Liverpooli mund të tërhiqet nga gara për Isak pas refuzimit të ofertës marramendëse

Liverpool mund të mos bëjë një ofertë të dytë për Alexander Isak këtë verë, pasi oferta fillestare prej 120 milionë eurosh nga ‘Të Kuqtë’ u refuzua menjëherë nga Newcastle United. 

Sipas BBC Sport, Liverpool mund të jetë ‘gati të tërhiqet’ nga marrëveshja për Isak pasi oferta e tyre fillestare u hodh poshtë me vendosmëri. 

Newcastle raportohet se kërkon rreth 150 milionë euro për yllin e tyre më të çmuar, gjë që ka bërë që drejtuesit e Liverpoolit të vënë në pikëpyetje nëse marrëveshja për sulmuesin suedez është e realizueshme këtë verë. 

Liverpool ka shprehur interes të fortë për Isak prej disa muajsh, por kjo ishte oferta e tyre e parë zyrtare, dhe deri tani nuk ka asnjë shenjë që Neëcastle është i gatshëm ta shesë gjatë këtij afati kalimtar. 

Kjo mund të varet nga aftësia e Newcastle për të gjetur një zëvendësues të denjë, teksa ata janë lidhur me disa emra si Benjamin Sesko, Yoane Wissa dhe Ollie Watkins, sipas The Times. 

Liverpool tashmë ka shpenzuar rreth 265 milionë euro këtë verë dhe me blerjen e mundshme të Isak, shifra totale mund të kalojë 400 milionë. 

Me disa shitje që ende mund të realizohen, përfshirë Darwin Nunez dhe Harvey Elliott, kampioni anglez mund ta përfundojë afatin kalimtar me mbi 200 milionë euro të fituara në një verë jashtëzakonisht aktive./Telegrafi/

The post Liverpooli mund të tërhiqet nga gara për Isak pas refuzimit të ofertës marramendëse appeared first on Telegrafi.

Chelsea i ofron Man Unitedit dy lojtarë në përpjekje për transferimin e Garnachos

Chelsea i ka ofruar dy lojtarë Manchester Unitedit në përpjekje për të gjetur një zgjidhje kreative që do ta sillte Alejandro Garnachon në ‘Stamford Bridge’. 

‘Blutë’ kanë qenë të interesuar për Garnachon që në afatin kalimtar të janarit dhe kanë ringjallur interesimin për reprezentuesin argjentinas këtë verë. 

Manchester United e ka nxjerrë në shitje 21-vjeçarin, pasi trajneri Ruben Amorim e informoi në fund të sezonit të kaluar se ishte i lirë të largohej. 

Garnacho ka stagnuar në ‘Old Trafford’, duke kaluar nga një prej lojtarëve më të vlerësuar në klub në një lojtar i zakonshëm i skuadrës, me paraqitje të paqëndrueshme. 

Chelsea beson se mund ta rikthejë në formë Garnachon dhe synon ta sjellë në Londrën Perëndimore, pavarësisht konkurrencës së madhe në repartin e sulmit. 

Edhe pse United e ka ulur kërkesën fillestare, klubi vazhdon të kërkojë rreth 50 milionë euro për Garnachon, i cili ka zhvilluar 93 paraqitje në Ligën Premier dhe ka fituar tetë ndeshje me Argjentinën. 

Chelsea heziton të paguajë këtë shumë dhe, si kompromis, ka ofruar Nicolas Jackson dhe Christopher Nkunku si pjesë të marrëveshjes, sipas The Athletic. 

Manchester United ka shprehur interes për të dy lojtarët, pasi Amorim kërkon të forcojë më tej repartin ofensiv pas transferimeve të Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo. 

Megjithatë, ‘Djajtë e Kuq’ raportohet se e kanë përjashtuar mundësinë e një shkëmbimi Garnacho-Jackson, pasi besojnë se sulmuesi i Chelseat është i vlerësuar mbi çmimin real./Telegrafi/

The post Chelsea i ofron Man Unitedit dy lojtarë në përpjekje për transferimin e Garnachos appeared first on Telegrafi.

“Janë përforcuar me disa lojtarë mjaft të mirë”, ylli i Barcelonës flet për Real Madridin

Ylli i Barcelonës, Gavi, ka ndezur atmosferën e El Clasicos përpara nisjes së sezonit 2025/26 në La Liga, që fillon këtë muaj. 

Blaugranasit dominuan në sezonin 2024/25, teksa trajneri Hansi Flick fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës në sezonin e tij debutues. 

Suksesi i Barcelonës u përforcua edhe më tej nga dominimi në përballjet ndaj Real Madridit, me Carlo Ancelottin që e përfundoi sezonin pa asnjë trofe. 

Barcelona fitoi si në shtëpi ashtu edhe në transfertë ndaj Real Madridit në ndeshjet e kampionatit, përfshirë një fitore spektakolare 4-0 në Madrid dhe një tjetër 4-3 në shtëpi në muajin maj. 

Këto rezultate u shoqëruan me fitore ndaj ekipit të Ancelottit edhe në finalet e Kupës së Mbretit dhe Superkupës, me rezultatet përkatëse 3-2 dhe 5-2. 

Gavi, i cili ka qenë shpesh një pengesë e madhe për Real Madridin, pranoi se përparësia psikologjike luajti një rol kyç në sezonin 2024/25, por paralajmëroi se këtë vit mund të ndodhë një ringjallje e rivalëve. 

“Sigurisht që ishin të shqetësuar. Ishin katër fitore në katër ndeshje, dhe kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë”.  

“Është e kuptueshme që janë të shqetësuar. Në fund, ne patëm një sezon spektakolar dhe ata nuk fituan asgjë”. 

“Këtë vit janë përforcuar me disa lojtarë shumë të mirë, për të qenë i sinqertë, por do të shohim se çfarë do të bëjnë këtë sezon”.  

“Ata kanë një skuadër të madhe, por ne duhet të jemi vetvetja dhe kjo mjafton”, përfundoi ai./Telegrafi/

The post “Janë përforcuar me disa lojtarë mjaft të mirë”, ylli i Barcelonës flet për Real Madridin appeared first on Telegrafi.

Milani synon transferimin e një sulmuesi nga kampionati francez

Sulmuesi më i fundit që është lidhur me një transferim te Milani këtë verë është francezi Armand Kalimuendo, i cili ka shkëlqyer me fanellën e Stade Rennes.  

Nuk është e fshehtë që kuqezinjtë janë në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv, pasi janë ndarë nga Tammy Abraham, Luka Jovic dhe Francesco Camarda.  

Milani ka hasur vështirësi për të siguruar objektivat e tij kryesorë për sulmin, dhe emri më i fundit i përfolur nga Sky Sport Italia është pikërisht Kalimuendo.  

Ai është një alternativë qe po merret seriozisht në konsideratë nga drejtuesit e klubit. 23-vjeçari u rrit në akademinë e të rinjve të Paris Saint-Germain dhe u shit te Stade Rennes në vitin 2022 për një shumë prej 20 milionë euro. 

Që nga atëherë, ai është bërë pjesë kyçe e skuadrës franceze. Kalimuendo ka qenë titullar i përhershëm për Francën U-21 dhe pjesë e ekipit olimpik, ndërsa aktualisht ka gjashtë paraqitje me ekipin A të Francës, ku ka shënuar edhe një gol. 

Në sezonin e fundit, sulmuesi qendror shënoi 18 gola dhe kontribuoi me katër asistime në 34 ndeshje zyrtare me Rennes. 

Forma e tij mbresëlënëse bëri që të përmendej më parë edhe si objektiv për Juventusin. 

Milani kishte mundësinë ta vëzhgonte nga afër Kalimuendon gjatë ndeshjeve të play-off-it të Ligës së Evropës në shkurt të vitit 2024. 

Sipas Sky Sport Italia, nuk ka ende një ofertë konkrete, por klubi italian ka kërkuar informacione dhe është i interesuar ta studiojë më në thellësi mundësinë e transferimit të tij./Telegrafi/

The post Milani synon transferimin e një sulmuesi nga kampionati francez appeared first on Telegrafi.

Lojtari i Bayern Munichut njofton për vdekjen e djalit të tij pas një sëmundje të rëndë

Portieri i Bayern Munich, Sven Ulreich, ka bërë një postim prekës në rrjetet e tij sociale, duke treguar për vdekjen e djalit të tij të vogël. 

Djali i portierit gjerman tash e sa kohë ishte përballur me një sëmundje të gjatë dhe të rëndë dhe javë më parë ka ndërruar jetë. 

Në reagimin e tij, Ulreich ka falënderuar klubin e Bayernit për faktin se e respektuan privatësinë e tij, duke e mbajtur të fshehtë këtë rast me dëshirën e vet çiftit.

Reagimi i plotë i Ulreich në Instagram: 

Në pikëllim të thellë duam të njoftojmë sot se djali ynë Len ka ndërruar jetë para disa javësh pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë. 

 Vendimi për ta bërë këtë publik tani është jashtëzakonisht i vështirë për ne, por për ne si familje është një hap i rëndësishëm për të sjellë qartësi në rrethin tonë dhe edhe për publikun.

 

Sven Ulreich has announced that his son Len passed away a few weeks ago after a long and serious illness.
We are wishing a lot of strength to the family in this difficult time.
Rest in peace, Len. pic.twitter.com/MA5WwbQuPh

— Bavarian Tweets (@BavarianTweets) August 1, 2025

Së bashku me vajzën tonë, po përpiqemi tani të gjejmë rrugën tonë përsëri drejt jetës, hap pas hapi. 

 Një falënderim i veçantë shkon për familjet tona, miqtë dhe Bayern Munchen për diskrecionin dhe mbështetjen e madhe gjatë muajve të kaluar, kjo do të thotë shumë për ne.  

I lutemi publikut dhe përfaqësuesve të mediave për mirëkuptim dhe respekt për privatësinë tonë.  

Ju lutemi të shmangni pyetjet dhe deklaratat e mëtejshme./Telegrafi/

The post Lojtari i Bayern Munichut njofton për vdekjen e djalit të tij pas një sëmundje të rëndë appeared first on Telegrafi.

Ish-trajneri i Interit shndërrohet në hero – ai shpëtoi dy vajza nga mbytja

Ish-trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, është vlerësuar gjerësisht për një veprim të guximshëm gjatë pushimeve me familjen në një plazh në Puglia, Itali, ku ndihmoi në shpëtimin e dy vajzave adoleshente nga mbytja. 

Dy vajzat, të moshës 17 dhe 19 vjeç, kishin hyrë në ujë të thellë dhe po përballeshin me valë të forta. Pas reagimit të një roje plazhi që po kërkonte ndihmë me fishkëllima, Stramaccioni reagoi menjëherë, duke vrapuar drejt detit dhe u hodh në ujë për të ndihmuar. 

E kuptoi se roja nuk mund t’i shpëtonte të dyja vajzat i vetëm, ndaj vendosi të ndërhyjë. 

“Roja hyri në ujë pa pajisje, pa jelekë shpëtimi, pa litarë, si unë. Më kërkoi të shkoja tek vajza më e madhe, ndërsa ai do të merrej me tjetrën”. 

Stramaccioni arriti te vajza 19-vjeçare, e cila ndodhej në panik. Ai e qetësoi dhe e ndihmoi të qëndronte mbi ujë deri sa arritën në një zonë më të sigurt pranë bregut. 

Por situata e vajzës tjetër ishte shumë më kritike. Ajo ishte në gjendje shoku dhe vazhdimisht fundosej në ujë. 

“Ajo zhdukej e kthehej përsëri mbi ujë, kishte pirë shumë ujë dhe më tërhiqte drejt thellësisë. Fillova të trembesha edhe për veten”. 

Teksa roja dhe anija e shpëtimit përpiqeshin të ndihmonin nga shkëmbinjtë, Stramaccioni mbeti në ujë me vajzën, duke bërë çmos për ta mbajtur të gjallë deri në momentin që ndihma mund të afrohej. 

Megjithëse reagimi i tij u cilësua si heroik nga shumëkush, Stramaccioni vetë nuk dëshiron të konsiderohet hero. 

“Nuk jam hero. Thjesht ndjeva detyrimin të ndërhyja. Kisha aftësitë fizike dhe mendore për ta përballuar situatën”, përfundoi ai./Telegrafi/

The post Ish-trajneri i Interit shndërrohet në hero – ai shpëtoi dy vajza nga mbytja appeared first on Telegrafi.

Pasuria e fshehur në akademi: Fitimet spektakolare të Real Madridit nga të rinjtë

Sipas SPORT, Real Madrid po vazhdon të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nga akademia e tyre e të rinjve, ku lojtarët që kanë dalë nga akademia kanë sjellë 24.5 milionë euro gjatë këtij afati kalimtar.

Ndërsa e ardhmja e disa lojtarëve të skuadrës së parë si Rodrygo, Alaba, Brahim, Mendy dhe Ceballos mbetet e pasigurt, klubi ka përfituar nga rritja e vlerës së tregut të talenteve të rinj të zhvilluar në Valdebebas.

Gjashtë lojtarë janë larguar deri tani gjatë verës me transferime të përhershme, shumica prej tyre drejt klubeve kryesore në Spanjë dhe Evropë.

Victor Munoz, një sulmues krahu 22-vjeçar që ka luajtur katër herë me skuadrën e parë, iu bashkua Osasunës për 5 milionë euro.

Mbrojtësi i majtë Rafael Obrador, u shit gjithashtu për 5 milionë euro te Benfica, pas një huazimi të suksesshëm te Deportivo La Coruna. Ai zëvendëson Alvaro Carreras, i cili është kthyer te Real Madridi pas një periudhe në Lisbonë.

Një mbrojtës tjetër, marokeni Youssef ‘Yusi’ Enriquez, është blerë nga Alaves për 3 milionë euro. Edhe pse nuk ka debutuar për ekipin e parë, ishte pjesë e skuadrës së Carlo Ancelottit sezonin e kaluar.

Në Itali, Como ka siguruar një marrëveshje për kapitenin e Castillas, Jacobo Ramon. Mbrojtësi qendror 20-vjeçar ka luajtur gjashtë ndeshje me ekipin e parë dhe ka shënuar gol fitues sezonin e kaluar. Como do të paguajë 2.5 milionë euro për pronësinë e përbashkët, ndërsa Reali mban një pjesë të të drejtave të tij.

Como 1907 has secured the signing of promising young defender Jacobo Ramon from @realmadrid . Born in Madrid in 2005, he is a technically skilled centre-back with great aerial ability.

He will join the Lariani after a season with Real and Castilla, where he had the opportunity… pic.twitter.com/efGSUYZSXh

— Como1907 (@Como_1907) July 31, 2025

Një marrëveshje e ngjashme është bërë për sulmuesin Alvaro Rodriguez, i cili është bashkuar me Elchen për 2.5 milionë euro.

Marrëveshja më fitimprurëse nga këto gjashtë është ajo e mesfushorit Chema, i cili stërvitej me skuadrën e parë gjatë gjithë sezonit. Stuttgart ka paguar 6 milionë euro për transferimin e tij të përhershëm.

Për të ruajtur kontrollin mbi zhvillimin e këtyre lojtarëve, Real Madrid ka futur klauzola për rikthim në secilën marrëveshje, një strategji që synon të shmangë shpenzimet e mëdha si ai i fundit prej 50 milionë eurosh për rikthimin e Alvaro Carreras nga Benfica./Telegrafi/

The post Pasuria e fshehur në akademi: Fitimet spektakolare të Real Madridit nga të rinjtë appeared first on Telegrafi.

Nuk ka fitues pas 90 minutave, ndeshja Prishtina-Larne shkon në vazhdime

Ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1 pas 90 minutave ndeshja mes Prishtinës dhe Larnes, e vlefshme për kualifikime për në fazën e ligës së Ligës së Konferencës. 

Kryeqytetasit që nga minuta e parë patën një iniciativë të lehtë në këtë takim, duke tentuar të gjejnë rrugën deri tek goli.  

Atë e gjetën në minutën e 10-të me anë të Gjelbrim Taipit i cili realizoi për 1-0 pas asistimit të Hamdi Namanit.  

Të besuarit e Arsim Thaçit ia dolën që ta menaxhojnë mirë epërsinë e krijuar, duke mos i lejuar kundërshtarëve hapësira për të rrezikuar.  

Në vazhdim Prishtina pati edhe dy mundësi ideale për ta gjetur golin e dytë, fillimisht me Leotrim Kryeziun i cili dështoi përballë portierit, pastaj me Ardian Mujën i cili goditi shtyllën direkt nga rivënia këndore. 

Mysafirët ia dolën që në pjesën e dytë të barazojnë shifrat në minutën e 56-të përmes Dan Bent i cili realizoi për 1-1 pas një tollovie brenda zonës. 

Prishtina në vazhdim me disa ndryshime në përbërje u mundua ta rikthejë sërish epërsinë në favorin e saj, por pa sukses. 

Tani mbetet të shihet se a do të mjaftojnë 30 minuta për Prishtinën që ta sigurojë kalimin tutje, apo do të duhet ekzekutimi i penalltive./Telegrafi/

The post Nuk ka fitues pas 90 minutave, ndeshja Prishtina-Larne shkon në vazhdime appeared first on Telegrafi.

Ruben Amorim ‘zgjedhë’ cilin sulmues dëshiron ta transferojë dhe ai nuk është Sesko

Afati kalimtar veror i Newcastle United mund të përballet me një tjetër goditje, pasi Manchester United raportohet se ka marrë një hap përpara në garën për një nga objektivat kryesorë të tyre. 

‘Djajtë e Kuq’ janë në kërkim të një sulmuesi të ri dhe spekulimet po intensifikohen me afrimin e fillimit të sezonit të ri në Ligën Premier. 

Me Alexander Isak që përflitet për një largim të mundshëm dhe shumë objektiva të tjerë që kanë përfunduar në klube të ndryshme, Neëcastle rrezikon të humbasë edhe sulmuesin e Leipzig, Benjamin Sesko. 

Sipas raportimit të Ben Jacobs dhe Alex Crook për talkSPORT, Manchester United ka ndërmarrë hapin e parë për të mos lejuar që një tjetër objektiv të largohet nga duart e tyre. 

Pas vendimit të Viktor Gyokeres për t’iu bashkuar Arsenalit nga Sporting Lisbona, United mësohet të ketë ngushtuar listën e sulmuesve dhe tashmë ka kontaktuar Leipzig për të nisur negociatat për sulmuesin slloven. 

Po ashtu, raportohet se klubi është në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Seskos, duke besuar se mund të arrihet një marrëveshje për rreth 70 milionë euro. 

Megjithëse klubi ka avancuar interesin për 22-vjeçarin, trajneri i Man Utd, Ruben Amorim, thuhet se preferon një sulmues më me përvojë në Ligën Premier. 

Jacobs dhe Crook raportojnë se Amorim do të preferonte Ollie Watkins nga Aston Villa, me të cilin United janë lidhur shpesh në javët e fundit. 

Është e qartë që ‘Djajtë e Kuq’ kanë interes për 29-vjeçarin, por Villa ka bërë të ditur se ai nuk është në shitje. 

Nëse United nuk ofron një shifër që i afrohet vlerës së kërkuar nga Aston Villa, atëherë Ëatkins mund të mos jetë i bindur se United, një klub që nuk mund të ofrojë asnjë lloj futbolli evropian këtë sezon, e dëshiron me të vërtetë./Telegrafi/

The post Ruben Amorim ‘zgjedhë’ cilin sulmues dëshiron ta transferojë dhe ai nuk është Sesko appeared first on Telegrafi.

Guardiola për konfliktin Izrael-Palestinë: Nuk po lëvizim gishtin për një tragjedi tre ose katër orë larg nesh

Një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, Pep Guardiola, tha në një intervistë për revistën spanjolle GQ se është i lumtur sepse bën një punë që e do. 

Ai nuk e humbi rastin për të përmendur përsëri vuajtjet e popullit të Palestinës, i cili është nën bombardimet e përditshme izraelite, duke rezultuar në një numër të madh vdekjesh. 

Gjithashtu, Izraeli po ndalon ndihmën humanitare që të arrijë në Rripin e Gazës, gjë që ka zemëruar edhe spanjollin e famshëm i cili dëshiron t’i tregojë botës se çfarë po ndodh në Palestinë. 

“Jam i lumtur sepse punoj me disa nga njerëzit më të mirë në botë, jam i lumtur sepse punoj me njerëz të shëndetshëm si futbollistët. Isha futbollist dhe i dua shumë të gjithë. Më dhanë shumë dhe pata shumë konflikte me disa prej tyre, por e kuptoj këtë sepse ata janë qenie njerëzore dhe kanë ndjenja edhe nëse nuk duket kështu sot”, tha Guardiola fillimisht. 

Tekniku i Manchester Cityt tutje dha mendimin e tij në lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Gaza. 

“Më dhemb i gjithë trupi për shkak të asaj që shohim. Nuk duket kështu për shkak të asaj që po ndodh në Ukrainë apo Palestinë, është për shkak të mungesës së njerëzimit tek të gjithë ne”. 

“Ne nuk lëvizim gishtin për një tragjedi që është tre ose katër orë larg nesh, ne thjesht luajmë futboll. Sepse shumë vite më parë, ndodhën Lufta e Parë Botërore dhe Lufta e Dytë Botërore, por nuk kishte asnjë mënyrë për ta treguar. Ishte e fshehur”. 

“Sot, i shohim të gjitha këto në televizion drejtpërdrejt dhe nuk kemi asnjë grimcë mirëkuptimi për të. Pyesim veten se si ta zgjidhim”, përfundoi ai. 

Kujtojmë se OKB-ja më parë paralajmëroi se Gaza po përballej me ‘nivele të tmerrshme vdekjesh dhe shkatërrimi’ dhe kërkoi që Izraeli të lejonte hyrjen e ndihmave në qytet./Telegrafi/

The post Guardiola për konfliktin Izrael-Palestinë: Nuk po lëvizim gishtin për një tragjedi tre ose katër orë larg nesh appeared first on Telegrafi.

Club Brugge refuzon ofertën e fundit të Milanit për Ardon Jasharin

Club Brugge thuhet se ka refuzuar ofertën më të fundit të Milanit për Ardon Jasharin.

Sipas ekspertit belg të merkatos, Sacha Tavolieri, skuadra belge ka hedhur poshtë propozimin e fundit të Milanit për mesfushorin zviceran Jashari.

Drejtori i Milanit, Igli Tare, deklaroi të dielën se klubi italian ka dërguar ofertën e fundit dhe nuk do të bëjë një propozim tjetër për të transferuar 22-vjeçarin.

Sipas raporteve, oferta e Milanit ishte në vlerën 33.5 milionë euro plus bonuse, por sërish mbeti nën kërkesën e 40 milionë eurove të Club Brugge.

Matteo Moretto shton se drejtuesit e Club Brugge nuk i kanë pëlqyer deklaratat publike të Tares lidhur me ofertën për Jasharin, veçanërisht pasi ato u bënë vetëm pak orë para ndeshjes së tyre të parë të sezonit në kampionatin belg.

Jashari nuk ka qenë i përfshirë në dy ndeshjet e fundit zyrtare të Club Brugge kundër Union Saint-Gilloise dhe Genk.

Mesfushori i kombëtares së Zvicrës tashmë ka arritur marrëveshje personale me Milanin, i cili ka bërë ndryshime të mëdha në mesfushë këtë verë duke shitur Tijjani Reijnders dhe duke afruar Samuele Ricci dhe Luka Modric./Telegrafi/

The post Club Brugge refuzon ofertën e fundit të Milanit për Ardon Jasharin appeared first on Telegrafi.

Donnarumma ka pesë opsione ku mund ta vazhdojë karrierën në rast largimi nga PSG-ja

Paris Saint-Germain është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e Lucas Chevalier nga Lille, duke ngritur dyshime mbi të ardhmen e Gianluigi Donnarummas.

Sipas FootMercato, PSG ka arritur një marrëveshje verbale me portierin 23-vjeçar, i cili pritet t’i bashkohet kampionëve francezë së shpejti.

Por ky zhvillim ka shkaktuar pasiguri rreth pozicionit të Donnarummas, i cili është në vitin e fundit të kontratës së tij.

Megjithëse disa klube kanë shprehur interesim për italianin, përfshirë Manchester United, Manchester City, Galatasaray dhe ekipe nga Arabia Saudite, Donnarumma nuk ka ndërmend të largohet menjëherë, sipas gazetarit Fabrice Hawkins.

Ai do të shqyrtojë një largim vetëm nëse paraqitet një projekt që e bind plotësisht.

Agjentët e tij janë aktualisht duke vlerësuar opsionet e mundshme, por Donnarumma mbetet i lidhur me projektin e trajnerit Luis Enrique dhe nuk është i gatshëm të ndërrojë ambient pa kushtet e duhura.

Në brendësi të klubit, po diskutohet mundësia që Chevalier dhe Donnarumma të konkurrojnë për vendin e titullarit gjatë sezonit të ardhshëm./Telegrafi/

The post Donnarumma ka pesë opsione ku mund ta vazhdojë karrierën në rast largimi nga PSG-ja appeared first on Telegrafi.

Fabrizio Romano jep detaje për të ardhmën e Edon Zhegrovës

Sulmuesi kosovar, Edon Zhegrova, po kalon ditët e tij të fundit si lojtar i Lille, pasi së shpejti pritet transferimi i tij diku tjetër.

Këtë tashmë e ka konfirmuar edhe eksperti Fabrizio Romano përmes një postimi në rrjetet sociale, duke konfirmuar se disa klube kanë filluar të bëjnë lëvizjet e tyre për yllin dardan.

Napoli kishte bërë një përpjekje për transferimin e tij që në muajin maj, por ajo dështoi për shkak të kërkesës së lartë financiare nga Lille.

Megjithatë, interesimi i ri nga disa klube mund të rrisë  çmimin e tij përtej 7 milionë eurove që Lille pagoi për ta blerë nga Baseli në vitin 2022.

🚨 Not only Chevalier-PSG, as also Edon Zhegrova can leave Lille in the next weeks as movements continue for the winger.

Napoli made approaches in May but Lille asking price was too high, more clubs are now joining the race. pic.twitter.com/LS2v1lPkl6

— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) July 28, 2025

Largimet e mundshme të Zhegrovës, Jonathan David dhe Lucas Chevalier mund ta dëmtojnë rëndë rezultatet e Lille në Ligën e Evropës.

Për të forcuar edhe më tej faktin që Zhegrova nuk ka shumë gjasa ta vazhdojë karrierën tek Lille, kujtojmë se klubi francez nuk e ka ftuar atë në kampin që po e zhvillojnë në Gjermani.

Sezonin e kaluar Zhegrova u aktivizua në 12 ndeshje në kampionat dhe ishte autor i katër golave dhe pati një asistim./Telegrafi/

The post Fabrizio Romano jep detaje për të ardhmën e Edon Zhegrovës appeared first on Telegrafi.

Tottenhami i kërkon leje Real Madridit për të filluar bisedimet me lojtarin e tyre

Tottenham Hotspur është shfaqur si klubi më i ri që lidhet me një transferim të mundshëm të sulmuesit të Real Madridit, Rodrygo.

Futbollisti brazilian ndodhet në një situatë të pasigurt këtë verë, pasi roli i tij për sezonin e ardhshëm nuk është i përcaktuar dhe pritet të zvogëlohet nën drejtimin e Xabi Alonsos.

Kjo ka nxitur spekulime të shumta për të ardhmen e tij në ‘Santiago Bernabeu’, me Tottenhamin që konsiderohet si një nga destinacionet e mundshme.

Sipas gazetës AS, Tottenham tashmë ka nisur përgatitjet për transferimin e Rodrygos gjatë kësaj vere.

Thuhet se klubi anglez ka kërkuar leje nga Real Madridi për të biseduar me sulmuesin brazilian.

Qëllimi i Tottenhamit është ta bindë Rodrygon për projektin që po ndërton klubi nën drejtimin e trajnerit të ri Thomas Frank.

Deri më tani, Spurs kanë shpenzuar rreth 150 milionë euro për përforcime, përfshirë lojtarë si Mohammed Kudus, Mathys Tel dhe Kevin Danso. Megjithatë, atyre ende u mungon energjia dhe shpejtësia në krahët e sulmit, vend në të cilin Rodrygo shihet si zgjidhja ideale.

Përkundër kësaj, nënshkrimi i brazilianit nuk do të jetë i lehtë. Real Madridi e vlerëson kartonin e tij me rreth 90 milionë euro.

Presidenti i Tottenhamit, Daniel Levy, është i gatshëm të paguajë ose shumën e transferimit prej 90 milionë eurosh, ose pagën vjetore prej 10 milionë euro të lojtarit, por jo të dyjat njëkohësisht./Telegrafi/

The post Tottenhami i kërkon leje Real Madridit për të filluar bisedimet me lojtarin e tyre appeared first on Telegrafi.

Barcelona e gatshme ta shkëpusë kontratën e lojtarit të harruar për ta regjistruar Rashfordin

Barcelona është e përgatitur të shkëpusë kontratën e një lojtari të harruar për të regjistruar Marcus Rashfordin.

27-vjeçari përfundoi transferimin e tij nga Manchester United te gjigantët katalanas javën e kaluar.

Rashford i është bashkuar skuadrës në formë huazimi për një sezon, ndërsa Barcelona ka opsionin ta bëjë marrëveshjen të përhershme verën e ardhshme për rreth 26 milionë euro.

Reprezntuesi anglez bëri paraqitjen e tij të parë për Barcelonën në një ndeshje miqësore ndaj skuadrës japoneze Vissel Kobe gjatë fundjavës.

Ai hyri në lojë në pjesën e dytë dhe luajti 33 minuta, duke regjistruar një gjuajtje në portë.

Megjithatë, Rashford mund të duhet të presë më gjatë për debutimin e tij zyrtar për shkak të vështirësive financiare të vazhdueshme të Barcelonës.

Kampionët e Spanjës thuhet se kanë tejkaluar kufirin e pagave të vendosur nga La Liga, pasi kanë shpenzuar më shumë në tarifa transferimi dhe paga sesa kanë arkëtuar nga të ardhurat sezonin e kaluar.

Ndërkohë që Simon Stone i BBC Sport ka deklaruar se kampi i Rashford mbetet i bindur se Barcelona do të gjejë mënyrën për ta regjistruar, klubi ende nuk e ka zgjidhur situatën.

Barcelona pritet të përfitojë rreth 100 milionë euro  nga shitja e ulëseve VIP në stadiumin ‘Camp Nou’ të rinovuar.

Si Ansu Fati ashtu edhe Clement Lenglet tashmë janë larguar nga klubi, por besohet se janë të nevojshme edhe largime të tjera.

Njëri prej tyre mund të jetë ish-lojtari i Chelseat dhe Southamptonit, Oriol Romeu.

Sipas Mundo Deportivo, klubi i ka bërë me dije se do të duhet ta vazhdojë karrierën larg Barcelonës dhe se tani do të negociojnë për të shkëputur vitin e fundit të kontratës së tij.

33-vjeçari e kaloi sezonin e fundit në huazim te Girona, e cila vendosi të mos aktivizojë opsionin për blerje në kontratën e tij./Telegrafi/

The post Barcelona e gatshme ta shkëpusë kontratën e lojtarit të harruar për ta regjistruar Rashfordin appeared first on Telegrafi.

Berat Gjimshiti mund të largohet nga Atalanta – ylli shqiptar ka një ofertë të madhe nga Katari

Mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti mund të largohet së shpejti nga Atalanta, ka raportuar uebsajti italian TuttoAtalanta.

32-vjeçari i cili ka një kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm me Atalantan dhe që fiton afërsisht 800 mijë euro në sezon, ka qenë një figurë kyçe në mbrojtjen e tyre për vite me radhë.

Megjithatë, ekziston mundësia që ai të largohet në rast se në zyrat e klubit nga Bergamo arrin një ofertë e rëndësishme.

Siç bëhet me dije tutje në raportin e publikuar, interes për shërbimet e Gjimshitit më parë ka shprehur klubi nga Katari, Al Rayyan.

Duke marrë parasysh moshën e Gjimshitit, kjo mund të jetë kontrata e fundit e madhe e karrierës së tij dhe për këtë arsye, Atalanta nuk do t’i qëndrojë përpara nëse dëshiron largimin.

Klubi italian pret që në rast shitjeje të mbrojtësit shqiptar, të arkëtojnë të paktën 11 milionë euro.

Deri në këto momente nuk ka pasur bisedime të avancuara me ndonjë klub, por dera mbetet e hapur dhe javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për të.

The post Berat Gjimshiti mund të largohet nga Atalanta – ylli shqiptar ka një ofertë të madhe nga Katari appeared first on Telegrafi.

❌