Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Çka i kishte premtuar Radoiçiqi Prokurorisë Speciale, në këmbim të tërheqjes se urdhër-arrestit më 2021?

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka dhënë detaje të padëgjuara më parë për vendimin për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit në vitin 2021, i cili ishte lëshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit. Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish-ministri i Drejtësisë, në atë kohë, Abelard Tahiri.

Kryeprokurori Blerim Isufaj për Kallxo tha se deklaratat e tij të mëhershme lidhur me këtë çështje mund të kenë krijuar paqartësi, por tani vendosi të sqarojë gjithçka për publikun.

“Në konferencë të cilën e pata mbajtur kohë më parë, pata deklaruar se për këtë çështje nuk mund të shpalosi detaje. Unë jam i vetëdijshëm se kjo deklaratë ka mujt me shkaktu konfuzion, keqinterpretim” – tha Isufaj.

Ai sqaroi se procedura ishte zhvilluar nga prokurori i çështjes Burim Qerkini dhe se ai ishte informuar si kryeprokuror, bashkë me kryeprokurorin e atëhershëm të shtetit dhe disa prokurorë të tjerë.

“Mos harro, po e përsëris – e kam thanë se nuk mund të ndaj detaje me publikun. Ato detaje po i shpalosi këtu. Procedurën e ka zhvilluar prokurori i çështjes, sikurse në çdo rast tjetër. Prokurorët janë të pavarur për punën e tyre në zhvillimin e procedurës. Për këtë proces, kam qenë i informuar si kryeprokuror. Përveç meje ka qenë kryeprokurori i shtetit dhe disa prokurorë të zyrës time. Kjo do të thotë se kjo çështje në asnjë mënyrë nuk është ba që si të themi në mënyrë sekrete” – shtoi ai.

Isufaj zbuloi prapaskenat e një takimi ndërmjet prokurorit të çështjes, Burim Qerkini dhe avokatit të Radoiçiqit. Radoiçiq i kishte premtuar PSRK-së se do të jepte informacione kredibile për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në mënyrë qe urdhër-arresti ndaj tij të hiqej.

“Në një moment, prokurori i çështjes (Burim Qerkini) ka ardhë në zyrën time dhe më ka njoftu për një takim që ai kishte pasur me avokatin e Milan Radoiçiqit. Si ma interpretoi prokurori mua, ishte kështu situata – avokati i Radoiçiqit i kishte thënë prokurorit se Radoiçiqi po jep sinjale bashkëpunimi dhe nëse pranoni me ja hjek urdhërarrestin, ai do të jap informacione që janë shumë kredibile për vrasjen e Oliver Ivanoviqit” – tha kryeprokurori.

Ai theksoi se në atë kohë nuk kishte shumë informacion për rolin e Radoiçiqit dhe nuk kishte pranuar “ofertën” për heqjen e urdhër-arrestit.

“Të jeni të sigurt, unë në atë kohë nuk kam pasur shumë informacione kush është Radoiçiqi. E kam ditur që është i akuzuar si bashkëkryerës në kryerje të veprës penale të Oliver Ivanoviqit, por nuk kam ditur më shumë. Ju e dini që ka pasur tentime me u arrestu disa herë nga Policia por nuk ka mundur. Në momentin kur ma tha këtë prokurori i çështjes, unë kam qenë i qartë, i kam thanë jo. Pse i kam thanë jo? Nuk është se unë s’kam dashur ta pranoj një ofertë të tillë, nuk është se unë nuk kam dashur të siguroj informacionet që pretendohej se ishin shumë relevante për çështjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit sepse urdhër-arresti ka të bëjë për vrasjen e Ivanoviqit. Nuk u pajtova me prokurorin dhe i thashë vazhdo me procesin kështu si je” – deklaroi Isufaj në KallxoPërnime.

Prokurori Burim Qerkini kishte insistuar, duke sjellë një plan hetimi dhe strategji për marrjen e atij informacioni, që ishte përkrahur edhe nga ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Ndërkohë prokurori i çështjes insistoi dhe mua ma solli një plan hetimi, një strategji për mënyrën se si ai mendon marrjen e atij informacioni. Për të gjitha këto biseda, i informuar dhe në takime ka qenë ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Meqenëse prokurori – e thashë edhe më herët – është i pavarur në mënyrën se si e trajton një rast, se si e siguron një provë, se si e prezanton provën para gjykatës, unë nuk mujta me u ba pengesë me thanë nuk bën në asnjë mënyrë sepse e kisha një instancë më të lartë aty” – sqaroi kryeprokurori.

I pyetur për qëndrimin e ish-kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, Isufaj tha se ai e kishte përkrahur tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit.

“Po, ishte pro kësaj dhe unë i besova sinqeritetit të prokurorit. Isha i bindur dhe jam edhe sot se qëllimi i prokurorit të çështjes nuk ka qenë që të amnistohet Radoiçiqi, përkundrazi qëllimi ka qenë që ai të vihet këtu edhe të ballafaqohet me drejtësinë. Imagjinoje, Kreshnik, sikur ai të vinte në Prokurorinë Speciale, ose e kish dhënë informacionin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ose do të arrestohej sepse e ka pasur statusin e personit të pandehur” – tha Isufaj.

Ndërkohë Blerim Isufaj tha se deri më tani askush nuk është hetuar për heqjen urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit. Por, shtoi se “nëse ka ndonjë provë që dëshmon se tërheqja e urdhër-arrestit lidhet me ndonjë vepër penale, garantoj se do ta hetojë pa kompromis”

Ai shtoi se aktualisht, Prokuroria Speciale e Kosovës ka katër urdhër-arreste aktive për Radoiçiqin: për vrasjen e Ivanoviqit, për rastin e Banjskës, për organizimin e barrikadave dhe për krime të luftës.

“Po e përsëris, ne Radojiçiqin jemi duke e hetu në shumë pista të hetimit. Po e hetojmë edhe për mundësinë e bashkëpunimit me persona të tjerë në Kosovë. Përndryshe, Prokuroria Speciale i ka katër urdhër-arreste të lëshuara për Radoiçiqin: për rastin e Oliver Ivanoviqit, për rastin Banjska, për rastin e barrikadave dhe për krime të luftës. Atë që ma tha prokurori i çështjes, u betu se nëse nuk arrin me sjellë Radoiçiqin këtu, urdhër-arresti ndaj tij do të kthehet – dhe kjo ndodhi” – përfundoi Isufaj.

I pyetur për faktin se si ndodhi që Radoiçiqi më pas jetoi lirshëm në Mitrovicë dhe nuk ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale, Isufaj tha:

“Nuk e di pse nuk ka ardhë. Synimi i prokurorit ka qenë që ai me ardhë, e vërteta është që ai nuk ka ardhë dhe e vërteta është që për këtë arsye ju ka kthyer urdhërarresti. Unë e them me përgjegjësi të plotë një fakt – se kjo çështje është politizu tej mase. Nuk e kam besu që shkon deri në këtë nivel” – tha kryeprokurori.

Ndaj Milan Radoiçiq kishte një urdhërarrest në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq për çka dyshohej se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas një aktakuze të ngritur nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fillim të muajit shkurt të vitit 2021 në Gjykatën e Prishtinës ka filluar procesi gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Ivanoviq.

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit ishte tërhequr po në fillim të vitit 2021.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër- rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin”- kishte deklaruar ai.

Ish-politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 6 janar 2018.

The post Çka i kishte premtuar Radoiçiqi Prokurorisë Speciale, në këmbim të tërheqjes se urdhër-arrestit më 2021? appeared first on Telegrafi.

Musliu publikon videon e grupit të Radoiçiqit gjatë protestave në Serbi

Njohësi i çështjeve të sigurisë, njëherësh kryetar i Bordit të Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të grupeve të krimit të organizuar në Serbi nga pushteti i Aleksandar Vuçiqit.

Në një postim në Facebook, Musliu akuzon presidentin serb për instrumentalizimin e grupit të njohur të Milan Radoiçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij për të shtypur protestën studentore në Beograd më 28 qershor 2025.

Në tekstin e titulluar “Krimi si shtet: Si e përdor Vuçiq grupin e Radoiçiqit për të sunduar”, Musliu denoncon atë që e cilëson një regjim autoritar, i bazuar në frikë, dhunë dhe aleanca me elemente kriminale.

Ai thekson se Vuçiq jo vetëm që ka lejuar aktivitetin e grupit të Radoiçiqit në Serbi, por edhe i ka mobilizuar ata për të sulmuar protestuesit, përfshirë studentët që kërkojnë reforma demokratike.

Sipas Musliut, kjo është një “paradoks tronditës”, duke vënë në dukje se ndërsa Radoiçiq duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për krime të rënda, ai në Serbi shërben si mburojë për regjimin autoritar.

“Vuçiq e sulmoi Kosovën me grupin terrorist të Radoiçiqit; sot, me të njëjtin grup, po sulmon studentët në Serbi dhe po e mirëmban atë për sulme të tjera, ku dhe kurdo që i duhet,” paralajmëron Musliu, duke e konsideruar këtë një kërcënim për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Ai e cilëson situatën si shkelje të rënde të standardeve demokratike, që mund të krijojë precedent për udhëheqës autoritarë të tjerë në Ballkan.

“Është e papranueshme që në zemër të Evropës, në vitin 2025, të tolerohet bashkëpunimi i një qeverie me elemente terroriste dhe krimin e organizuar për të shtypur zërin e qytetarëve dhe për të sulmuar shtete të tjera,” shkruan Musliu.

Ai bën thirrje për reagim të fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar, duke paralajmëruar se heshtja sot inkurajon më tej regjimin e Vuçiqit dhe grupet kriminale që ai përdor./Telegrafi/

The post Musliu publikon videon e grupit të Radoiçiqit gjatë protestave në Serbi appeared first on Telegrafi.

Barrikadat në veri, lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe 10 të dyshuar të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për lëshimin e një letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq, në kuadër të hetimeve që lidhen me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022.

Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, e cila ka njoftuar se përveç Radoiçiqit janë lëshuar urdhërarreste edhe për dhjetë persona të tjerë të dyshuar në këtë rast.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq. Përveç Radoiçiq, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, ka thënë Luta.

Hetimet lidhen me rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore të Kosovës në vitin 2022, dhe sipas Prokurorisë, ky rast ka përmasa të mëdha.

“Duke u hetuar mund të konfirmojmë se janë rreth 50 persona, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”,thuhet më tej në përgjigjen nga Prokuroria Speciale.

Prokuroria ka shtuar se rasti aktualisht është në fazën e hetimeve dhe se për veprimet tjera publiku do të njoftohet me kohë.

“Duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta. /Telegrafi/

The post Barrikadat në veri, lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe 10 të dyshuar të tjerë appeared first on Telegrafi.

Dy policë përfundojnë dëshmimin për rastin “Banjska”

Dy policë të Kosovës, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, kanë dëshmuar për sulmin në Banjskë të Zveçanit, gjatë seancës së dytë gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 9 qershor.

Seanca gjyqësore kundër tre nga 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – do të vazhdojë më 11 qershor, ku pritet të dëshmojnë dy të lënduarit e tjerë Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Seanca filloi mëngjesin e së hënës me dëshminë e policit Alban Rashiti, i cili ishte plagosur kur Policia e Kosovës u përball me sulm nga një grup i serbëve të armatosur natën e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë në veri të vendit. Më pas dha dëshminë edhe polici tjetër i dëmtuar, Çlirim Shaqiri.

Tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në seancën e parë.

Rashiti tregoi se, së bashku me disa kolegë të tij ishin mbaruar ndërrimin dhe po ktheheshin në bazën e tyre në Kushtovë nga fshati Izvor në Zveçan, kur kishin hasur në dy kamionë të ngarkuar që kishin bllokuar urën e Banjskës.

Atyre u ishte kërkuar nga baza të ktheheshin në vendin e ngjarjes, pasi ishin larguar, për të dërguar fotografi apo prova për bllokadën mbi urë, ku më vonë atyre u ishin bashkuar si përforcim edhe dy vetura me gjashtë policë, përfshirë të ndjerin Bunjaku.

Rashiti më pas tregoi se si gjatë kontrollimit të vendit të ngjarjes, “në ato momente qetësie… ndodhi një shpërthim shumë i madh qe nuk e kemi ditur nga ka ardhur edhe e kam kuptuar që jam qëlluar në krah”.

“Pastaj kanë filluar gjuajtjet me armë dhe kam parë që në anën e majtë rreshteri Bunjaku ka mbetur i plagosur në tokë, i gjakosur në fytyrë”, tregoi ai.

Ai tregoi se janë ballafaquar me zjarrin derisa u ka dalë në ndihmë një autoblindë policore.

Sipas Rashitit, grupi ka qenë i organizuar mirë, dhe me një plan. “Formacioni ka qenë ushtarak, sepse gjithçka ka qenë e koordinuar dhe ka qenë shumë afër nesh”.

“Ka pas gjuajtje me raketahedhës, duhet të jesh i kualifikuar për atë mjet”, dëshmoi ai.

Por, avokatët mbrojtës të të akuzuarve vlerësuan se dëshmitari Rashiti foli “në mënyrë të përgjithshme” për zhvillimet para dhe gjatë sulmit, pa i akuzuar drejtpërdrejt klientët e tyre.

Avokati Lubomir Pantoviq, i cili përfaqëson Blagoja Spasojeviqin, përsëriti se as në aktakuzë nuk është përshkruar saktësisht, apo në mënyrë të hollësishme se çfarë kanë bërë konkretisht tre të pandehurit gjatë sulmit, por se vetëm është përshkruar përgjithësisht ngjarja.

Avokatja Jovana Filipoviq, që mbron Dushan Maksimoviqin, tha se dëshmitari Rashiti nuk ka qenë në gjendje ta identifikojë asnjë nga të pranishmit, dhe “për këtë arsye mbrojtja nuk kishte asnjë pyetje për të”.

“Të gjithë dëshmitarët e propozuar për këtë javë nuk kanë deklarata konkrete lidhur me të pandehurit, prandaj nuk presim të mësojmë ndonjë të re”, u shpreh ajo për gazetarët.

Filipoviq përsëriti se klienti i saj “nuk ka lidhje me ngjarjet në Banjskë” dhe se “ekzistojnë dëshmitarë që do të konfirmojnë alibinë e tij”.

Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe Çlirim Shaqiri, polici i dëmtuar gjatë sulmit.

Shaqiri tregoi se më 24 shtator ka marrë lëndime të rënda dhe se vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Ai tha se gjatë bisedës në telefon me nënkolonel Veton Elshani, kanë ndodhur dy shpërthime dhe se ka arritur t’i thotë në telefon se kanë ndodhur shpërthimet.

“Të shtënat nuk janë ndalë asnjë moment, ka qenë armatim jashtëzakonisht i rëndë”, tha Shaqiri.

Shaqiri e përshkroi momentin kur ishin munduar ta fusnin në veturë rreshterin, Afrim Bunjaku, duke thënë se kishin vështirësi ta fusin në veturë për shkak të gjuajtjeve të vazhdueshme.

“E kam vërejtur që s’ka puls”, tha ai për Bunjakun, trupin e së cilit arritën ta fusin në veturë për ta çuar në spitalin e Mitrovicës.

“Gjatë përvojës si polic nuk jam përballur asnjëherë me një sulm të tillë”, shtoi ai.

Shaqiri iu përgjigj pyetjes së avokatit të Vladimir Toliqit, i cili kërkoi të dijë se nga çfarë i ka marrë lëndimet Shaqiri gjatë sulmit.

Ai tregoi se përveç lëndimeve psikologjike ka edhe lëndime trupore.

“Kur ka ndodhur shpërthimi kam ndjerë një shtypje në kraharor. Kur kam filluar të tërheq trupin e Afrim Bunjakut kam vërejtur se dhimbja në kraharor është shumë e madh”, deklaroi ai.

Gjatë seancës së parë në prill, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.

Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

The post Dy policë përfundojnë dëshmimin për rastin “Banjska” appeared first on Telegrafi.

Britania, Serbisë: Nxirri para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe në Banjskë

Në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të formojnë sa më parë qeverinë e re, duke e cilësuar këtë si urgjente.

Ai gjithashtu shprehu shqetësim për tensionet në katër komunat veriore dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Neil Holland, mirëpriti Gerard McGurk si Shef i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë paraqitjes së raportit të tij të parë në Këshillin e Përhershëm.

Në deklaratën e tij, Ambasadori Holland falënderoi për prezantimin dhe raportin gjithëpërfshirës të Misionit dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për punën e tij në një kontekst të vështirë politik dhe të sigurisë.

Ai mirëpriti mbajtjen paqësore dhe konkurruese të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë në shkurt, si dhe rolin mbështetës të OSBE-së ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, nënvizoi nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.

“Mbretëria e Bashkuar mirëpret zgjedhjet parlamentare paqësore dhe konkurruese të mbajtura në Kosovë në shkurt, dhe mbështetjen e rëndësishme që Misioni i ofroi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne vazhdojmë t’u nënvizojmë bashkëbiseduesve në Kosovë urgjencën e formimit të qeverisë”, tha Holland, theksohet në një njoftim në web-faqen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasadori britanik shprehu shqetësimin për nivelin e tensioneve në katër komunat veriore dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë. Ai theksoi rëndësinë që Qeveria e Kosovës të sigurojë pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të këtyre komuniteteve dhe të përmbushë angazhimet si shtet multietnik dhe gjithëpërfshirës.

Mbretëria e Bashkuar kërkoi drejtësi për aktet e dhunës dhe bëri thirrje që Serbia të bashkëpunojë në hetimin e sulmeve ndaj KFOR-it dhe incidentit në Ibër-Lepenc.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmet e vitit 2023 ndaj trupave të KFOR-it dhe në Banjska, dhe të përmbushë premtimin e saj për të bashkëpunuar në hetimin e sulmit në Kanalin Ibër-Lepenc”, tha Holland, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e përmbushjes së angazhimeve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas Ambasadorit Holland, moszbatimi i marrëveshjeve ndikon negativisht në jetën e qytetarëve dhe stabilitetin rajonal.

Në fjalën e tij, Ambasadori britanik vlerësoi përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, por shprehu shqetësim për ndikimin politik në media dhe sigurinë e gazetarëve, duke mbështetur aktivitetet e OSBE-së në këtë fushë.

Holland riafirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe theksoi përkushtimin për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë angazhimin e të Dërguarës së Posaçme Dame Karen Pierce dhe organizimin e Samitit të Procesit të Berlinit në Londër këtë vjeshtë.

The post Britania, Serbisë: Nxirri para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe në Banjskë appeared first on Telegrafi.

Kompania“RAD” e lidhur me Milan Radoiçiqin, sponsor në qendrën sportive të mbyllur në veri të Mitrovicës

Një nga sponsorët e qendrës sportive në veri të Mitrovicës, e cila u mbyll pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe inspektorëve komunalë, është kompania serbe “RAD”, e lidhur me Milan Radoiçiqin si dhe Restoran “Grey”.

Sipas disa fotografive të siguruara nga Telegrafi, në ambientet e kësaj qendre sportive shihet logoja e kompanisë “RAD”, e cila figuron si sponsor në ngjarjet sportive të mbajtura aty.

Në disa fotografi të publikuara, emri dhe logoja e kompanisë janë të dukshme në materiale promovuese dhe në hapësirat e brendshme të qendrës.

Ndërkaq, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, është tërhequr nga të gjitha kompanitë që kishte udhëhequr deri më tani, duke ia transferuar ato Zvonko Veselinoviqit dhe vëllait të tij, Zarko.

Ndryshe, qendra sportive në fjalë u mbyll të enjten pas një ndërhyrjeje nga Policia e Kosovës dhe autoritetet komunale.

E, pas vendimit për mbyllje të qendrës sportive nga inspektorët komunal nxënësit dhe prindërit kanë protestuar sot rreth orës 09:00 në Veri të Mitrovicës. /Telegrafi/

 

 

The post Kompania“RAD” e lidhur me Milan Radoiçiqin, sponsor në qendrën sportive të mbyllur në veri të Mitrovicës appeared first on Telegrafi.

Sigurimi i Radoiçiqit shkaktoi aksident me fatalitet në Serbi – i kërkuari për sulmin terrorist në Banjskë mbi ligjin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 21 mars të vitit 2025, kur një aksident trafiku ka shkaktuar vdekjen e nënës së një prej drejtuesve të policisë së Beogradit, Serbi.

Aksidenti u shkaktua nga një automjet që bënte pjesë në kolonën e sigurisë së Milan Radoiçiqit, një figurë e lidhur me qeverinë serbe dhe i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës.

Përgjegjësi i dyshuar për aksidentin është Milosh Milenkoviq, 29-vjeçar nga Leposaviqi, i cili është një nga të akuzuarit për terrorizëm në Banjskë, shkruan portali radar.

Pas aksidentit, Milenkoviq u ndalua nga policia dhe u testua për alkool, por nuk u gjetën substanca të tilla. Ai ka pranuar fajësinë për veprën e tij.

Megjithatë, nuk ka të dhëna se ai është testuar për drogë, dhe nuk është bërë ndonjë kontroll i automjetit të tij apo të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Një tjetër automjet, një BMW X5 me targa të huaja, ka qenë i përfshirë në aksident, por shoferët e tij nuk janë identifikuar dhe nuk ka informacione nëse janë marrë në pyetje nga policia.

Ky incident ka nxitur shqetësime për ndikimin e lidhjeve të ngushta politike dhe mungesën e transparencës në hetimet e tilla.

Në përgjigje të pyetjeve të dërguara nga mediat, Prokuroria e Brusu ka konfirmuar se është hapur një hetim ndaj Milenkoviq për veprën e “krimeve të rënda kundër sigurisë publike”, dhe është urdhëruar një autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes së viktimës. Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur reagime publike nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ky rast ka nxitur kritika për mospërfilljen e ligjit ndaj individëve të lidhur ngushtë me pushtetin, duke theksuar nevojën për një sistem të drejtësisë që funksionon pa dallim dhe që mbron të drejtat e të gjithëve. /Telegrafi/

The post Sigurimi i Radoiçiqit shkaktoi aksident me fatalitet në Serbi – i kërkuari për sulmin terrorist në Banjskë mbi ligjin appeared first on Telegrafi.

Familjarët e viktimave në Gjakovë: E kemi dëgjuar emrin e Radoiçiqit

Emri i ish-politikanit serb të Kosovës, njëherësh të akuzuarit kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, është i njohur për shumë qytetarë të Gjakovës.

Që nga viti 1999, emri i tij është përmendur në mesin e familjeve gjakovare, të cilave iu vranë familjarë në kohën e luftës, thotë Luljeta Sharani nga Gjakova.

Sharani, së cilës më 10 maj 1999 iu vranë burri, dy djemtë dhe dy kunetërit, thotë se emrat e serbëve që morën pjesë në dëbimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë janë dërguar prej kohësh në Prokurori.

“Është folur jo vetëm emri i [Millan] Radoiçiqit, por i të gjithë të tjerëve që kanë marrë pjesë në vrasje”, thotë Sharani.

Nën dyshimet për përfshirje në krime lufte në periudhën 1998-1999, së fundi Gjykata Themelore e Prishtinës lëshoi fletarrestime për Millan Radoiçiqin dhe 19 persona të tjerë.

Radoiçiq dhe të tjerët akuzohen se, në bashkëkryerje, ndërmorën veprime kriminale që çuan në torturimin dhe vrasjen e 106 civilëve shqiptarë.

Disa familjarë të viktimave, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thanë se “dihen” emrat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Serbisë dhe të civilëve serbë që morën pjesë në vrasjet në rajonin e Gjakovës.

Në majin e vitit 1999, Ngadhnim Bicurri ishte 17 vjeç. Ai është në mesin e pak të mbijetuarve të aksioneve të forcave serbe, të kryera nga 7 deri më 10 maj 1999.

Bicurri thotë se pa me sytë e tij personat që ia çuan në ekzekutim babanë, Feratin 47-vjeçar, dhe dy xhaxhallarët, Esatin 49-vjeçar dhe Nexhdetin 37-vjeçar.

“Emrat nuk ua kam ditur, por i kam mësuar pasi ka ndodhur rasti”, tregon Bicurri.

Si Bicurri, ashtu edhe Sharani, thonë se personalisht nuk e kanë parë Millan Radoiçiqin, por konfirmuan se kanë dëgjuar emrin e tij si pjesëmarrës në tortura, dëbime dhe vrasje të shqiptarëve.

Akuzat me të cilat ngarkohen Radoiçiq dhe të tjerët

Grupi i të dyshuarve përbëhet nga 20 persona, në mesin e tyre pjesëtarë të forcave ushtarake e policore, si dhe serbë jashtë këtyre strukturave shtetërore.

Pjesë e këtij grupi, sipas Prokurorisë së Kosovës, janë: Millovan Kovaçeviq, Radomir Çoliq, Millosh Gjoshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Lubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Llazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozoviq, Vlladimir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Lubisha Rakoviq, Millosh Shqepanoviq, Millan Radoiçiq, Svetisllav Glligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.

Prokuroria dyshon se ky grup nxori me forcë civilët, “duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar”.

Këto veprime kriminale, grupi dyshohet se i kreu në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë, nga 7 maj e deri më 10 maj të vitit 1999.

Shumica e trupave të të vrarëve në periudhën mes 7 dhe 10 majit 1999 u gjetën pas luftës, në afërsi të Beogradit, në Batajnicë të Serbisë.

Grupi akuzohet edhe për vepra të tjera penale, përfshirë arrestimin dhe burgosjen e më shumë se 300 civilëve shqiptarë, të cilët dyshohet se “u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim njerëzor”.

Veprat për të cilat akuzohen Radoiçiq dhe të tjerët, sipas Kodit Penal, janë të dënueshme nga 5 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.

Deri më tani, nuk dihen përgjegjësitë individuale të të dyshuarve për të cilët janë lëshuar fletarrestime.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka njoftuar për ngritje të aktakuzës.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është në dijeni për detajet e vendimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve ndaj të akuzuarve, dhe nëse ka pasur ndonjë kontakt me Prishtinën në lidhje me këtë rast.

Publikimin e fletarrestimeve në këtë kohë e cilëson të pakuptimtë drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

Me ketë veprim, thotë ai, u është dhënë më shumë hapësirë të dyshuarave të shmangin drejtësinë, derisa shpreh habi për vonesën në hetimin e këtij rasti.

“Është pak për t’u habitur pse më herët nuk është përgatitur lënda. Nuk është hulumtuar. Ne e dimë që njëri prej tyre [Millan Radoiçiq], vite më parë ka qenë prezent në Kosovë. Ka lëvizur nëpër Kosovë dhe ka mundur të arrestohej”, shprehet Blakaj.

“Ne dimë që Radoiçiq ka qenë i përfshirë në politikë. Ka qenë edhe në Prishtinë. Pra, ka mundur lehtësisht të arrestohej”, thekson Blakaj.

Krahas këtij fletarrestimi, Radoiçiq kërkohet nga institucionet e Kosovës edhe për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës, e mori vetë Radoiçiq.

Pritjet e familjarëve

Ani pse besojnë se hetimi i këtij grupi nisi me shumë vonesë, familjarët e viktimave urojnë të ketë drejtësi.

Shpresën thonë të mos e kenë humbur ende.

“Unë trupin e babës e kam marrë copa-copa. Unë ende trupin e babës e kam të varrosur pa kokë. Por, shpresojmë në drejtësi. Më mirë vonë se kurrë”, shprehet Ngadhnim Bicurri.

Trupi i babait dhe dy xhaxhallarëve të Bicurrit u gjetën pas luftës, në varrezën masive në afërsi të kryeqytetit serb, në Batajnicë.

Në të njëjtin vend u gjetën edhe trupat e gjashtë familjarëve të Luljeta Sharanit, e cila uron që të arrestohen dhe dënohen të gjithë të dyshuarit për këto vrasje.

“Tepër vonë i ka rënë ndër mend Prokurorisë se çfarë duhet të bëjnë. I vetmi ngushëllim i yni është drejtësia”, shprehet Sharani./Radio Evropa e Lirë/

The post Familjarët e viktimave në Gjakovë: E kemi dëgjuar emrin e Radoiçiqit appeared first on Telegrafi.

Publikohet momenti i gjuajtjes me breshëri plumbash ndaj terroristëve serbë në Banjskë

Janë publikuar për herë të parë pamje ekskluzive nga ndërhyrja e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë gjatë sulmit terrorist në Banjskë, ku ky njësi ishte forca e parë që reagoi ndaj grupit të armatosur serb.

Pamjet tregojnë momentet e para të mbërritjes së autoblindës së njësisë speciale në zonë, përballë një grupi prej mbi 100 terroristësh serbë të pozicionuar në fshatin Banjskë.

Reagimi i Drejtorisë së Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë nuk u ndal vetëm me pozicionimin fillestar.

Përkundrazi, njësia vazhdoi shkëmbimin e armëve me grupin e armatosur në mënyrë të organizuar dhe profesionale, për rreth pesë orë pa ndërprerje – që nga orët e para të mëngjesit deri në zbardhje të ditës.

Pamjet e publikuara dëshmojnë përballjen e afërt me terroristët, ku luftimet janë zhvilluar nga një distancë prej vetëm disa metrash, duke vënë në pah përkushtimin dhe vendosmërinë e pjesëtarëve të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së territorit të Republikës së Kosovës.

Pamje TEVE1.

The post Publikohet momenti i gjuajtjes me breshëri plumbash ndaj terroristëve serbë në Banjskë appeared first on Telegrafi.

“I mbyllet përfundimisht restoranti “Grej” në veri: Kujt ia transferoi bizneset milionëshe kryekrimineli Milan Radoiçiq?

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, është tërhequr nga të gjitha kompanitë që kishte udhëhequr deri më tani, duke ia transferuar ato Zvonko Veselinoviqit dhe vëllait të tij, Zarko.

Sipas gazetës serbe Danas, përveç kësaj, është mbyllur zyrtarisht edhe restoranti “Grej” në Mitrovicën e Veriut, i cili drejtohej nga bashkëshortja e tij, Ema Radoiçiq.

Megjithë zhvillimet e fundit, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Edhe pse ndaj tij po zhvillohen procedura penale në Kosovë për rastin e sulmit në Banjskë – ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u vranë tre pjesëtarë të grupit të armatosur – ai nuk është ekstraduar.

Autoritetet serbe pretendojnë se Radoiçiq ka dokumentet e udhëtimit të konfiskuara dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Ndërkohë, autoritetet kosovare kanë sekuestruar pasurinë e tij, e cila vlerësohet në rreth 3.4 milionë euro. Sipas Agjencisë Kosovare për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vetëm vila e tij pranë liqenit të Gazivodës kap vlerën e afërsisht 2 milionë euro.

Në anën tjetër, bashkëshortja e Radoiçiqit, Ema, është paraqitur si investitore e një vile luksoze në lagjen elitare Dedinje në Beograd, projekti i së cilës thuhet se do të kushtojë rreth 2.65 milionë euro. Fillimisht, ajo pronë figuroi si pasuri e përbashkët me Radoiçiqin, por më vonë u transferua vetëm në emër të saj.

Në listën e përfituesve të bizneseve të Radoiçiqit janë përfshirë edhe persona të lidhur me rrethin e ngushtë të pushtetit në Serbi, përfshirë Zvonko Gobeljiqin dhe Nikolla Petroviqin, kumbari i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ndërkohë, për Radoiçiqin është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Kosovës përmes UNMIK-ut.

Megjithatë, autoritetet serbe kanë deklaruar se ekstradimi i tij në Kosovë është i pamundur, pasi procedurat do të zhvillohen nga gjykatat serbe.

Ekspërtë e sigurisë në Serbi kanë vlerësuar se një ekstradim është vështirë i realizueshëm, për shkak të mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se përveç Radoiçiqit, mbi 80 persona të dyshuar për sulmin në Banjskë janë futur në sistemin e INTERPOL-it me fletarrestime ndërkombëtare.

Rasti Banjskë mbetet ndër më të rëndët në vitet e fundit në Kosovë, me kërkesa të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë./Telegrafi/

The post “I mbyllet përfundimisht restoranti “Grej” në veri: Kujt ia transferoi bizneset milionëshe kryekrimineli Milan Radoiçiq? appeared first on Telegrafi.

Politico: Zyrtarët britanikë privatisht pranojnë se ka prova të përfshirjes direkte të Serbisë në Banjskë

Në një kohë kur Evropa është thellësisht e përqendruar në luftën në Ukrainë, tensionet në Ballkanin Perëndimor po arrijnë nivele të rrezikshme.

Kriza politike dhe etnike në rajon është intensifikuar, duke pasur ndikime të thella në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një nga ngjarjet më shqetësuese ishte rrethimi i manastirit ortodoks serb në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, i cili përfshiu një përleshje të armatosur mes Policisë së Kosovës dhe sulmuesve serbë.

Ky incident ka shkaktuar vdekjen e një policit të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre terroristëve serbë, duke intensifikuar akuzat dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për shkaktimin e dhunës, ndërkohë që Beogradi ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje, duke e quajtur një përpjekje për të minuar serbët në Kosovë.

Ky sulm është një nga shumë ngjarjet që kanë nxitur shqetësime për mundësinë e një konflikti të ri në rajon, ndërkohë që analistët dhe liderët ndërkombëtarë paralajmërojnë për mundësinë e një destabilizimi të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, një rajon që mbetet shumë i ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme, përfshirë ato të Rusisë.

Përveç kësaj, pas sulmit në Banjskë, ka pasur një shpërthim që ka dëmtuar infrastrukturën kyçe të energjisë dhe ujit, një incident që Kosova e ka quajtur “sulm terrorist”.

Kjo ka shtuar akuzat ndaj Serbisë për aktivitete destabilizuese, ndërkohë që udhëheqësit kosovarë, si presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë ngritur shqetësime se kërcënimi i një lufte tjetër është real, duke përmendur mbështetjen e Serbisë nga Rusia, Kina dhe Irani.

Në takimin e Osmanit me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, presidentja i bëri presion atij për nënshkrimin e një marrëveshjeje ekonomike dhe të sigurisë që do të përfshinte blerje dypalëshe të armëve dhe më shumë operacione të përbashkëta ndërmjet trupave të tyre.

Ajo gjithashtu tha për POLITICO se kishte “shprehur zyrtarisht” gatishmërinë e vendit të saj për t’u bashkuar me forcën paqeruajtëse që Britania e Madhe dhe Franca po përpiqen të organizojnë për Ukrainën – por ajo e kushtëzoi atë me nënshkrimin nga ana e MB-së të marrëveshjes së saj të dëshiruar.

Presidentja goditi “paqësimin aktiv” nga palë të paidentifikuara në BE, të cilat ajo i kritikoi për vazhdimin e dhënies së parave për Serbinë pavarësisht tensioneve.

Kosova zyrtarisht aplikoi për t’u bashkuar me bllokun në vitin 2022, por ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare dhe i është thënë, si Serbisë, se duhet të bëjë më shumë për të normalizuar marrëdhëniet.

Ajo tha se Lammy duhet t’i thotë Vuçiqit që “të ndalojë së sulmuari fqinjët e tij, shumë qartë dhe thjeshtë”, megjithëse në intervistën me POLITICO ai nuk pranoi të atribuonte ndonjë faj për rrethimin e Banjskës. (Privatisht, POLITICO thotë se zyrtarët britanikë pranojnë se ka prova të përfshirjes serbe).

Milan Radoiçiq pranoi organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm, ai u hetua në Beograd dhe në Prishtinë ku ndaj tij dhe 44 personave tjerë u ngrit aktakuzë për veprimtari terroriste.

Derisa ai besohet se po qëndron në Serbi, një vit pas në fshatin tashmë të qetë të Banjskës banorët vazhdojnë jetojnë me misterin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar.

Që nga sulmi i 24 shtatorit, policia disa herë ka gjetur armatime në Banjskë të Zveçanit, por edhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Artikullin e plotë në anglisht mund ta lexoni KËTU.

The post Politico: Zyrtarët britanikë privatisht pranojnë se ka prova të përfshirjes direkte të Serbisë në Banjskë appeared first on Telegrafi.

BE thotë se ka komunikim me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi, por nuk tregon në çfarë niveli

Bashkimi Evropian thotë se është në komunikim me SHBA-në në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por nuk jep detaje se në çfarë niveli po zhvillohet ky komunikim.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, tha shkurtë se Brukseli është në kontakt me Uashingtonin.

“Ne bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë, përfshirë SHBA-në, sa i përket procesit të dialogut”, tha ajo në konferencë për media, më 25.03.2025, duke shtuar se nuk ka çka të ndaj më shumë në lidhje me këtë çështje.

Hipper tha se si BE po vazhdojnë angazhimin e tyre.

“Kur është fjala për Dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga drejt BE-së për të dyja palët të kalojë përmes dialogut të lehtësuar”, shtoi Hipper.

Derisa BE-ja është ndërmjetëse e Dialogut Beograd-Prishtinë, SHBA-ja ka qenë një partner me ndikim, duke ofruar mbështetje diplomatike dhe duke inkurajuar të dyja palët që të përfshihen në negociata konstruktive.

Emisari i ri i BE-së për Dialogun, danezi Peter Sorensen qëndroi në Kosovë javën e kaluar për të takuar kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeminstrin Besnik Bislimi. Ndërsa gjatë javës të fundit të marsit po qëndron në Serbi, ku ka zhvilluar takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiqi, pas takimit në një postim në Instagram tha se takimi i tij i parë me Sorensenin  për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”. Ai ka thënë se e ka njoftuar Sorensenin, i cili fillimisht e ka vizituar Kosovën “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” atje.

“Unë shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”,. ka thënë Vuçiq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me Sorensenin në Kosovë i kishte dhënë vërejtjet e saj për draftin e BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ajo tha se draft-statuti i Asociacionit “nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, as standardet e BE-së dhe as Këshillit të Evropës.”

Në anën tjetër, pas takimit, kryeministri Albin Kurti gjatë takimit theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Kryeministria bëri të ditur se, Kurti gjatë takimit ia rikujtoi Sorensenit sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, duke nënvizuar se ende janë në liri në Serbi, Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij.

Qeveria e Kosovës pret që me emisarin të ri të BE-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ky proces të kthehet në binarët e duhur e të fokusohet në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe të rritet llogaridhënia “ndaj palës bllokuese teksa e kemi tashmë një marrëveshje, atë Bazike, dhe Aneksin Implementues të Ohrit”.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit tha se në njërën anë këto marrëveshje duhet të gjejnë zbatueshmëri në tërësinë e tyre, duke siguruar brenda procesit edhe barazinë e palëve, qasje të drejtë dhe të paanshme edhe nga ndërmjetësuesi, dhe në anën tjetër, duhet të punojnë në marrëveshjen finale që ka në qendër njohjen të ndërsjellë dhe ligjërisht të pranueshme.

Për mbarëvajtjen e dialogut, në përgjithësi, në katër vitet e fundit, Kryeziu tha se me qeverisjen Kurti, Kosova është përfaqësuar denjësisht duke treguar konstruktivitet e gatishmëri për normalizim dhe ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kurse, nga ana tjetër, ai tha se Serbia ka vijuar me qasje destruktive në këtë proces, pa vullnet e gatishmëri për bashkëpunim, “gjersa kjo dhe veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e tyre kanë shpërfaqur qëllimet e vërteta të Serbisë”.

“Në anën tjetër angazhimi dhe përkushtimi ynë në proces ka qenë i palëkundur, dhe përkundër rezistencës së Serbisë, tashmë janë zgjidhur çështje si ajo e mospagesës së rrymës në veriun e vendit dhe ajo e targave ilegale. Për herë të parë energjia elektrike po paguhet edhe në katër komunat në veri, ndërsa nuk qarkullojnë më në territorin tonë targa ilegale”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Emisari i BE-së, Peter Sorensen, i cili mori mandatin në shkurt 2025, rastisi të jetë në Kosovë pikërisht në kohën e përvjetorit të kësaj Marrëveshje.

Pas takimeve, i deleguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi u tregua fjalë pak. Nuk mbajti konferencë për media për të shpalosur se çka diskutuan, mirëpo përmes një deklarimi të shkurtër për media e quajti “një fillim të mirë”, duke treguar se bisedën e patën rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”- tha ai në një deklarim për media.

Me ujdinë në Ohër, Kosova mori obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. E si “shpërblim”, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë.

Në lidhje me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, portali publikoi intervistën me profesorin në pension të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, më parë në Qendrën për Çështjet Globale të Universitetit të Nju Jorkut dhe anëtar i lartë në Institutin e Politikave Botërore, Alon Ben-Meir, i cili fajësoi dy shtetet, dy liderët dhe Bashkimin Evropian, për dështimin e dialogut.

Më 18.03. 2025, shënohen dy vjet qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.

Para së të emërohet Peter Sorensen, Emisar për dialogun Kosovë- Serbi ishte sllovaku Mirosllav Lajçak. Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane. Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik. Megjithatë, Dialogu Kosovë-Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit. /Kallxo.com/

The post BE thotë se ka komunikim me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi, por nuk tregon në çfarë niveli appeared first on Telegrafi.

Kurti akuzon Serbinë për manipulim të zgjedhjeve në Kosovë – thotë se rolin kryesor e patën Vuçiq edhe Radoiçiq

Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj ndërhyrjeve të Serbisë në procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai ka theksuar se ndërhyrja serbe në zgjedhjet e fundit është zhvilluar në forma të ndryshme, duke përfshirë kërcënime hibride dhe shantazhe financiare.

“Serbia është duke mbajtur peng zhvillimin e brendshëm politik të Kosovës, si dhe avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, ndërhyrjet kanë ndryshuar si rezultat i përmirësimit të sigurisë në katër komunat veriore, ku nuk ka më mundësi për ndërhyrje brutale fizike siç ndodhi në të kaluarën”, tha Kurti.

Ai përmendi se Serbia ka përdorur forma të tjera të kërcënimeve, duke përfshirë joshjen dhe kushtëzimin financiar, shantazhin dhe sulmet kibernetike.

“Kemi pasur informacion dhe dëshmi se disa parti politike serbe janë tërhequr nga gara për shkak të kërcënimeve që kanë marrë. Pjesë e këtyre kërcënimeve janë edhe votuesit e komunitetit serb dhe grupeve të tjera, si romët dhe ashkaliët,” shtoi Kurti, shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë prova për shumicën e këtyre ndërhyrjeve, por për arsye të sigurisë dhe privatësisë së qytetarëve serbë, ato do të mbeten të papublikuara.

Kryeministri theksoi se vetë Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka inkurajuar aktorët shtetërorë dhe jashtë shtetërorë serbë të përfshihen në zgjedhjet e Kosovës, duke përmendur rolin e Milan Radoiçiq, që është një personazh i njohur për lidhjet me grupe të dhunshme dhe të dhunshme të Serbisë.

“Kemi identifikuar shtatë aktorë shtetëror e joshtetëror të Serbisë. I pari është presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq, i dyti kryeterrorisiti Milan Radoiçiq, Petar Petkoviq, BIA serbe, mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd, Lista Serbe dhe struktura ilegale përfshirë këtu: Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, Telekomi i Serbisë dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Kurti.

Kurti përmendi gjithashtu se Serbia ka përdorur një gamë të gjerë metodash për të penguar zgjedhjet, duke përfshirë kushtëzime financiare, shantazhe dhe manipulime të votuesve.

“Janë përdorur të paktën dhjetë metoda: joshja financiare përmes përfitimit dhe mbështetjes financiare prej 20 mijë dinarësh apo rreth 170 euro në baza mujore për të gjithë personat e moshës madhore që janë të papunë. E dyta: kushtëzimi financiar përmes rrezikimit të humbjes së benificioneve financiare ku bëjnë pjesë pagat, pensionet, shtesat për fëmijë etj. E treta: përçarja e rivalëve të Listës Serbe, e katërta: shantazhi e presioni për të mos mbështetur në asnjë formë subjektet tjera përveç Listës Serbe. E pesta: kërcënimi për tu larguar nga këshillat e vendvotimeve, e gjashta: regjistrimi i të ashtuquajturve votues të sigurtë. E shtata: transporti i organizuar i votuesve nga Serbia në Kosovë, e teta: organizimi i votimit kolektiv në qendra votimi, e nënta: kontrollimi i votuesve në ditën e zgjedhjeve në afërsi të qendrave të votimit dhe e dhjeta është shenjëzimi i fletëvotimeve”, tha Kurti.

Kurti tha se ndërhyrja e Serbisë është realizuar në tri faza: para fushatës zgjedhore, gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve.

Kryeministri theksoi se pjesëtarët e strukturave ilegale serbe janë kërcënuar nga Milan Radoiçiqi përmes Ivan Zaporozac kryetarit të komunës ilegale të Mitrovicës që të raportojnë të gjithë ata persona që refuzojnë të votojnë Listën Serbe, të nënshkruhen në listat e të ashtuquajturave votave të sigurta apo të deklarohen se do ti bojkotojnë zgjedhjet.

“Përveç listës së votuesve të sigurtë, është diktuar edhe lista me 7 kandidatët e Listës Serbe të domosdoshëm për votim. Lista përmbante këta emra: Zlatan Elek, Slavko Simiq, Igor Simiq, Branislav Nikoliq, Srdjan Popoviq Ljiljana Stefanoviq. Të gjithë këta janë zgjedhur, të shtatë të preferuarit e terroristit Radoiçiq kanë së paku nga 2 mijë vota më shumë se të tjerët”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se plani për ndërhyrje në këto zgjedhje përfshinte zgjerimin e basenit të votave për Listën Serbe edhe nga komunitetet joshumicë jo serbe.

“Në luftën informative ndaj procesit zgjedhor janë përfshirë edhe mediat ruse, Sputnik Serbia dhe Russian Today Balkan”, tha kryeministri.

Ky reagim i Kurtit vjen pas dyshimeve të vazhdueshme dhe raportimeve të shumta për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, për të ndikuar në rezultatet e tyre dhe për të minuar integritetin e procesit demokratik në vend. /Telegrafi/

The post Kurti akuzon Serbinë për manipulim të zgjedhjeve në Kosovë – thotë se rolin kryesor e patën Vuçiq edhe Radoiçiq appeared first on Telegrafi.

Hargreaves thirrje Serbisë: Milan Radoiçiq me njerëzit e tij duhet të sillen para drejtësisë

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka folur mbi sulmet e fundit që kanë ndodhur në territorin e Kosovës, duke përfshirë sulmin terrorist në Banjskë dhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Në një intervistë në RTV Dukagjini, ambasadori Hargreaves ka kërkuar që Serbia të sjellë Milan Radoiçiqin para drejtësisë për rolin e tij në sulmin në Banjskë dhe ka theksuar angazhimin e Britanisë së Madhe për mbështetjen e sigurisë së Kosovës përmes pranisë së KFOR-it.

“Me të vërtetë, dy sulmet ishin të rënda. Sulmi në Banjskë ka qenë qartë një akt shumë i rëndë dhe një ngjarje destabilizuese mbi territorin e Kosovës. Ngjashëm, edhe sulmi në kanalin Ibër-Lepenc ishte një sulm i rëndë ndaj infrastrukturës qenësore. Të dyja kanë qenë shumë serioze,” tha ai.

Ambasadori theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk ka informacione të privilegjuara mbi përgjegjësit e sulmeve, por bëri thirrje që Serbia të marrë masa konkrete.

“Kemi qenë shumë të qartë me Serbinë se ata duhet të sjellin Radoiçiqin para drejtësisë dhe të përgjigjet për rolin e tij dhe të njerëzve që kanë punuar me të në sulmin e Banjskës. Ne përherë i bëjmë thirrje Serbisë që atë dhe bashkëpunëtorët e tij t’i thërrasin në përgjegjësi.”

Po ashtu, ambasadori britanik shprehu mbështetjen për institucionet e Kosovës që po hetojnë këto ngjarje.

“Ne jemi mbështetës të Policisë së Kosovës dhe të tjerëve që po hetojnë sulmin ndaj kanalit, por nuk kam informacione të privilegjuara se kush ka qenë përgjegjës për sulmin. Megjithatë, duhet të mbështesim këto hetime dhe t’i bëjmë thirrje Serbisë të bashkëpunojë me hetuesit,” përfundoi ai.

The post Hargreaves thirrje Serbisë: Milan Radoiçiq me njerëzit e tij duhet të sillen para drejtësisë appeared first on Telegrafi.

Milan Radoiçiq po zgjeron perandorinë në Serbi – pasurinë po ia transferon gruas, bizneset partnerëve besnik

Milan Radoiçiq, biznesmeni kundërthënës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, së fundmi ia ka transferuar bashkëshortes së tij, Ema, gjithë pasurinë në Dedinje, të cilën e kishte blerë pasi u largua nga Kosova. Me këtë veprim, në emrin e tij, të paktën në Serbinë qendrore, nuk figuron më asnjë pronë.

Më herët, vetëm tre ditë pasi pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ai e transferoi pa asnjë kompensim pjesën e pronësisë në të paktën katër kompani te bashkëpunëtori i tij nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko, të dy gjithashtu figura kontroverse.

Ndërkohë, ai ka ndërprerë bashkëpunimin edhe me një tjetër biznesmen të afërt me SNS e Aleksandar Vuçiqit, Davor Macura, kompania e të cilit, Danica Park, ishte planifikuar të ndërtonte një vilë për çiftin Radoiçiq.

Gjithashtu, ai nuk ka më qasje në kompleksin luksoz pranë liqenit të Ujmanit, me vlerë dy milionë euro, restorantin “Grey”, “penthausin” dhe një apartament në Mitrovicën e Veriut, të cilat janë konfiskuar nga autoritetet e Kosovës, shkruan nova.rs.

Radoiçiq është vetëm një hallkë në projektet e mëdha, pjesë e një rrjeti njerëzish dhe kompanish të lidhura mes tyre, dhe është e vështirë të dallohet se cilën sferë interesi kontrollon ai dhe cilën Zvonko Veselinoviq, transmeton Telegrafi.

Një burim i mirëinformuar ka deklaruar për “Radar” se publiku nuk mund ta përfytyrojë ende përmasën e pasurisë së Radoiçiqit, vlerën e transaksioneve dhe bizneseve në të cilat ai shfaqet formalisht ose joformalisht, por që i kontrollon në mënyrë thelbësore. Ai mbetet ende një hallkë e pazëvendësueshme dhe pjesë e një rrjeti të dendur e të ndërlidhur njerëzish dhe kompanish.

Vilë, apartament, restorant…

Luksi që ka pasur Radoiçiq dhe ku ka jetuar, publiku e ka mësuar pas sulmit terrorist në Banjskë. Policia e Kosovës publikoi atëherë pamje të vilës së tij madhështore në bregun e liqenit të Ujmanit, e cila, sipas vlerësimeve të zyrtarëve nga Kosova, kishte një vlerë rreth dy milionë euro. Bëhet fjalë për një ndërtesë luksoze, me shumë dhoma, mobilie të shtrenjta, një dhomë për bilardo… Po ashtu, vila dhe restoranti “Gray” në Mitrovicën e Veriut, me vlerë rreth 400 mijë euro, si dhe një apartament i vlerësuar në 69.920 euro, ishin në emër të gruas së tij, Emës.

Pasi u lëshua urdhër arresti për të dhe u shpall një fletë-arrest ndërkombëtar nga Interpoli, në kuadër të hetimeve për sulmin në fshatin Banjskë, ku ai ishte identifikuar si organizator i grupit, në prill të vitit të kaluar, kjo pasuri u konfiskua nga Policia e Kosovës me urdhër të departamentit të posaçëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas këtij mediumi, më vonë u njoftua se ky objekt luksoz do të shndërrohej në një stacion policor me anije. Megjithatë, sipas atyre që kemi mundur të dëgjojmë, ky nuk ishte fundi i pasurisë së Radoiçiqit. Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, përmendi konfiskimin e një “penthausi”, vlera e të cilit vlerësohet në 644.400 euro, si dhe dy SUV mercedes AMG G63, Mitsubishi Pajero Sport dhe gjithashtu 18 automjete të tjera Mitsubishi Pajero, dy automjete blinduara, dy Toyota Hilux, Opel Vectra, Dacia Duster, Jeep Grand Cherokee… Pjesa më e madhe e këtyre automjeteve ishte kryesisht pa tabela regjistrimi në fuqi.

Sipas raporteve të mediave, pasuritë e paluajtshme në Kosovë që lidhen me Radoiçiqin vlerësohen të kalojnë tre milionë euro, ndërsa vlera e automjeteve është rreth 330 mijë euro.

Edhe pse në emër të Milani Radoiçiqit në Serbinë qendrore nuk figuron asnjë pronë, kështu që formalisht ai nuk është pronar i asnjë kompanie apo pasurie, avokati Ivan Niniq thotë se “publiku nuk mund të ketë as një ide për përmasat e pasurisë që posedon Radoiçiq, vlerën e transaksioneve dhe bizneset në të cilat ai shfaqet formalisht apo joformalisht”.

“Ai nuk është një ishull i shkretë në ekonominë e Serbisë, por është vetëm një hallkë në projektet e mëdha infrastrukturore dhe pjesë e gjithë rrjetit të lidhur të njerëzve dhe kompanive. Pas ngjarjeve në Banjskë, është e vështirë të përcaktohet se cilën sferë interesi kontrollon Milani dhe cilën Zvonko Veselinoviq. Ata kanë një rrugë të përbashkët karriere, një “shef të përbashkët”, një arkë të përbashkët dhe frikë të përbashkët – burgun”, përfundon Niniq.

Ai thekson se nuk ka asnjë dyshim se jeta dhe biznesi i Milan Radoiçiqit ndahet në dy periudha – atë para sulmit në Banjskë dhe pas saj. Dhe pikërisht përmes ngjarjeve në Banjskë, sipas Niniqit, duhet të vlerësohen të gjitha ndryshimet e statusit në kompanitë që kanë qenë nën kontrollin e tij dhe çdo ndërrim të pasurisë e regjistruar në emrin e tij.

Është e qartë se Radoiçiqin e mbron vetë kulmi i pushtetit në Serbi, dhe se nuk ka ndryshuar shumë as pas sulmit të Banjskës, tregon dhe takimi i tij me ambasadorin e atëhershëm të Serbisë në SHBA, tani ministër të Punëve të Jashtme, Marko Gjuriqin, me të cilin është fotografuar në një restorant.

Për Gjuriqin, kjo nuk ishte problematike, pasi ai tha se “kurrë nuk është ndjerë i turpëruar nga kontaktet publike që ka në kuadër të punës që bën”. As nuk është kritikuar nga Aleksandar Vuçiq, i cili pas vdekjes së njerëzve në Kosovë, për të cilën mori përgjegjësinë një nga bashkëpunëtorët e tij, tha se Radoiçiq nuk është fshehur kurrë dhe se konsiderohet një luftëtar i lirisë, por se “ka çështje dhe pyetje për të cilat do të duhet të përgjigjet”.

Sa i përket Vuçiqit, duket se kjo çështje është mbyllur. Prandaj, Radoiçiq vazhdon të ecë lirshëm, derisa të gjejë një alternativë. Opsioni për t’u larguar në Rusi, ku ai shpresonte të merrte azil, ka dështuar.

Kështu që pushteti vazhdon t’i japë kohë njeriut që, siç tha Vuçiq, “nuk është lule dhe akademik, por është në mbrojtjen e atdheut”. Dhe gjithçka duket se do të ketë gjithë kohën e botës. Derisa të gjejë rrugën e tij përfundon mediumi serb. /Telegrafi/

The post Milan Radoiçiq po zgjeron perandorinë në Serbi – pasurinë po ia transferon gruas, bizneset partnerëve besnik appeared first on Telegrafi.

Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit e 41 të tjerëve mbetet në sirtar të gjykatës

Kanë kaluar mbi 150 ditë nga ngritja e aktakuzës më të bujshme në Kosovë, atë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra një zyrtar policor i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku.

Përveç tre personave që janë në paraburgim, për gjykimin e 42 të tjerëve që nuk janë të arritshëm për drejtësinë e Kosovës, nuk dihet se si do të vazhdohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ende nuk ka vendosur për ta, e për të vazhduar me gjykimin ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq është në pritje të Apelit.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me tre të pandehurit në këtë çështje penale, lënda gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa lidhur me çështjen e gjykimit në mungesë, ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për RTV Dukagjini.

Ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se Gjykata Supreme është dashur të sqarojë të gjitha dilemat, dhe se për Kosovën e sistemin e drejtësisë është e rëndësishme që ky rast të marr formë të prerë.

“Gjykata Supreme nuk e ka dhënë mendimin që me i ndihmu gjyqtarit, është dashur të jetë shumë konciz dhe ta thotë fjalën e vet si institucioni më i lartë në sistemin e drejtësisë. Kështu që të thotë po ka të drejtë gjykohet ose jo, por ajo ka dhënë kompromisin më të keq. Gjyqësorit nuk i lejohet një kompromis i tillë”, ka thënë Shala.

Ndërkohë që Gzim Shala nga IKD, thotë se sistemi i drejtësisë nuk ka se çfarë të bëjë në situatën që është, por ndërkombëtarët duhet të rrisin presionin karshi Serbisë.

“Duke pasur parasysh afatet e kodit të procedurës penale dhe ndërlikueshmërinë e këtij rasti nuk mund të themi që kemi rënë në vonesë. Sa i përket trajtimit të këtij rasti dhe sa i përket personave të tjerë që janë të paarritshëm për drejtësinë gjykimi për të njëjtit është veçuar dhe mund të vazhdojë vetëm kur të jenë të arritshëm për drejtësinë. Aktualisht sistemi i drejtësisë nuk ka çfarë të bëjë. Dhe është shumë e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion te shteti serb, që Serbia të mos shfrytëzohet si parajsë e kriminelëve”, ka thënë Shala.

Gjyqtari Arben Hoti, në seancën fillestare vendosi të veçojë procedurën ndaj 42 personave, që janë në arrati, e të kërkojë mendim nga Gjykata Supreme, por që kjo e fundit e la në dorë të gjyqtarit të vendos për këtë.

Milan Radoiçiq, si lider i grupit, e 44 persona të tjerë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, e për vepra penale të terrorizmit. /Dukagjini/

The post Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit e 41 të tjerëve mbetet në sirtar të gjykatës appeared first on Telegrafi.

BE-ja përsëri i kërkon Serbisë t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë sërish thirrje Serbisë për të ndërmarrë hapat të menjëhershëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023.

“Ne e kemi marrë parasysh paralajmërimin e zyrës së prokurorit të lartë në Beograd më 2 dhjetor 2024 për hapjen e hetimeve në këtë rast”, tha një zëdhënës i bllokut të premten.

Ai shtoi se Serbia është e detyruar të bashkëpunojë në hetimet për rastin e Banjskës.

Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon përfshirjen.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Në dhjetor, kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha se vendimi për të ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit, do të merrej deri në fillim të vitit 2025.

Në Serbi, Radoiçiq dyshohet për vepra të tjera penale, përkatësisht për “krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve”.

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së e përsëriti të premten se për Serbinë përparimi në bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian do të varet edhe nga përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe nga sundimi i ligjit.

Vendet anëtare në BE-së në dhjetor nuk ishin pajtuar se Serbia i ka përmbushur të gjitha kushtet për të hapur disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit, edhe pse Komisioni Evropian kishte dhënë vlerësimin se ato kushte ishin përmbushur nga ana e Beogradit.

Disa shtete anëtare kundërshtimin për hapjen e këtyre kapitujve e kishin arsyetuar me mungesën e rezultateve në sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë.

Disa shtete të BE-së janë sidomos të pakënaqura me faktin se nuk ka akoma as aktakuzë ndaj Radoiçiqit./Radio Evropa e Lirë/

The post BE-ja përsëri i kërkon Serbisë t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë appeared first on Telegrafi.

Avokati serb: Presioni i Perëndimit kyç për ndjekjen penale të Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

Pavarësisht pranimit të fajësisë, Milan Radoiçiq nuk është akuzuar ende nga autoritetet serbe. Avokati Ivan Niniq thotë se procesi po shtyhet për të ulur presionin ndërkombëtar mbi Serbinë.

Avokati nga Beogradi vlerëson se Beogradi ende nuk është i gatshëm të zhvillojë procesin gjyqësor lidhur me sulmin në Banjskë kundër Milan Radoiçiqit. Duke komentuar njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se vendimi për aktakuzën kundër Radoiçiqit mund të merret në fillim të vitit 2025, Niniq vlerëson se një proces i mundshëm do të varet nga marrëveshja politike me udhëheqjen shtetërore.

Ai thekson se presioni ndërkombëtar është kyç dhe se hapat e mëtejshëm në lidhje me Banjskën do të varen nga marrëdhëniet midis Serbisë dhe Perëndimit.

Edhe pse ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i afërt me autoritetet serbe, ka pranuar se ka organizuar grupin e armatosur që kreu sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, në Serbi ende nuk ka përparim lidhur me ndjekjen e tij penale.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ende nuk ka marrë vendim për aktakuzën për rastin Banjskë të datës 24 shtator 2023, edhe pse kryeprokurori Nenad Stefanoviq e paralajmëroi këtë në fund të vitit 2024, duke thënë se vendimi do të merret në fillim të vitit 2025. Deri më tani, është njoftuar vetëm se hetimi është në vazhdim dhe se po verifikohen deklaratat që Radoiçiq ka dhënë gjatë marrjes në pyetje.

Avokati beogradas, Ivan Niniq vlerëson se shtyrja e procesit është një mënyrë për të fituar kohë, ndërsa mbi udhëheqjen politike të Serbisë po ushtrohet presion ndërkombëtar.

“Unë nuk jam optimist se drejtësia në Beograd do ta ndjekë penalisht Radoiçiqin, madje edhe nëse kjo ndodh, do të jetë në marrëveshje me të. Skenari në të cilin Vuçiq dhe autoritetet serbe e lënë Radoiçiqin pas dore dhe ai përfundon duke vuajtur një dënim është i paimagjinueshëm në sistemin politik aktual. Presioni i bashkësisë ndërkombëtare do të jetë i pranishëm”, thekson Niniq, për RTK.

Ai shton se, nëse Serbia synon anëtarësimin në BE, duhet të marrë përgjegjësinë për veprimet e Radoiçiqit dhe të atyre që e ndihmuan atë. Prandaj, për shkak të problemeve ligjore dhe politike, aktakuza ndaj Radoiçiqit do të varet nga marrëdhëniet midis Serbisë dhe Perëndimit.

“Presioni i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë është i madh dhe kjo ka çuar në pranimin e Radoiçiqit se ai ishte organizatori dhe pjesëmarrësi i sulmit në Banjskë. Megjithatë, kjo nuk e ka përkeqësuar pozitën e tij ligjore, ai nuk ka kaluar as një natë në burg në Beograd. Pasoja e vetme për të ishte transferimi i aksioneve të tij në kompani te Zvonko Vesellinoviq, duke u tërhequr formalisht nga biznesi, që Vuçiq të mund të deklarojë se Serbia nuk e financon atë dhe nuk ka lidhje me kompanitë e tij”, thotë Niniq.

Sipas tij, në këtë mënyrë, ata kanë ruajtur fuqinë ekonomike, pasi kapitali i Radoiçiqit tani kontrollohet nga Veselinoviqi. Gjithashtu, kujton se Radoiçiq dhe Veselinoviq, të dy në listën e zezë të SHBA-së, më parë kanë qenë nën hetime për krim të organizuar, por për shkak të “lidhjeve me autoritetet nuk janë ndëshkuar”.

Niniq thekson se Prokuroria Publike në Beograd nuk ka juridiksion mbi Radoiçiqin ose rastin Banjskë, pasi Serbia, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, ka njohur gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës. Sipas tij, zhvendosja e çështjes Banjskë në Beograd është “hedhje hi në sytë e publikut”.

Ai thotë se ka dy mundësi: Radoiçiqit t’i gjykohet në mungesë në Prishtinë ose t’i gjykohet në prani, që do të nënkuptonte ndalimin e tij.

“Vetë Radoiçiqi nuk ka arsye të dorëzohet, sepse është i mbrojtur nga shteti serb. Beogradi dhe Prishtina nuk kanë një marrëveshje për bashkëpunim në çështjet penale ndërkombëtare, prandaj nuk ka bazë ligjore për dorëzimin e tij tek autoritetet në Prishtinë, dhe kjo është karta në të cilën po luan Vuçiqi”, thotë Niniq.

Sipas tij, ende nuk dihet “çfarë ishte Banjskë, si dhe ku u krijua, por dihet çfarë pasojash pati”.

“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale për këtë në një shoqëri të civilizuar,” thekson ai.

Niniq paralajmëron se mbetet e paqartë prapavija politike e sulmit dhe shpreh dyshime për shkak të shkallës së madhe të operacionit dhe logjistikës së përfshirë.

“Banjskë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhte nëse autoritetet në Beograd nuk do ta kishin ditur për të, nuk do ta kishin organizuar dhe nuk do të kishin dhënë miratimin për të. Çfarë ishte synimi i Banjskës, kjo është një pyetje për të cilën ndoshta nuk do të marrim kurrë përgjigje”, thotë Niniq.

Sipas tij, përveç viktima, sulmi në Banjskë ka pasoja serioze politike, veçanërisht për reputacionin e Serbisë, ndërsa dëmi më i madh i është shkaktuar serbëve në veri të Kosovës. Siç thekson ai, çdo proces i mundshëm kundër Radoiçiqit do të ishte rezultat i një marrëveshjeje politike, e jo i kritereve ligjore.

The post Avokati serb: Presioni i Perëndimit kyç për ndjekjen penale të Radoiçiqit për sulmin në Banjskë appeared first on Telegrafi.

Kush janë dy serbët që i përmendi Kurti, se Radoiçiq i kishte angazhuar për sulme në veri?

Nemajna Radivojeviq me nofkën “Gandi” dhe Vladimir Radivojeviq me nofkën “Mami”, janë dy serbët që terroristi Milan Radoiçiq i ka angazhuar për të realizuar sulme në veri, tha të martën në konferencë për media kryeministri Albin Kurti.

Por, kush janë dy personat që kryeministri Kurti tha se kanë marrë pjesë në agresionin në Banjskë të Zvecanit?

Mësohet se Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami” konsiderohet si njëri nga personat më me ndikim dhe të besueshëm të Milan Radoiçiq.

I njëjti ka lidhje të shumta me politikanë serbë dhe me grupe të ndryshme kriminale që kanë operuar në veri të vendit. Është anëtarë i ekipit të tifozëve “Delije” nga Zveçani, punonjës i MTS në Mitrovicë të veriut, si dhe akter i shumë ngjarjeve të dhunshme në veri të vendit.

Nemanja Radivojeviq – “Gandi” në anën tjetër, është caktuar nga Milan Radoiçiq, si personi kryesor në aspektin operativ të veprimit në terren.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se gjatë barrikadave të muajit dhjetor 2022 në veri të vendit, ai ka qenë personi kyç për transportin dhe shpërndarjen e armatimit tek personat e besueshëm të tij.

I njëjti është duke qëndruar në Kopaonik të Serbisë dhe në vazhdimësi, edhe përmes rrjeteve sociale, ka kërcënuar në forma të ndryshme, për veprime të dhunshme në veri të vendit tonë.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti tha të martën se bazuar në informacionet e inteligjencës, Milan Radoiçiq ka caktuar dy persona të afërt të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre. /kp/

The post Kush janë dy serbët që i përmendi Kurti, se Radoiçiq i kishte angazhuar për sulme në veri? appeared first on Telegrafi.

Haxhiu: Në bazë të Konventës për Ekstradim, Serbia detyrohet ta dorëzojë Radoiçiqin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka bërë kërkesë për futjen e emrit të Millan Radoiçiqit në listën e të kërkuarve nga Interpol.

Sipas ministres, futja e Radoiçiqit në këtë listë, bazuar në Konventën për Ekstradim, përbën një kërkesë me fuqi juridike për arrestim të përkohshëm, me qëllim ekstradimin.

“Proceduralisht, sipas kësaj Konvente, Serbia detyrohet të arrestojë kryeterroristin Millan Radoiçiq dhe të tjerët që janë të përfshirë, duke siguruar arrestim të përkohshëm për 40 ditë. Gjatë kësaj periudhe, Kosova do të dorëzojë kërkesën për ekstradim, siç bëjmë në të gjitha rastet e tjera. Serbia, brenda afatit, detyrohet ta dorëzojë atë në Kosovë,” deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi se është jetike që të bëhet trysni ndaj Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit, duke shtuar se institucionet kosovare kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për këtë proces.

“Ministria e Drejtësisë, së bashku me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, ka kryer të gjitha veprimet për dorëzimin e tij në territorin e Republikës së Kosovës,” shtoi ajo.

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një njësi policore në patrullim në fshatin Zveçan raportoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejt fshatit Banjskë, ku ndodhen dhjetëra shtëpi.

Përgjegjësinë për sulmin dhe logjistikën e tij e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili u arrestua më 3 tetor 2023 në Beograd.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi, por u lirua dhe po hetohet në gjendje të lirë, duke vazhduar të jetojë në Serbi.

Ai prej vitesh është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për dyshime lidhur me korrupsion dhe krim të organizuar.

The post Haxhiu: Në bazë të Konventës për Ekstradim, Serbia detyrohet ta dorëzojë Radoiçiqin appeared first on Telegrafi.

❌