Dyshohet se dhunoi të dashurën e tij në Fushë Kosovë, detaje nga arrestimi i 31 vjeçarit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, pas një angazhimi intensiv hetimor dhe operacional, ka arritur të identifikoj, lokalizoj dhe arrestoj një person të dyshuar për kryerjen e disa veprave të rënda penale.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti dyshohet të ketë ndodhur në Fushë Kosovë, me ç’rast dyshimet janë ngritur për ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike që i dyshuari dyshohet të ketë ushtruar ndaj të dashurës së tij, duke mos përjashtuar edhe dyshimet e ngritura për kryerje të veprës penale të dhunimit.
“Gjatë arrestimit, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike të dyshuara si kokainë, një armë zjarri me municion si dhe mjete të tjera të kundërligjshme.
I dyshuari, L.H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, dhe ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale: Dhunimi, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, si dhe posedim i paautorizuar i substancave narkotike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe integritetit të çdo qytetari dhe ndjekjen me rigorozitet të çdo akti të kundërligjshëm. /Telegrafi/
The post Dyshohet se dhunoi të dashurën e tij në Fushë Kosovë, detaje nga arrestimi i 31 vjeçarit appeared first on Telegrafi.