Mevlan Zeka vjen me një reagim publik për largimin nga klubi rumun: Gjendja e vështirë e gruas më bëri të kthehem në Kosovë
Mevlan Zeka është transferuar në qershor te skuadra rumune UTA Arad duke bërë hapin e madh në karrierë.
Megjithatë vetëm pas disa javësh të kaluar te kjo skuadër, sulmuesi gjakovar është larguar për arsyeje familjare.
Në Rumani është shkruar se UTA Arad do ta dërgojë çështjen në FIFA, megjithatë tani Zeka ka dërguar në redaksi një reagim publik të gjatë duke shpjeguar të gjithë situatën.
31-vjeçari ka treguar arsyen se është rikthyer në Kosovë për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, derisa si baba dhe kryefamiljar ka qenë mëse e nevojshme për t’i qëndruar pranë bashkëshortes, nënës dhe djalit të tij.
Reagim publik i Mevlan Zekës:
Së fundmi, në media kanë qarkulluar lajme dhe komente të shumta lidhur me situatën time me klubin UTA Arad. E ndjej të nevojshme të flas vetë, sepse çdo informacion që nuk vjen nga kjo llogari nuk duhet të merret si i vërtetë.
Më 23 qershor 2025 iu bashkova klubit në fazën përgatitore në Slloveni, ku qëndrova për 10 ditë. Dua të falënderoj nga zemra trajnerin, stafin dhe bashkëlojtarët për mikpritjen dhe respektin që më dhanë që nga dita e parë.
Gjatë kësaj periudhe, bashkëshortja ime kishte shfaqur shqetësime shëndetësore. Ndërsa unë isha ende në Slloveni, ajo iu nënshtrua disa testeve mjekësore dhe, fatkeqësisht, situata doli të jetë serioze jo e lehtë. Pas përfundimit të fazës përgatitore, klubi na dha dy ditë pushim për t’u kthyer tek familjet tona. Pikërisht në ato ditë mora lajmin për gjendjen dhe situaten serioze me te cilën po kalon bashkëshortja.
Pavarësisht se kam analizuar çdo mundësi për t’u rikthyer në Arad, përgjegjësia ime si kryefamiljar, bashkëshort dhe baba ishte më e madhe se çdo detyrim si futbollist. Sugjerimi i mjekut që bashkëshortja ime kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm bëri që vendimi im të ishte i qartë, pasi terapitë që ajo duhej të ndiqte ishin të pamundura të përballoheshin pa praninë time.
Unë nuk kam baba, vëllai im nuk jeton në Kosovë, dhe jam i vetmi mashkull në familje, pranë nënës, bashkëshortes dhe djalit tim. Në atë moment, ishte e pamundur të largohesha prej tyre dhe të udhëtoja për në Rumani. Situata ishte e rëndë, dhe si çdo njeri, vendosa ta vë familjen në vend të parë.
Nuk është e vërtetë që jam stërvitur apo kam nënshkruar me ndonjë skuadër tjetër, apo që jam larguar pa komunikim. Që nga dita që jam kthyer në Kosovë, nuk kam bërë asnjë seancë stërvitore. Kam shpjeguar situatën në klub dhe kam dorëzuar të gjitha raportet mjekësore që dëshmojnë gjendjen e bashkëshortes sime. Kam bashkëpunuar ngushtë me menaxherin tim për të gjetur një zgjidhje të drejtë për të gjitha palët.
Nëse rasti shkon në FIFA, unë do të përballem me çdo situatë dhe do të kërkoj të drejtat e mia si çdo futbollist që është gjendur në situata të tilla. Nuk jam i pari që përballem me këtë sfidë, por shpresoj të jem i fundit, sepse nuk dua të shoh asnjë futbollist tjetër të kalojë atë që po kaloj unë. Kjo është puna jonë, dhe me të mbajmë familjet tona.
Gjithashtu, kam hequr dorë nga çdo e drejtë financiare për të mos e dëmtuar klubin, sepse e respektoj UTA Arad dhe tifozët e saj. Për mua, ky transferim ishte një ëndërr dhe një hap i madh në karrierë. Është e dhimbshme të mos jem sot në Arad për të luftuar për fanellën e klubit, por ka momente në jetë kur futbolli duhet të ndalet përpara përgjegjësisë ndaj familjes.
Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë se, mbi të gjitha, jemi njerëz. Kam besuar dhe ende besoj se çdo marrëdhënie profesionale duhet të mbështetet mbi respekt dhe humanitet.
Me respekt Mevlan Zeka. /Telegrafi/
The post Mevlan Zeka vjen me një reagim publik për largimin nga klubi rumun: Gjendja e vështirë e gruas më bëri të kthehem në Kosovë appeared first on Telegrafi.