Aktualisht, autoritetet po vijojnë operacionet për neutralizimin e vatrave të zjarrit në fshatin Poros në Vlorë dhe në Bogovë të Skraparit.
Katër helikopterë po operojnë në këto dy zona, duke u fokusuar në shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.
Njëkohësisht, Forca Ajrore po monitoron territorin me dronët TB-2, me qëllim identifikimin e vatrave të reja të mundshme dhe evidentimin e rastëve të mundshme të zjarrëvënieve të qëllimshme.
Operacioni vazhdon intensivisht për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të siguruar sigurinë e komuniteteve përreth.
“Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive”, njoftoi më herët Ministria e Mbrojtjes.
Profesori Mazllum Baraliu ka folur rreth betejës së humbur të KQZ-së përballë Listës Serbe, pasi PZAP ka rrëzuar vendimin e saj për të mos certifikuar listën e kandidatëve të këtij subjekti politik për zgjedhjet lokale.
Ai ka thënë se situata e fundit është pothuajse e njëjtë me atë që ndodhi në prag të zgjedhjeve nacionale.
“Për afërsisht po, por për arsye se motivet të cilat ne nuk i njohim – të cilat mund të jenë të natyrës klasifikuese, por që do të duhej të ishin të rëndësisë specifike – janë përafërsisht të njëjta. Mbase sepse përafërsisht subjekti më i madh politik, madje edhe koalicioni fitues i zgjedhjeve të fundit në nivel qendror, edhe herën e parë edhe tani ka insistuar dhe votuar që të mos certifikohet ky subjekt politik. Madje ka edhe të dhëna parciale që elementë të këtij subjekti politik kanë qenë vazhdimisht në pozita destruktive ndaj Kosovës”, ka thënë Baraliu.
Ai shtoi se Gjykata Supreme ka të drejtë të kërkojë prova shtesë në rast se nuk ka të mjaftueshme në trajtimin e lëndës ndaj Listës Serbe, në mënyrë që të marrë një vendim “dukshëm më të përpunuar, më substancial në kuptimin e brendisë së çështjes dhe shpjegimit të elementeve”, ka thënë ai në Five në RTV Dukagjini.
Bashkimi Evropian ka ndarë 7.5 milionë euro shtesë për Kosovën në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023), duke e rikonfirmuar mbështetjen e tij për tranzicionin e gjelbër dhe energjinë e pastër në vend.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, fondet u disbursuan më 19 gusht 2025 dhe janë pjesë e ndihmës së përgjithshme prej 75 milionë eurosh që ka ofruar BE-ja deri tani për sektorin energjetik.
Falë kësaj mbështetjeje: Mbi 200,000 familje kanë marrë ndihmë për pagesën e faturave të energjisë, janë rinovuar mbi 3,600 shtëpi për efiçiencë energjetike, 28 objekte banesore të familjeve të cenueshme janë në proces rinovimi, mbi 40,000 familje dhe 154 biznese janë pajisur me panele solare dhe teknologji të kursimit të energjisë.
“BE-ja qëndron pranë Kosovës dhe popullatës së saj në rrugën drejt energjisë së qëndrueshme, dekarbonizimit dhe sigurisë energjetike”, thuhet në njoftim.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se Drenasi ka mbetur pa furnizim të ujit të pijshëm.
Sipas një njoftimi në Facebook, kjo ndërprerje e ujit ka ardhur për shkak të punimeve teknike dhe turbullirës së krijuar në ujë.
“Për shkak të punimeve teknike nga kompania e kontraktuar nga Ibër Lepenc në kanalin e Ibër Lepencit dhe turbullirës së krijuar, Drenasi është pa furnizim me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.
Nuk është bërë e ditur se kur do të kthehet furnizimi me ujë të pijshëm për këtë komunë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është hapur thirrja për regjistrimin e institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme në Programin e Kuponëve.
Sipas njoftimit, thirrja përfshin të gjitha komunat ku veprojnë institucione private dhe publiko-private të licencuara.
“Programi i Kuponëve i cili do të zbatohet deri në qershor 2028, synon të mbështesë familjet e regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale, përmes rimbursimit të institucioneve që ofrojnë edukim dhe transport për fëmijët. MASHTI njofton se, shuma e rimbursimit për edukimin e fëmijës do të përcaktohet nga çmimi i tregut dhe komuna përkatëse, deri në 150 euro në muaj për fëmijë”, thuhet në njoftim.
Pagesa e transportit do të mbulohet vetëm për institucionet që ofrojnë këtë shërbim, ndërsa shuma do të përcaktohet nga Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve, në varësi të komunës dhe distancës rrugore. Në këtë thirrje mund të aplikojnë edhe institucionet pjesë e pilotimit në komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Lipjanit.
Regjistrimet janë të hapura nga 25 gushti deri më 8 shtator 2025.
Sot, në Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë është zhvilluar një takim online mes Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësuesve të Komisionit të Venecias, me fokus në draft-opinionin e radhës për Projektligjin mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ministrinë e Drejtësisë e përfaqësoi zëvendësministri në detyrë, Vigan Qorrolli, i shoqëruar nga shefi i kabinetit dhe këshilltari i lartë, Genc Nimoni, drejtori i Departamentit Ligjor, Lulzim Beqiri, eksperti i jashtëm Rinor Hoxha, si dhe zyrtaret e larta Lirikë Kamberi dhe Venera Maksuti.
Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias u përfaqësua nga Taras Pashuk nga Sekretariati, Jorgen Steen Sorensen (Danimarkë), Hanna Suchocka – Presidente Nderi dhe eksperte, si dhe Janneke Gerards nga Holanda.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se zëvendësministri Qorrolli ka rikonfirmuar angazhimin e institucioneve për të çuar përpara reformën në sistemin prokurorial.
“Reforma synon forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorisë në Republikën e Kosovës, si shtylla të domosdoshme për sundimin e ligjit dhe për besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, theksohet në komunikatë.
Gjatë takimit u diskutuan detajisht aspektet kryesore të projektligjit – nga procesi i hartimit e miratimit, deri te sfidat dhe mundësitë e zbatimit të tij. Përfaqësuesit e MD-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë parasysh çdo rekomandim shtesë të Komisionit të Venecias, me qëllim që ligji të harmonizohet si me Kushtetutën e Kosovës, ashtu edhe me standardet ndërkombëtare.
Pasi hap njësinë e tij tregtare, Arben Istrefi, njëri prej tregtarëve në Kukës, rreshton dhe synon të shesë artikujt e parë në këtë periudhë që përkon me përgatitjet për nisjen e procesit shkollor. Çantat për nxënësit janë të shumëllojshme.
“Çanta shkolle për fëmijët në para-shkollorë ose fillore”, tha ai.
Nuk janë si shitjet e dikurshme. Arbeni thotë se kjo lidhet me rënien e numrit të nxënësve në shkolla, sigurisht nga rënia e përvitshme e numrit të popullsisë.
“Ka rënë lindshmëria, ka rënë edhe numri i nxënësve, një pjesë ikin jashtë në emigrim”, vijon ai.
Por rënia e shitjeve lidhet edhe me një fenomen tjetër të veçantë për Kukësin. Afërsia gjeografike dhe lëvizjet e shpeshta të qytetarëve drejt Prizrenit bëjnë që pjesa më e madhe e blerjeve, por edhe e shërbimeve të tjera, të kryhet atje. Për tregtarët e Kukësit kjo është njëfarë penalizimi.
“Kjo na penalizon shumë pasi shkon për të futur naftë makinës por merr edhe gjëra të tjera, por kjo është ekonomi tregu duhet me e pranuar”, tha tregtari në Kukës.
Në prag të nisjes së vitit shkollor, edhe institucionet përgjegjëse po bëjnë përgatitjet e fundit që lidhen me riparimet, lyerjet dhe mirëmbajtjen e shkollave. Ndërsa nga e hëna, më datë 25 gusht, nis edhe shpërndarja e librave për nxënësit e të gjitha cikleve shkollore.
Viti i ri shkollor nis më 8 shtator, pak më herët se vitet e tjera./RTSH
Motra e 36-vjeçares shqiptare që u vra nga bashkëshorti i saj 40-vjeçar në Volos të Greqisë, ka rrëfyer për abuzimin që viktima përjetoi në martesën e saj.
Siç zbuloi ajo për mediat greke, viktima duroi dhunë fizike dhe seksuale, pasi bashkëshorti e përdhunonte dhe e linte shtatzënë, me qëllim që ajo të mos ndahej.
“Ajo shkonte dhe bënte aborte shpesh”, tha ajo, duke theksuar se 40-vjeçari e kërcënoi se “nëse divorcohej prej tij, ai do të bënte më keq”.
Sipas saj, çifti u takua në moshë të re. Megjithatë, sjellja e burrit ndryshoi kur ata patën fëmijë. “Kur ai pati fëmijë, ai ndryshoi. Ai u bë abuziv, e rrihte”, ka deklaruar motra e 36-vjeçares.
Motra e viktimës zbuloi se familja dinte për abuzimin, por nuk ka bërë denoncim në polici.
“Për shumë vite nuk folëm dhe është faji ynë. Sepse i thoja motrës sime të divorcohej, por ajo kishte frikë. Bëra gjithçka që munda për ta ndihmuar, me para, por ajo nuk mundi të përballonte”, tha ajo.
“Ai u thoshte fëmijëve ‘qëndroni larg, mbylleni gojën’ dhe e rrihte para tyre”, shtoi motra e 36-vjeçares./Top Channel
Njohësit dhe monitoruesit e sistemit të drejtësisë thonë se në praktikë nuk ndodh që një person të mos paraqitet kaq gjatë për të dhënë dëshminë e tij në Prokurori, sikurse në rastin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që është thirrur si dëshmitar për rezervat shtetërore.
Në Prokurorinë Speciale disa herë u paraqit ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Aty shkuan edhe zyrtarë të partisë që udhëheq me shtetin, Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, duket se me vullnetin e tij nuk do të ndodhë që aty të shihet edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pasi insiston që një deklaratë të tillë ta jap në zyrën e tij në Qeveri.
Përkundër kësaj, Prokuroria i kërkoi Gjykatës që Kurtin ta detyroj dhe ta sjell për të dëshmuar, por as kjo nuk ndodhi.
Krejt kjo tashmë, sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka mbetur në dorë të gjykatës, meqë prokuroria nuk ka më çka të veprojë.
“Çështja tashmë është në gjykatë, gjykata tash është e detyruar, nga ana e prokurorisë, që ajo të marrë vendim dhe të sigurojë prezencën e tij që të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.
Edhe pse sipas Shalës ka mbetur vetëm një formë që Kurti të shkojë në prokurori.
“Prokuroria ka qenë e detyruar të kërkojë nga gjykata, saktë, gjyqtari i shqyrtimit paraprak, që të dërgojë një ftesë që ai të paraqitet në prokurori. Mirëpo, edhe pse nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, atëherë gjykata ka qenë e detyruar të marrë aktvendim dhe ta dënojë me gjobë dy herë. Tani nuk ka mbetur tjetër veçse kryeministri të shkojë i shoqëruar nga policia në prokurori, që i njëjti të japë deklaratën e tij si dëshmitar”, ka thënë Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.
E çfarë veprimesh do të marr kjo gjykatë, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit.
Kjo mund të zgjasë pafundësisht sipas ligjit, përkundër që në praktikën e përditshme këto raste nuk zgjasin kaq shumë, thotë Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Kryesisht, në procedurë paraprake vendimet merren më shpejt, në raport me obligueshmërinë, dhe në raport me gjobën vendimet kanë qenë më të shpejta. Por tash nuk dihet çka ka ndodhur me rastin konkret, nuk dihet nëse pas vendimit të fundit të gjykatës ka pasur ndonjë kërkesë të re nga prokuroria apo jo. Pra, kanë kaluar disa muaj dhe nuk ka informacion në këtë drejtim”, ka thënë Gzim Shala, IKD.
Nëse kanë bërë kërkesë përsëri në Gjykatë, që Kurti të sillet në prokurori me çfarëdo forme, nuk kanë kthyer përgjigje as nga Prokuroria Speciale.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sot shtetin dhe popullin e Ukrainës me rastin e Ditës së tyre Kombëtare, duke theksuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës për pavarësinë dhe sovranitetin e këtij vendi.
“Sot, me rastin e Ditës Kombëtare të Ukrainës, riafirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të saj, si dhe përpjekjet e aleatëve tanë për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Ai ka kujtuar se Kosova tashmë ka treguar solidaritet të vazhdueshëm përmes sanksioneve kundër Rusisë dhe pranimit të qytetarëve ukrainas të zhvendosur nga lufta.
“Ne kemi qëndruar pranë Ukrainës dhe popullit të saj të guximshëm kundër agresionit të Rusisë, dhe vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar kundër luftës dhe në mbështetje të paqes në këtë vend”, ka theksuar Kurti.
Today, on Ukraine’s National Day, we reaffirm our commitment to supporting its independence, territorial integrity and state sovereignty, as well as the efforts of our allies in achieving a just and lasting peace. Through sanctions and by hosting Ukrainians in Kosova, we have…
Aksident i rëndë në aksin Sarandë – Delvinë, dy të vdekur dhe një i plagosur.
Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Pularia”.
Viktima të aksidentit janë dy vajza nga Kopaçeza, bashkia Delvinë.
Forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikëse në vendin e ngjarjes. I plagosuri është transportuar drejt spitalit të Sarandës në gjendje të rëndë. Ende nuk ka detaje në lidhje me rrethanat e aksidentit. / Abcnews Albania
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot në Mitrovicë janë arrestuar tre persona të mitur, të dyshuar për vjedhjen e një veture.
Rasti është raportuar rreth orës 10:30 në Stacionin Policor Mitrovicë Jugu, kur u njoftua se vetura, pronë e një klubi sportiv lokal, ishte vjedhur.
Pas një pune hetimore dhe operacionale, njësitë policore kanë arritur që në orët e pasdites ta lokalizojnë dhe ndalojnë veturën në fshatin Frashër të Mitrovicës.
Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku pas intervistimit dhe procedurave përkatëse është iniciuar rasti penal “Vjedhje e rëndë”.
Sipas vendimit të prokurorit, dy prej të dyshuarve janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj njërit prej tyre është caktuar masa e ndalimit policor./Telegrafi/
Një 31-vjeçar ka humbur jetën të dielën pasdite pasi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve që mori nga rënia e një trungu druri në rajonin e Gollakut.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 17:00.
“Rreth orës 17:00, policia ka pranuar një informatë për një person të lënduar rëndë (dyshohet si pasojë e rënies së një trungu druri). Personi i lënduar L. G, mashkull, 31 vjeç, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha Pllana.
Policia ka njoftuar se njësitet hetimore, në koordinim me prokurorinë, po zhvillojnë hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti tragjik./Telegrafi/
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si autoritetet ukrainase kanë trajtuar qytetarët e Kosovës në kufirin me Moldavinë.
Përmes një reagimi në Facebook, Pacolli tha se disa shtetas të Kosovës janë ndaluar dhe kthyer mbrapsht nga pala ukrainase, e cila jo vetëm që ua ka refuzuar hyrjen, por sipas tij i ka ofenduar dhe maltretuar.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë – jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe maltretuar, madje duke i quajtur ‘terroristë’,” ka shkruar Pacolli.
Ai kujtoi edhe një rast të mëparshëm kur kombëtarja e Kosovës në futboll ishte detyruar të zhvillonte ndeshjen në Gjeorgji, për shkak se Ukraina nuk e kishte lejuar hyrjen e ekipit në territorin e saj.
“Këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta – ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”, ka shtuar Pacolli.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka njoftuar sot se ka marrë një vendim për heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiq nga muret e qytetit.
Peci theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për eliminimin e çdo simboli të dhunës dhe urrejtjes nga hapësirat publike, duke shtuar se qyteti duhet të mbetet një vend paqeje e harmonie për të gjithë banorët, pa dallime etnike.
“Ky vendim është një mesazh i qartë dhe i fortë: glorifikimi i krimeve të luftës dhe nxitja e urrejtjes nuk ka vend në qytetin tonë. Zveçani është një qytet i pasur me diversitet dhe ne e vlerësojmë çdo individ, pa marrë parasysh kombësinë ose origjinën e tij”, ka shkruar Peci në reagimin e tij.
Ratko Mlladiq, i njohur si një nga figurat kryesore të luftës në Bosnje, është dënuar për krime lufte dhe gjenocid nga Tribunali i Hagës./Telegrafi/
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po vijon me intensitet operacionin “Siguria Detare”, përmes monitorimeve dhe kontrolleve në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, me synim rritjen e sigurisë së pushuesve.
Sipas njoftimit, gjatë javës së fundit nga Koman në Ksamil janë kontrolluar gjithsej 414 mjete lundruese, prej të cilave 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme: 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone, 3 varka metalike me motor uji.
Policia njofton se 11 mjete lundruese janë kapur duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë gjobitur me nga 100 mijë lekë secili.
Po ashtu, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, janë shpëtuar në det 28 persona (shqiptarë dhe të huaj), si dhe janë ndihmuar 9 mjete lundruese në vështirësi.
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të respektojnë rregullat e lundrimit:
Të mos shkelin perimetrin e sigurisë
Të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara
Të pajisen me mjetet e nevojshme të shpëtimit
Policia e Shtetit apelon gjithashtu që çdo shkelje e rregullave të denoncohet në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave konkrete ndaj shkelësve.
KFOR-i ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, me kërkesë të institucioneve të Kosovës përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Sipas njoftimit, ndihma e KFOR-it ka përfshirë si aktivitetet e vëzhgimit ashtu edhe ndërhyrjet direkte në terren.
Njësia amerikane Task Force Aviation, e cila vepron në kuadër të Komandës Rajonale Lindore të KFOR-it, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shuarjen e zjarreve përmes operacioneve ajrore.
Më 18 gusht në komunën e Gjakovës, ekuipazhi realizoi 12 hedhje uji brenda pesë orësh.
Më 11 gusht në komunën e Kamenicës, u ndërhy 11 herë gjatë një fluturimi gjashtëorësh.
Më 26 korrik në Mitrovicë, u kryen 18 operacione ajrore për shuarjen e zjarrit brenda katër orësh.
Më 25 korrik në Drenas, KFOR ndërhyri 39 herë gjatë një periudhe prej 20 orësh.
Në deklaratë theksohet se KFOR mbetet e gatshme, brenda mundësive dhe kapaciteteve të saj, të mbështesë në parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente në Kosovë.
KFOR thotë se vazhdon ta zbatojë mandatin e saj, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, gjithmonë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre si përgjegjës për sigurinë./Telegrafi/
Kjo është nëndetësja 105, e publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, dikur krenari e flotës ushtarake, por sot ka marrë një kuptim të ri.
Vajzat dhe djemtë e orkestrës së Forcave të Armatosura sjellin tingujt e “Ritfolk” mbi kuvertën e nëndetëses, në brigjet e Pashalimanit.
Kjo performancë vjen si shembull se si trashëgimia ushtarake dhe kujtesa historike mund të rigjallërohen përmes kulturës, duke e bërë Pashalimanin jo vetëm një pikë referimi për historinë e marinës shqiptare, por edhe një hapësirë tërheqëse artistike që bashkon kujtesën me krijimtarinë.
Nëndetësja 105 është një nga katër nëndetëset që Shqipëria mori nga Bashkimi Sovjetik në vitet ’50.
Me kalimin e kohës doli jashtë përdorimit aktiv dhe, ashtu si të tjerat, u çarmatos. Pashalimani mbeti si relikë historike, ndërsa sot është shndërruar në një platformë të pazakontë koncertesh.
Ndërhyrjet e shpejta në vatrat e evidentuara në 24 orët e fundit nëpër Shqipëri kanë bërë që situata me zjarret të përmirësohet ndjeshëm, ndikuar nga freskimi i motit dhe reshjet në disa qarqe të vendit.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile raportoi mbrëmjen e së shtunës se vetëm një vatër zjarri mbetet nën monitorim, nga 10 të tilla të njoftuara prej mëngjesit. Vatra në Parkun Natyror Gërmenj të bashkisë Kolonjë u riaktivizua disa herë gjatë ditës, por u arrit të mbahej nën kontroll me mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta.
Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve ka bërë të mundur shuarjen dhe izolimin e 9 vatrave të tjera, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Aksionet u udhëhoqën nga forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat vendore, shërbimi pyjor, policia dhe agjencitë e specializuara.
Ndërhyrjet e zjarrfikësve kanë mundësuar minimizimin e pasojave dhe sigurinë e komuniteteve:
Në fshatin Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë;
Në fshatin Roskovec, njësia administrative Roskovec, bashkia Roskovec;
Në fshatin Shkjezë, njësia administrative Bushat, bashkia Vau-Dejës;
Në fshatin Jeran, njësia administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe;
Në hekurudhën e Fierit, njësia administrative Fier, bashkia Fier;
Në pyllin e Sodës, njësia administrative nr 4, bashkia Vlorë;
Në fshatin Lapardha, njësia administrative Kotë, bashkia Selenicë;
Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë;
Në fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.
Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë të territorit dhe mbeten të angazhuara për reagim të menjëhershëm në çdo rast emergjence./RTSH
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për një defekt të papritur në rrjetin e ujësjellësit në lagjen Bregu i Diellit, që ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë.
Pa furnizim do të mbesin këto rrugë:
Rr. “Mehmet Gradica”
Rr. “Elez Geci”
Rr. “Qazim Bobaj”
Rr. “Afrim Maliqi”
Ndërprerja do të zgjasë deri në sanimin e problemit nga ekipet teknike të ujësjellësit.
KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje banorëve të këtyre zonave për mirëkuptim deri në rikthimin e furnizimit normal me ujë./Telegrafi/