Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zbulohet plani sekret i Barcelonës – synon ta ‘dridh’ botën e futbollit me dy transferime

Barcelona po përgatitet për një verë shumë aktive në merkato, pasi të zgjidhë problemet e saj me Fair Play Financiar deri në fund të vitit.

Sipas raportimeve të Sport, presidenti Joan Laporta po harton një plan që do t’i japë klubit më shumë fleksibilitet për regjistrimin dhe transferimin e lojtarëve.

Këtë afat kalimtar, Barcelona ka qenë e kujdesshme, duke sjellë vetëm tre lojtarë të rinj: Rooney Bardghji, portierin Joan García dhe Marcus Rashford, i cili ka ardhur në formë huazimi, me klubin që ende punon për regjistrimin e tij.

Garcia është përfshirë përkohësisht në skuadër, pasi Marc-Andre ter Stegen po rikuperohet nga operacioni.

Për verën e ardhshme, dy emra janë në shënjestër të Barcelonës: Julian Alvarez, aktualisht te Atletico Madrid, dhe mbrojtësi italian Alessandro Bastoni nga Interi.

Alvarez shihet si pasardhës i mundshëm i Robert Lewandowski, i cili mund të largohet në fund të sezonit.

Argjentinasi 25-vjeçar ka një CV mbresëlënëse: kampion bote dhe i Amerikës së Jugut me Argjentinën, fitues i Finalissima dhe i Superkupës Ndërkontinentale, si dhe i të gjitha trofeve me Manchester City, përfshirë Ligën e Kampionëve.

Bastoni, 26 vjeç, ka përvojë në nivele të larta europiane, duke luajtur në dy finale të Ligës së Kampionëve me Interin.

Barcelona e sheh atë si një partner të fortë për të riun Pau Cubarsí në qendër të mbrojtjes.

Të dy transferimet pritet të kushtojnë rreth 200 milionë euro së bashku, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rinovimin dhe fuqizimin e skuadrës katalanase. /Telegrafi/

The post Zbulohet plani sekret i Barcelonës – synon ta ‘dridh’ botën e futbollit me dy transferime appeared first on Telegrafi.

“Zero njohuri për futbollin”: Tifozët reagojnë ndërsa Pedri ndërton lojtarin e tij perfekt

Në një intervistë të fundit për “Topin e Artë”, mesfushorit të Barcelonës, Pedri, iu kërkua të ndërtonte futbollistin e tij të përsosur duke kombinuar cilësitë e lojtarëve të së kaluarës dhe të tashëm.

Pa shumë hezitim, ai bëri zgjedhjet e tij:

Këmba e djathtë: Neymar;

Këmba e majtë: Lionel Messi;

Pasimi: Xavi;

Gjuajtja: Cristiano Ronaldo;

Driblimi: Lamine Yamal;

Mbrojtësi: Carles Puyol;

Fuqia: Cristiano Ronaldo;

Shpejtësia: Nico Williams;

Inteligjenca: Andres Iniesta.

Megjithatë, përzgjedhjet e tij shkaktuan reagime të ndryshme në rrjetet sociale.

Ka komentuar një tifoz: “Nico Williams? Kjo është çmenduri”.

Një tjetër shkroi: “Lamine për Ronaldinhon? Ai po merret me politikë”.

Ndërsa një tjetër u shpreh: “Zero njohuri për futbollin”. /Telegrafi/

The post “Zero njohuri për futbollin”: Tifozët reagojnë ndërsa Pedri ndërton lojtarin e tij perfekt appeared first on Telegrafi.

Barcelona mund të detyrohet të luajë katër ndeshje radhazi në La Liga jashtë fushe

Kthimi i planifikuar i Barcelonës në Spotify Camp Nou për ndeshjen e La Ligës kundër Valencias në shtator duket gjithnjë e më i pasigurt, duke hapur mundësinë që katalanasit të zhvillojnë katër ndeshjet e para të sezonit 2025-26 larg shtëpisë.

Sipas El Desmarque, La Liga ka propozuar që sfida e parë me Valencian të luhet në Mestalla, ndërsa ndeshja e kthimit të zhvillohet në Camp Nou të rinovuar. Arsyeja mbeten vonesat në punimet e rikonstruksionit, të cilat janë prapa afatit.

Një problem kyç është se klubi ende nuk e ka dorëzuar Certifikatën Përfundimtare të Ndërtimit, e cila është e domosdoshme për të marrë lejen e parë të banimit – dokument që lejon hyrjen e tifozëve në stadiumin pjesërisht të përfunduar.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Barcelonës, Albert Batlle, shtoi edhe më shumë dyshime, duke deklaruar se ekipi mund të detyrohet të qëndrojë në Estadi Olímpic Lluís Companys në Montjuïc për disa muaj të tjerë.

Presion nga UEFA dhe pengesa të tjera

Situata bëhet edhe më komplekse për shkak të inspektimit të fundit të UEFA-s, e cila po vlerëson nëse Camp Nou është gati për ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Sipas rregullores, të gjitha sfidat e fazës së grupeve në shtëpi – katër gjithsej – duhet të zhvillohen në të njëjtin stadium.

Kjo ka bërë që Barça të kërkojë ta luajë si mysafire ndeshjen e parë të Champions-it (16-18 shtator), për të fituar dy javë shtesë kohe në përfundimin e punimeve. Megjithatë, një vendim përfundimtar mes Camp Nou dhe Montjuïc mbetet pezull.

Një tjetër telash është koncerti i Post Malone, i planifikuar më 12 shtator në Montjuïc, që mund të prishë planet rezervë për ndeshjen kundër Valencias.

Kapacitet i reduktuar dhe probleme sigurie

Edhe në rast rihapjeje, Camp Nou do të funksionojë me kapacitet të reduktuar prej 27,000 deri në 60,000 vende.

Pavarësisht progresit – si instalimi i tapetit të ri të barit dhe testet teknike – një raport i fundit ka evidentuar mbi 200 mangësi sigurie, që theksojnë sfidat e mëdha që klubi ka përpara. /Telegrafi/

The post Barcelona mund të detyrohet të luajë katër ndeshje radhazi në La Liga jashtë fushe appeared first on Telegrafi.

Eberechi Eze do të marrë një dhuratë speciale nga Arsenali pasi injoroi Tottenhamin

Transferimi i Eberechi Eze nga Crystal Palace te Arsenali po afron dhe sulmuesi anglez nuk do të pritet vetëm nga tifozët me entuziazëm, por edhe me një dhuratë speciale mirëseardhjeje brenda dhomave të zhveshjes.

Tradita te “Topçinjtë” është e veçantë: çdo lojtar i ri që zbarkon në “Emirates” merr një letër personale mirëseardhjeje nga një shok skuadre.

Kjo gjë është bërë tashmë me afrimet e tjera të verës, ku Declan Rice i shkroi një mesazh Noni Maduekes, ndërsa Martin Odegaard e bëri të njëjtën për Viktor Gyokeres.

Në rastin e Ezes, mbetet të shihet kush do të marrë përsipër këtë gjest simbolik, por sipas mediave angleze, shumë gjasa ka të jetë Bukayo Saka, me të cilin lojtari i ri i Arsenalit gëzon një miqësi të ngushtë.

Dyshja janë parë së fundmi së bashku edhe në Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1, bashkë me shokët e ekipit kombëtar të Anglisë.

Eze, 27 vjeç, ka qenë pjesë e akademisë së Arsenalit deri në moshën 13-vjeçare dhe nuk e ka fshehur kurrë dashurinë për klubin dhe idhullin e tij, Thierry Henry.

Kthimi i tij në “Emirates” pritet të shoqërohet me emocion të veçantë, teksa do të bëhet nënshkrimi i shtatë i verës për klubin londinez. /Telegrafi/

The post Eberechi Eze do të marrë një dhuratë speciale nga Arsenali pasi injoroi Tottenhamin appeared first on Telegrafi.

Kaos në Kupën e Amerikës: Shpërthen dhuna mes tifozëve, 300 persona të arrestuar – dhejtra të lënduar

Një tjetër mbrëmje futbolli në Amerikën e Jugut është shndërruar në skenë dhune.

Ajo që duhej të ishte një spektakël sportiv mes Independiente dhe Universidad de Chile në fazën e 1/8 të Kupës së Amerikës, përfundoi me përleshje të ashpra në tribuna.

Gjithçka nisi në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1. Më shumë se 3 mijë tifozë kilianë nisën të shkatërrojnë ulëset në sektorin ku ishin vendosur dhe t’i hedhin ato drejt ultrasve vendas.

Pritja nuk zgjati: tifozët e Independientes iu përgjigjën me dhunë brutale, duke e kthyer stadiumin në një fushë-betejë.

Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë skena të rënda: përleshje trup më trup, objekte të flakura nga njëra tribunë në tjetrën dhe panik në mesin e tifozëve neutralë.

Bilanci, sipas autoriteteve argjentinase, është dramatik: 10 persona të plagosur, disa në gjendje kritike në spitalin e Avellanedas, ndërsa policia ka kryer 90 arrestime, shumica e tyre kilianë.

Në fund, për të shmangur një tragjedi të madhe, forcat speciale ndërhynë me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, duke ndërprerë ndeshjen përfundimisht.

Tani, sytë janë te CONMEBOL, që duhet të vendosë nëse sfida do të riluhet apo rezultati do të përcaktohet në tavolinë. /Telegrafi/

The post Kaos në Kupën e Amerikës: Shpërthen dhuna mes tifozëve, 300 persona të arrestuar – dhejtra të lënduar appeared first on Telegrafi.

Tensione mes Viniciusit dhe Alonsos – publikohen pamjet

Një moment i çuditshëm u regjistrua gjatë ndeshjes së Real Madridit kundër Osasunës, ku protagonist ishte Vinicius Junior.

Sulmuesi brazilian u pa dukshëm i irrituar, pasi mendonte se gjyqtari po injoronte disa ndërhyrje të përsëritura ndaj tij.

Ai kaloi disa minuta duke protestuar, duke shpërqendruar veten nga loja.

Trajneri Xabi Alonso reagoi fillimisht me këshilla verbale, duke i kërkuar lojtarit të tij të përqendrohej te ndeshja.

Por kur fjalët nuk mjaftuan, tekniku spanjoll u detyrua të ndërhynte fizikisht, duke e shtyrë lehtë Viniciusin drejt fushës për ta kthyer në lojë.

Megjithatë, tensioni nuk u shua. Alonso vendosi ta zëvendësonte brazilianin, vendim që u prit me pakënaqësi nga Vinicius, i cili u largua pa e përshëndetur trajnerin.

Ky episod pritet të ngjallë diskutime të shumta në mediat spanjolle, duke vënë në pah raportin mes yllit brazilian dhe trajnerit të ri të “Los Blancos”. /Telegrafi/

The post Tensione mes Viniciusit dhe Alonsos – publikohen pamjet appeared first on Telegrafi.

E kryer, Boniface po i bashkohet Milanit

Victor Boniface do të jetë sulmuesi më i ri i Milanit. Lajmi është bërë publik nga eksperti i trasnferimeve, Fabrizio Romano, i cili ka zbuluar detajet e marrëveshjes përmes një postimi në platformën X.

Sipas raportimit të gazetarit italian, Milani ka arritur marrëveshje për një huazim prej 5 milionë eurosh, me një opsion blerjeje të kartonit për 24 milionë euro.

Boniface, 24 vjeç, kishte humbur vendin e titullarit në Leverkusen pas paraqitjeve të mira të Patrik Schick, por shifrat e tij mbeten mbresëlënëse.

Në sezonin 2023/24, ai realizoi 14 gola dhe dha 8 asistime në 23 ndeshje si titullar, duke ndihmuar klubin gjerman të fitonte titullin e Bundesligës.

Ironikisht, goli i tij i parë në Ligën e Kampionëve erdhi pikërisht kundër Milanit, më 1 tetor 2024 – një detaj që shton dozë dramatike në këtë transferim.

Sipas Romanos, drejtuesit e “Rossonerëve” e shohin Boniface si një “bast strategjik” për të forcuar sulmin, sektor që ka vuajtur nga paqëndrueshmëria sezonin e fundit. /Telegrafi/

The post E kryer, Boniface po i bashkohet Milanit appeared first on Telegrafi.

Si pritet të luajë Juventusi me Edon Zhegrovën në formacion

Edon Zhegrova është gjithnjë e më pranë Juventusit, por përpara se të veshë fanellën bardhezi.

Sipas Gazzetta dello Sport marrëveshja mes Zhegrovës dhe “Zonjës së Vjetër” është arritur – lojtari ka dhënë dritën jeshile dhe ka pranuar kushtet personale.

Por, tashmë gjithçka është në dorën e klubeve.

Në rastin e Zhegrovës, marrëveshja personale ekziston, por Lille kërkon rreth 20–25 milionë euro për kartonin e tij.

Juventus, i cili e sheh kosovarin si një përforcim kyç për repartin ofensiv, po përpiqet ta ulë këtë shifër.

Një faktor që i shkon në favor torinezëve është kontrata e lojtarit, e cila skadon në qershor 2026 dhe vendimi i tij për të mos e rinovuar.

Nëse Juventusi arrin të shesë Gonzalezin dhe të ulë çmimin e Zhegrovës, atëherë ylli i Kosovës do të bëhet blerja e radhës e gjigantëve të Serie A. /Telegrafi/

The post Si pritet të luajë Juventusi me Edon Zhegrovën në formacion appeared first on Telegrafi.

Pesë lojtarët me pagat më të ulëta dhe pesë më të larta te Man United

Prej vitesh, Manchester United është kritikuar për shpenzimet e mëdha në merkato dhe kontratat e majme të dhëna lojtarëve që shpesh nuk e justifikojnë koston.

Fatura e pagave në “Old Trafford” tregon qartë pabarazitë mes yjeve kryesorë dhe talenteve të rinj të klubit.

Nën drejtimin e Ruben Amorimit, disa lojtarë vazhdojnë të përfitojnë paga astronomike, ndërsa të rinjtë premtues marrin vetëm një pjesë të vogël të kësaj shume.

Lojtarët me pagat më të ulëta

Ayden Heaven — 4,000 £ / ~4,720 € në javë;

Toby Collyer — 4,000 £ / ~4,720 € në javë;

Harry Amass — 5,000 £ / ~5,900 € në javë;

Tyler Fredricson — 5,000 £ / ~5,900 € në javë;

Chido Obi — 15,000 £ / ~17,700 € në javë.

Lojtarët me pagat më të larta

Casemiro — 350,000 £ / ~413,000 € në javë;

Bruno Fernandes — 300,000 £ / ~354,000 € në javë;

Marcus Rashford — 300,000 £ / ~354,000 € në javë (aktualisht i huazuar te Barcelona);

Jadon Sancho — 250,000 £ / ~295,000 € në javë;

Mason Mount — 250,000 £ / ~295,000 € në javë.

Ky hendek i madh financiar mes lojtarëve tregon sfidat e brendshme të United-it dhe pasojat e kontratave të gjata e të kushtueshme, të cilat jo gjithmonë reflektojnë performancën në fushë. /Telegrafi/

The post Pesë lojtarët me pagat më të ulëta dhe pesë më të larta te Man United appeared first on Telegrafi.

Luc Ackermann bën histori – thyen kufijtë e sporteve ekstreme me një stunt të jashtëzakonshëm

Gjermani Luc Ackermann, një nga emrat më të njohur në freestyle motocross (FMX), ka realizuar një nga stunt-et më të guximshme të sporteve ekstreme.

Ai ka kryer një backflip spektakolar midis dy kamionëve në lëvizje, në një autostradë gjermane, duke lënë pa fjalë fansat e motorsportit në mbarë botën.

Videoja e publikuar nga Red Bull u bë virale brenda pak orësh, duke mbledhur mbi 8 milionë shikime vetëm në gjashtë orët e para.

Performanca është cilësuar si një nga momentet më ikonike të motocross-it modern, duke ngritur më tej reputacionin e Ackermann si një pilot i pakrahasueshëm.

Stunti, i emërtuar Red Bull Bridge Traverse, kërkoi koordinim të jashtëzakonshëm. Ackermann nisi nga një kamion që lëvizte me shpejtësi 20 km/h, përshpejtoi motoçikletën e tij deri në 54 km/h dhe arriti një shpejtësi lansimi prej 74 km/h.

Në ajër, ai ekzekutoi një Tsunami Backflip, duke kaluar një barrierë autostrade 9 metra të lartë dhe duke u ulur në kamionin e dytë që ishte në lëvizje. Distanca e kapërcimit ishte 40 metra, ndërsa hapësira midis dy kamionëve arrinte 23 metra, me një tolerancë kohe brenda vetëm 0.5 sekondash.

Përgatitja për këtë mision ishte po aq e rëndësishme sa edhe vetë kërkimi. Nën mbikëqyrjen e Thomas Stoggl, drejtor i Qendrës së Performancës së Atletëve në Thalgau, u analizuan faktorë të shumtë si shpejtësia e motoçikletës, këndet e lansimit, trajektorja e fluturimit dhe kushtet atmosferike. Kjo e shndërroi stunt-in në një operacion të kontrolluar me saktësi shkencore.

Në momentin vendimtar, sinjali për nisje iu dha nga vëllai i tij, Hannes. “Nëse nuk do të nisesha me shpejtësinë dhe momentin e duhur, gjithçka do të përfundonte në një përplasje. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme”, u shpreh Ackermann pas suksesit. Ai shtoi se ndjenja pas zbritjes ishte “e pabesueshme” dhe pranoi se tensioni gjatë përgatitjeve ishte aq i madh, sa festimi i arritjes ishte shpërthyes.

Ky stunt i ri e forcon edhe më tej statusin e Luc Ackermann si një nga yjet më të mëdhenj të FMX. Ai tashmë mbahet mend si piloti më i ri që ka realizuar një backflip me motoçikletë dhe fitues i një titulli të madh në X Games 2021.

Me këtë projekt, Red Bull tregon edhe një herë se sportet ekstreme nuk janë vetëm spektakël, por një kombinim i guximit, kreativitetit dhe shkencës. Arritja e Ackermann mbetet një dëshmi se motocross-i freestyle ka hyrë në një epokë të re, ku kufijtë shtyhen vazhdimisht dhe emocionet arrijnë nivele të papara më parë. /Telegrafi/

The post Luc Ackermann bën histori – thyen kufijtë e sporteve ekstreme me një stunt të jashtëzakonshëm appeared first on Telegrafi.

E kanë mposhtur dy herë, por Ramadani nuk nënvlerëson Differdangen

Drita do të zbresë në fushë të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” për t’u përballur me Differdange nga Luksemburgu, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës.

Skuadra gjilanase ka kujtime të mira nga përballjet e kaluara me Differdangen, të cilin e kishte mposhtur dy herë në korrik – fillimisht 1-0 në Gjilan dhe më pas 3-2 në Luksemburg.

Trajneri Zekirija Ramadani e sheh këtë sfidë si një “finale të dytë”, duke u bërë thirrje lojtarëve të tregojnë durim dhe disiplinë në të dyja fazat e lojës.

“Na pret një ndeshje e vështirë. Differdange është ekip i disiplinuar dhe mbrohet mirë. Duhet të kemi qasje profesionale dhe të shfrytëzojmë hapësirat. Do të isha i kënaqur edhe me një fitore minimale, për aq kohë sa nuk pranojmë gola”, u shpreh Ramadani në konferencën për media.

Edhe pse në letër Drita konsiderohet favorite, trajneri ka insistuar se në fushë gjithçka është e hapur: “Favoritë jemi vetëm në letër. Në fushë jemi të barabartë. Duhet ta tregojmë epitetin e favoritit me lojë dhe rezultat.”

Gjilanasit nuk janë në formën më të mirë, pasi pas fitoreve ndaj Differdanges kanë regjistruar pesë humbje rresht, përfshirë edhe disfatën e fundit ndaj Ferizajt në Superligën e Kosovës. Sidoqoftë, Ramadani është optimist se ekipi do të reagojë.

Një mungesë e rëndësishme për Dritën do të jetë ajo e kapitenit Rron Broja, i pezulluar nga UEFA për dy ndeshje pas kartonit të kuq kundër FCSB-së.

Për Ramadanin, arritja në fazën grupore të Ligës së Konferencës nuk do të ishte vetëm sukses sportiv, por një kapitull historik për klubin dhe futbollin kosovar.

“Një kualifikim i tillë nuk është thjesht sukses, është histori. Hera e parë mbahet mend gjithmonë. Duhet të luftojmë për ta shkruar këtë histori”, shtoi ai.

Drita sezonin e kaluar u ndal në plejof nga Legia e Varshavës, një kundërshtar shumë më i madh se Differdange. Këtë herë, shpresat janë që skuadra gjilanase ta bëjë hapin e madh dhe të shkruajë faqen e re të historisë evropiane. /Telegrafi/

The post E kanë mposhtur dy herë, por Ramadani nuk nënvlerëson Differdangen appeared first on Telegrafi.

Kai Havertz ia ndryshon Arsenalit planet e transferimeve

Sipas raportimeve të The Athletic, Arsenali është duke monitoruar me kujdes tregun e transferimeve pas lajmit shqetësues për dëmtimin e gjurit të Kai Havertz. Situata e gjermanit mbetet ende e paqartë, por nëse mungesa e tij do të zgjasë, “Topçinjtë” do të jenë të detyruar të ndërhyjnë për të gjetur një zëvendësues.

Aktualisht, Viktor Gyokeres shihet si i vetmi “numër 9” i mirëfilltë në dispozicion të skuadrës, ndërsa Mikel Merino dhe Leandro Trossard mund të mbulojnë përkohësisht rolin në fazën sulmuese. Megjithatë, kjo nuk shihet si një zgjidhje afatgjatë, sidomos në një sezon ku Arsenali synon të luftojë për trofe në disa fronte.

Gjendja fizike e Gabriel Jesus është gjithashtu një problem shtesë për trajnerin Mikel Arteta. Sulmuesi brazilian ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar anterior që pësoi në janar, duke e lënë ekipin me shumë pikëpyetje në repartin ofensiv.

Havertz, i cili sezonin e kaluar mungoi për disa muaj për shkak të një dëmtimi në kofshën e pasme, rrezikon të përballet me një tjetër periudhë të gjatë jashtë fushave. Një tjetër mungesë e tillë do të ishte një goditje e rëndë për Arsenalin, duke pasur parasysh rolin e tij kyç në sistemin e Artetës.

Kjo situatë e papritur ka shtyrë drejtuesit e klubit londinez të analizojnë disa objektiva të mundshëm në merkato. Pavarësisht se emrat konkretë nuk janë bërë publikë, pritet që Arsenali të synojë një sulmues me përvojë, i cili mund të japë ndikim të menjëhershëm në skuadër.

Se si do të zhvillohet kjo çështje mbetet për t’u parë në ditët dhe javët në vijim, por është e qartë se dëmtimi i Havertz ka rihapur urgjencën e Arsenalit për të forcuar sulmin. /Telegrafi/

The post Kai Havertz ia ndryshon Arsenalit planet e transferimeve appeared first on Telegrafi.

Skenë e pazakontë: Miza ia fiton golfistit britanik 728 mijë dollarë në BMW Championship

Një episod i pazakontë gjatë BMW Championship ka bërë bujë në botën e golfit: një mizë e zakonshme u kthye në “asistuesen” e papritur të golfistit britanik Tommy Fleetwood, duke ndihmuar në shënimin e një birdie vendimtare që i solli atij 728,000 dollarë fitim.

Ngjarja ndodhi në raundin final të turneut në Maryland, kur goditja e Fleetwoodit la topin të qëndronte në buzë të vrimës. Pikërisht në atë moment, një mize u ul mbi të dhe shkaktoi një lëvizje të lehtë, e cila e shtyu topin brenda.

Pamjet u bënë shpejt virale në rrjetet sociale, duke tërhequr mijëra reagime e komente. Sipas rregullave të PGA Tour, lojtarët kanë deri në 10 sekonda për të pritur nëse topi bie në vrimë pas një goditjeje – çka në këtë rast e favorizoi britanikun.

Edhe pse disa ekspertë dyshojnë se ndikimi i mizës ishte thjesht një rastësi, një fizikan analizoi videon dhe vlerësoi se pesha e insekteve, në rrethana të caktuara, mund të shkaktojë lëvizje të tilla – ndonëse shumë rrallë.

Fleetwood, i cili prej kohësh ka qenë pranë një triumfi të madh në PGA, përfundoi turneun në një pozitë të favorshme falë kësaj birdie-je. Ngjarja, përveç se i solli atij një çmim të majmë, e shtoi edhe më shumë magjinë e këtij sporti.

“Natyra ka mënyrën e vet për të sjellë fat,” shkroi një tifoz në rrjetet sociale, duke nënvizuar se pikërisht këto momente të papritura e bëjnë golf-in unik.

Turneu BMW Championship është pjesë e FedEx Cup Playoffs, ku lojtarët luftojnë për çmime të larta dhe kualifikim në garat e ardhshme. Episodi i Fleetwoodit ka sjellë një çast humori e mrekullie në një sezon të mbushur me rivalitet të fortë.

Ky rast e dëshmon se në sport, ndonjëherë, fati vjen në format më të paimagjinueshme – madje edhe me krahë. /Telegrafi/

The post Skenë e pazakontë: Miza ia fiton golfistit britanik 728 mijë dollarë në BMW Championship appeared first on Telegrafi.

UEFA do të kryejë inspektime te Barcelona

Barcelona po garon me kohën ndërsa UEFA pritet të kryejë një inspektim të plotë në Spotify Camp Nou këtë të enjte, për të vlerësuar nëse stadiumi është gati të presë ndeshje të Ligës së Kampionëve, raporton Mundo Deportivo.

Kontrolli do të përqendrohet në gjendjen e punimeve të rinovimit, si dhe në përmbushjen e standardeve të rrepta të UEFA-s për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Ky proces është vendimtar, pasi klubi katalanas ende nuk ka marrë Certifikatën e Përfundimit të Punimeve (CFO), dokument që lëshohet nga Këshilli i Qytetit të Barcelonës dhe që është kusht për dhënien e Lejes së Parë të Banimit.

Situata bëhet edhe më urgjente për shkak se Barcelona ka më pak se tre javë kohë deri në ndeshjen e parë zyrtare në shtëpi kundër Valencias, e planifikuar për 13 ose 14 shtator. Pa miratimin e UEFA-s, planet për rikthimin në Ligën e Kampionëve do të komplikoheshin ndjeshëm.

Nëse stadiumi rihapet në fazën 1A, kapaciteti do të jetë i kufizuar në vetëm 27,000 spektatorë. Megjithatë, për ndeshjet evropiane, UEFA kërkon më shumë kapacitet dhe hapjen e tribunave shtesë, që bëhet e mundur vetëm në fazën 1B – me 45,000 vende. Faza e tretë, 1C, do të mundësojë hapjen edhe të sektorit Gol Nord.

Për momentin, klubi duhet të vendosë brenda javës së ardhshme se ku do të zhvillojë ndeshjet evropiane: në Spotify Camp Nou apo në Estadi Olímpic, i cili mbetet një alternativë rezervë.

Vendimi final i UEFA-s pas inspektimit do të përcaktojë nëse Barcelona do të rikthehet në shtëpinë e saj historike për Champions League apo do të detyrohet të zhvendoset përkohësisht. /Telegrafi/

The post UEFA do të kryejë inspektime te Barcelona appeared first on Telegrafi.

Anthony Joshua zbulon planin për t’u tërhequr nga boksi

Anthony Joshua ka lënë të kuptohet se karriera e tij në boks mund të përfundojë brenda këtij viti. 35-vjeçari britanik nuk është ngjitur më në ring që prej humbjes së rëndë ndaj Daniel Dubois, kur u nokautua në raundin e pestë në Wembley, shtatorin e kaluar.

Pas asaj disfate, Joshua iu nënshtrua një operacioni në bërryl, çka e ka mbajtur jashtë ringut për muaj të tërë. Deri tani ai nuk ka një kundërshtar të konfirmuar, megjithëse promotori i tij, Eddie Hearn, ka zhvilluar bisedime mbi mundësinë e një dueli të bujshëm me YouTuber-in e kthyer në boksier, Jake Paul.

Ndërkohë, tifozët presin ende një përballje historike mes Joshuas dhe Tyson Furyt. Ky i fundit, pas humbjes së revanshit kundër Oleksandr Usyk muajin e kaluar, njoftoi tërheqjen e tij nga sporti. Një përballje mes dy britanikëve do të ishte një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e peshave të rënda.

Megjithatë, Joshua ka lënë të kuptohet për një fund të afërt të karrierës. Në një postim në Instagram, ai falënderoi Matchroom Boxing për mbështetjen që nga debutimi i tij në vitin 2013, duke theksuar se “grushti i tij i fundit” do të hidhet këtë vit. “Një falënderim për gjithçka që keni bërë për mua. Mbretëro për një kohë të gjatë supreme dhe jep u mundësi të tjera boksierëve”, shkroi Joshua.

Ai kujtoi 12 vitet e bashkëpunimit me Matchroom, duke e quajtur kombinimin mes mbretërisë dhe besnikërisë një formulë perfekte. “Një dolli për 100 vitet e ardhshme të Matchroom Boxing. Nëse do të filloja nga e para, nuk do të ndryshoja asgjë”, shtoi ai, duke lënë hapur idenë e një pensionimi të afërt.

Nga ana tjetër, promotori Eddie Hearn konfirmoi pas ndeshjes Usyk–Dubois se Joshua është i gatshëm të përballet me Jake Paul, nëse ky i fundit e mban fjalën. “Nëse ata e duan vërtet, ndeshja do të ndodhë. Dhe besoni, kjo do të ishte një përballje që sjell shifrat më të mëdha në sport”, deklaroi ai.

Hearn nuk kurseu paralajmërimet ndaj Paul-it, duke theksuar rrezikun e madh që mbart një duel me një kampion të kalibrit të Joshuas. “Kjo nuk është lojë, nuk është video në YouTube apo algoritme. Është fizikisht e rrezikshme. Nëse e dëshironi, kini kujdes se çfarë kërkoni”, theksoi ai.

Promotori britanik përmendi edhe Francis Ngannoun, duke thënë se ai do ta shkatërronte Jake Paulin në ring. “Por nëse Jake është gati të hedhë zarin, ne jemi gati. Thjesht duhet të kuptojë pasojat e një lufte të tillë”, përfundoi Hearn. /Telegrafi/

The post Anthony Joshua zbulon planin për t’u tërhequr nga boksi appeared first on Telegrafi.

Conrad Harder, emri i ri nga Tare për sulmin e Milanit

Tregu i transferimeve të Milanit po hyn në fazën më të nxehtë dhe qëllimi kryesor deri në fund të afatit të verës mbetet përforcimi i repartit ofensiv.

Në prag të ndeshjes së parë zyrtare të sezonit, kundër Barit në Kupën e Italisë, drejtori sportiv Igli Tare foli për Rasmus Hojlund dhe Dusan Vlahovic si alternativa konkrete për sulmin, por në orët e fundit është shtuar edhe një emër i ri: Conrad Harder, talenti danez i vitit 2005 në pronësi të Sporting CP.

Sipas raportimeve të TuttoMercatoWeb, Milani ka pasur kontakte si me përfaqësuesit e futbollistit ashtu edhe me klubin portugez, i cili e vlerëson kartonin e Harder pak më pak se 30 milionë euro.

Kuqezinjtë po tentojnë të ulin këtë shumë dhe po shqyrtojnë formulën e huazimit me detyrim blerjeje. Nëse Sporting është i hapur për këtë opsion, atëherë pista Hojlund mbetet gjithashtu aktive, me mundësinë reale që Milani të kryejë dy goditje në repartin sulues.

Ndërkohë, Milani ka arritur një parim-marrëveshje me Manchester United për Hojlund, në formën e një huazimi me të drejtë blerjeje prej 40 milionë euro.

Igli Tare po punon paralelisht në të dyja pistat, dhe nëse gjërat ecën siç duhet, Massimiliano Allegri mund të përfitojë nga një dyfishim i bujshëm në sulm. /Telegrafi/

The post Conrad Harder, emri i ri nga Tare për sulmin e Milanit appeared first on Telegrafi.

Mourinho zbulon lojtarin që e ndihmoi të rritet si trajner

Trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka folur hapur për ndikimin e madh që Lionel Messi ka pasur në karrierën e tij.

Në një intervistë për Sporty Net, portugezi u pyet se cili lojtar e ka ndihmuar më shumë në zhvillimin e tij profesional.

“Messi, sepse sa herë që luaja kundër tij, më detyronte të mendoja shumë,” – u shpreh Mourinho, i cili ka drejtuar ekipe si Real Madrid, Chelsea, Inter dhe Manchester United.

Ai shtoi se përballjet me yllin argjentinas e detyronin gjithmonë të përshtatej dhe të rimendonte strategjitë e tij, duke e bërë të përmirësohej si trajner.

Mourinho ka udhëhequr klube si Porto, Inter, Real Madrid, Manchester United, Tottenham dhe Roma. /Telegrafi/

The post Mourinho zbulon lojtarin që e ndihmoi të rritet si trajner appeared first on Telegrafi.

Gjesti elegant i Cristiano Ronaldos për Joao Felix në gjysmëfinalen e Superkupës së Arabisë Saudite kundër Al Ittihad

Al Nassr u përball me një sfidë të vështirë në gjysmëfinalen e Superkupës së Arabisë Saudite kundër Al Ittihad, pasi mbetën me dhjetë lojtarë që në minutën e 25-të.

Arsyeja ishte kartoni i kuq i drejtpërdrejtë që mori Sadio Mane pas një ndërhyrjeje të ashpër.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Luis Castro nuk u dorëzua. Përkundrazi, ata treguan karakter dhe disiplinë, duke e përmbysur ndeshjen në favorin e tyre.

Rezultati përfundimtar 2-1 dëshmoi forcën e grupit dhe vendosmërinë e lojtarëve për të siguruar një vend në finale.

Cristiano Ronaldo ishte përsëri në qendër të vëmendjes. Ai pati një rast të artë për të shënuar golin vendimtar pasi kaloi përballë portierit kundërshtar.

 

Por, në vend që të përfundonte vetë aksionin, ai tregoi një moment bujarie dhe lideri të vërtetë.

Portugezi e pasoi topin tek Joao Felix, i cili nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetë, duke vulosur fitoren për Al Nassr.

Ky gjest i Ronaldos jo vetëm që garantoi rezultatin, por edhe dëshmoi se ai është po aq i gatshëm të sakrifikojë për skuadrën sa edhe të shënojë vetë.

Ky veprim tregon anën tjetër të yllit 39-vjeçar: një lider që mendon për suksesin kolektiv përpara lavdisë personale.

Në këtë mënyrë, Ronaldo edhe një herë tregoi se është jo vetëm golashënues i jashtëzakonshëm, por edhe një shembull frymëzimi për shokët e tij të ekipit. /Telegrafi/

The post Gjesti elegant i Cristiano Ronaldos për Joao Felix në gjysmëfinalen e Superkupës së Arabisë Saudite kundër Al Ittihad appeared first on Telegrafi.

Liverpooli ‘miraton’ ofertën rekord për Alexander Isak, dalin detajet e transferimit

Liverpooli vazhdon përpjekjet për të transferuar Alexander Isakun, duke paraqitur një ofertë rekord prej 155 milionë eurosh, sipas raportimeve të fundit.

Sulmuesi i Newcastle United mbetet objektivi kryesor i “The Reds”, por drejtuesit e “Magpies” kanë refuzuar deri tani çdo përpjekje, edhe pse lojtari suedez ka shfaqur dëshirën për t’u larguar duke mos marrë pjesë në stërvitje dhe duke refuzuar të luajë.

Newcastle ka qenë i qartë se Isaku nuk është në shitje, por sipas “The Sun”, Liverpooli beson se klubi më në fund mund të tundohet nga një ofertë rekord prej 155 milionë eurosh.

Kjo situatë vjen vetëm pak ditë para përballjes së madhe mes dy skuadrave në “St. James’ Park”, pas barazimit 0-0 të Newcastle kundër Aston Villas në javën e parë të Lig Premier.

Në këtë ndeshje pritet të ketë shumë vëmendje mbi të ardhmen e Isakut, sidomos pasi tifozët vendas tashmë kanë filluar ta shprehin hapur pakënaqësinë ndaj tij.

Megjithatë, nuk pritet që Liverpooli të paraqesë një tjetër ofertë zyrtare deri pas këtij dueli të rëndësishëm. Përveç Isakut, “The Reds” janë të interesuar edhe për mbrojtësin e Crystal Palace, Marc Guehi, kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme.

Pas paraqitjes jo të mirë të Ibrahima Konate kundër Bournemouth, Liverpooli është i gatshëm të shpenzojë 41.6 milionë euro për Guehin.

Nëse realizohet një marrëveshje e dyfishtë për Isakun dhe Guehin, atëherë shpenzimet e verës së Liverpoolit do të arrinin në rreth 554 milionë euro – një shumë marramendëse edhe për standardet e futbollit modern. /Telegrafi/

The post Liverpooli ‘miraton’ ofertën rekord për Alexander Isak, dalin detajet e transferimit appeared first on Telegrafi.

Shikoni çfarë i ndodhi Leo Baileyt me të arritur në Romë

Leon Bailey është pritur me entuziazëm nga tifozët e Romës në aeroportin Ciampino, ku mbërriti për të përfunduar transferimin e tij nga Aston Villa. Lojtari i kombëtares së Xhamajkës ka qenë një nga objektivat kryesorë të verdhekuqve gjatë afatit kalimtar veror.

Sipas burimeve të shumta, marrëveshja është arritur në formë huazimi, me një pagesë prej 2-3 milionë eurosh, ndërsa Roma ka përfituar gjithashtu të drejtën e blerjes përfundimtare të lojtarit për rreth 22 milionë euro në fund të sezonit.

Bailey fillimisht ishte planifikuar të fluturonte drejt Italisë mbrëmjen e kaluar, por vendosi ta shtynte udhëtimin e tij për sot pasdite. Ky ndryshim i vogël në itinerar nuk e ka zbehur aspak atmosferën festive mes tifozëve.

Qindra mbështetës të Romës u mblodhën për ta përshëndetur 28-vjeçarin, i cili dha autografe, bëri foto dhe nuk nguroi të thërriste “Forza Roma!”, duke fituar menjëherë simpatinë e tifozëve.

Pas mbërritjes, sulmuesi anësor do t’i nënshtrohet testeve mjekësore standarde, si nga klubi ashtu edhe nga autoritetet përkatëse, përpara se të hedhë firmën mbi kontratën që do ta bëjë zyrtarisht pjesë të ekipit të Daniele De Rossit.

Ky transferim shihet si një hap i rëndësishëm për Romën, e cila synon të forcojë repartin ofensiv në prag të sfidave të reja në Serie A dhe në arenën evropiane. /Telegrafi/

The post Shikoni çfarë i ndodhi Leo Baileyt me të arritur në Romë appeared first on Telegrafi.

❌