Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, pritet të publikojë të enjten listën e lojtarëve për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026, kundër Kosovës dhe Sllovenisë.
Gazeta zvicerane Luzerner Zeitung raportoi se mesfushori Leon Avdullahu do të ishte pjesë e listës së Yakin-it, nëse nuk do të vendoste të luante për Kosovën.
Avdullahu, i cili këtë verë u transferua nga Baseli te Hoffenheimi për 8 milionë franga zvicerane, ka shkëlqyer me paraqitjet e para në Bundesliga dhe Kupën e Gjermanisë, ku ka luajtur si titullar. Megjithatë, ai vendosi që karrierën ndërkombëtare ta vazhdojë me Kosovën.
Vendimi i tij ka nxitur reagime në Zvicër, përfshirë edhe kapitenin e Baselit, Xherdan Shaqiri, i cili ka folur për këtë temë.
“Leonit me siguri iu shfaqën perspektiva më të mira në Kosovë, përndryshe nuk do ta kishte bërë këtë ndërrim”, deklaroi Shaqiri, i cili deri në vitin 2024 ishte ylli kryesor i përfaqësueses zvicerane.
Shaqiri dhe Avdullahu ishin dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të Baselit në sezonin e kaluar, me Shaqirin si lider të sulmit dhe Avdullahun si “trurin” e mesfushës. Ylli i Zvicrës thekson se vendimi i Avdullahut ishte personal.
“Sigurisht që folëm për këtë herë pas here në Basel. Por Leoni e mori vendimin vetëm me familjen e tij. Nuk mendoj se pata ndonjë ndikim. Dhe në fund të fundit, tani ai ka kohë që është në Hoffenheim”, ka shtuar Shaqiri.
Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA në maj të vitit 2016, periudhë kur FFK bëri përpjekje për ta bindur edhe vetë Shaqirin që t’i bashkohej. Megjithatë, ai zgjodhi të mbetej me Zvicrën, për të cilën deri në pensionimin e tij zhvilloi 125 ndeshje dhe shënoi 32 gola.
Avdullahu tani pritet të debutojë për Kosovën më 5 shtator, pikërisht në Basel, qytetin ku u zhvillua si futbollist. Ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë sfida hapëse e “Dardanëve” në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Edhe mesfushori i Zurichut, Bledian Krasniqi, ka përshëndetur zgjedhjen e Avdullahut.
“Avdullahu është lojtar i shkëlqyer që do të na ndihmojë shumë. Është plus për ne”, tha ai për Bluewin.
Krasniqi debutoi për Kosovën në qershor, në ndeshjen kundër Komoreve, pasi më herët kishte luajtur për grupmoshat e Zvicrës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Avdullahu zgjodhi Kosovën para Zvicrës, Xherdan Shaqiri: Kemi folur shpesh për këtë appeared first on Sinjali.