TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit bëri publik sot bilancin e punës dhe të operacioneve përgjatë muajit korrik 2025.
Sipas njoftimit, Policia thekson se janë finalizuar 103 operacione policore, ndërsa janë vënë në pranga 761 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Njoftimi i plotë:
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar me përkushtim, profesionalizëm dhe angazhimin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.
Gjithashtu, në pikun e sezonit turistik, është treguar vigjilencë dhe kujdes i shtuar, 24/7, për garantimin e sigurisë në plazhe dhe në hapësirat ujore, për ofrimin e ndihmës ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.
Fokusim dhe përkushtim edhe për identifikimin e autorëve të zjarrvënieve dhe menaxhimin e situatave me zjarret duke shpëtuar jetë nga rreziku i përfshirjes nga flakët, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që ndërtojnë pa leje apo zënë hapësirat publike.
Konkretisht, gjatë muajit Korrik: Janë finalizuar 103 operacione policore; Janë finalizuar 25 operacione në bashkëpunim me partnerët, për goditjen e krimeve kibernetike, trafikimit të drogës, si dhe për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar; Janë vënë në pranga 761 shtetas të akuzuar/dënuar për vepra penale të ndryshme; Janë asgjësuar 52 934 bimë Cannabisi, si dhe janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë, 6.2 kg cannabis, qindra doza të këtyre lëndëve dhe sasi amfetaminë;
Janë sekuestruar 33 armë zjarri, 110 kapsolla detonatore, 2 antiplumba dhe silenciatorë; Janë zbardhur 10 ngjarje kriminale, ndër to: vrasje, plagosje me mjete prerëse, shkatërrim prone me eksploziv dhe djegie të qëllimshme pronash; Janë parandaluar ngjarje kriminale në Tiranë, Lezhë, Vlorë, e Sarandë që mund të kryheshin nga shtetas që lëviznin të armatosur.
Janë parandaluar përshkallëzimi i 6 konflikteve me armë apo sende të forta si dhe i 8 rasteve të tentativës për vjedhje;
Janë sekuestruar pasuri dhe cash me vlerë totale rreth 1.6 milionë euro, të përfituara nga krimet;
Gjatë 2 fazave të operacionit “Identiteti”, Policia e qarkut Tiranë zbuloi raste të falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, për të lëvizur ilegalisht ose për të marrë kredi;
Policia e qarkut Kukës goditi 2 raste të trafikimit të armëve nga Kosova dhe 3 raste të trafikimit të automjeteve;
Gjatë planeve të posaçme operacionale policore, për sigurinë ushqimore dhe atë dentare, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare e DPPSh-së zbuloi raste të përdorimit/tregtimit të produkteve të skaduara, me rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve;
Janë finalizuar 16 operacione për zbardhjen e vjedhjeve;
Janë goditur 10 raste në fushën e kontrabandës, 7 raste të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufirin ilegalisht dhe 6 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
Janë bllokuar 134 mjete lundruese, pasi drejtuesit e tyre cenuan perimetrin e sigurisë për pushuesit dhe/ose ishin të papajisur me dokumentacionin që kërkon ligji;
Janë konstatuar 34 raste të pushtimit të hapësirave në plazhe, për të cilat, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, janë sekuestruar rreth 2700 komplete me çadra dhe shezlongë;
Janë konstatuar 38 raste të tjera të pushtimit të hapësirave publike, për aktivitete fitimprurëse. Në bashkëpunim me shërbimet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, janë liruar hapësirat dhe sekuestruar objektet e përdorura;
Janë konstatuar 12 raste të ndërtimeve pa leje me 16 shtetas të proceduar penalisht, si dhe janë goditur krime të tjera kundër mjedisit, të tilla si: ndotja e ujërave, dëmtimi i shtratit të lumenjve, si dhe hedhja e inerteve ose mbetjeve të tjera;
Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe homologët, është reaguar menjëherë për 44 raste zjarrvënieje. Hetimet dhe puna policore rezultuan me arrestimin/ndalimin/procedimin e 42 autorëve të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia;
Janë proceduar penalisht 72 drejtues automjetesh, sepse duke parkuar dyshe, penguan qarkullimin e automjeteve të urgjencës dhe lëvizjen e qytetarëve;
Policia e Tiranës dhe policitë e qarqeve bregdetare kanë kryer kontrolle të përditshme, me mjete teknologjike zhurmëmatëse, te subjektet që gjenerojnë muzikë. Administratorët e subjekteve që u gjetën në tejkalim të nivelit dhe/ose të orarit, u ndëshkuan penalisht dhe/ose administrativisht;
Është dhënë ndihmë për 55 shtetas që u gjendën në vështirësi për shkak të terrenit, temperaturave, mosorientimit në zona të ndryshme ose defekteve në mjetet me të cilat lëviznin.
Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës ose bëhen shkak për ngadalësim apo bllokim të qarkullimit gjatë këtij muaji me fluks të lartë lëvizjeje.
Në këtë kuadër:
– janë vënë në pranga 226 drejtues mjetesh, nga të cilët 139 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 87 për drejtim mjeti pa leje drejtimi ;
– janë pezulluar 252 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
– janë vendosur 22 338 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.
Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas menaxhimit të fluksit të lartë të hyrje/daljeve dhe ofrimit të një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë, gjatë këtij muaji kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.
Në këtë kuadër janë goditur:
68 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;
10 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;
7 raste të mosdeklarimit të shumave të parave.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit, si dhe për të identifikuar dhe ndaluar shtetasit që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë më ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo paligjshmëri që konstatojnë, pranë njësive fizike të Policisë së Shtetit ose në numrin pa pagesë 112.
/e.i//a.f/
The post Policia e Shtetit: 103 operacione, 761 persona të arrestuar gjatë korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.