Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Sulmi i njerëzve të Agron Kapllanaj ndaj agjentëve të BKH, reagon SPAK

16 April 2025 at 12:53

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmjen e 15 prillit në Fier, ku hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe efektivë të Policisë së Shtetit u sulmuan fizikisht nga disa persona, të afërm të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron kapllanaj.

Në njoftim, SPAK konfirmon se hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë po ushtronin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi aktiv të kësaj strukture, kur u sulmuan pa asnjë shkak të justifikueshëm nga tre persona tashmë të identifikuar dhe të shoqëruar nga Policia e Fierit.

SPAK thekson se të gjitha veprimet e ndërmarra nga Byroja Kombëtare e Hetimit janë kryer në përputhje me ligjin dhe nën mbikëqyrjen direkte të prokurorëve të posaçëm.

“Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.

Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.

Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thueht në njoftimin e BKH të shpërndarë nga SPAK.

Personat e arrestuar janë, Ledjan Kapllanaj, Klaudio Kapllanaj dhe Gerald Kollçaku, të afërm të Agron Kapllanaj. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Sipas të ndaluarve incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje për një vend parkimi. Në dëshminë e dhënë në polici ata kanë thënë se nuk i njihnin personat që u përfshinë në konflikt.

Edhe pasi agjentët e BKH-së u janë prezantuar, ata nuk i kanë besuar dhe kanë vazhduar t’i sulmojnë fizikisht.

Agron Kapllanaj, ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes lidhur me incidentin e ndodhur në Fier. Ai deklaroi se ngjarja ka nisur rreth orës 18:00, kur një mjet i paidentifikuar ka mbërritur në parkimin e kompanisë dhe ka ngritur një dron. Ky veprim, sipas Kapllanajt, ka shkaktuar dyshime tek të afërmit e tij, të cilët janë afruar për të kërkuar shpjegime.

Kapllanaj ka pretenduar se një prej agjentëve të BKH-së i ka thënë rojes se po filmonin për të blerë një pronë, por më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda. Pas kësaj, agjentët janë larguar nga vendi, duke u ndjekur nga persona të afërm të Kapllanajt.

Ai ka shtuar se më vonë, pas ndalimit të agjentëve, ka ndodhur një përplasje fizike, gjatë së cilës personat e tij nuk janë informuar se kishin të bënin me agjentë të BKH-së.

The post Sulmi i njerëzve të Agron Kapllanaj ndaj agjentëve të BKH, reagon SPAK appeared first on Telegrafi.

Dumani kërkon ndryshime kushtetuese që prokurorët e SPAK të rikandidojnë në fund të mandatit

14 April 2025 at 12:53

Kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, kërkoi që të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese që anëtarët e SPAK të kenë mundësi të kandidojnë për një mandat të dytë, në përfundim të mandatit 9-vjeçar.

“Në kemi propozuar jo riemërim automatik. Propozimi është që të bëhen ndryshime kushtetuese, që prokurorëve të SPAK në fund të mandatit 9-vjeçar t’i jepet mundësia të kandidojnë. Bëhet e mundur mundësia e rifreskimit, pasi ka edhe prokurorë që në fund të mandatit 9-vjeçar nuk do të duan të vazhdojnë. Në rastin e mundësisë për rikandidim, KLP mund t’i thotë qe “performanca juaj nuk është e mjaftueshme për një mandat tjetër”. Opsioni i dytë është atashimi në prokurorinë e Apelit, por ne jemi për opsionin e parë”, tha Dumani në raportimin e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Mospasjen e mundësisë për rikandidim, Dumani e renditi edhe mes problemeve me të cilat haset SPAK. Por problemi kryesor për të ishte presioni i jashtëm ndaj institucionit dhe më pas mungesa e referimeve nga institucionet publike.

The post Dumani kërkon ndryshime kushtetuese që prokurorët e SPAK të rikandidojnë në fund të mandatit appeared first on Telegrafi.

Hoxha: E-mailet e prokurorëve të SPAK nuk u hakëruan, janë publikuar nga brenda

4 April 2025 at 15:54

Gazetari Artan Hoxha tha në Euronews Albania se hakerimi për të cilin pretendohet se ka ndodhur lidhur me e-mailet e prokurorëve të SPAK, nuk ekziston. Ai tha se ndërhyrja në postën elektronike të prokurorëve është kryer nga punonjës brenda institucionit.

Sipas gazetarit, ajo çfarë ka ndodhur, është një vjedhje e të dhënave brenda sistemit. Hoxha shtoi se një nga elementët që ka sjellë një situatë të tillë, është rivaliteti brenda institucionit të SPAK.

“Flitet për hakerim por nuk ka hakerim. Hakerim është kur ndërhyet nga jashtë në sistem, pra nuk është prekur sistemi nga jashtë. Askush nuk ka hyrë në SPAK. Nëse do të kishte ndodhur kështu , do të kishte justifikim sepse nga jashtë është hakeruar deri te shërbimet më inteligjente që ka bota sot.

Ka patur përpjekje të tilla por në rastin konkret nuk kemi një sulm të jashtëm ndaj SPAK. Fjala hakerim është futur qëllimisht për të shmangur të gjitha pasojat e tjera që mund të vijnë. Kjo është bërë me qëllimin për t’u spostuar nga ai që është thelbi i vërtetë i kësaj historie. Kemi të bëjmë me një vjedhje të dhënash nga brenda sistemit, nuk ka ndodhur gjë nga jashtë.

Arsyeja pse është munduar të shmanget pjesa e vjedhjes brenda sistemit, është për të treguar se ka një përplasje mes pjestarëve të SPAK brenda këtij institucioni. Ky është një nga elemementët, për shkak të qëndrimeve të ndryshme që kanë. Pra rivaliteti që po zhvillohet brenda SPAK-ut.

Ka një hetim të brendshëm duke krijuar dhe këtë problematikë. Materialet që jane vjedhur janë më shumë së ato që kanë dalë. Ata që kanë bërë këtë veprim që i ka nxjerrë të dhënat jashtë, kanë bërë testimin e parë. Kanë dashur që ata t’i çojnë në media, ti publikojnë duke i çuar tek dy gazetarë”, tha Artan Hoxha.

The post Hoxha: E-mailet e prokurorëve të SPAK nuk u hakëruan, janë publikuar nga brenda appeared first on Telegrafi.

Erion Veliaj lë qelinë, shkon në Prokurorinë e Posaçme SPAK për të dëshmuar

20 March 2025 at 12:30

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, la këtë të enjte qelinë e tij në burgun e Durrësit dhe u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme SPAK, ku u mor në pyetje nga prokurorët e çështjes.

Veliaj u mor në pyetje cilësinë e personit nën hetim ndërsa qëndroi në SPAK rreth 1 orë e 30 minuta. A

i u pyet në prani të avokatëve të tij, Ermir Beta dhe Artur Selmani, të cilët po ndjekin nga afër çdo hap të procesit ligjor.

The post Erion Veliaj lë qelinë, shkon në Prokurorinë e Posaçme SPAK për të dëshmuar appeared first on Telegrafi.

SPAK kërkon pesë vite burg për Alqi Bllakon

28 February 2025 at 13:35

Prokuroria e Posaçme SPAK kërkon dënimin me 5 vite burg për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Sipas SPAK, Bllako është fajtor për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë” për 2 raste, të konsumuar gjatë kontratës koncesionare të Inceneratorit të Tiranës.

Përveç dënimit me burg, SPAK kërkoi edhe një dënim plotësues, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Seanca e radhës, për konkluzionet e mbrojtjes, do të mbahet më 7 mars, ora 13:00.

The post SPAK kërkon pesë vite burg për Alqi Bllakon appeared first on Telegrafi.

Gazmend Paja paraqitet në SPAK

27 February 2025 at 09:42

Aktori i humorit Gazmend Paja, i cili është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga radhët e PS është paraqitur në SPAK mëngjesin e sotëm.

Gazmend Paja në vitin 2019 mori statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike, një vendim për të cilin Partia Demokratike kërkoi që të hetohet nga SPAK.

Aktori ka fituar statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort në Dhërmi, vepër që do të realizohej falë bashkëpunimit mes 2 kompanive me vlerë 13.8 milionë euro, por për opozitën pas aktorit qëndrojnë politikanë dhe personave të lidhur me krimin.

Ish-kryeministri Sali Berisha, e cilësoi asokohe vendimin që e shpall Pajën investitor strategjik si abuziv dhe shpërblim politik për lidhjet e aktorit me Partinë Socialiste.

“Është e dënueshme dhe absolutisht e papranueshme! Nuk kam asgjë për dhuntitë artistike të Gaz Pajës, por këto të tjerat nuk kanë asgjë të përbashkët me artin; përkundrazi, me veset më të errëta të njeriut”, tha Berisha.

Vetë aktori reagoi pas deklaratave nga PD, duke thënë në një reagim në rrjetet sociale se ka përfituar 0 m2 tokë nga shteti, ndërsa për kompantitë e Startek dhe Ecotech shpjegon se kanë nënshkruar një marrëveshje me një kompani të huaj, të specializuar në fushën e turizmit për të ndërtuar një resort turistik. /Telegrafi/

The post Gazmend Paja paraqitet në SPAK appeared first on Telegrafi.

Veliaj akuzon Dadon: Përndjekësi i familjes më ka ndaluar çdo takim, është vegël e Berishës

26 February 2025 at 15:34

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzon prokurorin që po heton ndaj tij, Ols Dado, se i ka ndaluar takimet dhe komunikimet me jashtë.

“Momentalisht, përndjekësi i familjes sime për llogari të Sali Fundërrinës, Ols Dado, fytyrën e të cilit ju e patë vetëm një fraksion minute në replikat e turpshme në thertoren e Erion Banit, më ka ndaluar çdo takim e komunikim. Kam vetëm këto pusulla ditore me avokatët, deri ditën kur do mund t’ju përqafoj të gjithëve ju, e të merrem me zë e me figurë me këta burra të paburra”, shkruan Veliaj në një status në Facebook, raporton A2 CNN.

“Disa më çojnë porosi që ta ul pak gjuhën, jo se prokurori ndërtues hakmarrës nuk e meriton, përkundrazi, por që “të mos çmendet më keq dhe ta punon më keq”. Jo se adashi kasap s’e meriton, por që “të mos të të qepet më keq se e ka ves të keq”. Po çfarë mund të më bëjnë më shumë? Të më dënojnë me vdekje? Se në burg jam e jam! Olsi nuk më hetoi, po më hyri nga vrima e çelësit në jetën time dhe në fustanet e gruas time, me një LETER ANONIME që s’është çudi ta ketë shkruar vetë ose ta ketë marrë të shkruar nga maniakët e Sali Fundërrinës!”.

Veliaj thotë se Ols Dado është vegël e Sali Berishës dhe është i vetmi person të cilit kryetari i PD i ka kërkuar falje. “Ols Dados i ka kërkuar falje me zë e me figurë! E kërdisi njëherë për t’ia kujtuar se kush është tutori i Violinës dhe pastaj e përkëdheli me një ndjesë publike përpara se të ma lëshonte mua në kurriz, si ata pitbullët që bëjnë lajm me kafshimet e tyre. Jam sot I VETMI politikan që ka kaluar në labirinthin ilegal të një VETINGU 20 vjeçar. Kam dalë nga labirinthi pa ASNJË shkelje për të përligjur burgun pa gjyq, duke më ndërprerë me dorën e një maniaku dhe thikën e një kasapi kontratën me zgjedhësit”, thotë Veliaj.

“Ndaj, edhe njëherë, për të gjithë ata që “bezdisen” nga gjuha ime. Ju lus të kuptoni që jam në burg, me një letër anonime, një prokuror hajvan dhe një gjykatës taleban. Ata kanë edhe gurin, edhe arrën, edhe rrjetin e gojëve të ndyra të mëngjes-drekë-darkës. Por, mjaft të shihni vendimin më të freskët të Strasburgut për paraburgimin pa gjyq, për të kuptuar që busulla na duhet drejt Europës, e jo drejt kënetës së Sali Bufit, Ols akrepit dhe Ban nepërkës. Shëndet e jetë!”.

The post Veliaj akuzon Dadon: Përndjekësi i familjes më ka ndaluar çdo takim, është vegël e Berishës appeared first on Telegrafi.

Dumani: Përpjekja për ta treguar SPAK-un si represiv, e dështuar

26 February 2025 at 11:50

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, në tryezën e organizuar nga Qendra për Studim dhe Demokraci, theksoi se “përpjekja për ta treguar SPAK-un si represiv, është e dështuar”.

“Shifrat flasin vetë: vetëm 9% janë të paraburgosur. Sa i përket korrupsionit dhe veprave penale të kryera në detyrë, 50% janë hetuar në gjendje të lirë. Janë hetuar me ndalim dalje jashtë shteti, detyrim paraqitjeje… Nëse i ndan këto 9%, shumicën absolute e zënë subjekte të krimit të organizuar”, tha Dumani.

“Kështu që, Prokuroria e Posaçme është e kujdesshme në kërkesat që bën për masat e sigurimit. Jemi shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Madje, ka një trend në rënie për aplikimin e arrestit me burg”, shtoi Dumani. /Telegrafi/

 

The post Dumani: Përpjekja për ta treguar SPAK-un si represiv, e dështuar appeared first on Telegrafi.

24 masa sigurie për Universitetin Bujqësor, Rama: Nuk shoh arsye për këtë goditje

26 February 2025 at 09:52

Një ditë pasi policia ekzekutoi 24 masa sigurie ndaj 24 punonjësve të Universitetit Bujqësor në Kamëz për abuzim me tenderat, kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar për një dëgjesë me rektorin e këtij universiteti, Fatabardh Sallaku.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë vuri në dukje që rektori është një demokrat dhe nuk është një person në hetim. Për këtë arsye, sipas tij po i jepet hapësira për dëgjesë.

“Është e nevojshme të nënvizohet një fakt që kur kemi folur unë jam siguruar që ju nuk jeni një person në hetim. Ne nuk mund t’i japim hapësirë e të bëjmë dëgjesa me persona në hetim. Së dyti është mirë ta dinë të gjithë që para se ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK-ut, ku i keni kërkuar nëse kandidimi juaj do kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigjja ka qenë për ju që të vazhdoni të kandidoni dhe të gjithë duhet ta kuptojnë se shqetësimi shumë i madh në këtë rast nuk lidhet me faktet apo fajësinë apo pafajësinë personale, por me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitet që është në kthesë historike dhe që e ka të ardhmen të varur me partneritet strategjik me një nga universitetet e vjetra të botës”.

Edhe pse nuk sheh arsye për këtë goditje të arsimit të lartë, ajo që shqetëson Ramën nga këto 24 masa sigurie, është mendimi i partnerëve austriakë të Universitetit Bujqësor. Por sipas tij kjo nuk do të pengojë punën e universitetit.

“Gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend është çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë. 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka 2-3 vjet dhe që nuk ka asnjë lloj arsye për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, ku nëse kanë pasur abuzime abuzuesit do përgjigjen deri në fund, por 24 masa sigurie kjo besoj është e mjaftueshme për sa i përket çfarë tha rektori dhe shqetësimi është për të dhënë mesazh për prindërit, studentët e partnerët që ndërkohë që drejtësia do të bëjë punën e vet nuk ka arsye për të bllokuar punën. Duke qenë që rektorin kemi pak demokrat, është mirë ta lëmë të lirë të vazhdojë punën”.

The post 24 masa sigurie për Universitetin Bujqësor, Rama: Nuk shoh arsye për këtë goditje appeared first on Telegrafi.

Pas aksionit të SPAK, rektori i Universiteti Bujqësor raporton para grupit parlamentar të PS-së

26 February 2025 at 09:39

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, deklaroi para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se edhe atij i është marrë telefoni, në kuadër të hetimeve që u zhvilluan nga Prokuroria e Posaçme dhe që përfunduan me arrestimin e 5 personave, dhe dhënien e masave më të lehta të sigurisë për 19 persona të tjerë, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialistë IT.

“Unë nuk di asnjë lloj informacioni se çfarë është trajtuar. Fatmirësisht ligji i arsimit të lartë e ndan shumë mirë anën administrative me anën akademike. Që do të thotë rektori me gjithë stafin akademik e mbaron punën e vet deri në dërgimin e buxhetit në senat. Kam qenë subjekt i marrjes së telefonit, jam treguar totalisht i gatshëm, nuk kam asgjë për të fshehur. Kemi qenë bashkëpunues, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara”, tha Sallaku, raporton A2 CNN.

Sallaku tha se zgjodhi të ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për të mos iu shkëputur asgjë nga konteksti, për shkak të detyrimeve ndaj stafit akademik, studentët, prindërit dhe partnerët. “Dua t’iu bëj me dije që dje edhe unë e kam marrë vesh nga media… Kam mbledhur asamblenë akademike të UBT, ku kemi sqaruar situatën dhe që në krye të radhës dua të konfirmoj faktin që nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, absolutisht. Ne besojmë që do të ketë një proces absolutisht të ndershëm, por ajo që besoj është që shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm dhe asnjë proces nuk e zhbën realitetin që besoj unë dhe studentët në UBT. Çdo koleg ka filluar betejën për të pastruar veten e vet dhe shpresoj që çdonjëri të faktojë me fakte që kanë vepruar me ndershmëri. Ajo që dua të theksoj është fakti që, kjo dalje, edhe unë jam i detyruar se jam retor i një universiteti që nuk pianon i izoluar, por është në një proces që ka nisur prej 3 vitesh falë investimit personal të kryeministrit të vendit”, shtoi Sallaku.

Ai konfirmoi se nuk del në mbrojtje të personave që kanë abuzuar dhe se ia lë drejtësisë të veprojë. “Shpresoj shumë të jetë një proces sa më i ndershëm. Por nga ana tjetër dua të evidentoj që kam shumë besim që UBT jo vetëm do ringrihet. Shqipëria është me fat që ka një universitet bujqësor. Ftoj me dorë në zemër të fokusohemi këtu, sepse UBT nuk është vetëm i imi, i kësaj maxhorance dhe i gjithë Shqipërisë. Shqipëria nuk do të shkojë ndonjëherë në industri të rëndë, pavarësisht dëshirave. Ata njerëz kanë nevojë për mbështetje, për përkrahje. Unë nuk jam këtu për politikë. Me kryeministrin e vendit kemi folur prej vitesh, kemi shkëmbyer koncepte dhe kemi ardhur këtu, që UBT është ulur në tavolinë me Universitetin Bochus të Vjenës, që është qindravjeçar. Ky universitet i duhet Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare. Ky staf, sidomos studentët, prindërit, duhet të qetësohen sepse në shtator do të shkojmë me një ofertë të re akademike. Shpresoj shumë që personat që janë nën hetim të gjejnë të gjitha energjitë, i mirëkuptoj, por shpresoj që çdo gjë të shkojë në vendin e vet, çdo person të pastrojë imazhin. Drejtësia të bëjë punën e vet”.

Çfarë ndodhi të martën?

Një hetim i nisur tre vite të shkuara për stafin e Universitetit Bujqësor në Kamzë ka çuar në pranga me urdhër të SPAK 5 persona, 10 në arrest shtëpie e 9 të tjerë në detyrim paraqitje, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialist IT.

Masë sigurie “arrest në burg” është vendosur për Edmond Tërthorjan, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike dhe Mehmet Qoshja, specialist për fondet, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.

E njëjta masë është caktuar edhe për Pirro Zogun, drejtues i një subjekti privat I dyshuar për veprën “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për 10 persona të tjerë të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa për 9 të tjerë mes tyre edhe dy zëvendës rektorët, Ilir Kapajn dhe Romina Koton është vendosur masë më e butë, ajo e detyrimit për paraqitje.

Nga hetimet me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit, janë hetuar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me vlerë të prokurimit prej 90.000.000 lekë.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; Ilir Kapaj dhe Romina Koto me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe përgjegjësi i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.

Veprimet e kundërligjshme të tyre kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.

Nga hetimet rezulton po ashtu se shkelje ka pasur edhe pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI. Gjithashtu janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit.

The post Pas aksionit të SPAK, rektori i Universiteti Bujqësor raporton para grupit parlamentar të PS-së appeared first on Telegrafi.

Ish-kryebashkiaku i Kavajës paraqitet në SPAK, nën hetim për abuzime me tendera

24 February 2025 at 15:58

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme.

Ai është parë të futej duke qeshur në ambientet e SPAK teksa shoqërohej nga avokat i tij.

Ish-kryebashkiaku ka dal sërish nga SPAK pas pak minutash ndërsa u shpreh se “Isha për veprime, nuk jam marr i pandehur”.

SPAK dyshohet se po heton Elvis Roshin lidhur me një kallëzim të Këshillit të Lartë të Shtetit për disa parregullsi të gjetura gjatë auditimit të vitit 2013-2014 në Bashkinë e Kavajës, kur ishte në krye të bashkisë.

Ai po hetohet për abuzime me tendera dhe shpenzime të fondeve publike në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve.

Sipas Këshillit të Lartë të Shtetit (KLSH), Elvis Roshi dhe 10 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kavajës kanë shkaktuar një dëm financiar prej 33 milionë lekësh përmes tenderave për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

The post Ish-kryebashkiaku i Kavajës paraqitet në SPAK, nën hetim për abuzime me tendera appeared first on Telegrafi.

Safet Bajri lihet në burg, mohon akuzat për vrasjen e Fatbardh Liçit

24 February 2025 at 15:36

Gjykata e Posaçme la në arrest me burg Safet Bajrin, i cili akuzohet për vrasjen e Fabardh Liçit në vitin 2018. Avokati mbrojtës tha se Bajri mohoi akuzat, ndërsa tha se ai ishte dorëzuar vetë në polici për t’ju përgjigjur hetimeve.

Në burg u lanë edhe Astmer Bilali e Behar Bajri, të cilët aktualisht ndodhen në qeli në kuadër të operacioneve “Metamorfoza”.

“Shtetasi Safet Rustemi nuk ka lidhje me këtë çështje, as Asmer Bilali, as Behari. Nuk e ka pranuar këtë fakt penal janë provat shkresore të vjetra të kohës që janë hetuar dhe nuk kanë lidhje më këtë çështje penale.

Sfaeti tha vetë që jam paraqitur vetë, jam treguar i hapur me hetimin, nuk kam pasur mundësi të ikja, se po të ikja nuk më kishin kapur kurrë. Jam këtu se dua të përballem me hetimin, jam i hapur me hetimin. Aq më tepër siç e kanë trajtuar mediat që e kanë arrestuar e shtrirë përtokë, është paraqitur vetë dhe është e vërtetuar nga pamjet e çdo gjë.

Analiza e ADN është pjesë e hetimit, por Safet Bajri e ka dhënë analizën e ADN sa herë është shoqëruar në procedime të ndryshme”. /Telegrafi/

The post Safet Bajri lihet në burg, mohon akuzat për vrasjen e Fatbardh Liçit appeared first on Telegrafi.

Pak kohë pasi shpalli kandidaturën për deputet, Tom Doshi paraqitet në SPAK

24 February 2025 at 09:24

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi u paraqit paraditen e së hënës në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Doshi u fut në ambientet e SPAK-ut duke buzëqeshur, sic shihet nga pamjet e dala në media.

Ende nuk dihen arsyet se përse Tom Doshi është paraqitur në këtë institucion.

Pak kohë më parë, Kryetari i PSD-së njoftoi se ka hapur zyrën e tij elektorale në Shkodër. Në një prononcim për mediat, ai ka thënë se do të jetë deputet i Shkodrës pas zgjedhjeve të 11 majit, duke konfirmuar edhe qarkun se ku do kandidojë.

Sipas Doshit, PSD do të arrijë një rezultat surprizues në zgjedhjet e 11 Majit. Në parlamentin aktual PSD ka tre deputetë, ndërsa synohet që ky numër të rritet.

Vetë Tom Doshi figuron në listën ‘non grata’ të SHBA-ve, që e detyroi të qëndronte larg Parlamentit pas zgjedhjeve të vitit 2021, duke dhënë dorëheqjen nga mandati që mbante dhe nga i i mundshmi që do dilte nga rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit. /Telegrafi/

 

The post Pak kohë pasi shpalli kandidaturën për deputet, Tom Doshi paraqitet në SPAK appeared first on Telegrafi.

Arrestimi i Veliajt, Rama: SPAK përdor metoda të Sigurimit të Shtetit, shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional

20 February 2025 at 10:58

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kritikuar sërish Prokurorinë e Posaçme, për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Komentet Rama i bëri në rubrikën Sy m’Sy në faqen e tij në Facebook, ku tha se në rastin Veliaj ishte shkatërruar jeta e një njeriu për budallallëk profesional të prokurorëve të SPAK.

Kryeministri tha gjithashtu se SPAK ka edhe anë pozitive, por edhe negative dhe sipas tij, kjo strukturë duhet të jetë e pavarur dhe me standarde europiane e profesionale.

Shefi i ekzekutivit shtoi se SPAK nuk mund të hetojë me metoda të Sigurimit të Shtetit, duke nënkuptuar se kryebashkiaku Veliaj ishte hetuar në mënyrë të tillë.

“SPAK ka gjëra negative, por edhe gjëra pozitive. Kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional, është e tepruar. Nuk mund të hetohet me metoda të Sigurimit të Shtetit, synojmë të kemi drejtësi të pavarur dhe të standardeve europiane. Unë uroj të jetë një lajthitje e momentit dhe të ndalet survejimi në territor.

Nuk mund të kthehemi në kohë të errëta, sa kush merret me politikë të survejohet. Drejtësia duhet mbështetur fuqimisht, që të bëjë punën e vet. Secili është në punën e vet, ne kemi punën tonë dhe nuk duhet të ndërhyjmë tek njëri-tjetri. Por, duhet të luftojmë të gjithë për drejtësi profesionale”, tha Rama, shkruan A2 CNN.

The post Arrestimi i Veliajt, Rama: SPAK përdor metoda të Sigurimit të Shtetit, shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional appeared first on Telegrafi.

Rama: Reformën në drejtësi nuk e solli Amerika dhe as nuk e merr dot me vete

20 February 2025 at 10:55

Kryeministri Edi Rama përsëri edhe një herë qëndrimin e tij se Reformën në Drejtësi në Shqipëri nuk e bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke iu përgjigjur komenteve në rrjetet e tij sociale, Rama tha se “drejtësia e pavarur, për aq sa është pavarësuar dhe për aq sa po kontribuon dhe nuk po kontribuon pak në përpjekjen tonë të përbashkët për të ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Evropian, është fryt i vizionit, i vullnetit dhe i përpjekjes titanike të Partisë Socialiste të Shqipërisë”.

“Nuk e solli Amerika dhe Amerika nuk e merr dot me vete sepse jemi ne këtu që e kemi dëshiruar këtë gjë, e kemi shkruar në programet tona qysh kur ishim në opozitë, qysh kur unë udhëhoqa PS në zgjedhjet e para te përgjithshme që i humbëm me një marzh shumë të vogël, po kjo është një histori tjetër. Dhe është fryt i qëndrimit tonë të prerë. Po të ishim ne, i dashur mik, kundër drejtësisë, atëherë ne do të ishim këtu pa asgjë nga këto që shikon dhe komenton sikur i ka bërë Amerika. Jo! Amerika ka dhënë një mbështetje të madhe bashkë me BE në procesin e reformës, por pavarësia dhe qëndrueshmëria e institucioneve të drejtësisë varet vetëm nga vullneti i PS, sepse nëse PS e lëshon këtë llogore, ju e keni parë shumë mirë që të tjerët janë të rreshtuar në llogoren e luftës kundër institucionit të drejtësisë, të kriminalizimit dhe bombardimit të SPAK-ut dhe të drejtuesit të SPAK me gjithfarë lloj shpifjesh, akuzash, shantazhesh, fyerjesh dhe kështu me radhë”, tha Rama.

“Prandaj të jesh i sigurt që drejtësi që i shërben pushtetit të radhës nuk do të ketë sa kohë që PS do jetë në pushtet, me mua në krye ose më tutje, pas 2030 me këdo tjetër që do të marri stafetën. Kur ne të jemi anëtar të BE, kur ne ta vëmë aty në tryezë atë fiksimin tim “Albania” në tryezën e Këshillit Europian. Nuk e di a më kuptove por do më kuptosh duke parë fakte dhe duke çmuar realitetin”, tha ai. /Telegrafi/

The post Rama: Reformën në drejtësi nuk e solli Amerika dhe as nuk e merr dot me vete appeared first on Telegrafi.

SPAK përgjigje në distancë kritikave të Ramës për masa represive e jo proporcionale

19 February 2025 at 13:20

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka reaguar për herë të parë ndaj kritikave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi organin e akuzës për shkelje të standardeve duke abuzuar me dhënien e masës së sigurisë “arrest me burg” për personat që janë nën hetim.

Në përgjigje të deklaratave të kreut të qeverisë, SPAK ka publikuar një sërë të dhënash mbi çështjet penale që po heton, duke theksuar se masa e sigurisë “arrest me burg” nuk zbatohet në mënyrë abuzive.

Sipas të dhënave të SPAK për vitin 2024 janë kryer hetime ndaj 629 personave.

Prej tyre, 236 persona (37.5%) janë hetuar nën masën e sigurisë “arrest me burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
246 persona (39.1%) janë hetuar në gjendje të lirë.
147 persona (23.4%) janë hetuar me masa të tjera sigurie.
Lidhur me të paraburgosurit, SPAK ka publikuar edhe raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vitin 2024:

Numri total i personave në paraburgim është 2,791.
Nga këta, vetëm 270 persona (9.7%) janë të hetuar nga SPAK.
Publikimi i të dhënave si një kundërpërgjigje e Prokurorisë së Posaçme ndaj akuzave për përdorim të tepruar të masës së sigurisë “arrest me burg”, duke argumentuar se veprimet e saj bazohen në ligj dhe në standardet e drejtësisë penale.

The post SPAK përgjigje në distancë kritikave të Ramës për masa represive e jo proporcionale appeared first on Telegrafi.

Dosja ‘Veliaj’, nëna e Ajola Xoxës dhe biznesmeni Gentian Sula paraqiten në SPAK

19 February 2025 at 09:38

Mamaja e Ajola Xoxës, Valbona, është paraqitur mëngjesin e ditës së sotme në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se ajo është thirrur për të dhënë deklarime, lidhur me çështjen që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj vajzës së saj dhe bashkëshortit të vajzës, kryebashkiakut Erion Veliaj.

Po ashtu bëhet me dije se në SPAK është paraqitur edhe biznesmeni Gentian Sula.

Gentian Sula është në mesin e biznesmenëve që janë nën hetim në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi dyshohen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës.

SPAK thotë se ka grumbulluar prova të cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se biznesmenët me masa sigurie, përfshirë Sulën, me veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”. /Telegarfi/

The post Dosja ‘Veliaj’, nëna e Ajola Xoxës dhe biznesmeni Gentian Sula paraqiten në SPAK appeared first on Telegrafi.

Berisha paraqitet sot në SPAK

17 February 2025 at 09:40

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pritet të paraqitet sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i Gjykatës së Posaçme GJKKO-së.

Kryedemokrati do të duhet që të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Kreu i Partisë Demokratike është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike në ambientet rreth SPAK-ut duket se do të jenë të pranishëm edhe këtë herë mbështetës të Berishës. /Telegrafi/

The post Berisha paraqitet sot në SPAK appeared first on Telegrafi.

Nën hetim nga SPAK, opozita kërkon largimin e Klotilda Bushkës nga drejtimi i komisionit të ligjeve

11 February 2025 at 11:38

Është përfshirë nga debati seanca e sotme në komisionin e ligjeve, një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, ku kryetarja e këtij komisioni Klotilda Bushka është pjesë e hetimeve, pasi dyshohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës.

Ka qenë deputeti demokrat Dash Sula i cili i ka kërkuar kryetares që të mos drejtojë komisionin e ligjeve, pasi sipas tij nuk ka as legjitimitetin dhe as moralin për ta drejtuar. Sula ka kërkuar gjithashtu që mbledhjen e sotme të komisionit të ligjeve ta drejtojë Dhurata Çupi.

Në përgjigje të kësaj kërkese të deputetit demokrat, kryetarja Klotilda Bushka tha se ky është komision ligjesh dhe jo një komision hetimor. Sipas saj çështjet që deputeti demokrat ngre do t’i sqarojë në organet përkatëse.

Debati Sula-Bushka

Dash Sula: Unë mendoj që kjo seancë nuk është normale për kom e ligjeve dhe me keqardhjen më të madhe konstatoj që para se të vija këtu në komision, mendova që ju nuk do të ishit duke drejtuar komisionin e ligjeve. Kjo nga morali i një qytetari dhe pastaj nga morali i një politikani të deputetit të Shqipërisë. Unë kam 20 vite në parlament dhe ju kam thënë dhe herë tjetër dhe që është hera e parë përgjatë qeverisjes suaj, që komisionin e ligjeve asnjëherë nuk e ka drejtuar opozita, ndonëse kur ne ishim në mazhorancë, nënkryetari Xhafaj herë pas here drejtonte komisionin e ligjeve dhe baskhëpunimi dhe funksionimi i kom të ligjeve ka qenë i frytshëm.

Ngjarja e djeshme e arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës ka sjellë një situatë të re edhe për komisionin e ligjeve. Unë nuk do të desha të hyj më thellë, por nga pikëpamja e procedurës nuk do të ishte e ndershme që komisionin e ligjeve ta drejtoni ju, ndërkohë që sipas publikimit të materialeve dhe një deklaratë e SPAK-ut del që kryetarja e komisionit të ligjeve ka penguar zbulimin e së vërtetës. Kur kjo ndodh nga kryetarja e komisionit të ligjeve imagjinoni në ç’situatë jemi ne. Thirrini ndërgjegjes dhe nga ky moment të mos ta drejtoni ju komisionin e ligjeve, por zonja Çupi, se ju nuk keni legjitimitetin e moralin për të drejtuar komisionin e ligjeve. Me shumë dashamirësi do tjua kërkoja që do të ishte në nderin tuaj dhe të komisionit të ligjeve të kishim një reagim unifikues për këtë situatë. Mund t’ia lini radhën zonjës Çupi ta drejtojë.

Bushka: Faleminderit zotit Sula. Në lidhje me cështjen që nuk ishte për procedurë më lini t’ju sqaroj se ky është komision ligjesh dhe jo komision hetimor. Jam drejtuesja e komisionit të ligjeve dhe po ushtroj detyrën time. Nëse kam diçka për ta sqaruar do ta sqaroj atje, ku sqarohen çështjet që ngrini. Sa i takon dinjitetit kam qenë e dinjitetshme, jam e dinjitetshmedhe do të vijoj të jem e dinjitetshme.

The post Nën hetim nga SPAK, opozita kërkon largimin e Klotilda Bushkës nga drejtimi i komisionit të ligjeve appeared first on Telegrafi.

Arrestimi i Veliajt, Basha përshëndet vendimin e SPAK-ut: Bashkia e Tiranës një vatër korrupsioni

10 February 2025 at 15:43

Reagimi i parë nga radhët e opozitës për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka ardhur nga kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha.

Basha shprehet në një postim në Facebook se “nën drejtimin e Erion Veliajt dhe me mbështetjen e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një vatër korrupsioni dhe në lavatriçe të parave të pista”.

Kryedemokrati gjithashtu nënvizon se bashkia e kryeqytetit ishte vendosur në shërbim të një grushti të vogël njerëzish dhe jo të qytetarëve.

“Përshëndes vendosmërinë e SPAK për t’i shkuar deri në fund aferave korruptive dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, që shkatërron mirëqenien e familjeve shqiptare. E teksa numri i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, që popullojnë sot bangat e të akuzuarve vetëm rritet, për çdo shqiptar është e qartë, se kryeministri ose është i paaftë për t’u përballur dhe për të ndaluar korrupsionin, që vetëm ai nuk e ka parë në këto vite pranë tij, ose është bashkëpunëtor i të korruptuarve në vjedhjen e miliarda eurove. Në të dyja rastet ai duhet të largohet. Fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit në Shqipëri!”, shkruan Basha. /Telegrafi/

The post Arrestimi i Veliajt, Basha përshëndet vendimin e SPAK-ut: Bashkia e Tiranës një vatër korrupsioni appeared first on Telegrafi.

❌
❌