Trajneri i Tottenhamit shpërtheu për kalimin e Eze te Arsenali
Thomas Frank ka insistuar se Tottenham Hotspur do të rikuperohet shpejt nga dështimi për të transferuar Eberechi Eze, i cili tashmë është prezantuar te Arsenali.
Trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, la të kuptohet se mesfushori ofensiv kishte zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me fanellën e “Shqiponjave”.
Ai e tërhoqi Ezen nga fitorja historike 1-0 ndaj Fredrikstad në play-off të Ligës së Konferencës, duke shtuar thashethemet për një transferim të afërt.
Glasner kishte konfirmuar se 27-vjeçari ishte planifikuar të ishte titullar në ndeshjen e parë të Palace në kompeticionet evropiane, por situata ndryshoi pas marrëveshjes së arritur me Arsenalin, që pagoi 70 milionë euro për shërbimet e tij.
Tottenham shihte Ezen si zëvendësimin ideal për James Maddison, i cili do të mungojë gjatë për shkak të një dëmtimi të rëndë.
Mirëpo, me lojtarin që zgjodhi të ribashkohet me klubin e fëmijërisë së tij, Spurs mbetën jashtë garës dhe tashmë po kërkojnë alternativa të tjera.
Thomas Frank reagoi duke theksuar se nuk do të pranojë lojtarë që nuk duan të jenë pjesë e Tottenhamit: “Për të qenë shumë i qartë, nuk dua asnjë lojtar që nuk dëshiron të vijë në klub. Nëse nuk duan të veshin këtë stemë fantastike, ne nuk i duam këtu”.
Spurs tashmë po shqyrtojnë opsione të tjera, përfshirë anësorin e Manchester Cityt, Savinho, dhe yllin e Aston Villës, Morgan Rogers, i shpallur “Lojtari i Ri i Vitit” nga PFA.
“Jemi në treg dhe do të përpiqemi ta forcojmë ekipin. Shoh 23 lojtarë që punojnë shumë për ndeshjen e nesërme, por jam i bindur se do të sjellim edhe përforcime të reja,” shtoi Frank.
The post Trajneri i Tottenhamit shpërtheu për kalimin e Eze te Arsenali appeared first on Telegrafi.