Berisha: Mobilizim i opozitës për të rikthyer votën e lirë
TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet u ndal sot tek procesi elektoral në diasporë ku theksoi se “zgjedhjet u manipuluan”.
Berisha tha se “dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë”.
“Shtetëzimi dhe manipulimi i votës së shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që kësaj here me një përfaqësi prej 340 mijë vetësh zgjodhën të votojnë, është një goditje e rëndë e idealeve të lirisë së shqiptarëve, e përpjekjeve të tyre madhore për të qenë së bashku, pavarësisht se ku jetojnë, për të gëzuar të drejtat kushtetuese të vendit të origjinës”, u shpreh Berisha.
Berisha tha ndër të tjera në fjalën e tij se ka besim se diaspora do të angazhohet kundër qeverisë dhe do të kontribuojë në rivendosjen e të drejtës së votës së qytetarëve shqiptarë.
“PD në betejën e saj, në luftën e saj për votën e lirë të shqiptare, ka besimin më të madh se diaspora shqiptare do të mobilizohet dhe angazhohet me të gjithë forcën, potencialin e saj, kundër narkodiktaturës në Shqipëri dhe do japë kontributin e madh në rivendosjen e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që janë.
“Ftoj qytetarët shqiptarë që kanë votuar që të përgatiten për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti si një ndëshkim i merituar për krimin monstruoz që kreu ndaj atyre dhe vendit dhe për rikthimin e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha publikoi disa video për të cilat tha se janë “dëshmi e manipulimit të votave të diasporës”.
Kreu i PD-së tha se “jemi në fazën e dokumentimit të farsës, më pas do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha tha se “vendi nuk mund të ketë opozitë të vërtetë pa rikthyer votën e lirë”.
“Ka vetëm një objekt tani, shqiptarët duhet të votojnë të lirë. Opozitë të vërtetë pa rikthyer votën e lirë, vendi nuk mund të ketë. Nuk mund të jetë opozitë e vërtetë ajo e cila pajtohet me këtë situatë. Ndaj dhe opozita do mobilizojë të gjithë potencialet e saj t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë”, u shpreh Berisha.
/m.q/j.p/
The post Berisha: Mobilizim i opozitës për të rikthyer votën e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.