Normal view
Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore,arrestohet 35-vjeçari në Elbasan
Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar, pasi tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për të shmangur gjobën për mungesë dokumentacioni.
Sipas uniformave blu mësohet se 35-vjeçari nuk ishte i pajisur me autorizim për përdorimin e targave të përkohshme që mbante automjeti në momentin e ndalimit.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 35 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga verifikimet e kryera nga punonjësi i Policisë Rrugore, rezultoi se 35-vjeçari nuk ishte i pajisur me autorizim për përdorimin e targave të përkohshme që mbante automjeti në momentin e ndalimit.
Gjatë kryerjes së veprimeve administrative për shkeljen, shtetasi E. A. ka tentuar të korruptojë me një shumë parash, punonjësin e Policisë, për të shmangur masën.
Në përfundim të veprimeve administrative për shkeljen rrugore të kryer, 35-vjeçari u ndëshkua me masë administrative 1000 lekë, në bazë të gërmave a dhe d të pikës 1 të nenit 178 të Kodit Rrugor”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Opinion.al
Berisha pas daljes nga SPAK: Erion Veliajn e kanë keqtrajtuar, ajo që i bënë është..
Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike ka reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë për situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit.
Pasi doli nga SPAK në një deklaratë për mediat, Berisha tha se “dëshmitarët kanë ndryshuar qëndrimet e tyre pasi kanë kaluar në zyrën e kryeministrit Edi Rama”, duke pretenduar se janë ndikuar në deklarimet e dhëna ndaj Veliajt.
Megjithatë, Berisha u shpreh se të drejtat e çdo personi, qoftë i padënuar apo i dënuar, janë të garantuara me Kushtetutë, duke shtuar se Erion Veliaj është keqtrajtuar dhe kjo është “e papranueshme”.
“Unë për Veliajn kam konsideratën më të keqe, por të drejtat e tij nuk përcaktohen nga vullneti im. Ato janë të garantuara nga Kushtetuta,” theksoi Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës pas daljes nga SPAK
Për Erion Veliajn, çështja është siç e patë ju, dëshmitarët njëri pas tjetrit, pasi kanë kaluar në zyrën e Ramës, nuk e di, por kjo të provojë, ta hetojnë, kanë bërë dëshmira, të cilat faktojnë për mua, faktojnë të vërtetën e vjedhjeve të tmerrshme që kanë bërë.
Megjithatë çdo njeri i padënuar dhe dënuar, ka një paketë të drejtash të cilët duhet të respektohen.
Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme. Dhe të jeni të sigurt, që për Erion Veliajn kam konsideratën më të keqe. Ua them këtu. Mund të flas shumë, shumë kohë dhe ndonjë ligësi njerëzore si atë nuk njoh, përveç Edi Ramës.
Por tani është seç është, por të drejtat e tij nuk mund të përcaktohen nga vullneti im. Të drejtat e tij janë të drejtat e një qytetari të garantuar me ligj dhe kushtetutë.
Që të marrë Edi Rama, zyra e shtypit dhe të botojë statuse të pashkruara nga Erion Veliaj, kjo mund të ketë ndodhur në proceset më të zeza të kohës së sigurimit të shtetit. Çfarë nevoje kishte të shkruante statuse se Olsi Dado është i tillë dhe atillë, dhe Altin Dumani është heroi siç donte Edi Rama, në një kohë kur ai ishte i zhytur. Ju e patë vetë që paratë binin si nga qielli te Velica, me kompani me këto.
Çfarë nevoje kishte ta bënte këtë? Ua them unë, kishte nevojë se Edi Rama donte me çdo kush të zemëronte gjykatësit dhe prokurorët me të dhe ta mbante aty ku është. Kjo për mua është shumë e dënueshme, sepse kjo përbën vepër penale në vetvete.
E dyta, thuhet që e kanë keqtrajtuar. Vizita e Ulsi Manjës. Në këtë vizitë Ulsi Manja është shoqëruar nga një biznesmen. Të gjitha të dhënat janë se, biznesmeni ka qenë përfaqësuesi kryesor i klanit ‘Troplini’ të cilët i çojnë, ua kanë dërguar dhe të tjerëve për ti dhënë ultimatum që, po fole këto pëson gruaja, këto pëson fëmija, këto pëson gjyshja, këto pëson gjyshi dhe me radhë.
Edhe kjo është një akt absolutisht i papranueshëm dhe i dënueshëm. Këto qëndroj unë për këto dhe më vjen mirë që Avokati i Popullit është marrë dhe po merret.
Por unë i kërkoj Avokatit të Popullit gjithashtu të shkojë nëpër burgje dhe të shohë një tmerr të pafund.
Me qindra mijëra djem të rinj, qytetarë për akte më të parëndësishmet janë të plasur atje dhe nuk u bëhet as procesi gjyqësor. Kanë marrë vetëm masën e sigurisë dhe në kundërshtim me ligj e kushtetutë, lihen në kushte më çnjerëzore në burg, sikur nuk janë qenie të gjalla, çka përbën një torturë kolektive.
Unë e kam denoncuar këtë, siç ua kam raportuar ju, e kam denoncuar në Komitetin Ndërkombëtar të Torturës. Unë do ta denoncoj këtë gjendje kudo.
Por i pari që duhet ta ngrejë është Avokati i Popullit i cili nuk mundet kurrë të mos denoncojë publikisht këtë krim kolektiv të shëmtuar.
“Përgjegjësi kryesor…”/Berisha për ’21 Janarin’: Ishte krim shtetëror pa dashje
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat jashtë godinës së SPAK, pasi u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje për çështjen “Partizani”.
I pyetur nga gazetarët nëse ndan të njëjtin qëndrim me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që e ka konsideruar krim shtetëror “21 Janarin”, Berisha tha se e pranon që është krim shtetëror, por sipas tij ‘pa dashje’.
“A mund të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara i cili e ka quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara. Pse? Se unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror është krim shtetëror me dashje dhe krim shtetëror pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe e pushkaton. Kur shteti jep urdhër këtë-këtë, kur s’duhet ta bëjë kurrë atë.
Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti i viktimës është më i madh. Këta, siç di unë, janë dëmshpërblyer me shuma, nuk di të them afrohen në shkallën e duhur apo jo.
Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër. Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane aty, që thotë të hetohet nga polici, tek organizatori. Ka një deklaratë tjetër, që demonstrata ishte e dhunshme dhe kishte axhendë politike. Edi Rama është përgjegjësi kryesor”, tha Berisha.
Renato Hoxha u qëllua me 4 plumba në kokë! Policia: Pranga Armando Gegës.Në kërkim..
Policia e Vlorës në një konferencë për mediat ka dhënë detaje për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit bregdetar.
Sipas policisë, viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.
Kështu u finalizua operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
‘Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.
Lidhur me këtë ngjarje, falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa:
- Në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;
- U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdher arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
- Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.
Ndërkohë, janë duke vazhdur me intensitet hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale në Vlorë dhe në Sarandë. Përfitoj nga rasti të bëj me dije se në Sarandë po vijojnë hetimet e thelluara dhe veprimet operacionale dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete për kapjen e autorëve’, thuhet në njoftimin e policisë Vlorë.
Sipas bluve, pas ketyre operacioneve thuhet se Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të vijuar pa ndërprerje hetimet dhe operacionet për kapjen e çdo personi në kërkim dhe për goditjen e çdo strukture që mbështet aktivitetet kriminale.
VIDEO/Momenti i arrestimit të Flodian Plakut, policia rrethoi hotelin në Vlorë…
Janë publikuar pamjet e arrestimit të Flodian Plakut, ekzekutorit të ish policit Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në Larushk të Fushë-Krujës.
Në pamje shihet momenti i operacionit policor si dhe koordinimet që bëhen nga efektivet me qëllim kapjen e 42-vjeçarit.
Në momentin e arrestimit, Floridan Plaku, me 3 identitete, alias Florjan Serjani alias Florjan Mamo, iu është gjetur një pistoletë me një krehër dhe 17 fishekë, 25 mijë euro cash dhe shtatë celularë. Gjatë operacionit për kapjen e plakut u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç.
Në pranga për këtë rast janë vënë edhe tre persona të tjerë për “përkrahje të autorit të krimit”.
“Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit””, njoftoi policia.
I njohur me nofkën “Pole Qorri”, Plaku është i dyshuar për vrasjen e Gentian Bejtjes.
Më herët në pranga e policisë ka rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj. Këta të fundit mendohet se ndihmuan që Plaku të largohej jashtë vendit.
Gentian Bejtja u ekzekutua me mbi 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Akuzohet për vrasjen e ish-policit, detaje nga arrestimi i Flodian Plakut
Në një konferencë për mediat, Policia e Vlorës ka dhënë detaje për arrestimin e shumërkërkuarit Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), i cili dyshohet se është drejtpërdrejt i përfshirë në vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja.
Sipas bluve të Vlorës, arrestimi u bë në një hotel zonën e Orikumit, ku Plaku u kap në flagrancë i armatosur dhe me 25 mijë euro cash në çantë.
Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.
Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo) akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.
I njohur ndryshe me nofkën “Qorri” ose “Pole”, Flodian Plaku dyshohet se ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarjen e rëndë kriminale.
Po ashtu, janë arrestuar edhe 3 persona të identifikuar si Albano Lapshi, Armand Dano dhe Ligor Doko, pasi kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e Flodian Plakut gjatë kohës që ishte në kërkim.
Deklarata për mediat
Ilir Meta njihet sot me akuzat e SPAK
Pritet t’i komunikohen ditën e sotme nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, akuzat ish-presidentit Ilir Meta.
Konkretisht, komunikimi i akuzave ishte planifikuar që javën e shkuar, por u shty pasi avokati i tij, ishte me pushime.
Kujtojmë se Meta mbahet prej Tetorit të vitit të shkuar në qeli. Pritet që gjatë komunikimit të akuzës, Meta të jetë i pranishëm dhe avokati i tij.
Më herët, po për të njëjtën dosje penale, iu komunikua mbyllja e hetimeve ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorëve Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.
Paditë për krimin elektoral/ Berisha: Dumani, mashtrues publik si Ramaduro
Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme sot më 4 gusht për masën detyrim paraqitje para OPGJ-së. Pas daljen nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha dha një deklaratë ku tha se i kishte lënë një mesazh kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.
“Altin Troplinit alias Dumani është një mashtrues publik i rangut më të lartë i njëjtë me Ramaduron, deklaroj se paditë e sjella në SKAP me dhjetëra e dhjetëra padi për krime elektorale, pati amoralitetin e plotë, të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova. E garantoj se do përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik”, tha Berisha, sipas të cilit, në këtë mënyrë, ai është “avokati kryesor i krimit të shëmtuar elektoral”.
Berisha u ndal në një tjetër temë ku komentoi deklaratën e kreut të SPAK për çështjen ndaj Thoma Gëllçit.
“Në një mashtrim të pacipë u deklaroi shqiptarëve se Strasburgu për çështjen Gëllçi, u dezinformua Strasburgu se gazetari Gëllçi nuk u dorëzua, por u arrestua. Ordiner e ka pak ta quash këtë. Pra në vend që të kërkojë ndjesë publike për masat represive që urdhëroi ndaj gazetarit Gëllçi mashtron shqiptarët sikur gjykata ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur mbi bazën e mashtrimit, çka nuk mund të ndodhë kurrë”, tha Berisha.
Revista amerikane (1928) / Shqiptarët lyejnë jelekët e bardhë me të zezë që nga..
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Gusht 2025
“American Junior Red Cross News” ka botuar, në shtator të 1928, në faqet n°3 – 4, tregimin asokohe të Anna Milo Upjohn (artiste, ilustruese dhe autore amerikane) rreth historisë së “Jelekut të Skënderbeut”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Jeleku i Skënderbeut
Nga Anna Milo Upjohn
Vizatimet nga autorja
Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°3
Pesëqind vjet më parë, një djalë i quajtur Gjergj Kastrioti u përkul mbi murin e kështjellës së të atit dhe shikoi në thellësitë e grykës poshtë. Ai mund të shihte një dhi të vogël të bardhë larg, pak mbi vijën e mjegullës që fshihte fundin e humnerës. Ajo po hante gjethet e freskëta të një kaçubeje që kishte lëshuar rrënjë në një shkëmb të çarë. Gjergji e shikoi i magjepsur. A do të përpiqej të ngjitej më lart ? Po, e bëri. Të paktën ngriti kokën. Por kur pa murin e pjerrët me gurë që ngrihej mbi të, ajo tundi bishtin dhe u hodh poshtë. Atje, shpejt u humb nga sytë. Gjergji qeshi dhe u bërtiti vëllezërve të tij që luanin në oborr se as një dhi nuk mund të ngjitej në murin e kështjellës.
Në kështjellë kishte një grup fëmijësh. Sa të sigurt ndiheshin atje lart nën qiell ! Babai i tyre ishte një Princ i fiseve malore shqiptare që e quajnë veten “Burrat e Shqiponjave”. Fortesa e tij ndodhej mbi Shkëmbin e Krujës, me malet që zbrisnin pjerrët prej tij. Vetëm nga njëra anë një shteg i thyer të çonte deri te porta. Përgjatë saj, një tufë kuajsh malorë nervozë dhe kalorësit e tyre u çonin furnizime, armë dhe mesazhe banorëve të kështjellës.
Shumica e burrave vishnin jelekë të shkurtër prej leshi të bardhë, me mëngë që shtriheshin deri në bërryla, të zbukuruar me xhufka të mëdha të bardha në shpatulla dhe jaka katrore me thekë që u arrinin deri në bel. Nëse binte shi i madh, siç ndodhte shpesh në Shkëmb, ata i tërhiqnin jakat e rënda lart mbi kokë, duke i kaluar thekët dhe duke i mbajtur fort midis dhëmbëve. Kjo ua linte duart e lira për të përdorur armët. Dhe armët ishin thelbësore në ato ditë. Princi Kastriot ishte shpesh në betejë, dhe me të edhe Burrat Shqiponja, duke u përpjekur të sprapsnin turqit që po pushtonin gjithnjë e më shumë vendin.
Në një cep të kështjellës, një kullë e madhe prej guri të bardhë shquhej në sfondin e shkëmbit gri. Kjo ishte kulla e vrojtimit. Nga ajo, mund të shihje Shqipërinë, malet e pjerrëta, fushën përvëluese dhe kënetat me avull, deri në det, i cili dukej i lagur nga rrezet e diellit përgjithmonë, pavarësisht se sa i errët ishte Shkëmbi.
Çdo rrugë dhe shteg ishte i dukshëm nga kulla, sepse malet ishin prej shkëmbinjve të zhveshur, përveç vendeve ku ishin mbjellë ullishte pak poshtë kështjellës. Për kilometra përreth asnjë armik nuk mund të afrohej pa u parë. Kështu që njerëzit në kështjellë ndiheshin të sigurt, megjithëse e dinin se kishte armiq në vend.
Gjergji, vëllezërit dhe motrat e tij luanin në oborrin e madh dhe hidhnin gurë mbi mur, duke i dëgjuar të tingëllonin në thellësi. Shpesh ata ngjiteshin në kullë dhe shikonin nga lart fshatarët që mblidheshin rreth “Krujës” së madhe, ose Burimit, me enët e tyre të ujit, duke ndaluar për të folur për ushtrinë e turqve që po pushtonin ultësirën.
Kështu gjërat vazhduan me vite. Por një ditë, kur Gjergji ishte nëntë vjeç, ndodhi diçka e tmerrshme. Më në fund, kështjella e fortë u mor dhe Princi me familjen e tij u zunë robër. Sulltani turk e la Kastriotin të vazhdonte të jetonte në kështjellën e tij në Krujë, por i mori katër djemtë e Princit me vete në shtëpi, me mirëkuptimin se për sa kohë që Kastrioti nuk do të rebelohej kundër Sulltanit, djemtë do të ishin të sigurt, por nëse do të kishte një kryengritje në Shqipëri, ata do të vriteshin.
Sulltani dhe robërit e tij të rinj udhëtuan nëpër Maqedoni, e cila tani është pjesë e Jugosllavisë, deri në Adrianopojë, atëherë kryeqyteti turk. Do ta gjeni në hartë në jug të Bullgarisë.
Gjergji ishte një djalë i sjellshëm dhe trim, i shpejtë në mësim. Ai fitoi zemrën e Sulltanit, i cili ishte i mirë me të dhe e rriti me fëmijët e tij. Pallati në Adrianopojë ishte shumë i ndryshëm nga kështjella në Krujë. Fillimisht, ai ndodhej në fushën e nxehtë në vend të malit të freskët. Dhe ishte i mbushur me një luks të butë që nuk ekzistonte në shtëpinë mbi Shkëmb. Ishte e bukur me mermere dhe mozaikë, me kopshte dhe shatërvanë. Kishte qilima dhe perde, mëndafsh dhe parfume që Gjergji nuk i kishte njohur kurrë. Ai nuk i harroi kurrë prindërit e tij në Shkëmbin e dashur, por që kur ishte vetëm nëntë vjeç, shpejt e humbi mallin për shtëpinë dhe filloi të bënte miq rreth tij. Sulltani i dha një emër të ri, Skënderbej – “Skënder”, që do të thotë Aleksandër, sepse nëna e Aleksandrit të Madh kishte qenë shqiptare, dhe “beg” ose princ, sepse ai ishte me rang të lartë.
Kështu që Skënderbeu e filloi jetën e tij të re me gëzim. Ai mësoi të kalëronte, të gjuante dhe të luftonte. Kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç, Sulltani e vuri në krye të një ushtrie dhe e dërgoi në Azinë e Vogël, të cilën do ta shihni se nuk është larg.
Ndoshta Skënderbeu do të kishte mbetur gjithmonë miku i Sulltanit nëse vëllezërit e tij do të ishin trajtuar me mirësi. Por kur babai i tij, Gjon Kastrioti, vdiq, Sulltani i helmoi të tre dhe aneksoi Shqipërinë në perandorinë e tij. Pas kësaj, Skënderbeu ecte me zemër të zemëruar nën armaturë. Dhe kur Sulltani kishte një luftë të re në duar dhe dërgoi kapitenin e ri për të luftuar hungarezët, ai kërkoi një shans për t’u arratisur.
Skënderbeu marshoi në veri deri në Nish, tani një qytet i Jugosllavisë; por me hungarezët nuk pati asnjë grindje. Zemra e tij nuk ishte në këtë çështje. E tëra çfarë ai donte ishte të ishte i lirë, i lirë të kthehej te populli i tij, të cilin tani e dinte se ishte i palumtur dhe i shtypur. Ai donte të shpëtonte nga jeta e butë e Adrianopojës dhe të kthehej në Shqipëri midis shkëmbinjve dhe Burrave të Shqiponjave me jelekët e tyre të bardhë, duke i ndihmuar ata të rifitonin lirinë e tyre. Në ushtrinë e tij kishte shumë shqiptarë që, ashtu si ai, ishin marrë në Turqi si robër dhe ishin detyruar të luftonin për Sulltanin. Këta burra iu bashkuan Skënderbeut dhe së bashku ikën përmes Serbisë dhe përmes kalimeve të rrezikshme malore në Shqipëri.
Populli zbriti nga malet dhe u dynd drejt Skënderbeut. Turqit u dëbuan nga vendi dhe për njëzet e pesë vjet, aq sa jetoi Skënderbeu, Shqipëria ishte e lirë.
Kështu që Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë për të qenë ndihmësi dhe heroi i popullit të tij. Kur ai vdiq, hidhërimi i fiseve të Shqipërisë së Veriut ishte aq i madh saqë i lyen jelekët e tyre të bardhë me të zezë, dhe kështu i veshin ato edhe sot e kësaj dite.
Do ta shihni jelekun e Skënderbeut kudo në Shqipërinë Veriore : te barinjtë e kodrave ; te burrat e shumë fiseve që vijnë në treg mbi kuajt e tyre të fuqishëm, me jakat e thella të varura mbi kokat e tyre për t’i mbrojtur nga shiu ose dielli ; dhe te metalpunuesit dhe fermerët e Krujës që rrinë pranë burimit të madh që ende rrjedh nga shkëmbi poshtë kështjellës së rrënuar.
Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°2
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/revista-amerikane-1928-shqiptaret-lyejne-jeleket-e-bardhe-me-te-zeze-qe-nga-vdekja-e-gjergj-kastriotit-tregim-nga-anna-milo-upjohn/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Të paktën 68 të vdekur pas fundosjes së anijes me emigrantë në Jemen
Të paktën 68 persona kanë vdekur pas fundosjes së një anijeje afër Jemenit, tha agjencia për migrim e Kombeve të Bashkuara më 4 gusht.
Dhjetëra persona ende konsiderohen të zhdukur pas fundosjes së anijes që po bartte kryesisht shtetas të Etiopisë.
Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Jemen, Abdusattor Esoev, tha për AFP-në se “68 persona janë vrarë, por vetëm 12 nga 157 personat janë shpëtuar deri më tani. Fati i të zhdukurve nuk dihet ende”.
Pavarësisht luftës që ka mbërthyer Jemenin që nga viti 2014, ky shtet i varfër vazhdon të mbetet pikë kryesore për migrimin e parregullt, veçmas nga Etiopia, shtet po ashtu i përfshirë në konflikt etnik.
Çdo vit, mijëra person përshkojnë të ashtuquajturën “Rrugë Lindore” nga Xhibuti për në Jemen, duke e kaluar Detin e Kuq, me shpresë që do të arrijnë në shtetet e pasura të Gjirit.
Anija që u fundos afër brigjeve të Abajan të Jemenit po bartte migrantë etiopianë, sipas autoriteteve në këtë provincë.
Autoritetet në Abajan thanë se forcat e sigurisë të dielën kryen operacione për nxjerrjen “e një numri të konsiderueshëm” të trupave të pajetë.
Muajin e kaluar, të paktën tetë persona vdiqën pasi kontrabanduesit detyruan migrantët që të zbarkonin nga një anije në Detin e Kuq, sipas agjencisë për migrim të OKB-së.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se dhjetëra mijëra migrantë kanë mbetur të bllokuar në Jemen dhe po vuajnë shkeljet e të drejtave të tyre dhe shfrytëzimit gjatë udhëtimeve të tyre.
Vitin e kaluar, kjo organizatë regjistroi të paktën 558 vdekje në rrugën e Detit të Kuq, prej të cilave 462 kanë ndodhur si pasojë e fundosjes së anijeve. REL
GAZA – Australia dhuron 11 milionë euro ndihma
GAZA, 4 gusht /ATSH-ANSA/ – Qeveria australiane ka njoftuar se do të dhurojë 20 milionë dollarë australianë shtesë (rreth 11,2 milionë euro) për organizatat humanitare që punojnë për të shpërndarë ushqim dhe furnizime mjekësore në Gaza.
Që nga fillimi i luftës, më 7 tetor 2023, Kanberra ka dhuruar 130 milionë dollarë australianë në ndihmë humanitare për civilët në Gaza dhe Liban, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë australiane të Punëve të Jashtme.
“Australia i është bashkuar vazhdimisht thirrjes ndërkombëtare që Izraeli të lejojë rifillimin e plotë dhe të menjëhershëm të ndihmës për Gazën, në përputhje me urdhrat detyrues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, komentoi ministrja e Jashtme Penny Wong.
“Vuajtjet dhe uria e civilëve në Gaza duhet të marrin fund”, shtoi ajo./ /os/
The post GAZA – Australia dhuron 11 milionë euro ndihma appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Loro Boriçi, pionieri i futbollit modern në Shqipëri
TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Më 4 gusht 1922, lindi futbollisti i shquar i kombëtares, Loro Boriçi.
Në qytetin e lindjes, Shkodër, ndoqi Kolegjin Saverian. Shtatlarti prej 1,87 m debutoi në futboll në moshën 14-vjeçare, me fanellën e ekipit të vendlindjes, “Vllaznisë” kundër ekipit të “Dragoit” të qytetit të Pogradecit. Në vitin 1939 shpalosi dimensionin e një sulmuesi të pandalshëm, duke u bërë një ndër futbollistët më të njohur dhe më të dashur për publikun shqiptar, kur shënoi 3 gola në vetëm 4 minuta në ndeshjen kundër “Spartakut” të Tiranës.
Më pas nisi edhe një aventurë përtej Adriatikut, ku luajti për dy vite në Serinë A, me ekipin e Lazio-s.
“Ylli në ngjitje” do të kthehej sërish në fushën e gjelbër shqiptare, ku si lojtar i kombëtares ngadhënjeu me arritjen më të madhe të kohës, fitoren e Kupës së Ballkanit, më 1946.
Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës. Sulmuesi veteran do të tërhiqej nga fusha për të marrë përsipër rolin e trajnerit. Boriçi drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit dhe për disa vite edhe kombëtaren e Republikës Popullore të Kinës. /j.p/
The post Loro Boriçi, pionieri i futbollit modern në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
AMSTERDAM – Më shumë se 10 000 hotele evropiane kërkojnë dëmshpërblim nga Booking.com
AMSTERDAM, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Më shumë se 10 000 hotele evropiane po i bashkohen një padie kolektive kundër Booking.com, me seli në Amsterdam, për të kërkuar kompensim për humbjet e shkaktuara nga përdorimi nga agjencia e udhëtimeve online i të ashtuquajturave klauzola të “çmimit më të mirë”.
Klauzolat i ndalojnë hotelet të ofrojnë dhoma në faqet e tyre të internetit me një çmim më të ulët dhe shihen prej tyre si të paligjshme.
Qëllimi është të parandalohen të ashtuquajturat rezervime “freerider” ku klientët e gjejnë hotelin në Booking.com dhe më pas shkojnë në faqen e internetit të hotelit për të bërë rezervimin e tyre.
Hotelet citojnë një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të datës 19 shtator 2024 që në thelb thotë se klauzola e çmimit më të mirë është e paligjshme.
Gjykata zbuloi se platforma si Booking.com mund të vepronin pa rregulla të këtij lloji.
Kjo bëri pak ndryshim për udhëtarët.
Booking.com i kishte shfuqizuar klauzolat në Evropë pas Aktit të Tregjeve Digjitale të Bashkimit Evropian të vitit 2024./ /os/
The post AMSTERDAM – Më shumë se 10 000 hotele evropiane kërkojnë dëmshpërblim nga Booking.com appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas, arrestohet në Orikum 42-vjeçari
TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Drejtori i Policisë së Vlorës Elidon Çela informoi sot mbi zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në Vlorë, si dhe identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të këtyre ngjarjeve, të cilët përbëjnë një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike.
Çela tha se pasditen e djeshme, gjatë një operacioni të mirorganizuar dhe të një niveli të lartë rrezikshmërie për punonjësit e Policisë, u bë e mundur vënia në pranga e një shtetasi në kërkim, i cili në momentin e kapjes ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole gati për qitje.
Operacioni u zhvillua në ambientet e një hoteli në Orikum, ku u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit: Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), 42 vjeç, banues në Vlorë, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe jashtë saj”.
Për këtë shtetas, njoftoi Çela, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Sipas Çelës “ky shtetas akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin”.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flodian Plaku, si dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan: Një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë; 25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal; 7 celularë”, tha drejtori i policisë Vlorë.
Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, sipas policisë së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.
Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. “Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit””, tha Çela.
Ndërkohë, vetëm tre ditë më parë strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim”.
“Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend”, njoftoi Çela.
Lidhur me këtë ngjarje, Çela tha se falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë.
“Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa: në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;
“U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdhër arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”
“Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale”, tha Çela.
Ndërkohë, njoftoi drejtori i policisë janë duke vazhduar me intensitet hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale në Vlorë dhe në Sarandë.
“Të dy operacionet “Eterna” dhe “Në Gjurmë” janë dëshmi e qartë e vendosmërisë së strukturave tona për të zbardhur dhe dokumentuar në mënyrë të plotë krimet më të rënda që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, përfundoi Çela.
/m.q/j.p/
The post Në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas, arrestohet në Orikum 42-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Berisha paraqitet në SPAK: Dumani, avokat i krimit elektoral
TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha edhe një prononcim për mediet ku u shpreh se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani është “mashtrues publik i rangut të lartë”.
“Deklaroi se paditë e sjella në SPAK, me dhjetëra e dhjetëra padi për krim elektoral, pati amoralitetin e plotë të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova. E garantoj se do të përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik”, tha Berisha.
Sipas Berishës “me këtë mashtrim publik, Dumani është edhe avokati kryesor i krimit të shëmtuar elektoral, garancia më madhore e dhunimit të çdo ligji, norme dhe standardi për votimin e lirë të shqiptarëve”.
Berisha tha se Dumani mashtroi edhe për rastin e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçit.
Sa i takon çështjes në SPAK ndaj presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Metës, Berisha tha se nuk ka asnjë fakt penal në dosje.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.
/m.q/j.p/
The post Berisha paraqitet në SPAK: Dumani, avokat i krimit elektoral appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Manastirliu: Mbi 27 mijë tekste të shpërndara në vende të ndryshme ku mësohet gjuha shqipe
TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpërndarë mbi 27 mijë e 200 tekste mësimore “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” për nxënësit e shkollave dhe klasave të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e identitetit kombëtar dhe gjuhësor të fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një hap konkret drejt standardizimit të mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Manastirliu tha se këtë vit janë shpërndarë 70% më shumë se një vit më parë.
“Po bëhen gati paketat e librave për të shkuar në të gjitha shtetet ku ne jemi duke mbështetur dhe nxitur mësimin e gjuhës shqipe. Kemi bërë të mundur që të rrisim me rreth 70% numrin e teksteve që po dërgojmë, ku janë rreth 27 mijë e 200 tekste. Këtë vit bëjmë dhe një tjetër hap drejt standardizimit të teksteve të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, pra vijmë me nivelin e dytë të tekstit të përbashkët. Kemi përfunduar gjithashtu edhe nivelin e tretë për klasat 7-8-9 dhe duke filluar nga viti tjetër shkollor do e kemi dhe këtë tekst të nivelit të tretë”, tha Manastirliu.
Duke iu referuar shtrirjes gjeografike të mësimit të gjuhës shqipe, ministrja theksoi se aktualisht janë rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës ku zhvillohet mësim në gjuhën amtare, ndërsa po zgjerohet edhe rrjeti i mësuesve të trajnuar dhe të kualifikuar.
“Kemi bërë të mundur që të rrisim numrin e mësuesve të cilët janë të trajnuar dhe të kualifikuar përmes seminareve të përvitshme që ne realizojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, dhe për të garantuar që më shumë mësues të jenë pjesë e këtij rrjeti”, tha Manastirliu.
Tekstet “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” janë gjithashtu të aksesueshme në versionin digjital përmes faqes zyrtare të Qendrës së Botimeve për Diasporën, duke lehtësuar përdorimin e tyre nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit kudo që ndodhen.
“Kjo është një detyrë që ne e bëjmë me kaq shumë dashuri dhe do të vijojmë që të investojmë akoma më shumë në drejtim të fuqizimit, ruajtjes, promovimit dhe të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë”, përfundoi Manastirliu.
Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë është një prioritet strategjik i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës. Tekstet e reja të standardizuara janë produkt i një pune të përbashkët me ekspertë të gjuhësisë dhe arsimit dhe kanë për qëllim të rrisin cilësinë e mësimdhënies të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës si një kontribut për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në komunitetet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.
/k.s/
The post Manastirliu: Mbi 27 mijë tekste të shpërndara në vende të ndryshme ku mësohet gjuha shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Muzeu Historik Kombëtar në kantier restaurimi për t’u rikthyer si institucion bashkëkohor
TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po punohet për ta rikthyer Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë kombëtare.
Muzeu Historik Kombëtar, pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme e këtij institucioni simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).
Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për fazën e dytë për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor. /j.p/
The post Muzeu Historik Kombëtar në kantier restaurimi për t’u rikthyer si institucion bashkëkohor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
RUSI – Shpërthen pas 600 vitesh vullkani Krasheninnikov
MOSKË, 4 gusht /ATSH-AA/ – Një vullkan në gadishullin Kamçatka të Rusisë shpërtheu sot për herë të parë pas gjashtë shekujsh, duke hedhur një re të madhe hiri drejt lindjes, në oqeanin Paqësor, njoftuan autoritetet.
Duke cituar të dhënat nga Ekipi i Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamçatkës (KVERT), zyra rajonale e Ministrisë ruse të Situatave Emergjente tha se vullkani Krasheninnikov, i vendosur në Lindjen e Largët të vendit, ka lëshuar një re shpërthimi që është ngritur deri në 6 000 metra.
“Nuk ka zona të banuara përgjatë rrugës së resë së hirit”, thuhet në deklaratën e ministrisë në Telegram duke shtuar se nuk është raportuar rënie hiri në vendbanimet përreth dhe se aktualisht nuk ka grupe turistësh në zonë.
Vullkani, me lartësi 1 856 metra, tani është klasifikuar me kodin e rrezikut ajror “portokalli”, që sinjalizon rrezik të shtuar për avionët për shkak të hirit vullkanik në atmosferë.
Autoritetet kanë këshilluar të shmanget udhëtimi në zonë ose ngjitja në vullkan.
“Ky është shpërthimi i parë historik i vullkanit Krasheninnikov në 600 vjet”, tha Olga Girina, drejtuese e KVERT-it, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA.
Girina ka thënë se shpërthimi mund të jetë i lidhur me tërmetin e fuqishëm me magnitudë 8,8 ballë Rihter, që goditi të mërkurën brigjet e Kamçatkës duke shkaktuar paralajmërime për cunami në gjithë Paqësorin, përfshirë Kilin.
Akademia Ruse e Shkencave tha se ky ishte tërmeti më i fuqishëm në rajon që nga viti 1952.
Po atë ditë, akademia raportoi një shpërthim në vullkanin Klyuchevskoy, një nga më aktivët në Euroazi, i vendosur rreth 160 kilometra në veri të Krasheninnikovit./ /os/
The post RUSI – Shpërthen pas 600 vitesh vullkani Krasheninnikov appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Loro Boriçi, pionieri i futbollit modern në Shqipëri

Më 4 gusht 1922, lindi futbollisti i shquar i kombëtares, Loro Boriçi.
Në qytetin e lindjes, Shkodër, ndoqi Kolegjin Saverian. Shtatlarti prej 1,87 m debutoi në futboll në moshën 14-vjeçare, me fanellën e ekipit të vendlindjes, “Vllaznisë” kundër ekipit të “Dragoit” të qytetit të Pogradecit. Në vitin 1939 shpalosi dimensionin e një sulmuesi të pandalshëm, duke u bërë një ndër futbollistët më të njohur dhe më të dashur për publikun shqiptar, kur shënoi 3 gola në vetëm 4 minuta në ndeshjen kundër “Spartakut” të Tiranës.
Më pas nisi edhe një aventurë përtej Adriatikut, ku luajti për dy vite në Serinë A, me ekipin e Lazio-s.
“Ylli në ngjitje” do të kthehej sërish në fushën e gjelbër shqiptare, ku si lojtar i kombëtares ngadhënjeu me arritjen më të madhe të kohës, fitoren e Kupës së Ballkanit, më 1946.
Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës. Sulmuesi veteran do të tërhiqej nga fusha për të marrë përsipër rolin e trajnerit. Boriçi drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit dhe për disa vite edhe kombëtaren e Republikës Popullore të Kinës./atsh/KultPlus.com