Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Lidhja e Bizneseve: ZRRE të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë

5 August 2025 at 07:51

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve, është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore. Qasja e deritashme e ZRRE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit.

“LBK shpreh keqardhje që ZRRE dhe Qeveria kanë ndërmarrë një vendim pa konsultime të thelluara, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa ndonjë plan kalimtar të qartë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji për sektorin privat.

Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, edhe gjykata kompetente ka vlerësuar se ky vendim është kundërshtim më legjislacionin dhe ka urdhëruar pezullimin e tij, çka e bën të pakuptimtë këmbënguljen për zbatimin e tij nga ana e ZRRE-së.

LBK kërkon që ky vendim të rishikohet me urgjencë dhe që të ndërmerren masa konkrete për të ndaluar zbatimin e tij deri në një analizë të plotë gjithëpërfshirëse, të hartuar në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe partnerët institucionalë.

“Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe një qasje të arsyeshme në raport me një çështje kaq jetike për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/

The post Lidhja e Bizneseve: ZRRE të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë appeared first on Telegrafi.

Paqartësi dhe heshtje: Bizneset kanë rrymë por s’dinë kush ua sjell, ZRRE-ja s’flet

1 August 2025 at 23:43

Ndonëse nuk janë shkyçur përkundër tejkalimit të afatit për furnizim të përkohshëm nga KEK, bizneset e mëdha, pa kontrata, nuk e dinë se na kush po furnizohen. Derisa paqartësitë vazhdojnë në mungesë të informacioneve zyrtare, sipas llogaritjeve të Odës Ekonomike dëmi ditor në faturat e rrymës, si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të Komerciales, është 328 mijë euro.

As në ditën e dytë nga përfundimi i periudhës 60-ditore të furnizimit të përkohshëm nga KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, bizneset e mëdha, që nuk kanë kontrata, nuk e dinë se nga kush po e marrin rrymën.

Në heshtje dhe pa njoftim për të ardhmen e procesit të hapjes së tregut, ata nuk janë shkyçur, përkundër tejkalimit të afatit.

Duke vënë në pah paqartësitë në mungesë të njoftimit zyrtar, në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë vazhdimin e furnizimit e lidhin me aktgjykimin e Gjykatës Komerciale, në të cilin thuhet se “anulohet në tërësi” vendimi i ZRRE-së për hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha.

“Çka ka ndodhë tash? Tash nuk e di askush çka është duke u bë, do të thotë shkyçje nuk ka, sepse vendimi nuk e lejon një gjë të tillë, derisa të dalë vendimi final”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Duke mirëpritur aktgjykimin dhe duke kërkuar hetime për procesin, Ahmeti e vlerësoi të çuditshme, siç u shpreh, “mbylljen e ZRRE-së pas krekosjes se kanë të drejtë deri në ditën e publikimit të aktgjykimit”

“Kam pritur që ZRRE-ja, së pari, të dalë menjëherë dhe ta sqarojë në publik e jo të fshihet në zyrë tash, e jo me nejtë gjithë ditën mbyllë nëpër mbledhje. Por të dalë prej momentin që e ka marrë aktgjykimin e gjykatës dhe ta sqarojë në publik, me ua dërgua edhe njoftimet kompanive që i ka qitë padrejtësisht, por edhe vetë kompanive që janë në proces më u thënë duhet ta stoponi këtë punë”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Duke përmendur pasojat financiare, Oda Ekonomike përsëriti kërkesën ndaj ZRRE-së për pezullim të procesit, duke thënë se ai vendim do të përbënte “akt patriotik”.

“Bazuar në të dhënat preliminare, konsumi vjetor i bizneseve të përfshira në tregun e lirë vlerësohet të jetë rreth 550 GWh. Me çmimet aktuale të ofruara në tregun e lirë, kjo përkthehet në një kosto minimale prej rreth 120 milionë euro në vit. Nga kjo rezulton një dëm mesatar prej rreth 328 mijë euro në ditë, respektivisht rreth 10 milionë euro në muaj, si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale nga ZRrE“, ka thënë Oda Ekonomike e Kosovës.

Më 30 Korrik u publikua një aktgjykim i Gjykatës Komerciale që e shpalli të jashtëligjshëm dhe e anuloi në tërësi njoftimin e ZRRE-së për nxjerrjen bizneseve në tregun e hapur nga 1 Qershori.

Megjithatë, As ZRRE, KEK e as KESCO nuk janë përgjigjur për këtë çështje./RTV Dukagjini

The post Paqartësi dhe heshtje: Bizneset kanë rrymë por s’dinë kush ua sjell, ZRRE-ja s’flet appeared first on Telegrafi.

Vendimi i ZRRE-së i pezulluar nga gjykata, Vokshi: Furnizuesit nuk mund të penalizojnë bizneset

1 August 2025 at 19:18

Krenare Vokshi, avokate e cila aktualisht është këshilltare e jashtme e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka folur  rreth vendimit të ZRRE-së për hyrjen në treg të lirë të energjisë për bizneset.

Avokatja Vokshi ka deklaruar se Gjykata Komerciale, përmes aktgjykimit të saj të datës 29 korrik, e ka trajtuar me seriozitet të plotë çështjen e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë.

Sipas saj, gjykata jo vetëm që e ka pezulluar me efekt të menjëhershëm zbatimin e vendimit të ZRRE-së, por ka konstatuar gjithashtu se ky vendim ishte i kundërligjshëm si në përmbajtje, ashtu edhe në formë.

“Ajo që vlen të theksohet është se përmes këtij aktgjykimi është anuluar pika e katërt e vendimit të ZRRE-së që parashihte daljen automatike në treg të lirë”, ka thënë ajo në emisionin FIVE.

“Moszbatimi i një aktgjykimi në këtë rast përbën vetë shkelje, pra është vepër penale. Pezullimi e ka efektin e menjëhershëm, që natyrisht duhet ta kenë parasysh të gjitha bizneset. Gjithashtu, për sa kohë që ky aktgjykim është në fuqi – sepse nuk është i përjetshëm, por për një kohë të caktuar – furnizuesit nuk mund të marrin masa penalizuese ndaj bizneseve që nuk e pranojnë furnizimin me çmimet e tregut. Kjo përfshin edhe ndalimin e çdo kërcënimi për ndërprerje të energjisë elektrike… pezullimi mbetet në fuqi”, ka thënë ndër të tjera Vokshi.

The post Vendimi i ZRRE-së i pezulluar nga gjykata, Vokshi: Furnizuesit nuk mund të penalizojnë bizneset appeared first on Telegrafi.

Mustafa: Qeveria në detyrë po përkrah veprimet e ZRrE-së në kundërshtim me ligjin dhe interesin e ekonomisë

31 July 2025 at 19:09

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar ndaj sjelljes së Qeverisë dhe ministrave në detyrë, të cilët, sipas tij, po veprojnë pa asnjë kontroll parlamentar dhe pa përgjegjësi institucionale.

Ai ka kritikuar përkrahjen që kjo qeveri po i jep Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ta imponuar tregun e lirë të energjisë, pavarësisht vendimeve të gjykatave dhe dëmeve serioze që po i shkaktohen sektorit privat.

“ZRrE nuk ka kompetencë të vendosë për tregun e lirë, siç po pretendon ministrja e Ekonomisë. Këto vendime duhet të bazohen në ligj dhe në vendimet e gjykatave, që mbrojnë të drejtat e bizneseve, punëtorëve të tyre, investimeve dhe qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe konkurrencës,” u shpreh Mustafa.

Sipas tij, Ligji parasheh kalimin në treg të lirë vetëm kur ekzistojnë kushte të favorshme për konkurrencë të ndershme dhe përfitime për sektorin privat – jo në dëm të tij.

“Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj një qasjeje shkatërruese”.

“Shteti varet nga fuqia e ekonomisë. Çfarë mbetet nga shteti nëse ia rrënojmë edhe këtë ekonomi?”, përfundoi Mustafa.

The post Mustafa: Qeveria në detyrë po përkrah veprimet e ZRrE-së në kundërshtim me ligjin dhe interesin e ekonomisë appeared first on Telegrafi.

ZRRE thirrje bizneseve në Kosovë: Gjeni furnizues ose nga sot do t’iu ndërpritet energjia elektrike

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/- Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) rithekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.

ZRRE ka deklaruar se nga dita e sotme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

Sipas një njoftimi të ZRRE-së, ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

“Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar”, thuhet në deklaratë duke shtuar se furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) ka përfunduar më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative.

Po ashtu, ZRRE u bën thirrje të gjithë  konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

“ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane”, thuhet në fund të njoftimit.

Një ditë më parë bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Bizneset vendore kanë shprehur shqetësim të thellë për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik, i cili sipas tyre rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend, transmeton KosovaPress.

The post ZRRE thirrje bizneseve në Kosovë: Gjeni furnizues ose nga sot do t’iu ndërpritet energjia elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë

By: redi
30 July 2025 at 20:40

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike. Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendimi përfundimtar për këtë çështje. Në vendimin e publikuar më 30 korrik, lidhur me padinë e ngritur nga Proex kundër ZRRE-së, Gjykata Komerciale po ashtu vendosi…

Source

Gjykata Komerciale e Kosovës pezullon vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë

By: M C
30 July 2025 at 20:48

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike. Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Në vendimin e publikuar më 30 korrik, lidhur me padinë e ngritur nga Proex kundër ZRRE-së, Gjykata Komerciale po ashtu vendosi që të anulojë njoftimin e lëshuar nga ZRRE-ja më 12 mars, përmes së cilit njoftonte kompanitë për dalje në tregun e lirë, duke e cilësuar si të kundërligjshëm.

“Të gjithë konsumatorët që sipas njoftimit të paditurës [ZRRE-së] do të dalin ne treg të lirë për t’u furnizuar me energji elektrike, janë njoftuar për një ndryshim me rëndësi kaq të lartë vetëm 2 muaj e gjysmë paraprakisht. E paditura, përveç faktit që ka dështuar qe këtë çështje ta rregullojë përmes aktitadministrativ, duke ju ofruar palëve arsyetimin, bazën ligjore, këshillën juridike si dhe çështjet e tjera me rendësi për një tranzicion të tillë, ka dështuar që fillimisht të ju ofroj konsumatorëve informata të nevojshme dhe jetike për këtë proces”, u tha në vendimin e Gjykatës.

Gjykata Komerciale tha se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të “bazuar në një interpretim të gabuar” të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas gjykatës ZRRE-ja i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët, që sipas ligjit, plotësojnë të paktën një nga kriteret e kërkuara për dalje në treg të lirë.

“Rrjedhimisht, vendimi dhe njoftimi i të paditurës janë të kundërligjshme, si për nga përmbajtja ligjore ashtu edhe për nga forma procedurale, duke u bazuar në interpretim të pasaktë të dispozitave dhe zbatim të gabuar të normave në dëm të konsumatorëve”, tha Gjykata Komerciale, e cila po ashtu ka anuluar pikën 4 të vendimit të ZRRE-së, me të cilin, konsumatorët fundorë kanë të drejtë të furnizohen me energji elektrike në tregun konkurrues.

Vendimi i Komerciales vjen disa orë pasi Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi se nga 31 korriku do të nisë shkyçjen nga rrjeti i të gjitha bizneseve që nuk kanë një kontratë me ndonjë furnizues të licencuar për rrymë dhe që deri më tani janë furnizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).

Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale, duke e vlerësuar si vendim të rëndësishëm dhe që konfirmon shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe nga kjo odë “lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi”.

“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRRE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike. ZRRE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, Oda Ekonomike Amerikane i bëri thirrje ZRRE-së që “të shfuqizojë menjëherë vendimin e saj të kontestuar për liberalizimin e tregut të energjisë”.

“Aktgjykimi i sotëm, por edhe ato të para disa javëve, konfirmojnë shqetësimet e ngritura nga bizneset dhe Oda Amerikane, duke theksuar më tej të metat procedurale dhe substanciale në procesin e liberalizimit. Pasiguria juridike e krijuar muajve të fundit ka shkaktuar konfuzion të jashtëzakonshëm në mesin e bizneseve, duke minuar parashikueshmërinë rregullative dhe duke cenuar planifikimin operativ”, tha kjo Odë.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë në treg të hapur dhe furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga shteti. Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu. Kompanitë që nuk kanë siguruar kontrata për furnizim, deri më 31 korrik, sipas ligjit, mund të furnizohen nga KEK-u./ REL

The post Gjykata Komerciale e Kosovës pezullon vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë appeared first on Albeu.com.

Tregu i lirë energjetik, Hoti: Pasojat do të jenë të mëdha për bizneset

30 July 2025 at 13:26

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo gjendje është e pakuptimtë.

“Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve. Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë”, ka shkruar Hoti.

Tutje ai the se si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun e vendit.

“Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Ndërkaq, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro më 31 korrik që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

Kështu thanë për Telegrafin nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Nga ZRRE theksuan se nuk ka mundësi që të shtyhet vendimi pasi kjo është obligim ligjor dhe nuk mund të shtyhet në bazë të kërkesave të palëve. /Telegrafi/

The post Tregu i lirë energjetik, Hoti: Pasojat do të jenë të mëdha për bizneset appeared first on Telegrafi.

Bizneset paralajmëron veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për tregun e lirë energjetik

30 July 2025 at 09:57

Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.

“Nëse ZRRE nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda”, thuhet në njoftim.

Bizneset anëtare të DHTIK paralajmërojnë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë.

“Andaj edhe njëherë kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit në çdo proces që ndikon në funksionimin e tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Bizneset paralajmëron veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për tregun e lirë energjetik appeared first on Telegrafi.

OEK: Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera

14 July 2025 at 11:28

Gjykata Komerciale ka marrë aktvendimin për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për pesë kompani të tjera për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Lajmi është bërë i ditur nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila theksoi se këto kompani kanë ushtruar padi individuale ndaj vendimit të ZRrE-së, duke ndjekur rrugën ligjore të paraparë nga legjislacioni aktual.

“Siç kemi theksuar edhe më herët, legjislacioni në fuqi nuk parasheh padi grupore ose kolektive, andaj vetëm paditë individuale janë duke u trajtuar dhe pranuar nga gjykata.  Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi,” thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike.

Në reagimin e saj, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për detyrimin e bizneseve të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të dëmtojë konkurrencën, të rëndojë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, si dhe të godasë ekonominë e vendit. /Telegrafi/

 

The post OEK: Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera appeared first on Telegrafi.

Konfuzion ligjor për vendimin e ZRRE-së, gjykatat me vendime të ndryshme – bizneset kërkojnë drejtësi

13 July 2025 at 21:39

Derisa Gjykata Komerciale aprovoi kërkesën për masë sigurie, respektivisht pezullim të vendimit të ZRRE-së për hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha, Rregullatori nuk i sheh aktvendimet në raste individuale si precedent. Ndërkohë, kërkesa për masë sigurie nga përfaqësues të bizneseve në tërësi u refuzua nga Gjykata Themelore. Sidoqoftë, krahas asaj kolektive, beteja vazhdon me padi individuale në Gjykatën Komerciale.

Vendime të kundërta lidhur me kërkesën për masë sigurie ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha, kanë nxjerrë gjykata të ndryshme në vend.

Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore, refuzoi dy kërkesa të Odës Ekonomike dhe Shoqatës së Prodhuesve në emër të bizneseve, si dhe të PDK-së për masë sigurie.

Ndërsa, Gjykata Komerciale ka aprovuar masën e sigurisë ndaj vendimit të ZRRE-së në disa raste individuale të padive të bizneseve që preken nga procesi, duke e pezulluar atë deri në aktgjykimin përfundimtar.

Rregullatori, që refuzon ta pezullojë vendimin në tërësi duke mos i konsideruar aktvendimet individuale si precedent të përgjithshëm, nuk lëvizi nga qëndrimi.

“Jo, këto Aktvendime nuk krijojnë precedent për të gjithë procesin dhe nuk kanë efekt të përgjithshëm. Çdo vendim për masë të sigurisë ka efekt vetëm për palët përkatëse në procedurë. Vendosja e masës së sigurisë kërkon parashtrim të veçantë dhe individual të kërkesës për pezullim dhe shqyrtohet në bazë të rrethanave të veçanta të secilit rast nga Gjykata”.

Në Shoqatën e Prodhuesve, kërkesa e të cilëve për pezullim të vendimit në emër të bizneseve si tërësi u refuzua, këmbëngulin se Rregullatori duhet të pajtohet për pezullim pasi paditë individuale po vazhdojnë.

“Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative, kemi marrë dje njoftimin që e ka refuzua masën pezulluese, por nuk e ka refuzua padinë. Ne do të vazhdojmë me Gjykatën e Apelit dhe tutje qëllimi ynë ka qenë për një vendim për procesin në tërësi, ndërkohë ne jemi duke vazhdua me të gjitha bizneset edhe paditë individuale. Paditë individuale po pezullohen nga Gjykata Komerciale”, ka deklaruar Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve.

Ai sqaroi se për shkaqe ligjore padia bashkë me OEK-un u adresua në Themelore pasi u bë në emër të bizneseve, teksa ato individuale kanë adresë Komercialen.

Ndërsa u shpreh i bindur se institucionet e drejtësisë do t’u japin të drejtë në të gjitha paditë.

“Të jemi të qartë, edhe pse kemi shkua si grup, ne individualisht të gjitha bizneset janë duke dorëzua lëndë individuale, ne jemi duke pritë dhe çdo ditë po marrim përgjigje për rastet individuale që po pezullohen. Ky rast nuk nënkupton që po i dëmton bizneset në paditë individuale. Paditë individuale janë duke vazhdua, do të vazhdojnë deri te padia e fundit ku do të fitojmë rastin”, ka theksuar Ajvazi.

Nga 1 Qershori, rreth 1300 biznese me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, janë nxjerrë në tregun e hapur të energjisë elektrike përkundër protestave dhe kërkesës së përsëritur për shtyrjen e procesit për një vit, me qëllim përgatitjen e tregut dhe bizneseve./RTV Dukagjini

The post Konfuzion ligjor për vendimin e ZRRE-së, gjykatat me vendime të ndryshme – bizneset kërkojnë drejtësi appeared first on Telegrafi.

Aktvendimi i fundit i Komerciales, OEK me thirrje ndaj ZRrE-së për pezullim të vendimit për të gjitha bizneset

4 July 2025 at 16:46

Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se aktvendimi i fundit nga Gjykata Komerciale që pezullon vendimin e ZRrE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për një anëtar të Odës duhet të shërbejë si argument i fortë për ZRrE-në që të rishqyrtojë tërësisht dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset.

OEK i bën thirrje ZRrE-së që siç thonë “pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë”.

“Gjithashtu ju njoftojmë se të hënën, përmes Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera të cilat po ashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRrE”.

Oda Ekonomike e Kosovës thekson më tej se mbetet e përkushtuar në mbështetjen ligjore të bizneseve dhe do të vazhdojë me ngritjen e padive përmes bashkëpunëtorëve të saj ligjorë dhe zyrës së juristëve të themeluar brenda OEK.

The post Aktvendimi i fundit i Komerciales, OEK me thirrje ndaj ZRrE-së për pezullim të vendimit për të gjitha bizneset appeared first on Telegrafi.

Ankesat e bizneseve për tregun e lirë energjetik, deklarohet Kurti

2 July 2025 at 22:35

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke theksuar se nuk beson që ky vendim do të shkaktojë probleme siç është paraqitur nga disa palë.

“Bëhet fjalë për një vendim të vitit 2016, i cili është dashur të zbatohet, dhe prek vetëm rreth 1 për qind të kompanive që do të kenë mundësinë të nënshkruajnë kontrata për blerje të energjisë. Furnizuesi i fundit mbetet KEK-u dhe nuk besoj se do të ketë probleme siç është trumbetuar,” tha Kurti në një intervistë për Tëvë1.

Megjithatë, vendimi i ZRRE-së ka hasur në kundërshtime të forta nga komuniteti i biznesit dhe kompanitë vendore.

Ditë më parë, Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative, ka marrë aktvendime në lidhje me anulimin e këtij vendimi, më 25 qershor 2025.

Bizneset vazhdojnë të paraqesin padi kundër ZRRE-së, ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se funksionon një zyrë e posaçme për përpilimin e padive kundër këtij vendimi.

Kjo zyrë ofron mbështetje ligjore për bizneset e prekura dhe po shënon interesim të lartë nga kompanitë që kërkojnë ndihmë për kontestimin ligjor.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut është shoqëruar me shkelje procedurale dhe substanciale, të evidentuara edhe nga institucionet evropiane.

Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësime të thella për zbatimin e këtij procesi, duke u bazuar në aktvendimet e fundit gjyqësore që kanë pezulluar ekzekutimin e vendimeve të ZRRE-së.

Në shenjë pakënaqësie, bizneset kishin organizuar edhe protesta kundër vendimit të ZRRE-së, duke argumentuar se ky hap do të rëndojë ekonominë e vendit.

The post Ankesat e bizneseve për tregun e lirë energjetik, deklarohet Kurti appeared first on Telegrafi.

OEK letër Kurtit, bizneset kërkojnë shtyrjen e kalimit në tregun e lirë të energjisë

25 June 2025 at 13:49

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në emër të komunitetit të bizneseve dhe të gjitha shoqatave përfaqësuese, i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes së cilës shpreh shqetësimin serioz për vendimin e qeverisë për kalimin e kompanive kosovare në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera bëhet e ditur se një vendim i tillë, i zbatuar pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa mekanizma mbrojtës, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe transportit.

“Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lirë pa përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do të përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje të vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zinxhirët furnizues dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në letrën e OEK-ut.

Tutje OEK kërkon nga Qeveria që me urgjencë të shqyrtojë shtyrjen e këtij vendimi, duke e konsideruar si të domosdoshme një qasje më graduale dhe të koordinuar me sektorin privat.

“Ne, përfaqësuesit e bizneseve në Republikën e Kosovës, besojmë fuqishëm se do të ishte shumë e dobishme që Qeveria e Kosovës të merr si model strategjinë e re industriale të Mbretërisë së Bashkuar si një pikë kthese, duke ia dhënë përparësi uljes së kostove të energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi. Si rezultat i problemeve ekonomike globale, një fokus i kësaj strategjie është pikërisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe me kosto efektive të energjisë, sepse një qasje e tillë është thelbësor për të nxitur investimet, për të krijuar vende pune dhe për të rritur kapacitetet konkurruese të ekonomisë sonë”, thuhet tutje në letër.

Sipas OEK-ut, kjo qasje afatgjatë dhe e koordinuar me sektorin privat do t’i japë bizneseve sigurinë e nevojshme për t’u zhvilluar në mënyrë të sigurt nga njëra anë dhe nga ana tjetër, duke mbrojtur njëkohësisht qytetarët nga rritja e çmimeve. /Telegrafi/

The post OEK letër Kurtit, bizneset kërkojnë shtyrjen e kalimit në tregun e lirë të energjisë appeared first on Telegrafi.

Oda Amerikane kërkon nga ZRRE të pezullojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë pas aktvendimeve gjyqësore

25 June 2025 at 13:17

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në të paktën dy raste të ndara, Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur në favor të kompanive individuale që kontestojnë vendimet e ZRRE-së, duke pezulluar kështu zbatimin e tyre deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se dy gjyqtarë të ndryshëm, në raste të ndara gjyqësore, kanë arritur në të njëjtin përfundim, pezullimin e vendimeve të ZRRE-së në pritje të akgjykimeve përfundimtare. Kjo qasje e qëndrueshme gjyqësore reflekton shqetësimet në lidhje me ndikimin potencial të këtyre vendimeve në treg, dhe si e tillë nuk mund të injorohet si rastësore ose specifike për një a dy raste”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se edhe pse këto aktvendime aktualisht zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, implikimet e tyre shtrihen shumë më tej.

“Vazhdimi i zbatimit të masave të liberalizimit nga ana e ZRRE-së, derisa dy kompani aktualisht përfitojnë nga pezullimet e urdhëruara nga gjykata e të tjerat mbeten në pritje të aktvendimeve gjyqësore ose nisjes së procedurave ligjore, krijon një mjedis të pasigurisë juridike dhe të diskriminimit ekonomik”.

Oda Amerikane siç thuhet në njoftim beson fuqishëm se reformat, përfshirë ato në sektorin e energjisë, duhet të drejtohen nga parimet e drejtësisë, parashikueshmërisë dhe trajtimit të barabartë para ligjit.

“Në këto rrethana, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara të liberalizimit derisa gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare mbi të gjitha ankesat përkatëse. Vetëm një treg i drejtë, transparent dhe plotësisht funksional mund të ofrojë një rrugë të qëndrueshme përpara , e ku të gjitha kompanitë, pavarësisht nga madhësia ose kapaciteti ligjor, veprojnë në kushte të barabarta”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

 

 

 

 

The post Oda Amerikane kërkon nga ZRRE të pezullojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë pas aktvendimeve gjyqësore appeared first on Telegrafi.

Aprovimi i propozimit të një paditësit nga Gjykata Komerciale, ZRRE: Nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut

24 June 2025 at 15:32

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) njofton opinionin publik se, pas fillimit të zbatimit të dispozitave ligjore që rregullojnë hapjen e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët individualë dhe disa Oda Ekonomike kanë parashtruar padi pranë gjykatave kompetente, konkretisht në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore, me kërkesa për pezullimin e Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.

ZRrE rikonfirmon faktin se, në të gjitha proceset e konflikteve administrative të inicuar nga palët në procedurë, gjykatat kompetente kanë refuzuar si të pabazuara kërkesat për pezullimin e zbatimit të Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.

ZRRE informon publikun se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamente për Çështje Administrative me Aktvendimin A.nr. 1839/2025 të datës 19.06.2025 ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues.

“Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë, Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit me shenjën KA.nr. 283/25, ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit dhe nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut”, thuhet në njoftim.

Tutje, ZRRE thotë se për më tepër, ky aktvendim nuk është i formës së prerë, pasi ZRrE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike.

“ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur për ndërmarrjet ekonomike, të cilët tejkalojnë njërin nga kriteret e përcaktuara: më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro”, vijon reagimi.

Më tej, ZRRE thotë se mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik./Telegrafi/

The post Aprovimi i propozimit të një paditësit nga Gjykata Komerciale, ZRRE: Nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut appeared first on Telegrafi.

Dhoma e Tregtisë e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Komerciale për daljen e bizneseve në treg të lirë

24 June 2025 at 11:50

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë, e cila pezulloi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim vërteton për të satën herë deklarimet tona se ZRRE ka vepruar kundërligjshëm kur ka vendosur që për një afat të shkurt dhe pa konsultime e analiza paraprake t’i detyrojë mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur, derisa në këtë proces është vetëm një kompani që po jep oferta të furnizimit.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në emër të bizneseve është e para që ka ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërkohë tashmë janë dhjetëra kompani që kanë dërguar ankesë në gjykatë rreth këtij vendimi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Dhoma e Tregtisë e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Komerciale për daljen e bizneseve në treg të lirë appeared first on Telegrafi.

Pezullohet vendimi i ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik

24 June 2025 at 11:26

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale në Prishtinë ka marrë vendim për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se bazuar në këtë vendim, OEK i kërkon ZRrE-së që të pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë të energjisë dhe të ndalojë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve.

“OEK fton ZRrE-për bashkëpunim të ngushtë për të hartuar së bashku një fazë tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme, duke theksuar se OEK nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë tranzicioni, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

The post Pezullohet vendimi i ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik appeared first on Telegrafi.

Dalja në treg të hapur, PDK-ja nesër e procedon në Gjykatë Themelore pezullimin e vendimit të ZRrE-së

23 June 2025 at 11:59

Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë pezullimin e vendimit të ZRRE-së për daljen në treg të lirë të 1300 kompanive.

Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se nesër do të procedojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës pezullimin e këtij vendimi, mirëpo paraprakisht vendosjen e një mase të përkohshme.

Sipas Tahirit, ZRRE-ja ka marrë vendim për qitjen në treg të hapur energjetik 1300 kompani në mënyrë të parregullt dhe pa përmbushur kriteret.

“Nesër do të procedojmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës pezullimin e vendimit. Do të kërkojmë masë të përkohshme në mënyrë që ky vendim të pezullohet dhe këto kompani të furnizohen me çmimin e njëjtë të energjisë elektrike, si para marrjes së këtij vendimi. Nuk janë përmbushur kushtet dhe nuk janë përmbushur as obligimet e ZRRE-së sa i përket daljes në treg të lirë dhe ka parregullsi në marrjen e këtij vendimi”, tha ai.

Këto komente Tahiri i bëri pas dështimit për herë të 36-të të konstituimit të Kuvendit./kp/

The post Dalja në treg të hapur, PDK-ja nesër e procedon në Gjykatë Themelore pezullimin e vendimit të ZRrE-së appeared first on Telegrafi.

KEK fillon zbatimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike

1 June 2025 at 17:30

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se ka filluar me sukses zbatimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi.

KEK thotë se ky vendim bazohet në: Rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) Nr. 08/2017 për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), dhe

Vendimin e ZRRE-së Nr. V_1544_2022, të datës 03.08.2022, me të cilin KEK është përcaktuar zyrtarisht si Furnizues i Mundësisë së Fundit për konsumatorët që nuk kanë përzgjedhur ende një furnizues në tregun e lirë.

Furnizimi nga FMF fillon më 1 Qershor 2025

Duke filluar nga data 1 Qershor 2025, KEK ka filluar të ofrojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët që aktualisht nuk janë të lidhur me ndonjë furnizues komercial. Furnizimi do të vazhdojë deri më 30 Korrik 2025, në përputhje me vendimin e ZRRE-së.

KEK njofton se më 31 Maj 2025 ka siguruar me sukses kapacitetet e nevojshme për blerje të energjisë në tregun e hapur, me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat-orë (€/MWh), i vlefshëm për datën 1 Qershor 2025.

Konsumatorët që dëshirojnë informacione të përditësuara mbi çmimet e tregut, mund të referohen në bursën zyrtare të energjisë ALPEX: https://alpex.al/sq/rezultatet-e-tregut

Për më shumë informacione rreth furnizimit nga FMF apo hapat për kalimin në tregun e lirë, konsumatorët mund të kontaktojnë KEK në adresën zyrtare të emailit: furnizimi@kek-energy.com

The post KEK fillon zbatimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike appeared first on Telegrafi.

❌
❌