Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 July 2025Gazeta Si

Shkodër / Asgjësohen 3 mijë bimë narkotike, në hetim dy kryeplakët e fshatrave dhe roja

17 July 2025 at 10:48

Gazeta Si – Gjithsej 3 mijë e 126 bimë të dyshuara kanabis sativa janë zbuluar e asgjësuar gjatë kontrolleve intensive në terren në disa nga njësitë administrative të qarkut Shkodër, duke përfshirë Shalë, Pult, Shosh, Ana e Malit, Kastrat, Kelmend, Temal dhe Shllak, në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”.

Pas zbulimit të bimëve narkotike, Policia ka proceduar penalisht për shpërdorim të detyrave tre persona: dy kryetarë fshatrash dhe një roje mjedisi. 

Rasti 1: Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 922 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Oblikë, shtetasin S. P.;

Rasti 2: Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1034 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Selcë, shtetasin A. D., dhe për rojën e mjedisit, shtetasin P. G.;

Rasti 3: Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1170 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

The post Shkodër / Asgjësohen 3 mijë bimë narkotike, në hetim dy kryeplakët e fshatrave dhe roja appeared first on Gazeta Si.

Zjarret në vend, 70 ushtarë dhe 2 helikopterë në ‘luftë’ me flakët

17 July 2025 at 10:35

Nga Gazeta Si- Prej ditësh, në Vaun e Dejës dhe në Drenovë vijojnë zjarret, që kanë pushtuar tashmë mijëra sipërfaqe toke.

Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, vatra e zjarrit e rënë në datë 15 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte ende nuk është shuar.

Gjithashtu, forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër.

Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.

Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.

Ministria e Mbrojtjes thotë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.

Aktive është edhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.

Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.

The post Zjarret në vend, 70 ushtarë dhe 2 helikopterë në ‘luftë’ me flakët appeared first on Gazeta Si.

Apeli i Posaçëm vendos sot për Ilir Metën, avokati i tij: Ka thënë Ajatollahu, do ta lirojmë

17 July 2025 at 10:34

Gazeta Si – Në Apelin e Gjykatës së Posaçme, ka nisur në orën 10:00 këtë të enjte gjyqi për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili mbahet i arrestuar prej 21 tetorit 2024 nën dyshimin se ka kryer tre vepra penale.

Para nisjes së seancës në një deklaratë të shkurtër për mediat, avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani u shpreh: “Patjetër që do lirohet, e ka thënë Ajatollahu sot, do ta lirojmë”.

Pak ditë më parë presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.

Kjo nuk është e vetmja kërkesë e ish-presidentit Ilir Meta për liri. Kujtojmë se ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të 27 shkurtit të Gjykatës së Lartë që e la në masën e sigurisë arrest me burg si dhe prishjen e vendimeve edhe në shkallët më të ulëta, atë të Apelit të Gjykatës së Posaçme më 19 nëntor 2024 dhe të Shkallës së Parë më 20 dhe 23 tetor 2024.

Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

The post Apeli i Posaçëm vendos sot për Ilir Metën, avokati i tij: Ka thënë Ajatollahu, do ta lirojmë appeared first on Gazeta Si.

Katër skuadra në gjurmët e Lebron

17 July 2025 at 10:30

Nga Gazeta Si – Në prag të sezonit të 23, Lebron James vazhdon të luajë në nivele të larta që përcaktojnë standarte. Ndërsa të tjerë ulin ritmin ose mbyllin llogaritë me basketbollin, James garanton shifra dhe impakt në kampionat si pak te tjerë. Ndaj kur shikon se Warriors, Mavericks, Cavaliers dhe Clippers interesohen për të, nuk është surprizë.

– Warriors: Skuadra me Super IQ – Lebron nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur me Steph Curry-n. Shto Draymond Green dhe Jimmy Buttler dhe sapo ke krijuar një formacion betejash inteligjente, testuar me sukses në parket.

– Mavericks: Ribashkimi i kampionëve – Eshtë normale që Dallas kërkon ta marrë Lebron James. Ai ka fituar tituj me Kyrie Irwing dhe Anthony Davis. Kimia e tyre eshtë e provuar tashmë. Nëse shton dhe Cooper Flagg (zgjedhja nr 1 në Draft), ke ndërtuar një forcë shkatërruese në Perëndim.

– Cavaliers: Vallëzimi i fundit – Rikthimi në Cleveland është një poezi në lëvizje. Skuadra e filloi furishëm sezonin e kaluar por ndjeu mungesën e një Leader-i veteran, atëherë kur duhej më shumë. Lebron rikthehet në shtëpi për një tjetër titull? Drithërima!

– Clippers: Rruga e shkurtër në LA – Të zgjedhë Kwahi-n, Harden dhe Zubac – Lebron do të plotësontë një skuadër pretendente. Një formacion fitues që ndoshta do të ketë nevojë vetëm për një element tjetër.

The post Katër skuadra në gjurmët e Lebron appeared first on Gazeta Si.

Aksioni për produktet pa faturë, Tatimet: Në 3 ditë, 20 tonë mallra të sekuestruara

17 July 2025 at 10:18

Gazeta Si – Inspektorët tatimorë prej disa ditësh janë në terren për të sekuestruar çdo produkt bujqësor apo blegtoral që jepet pa faturë duke nisur që nga shishet e qumështit.

Në një reagim të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se brenda 3 ditëve të para janë sekuestruar 20 ton mallra të cilat jepeshin pa faturë në 87 subjekte që janë inspektuar deri më tani.

“Vazhdon me intensitet aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ftojmë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori”- thuhet në detajet e dhëna nga Tatimet.

Ky operacion synon formalizimin e tregjeve ushqimore dhe luftimin e konkurrencës së pandershme.

Ministrat Petrit Malaj dhe Anila Denaj kanë paralajmëruar inspektime në terren, ndërsa të gjitha produktet pa dokumentacion do të konfiskohen dhe subjektet tregtare në shkelje do të ndëshkohen me gjobë.

Aksioni vjen pas një fushate sensibilizuese dyjavore dhe është pjesë e masave më të gjera të qeverisë për kontrollin e informalitetit në ekonomi.

The post Aksioni për produktet pa faturë, Tatimet: Në 3 ditë, 20 tonë mallra të sekuestruara appeared first on Gazeta Si.

Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën

17 July 2025 at 10:08

Gazeta Si – Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u mbyt me litar dhe trupi iu hodh në liqenin e Shkopetit në Mat.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Bushgjokaj ka pranuar lidhjet e tij me 23-vjeçarin në trafikun e paligjshëm të drogës, por mohon përfshirjen në vrasje, duke pranuar vetëm konfliktet mes tyre.

Nga ana tjetër, Çakrri ka pranuar se ishte në zonën e ngjarjes, por mohon njohjen personale me viktimën dhe përfshirjen në ngjarje.

Ai ka deklaruar se njeh vetëm Kristi Bushgjokajn, i cili është në kërkim nga policia dhe se është takuar me të në burg.

Ka rrëfyer se pasi i kishte kërkuar për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra, kishte shkuar atje. Rrugës ka dëshmuar 55-vjeçari se janë ndarë në dy makina, duke treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia.

Megjithatë, Çakrri mohon të jetë përfshirë në ngjarje. “Nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën”, mësohet të ketë thënë ai.

Në një moment, sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë dhe ndryshuan rrugë dhe i thanë që të ikte. Çakrri thotë se për fatin e 23-vjeçarit e mësoi vetëm nga mediat.

Një ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin.

Ndërsa në kërkim shpalli dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn. Sipas Policisë së Dibrës, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.

Renis Dobra 23 vjeç u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti pa rënë.

The post Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën appeared first on Gazeta Si.

Shkencëtarët krijojnë embrione nga ADN-ja e 3 prindërve, lindin 8 foshnje të shëndetshme në Britani

17 July 2025 at 10:07

Tetë foshnje kanë lindur me sukses në Mbretërinë e Bashkuar, përmes një teknike të avancuar që përfshin material gjenetik nga tre persona të ndryshëm, për të parandaluar sëmundje mitokondriale të pashërueshme, të cilat kalohen nga nëna dhe mund të jenë fatale për fëmijën.

Kjo metodë, e pionierizuar nga shkencëtarë britanikë, kombinon vezoren dhe spermën e prindërve biologjikë me një vezore donatore nga një grua e tretë.

Teknika është e ligjshme në Britani që nga viti 2015, por këto janë rastet e para të konfirmuara që kanë çuar në lindjen e fëmijëve pa sëmundje mitokondriale.

Çfarë janë sëmundjet mitokondriale?

Sëmundjet mitokondriale janë çrregullime të rënda që ndikojnë në mënyrën se si qelizat prodhojnë energji, duke shkaktuar lodhje kronike, probleme muskulore, neurologjike dhe në raste të rënda, vdekje të hershme. Ato trashëgohen nga nëna dhe shpesh nuk kanë trajtim efektiv.

Si funksionon teknika?

Fëmijët e lindur me këtë metodë trashëgojnë pjesën dërrmuese të ADN-së (rreth 99.9%) nga nëna dhe babai biologjik, ndërsa vetëm 0.1% e ADN-së, që gjendet në mitokondri, merret nga donatorja. Kjo pjesë nuk ndikon në tiparet fizike apo gjenetike të fëmijës, por parandalon që sëmundja të trashëgohet tek brezat e ardhshëm, shkruan BBC.

Asnjë nga familjet që ka kaluar në këtë proces nuk ka folur publikisht, për të mbrojtur privatësinë e tyre. Megjithatë, deklarata anonime janë dhënë përmes Qendrës së Fertilitetit në Newcastle, ku janë kryer procedurat.

Mjekët në qendër e kanë cilësuar këtë si një moment historik për mjekësinë riprodhuese, duke theksuar se teknika është aplikuar vetëm në raste kur ekzistonte rrezik i lartë për trashëgiminë e sëmundjes.

The post Shkencëtarët krijojnë embrione nga ADN-ja e 3 prindërve, lindin 8 foshnje të shëndetshme në Britani appeared first on Gazeta Si.

Rama pret presidentin e Emirateve të Bashkuara: Mik i shtrenjtë i shqiptarëve! Bin Zayed: Forcojmë partneritetin

17 July 2025 at 09:59

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed ka zhvilluar të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme si edhe një sërë çështjesh rajonale e ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë ka ndarë sot disa pamje nga pritja në Aeroportin e Rinasit, teksa e cilëson si mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar.

Në një reagim në rrjete sociale, presidenti i Emirateve ka bërë me dije se kanë diskutuar për një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.

“Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë për të diskutuar mënyrat për të përforcuar më tej partneritetin në zgjerim të vendeve tona”, ka shkruar ai.

The post Rama pret presidentin e Emirateve të Bashkuara: Mik i shtrenjtë i shqiptarëve! Bin Zayed: Forcojmë partneritetin appeared first on Gazeta Si.

Pse presidenti Zelensky po ndryshon qeverinë në Ukrainë?

17 July 2025 at 09:55

Në Ukrainë pritet ndryshimi më i madh i kabinetit qeveritar që nga fillimi i luftës. Cili është qëllimi i Presidentit Zelensky me emërimet e reja?

Zërat për ndryshime në qeveri kanë kohë q% kanë qarkulluar në Ukrainë tani ato janë bërë realitet. Të mërkurën, parlamenti ukrainas miratoi dorëheqjen e kryeministrit Denys Shmyhal. Kabineti u shpërbë automatikisht. Shmyhal kishte shërbyer më parë për më shumë se pesë vjet – më gjatë se çdo kryetar tjetër qeverie ukrainas para tij. Dy ditë më parë, Presidenti Volodymyr Zelensky kishte propozuar ish-Ministren e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko në krye të qeverisë së. 39-vjeçarja kishte qenë më parë zëvendëse e Shmyhal dhe u bë e njohur gjatë negociatave disajavore për një marrëveshje për lëndët e para me Shtetet e Bashkuara, e cila u nënshkruan në Uashington në fund të prillit. Svyrydenko dëshmoi të ishte një negociatore e fortë.

Zelensky tha se ishte e nevojshme të ristrukturohej ekzekutivi në vend, mënyrë që të zbatoheshin marrëveshjet e arritura me partnerët ndërkombëtarë. Presidenti ukrainas deklaroi se priste së shpejti një program të ri qeveritar.

A mund të bëhet ndryshim qeverie nën gjendjen e jashtëzakonshme?

Parlamenti ukrainas pritet të votojë qeverinë e re që të enjten (17 korrik). Megjithatë, neni 10 i gjendjes së jashtëzakonshme thotë se kompetencat e presidentit, parlamentit, qeverisë, Bankës Kombëtare dhe disa organeve të tjera shtetërore nuk mund të ndërpriten gjatë vendosjes së tij. Përfaqësuesit e opozitës dyshojnë në legjitimitetin e ndryshimit të qeverisë. “Parlamenti kohët e fundit e zgjati afatin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe mund të shkelë Nenin 10 me këtë, megjithëse të gjithë bien dakord se legjislacioni duhet të më parë precizohet ose ndryshohet “, tha Yaroslav Zheleznyak, një anëtar i fraksionit opozitar “Holos”- “Zëri”.

Ishte presidenti i pakënaqur me qeverinë?

Studiuesi i shkencave politike dhe bashkëthemeluei i Platformës Kombëtare për Qëndrueshmëri dhe Kohezion, Oleh Saakyan, është i mendimit, se parlamenti do të votojë për këtë rezolutë për shkak të oportunitetit politik, duke injoruar ligjet. Saakyan argumenton se ky ndryshim i qeverisë “është i vonuar”, në fakt ai ishte planifikuar për vitin 2024.

Arsyet kryesore për këtë janë tensionet e vazhdueshme brenda qeverisë dhe “një numër problemesh të dukshme të menaxhimit” në fusha të ndryshme të politikave qeverisëse – nga sektori i mbrojtjes te infrastruktura dhe politika sociale. “Qeveria dëshiron të qetësojë publikisht disa nga këto tensione. Ata duan të fitojnë ‘kredibilitet të ri’, si të thuash, në kohën e duhur”, thekson eksperti.

Ndërsa Volodymyr Fesenko, politolog dhe kreu i Qendrës Ukrainase për Studimet Politike të Aplikuara “Penta”, dyshon megjithatë se ndryshimi i kreut të qeverisë do të sjellë ndryshime të mëdha politike të brendshme. “Vendimet kryesore politike do të vazhdojnë të merren në zyrën presidenciale dhe Svyrydenko, ashtu si qeveria, do t’i zbatojë ato”, tha Fesenko. Svyrydenko, që më parë ka qenë zëvendëskryetare e administratës presidenciale nën Andriy Yermak, konsiderohet si e besuara e Zelensky-t dhe një politikane e re dhe dinamike që potencialisht mund të sjellë qasje të reja. Fesenko thekson se Svyrydenko ka “përvojën e nevojshme në punën në kushte lufte dhe në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare”.

Do të ndryshojë puna e qeverisë?

Petro Oleshchuk, ekspert i politikës në Universitetin Taras Shevchenko në Kiev, beson se pavarësisht disa skandaleve të korrupsionit në kabinetin qeveritar, Zelensky dëshiron të tregojë se ai ende ka një ekip që do të vazhdojë të punojë me të – aq më tepër që qeveria nuk do të ndryshohet plotësisht dhe një numër ministrash do të mbeten në detyrë.

Edhe Denys Shmyhal nuk pritet të largohet plotësisht nga qeveria, përkundrazi pritet të bëhet Ministër i Mbrojtjes. “Transferimi i Shmyhal në një pozicion tjetër brenda qeverisë synon të tregojë se nuk ka mosmarrëveshje të brendshme. Këto janë thjesht ndryshime personeli brenda një ekipi”, tha Oleshchuk për DW.

Nga ana tjetër, eksperti Oleh Saakyan beson se ndryshimi i pjesshëm i qeverisë tregon një mungesë akute të personelit të kualifikuar dhe të besueshëm. Ministrat e rinj dhe ata aktualë janë të detyruar të japin rezultate shpejt. Saakyan është skeptik në lidhje me perspektivat afatgjata. “Kjo është një dozë adrenaline për qeverinë aktuale. Por nuk do ta ndryshojë në thelb cilësinë”, thekson eksperti politik ukrainas.

Ndërkohë, Presidenti Zelensky ka përcaktuar tashmë prioritetet kryesore për qeverinë e re të ardhshme, duke përfshirë rritjen e prodhimit vendas të armëve, zhvillimin e projekteve të mbrojtjes dhe liberalizimin gjithëpërfshirës të ekonomisë./DW

The post Pse presidenti Zelensky po ndryshon qeverinë në Ukrainë? appeared first on Gazeta Si.

Priten reshje shiu në disa zona

17 July 2025 at 09:19

Ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të përqendruara në veri të vendit dhe përgjatë relieveve malore.

Në orët e mesditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes në zonën e veriut dhe përgjatë relieveve malore të vendit do ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët.

Në periudha afatshkurtra në zonën e Alpeve dhe lokalisht në verilindje do ketë reshje në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

The post Priten reshje shiu në disa zona appeared first on Gazeta Si.

Skandinavia, habitati natyror i numrit 9!

17 July 2025 at 07:56

Nuk është i ri mendimi se numri 9 në Botën e futbollit është në zhdukje, por në të njëjtën kohë Norvegjia, Suedia dhe Danimarka po bëjnë më të mirën e tyre në linjën e konservatorizmit. Në sezonin 2025-26, tree nga 5 skuadrat më të mira në Premier League (bazuar në klasifikimin e sezonit 2024-25) do të udhëhiqen nga qendërsulmues skandinavë. Manchester City ka Erling Haaland që shënon me rregullsinë e një rroboti prej tre sezonesh. Alexander Isak u shfaq si një ndër më të mirët në Evropë te Newcastle United. Viktor Gyökeres po bëhet gati t’iu bashkohet sapo të finalizohet transferimi te Arsenal të cilëve do t’iu kushtojë £65 milionë.

Alexander Isak

Sigurisht që vendet e mësipërme kanë pasur edhe në të shkuarën sulmues të fortë por në Epokën aktuale ku qendërsulmuesit numërohen me gishtat e dorës, ka një perceptim se Skandinavia po prodhon numra 9 me kualitet të lartë në futbollin e meshkujve. Perceptim që merr vecanërisht vlerë nëse konsiderohet kombinimi modest i popullisë prej 22.1 milion banorë që i vendos mes Mali-t (22.4m) dhe Sri Lanka-s (21.7m) në shkallë globale. Një vit më parë në Premier League, tre në top10 shënuesit më të mirë ishin skandinavë dhe Haaland nuk ishte pjesë e kësaj trioje. 22 golat e tij ishin një më pak se 23 të Isak dhe 8 më shumë se të 14 të Jørgen Strand Larsen.

Viktor Gyökeres

Haaland humbi një pjesë të mirë të sezonit 2024-25 për shkak dëmtimi, ndaj është arësyetim i drejtë që Skandinavia do të shënonte më shumë nëse ai do të luante një sezon të plotë. Alexander Sørloth meriton të përmendet gjithashtu, pas 20 golave që shënoi për Atlético Madrid në La Liga. Ndërsa shifrat e Gyökeres nuk janë llogaritur pasi ai nuk luante në top5 kampionatet. Por padyshim që nuk kalojnë pa rënë në sy 39 golat në Primeira Liga për Sporting CP në sezonin 2024-25, më shumë se dyfishi i konkurentëve (Samu Aghehoëa dhe Vangelis Pavlidis me nga 19 secili). Shifra që e renditën atë pas Kylian Mbappé në klalsifikimin për “European Golden Boot”.

The post Skandinavia, habitati natyror i numrit 9! appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 16 July 2025Gazeta Si

Krijohet OJF që do trajnojë stafet e pushtetit vendor, Arbjan Mazniku në krye të strukturës

16 July 2025 at 22:29

Gazeta Si – Pas shkarkimeve dhe dorëheqjeve masive në bashkitë e vendit, qeveria krijon një OJF që do të trajnojë stafet e pushtetit vendor.

Këshilli i Ministrave, në vendimet e marra pasditen e kësaj të mërkure, ka vendosur Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, në krye të bashkive vendase.

Kështu, qeveria ka miratuar ngritjen e një strukture të re të përbashkët me bashkitë, që do të shërbejë si qendër trajnimi për administratën vendore.

Akademia e Pushtetit Vendor, do të angazhohet në zhvillimin profesional të të gjithë punonjësve të bashkive, nga drejtuesit më të lartë deri te stafi bazë.

Institucioni do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe të qeverisë, nën koordinimin e Ministrit të Pushtetit Vendor. Bashkitë do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Akademisë, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e shpenzimeve për tre vitet e para.

Qëllimi është rritja e kapaciteteve dhe performancës së administratës vendore, me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

The post Krijohet OJF që do trajnojë stafet e pushtetit vendor, Arbjan Mazniku në krye të strukturës appeared first on Gazeta Si.

Ligji për inspektimin / Qeveria riorganizon 14 institucione, mes tyre dhe AKU

16 July 2025 at 22:07

Gazeta Si – Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendimin për riorganizimin e institucioneve inspektuese të vendit.

Ky vendim, ka për qëllim sigurimin e standarteve që inspektorët të kenë njohuritë, aftësitë dhe integritetin e posaçëm për ushtrimin e funksionit të tyre.

Do të jenë 14 institucione të cilat do të riorganizohen. Bëhet fjalë për:  Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Instituti i Shëndetit Publik.

Inspektorët, do i nënshtrohen trajnimit për 15 ditët, e më pas do të kryejnë teste. Testet do të jenë në teori dhe praktikë, e më pas do të vlerësohen me pikë nga KREK-u.

Pasi kandidatët të kenë kaluar me sukses testimet, do të përfitojnë kartën e inspektorit, që do të lëshohet nga Inspektori i Përgjithshëm. Kjo kartë, do të mbartë emrin, mbiemrin, foton, numrin unik identifikues, datën e lëshimit e të skadencës, fushën e inspektimit ose specializimit, por dhe element të tjerë shtesë që do të parandalojnë falsifikimin e tyre.

Sakaq, inspektorët aktualë në detyrë, të cilët nuk janë testuar për njohuritë e tyre prej më shumë se katër vite, do i nënshtrohet provimit të parë periodik brenda një viti, që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

E gjitha kjo vjen, pasi kryeministri Edi Rama, kërkoi pezullimin e punës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ndërkohë, më 12 korrik 2025, u vendos për ngritja e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë që do të vlerësojë inspektorët e AKU-së.

Tre prej këtyre anëtarëve do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Përveçse se do vlerësojnë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së, në fokus do të jenë edhe aplikantët e rinj.

The post Ligji për inspektimin / Qeveria riorganizon 14 institucione, mes tyre dhe AKU appeared first on Gazeta Si.

Fakte dhe statistika për Silverstone 2025

16 July 2025 at 20:39

Silverstone nuk zhgënjen si gjithmonë. Edhe këtë sezon moti britanik i mbajti tifozët përpara ekranit në të 52 xhirot e garës. Vendasit u shpërblyen me fitoren e McLaren dhe Lando Norris, mgjs një tjetër patriot i njohur mbeti jashtë podiumit. Më poshtë ju njohim me numrat që duhet të dini…

• Norris u bë britaniku i 13 që fiton në “British Grand Prix”.

• Ishte gara e 25 që fitohet nga një pilot britanik në Silverstone në 75 vite kompeticion.

• McLaren fitoi për të parën herë në Silverstone qe prej vitit 2008 me Leëis Hamilton.

• Norris reduktoi diferencën në klasifikimin e përgjithshëm në 8 pikë pas Oscar Piastri-t.

• Me Piastri-n në vendin e 2, McLaren vendosi pilotët në 2 vendet e para në Austria dhe Britaninë e Madhe.

• McLaren mbylli garën me dy pilotët në vendet e para për të 5 herë në 2025, më shumë se cdo sezon tjetër në shekullin e 21.

• Me vendin e 3 për Kick Sauber, Nico Hulkenberg kishte karrierën mpë të gjatë në F1 pa një podium (238 Grands Prix në më shumë se 15 vite).

• Sauber gjeti podiumin e parë prej Japoni së në vitin 2012 me Kamui Kobayashi-n.

• Hulkenberg u bë gjermani i parë në podium prej Sebastian Vettel në vitin 2021 në “Azerbaijan Grand Prix”.

• Hulkenberg është piloti më i vjetër që shkon në podium për të parën herë (37 vjec) prej George Follmer (39 vjec) në “Spanish Grand Prix” të vitit  1973.

• Kick Sauber u ngjit në vendin e 7 në Klasifikimin e Konstruktorëve pas këtij rezultati.

• Hulkenberg u nis nga vendi i 19, pozicioni më i keq për një pilot që e mbyll garën në podium në historinë 32 vjecare të Sauber.

• Nico Hulkenberg kaloi 177 xhiro në pozicione podiumi përpara garës së këtij viti në ishull.

• Gjermani u bë piloti i 218 që ngjitet në podium në historinë e F1.

• Me vendin e 4 për Ferrari-n, Leëis Hamilton përsëriti rezultatin më të mirë sezonal për të dytën garë rradhazi.

• Pozicion që i dha fund 12 garave rradhazi që Hamilton ngjitej në podium në Silverstone (seria më e gjatë nga cdo pilot në cdo cirkuit).

• Pas vendit të 5 për Red Bull, Max Verstappen e sheh kreun e klasifikimit, 69 pikë më poshtë.

• Me vendin e 6, Pierre Gasly rregjistroi rezultatin më të mirë sezonal për Alpine.

• Lance Stroll në vendin e 7 për Aston Martin ishte pozicionimi i parë në top8 pas Australisë në fillim të sezonit.

• Stroll xhiroi në pozicion podiumi për të parën herë prej vitit 2023.

• Williams dhe Alex Albon morën pikë në Silverstone për të 3 sezon rradhazi.

• Fernando Alonso u rendit në vendin e 9 për Aston Martin, për të 4 garë rradhazi këtë sezon.

• Alonso mori pikë për të 6 garë rradhazi në Silverstone.

• Me George Russell në vendin e 10 dhe Kimi Antonelli-n jashtë garës, Mercedes mungoi për të praën herë në podium në Silverstone prej vitit 2012.

• Tetë konstruktorë u renditën në zonën e pikëve, më shumë se në cdo garë tjetër të këtij sezoni.

• Ferrarii i Charles Leclerc përfundoi jashtë zonës së pikëve për të parën herë këtë sezon.

• Red Bull dhe Yuki Tsunoda në vendin e 15, ishin të fundit për të dytën garë rradhazi.

• Antonelli u tërhoq për të 4 në 6 garat e fundit.

• Isack Hadjar u tërhoq për të praën garë këtë sezon (dështoi të nisej në Australi).

• Racing Bulls i pa dy makinat e saj jashtë që në xhiron e 19, për të praën herë prej garës së Kinës në vitin 2024.

The post Fakte dhe statistika për Silverstone 2025 appeared first on Gazeta Si.

Prishet koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Lapaj: Endri Shabanit i shkoftë mbarë bashkë me dajon!

16 July 2025 at 19:56

Gazeta Si – Kandidati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të martën e 15 korrikut, përmes së cilës shpreh vullnetin e tij të qartë për të marrë mandatin e deputetit, nëse rezulton fitues pas shpërndarjes së mandateve në zgjedhjet e 11 majit.

Lidhur me këtë kërkesë ka pasur një reagim edhe nga kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Në një postim në rrjetet sociale shprehet se sipas tij është angazhuar e gjithë ‘këneta’ që të arrihet qëllimi që Lapaj të marrë mandatin e deputetit dhe të futet në parlament.

Lapaj thekson se Endri Shabani dhe daja i tij nuk do të marrin asnjë mandat dhe shprehet se vetëm ‘qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament’.

“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit, nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon! Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë. Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj.

Por kryetari i partisë “Nisma Thurje”, Endri Shabani, ka reaguar pas akuzave publike të Lapajt, i cili e akuzoi atë dhe familjarët e tij për përpjekje për t’i marrë mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të 11 majit.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Shabani shprehet se ndjen keqardhje për deklaratat e Lapajt, duke theksuar se ai nuk ka asnjë lidhje me vendimin e dajës së tij, Zeqir Kordhoni, për të mos hequr dorë nga mandati.

“Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut. Dua të sqaroj tre gjëra: E para, mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim?”, shkruan Shabani.

Në zgjedhjet e 11 Majit, në listat e “Nismës Shqipëria Bëhet”, kryetarët e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani e futën veten në listë të hapur.

Koalicioni arriti të fitojë një mandat në qarkun e Tiranës, ku ndonëse Lapaj ka marrë më shumë vota personale, fituese rezulton e para në listën e mbyllur Ana Dajko.

Në mënyrë që Lapaj të marrë mandatin, do të duhet të japin dorëheqjen përveç Dajkos, edhe të 11 kandidatët e tjerë të listës së mbyllur.

The post Prishet koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Lapaj: Endri Shabanit i shkoftë mbarë bashkë me dajon! appeared first on Gazeta Si.

Izraeli godet me raketa Ministrinë e Mbrojtjes në Siri. SHBA: Jemi të shqetësuar

16 July 2025 at 19:35

Gazeta Si – Izraeli ka bombarduar Damaskun, kryeqytetin sirian, duke goditur Ministrinë e Mbrojtjes dhe të paktën një ndërtesë pranë pallatit presidencial.

Sulmet filluan pas tre ditësh bombardimesh në jug të vendit, të justifikuara zyrtarisht nga dëshira për të mbrojtur komunitetin Druze, i cili është i përfshirë në përleshje të dhunshme me grupet xhihadiste dhe forcat e sigurisë siriane, dhe me të cilët qeveria izraelite ka një marrëdhënie veçanërisht të ngushtë.

Ministria Siriane e Shëndetësisë tha se të paktën tre persona u vranë dhe 34 u plagosën në sulmet ndaj Damaskut: këto shifra janë ende të pjesshme dhe po përditësohen.

החלו המכות הכואבות pic.twitter.com/1kJFFXoiua

— ישראל כ”ץ Israel Katz (@Israel_katz) July 16, 2025

Sulmet u konfirmuan nga ushtria izraelite, e cila publikoi gjithashtu një video të bombardimeve. Israel Katz, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, ndau një video në mediat sociale që tregonte një prezantues televiziv sirian që kërkonte strehim gjatë bombardimeve. Në postim, ai shkroi: “Po fillojnë bombardimet e rënda”.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur “shqetësim të madh” lidhur me intensifikimin e sulmeve ajrore të Izraelit në territorin sirian.

Deklarata u bë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili u shpreh se situata po ndjek një rrugë shumë të rrezikshme për stabilitetin rajonal.

“Jemi shumë të shqetësuar për eskalimin e fundit në Siri dhe ndikimin që mund të ketë në gjithë rajonin”, tha Rubio për mediat amerikane.

Ai nënvizoi se SHBA mbështet sigurinë e Izraelit, por theksoi se veprimet ushtarake duhet të merren me kujdes në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe pasojat humanitare.

Ditët e fundit, ushtria izraelite kishte bombarduar forcat siriane të sigurisë në qytetin jugor sirian Suwayda, ku kishin shpërthyer përleshje midis komuniteteve Druze dhe Beduine.

“Ne po veprojmë për të shpëtuar vëllezërit tanë Druze”, shkroi në një deklaratë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një OJQ me seli në Mbretërinë e Bashkuar që ka monitoruar ngjarjet në vend për vite me radhë dhe konsiderohet e besueshme, 248 persona janë vrarë deri më tani në përleshjet midis Druze dhe Beduin në Sirinë jugore.

Sulmi i së mërkurës në Damask përfaqëson një përshpejtim të ndjeshëm të krizës. Nuk është ende e qartë nëse ishte një paralajmërim kundër qeverisë së Presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa apo fillimi i një fushate të zgjatur.

The post Izraeli godet me raketa Ministrinë e Mbrojtjes në Siri. SHBA: Jemi të shqetësuar appeared first on Gazeta Si.

Turqi / Ish-kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu dënohet me 1 vit e 8 muaj burg

16 July 2025 at 18:44

Gazeta Si – Në Turqi, ish-kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, është dënuar me një vit e tetë muaj burg për fyerje dhe kërcënim të një zyrtari publik.

Imamoglu është rivali kryesor politik i Presidentit autoritar Rexhep Tajip Erdogan: opozita pretendon se gjyqet kundër tij janë të sajuara dhe kanë për qëllim ta pengojnë atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Akuzat për të cilat ai u dënua lidhen me kritikat e bëra në fund të janarit nga Imamoglu ndaj kryeprokurorit të Stambollit, Akin Gurlek, të cilin ai e akuzoi për ndjekje penale të anëtarëve të opozitës me akuza të motivuara politikisht.

Një apel është i mundur nga ana e Imamoglu. Nëse ai do të ishte dënuar me më shumë se dy vjet burg (prokurori kishte kërkuar më shumë se shtatë), do të kishte rrezikuar gjithashtu një periudhë skualifikimi nga mbajtja e një posti publik.

Imamoglu ka qenë në burg që nga 23 marsi, kur u arrestua me akuza që lidhen me korrupsionin e dyshuar dhe lidhjet me një organizatë terroriste.

Gjykimi për këto akuza është duke vazhduar. Në javët pas arrestimit të tij, shpërthyen protesta të gjera antiqeveritare në disa qytete turke, duke çuar në përleshje midis protestuesve dhe forcave të rendit dhe në më shumë se një mijë arrestime.

Në muajt e fundit, dhjetëra anëtarë të opozitës janë arrestuar, të cilët përballen me akuza arbitrare që besohet se janë të motivuara politikisht.

The post Turqi / Ish-kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu dënohet me 1 vit e 8 muaj burg appeared first on Gazeta Si.

Hapësirat publike, Rama anulon legalizimet dhe paralajmëron punonjësit e ALUIZNI-t dhe Kadastrës

16 July 2025 at 18:28

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama njofton se qeveria do të marrë masa të ashpra për të luftuar legalizimet e paligjshme në hapësirën publike.

Për të gjitha rastet ku janë ngritur tenda hekuri me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, duke marrë dokumente legalizimi, do të ketë zero tolerancë dhe anullim ligjor.

Kryeministri thekson se ky është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur hapësirat publike dhe për të garantuar rendin dhe ligjin në territorin shqiptar.

”Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona” shkruan Rama në postim.

Kreu i qeverisë, prej disa ditësh ka paralajmëruar të gjitha bizneset që kanë zënë padrejtësisht hapësirat publike.

Në këtë mënyrë, me urdhër të Ramës, nisi dhe aksioni i IKMT-ve në vend për lirimin e këtyre hapësirave. E njëjta gjë ndodhi dhe në zonën e Thethit, ku u shembën rreth 70 struktura pa leje, që kishin zaptuar hapësirën publike.

Ky aksion i IKMT-së soli reagim të ashpër të pronarëve të këtyre strukturave si dhe të banorëve të zonës, por brenda një jave u kompletua i gjithë operacioni i shembjeve.

The post Hapësirat publike, Rama anulon legalizimet dhe paralajmëron punonjësit e ALUIZNI-t dhe Kadastrës appeared first on Gazeta Si.

Tragjedia e 7-vjeçares në Potam, shpallen të pafajshëm 5 policët. Familjarët të zhgënjyer

16 July 2025 at 17:58

Gazeta Si – Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka shpallur sot të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët e vogëlushes, të cilët e kanë quajtur këtë vendim “të padrejtë dhe zhgënjyes”.

Prokuroria kishte kërkuar nga 1 vit e 6 muaj burg për secilin prej të pandehurve, duke argumentuar se mungesa e masave të sigurisë në plazhet publike kishte krijuar kushtet që çuan në vdekjen tragjike të Jonadës. Por trupa gjykuese i rrëzoi të gjitha akuzat dhe shpalli të pafajshëm të gjithë efektivët.

Në sallën e gjyqit foli edhe gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, i cili tha se drejtësia nuk i mori parasysh faktet dhe provat që ai paraqiti gjatë procesit. “Kjo është një goditje e dytë për familjen tonë. Nuk pati drejtësi për Jonadën”, u shpreh ai mes lotëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në gusht 2022, kur 7-vjeçarja Jonada Avdiaj po lahej në breg të detit bashkë me babain e saj, kur u përplas për vdekje nga një skaf i drejtuar nga polici Arjan Tase.

Ndërkohë, në një proces të veçuar, Gjykata dënoi autorin e ngjarjes, Arjan Tase, me 12 vite burg për veprën penale “vrasje me dashje”, pasi përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Me këtë vendim, procesi penal që zgjati afro tre vite përfundoi me dënimin vetëm të autorit të drejtpërdrejtë, ndërsa institucionet përgjegjëse për sigurinë në plazh nuk mbajtën asnjë përgjegjësi ligjore.

The post Tragjedia e 7-vjeçares në Potam, shpallen të pafajshëm 5 policët. Familjarët të zhgënjyer appeared first on Gazeta Si.

Manaj kualifikon Dritën, Shkëndija i ndjek, Egnatia zhgënjen

16 July 2025 at 15:31

Nga Gazeta Si – Dy fitore dhe një humbje në mbrëmjen e shqiptarëve në Champions League, rrjedhimisht dy skuadra të kualifikuara dhe kampionia e Shqipërisë që zbret në Conference League pas eleminimit. Zhgënjim total nga skuadra rrogozhinase e cila pësoo 5 gola në Islandë. Edhe një javë më parë Egnatia fitoi me golin e Grudës, por më pak se 24 orë më parë, ajo ishte inekzistente në transfertën ndaj Breidablik. Duke konfirmuar edhe një herë më parë se klubet e Superiores janë shumë larg konkurimit në Champions League. Tani rruga e “bandës” së Tetovës do të vazhdojë në Conference League…Arb Manaj është heroi i Dritës me 3 golat që shënoi në kualifikimin pas 180 minutash ndaj Differdange. Pasi dygolëshit të tij në pjesën e parê, vendasit ja dolën të barazonin me një gol për çdo pjesë. Por kampionët e Kosovës, gjetën golin e fitores jo shume larg fundit të kohës së rregullt për një kualifikim historik në Ligën e kampioneve. Sipas bookmaker’save evropianë, Drita do të jetë skuadra e vetme shqiptare në fazën e grupeve. Por kjo në Conference League, ku skuadra kosovare do të vazhdojë nëse eleminohet në raundin pasardhës të Champions League. Në fund Shkëndija, skuadra e dytë shqiptare që u kualifikua të martën në mbrëmje. Kampionia e Maqedonisë së Veriut hodhi një hap të rëndësishëm një javë më parë në Uells. Ndërsa vulosi gjithcka në shtëpi ndaj The New Saints që nuk rezultoi një pengesë serioze për kuqezinjtë e Tetovës.

The post Manaj kualifikon Dritën, Shkëndija i ndjek, Egnatia zhgënjen appeared first on Gazeta Si.

❌
❌