Normal view
Marrëveshje historike/ Franca njofton paktin për krijimin e Shtetit të Kaledonisë së Re
Franca dhe Kaledonia e Re kanë arritur një marrëveshje “historike”, përmes së cilës arkipelagu përtej detit do të shpallet zyrtarisht si një shtet i ri, por do të mbetet sërish pjesë e Republikës Franceze.
Arritja e marrëveshjes u publikua sot (12 korrik) , pas përfundimit të bisedimeve 10-ditore në Paris, që synonin zgjidhjen e krizës politike dhe etnike në këtë territor të trazuar.
Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirje më herët për dialog gjithëpërfshirës me aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë të Kaledonisë së Re, pas valës së dhunës separatiste që goditi vendin vitin e kaluar, ku humbën jetën 14 persona dhe u shkaktuan dëme ekonomike në vlerën e rreth 2 miliardë eurosh, duke ulur PBB-në e territorit me 10%.
Sipas marrëveshjes së re, territori do të quhet “Shteti i Kaledonisë së Re”, duke ruajtur një status të veçantë brenda Francës dhe me qytetarët që do të vazhdojnë të kenë nënshtetësi franceze.
“Nuk do të ketë më referendume për pavarësinë, përveç atij që do të konfirmojë këtë marrëveshje të re,” tha Nicolas Metzdorf, deputet dhe përfaqësues i krahut Anti-Pavarësi, në një deklaratë për agjencinë AFP.
Marrëveshja synon të zbusë tensionet e thella midis komuniteteve kanake autoktone, shumë prej të cilëve kërkojnë pavarësi të plotë, dhe popullsisë pro-franceze, që mbështet ruajtjen e lidhjeve me Parisin.
Tashmë, dokumenti do të kalojë për miratim në parlamentin francez dhe më pas në një referendum, që do të konfirmojë statusin e ri të territorit.
Kryeministri Franccois Bayrou e quajti këtë zhvillim një hap me “dimensione historike”, duke theksuar rëndësinë e pajtimit dhe rikuperimit ekonomik pas trazirave.
Kaledonia e Re, me një popullsi prej rreth 270,000 banorësh, ndodhet në Oqeanin Paqësor, rreth 17,000 kilometra nga Parisi, dhe ka qenë nën sundimin francez që prej shekullit XIX.
Megjithatë, tensionet rreth statusit të saj politik kanë qenë të vazhdueshme, me përplasje të herëpashershme midis kanakëve pro-pavarësisë dhe forcave besnike ndaj Francës.
Kombësi e re dhe status i dyfishtë
Marrëveshja 13-faqëshe e shpallur të shtunën përfshin krijimin e një kombësie të veçantë të Kaledonisë së Re, me mundësinë që banorët të mbajnë njëkohësisht edhe kombësinë franceze.
Kryeministri François Bayrou e quajti marrëveshjen e së shtunës një akt me “dimensione historike”, edhe pse ajo kërkon ende miratim parlamentar dhe votë popullore me referendum, që pritet të mbahet në vitin 2026.
Kosto e lartë e dhunës dhe përparësitë ekonomike
Pas trazirave që shpërthyen në maj 2024 – kur Parisi planifikoi t’u jepte të drejtën e votës mijëra banorëve jo-autoktonë me banim afatgjatë – situata u përkeqësua ndjeshëm. Kanakët vendas e panë këtë si kërcënim për të ardhmen e tyre politike dhe si pengesë për pavarësinë. Si pasojë, shpërthyen dhuna që la 14 të vdekur dhe 2 miliardë euro dëme ekonomike (rreth 10% e PBB-së së territorit).
Në marrëveshje parashikohet që, në të ardhmen, vetëm personat që kanë jetuar për të paktën 10 vjet në arkipelag do të kenë të drejtë vote.
E kaluara dhe rruga drejt një statusi të ri
Referendumi i fundit për pavarësinë u mbajt në vitin 2021, por u bojkotua nga grupet pro-pavarësi për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 në popullatën Kanake. Ky ishte referendumi i tretë që nga viti 2018, dhe të gjithë i kanë refuzuar pavarësinë.
Pas referendumit të vitit 2021, situata politike në arkipelag mbeti e bllokuar. Në qershor 2025, Macron deklaroi se dëshironte një “projekt të ri” për Kaledoninë e Re.
Marrëveshja përfshin gjithashtu një pakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare, me fokus në industrinë e përpunimit të nikelit, një sektor kyç për ekonominë lokale.
Të dy dhomat e Parlamentit francez do të mblidhen në tremujorin e katërt të vitit për të miratuar marrëveshjen, e cila më pas do t’i paraqitet popullsisë së Kaledonisë së Re në një referendum në vitin 2026.
Zemra që shpëtoi jetë/ Ukrainë, transplant mes bombardimeve ruse
Mbrëmjen e 9 korrikut, qyteti i Kievit po përballej me një valë sulmesh të ashpra ajrore nga forcat ruse, të cilat përfshinin mbi 400 dronë dhe disa raketa balistike. Në këto kushte të jashtëzakonshme, kirurgu i njohur Ukrainas Dr. Borys Todurov, drejtori i Institutit të Zemrës në Kiev, u angazhua në një mision të rëndësishëm humanitar për të shpëtuar jetën e një fëmije.
Një vajzë 4 vjeçare kishte humbur jetën në anën perëndimore të Kryeqytetit Ukrainas dhe mamaja e saj, një punonjëvse në sektorin e shëndetësisë kishte rënë dakord që organet e sa të dhuroheshin.
Pas përfundimit të një operacioni urgjent në Institutin e Zemrës, Dr. Todurov u nis personalisht drejt spitalit Okhmatdyt për të marrë zemrën. Udhëtimi përshkoi rrugët e qeta për shkak të orës së vonë, por shumë të rrezikshme për shkak të sulmeve ajrore. Gjatë kalimit të urës mbi lumin Dnipro, zona më e rrezikshme e qytetit për shkak të mbrojtjes ajrore që qëllonte raketat në ajër, ambulanca kaloi me kujdes maksimal.
Një video e regjistruar gjatë këtij transporti tregon flakë pranë rrugës, ndërsa Dr. Todurov dëgjohet të thotë: “Po transportojmë një zemër.”
Pasi mbërriti në Institutin e Zemrës, zemra u transplantua menjëherë tek pacientja, një vajzë e vogël me një sëmundje të rëndë të zemrës. Operacioni u krye me sukses dhe pacientja aktualisht ndodhet në gjendje stabile, me funksion normal të zemrës së re. Përveç zemrës, dy organe të tjera të donatores – veshkat dhe mëlçia – iu transplantuan dy pacientëve të tjerë që ndodheshin në spitalin Okhmatdyt. Një djalë 14-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare, të dy në gjendje kritike, morën këto organe dhe falë tyre fituan shansin për jetë më të gjatë.
Qendra Ukrainase për Koordinimin e Transplantimeve falënderoi familjen e donatores për vendimin e tyre të vështirë, por jetik, duke theksuar rëndësinë e dhurimit të organeve edhe në kohë lufte. / abcnews.al
Shpërthen bombula e gazit/ Shkodër, plagoset pronari i banesës
Një shpërthim bombule gazi ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 17:55 në lagjen “Partizani” në Shkodër.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar vetë pronari i banesës, i cili ndodhet në spital, por jashtë rrezikut për jetën.
” Rreth orës 17:55, në lagjen “Partizani”, në banesën e shtetasit A. J., ka shpërthyer një bombël gazi. Si pasojë është dëmtuar pronari i banesës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.“, njofton policia. / abcnews.al
Suedia merr me qira burgje në Estoni mes krizës penale dhe mbipopullimit
Suedia po përballet me një krizë serioze në sistemin e saj të burgjeve, për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të të burgosurve. Si zgjidhje të përkohshme, autoritetet suedeze kanë njoftuar se do të marrin me qira deri në 600 vende në burgjet e Estonisë, përmes një marrëveshjeje që pritet të hyjë në fuqi në verën e vitit 2026, pas miratimit parlamentar.
Ky zhvillim vjen në kuadër të një ndryshimi rrënjësor të politikës penale në Suedi, e cila po largohet nga modeli tradicional rehabilitues dhe po i afrohet një qasjeje më ndëshkuese, nën ndikimin e qeverisë qendër-djathtas dhe partisë së ekstremit të djathtë Sëeden Democrats.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Suedez i Burgjeve (Kriminalvården), numri i të burgosurve mund të rritet nga 7,800 në vitin 2024 në rreth 41,000 deri në vitin 2034. Aktualisht, burgjet janë të tejmbushura dhe sistemi ndodhet në gjendje krize, sipas kreut të shërbimit, Joakim Righammar.
Ndër masat më të debatueshme janë:
- Dënimi i të miturve 15-vjeçarë me deri në 10 vjet burg,
- Propozimi për uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç (me kërkesa për ulje deri në 13 vjeç),
- Zëvendësimi i qendrave rinore me burgje për të rinj nga viti i ardhshëm.
Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, ka mbrojtur marrëveshjen me Estoninë si të domosdoshme për të ulur presionin mbi sistemin vendas, ndërsa kritikët paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së një modeli amerikan të burgosjes masive.
Ekspertja Emelí Lönnqvist dhe prifti Olle Jonasson theksojnë se po braktiset qasja humane ndaj të dënuarve, ndërsa të rinjtë shpesh përfundojnë në burgje si viktima të manipulimit nga bandat, jo si kriminelë profesionistë.
News Hour me Rovena Nezirin, (12/07/2025)
Hetimi: Ndërprerësit e karburantit të aeroplanit Air India u ndalën pak para rrëzimit
Ndërprerësit për kontrollim të karburantit në motorët e aeroplanit të kompanisë ajrore Air India, i cili është rrëzuar pak pasi është nisur dhe ka lënë të vdekur 260 persona muajin e kaluar, e kanë ndryshuar statusin nga pozicioni i “rrjedhshëm” në të “ndalur” pak para se të ndodhte incidenti, është thënë në një raport paraprak hetimor të shtunën.
Në raportin e lëshuar nga Byroja për Hetimin e Aksidenteve të Aeroplanëve të Indisë, nuk janë dhënë përfundime apo se kush ka faj për katastrofën e 12 qershorit, mirëpo sipas të dhënave të kutisë së zezë, një pilot e ka pyetur tjetrin se pse e ka ndalur karburantin dhe i dyti i ka thënë se nuk ka vepruar ashtu.
Aeroplani i llojit Boeing 787-8 ishte nisur nga Ahmedabadi, qytet në perëndim të Indisë, për në Londër. Si pasojë e rrëzimit të aeroplanit kanë vdekur 242 persona në bord dhe 19 tjerë që kanë qenë në vendin e përplasjes.
Një pasagjer ka mbijetuar mrekullisht. Ai ka qenë një shtetas britanik, i cili ka arritur të largohet nga copëzat e aeroplanit dhe tashmë është liruar nga spitali.
Në raportin prej 15 faqesh, byroja për hetime ka thënë se sapo aeroplani ka arritur në shpejtësinë e duhur “ndërprerësit për karburant të motorëve 1 dhe 2 janë ndalur me një distancë nga njëri-tjetri prej 1 sekonde”.
Menjëherë pas këtij veprimi, raportohet se aeroplani e ka humbur drejtimin.
Sipas raportit, ndërprerësit janë rikthyer sërish në pozicionin “rrjedhës” dhe motorët kanë fituar fuqi, mirëpo njëri prej pilotëve veçse e ka nisur sinjalin për emergjencë.
Kontrollorët e trafikut ajror i kanë pyetur pilotët se çfarë ka ndodhur, mirëpo e kanë parë aeroplanin të rrëzuar dhe e kanë angazhuar menjëherë personelin për emergjenca në vendin e ngjarjes.
/ abcnews.al
Radhë mjetesh në Qafë Thanë/ Fluks i madh nga Maqedonia e Veriut, ndërprerje në sistemin TIMS
Fundjava ka sjellë radhë kilometrike në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar të shtunën plazheve në vendin tonë, çka ka sjellë edhe fluksin e e lartë të automjeteve.
Policia kufitare ka sqaruar se shkak për këto radhë janë bëre disa ndërprerje të rrjetit të sistemit TIMS për shkak të mbingarkesës.
Ndërkohë, në këtë pikë kufitare aktualisht po punohet me një sportel në hyrje dhe një në dalje, ndersa shtimi i sporteleve varet nga pala maqedonase.
/ abcnews.al
Paketa e maleve, nisin aplikimet/ Aplikimet dorëzohen online nëpërmjet portalit E-Albania
Hapen aplikimet për Paketën e Maleve.Të gjithë të interesuarit për të investuar në tokën e tyre mund të aplikojnë online nëpërmjet portalit “paketa e maleve .gov.al” ku mund të gjejnë edhe procedurat që duhet të ndjekin.Ndërkohë që paketa parashikon që për 500 aplikuesit e parë të ketë përjashtim nga disa taksa si TVSH, tatimi mbi të ardhurat ,taksa e pasurive të paluajtshme dhe taksa në infrastrukturë për 10 vjet.
Ligji për Paketën e Maleve synon të krijojë kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonat malore në vend kryesisht ato në veri..
Aktualisht zonat malore kanë vështirësi në dhënien e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për shkak të mungesës së certifikatave të pronësisë . Shumë toka në zonat veriore por edhe në jug administrohen ose zotërohen nga individë dhe familje, posedues jopronarë, që nuk kanë tituj formalë pronësie. Në këtë mënyrë paketa e maleve synon që përmes një procesi të thjeshtuar administrative të lejoj që poseduesit jopronarë të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të thjeshtuar nga bashkia.Pas verifikimit të gjendjes së pronës parashikohet dhënia e pronësisë me çmim simbolik (1 euro) për ata që kanë plan zhvillimi dhe marrin lejen përkatëse.
Paketa synon rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve si dhe frenimin e emigracionit. / abcnews.al
Saga e tarifave/ Trump vendos tarifë 30 për qind ndaj importeve nga BE dhe Meksika
Presidenti Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave 30% për të gjitha mallrat e importuara nga Bashkimi Evropian dhe Meksika, duke e justifikuar këtë veprim si të nevojshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-ve për shkak të deficitit të madh tregtar.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump publikoi letra të veçanta drejtuar BE-së dhe Meksikës. Ai shkroi se marrëdhënia tregtare me BE-në ka qenë “e padrejtë dhe jo reciproke”, dhe se tarifat e reja synojnë të adresojnë “deficitet afatgjata të shkaktuara nga tarifat dhe barrierat tregtare evropiane”.
Në letrën drejtuar Meksikës, Trump u shpreh se vendi fqinj nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar që SHBA të kthehet në një “terr i trafikut të drogës”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se BE-ja është e gatshme të përgjigjet me kundërmasa proporcionale, nëse tarifat hyjnë në fuqi më 1 gusht. Ajo tha se vendimi i SHBA mund të dëmtojë rëndë zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe theksoi se BE-ja mbetet e hapur për dialog.
Ndërkohë, kryeministri holandez Dick Schoof e cilësoi vendimin e Trump si “shqetësues” dhe theksoi se BE-ja duhet të qëndrojë e bashkuar për të arritur një marrëveshje të ndershme me SHBA. / abcnews.al
-
- Ministri Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor, pjesë e thelbit strategjik të Europës
Ministri Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor, pjesë e thelbit strategjik të Europës
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dubrovnikut 2025, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit – ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.
Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë – përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën – Ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje – janë domosdoshmëri.
“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë – është kontribuuese. Nuk presim – po ecim përpara.”
Ministri Hasani nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grupkapituj negociues – përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm – dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.
Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.
“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane.” / abcnews.al
-
- Pranga për ndërtim pa leje/ Arrestohet administratori i një subjekti, procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së në Korçë
Pranga për ndërtim pa leje/ Arrestohet administratori i një subjekti, procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së në Korçë
KORÇË- Një administrator i një subjekti në Voskopojë, i identifikuar si Ibrahim Kruja është arrestuar për ndërtim pa leje.
Ky shtetas dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht Kryeinspektori Idlir Lemillari dhe Inspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë, Emil Kafexhiu, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.
Ndërkohë janë pezulluar nga detyra dhe proceduar në mënyrë disiplinore disa efektivë të Policisë së Shtetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për qytetarët që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe për administratorët apo pronarët e bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi do të përballen me ligjin.
Fërkimet Lapaj-Shabani/ Kreu i “Thurje”, letër KQZ: Zyrtarizo dorëheqjet!
TIRANË– Ujërat brenda opozitarëve të rinj janë trazuar. Një ditë pasi kandidati I Nismës thurje Zeqir Kordhoni, la të kuptohej se firma e dorëheqjes se tij ishte falsifikuar, nipi i tij Endri Shabani, i është drejtuar me një shkresë kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, ku i kërkon të njohë të gjithë dorëheqjet e 46 kandidatëve të koalicionit të paraqitura në KQZ më 11 maj.
Shabani thotë se mandati duhet ti kalojë të parit të listës së hapur, në këtë rast Adriatik Lapajt, duke shuar zërat se letra e Kordhonit ishte nxitur prej tij, dhe duke ja lënë topin Adriatik Lapaj për deklaratën e tij para zgjedhjeve lidhur me mandatin e vetëm qe nxori koalicion I tyre në 11 maj.
Të enjten, Zeqir Kordhoni, kërkoi nga KQZ që t’i vihet në dispozicion letra e dorëheqjes të cilën pretendon se nuk e ka dhënë ai personalisht, por ia ka bërë partia e Lapajt, ndaj dhe KQZ i ka hequr emrin.
Në formularin e deklarimit, ai rezulton një punëtor ndërtimi dhe invalid, por emri i tij ishte vetëm pjesë e skemës së Lapajt e Shabanit për të mbushur listat e mbyllura me familjarë, ndërsa të dy do të bënin gara në listë të hapur.
Duke e përdorur këtë teze edhe për të bërë një garë ndryshe nga të vjetërit, pra për të formalizuar votën e listës së hapur
Por kjo lëvizje e behtë, përpara se KQZ, të shpërndajë mandatet, më shumë se ambicie e Kodhonit për të hyrë në parlament, u duk si taktikë e Shabanit për të forcuar pozitat brenda koalicionit, e për të blinduar vendin e dytë, në listë të hapur.
Kërkesa e te premtes e Shabanit, e shkarkon atë nga kjo insinuate, por njëkohësisht e lë Lapajn vetëm, përballë premtimit të tij para zgjedhjeve te 11 majit:
Tani Lapaj duhet të vendosë: të marrë mandatin e të dalë gënjeshtar, apo ta lërë atë te Endri Shabani. Në të dyja rastet, kreu I Shqipëria Bëhet është me I humburi nga kjo përballje, ndërsa koalicioni mes te dyve, vihet me në dyshim se kurrë./abcnews.al
-
- Ish-drejtori i burgut të Drenovës, nën hetim/ Fation Fasho lejoi modelen në takim special me Laert Haxhiun
Ish-drejtori i burgut të Drenovës, nën hetim/ Fation Fasho lejoi modelen në takim special me Laert Haxhiun
KORÇË- Prokuroria e Korçës ka marrë zyrtarisht nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës ish-drejtorin dhe ish-shefin e policisë së burgut të Drenovës.
Fatjon Fasho ish-drejtor burgu dhe Sokol Kaçoli, shef policie në këtë burg, po hetohen nga prokuroria për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Hetimi filloi pas takimit të modeles nga Kosova Ziza Pajaziti me të dënuarin me burg të përjetshëm Laert Haxhiu.
Burime zyrtare të Prokurorisë së Korçës bëjnë të ditur se është vetëm faza e parë e fillimit të hetimit.
Në vijim, pas sekuestrimit të protokollit të ndjekur nga Drejtoria e Burgjeve për rastin në fjalë si dhe sekuestrimi i rregullores së brendshme të burgjeve, do të këtë dhe një hetim më të thelluar për zbatimin e këtij protokolli nga ana e stafit të brendshëm të këtij institucioni.
Pas verifikimit të dokumentit të martesës se Ziza Pajazitit me të burgosurin Vladimir Kurti, dokument qe i është paraqitur drejtorisë së burgjeve, do të verifikohet edhe fakti që në vend të Kurtit, në takim me Pajazitin, ka shkuar Laert Haxhiu.
Gjatë hetimeve paraprake në rast se provohet se ka elemente të korrupsionit, për shkak të kompetencës dosja do të transferohet në Prokurorinë e Posaçme.
Pak ditë më parë Fatjon Fasho u shkarkua nga detyra ndërsa shefi i Policisë së burgut u pezullua nga detyra pasi Laert Haxhiut iu gjet në qeli një telefon celular./abcnews.al
Asnjë produkt blegtoral pa faturë/ Të hënën nisin kontrollet në tregje e subjekte
TIRANË- Çdo subjekt që do të tregtoj produkte blegtorale si qumësht apo mish pa fature fiskale që të konfirmojë origjinën e tyre do të përballem me sekuestrim të mallit dhe penalitete.
Kreu i financave Petrit Malaj dhe ministrja e Bujqësisë paralajmëruan të gjitha bizneset se duke nisur nga java e ardhshme nuk do të ketë më asnjë tolerim.
Sipas Denaj, kjo masë është e domosdoshme për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit si dhe formalizimin e të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë.
Siguria ushqimore dhe formalizimi i të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë është një domosdoshmëri, në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian/abcnews.al
Ekstradohen tre shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar
SHQIPËRI– Ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, 3 shtetas shqiptarë, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të ekstraduarit:
-M. H. alias M. P., i kapur në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim;
-A. G., 40 vjeç, i kapur në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;
-S. O., i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.
Zjarre në Kurbin dhe Fier/ Mbrojtja Civile: 5 vatra flakësh në vend
Zjarri i renë mesditën e premtes në fshatin Skuraj të Kurbinit, ka djegur disa hektarë sipërfaqe masiv pyjor. Për shuarjen e vatrave janë aktivizuar tre zjarrfikëse, por për shkak të terrenit të vështirë është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.
Helikopteri i forcave të armatosura ka bërë të mundur izolimin e disa prej vatrave në zonën e malësisë së Kurbinit. Mëngjesin e kësaj të shtune aksionit për shuarjen e flakëve i janë bashkuar edhe forca nga agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Një zjarr ka rënë këtë mesditë edhe në Fier, në vendin e quajtur “Ura e Daullasit”. Zjarri është shkaktuar nga fermerët e zonës të cilët djegin sipërfaqet e tokave bujqësore. Flakët kanë shkaktuar panIK tek banorët e zonës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse për të bërë të mundur shuarjen e flakëve të cilat ndodhen pranë shtyllave të tensionit të lartë.
Për të shmangur rrezikun është bërë edhe stakimi i energjisë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë regjistruar 21 vatra zjarri, nga të cilat 5 vatra janë ende aktive.
Flakët nuk janë shuar ende në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan të Bulqizës. Zjarri ka qenë me intensitet të ulët dhe nuk pati rrezik për tu përhapur në zona të pyllëzuara. për pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 19 ha, ndërsa në operacion janë angazhuar ekipet zjarrfikëse që të mbajnë nën kontroll situatën për të mos e lënë këtë vatër të përparojë.
Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive edhe në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve” në Lurë, ku është djegur një sipërfaqe prej 30 hektarësh.
Ministria e Mbrojtjes raporton vatra aktive në Rrogozhinë e Elbasan, ndërsa vijojnë operacionet për shuarjen e tyre.
Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërit apelin për qytetarët që të raportojnë çdo rast dhe të tregojnë përgjegjshmëri.
News Line me Rovena Nezirin, (12/07/2025)
Shkaktoi aksidentin me dy të vdekur/ Arrestohet 40-vjeçari në Tiranë, i dënuar me 7 vjet burg
TIRANË– Një 40-vjeçar, i dënuar në mungesë me burg është arrestuar në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar Klajdi Ruçi me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ky person në vitin 2024 ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve.
Ai u arrestuar në zonën e Shkozës dhe tashmë do të vuajë dënimin e caktuar nga Gjykata.
Gjermania i dorëzon Ukrainës armë për të goditur brenda territorit rus
Gjermania ka konfirmuar se do të furnizojë Ukrainën me sisteme të reja armësh me rreze të gjatë veprimi, të cilat do t’i mundësojnë Kievit të godasë objektiva strategjike shumë larg vijës së frontit, brenda territorit të Rusisë.
Sipas Gjeneralit të Bundeswehrit, Christian Freuding, i cili udhëheq grupin mbështetës të Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes për Ukrainën, dërgesat e para pritet të shkojnë deri në fund të këtij muaji.
“Ky është një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës. Këto sisteme do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe aftësinë për të kryer goditje të synuara në thellësi të territoreve të kontrolluara nga Rusia,” tha Freuding për mediat gjermane.
Vendimi i Berlinit për të lejuar përdorimin e armëve të saj për goditje në territorin rus vjen pas kërkesave të përsëritura të autoriteteve ukrainase, të cilat kanë argumentuar se pa mundësinë për të goditur thellë brenda Rusisë, është e vështirë të ndalohet përparimi i ushtrisë ruse dhe të mbrohen qytetet ukrainase nga sulmet me raketa dhe dronë.
Ky zhvillim përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Gjermanisë, e cila deri më tani ka qenë më e kujdesshme në lidhje me dërgesat e armëve që mund të përshkallëzojnë konfliktin. Megjithatë, në kushtet e ofensivave të vazhdueshme ruse dhe pas dështimit të disa iniciativave diplomatike, Berlini ka vendosur të rrisë nivelin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Zyrtarët gjermanë theksojnë se përdorimi i këtyre armëve do të jetë i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Gjenerali Freuding ka shtuar se objektivi kryesor mbetet ndihma për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Me dërgesat e reja, Ukraina do të ketë në dispozicion mjete më të fuqishme për të kundërshtuar agresionin rus dhe për të forcuar pozitat e saj në fushën e betejës në muajt e ardhshëm.