TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) që nga nisja e funksionimit të tij ka kryer gjithsej 21 inspektime tematike dhe institucionale në gjykata dhe prokurori, përfshirë dhe Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas ILD-së 12 prej inspektimeve kanë përfunduar dhe raportet përkatëse me 118 rekomandime në total.
Gjatë vitit 2024, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë njoftoi se ka finalizuar 6 inspektime tematike me 54 rekomandime të lëna, konkretisht 9 rekomandime lidhen me marrjen e masave për miratim/nxjerrje aktesh, 29 rekomandime për ndërmarrjen e veprimeve administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
“Inspektimet kanë verifikuar aspekte të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorive dhe administratës së prokurorisë, bazuar në planin vjetor të inspektimeve, por edhe në kërkesën e motivuar me shkrim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm”, njoftoi ILD.
ILD bëri të ditur se “inspektimet e përfunduara kanë pasur për objekt trajtimin e ankesave me objekt “lirimin me kusht”, nga disa gjykata dhe prokurori pranë tyre në 15 gjykata të shkallës së parë në vend dhe 5 ish-gjykata të Apelit, përpara hartës së re gjyqësore, si dhe prokuroritë pranë tyre. Nuk kanë munguar edhe inspektimet mbi respektimin e kushteve dhe kritereve për caktimin e masave të sigurimit personal për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i kryer në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Shkodër dhe Vlorë, mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale të Prokurorit të Përgjithshëm mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, i kryer në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe të Apelit Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër”.
Një tjetër inspektim, ku ka pasur edhe ankesa të qytetarëve, që i janë drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka qenë ai për ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik në gjykata. Ky inspektim njoftoi ILD është kryer në Gjykatën e Lartë dhe në dy shkallët e gjyqësorit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pa përjashtuar edhe disa gjykata të tjera.
“Dy inspektime të tjera të kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë pasur për objekt praktikat për shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve dhe caktimin e çështjeve në prokurori, inspektime që janë kryer në Elbasan, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Për caktimin e çështjeve në prokurori, inspektimi përfshiu SPAK, si dhe disa gjykata të vendit. Inspektimet e tjera për të cilat ka raporte përfundimtare kanë qenë mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhomës Civile dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik në gjykata, mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve dhe dokumentimi nga gjyqtarët i informimit të palëve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim, të cilat janë kryer në disa gjykata dhe prokurori të vendit përfshirë edhe SPAK dhe Gjykatën e Posaçme”, njoftoi ILD.
ILD bëri të ditur se tema të caktuara inspektimesh, si ndarja e çështjeve me short, praktika e caktimit të çështjeve, shkaqeve dhe zëvendësimi i prokurorëve, kohëzgjatja e çështjeve gjyqësore, procedura e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve etj., rimerren edhe në vitet pasardhëse, për të bërë një skanim sa më të mirë të këtyre fenomeneve në sistem.
Inspektimet tematike dhe institucionale janë mekanizmi që bën fotografimin e situatës mbi një tematikë të caktuar e një periudhë të caktuar nëpër gjykata e zyrat e prokurorive.
/m.q//a.f/
The post ILD, 21 inspektime në gjykata e prokurori, përfshirë edhe SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.