Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Konfirmohet një tjetër rast i gripit të shpendëve në Durrës

By: V K
17 March 2025 at 11:52

Ditën e sotme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka informuar se është konfirmuar një tjetër rast i pranisë së sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1), në një stabiliment mbarështimi dhe prodhimi shpendësh në zonën e mbrojtjes së karantinuar në fshatin Maliq Muҫo, Durrës.

Shërbimi veterinar rajonal së bashku me perfaqësues së MBZHR, janë paraqitur menjëherë në subjekt për tu njohur me gjendjen shëndetësore të shpendëve, duke konstatuar 1848 shpendë të ngordhur.

Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet përkatëse të varësisë kanë marrë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit për vendosjen e stabilimentit në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare, të cilat janë dërguar dhe analizuar brenda ditës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Pas konfirmimit nga ISUV për rezultatin pozitiv të analizimit, në MBZHR është thirrur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve edhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, Ministrisë për Pushtetin Vendor dhe Institutit të Shëndetit Publik.

Njoftimi i Ministrisë:

Janë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 200 datë 3.3.2025 dhe Urdhri 240, datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.

Njoftojmë fermerët dhe mbarështuesit e cilësdo lloj specieje shpendësh se vijon të jetë e ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit Nr. 240 datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:

Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

Lejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë sipas tabelës 4, të shtojcës 5, të Urdhrit Nr. 177, datë 28.3.2023 “Për miratimin e Programit Kombëtar të Mbikëqyrjes së Influencës Aviare”, vetëm me autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj Sëmundjes së Influencës Aviare dhe të jenë shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

Shërbimi Veterinerar Rajonal po mbikqyr dhe monitoron nëpërmjet gjurmimit dhe kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV.

Vetëm ditën e sotme janë monitoruar 211 ferma me 2958 krerë nga 5 grupe Veterinerësh Zyrtarë të Kontrollit të pranishëm në terren. Gjithashtu, është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët dhe shpendërritësit në të gjithë vendin të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.

Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: info@akvmb.gov.al dhe evitimi i kontaktit me shpendët e dyshuar.

The post Konfirmohet një tjetër rast i gripit të shpendëve në Durrës appeared first on Albeu.com.

Gripi Shpendëve/ Autoritetet veterinare e mbajtën të fshehur, zbulohet një vatër e re në Gjirokastër

By: Oldi
14 January 2025 at 10:46

Një tjetër vatër e gripit të shpendëve është zbuluar 5 ditë më parë në fshatin Valarë në Gjirokastër. Autoritetet veterinare e kanë mbajtur të fshehtë dinamikën e kësaj ngjarjeje, ndërkohë raportohet se mbi 20 pula janë groposur në këtë fshat. Vetëm para disa ditësh (10 janar 2025) Ministria e Bujqësisë me anë të një deklarate […]

The post Gripi Shpendëve/ Autoritetet veterinare e mbajtën të fshehur, zbulohet një vatër e re në Gjirokastër appeared first on BoldNews.al.

Ndërron jetën personi i parë në SHBA nga gripi i shpendëve

By: user7
7 January 2025 at 07:44

Një person nga Luiziana, i cili ishte shtruar në spital me simptoma të rënda për frymëmarrjen, vdiq nga gripi i shpendëve duke u bërë rasti i parë në Shtetet e Bashkuara që humb jetën nga sëmundja.

Zyrtarët e shëndetësisë të Luizianës njoftuan për vdekjen të hënën dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmuan se ishte e para në vend për shkak të gripit të shpendëve.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se personi ishte mbi 65 vjeç, kishte probleme të mëdha me shëndetin dhe kishte qenë në kontakt me shpendë të sëmurë dhe të ngordhur në oborrin e shtëpisë së tij.

Ata gjithashtu thanë se një analizë gjenetike kishte lënë të kuptohej se virusi i gripit të shpendëve kishte pësuar mutacion në organizmin e pacientit, gjë që mund të ketë shkaktuar një rast më të rëndë sëmundjeje.

Që nga marsi, në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar 66 raste infeksioni me gripin e shpendëve, por rastet e mëparshme kanë qenë të lehta dhe shumica janë zbuluar në mes të fermerëve të ekspozuar ndaj lopëve të sëmura, ose shpendëve.

Një vdekje nga gripi i shpendëve nuk ishte e papritur, thanë ekspertët e virusit. Që nga viti 2003, ka pasur më shumë se 950 infeksione të konfirmuara të gripit të shpendëve në shkallë globale, dhe më shumë se 460 prej tyre kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Virusi i gripit të shpendëve “është një kërcënim serioz dhe historikisht ka qenë një virus vdekjeprurës”, tha Jennifer Nuzzo, drejtore e Qendrës për Pandeminë në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universitetit Brown.

Studiuesit po punojnë për të vlerësuar rreziqet e versionit aktual të virusit dhe të përcaktojnë se çfarë e bën atë të jetë më i rëndë tek disa njerëz sesa tek të tjerët, tha ajo.

Në një deklaratë, zyrtarët e CDC-së thanë se vdekja në Luizianë është tragjike, por gjithashtu thanë se “nuk ka ndryshime virologjike shqetësuese … që rrisin rrezikun për shëndetin e njeriut”./ VOA

The post Ndërron jetën personi i parë në SHBA nga gripi i shpendëve appeared first on Lapsi.al.

Gripi i shpendëve, MBZHR: Monitorim në 2304 ferma për izolim dhe parandalim të rasteve

4 November 2024 at 10:03

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur se, situata e gripit të shpendëve është nën monitorim dhe kontroll, nga zinxhiri institucional, për zbulimin dhe kufizimin e hershëm të përhapjes së virusit H5N1.

Sipas MBZHR-së, përgjatë fundjavës, në datat 30 tetor – 3 nëntor 2024, grupe ditore me përbërje të 7 veterinerëve zyrtarë të shërbimit dhe kontrollit, janë angazhuar në terren, sipas përcaktimeve të perimetrit të zonës së mbrojtjes dhe mbikëqyrjes  për inventarizimin dhe monitorimin klinik të 2304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme.

MBZHR njoftoi se në kuadër të monitorimit të Influencës Aviare, menjëherë  mbas shpalljes “alert” nga Laboratori i Referencës – ISUV,  Shërbimi Veterinar Zyrtar në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla” filloi monitorimin e fermave brenda zonës se mbrojtur në Njësinë Administrative Mëzez, Kashar, Tiranë, dhe bazuar në Planin e Kontingjencës sipas Urdhrit të Ministrit “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare” ka kontrolluar lëvizjen e shpendëve të gjallë, në zonën e konfirmuar pozitive, në të cilën janë marrë kampione nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, për t’i analizuar ato në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

MBZHR informon, se nga data 30 tetor deri në 3 nëntor 2024, në ISUV kanë mbërritur dhe janë analizuar 90 mostra zyrtare, të cilët janë testuar me metodën e akredituar dhe të avancuar molekulare RT-PCR. Laboratori i Referencës – ISUV, është përgjegjës për  testimin e kampioneve lidhur me Influencën Aviare, ka marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur situatës emergjente, duke ofruar kapacitet laboratorik dhe teknik për analizimin e  çdo kampioni të ardhur brenda 24 – 48 orëve, me qëllim përgjigjen e shpejtë të strukturave përgjegjëse në zbatimin e masave, lidhur me izolimin e rastit dhe parandalimin e përhapjes se infeksionit.

MBZHR thekson se, kampionet në njerëz të marra  janë testuar nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe kanë rezultuar negative. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunon ngushtë me Institutin e Shëndetit Publik, i cili po kryen një survejancë të përforcuar për infeksionet respiratore në zonën e fermës së prekur nga sëmundja, përkatësisht, për zbulimin në kohë dhe marrjen e masave kundër virusit H5N1.

“Masat kufizuese dhe parandaluese do të jenë në fuqi deri në përfundimin e afatit të karantinës, si dhe Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës do të vazhdojnë koordinimin dhe funksionin e tyre deri në mbylljen e rasteve, pa rekurenca”, njofton MBZHR. /j.p/

The post Gripi i shpendëve, MBZHR: Monitorim në 2304 ferma për izolim dhe parandalim të rasteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulohet një vatër e gripit të shpendëve në Tiranë/ Varianti i rrezikshëm që kalon tek njerëzit dhe shkakton…

2 November 2024 at 14:38

Analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë kanë identifikuar një variant të rrezikshëm të gripit të shpendëve, i cili mund të kalojë edhe tek njerëzit dhe të shkaktojë infeksione serioze.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (AKVMB) ka konfirmuar praninë e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një fermë familjare në fshatin Mëzez të Tiranës.

“Për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren, mëngjesin e sotëm, përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar,” thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë.

“Shërbimi Veterinar mbikëqyri dhe monitoroi, nëpërmjet kampionimit, edhe ferma të tjera të vogla familjare, të pranishme në zonën e mbrojtjes dhe të mbikëqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV,” shtohet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë informoi se shërbimi veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.

“Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut,” theksoi Ministria e Bujqësisë.

H5N1 është një nga viruset e gripit që shkakton sëmundje respiratore tek shpendët dhe mund të transmetohet duke shkaktuar sëmundje edhe tek njerëzit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infeksioni nga virusi i gripit të shpendëve (H5N1) mund të shkaktojë një gamë të gjerë sëmundjesh tek njerëzit, nga të lehta deri te të rënda, dhe në disa raste mund të jetë edhe vdekjeprurës.

Që nga viti 2003 janë regjistruar afërsisht 900 raste të infektimit të njerëzve, gjysma e të cilave kanë qenë vdekjeprurëse. Varianti H5N1 i influencës është zbuluar në vitin 1996 dhe që nga ai vit janë identifikuar shpërthime dhe vatra të ndryshme. Që nga viti 2020, një variant i këtij virusi ka shkaktuar ngordhje masive të zogjve të egër në Afrikë, Azi dhe Europë. Që nga viti 2022, janë raportuar raste në rritje të H5N1 edhe mes gjitarëve.

Sipas OBSH-së, pothuajse të gjitha rastet e transmetimit të këtij virusi tek njerëzit janë regjistruar kur këta të fundit kanë qenë të ekspozuar në kontakt me zogj të ngordhur ose mjedise të infektuara me H5N1. OBSH thekson se vezët dhe mishi nga zona të infektuara me H5N1 mund të konsumohen, por duhet të përgatiten në mënyrë të duhur, ndërsa qumështi duhet të jetë i pasterizuar.

Në një sondazh të Universitetit të Këlnit në Gjermani, i publikuar në prill 2024 – ku morën pjesë 187 shkencëtarë, 57% mendojnë se gripi i shpendëve mund të jetë burimi i pandemisë së ardhshme globale./BIRN

The post Zbulohet një vatër e gripit të shpendëve në Tiranë/ Varianti i rrezikshëm që kalon tek njerëzit dhe shkakton… appeared first on Sot News | Lajme.

Zbulohet një vatër e gripit të shpendëve në Kashar, MBZHR: Janë marrë masat e izolimit, situata nën kontroll

2 November 2024 at 11:01

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pas prezencës së gripit të shpendëve, Influencës Aviare (H5N1), në një fermë oborri familjar në Mëzez, të Kasharit, ka marrë të gjitha masat dhe njofton se situata është nën kontroll.

MBZHR njofton se pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për prezencën e kësaj sëmundjeje, është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës, e cila zhvilloi takimin e parë dhe parashtroi detyrat operacionale.

Sipas MBZHR-së, ekspertët e MBZHR dhe AKVMB kanë inspektuar nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në fshatin Mëzez. Shërbimi Veterinar vijon të mbikëqyrë dhe monitorojë nëpërmjet kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare rreth kësaj zone, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës, ISUV.

Ndërkohë është në fuqi Urdhri i ministrit “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare”, i cili përcakton modalitetet e mbajtjes nën kontroll të sëmundjes.

Gjithashtu Shërbimi Veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit, teksa është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.

MBZHR njofton se, janë informuar fermerët, mbarështuesit e shpendëve të çdolloj specieje, se është ndaluar lëvizja, tregtimi dhe shitja e shpendëve nga fermat e zonave të bashkive Tiranë, Vorë dhe Kamëz.

Ministria udhëzon shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.

MBZHR u bën apel fermerëve që për çdo rast dyshimi të komunikojnë menjëherë me shërbimin veterinar rajonal.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se situata e garantimit të zinxhirit të sigurisë ushqimore është nën kontroll. Deri më tani nuk ka prova epidemiologjike dhe shkencore se ky virus transmetohet nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë shtazore dhe rekomandohet që konsumi i këtyre produkteve të bëhet pas trajtimit termik, me temperaturë të larta mbi 75 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e MBZHR-së.

/r.e/

The post Zbulohet një vatër e gripit të shpendëve në Kashar, MBZHR: Janë marrë masat e izolimit, situata nën kontroll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌