Franco Mastantuono etiketohet si ‘jo i gatshëm’ për Real Madridin
Franco Mastantuono përballet me një sfidë të madhe në karrierën e tij, pasi ka kompletuar transferimin e bujshëm nga River Plate te Real Madridi.
Mesfushori i talentuar argjentinas, që mbushi 18 vjeç më 14 gusht, nuk kishte të drejtë t’i bashkohej “Los Blancos” më herët, duke qëndruar me ish-skuadrën e tij deri në përfundimin e Kupës së Botës për Klube.
Me dokumentet e transferimit të përfunduara, ai tashmë është pjesë e planeve të trajnerit Xabi Alonso për skuadrën e parë.
Dëmtimet e shumta në mesfushën madrilene e rrisin shansin që Mastantuono të marrë minuta që në fillim të sezonit, megjithatë debutimi i tij pritet të vijë gradualisht.
Kritikat nga Argjentina
Pavarësisht entuziazmit të tifozëve madrilenë, nga vendlindja e tij kanë ardhur kritika për këtë hap të madh. Gazetari i ESPN, Hernán Pereyra, e cilësoi transferimin si të nxituar.
“Ai nxitoi me largimin e tij, nuk ishte gati, është ende shumë i papjekur. Një gol i bukur kundër Boca Juniors dhe papritmas vlen 50 milionë dollarë. Nuk ka më ndjenjë identiteti te këta lojtarë të rinj. Ndoshta ai luante PlayStation me Real Madridin dhe u dashurua me ekipin”, deklaroi ai.
Megjithatë, Pereyra shtoi se shpreson që Mastantuono të ketë një karrierë të suksesshme, por të mos lejojë emocionet t’i marrin kontrollin.
Shansi i parë te “Los Blancos”
Real Madridi e nis sezonin e ri në “Santiago Bernabéu” më 19 gusht kundër Osasunës. Pavarësisht se Alonso pritet të startojë me një mesfushë të përbërë nga Valverde, Tchouameni dhe Ceballos, mungesat e rëndësishme të Jude Bellingham dhe Eduardo Camavinga hapin një dritare për talentin argjentinas.
Mastantuono pritet të fillojë nga stoli, por trajneri spanjoll ka lënë të kuptohet se nuk do të hezitojë ta aktivizojë nëse skuadra e kërkon. /Telegrafi/
The post Franco Mastantuono etiketohet si ‘jo i gatshëm’ për Real Madridin appeared first on Telegrafi.