Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 July 2025Faktoje

Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së

By: FAKTOJE
17 July 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla- Pa njërën këmbë dhe një dorë, invalidi i punës Bashkim Koçeku, bëri përpjekjen e fundit që me “forcën e tij” aq sa ia lejonte fiziku, të ndalte fadromat e IKMT-së që mos i shkatërronin pesë bujtina të vogla druri me të cilat ai dhe familja u vetëpunësuan. Mundi shkoi më kot, pasi në kulmin e sezonit turistik veror, në zonën e Thethit pranë Alpeve të Shqipërisë, mësynë fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me qëllimin e prerë për të prishur objektet pa leje, (rreth 70 të tilla) shtëpiza druri, kontejnerë dhe ndërtesa dy dhe tre katëshe karabina me kolona betoni dhe mure. Pavarësisht përplasjeve të policisë dhe inspektorëve të IKMT me banorët, një javë më pas, më 15 korrik u shkatërrua me eksploziv edhe objekti i fundit i planifikuar në këtë operacion. Bashkë me ndërtesat e betonit u rrafshuan me tokën edhe strukturat e çmontueshme, kryesisht shtëpiza dërrase, apo kontejnerë, objekte të cilat nuk klasifikohen ndërtime që dëmtojnë territorin. Pas këtij aksioni, në Theth dhe jo vetëm, janë ngritur pikëpyetje të mëdha mes thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit Rama për “investim në vendlindje”, pasigurisë juridike mbi certifikimin e pronës nga Kadastrat që janë kthyer në problem madhor dhe mundit të shumë familjeve që lejohen të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin (sipas deklarimeve duke paguar nëndorë policë dhe inspektorë) dhe më pas me “urdhër nga lart” u shkatërrohen objektet.

Çmontimi i strukturave…!

“Leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton, nuk janë leje ndërtimi të përhershme, janë leje ndërtimi të përkohëshme përgjatë sezonit turistik”. Kështu deklaroi dy vite më parë Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, por në të paktën tre raste në Theth, edhe ndërtesat e vogla prej druri u shkatërruan në kulmin e sezonit turistik.  “Kisha pesë shtëpi druri, pa beton pa asnjë gjë. I kisha ndërtuar në tokën time, si kam zënë tokën askujt, është tokë e trashëguar nga të parët e mi. Nuk ka asnjë pëllëmbë beton, kisha vetëm shtëpi druri dhe ato mi prishën”, tha mes lotësh dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë dhe “vënie dorë në zemër”, invalidi Bashkim Koçeku, pasi kishte bërë kundërshtitë e fundit ndërsa zvarritej duke shtyrë një kordon të ngjeshur policësh të FNSH-së.

Përplasja qeveri-prokurori

Në ditën e parë të nisjes së aksionit për prishjen e objekteve pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, duke e akuzuar se nuk kishte nisur procedim penal për rastet e ndërtimeve pa leje në Theth. “Po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cënim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur”, tha Rama. Në vijim Rama e etiketoi disa herë prokuroren dhe kërkoi përmes Ministrit të Drejtësisë që të nisë procedimi disiplinor nga ILD (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë). Në një qëndrim të mëvonshëm, reagoi Prokuroria e Shkodrës e cila në një arsyetim të gjatë mbronte punën e prokurores dhe vinte në diskutim pikërisht referimet e Policisë së Shkodrës. “Vendimi i datës 30.05.2025 i prokurores zj. Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç, të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”-mbajti qëndrim Prokuroria e Shkodrës. Nisur nga ky rast, më tej thekson se nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal dhe “Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera”, citohet nga Prokuroria.

Ne foto: Gjate nje aksioni te ndermarre ne Theth nga IKMT

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje

Ajo çfarë ka mbetur në Theth janë grumbuj inertesh dhe pirgje dërrasash, bashkë me pasigurinë e banorëve dhe paqartësinë sesi do të vijojë çështja e ndërtimeve, në një kohë kur dy premtime të kthyera në nisma ligjore janë “Paketa e Maleve” që sipas qeverisë synon zhvillimin turistik në zonat malore dhe falja e gjobave për ndërtimet pa leje. Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare, kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht Thethin për tu dhënë lajmin se do të faleshin gjobat e vendosura për ndërtimet pa leje, duke u bërë thirrje emigrantëve të asaj zone turistike që të vinin dhe investonin në ngritjen e bujtinave. “Këtu ka një masë shumë të madhe gjobash të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo i ndërtimeve gjithmonë ku aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, jo sepse nuk keni dashur të ndërtoni sipas ligjit, por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i fali të gjitha këta gjoba”, tha Rama. Një vit më pas situata në Theth është e rëndë për shumë banorë të zonës që në tokat e tyre, por të papajisur me dokumenta pronësie edhe për shkak të problemeve serioze të Kadastrës që nuk i pajis me dokumentacion, kishin nisur ndërtimin e objekteve për qëllime biznesi në sektorin e shërbimeve, pjesa më e madhe biznes familjar.

Ne foto: Gjate nje aksioni te IKMT ne Theth

Paketa e Maleve

Në Theth, por edhe zona të tjera turistike malore druhen se pas aksioneve për prishjen e objekteve pa leje dhe mbajtjen peng me certifikatat e pronësisë, fshihet nisma e “Paketës së Maleve”, një projektligj i miratuar në Parlament në janar të këtij viti. “Paketa e Maleve” do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me banorët e Thethit më 30 qershor të vitit të kaluar. Sipas qeverisë, “Paketa e Maleve“, synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit. Ky ligj parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore në private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro, me kusht që hapësira e përfituar të përdoret specifikisht për zhvillimin turistik. “Ligji i miratuar parashikon mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë firmosjen e një kontrate shitjeje me kusht sipas të cilit  pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. “Synohet përdorimi i tokës qoftë “pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën”-thuhet në një nga pikat. Pikërisht kjo klauzolë i jep mundësi subjekteve të interesuara, vendase dhe të huaja, që në zona të caktuara me potencial turistik të përfitojnë kullotë dhe pyje që në zërin kadastral cilësohet si “tokë shtet”. Deri mesditën e datës 16 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishin 787 aplikime për të përfituar nga kjo nismë. Në hartën e publikuar duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve për “Paketën e Maleve” përfshin zonat bregdetare dhe kodrinore. “Paketa synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. Përmes një procesi të thjeshtuar administrative”, thuhet në faqen zyrtare të paketaemaleve.gov,al.

Përfundimi

Ndërtimet pa leje në vendin tonë, veçanërisht në zonat turistike, kryesisht në vijën bregdetare dhe në disa zona të turizmit malor cilësohen si problem i pazgjidhur, pavarësisht premtimeve për legalizime, apo pajisje me certifikata pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt nga njësitë vendore. Në periudhë fushatash zgjedhore, falja e gjobave për ndërtimet pa leje, apo edhe lënia e lirë e qytetarëve për të ndërtuar, u kthyen në dëm serioz pas zgjedhjeve duke shkatërruar dhjetëra objekte dhe kursimet e shumë qytetarëve një pjesë e të cilëve u kthyen nga emigracioni për të investuar në vendlindje, Nisur nga problematika, deklaratën konkrete të ministres Kumbaro për leje ndërtimi të përkohshme për strukturat e çmontueshme përgjatë sezonit turistik do ta kategorizojmë të pambajtur    

The post Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar video e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani

17 July 2025 at 14:43

Pretendimi: Kjo video tregon arkivolët e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon dhjetëra arkivolë të mbuluar me flamurin izraelit dhe mban mbishkrimin “Fuqia e Iranit,” duke lënë të kuptohet se arkivolët përmbajnë viktimat izraelite të sulmeve iraniane.

Megjithatë, video e mësipërme përmban tregues të zakonshëm të pamjeve të gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Që me vështrimin e parë, dallohet se flamujt që mbulojnë arkivolët e supozuar variojnë në pamje dhe nuk i përmbahen një standarti.

Për më tepër, në disa prej tyre duket se ka mbishkrime të cilat, kur i zmadhojmë, vërejmë se nuk kanë ndonjë kuptim dhe nuk i përngjasojnë ndonjë fjale të shkruar me alfabetin latin, hebre, apo tjetër. 

“Emrat” mbi arkivolet e pretenduar në fakt janë simbole të pakuptimta

Simbolet e pakuptimta në vend të fjalëve të shkruara me shkronja janë dëshmi e përpjekjes dhe dështimit së programit të inteligjencës artificiale për të gjeneruar tekst koherent brenda një imazhi.

Sipas Times of Israel, sulmet me raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit gjatë 12 ditëve të luftës morën jetën e 28 personave – të gjithë civilë, përveç njërit. 

Dukshëm, në video ka më shumë se 28 arkivole.

The post E gjeneruar video e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani appeared first on Faktoje.al.

Ngrënia e frutave me stomakun bosh nuk trajton kancerin

17 July 2025 at 13:29

Pretendimi: Agjërimi mund të parandalojë dhe shërojë kancerin dhe mjeku britanik Stephen Mac përdor ngrënien e frutave me stomak bosh për të trajtuar në mënyrë të suksesshme kancerin

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————–

Në rrjete sociale po riqarkullon pretendimi se në vendet myslimane kanceri shërohet brenda disa ditësh përmes agjërimit strikt. 

Kësaj radhe, atij i është bashkangjitur edhe pretendimi se një mjek britanik i quajtur Dr. Stephen Mac i trajton pacientët me kancer duke u këshilluar të hanë fruta me stomak bosh.

Pretendimi se agjërimi mund të shërojë kancerin nuk mbështetet nga prova të qëndrueshme shkencore. Kanceri është një sëmundje komplekse që kërkon trajtime specifike, të tilla si kimioterapia, radioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale, në varësi të tipit dhe fazës së sëmundjes.

Ndërsa agjërimi mund të ketë disa përfitime për organizmin në raste të caktuara, nuk ekziston asnjë provë e fortë që sugjeron se ai mund parandalojë apo shërojë kancerin.

Hulumtimet e hershme tregojnë se agjërimi mund të rrisë potencialisht efektivitetin e trajtimeve si kimioterapia duke i bërë qelizat kancerogjene më të ndjeshme. Megjithatë, këto gjetje janë ende në fazat e hershme dhe nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht ndikimin.

Megjithatë, agjërimi mund të ketë efekte të dëmshme, veçanërisht për individët me sëmundje kronike si kanceri. Ndërsa agjërimi mund të paraqesë rreziqe të tilla si dehidratimi, mungesa e lëndëve ushqyese dhe një sistem imunitar të dobësuar për popullatën e përgjithshme, këto rreziqe janë edhe më të theksuara për pacientët me kancer. Për ata që i nënshtrohen trajtimit të kancerit, agjërimi mund të çojë në humbje të rëndë në peshë, kequshqyerje dhe një aftësi të reduktuar për të përballuar trajtimet në mënyrë efektive. Këto efekte anësore mund të tejkalojnë lehtësisht çdo përfitim të mundshëm, duke e bërë agjërimin një praktikë veçanërisht të rrezikshme për pacientët me kancer. Është thelbësore që pacientët me kancer të ruajnë një ushqyerje të ekuilibruar për të ruajtur forcën e tyre dhe për të mbështetur sistemin e tyre imunitar gjatë trajtimit.

Nuk ka të dhëna të besueshme për një mjek nga Mbretëria e Bashkuar me emrin Stephen Mac, Stephen Mark ose Stephen Mak. Njësoj, nuk ka ndonjë studim që vërteton se ngrënia e frutave me stomak bosh parandalon kancerin.

Historia e kurës me fruta të Dr. Stephen Mac ka qarkulluar në rrjet që nga viti 2001 dhe është shkruar fillimisht në vitin 1998 nga Devagi Sanmugam, një shef kuzhine dhe shkrimtar kulinarie që jeton në Singapor.

Kanceri është një term i përgjithshëm që përfshin dhjetëra lloje të ndryshme të sëmundjes. Nuk ka gjasa që të ketë një metodë të aftë për të parandaluar të gjitha llojet e kancerit. Në fakt, kjo shumëllojshmëri është një nga sfidat kryesore në gjetjen e një kure.

The post Ngrënia e frutave me stomakun bosh nuk trajton kancerin appeared first on Faktoje.al.

Yesterday — 16 July 2025Faktoje

I manipuluar deformimi nga operacionet i aktorit Efron

16 July 2025 at 16:11

Pretendimi: Ky imazh tregon aktorin amerikan Zac Efron para dhe pas ndërhyrjeve plastike

Verdikti: Foto e manipuluar

——————————————————–

Një imazh që pretendohet se tregon aktorin Zac Efron po qarkullon në rrjete sociale si “shembulli perfekt se si fama dhe presioni i “përkryerjes” mund ta shtyjnë dikë të humbasë identitetin.”

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhet që pretendohet se tregojnë Efron pas ndërhyrjeve plastike janë të modifikuara për ta bërë pamjen e tij të duket ekstreme.

Fotot origjinale janë shkrepur një vit më parë, në qershor 2024 gjatë premierës së një filmi ku Efron aktronte, dhe gjatë një ceremonie nderimi për aktoren Nicole Kidman më 27 prill 2024.

Foto e modifikuar (majtas) dhe foto origjinale (djathtas)

Foto e modifikuar (majtas) dhe foto origjinale (djathtas)

Efron foli për ndërhyrjet plastike në një intervistë në shtator 2022. Ai zbuloi se kishte thyer nofullën në një aksident rreth vitit 2018, dhe kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për ta rregulluar atë. Ai tha se iu nënshtrua edhe fizioterapisë, me anë të së cilës ndryshoi nofullën.

The post I manipuluar deformimi nga operacionet i aktorit Efron appeared first on Faktoje.al.

“Çfarë flet mo Muçi im”, kur shteti nuk di çfarë kërkon

By: FAKTOJE
16 July 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla-  Muçi zbarkoi në tregun e fruta-perimeve në Sarandë dhe me një dokument identifikues rreth qafës që vërtetonte se ishte punonjës i shtetit i mori mbarë gjithë tregtarët ambulantë, duke u kërkuar faturë tatimore për rigonin, çajin e malit, erëzat e fushës apo shalqirin. “Vajta i mblodha në mal, çfarë flet mo Muçi im. O tu bëftë Bardha kurban, ato janë gjëra të natyrës. Ato dihet se s’mund të jenë gjë tjetër”, iu kthye Muçit një nga tregtaret.

Pas tyre, ai (Muçi) zbriti në bregdet ku kërkoi kupon edhe për sardelet e detit që kishte kapur në mëngjes herët një peshkatar. “Sot po vij kështu, nesër ka tjetër mënyrë”, sugjeroi Mustafa Lama, i njohur gjerësisht nga tregtarët ambulantë me shkurtimin e emrit si Muçi, që rezulton të jetë drejtues në Drejtorinë e Bujqësisë, Veterinarisë, Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Sarandë. Këto episode në dukje rutinë për të “fiskalizuar” deri edhe prodhimet e kopshtit të bahçes u kthyen në shqetësim në mbarë vendin, sidomos nga fermerët e vegjël dhe tregtarët ambulantë, problematikë që u trajtua përmes një artikulli më herët nga Faktoje.al

Problematika

Faktoje citonte se sipas ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, fermerët që shesin produkte bujqësore nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë tatimore. Ata regjistrohen vetëm pranë tatimeve, pa qenë të detyruar të regjistrohen si biznese në QKB, të mbajnë kontabilitet apo të lëshojnë faturë.

Ky përjashtim është konfirmuar edhe në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ku përcaktohet se detyrimin për lëshimin e faturës e ka blerësi i produktit që zakonisht është grumbulluesi, baxhoja ose përpunuesi. 

Ku të gjejmë faturën? Kush e pret faturën? Ku të regjistrohemi e si të regjistrohemi për tu njohur me faturë? Pyetjet që prekën prodhuesin dhe tregtarin e vogël, morën një përgjigje zyrtare nga Administrata e Tatimeve, dy ditë pasi kontrollet e tatimorëve u shtrinë në të gjithë vendin.

Paqartësi

“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si ‘tregtarë ambulantë’ se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Por më herët një tjetër njoftim ishte shpërndarë nga ministria e Bujqësisë.

“Ka hyrë në fuqi detyrimi për lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, edhe nga fermerët”, lajmëronte ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. 

Të gjithë me kupon

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se nuk do të kishte më tregtim të qumështit dhe nënprodukteve të tij pa kupom tatimor, duke lënë një afat deri më 14 korrik u përkthye në lëvizje masive të zellshme jo vetëm të administratës lokale tatimore por edhe drejtorëve të bashkive (të shigjetuar po nga Rama me largim nga puna).

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është angazhuar për të sensibilizuar të gjithë ata që tregtojnë qumësht e bulmet pa faturë, që mos ta bëjnë më këtë gjë. Nga java e ardhshme, (shënim: 14 korrik) do të konfiskohet çdo shishe qumështi pa faturë dhe çdo lloj bulmeti produkt pa faturë”, deklaroi kryeministri Rama.

Përfundimi

Deklaratat e kreut të qeverisë për tu dorëhequr masivisht drejtues lokal nga nënkryetarë bashkisë, drejtues njësish vendore dhe drejtorësh në bashki, është shoqëruar paralelisht (po me urdhër të tij) me “kontrolle të vazhdueshme” nga tatimet, policia bashkiake, policia e shtetit në lirimin e hapësirave publike dhe së fundmi edhe nga agjentët tatimorë.

Në paqartësi të plotë mbi kompetencat, udhëzimet dhe ligjet, fenomeni i kontrolleve në gjithë Shqipërinë po tregon më së paku një keqpërdorim të situatës nga funksionarët lokalë, dhe më së shumti veprime në terren pa udhëzime të qarta, mos njohje të ligjeve ekzistuese, si dhe përplasje qëndrimesh mes vetë institucioneve.

The post “Çfarë flet mo Muçi im”, kur shteti nuk di çfarë kërkon appeared first on Faktoje.al.

NASA nuk planifikon shfarosje në masë në vitin 2025

16 July 2025 at 14:59

Pretendimi: Dokumente të NASA përshkruajnë planin e agjencisë për një shfarosje masive.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se dokumente të agjencisë hapësinore amerikane NASA zbulojnë një plan për të shfarosur 5 miliardë njerëz brenda vitit 2025.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë dokument apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 27 gusht 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”. 

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Sipas artikullit në fjalë, “dokumentet zyrtare të NASA zbulojnë se agjencia është përgatitur për dekada të tëra për të luajtur një rol udhëheqës në një ngjarje shfarosjeje masive në vitin 2025 që do të çojë në shembjen e qytetërimit dhe shpopullimin e shumicës së njerëzve në planetin Tokë.”

Ai citon një prezantim të NASA të vitit 2001 me titull “Çështjet Strategjike të së Ardhmes/Lufta e së Ardhmes [Rreth vitit 2025]”.

Megjithatë, prezantimi i vitit 2001 nuk përmend asnjë përgatitje nga NASA apo plan për “shfarosje masive.”

Në vend të kësaj, ai paraqet një analizë strategjike që diskuton teknologjitë në zhvillim dhe ndikimet e mundshme që ato do të kenë në luftë dhe shoqëri deri në vitin 2025.

Prezantuar nga Dennis Bushnell, shkencëtari kryesor i atëhershëm i NASA, prezantimi mbulon tema të tilla si inteligjenca artificiale, bioteknologjia dhe nanoteknologjia.

Në fillim të prezantimit thuhet qartë se qëllimi i tij është të “nxisë mendimin/diskutimin”.

Prezantimi në fjalë

Një zëdhënës i NASA tha për AAP FactCheck se prezantimi i vitit 2001 ishte bërë pjesë e një teorie konspirative të përsëritur.

“Qëllimi i sesionit të tij (të Dennis Bushnell) ishte të nxiste mendimin dhe diskutimin duke i kërkuar audiencës të imagjinonte se cilat teknologji mbrojtëse mund të zhvillohen në të ardhmen, dhe në këtë rast, në vitin 2025, bazuar në trendet në atë kohë,” tha zëdhënësi. “Prezantimi nuk është një dokument planifikimi dhe përmbajtja brenda prezantimit nuk përfaqëson ndonjë plan aktual ose të ardhshëm nga NASA.”

The post NASA nuk planifikon shfarosje në masë në vitin 2025 appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayFaktoje

Ekspozita mbi hapësirën keqinterpretohet si inskenim i NASA

15 July 2025 at 16:24

Pretendimi: Kjo video tregon se NASA ka inskenuar udhëtimet hapësinore

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————–

Një video që duket se tregon një intervistë në një model anijeje kozmike, po përdoret në rrjet si dëshmi se qendra amerikane hapësinore NASA ka inskenuar fluturimet hapësinore.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë set xhirimesh për inskenimin e udhëtimeve hapësinore, por një ekspozitë interaktive mbi udhëtimin hapësinor.

Këtë na e tregon mbishkrimi i videos, i cili përkthehet nga hungarishtja në “Dávid jep një intervistë në Huniverzum.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në Youtube një muaj më parë nga kanali @spacejunkieH, i cili vetë-përshkruhet si “kanali më i mirë i udhëtimit hapësinor në Hungari.”

Huniverzum – Hungarezët në Hapësirë” është një ekspozitë interaktive hapësinore në Millenáris, Budapest, Hungari. 

E hapur nga 13 maji deri më 31 tetor 2025, ekspozita shfaq të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Hungarisë në eksplorimin e hapësirës.

Pikat kryesore përfshijnë simulatorët hapësinorë, shfaqjet planetare 360°, pajisjet origjinale të astronautëve dhe një zhytje të thellë në misionin e ardhshëm të astronautit Tibor Kapu.

Foto nga ekspozita korrespondojnë me pamjet që shfaqen në video.

The post Ekspozita mbi hapësirën keqinterpretohet si inskenim i NASA appeared first on Faktoje.al.

Fatura që po shteron qumështin

15 July 2025 at 14:50

Nebiu* vjen çdo mëngjes nga Gjiri i Lalzit në Tiranë. Në bagazhin e makinës së tij nuk ka as fruta deti, as peshk dhe as produkte të importit me ambalazhe shumëngjyrëshe. Ka vetëm bidonë të mbushur me qumështin e pesë lopëve, që rrit me mund. Një rutinë që nuk i kishte ndryshuar prej vitesh: ndalej te dyqani i Valit, në një lagje të kryeqytetit, linte qumështin për klientët e tij besnikë dhe kthehej në shtëpi me ca para që i siguronin jetesën. Kjo, deri këtë të hënë.

Vali, pronarja e dyqanit, nuk i’a pranon më qumështin. 

“Më kërkojnë faturë. S’dua të kem punë me tatimet,” i tha ajo shkurt Nebiut. Dhe ky nuk është një rast i izoluar.  

Në fshatin Baldushk, Agroni* mban një tufë dhish. Prej kohësh qumështin e çonte te një agroturizëm që e kthente në djathë. “Tani më thanë duhet faturë,” rrëfen ai. Veterinari i zonës, i vetmi që e ka vizituar fermën e vogël të Agronit për ndonjë shërbim, i tha troç: “Nuk e pret kush faturën. Ti s’je subjekt”

Në mënyrë të beftë, këtë fillim korriku, qeveria lajmëroi nisjen e një aksioni të përbashkët mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Administratës Tatimore me fokus sigurinë ushqimore dhe informalitetin në sektorin ushqimor dhe bujqësor. Aksioni synon formalizimin e ekonomisë agroushqimore, rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore, si dhe garantimin e të drejtave të konsumatorit për produkte të kontrolluara dhe të sigurta.

“Nuk mund të lejohet më që t’iu shiten konsumatorëve tanë prodhimeve ushqimore të pa faturuara”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 2 korrik, gjatë një dialogu për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

“Dhe pas një periudhe jo të gjatë, dy javore sensibilizimi, duhet të fillojë sekuestrimi i të gjitha mallrave ushqimore”, shtoi Rama. 

Aksion pa ndërgjegjësim

Por ndryshe nga sa deklaroi kryeministri, administrata tatimore u mjaftua me një periudhë 1-javore sensibilizimi. 

“Duke filluar nga sot (datë 7 korrik 2025) Administrata Tatimore bën me dije se pasi ka analizuar të dhënat mbi aktivitetin tregtar të këtij sektori, për një periudhë 1-javore do të sensibilizojë bizneset nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit apo vizitave informuese në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor për të lëshuar faturë të fiskalizuar për produktet që tregtojnë”, theksonte njoftimi i tatimeve. 

Një javë më vonë, nga kulaçi kaluam tek kërbaçi.

“Ka hyrë në fuqi detyrimi për lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, edhe nga fermerët”, lajmëronte ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.  

Nisma parashikon se çdo operator i biznesit ushqimor (përfshirë fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre) të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje. Ekspertët e fushës shpjegojnë se këto ‘aksione’ janë detyrime ligjore që vijnë nga integrimi evropian. 

“Janë katër faza që politika bujqësore në koordinim me BE-në ka hartuar në mënyrë që marrja e statusit vend anëtar të rezultojë me sa më pak humbje biznesesh. Integrimi Europian në Poloni, Bullgari, Rumani, Kroaci ka rezultuar me mbyllje të rreth 80% të operatorëve përpunues”, shpjegon Ilir Pilku. 

Po si mund të shmanget kjo situatë në Shqipëri? Pilku i mëshon ndërgjegjësimit. 

“Organizimi i fushatave të ndërgjegjësimit për përpunuesit e vegjël mbi standardet e BE-së, duke përfshirë Rregulloren për higjienën, për produktet me origjinë shtazore dhe kontrollin zyrtar. E dyta, realizimi i inspektimeve paraprake vullnetare nga AKU ose bashkitë për të identifikuar boshllëqet në infrastrukturë dhe procedura. Së treti, trajnimi i stafit mbi higjienën personale, praktikat e mira të prodhimit, gjurmueshmërinë dhe bazat e sistemit HAÇP. Dhe e fundit, ngritja e rrjeteve të komunikimit për ndarjen e praktikave të mira ndërmjet përpunuesve”, përfundon Pilku.

Mirëpo fermerët, tregtarët por edhe konsumatorët janë gjetur të pa-informuar. Dhe këtë e vërtetoi më së miri jo vetëm Nebiu dhe Agroni por edhe video virale e tregëtares së rigonit në Sarandë. 

Faturë, faturë, faturë…

Sipas ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, fermerët që shesin produkte bujqësore nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë tatimore. Ata regjistrohen vetëm pranë tatimeve, pa qenë të detyruar të regjistrohen si biznese në QKB, të mbajnë kontabilitet apo të lëshojnë faturë.

Ky përjashtim është konfirmuar edhe në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ku përcaktohet se detyrimin për lëshimin e faturës e ka blerësi i produktit që zakonisht është grumbulluesi, baxhoja ose përpunuesi.  

Autofatura lëshohet nga blerësi (përpunuesi apo grumbulluesi), në emër të shitësit (fermerit), në rastet kur fermeri është i pajisur me NIPT dhe bën shitje pa faturë TVSH-je për xhiron me vlerë deri 10 milionë lekë në vit.

Megjithatë, në praktikë, shumë prej tyre refuzojnë të lëshojnë autofatura pasi nuk përfitojnë më nga skema e mëparshme e kompensimit të TVSH-së. Me ndryshimet e fundit, blerjet nga fermerët janë me TVSH 0%, ndërsa shitja është me 20%. Kjo ka çuar në një situatë ku grumbulluesit dhe përpunuesit nuk arrijnë të rimbursojnë TVSH-në dhe shmangin formalizimin, duke i mbyllur rrugën prodhuesit.  

Ndaj, aksioni i ndërmarrë së fundmi prek drejtpërsëdrejti përpunuesit dhe grumbulluesit e produkteve bujqësore. Sipas udhëzimeve të administratës tatimore, këta subjekte janë të detyruar që, gjatë blerjes së produkteve nga fermerët, të përdorin autofaturën si mjet për dokumentimin e transaksionit, ku informaliteti tek ta ka rezultuar i lartë.

Përfundim

Nga viti 2014, numri i bagëtive në Shqipëri ka rënë me mbi 45%. Vendi ka gjithnjë e më pak lopë, më pak dele, më pak dhi, më pak mish e qumësht. Por mesa duket do të ketë më shumë fatura. Në vend që të ndihmojë prodhimin vendas, shteti kërkon llogari për një sistem që, sipas ligjit, nuk është përgjegjësi e bujkut, por e grumbulluesit apo përpunuesit. Vetëm se këta të fundit nuk duan të lëshojnë fatura sepse humbasin para nga skema e TVSH-së.

Në mungesë të një strukture që mbështet prodhuesin e vogël, Shqipëria po shkon drejt importit të bulmetrave dhe shkatërrimit të blegtorisë së mbetur.

Ndërsa, aksioni i ndërmarrë, pa fushata të vërteta informimi, pa trajnime, pa një kalendar tranzicioni të qartë dhe pa asnjë ndihmë teknike apo financiare për fermerin do të prodhojë penalizime. Dhe në një terren ku vetë institucionet kanë dështuar për vite me radhë të ndërtojnë një kulturë formalizimi, kërkesa kaq e prerë për faturë kthehet në barrë. Në mungesë të ndërgjegjësimit, zbatimi i ligjit i ngjan më shumë një ndëshkimi sesa një reforme. Dhe si çdo aksion që nis me forcë dhe jo me kuptim, rrezikon të dështojë jo vetëm në qëllimin, por edhe ‘drejtësinë’ që pretendon të sjellë.

*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e fermerëve që ndanë historinë e tyre me Faktoje.al

The post Fatura që po shteron qumështin appeared first on Faktoje.al.

Të pabaza akuzat ndaj mbjelljes së reve për përmbytjet në Texas

15 July 2025 at 14:32

Pretendimi: Dy ditë përpara përmbytjeve në Texas u kryen operacione të mbjelljes së reve

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se dy ditë përpara përmbytjeve në Texas, ShBA, në këtë shtet u kryen “operacione të mbjelljes së reve.”

Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo dëshmi që e mbështet atë. 

Lajmi qarkullon në rrjete sociale pas përmbytjeve gjatë festës së 4 korrikut që shkatërruan rajonin Texas Hill Country, duke marrë mbi 120 jetë njerëzish, përfshirë shumë fëmijë. 

Mbjellja e reve, një teknikë që fut grimca të vogla në qiell për të shkaktuar shi mbi zona të vogla gjeografike, ka fituar popullaritet në të gjithë botën si një mënyrë për të luftuar thatësirën dhe për të rritur furnizimet lokale me ujë.

Efektiviteti i mbjelljes së reve është me të vërtetë i diskutueshëm. Shumica e studimeve vlerësojnë se mund të nxjerrë midis 0 dhe një maksimum prej 30 përqind shiu shtesë nga një re.

Që nga viti 2022, shtatë projekte të mbjelljes së reve mbuluan rreth 31 milion akra, ekuivalente me një të gjashtën e sipërfaqes tokësore të shtetit, sipas Departamentit të Licencimit dhe Rregullimit të Texas.

Megjithatë, shkencëtarët thonë se mbjellja e reve nuk mund të krijojë ngjarje moti me madhësinë e përmbytjeve të Teksasit.

“Mbjellja e reve nuk mund të shkaktojë përmbytje të kësaj madhësie,” tha profesorja e Universitetit të Kolorados në Boulder, Emily Yeh, për AFP.

Vlerësimet e përgjithshme të rritjes së shiut përmes mbjelljes së reve janë në rangun e 10%, shpjegoi Yeh. Të gjitha programet kanë kërkesa të rrepta pezullimi, tha ajo, dhe asnjë program operativ nuk do të përpiqej të mbillte një stuhi të madhe.

Pretendimi se mbjellja e reve shkaktoi përmbytjet në Texas duket se është frymëzuar pjesërisht nga Augustus Doricko, themeluesi i Rainmaker Technology Corp, i cili tha se kompania e tij kreu një operacion të mbjelljes së reve në rajon më 2 korrik.

Por operacioni nuk shkaktoi përmbytjet, thonë Doricko dhe ekspertët e pavarur.

“Padyshim, operacionet tona të mbjelljes së reve më 2 korrik nuk ndikuan në përmbytjet që ndodhën më vonë,” tha Doricko në një intervistë më 9 korrik në emisionin “The will Cain”.

“Ne kemi ato që quhen kritere pezullimi ku nëse ka paralajmërime për përmbytje të menjëhershme të Shërbimit Kombëtar të Motit ose paralajmërime të rënda për stuhi, atëherë nuk mund të operojmë në ato zona sipas kufizimeve dhe rregulloreve që kemi,” tha Doricko. “Meteorologu ynë në fakt pezulloi në mënyrë proaktive operacionet një ditë para se Shërbimi Kombëtar i Motit të lëshonte një paralajmërim për përmbytje të menjëhershme.”

Marya Al Homoud, një studiuese shkencore mbi mbjelljen e reve në Qendrën Almobdioon për Studime dhe Kërkime në Arabinë Saudite, konfirmoi se “mbjellja e reve nuk mund të aplikohet gjatë kushteve ekstreme të motit (si stuhitë që çojnë në përmbytje), pasi kjo teknologji aplikohet në kushte specifike dhe të sigurta”.

Homoud, e cila ka studiuar efikasitetin e mbjelljes së reve mbi Qarkun Tom Green në Texas, tha se nuk ekzistojnë prova shkencore që lidhin metodën e mbjelljes së reve me përmbytjet.

“Përmbytjet kanë disa shkaqe, duke përfshirë kushtet klimatike, atmosferike dhe të motit, si dhe kushtet mjedisore,” tha ajo.

Administrata amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) tha për Snopes se: “Sasia e reshjeve të krijuara nga mbjellja e reve është përgjithësisht e vogël dhe e lokalizuar. Meteorologët bien dakord se mbjellja e reve nuk mund të gjenerojë reshje të kësaj madhësie ose madhësie. Mbjellja e reve nuk shton lagështi në atmosferë. Kjo ngjarje mund të kishte ndodhur vetëm nëse lagështia e bollshme ishte tashmë e pranishme.”

Përmbytjet në Texas u shkaktuan nga reshjet e dendura të shiut. Një sasi e madhe lagështie në atmosferë erdhi nga Stuhia Tropikale Barry, e cila kishte shkaktuar përmbytje në Meksikë dhe më pas po lëvizte drejt veriut.

Peisazhi kodrinor i pjesës së Texas ku ndodhi katastrofa e shtyu ajrin e lagësht lart, duke krijuar re gjigante stuhie. Kushtet atmosferike bënë që stuhitë të lëviznin ngadalë dhe të qëndronin mbi të njëjtën zonë për orë të tëra.

Terreni i zonës gjithashtu rezultoi katastrofik. Toka shkëmbore e bën të vështirë thithjen e ujit, dhe shpatet e pjerrëta dhe shtretërit e ngushtë të lumenjve mund të shkaktojnë rritje të shpejtë të niveleve të ujit. Rajoni është i njohur për rrezikun e përmbytjeve dhe njihet si Rrugica e Përmbytjeve të Menjëhershme.

Një analizë paraprake nga ClimaMeter, një platformë jofitimprurëse që ofron njohuri pothuajse në kohë reale mbi dinamikën e ngjarjeve ekstreme dhe lidhjet e tyre me ndryshimet klimatike, zbuloi se kushtet meteorologjike që i paraprinë përmbytjeve në Texas, të cilat sollën më shumë se dyfishin e reshjeve mesatare mujore në një ditë të vetme, gjithashtu nuk mund të shpjegoheshin vetëm nga ndryshueshmëria natyrore.

Raporti, bazuar në fatkeqësi të ngjashme të kaluara në zonë, i karakterizoi përmbytjet në Texas si një “ngjarje shumë e jashtëzakonshme moti” “mund të jetë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, me një kontribut nga ndryshueshmëria natyrore.”

The post Të pabaza akuzat ndaj mbjelljes së reve për përmbytjet në Texas appeared first on Faktoje.al.

I pasaktë eksperimenti për pasojat e maskave të fytyrës

15 July 2025 at 10:28

Pretendimi: Kjo video dëshmon se maskat e fytyrës janë të rrezikshme për fëmijët duke treguar se nivelet toksike të dioksidit të karbonit përqendrohen brenda një maske.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, pretendohet se tregon rrezikun që maskat e fytyrës sjellin për fëmijët.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është postuar në internet në 7 korrik 2020, nga Del Bigtree për shfaqjen e tij në internet “The Highwire”. Megjithatë, video është fshirë nga kanali në YouTube i Bigtree për shkelje të rregullave të platformës

Në video, Bigtree përdori një sensor dioksidi karboni për të matur sasinë e CO2 në grimca për milion (ppm) që ishin të përqendruara nën maskat e mbajtura nga djali i tij. Sensori tregoi nivele prej 8486 ppm me një respirator N95, 8934 ppm me një maskë kirurgjikale dhe 9129 ppm me një maskë prej cope.

Bigtree i krahasoi këto gjetje me një grafik nga revista Occupational Health & Safety që tregon efektet anësore të punës në nivele të ndryshme të CO2.

Bigtree është themeluesi i një organizate kundër vaksinimit, por nuk përmend asnjë kredencial mjekësor ose shkencor në faqen e tij të internetit.

“Nuk ka dyshim se mbajtja e një maske në fytyrë do të rrisë nivelet e dioksidit të karbonit, por ata po përdorin pajisjen e gabuar dhe po përpiqen të krahasojnë numrat e gabuar”, shpjegoi për AFP Hyo-Jick Choi, një studiues në Universitetin e Albertës, i cili projektoi maska kirurgjikale dhe filtra respiratorë që çaktivizojnë lloje të caktuara virale.

“Numrat e tyre duhet të jenë krejtësisht të kundërta”, tha Choi, duke theksuar se në një eksperiment të mirëfilltë, nivelet e dioksidit të karbonit duhet të jenë më të larta me një maskë N95 dhe më të ulëta me një maskë prej cope, sepse kjo e fundit filtron më pak.

“Është e logjikshme që një maskë prej cope do të tregojë efikasitetin më të ulët të filtrimit, maska kirurgjikale do të ketë një efikasitet më të lartë filtrimi dhe N95 do të ketë efikasitetin më të lartë”, tha Choi.

Ai sugjeroi që gjetjet mund të jenë të gabuara sepse sensori i përdorur në video nuk është i përshtatshëm për eksperimentin. Ky matës i dioksidit të karbonit nga AZ Instrument Corp, një kompani me seli në Tajvan, varion nga 0 deri në 2,000 ppm. Ekrani i tij mund të shfaqë lexime deri në 9,999, por me më pak saktësi.

Një version i matësit të dioksidit të karbonit të përdorur në video dhe specifikimet e tij

Studiuesi paralajmëroi se video e Bigtree mashtron duke e paraqitur nivelin prej 5,000 ppm si një tregues të përcaktuar të toksicitetit. 5 mijë ppm është ekspozimi më i lartë i rekomanduar për njerëzit që punojnë tetë orë në ditë, veçanërisht në hapësira të mbyllura.

Eksperimentet mashtrojnë më tej duke e shkurtuar tabelën, duke e bërë 5,000 ppm të duket si niveli më i lartë, kur në fakt tabela e vërtetë tregon se 40,000 ppm e lart është niveli që konsiderohet i rrezikshëm, edhe për periudha të shkurtra kohore.

Steven Vercammen, një mjek belg i urgjencës, i cili shkroi një përmbledhje të studimeve mbi helmimin nga dioksidi i karbonit, i quajti eksperimentet në videon e Bigtree “shkencë e keqe.”

Sipas Vercammen, metrika e rëndësishme është niveli i oksigjenit dhe CO2 në qarkullimin e gjakut.

Vercammen tha për AFP se “Faqet e internetit të sigurisë në punë kanë hartuar udhëzime për përqendrimin e ajrit në një mjedis të mbyllur, si për punëtorët që pastrojnë depozita ose mjedise të tjera të mbyllura ku grumbullimi i CO2 mund të ndodhë në vëllime masive.”

“Janë bërë eksperimente të shumta që tregojnë se nuk ka efekt të rëndësishëm (shëndetësor) nga mbajtja e një maske”, tha ai.

Ewa Messaoudi, e cila merret me rregullimin e pajisjeve mbrojtëse të frymëmarrjes në AFNOR, organizata franceze që zbaton standardet e produkteve tha për France 24:  

“Është e rëndësishme të merret parasysh se kjo lloj mbrojtjeje është gjithmonë një kufizim për trupin e njeriut. Ne nuk mbajmë maskë për rehati në frymëmarrje, ne e mbajmë atë për t’u mbrojtur nga një rrezik ekzistues. Ajo që është e rëndësishme të përcaktohet është nëse maska i lejon trupit të njeriut të përmbushë nevojat e tij fiziologjike për periudhën e kufizuar kur përdoret. Kur zhvillojmë maska, ne i modelojmë ato sipas specifikimeve teknike bazuar në faktorët njerëzorë, si normat evropiane të standardizimit. Pra, po, niveli i CO2 rritet kur mbani një maskë, por mbetet një nivel i pranueshëm për trupin e njeriut.”

Një studim mbi punonjësit e kujdesit shëndetësor që ushtroheshin me maskë arriti në përfundimin se maska N95 “nuk imponoi ndonjë barrë të rëndësishme fiziologjike gjatë një ore përdorimi”, edhe pse çoi në rritjen e niveleve të dioksidit të karbonit. Një studim tjetër mbi gratë shtatzëna arriti në përfundime të ngjashme. 

Një numër mjekësh dhe infermierësh realizuan videot e tyre të bazuara në shkencë në përgjigje të vërshimit të videove që pretendonin se mbajtja e maskës mund të çonte në helmim nga CO2. Në disa nga videot, ata vendosën një maskë dhe matën nivelin e oksigjenit në gjakun e tyre. Ata demonstruan se mbajtja e një, ose edhe disa maskave, nuk e ul nivelin e oksigjenit në gjak.

The post I pasaktë eksperimenti për pasojat e maskave të fytyrës appeared first on Faktoje.al.

Kjo unazë tymi pas bombardimit në Gaza nuk provon armët e reja të Izraelit

15 July 2025 at 10:16

Pretendimi: Kjo video tregon një armë të re që Izraeli po teston në Gaza

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Një video, ku shfaqet një unazë tymi që pluskon në qiell, po shpërndahet në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se ajo tregon armë të reja që Izraeli po teston në Gaza.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor, Google Lens, Faktoje gjeti një tjetër imazh të unazës së tymit të postuar nga një përdorues palestinez, shoqëruar me përkshkrimin: “Një raketë tronditi tokën në Deir al-Balah dhe krijoi këtë rreth në qiell. Çfarë janë këto armë të reja që po përdoren dhe lëshohen kundër nesh?”

Sulmi u përmend edhe nga një llogari pro-izraelite që ndau një fotografi të unazës së tymit në Facebook. Ajo ngrihet sipër një reje tymi që ngrihej nga toka, gjë që duket në përputhje me një shpërthim pas një bombardimi.

Sado spektakolare që mund të jetë, një unazë tymi “nuk është tregues i një sistemi të ri armësh” tha Trevor Ball, një ish-teknik i asgjësimit të municioneve shpërthyese të Ushtrisë Amerikane për France 24. “Unazat e tymit janë rezultat i mënyrës se si shpërthimi dhe mjedisi e formësojnë tymin. Çdo shpërthim, në kushtet e duhura, mund të prodhojë një unazë tymi.”

“[Unaza e tymit] me gjasa është më shumë pasojë e kushteve të ngarkesës shpërthyese sesa të natyrës së vetë ngarkesës,” tha për France24 një ekspert eksplozivësh që kërkoi anonimitet.

Konkretisht, që të formohet një unazë tymi, shpërthimi duhet të ndodhë së pari brenda një zgavre vertikale, “për shembull, në fund të një pusi ose një shpimi cilindrik shumë vertikal, por me një dalje në formë hinke,” shpjegon i njëjti ekspert. Në këto kushte, gazrat e djegies mund të dalin vertikalisht duke u sjellë rrotull. Ato më pas formojnë një re tymi në formën e një torusi (unaza e tymit), shpjegon ai. “Fenomeni është i ngjashëm me unazat e tymit që mund të krijojë një duhanpirës.”

Atëherë, çfarë armësh mund të kenë shkaktuar unazën e tymit të dukshme mbi Deir al-Balah?

“Një shpjegim i mundshëm” është se një tunel vertikal u godit nga ushtria izraelite, sugjeron eksperti. “Një mundësi tjetër do të ishte përdorimi i një bombe që depërton në blindazh, gjithashtu për të synuar një objektiv nëntokësor, vrima e hyrjes së së cilës lë një kanal daljeje për gazrat.” Një sulm i tillë mund të ishte kryer me bomba me aftësi shkatërrimi bunkerësh “potencialisht GBU-27, GBU-28 ose GBU-72 të cilat janë të pranishme në arsenalin izraelit,” sugjeron eksperti.

Sipas medias palestineze Quds News, e cila gjithashtu publikoi një fotografi dhe video të unazës së tymit më 9 korrik, “nuk kishte raportime për viktima [nga sulmi] menjëherë.” Megjithatë, Deir al-Balah është shënjestruar ditët e fundit nga sulme vdekjeprurëse nga ushtria izraelite. Të enjten, më 10 korrik, një bombardim pranë një klinike në qytet la 17 persona të vdekur, sipas një raporti nga mbrojtja civile lokale.

The post Kjo unazë tymi pas bombardimit në Gaza nuk provon armët e reja të Izraelit appeared first on Faktoje.al.

Filmimet e Apollo 11 nuk provojnë inskenimin e udhëtimit në Hënë

By: FAKTOJE
14 July 2025 at 15:14

Pretendimi: Filmimi i largimit të Apollo 11 nga sipërfaqja e Hënës provon se udhëtimi ishte i rremë

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Teoritë konspirative janë po aq të vjetra sa dhe vetë bota. Një prej tyre është edhe udhëtimi i njeriut në Hënë plot 56 vite më parë. Në rrjet qarkullojnë disa video me pikëpyetje që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e këtij udhëtimi historik.

Video e parë, që shfaq filmimet origjinale të largimit të misionit nga Hëna, shoqërohet me pyetje: si erdhi kjo video kur ekipi u kthye në Tokë?

Videoja mbështetet mbi argumentin se videoja do të mund ta transmetohej vetëm nëse dikush prej astronautëve do të qëndronte në sipërfaqen e Hënës për të filmuar dhe më pas transportonte kamerën fizikisht në Tokë. Ajo që nuk përmendet në postimin e videos është fakti që pamjet e Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin duke shkelur në sipërfaqen hënore, dhe më pas largimi i anijes së tyre kozmike, u transmetuan drejtpërdrejt më 20 korrik 1969.

Pra, nuk pati nevojë që ekipi në Hënë të kthente kaseta në Tokë për të transmetuar imazhet, pasi teknologjia ekzistonte që në atë kohë për transmetime përmes antenave dhe kamerave.

Siç e shpjegon edhe Muzeumi i Shkencës në Britaninë e Madhe, ekipi i Apollo 11 ishte i pajisur me një kamerë të veçantë që mund të transmetonte video dhe imazhe drejt Tokës. I vendosur në sipërfaqen e Hënës nga Armstrong dhe Buzz Aldrin, sinjali i marrë nga kamera më pas u transmetua përmes një antene drejt Tokës, ku u prit nga stacionet në Australi, përpara se të kalonte në stacionin e Huston (Teksas) dhe të transmetohej live në televizionet në të gjithë botën (NASA, Smithsonian Air & Space).

Videoja e dytë ngre pyetjen se si Presidenti i atëhershëm, Richard Nixon mund të kishte pasur një telefonatë të drejtpërdrejtë me Armstrong, i cili ndodhej në Hënë. Nixon arriti të telefononte në Hënë nëpërmjet një transmetimi radio-telefonik, pra duke përdorur si teknologjinë e telefonave dhe atë të transmetimeve radio. Thirrja shkoi nga Uashingtoni, D.C., në Huston. Pastaj, u drejtua në hapësirë duke përdorur CapCom, një kapsulë komunikuese, që përdoret nga NASA  për të mbajtur kontakt me astronautët gjatë misioneve hapësinore.

Të dyja këto pretendime kanë disa dekada që qarkullojnë në rrjet dhe janë hedhur poshtë edhe nga verifikues të tjerë. Edhe Faktoje ka hedhur poshtë disa postime te ngjashme mbi udhëtimin në Hënë, i cili vazhdon të mbetet një magnet për teori

The post Filmimet e Apollo 11 nuk provojnë inskenimin e udhëtimit në Hënë appeared first on Faktoje.al.

E pasaktë video që shfaq CR7 në varrimin e shokut të tij të ekipit

By: FAKTOJE
14 July 2025 at 15:09

Pretendimi: Kjo është video e pjesëmarrjes së Cristiano Ronaldo në varrimin e vëllezërve Jota

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij, më 3 korrik 2025, u bë një lajm botëror përtej publikut sportdashës. Në ditët që pasuan, një nga titujt që qarkulloi ishte mungesa e yllit portugez Cristiano Ronaldo në varrimin e dy vëllezërve Jota.

Duke shfrytëzuar këtë interes, në rrjet qarkulloi një video që pretendoi se shfaqte Ronaldon duke marrë pjesë në këtë funeral. Pamjet u publikuan në 4 korrik edhe nga portali në gjuhën shqipe Politikajashtme.com, duke siguruar mbi 860 mijë shikime dhe qindra komente.

Në video dallohet Ronaldo që po ecën i ndjekur nga një turmë fansash që e ndjekin duke i bërë fotografi. Në anglisht shkruhet mbi video “Cristiano Ronaldo ka mbërritur në funeralin e Diogo Jota”. Në të vërtetë, Ronaldo nuk mori pjesë në funeral dhe videoja në fjalë nuk ka të bëjë me këtë ngjarje.

Videoja nuk ka një origjinë të qartë edhe pse versoni me shkrimin në anglisht duket të jetë marrë nga platforma TikTok ku postimi ka arritur mbi 2.5 milion reagime. Në rrjet kanë qarkulluar imazhe të tjera të këtij tipi, duke përfshirë imazhe të manipuluara me AI, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetë, ose është nxjerrë nga konteksti.

Varrimi i vëllezërve Jota u mbajt më 5 korrik në Igreja Paroquial de Gondomar, pranë Portos. Disa figura të shquara nga bota e futbollit ishin të pranishëm, përfshirë shokët e ekipit të Liverpoolit. Megjithatë, mungonte dukshëm Cristiano Ronaldo me të cilin Jota ka luajtur në ekpin kombëtar të Portugalisë.

Sipas burimeve të besueshme si Yahoo Sports, Ronaldo vendosi të mos marrë pjesë në funeral për arsye personale. Duke cituar mediat portugeze, Yahoo Sports raporton se duke ditur natyrën e famës së tij, Ronaldo donte të shmangte turmat që mund ta kthenin funeralin në një spektakël mediatik, duke respektuar kështu familjen e Jotës.

Motra e tij, Katia Aveiro, konfirmoi se Ronaldo bëri këtë zgjedhje në konsultim dhe me familjen e Jotës, për të evituar atë që i kishte ndodhur vetë Ronaldos gjatë funeralit të të atit në 2005. Edhe përse mungoi nga funerali, Ronaldo i bëri homazh Jotës me një mesazh të përzemërt në Instagram.

The post E pasaktë video që shfaq CR7 në varrimin e shokut të tij të ekipit appeared first on Faktoje.al.

Pediatria në QSUNT, kondicionim gjysmak, pacientët me ventilatorë

By: FAKTOJE
14 July 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla Në njërën dorë ventilatorin dhe në tjetrën fëmijën e tij, një i ri del nga Spitali Pediatrik në Tiranë kur temperaturat atë ditë kapën 37 gradë celcius. Edhe pse godina është moderne, me investime të dukshme si në hapësirë ashtu edhe në organizim, sistemi i kondicionimit në të gjithë pavionët e pediatrisë “funksionon përgjysmë”, me përjashtim të Reanimacionit pediatrik dhe Urgjencës.

“Ne sot jemi këtu për ta vijuar këtë mision, për rritjen e kapaciteteve dhe të shërbimeve për trajtime inovatore dhe kushte më të mira për pothuajse 10 mijë fëmijë e familje që marrin shërbim çdo vit. Në këtë godinë që hap dyert sot ‘Godina e Specialiteteve’, janë të vendosura reparte të rëndësishme si ai i Nefrologjisë, i Dializës Pediatrike, i Fizioterapisë, i Pneumologjisë, i Alergologjisë, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare”, tha kryeministri Edi Rama më 21 shkurt të këtij viti gjatë një vizite në QSUNT, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu.

Më herët, Rama kishte ndarë pamjet e  Pediatrisë së Specialiteteve në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, duke garantuar nga ana e tij kushte bashkëkohore dhe një shërbim shëndetësor cilësor.   Rreth 5 muaj pas kësaj deklarate, në QSUNT, konkretisht në Pavionët e Spitalit të Pediatrisë, është shfaqur problemi i kondicionimit.  

Deklaratat e Ramës ndër vite

Ndërkohë transformimi i QSUT ka qenë një premtim i kryeministrit Edi Rama qysh prej vitit 2013. Në vitin 2015 Kryeministri Edi Rama publikoi një video përmbledhje disa minutëshe mbi punën, projektet, duke nënvizuar se, “rilindja e QSUT është një ndër ndërmarrjet më të vështira të mandatit të parë qeverisës”.

Edhe në prag të mandatit të katërt Rama erdhi sërish me këtë kartë, duke theksuar madje se, QSUT do të kthehet në pikë referimi për të gjithë Ballkanin.     

Kondicionerë në hyrje…

Faktoje.al bëri një vëzhgim në të gjithë pavionët e Pediatrisë dhe konstatoi se në holle, korridore dhe dhomat e mjekëve dhe infermierëve, sistemi i kondicionimit funksionon relativisht mirë. Problem janë dhomat e shtrimeve ku familjarët e pacientëve të vegjël detyrohen të marrin ventilatorë dhe mjete të tjera (kondicionerë të vegjël portativ), për të krijuar kushte të domosdoshme. Edhe nga vetë stafi pranohet se ndonëse godinat janë të reja, kondicionimi shpesh është me probleme. Po ashtu edhe familjarë të pacientëve e përjetojnë këtë fenomen dhe për një kohë të gjatë qëndrojnë në korridore, ndërsa shpeshherë fëmijët e shtruar që janë në këto pavione dhe kanë mundësi të lëvizin i nxjerrin herë pas here në korridore ku temperaturat janë të përballueshme.

Pediatria salla e pritjes
Pediatria nefrodializa
Pediatria salla e konsultimeve

E re, por me probleme

Në pavionin e konsultave pediatrike në katin e parë të godinës sistemi i kondicionimit është relativisht i mirë, ku korridoret, por edhe dhomat e mjekëve specialistë që kryejnë vizita dhe ekzaminime ka të instaluar sistemin dhe vihen në punë. Në katet e sipërme disa pavione janë me probleme të theksuara. Në pavionin e Nefrodializës paraditen e 8 korrikut sistemi i kondicionimit është i fikur, ndonëse pranohet se në korridore dhe dhomat e personelit, mjekë-infermierë eksiston sistemi, por shpesh nuk vihet në punë.

Nën zë ata u shprehën se kjo situatë vjen si pasojë e ngarkesës së rrjetit elektrik.

Po ashtu probleme të tilla shfaqeshin në tre pavionët e tjerë Neoro-Gastro-Endokrino.

Faktoje.al iu drejtua me disa pyetje Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për problematikat e sistemit të kondicionimit në spitalin e ri Pediatrik, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati reagim.

Investimi 9 milionë euro

Foto nga pjesa e jashtme e Pediatrise se rikonstruktuar

Ndërtimi i Spitalit të ri Pediatrik në QSUNT ka kushtuar 9 milionë euro dhe përfshin si ndërtesën e re ashtu edhe rikonstruksionin e pjesshëm të godinës ekzistuese (Peditarisë së Përgjithshme). Puna nisi në vitin 2020 dhe pesë vite më vonë u kthye në funksional, duke i dhënë shërbim rreth 130 mijë pacientëve në vit, nga të gjitha rrethet, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Janë rreth 8200 metra katrorë godinë që shërben për të gjithë pavionet dhe një kat nëntokë, kryesisht si magazinë.  “Eshtë një investim që pritej prej shumë vitesh, për të ofruar standardet që meritojnë mjekët por edhe që meritojnë të kenë fëmijët që trajtohen me këto shërbime. Projekti prek të gjithë pediatrinë, si godinat që i nënshtrohen rehabilitimit ashtu edhe ndërtimin e godinës së re. Do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë”, tha ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në tetor të vitit 2020, ndërsa objekti ishte në ndërtim e sipër.

Pediatria e Përgjithshme

Pamje nga Pediatria e Pergjithshme

Në godinën e Pediatrisë së Përgjithshme, ku ndodhen dy pavionë, Infektivi dhe Kardiologjia pediatrike sistemi i kondicionimit mungon tërësisht. Godina ka njohur rikonstruksion të pjesshëm, si pjesë e gjithë investimit, por kushtet janë dukshëm jo të krahasueshme me godinën e re. Premtimi nga kryeministri Edi Rama është se brenda këtij viti në atë godinë do të ketë investim të ri. “Më vjen shumë mirë, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive”, tha Rama.

Përfundimi

Dhomat e stafit shëndetësor dhe dhomat e pacientëve janë të reja bashkë me shtretërit, por që në muajt e parë të inaugurimit, problem është sistemi i kondicionimit. Stafit të pediatrisë jo zyrtarisht i është komunikuar se në disa raste rrjeti nuk mban dhe detyrohen t’i stakojnë disa herë pajisjet e kondicionimit, ndërsa në pavionë të tjerë nuk ka fare sistem të tillë. Ndaj dhe Faktoje.al e konsideron deklaratën e kryeministrit Edi Rama si gjysmë të vërtetë lidhur me kushtet që gjetëm në Spitalin e Pediatrisë.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë

The post Pediatria në QSUNT, kondicionim gjysmak, pacientët me ventilatorë appeared first on Faktoje.al.

Yuri Kim vijon përsëri të punojë për Departamentin e Shtetit

14 July 2025 at 13:00

Pretendimi: Ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim është shkarkuar nga posti i saj në Departamentin amerikan të Shtetit në korrik 2025

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Më 11 korrik 2025, Departamenti amerikan i Shtetit filloi të pushojë nga puna mbi 1300 punonjës, si pjesë e planit të administratës Trump për të riorganizuar departamentin.

Ky lajm u pasua nga pretendimi i ngazëllyer, në mediat shqiptare, se ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, ishte ndër të pushuarit nga DASh.

Si provë për këtë pretendim, sillet prania e Kim në një “protestë” të punonjësve të pushuar. Në video Kim shihet duke duartrokitur kolegët që patën ditën e fundit të punës, një traditë në disa institucione amerikane.

Megjithatë, Kim nuk u largua si pjesë e reformës në Shërbimin e Jashtëm të sekretarit të shtetit, Marco Rubio. Kjo sepse prej 1 marsit të këtij viti, znj. Kim pranoi të zhvendosej nga pozicioni i zv.asistentes së sekretarit të shtetit në një pozicion më të ulët si “këshilltare e lartë për Efiçencën dhe Llogaridhënien” në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike. Ky pozicion i Yuri Kim vijon të listohet ende në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit. 

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York se Ambasadorja Kim vazhdon të jetë pjesë e administratës amerikane.

Megjithatë, ai tha se pas disa muajsh, Kim do të tërhiqet nga shërbimi diplomatik “pas një karriere të shquar 29 vjeçare,” duke theksuar se largimi i saj “nuk ka lidhje me riorganizimin e Departamentit.”

Kim u emërua si ambasadore në Shqipëri nga presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Pasi mbaroi mandatin si ambasadore në 2023, shërbeu si zv.Asistente Kryesore e Sekretarit të Shtetit.

Deri më 14 korrik 2025, ajo vijon të jetë Këshilltare e Lartë për Efiçencën dhe Llogaridhënien në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike sipas faqes zyrtare të Departamentit të Shtetit.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime se ambasadorja Yuri Kim ishte shkarkuar nga Departamenti i Shtetit.

The post Yuri Kim vijon përsëri të punojë për Departamentin e Shtetit appeared first on Faktoje.al.

Videoloja ndahet si aksident i vërtetë në rrjet

14 July 2025 at 09:37

Pretendimi: Kjo video tregon një aksident mobilistik

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————

Një video që është parë mbi 100 mijë herë në Facebook pretendohet se tregon një aksident automobilistik të shkaktuar “nga një gabim i vogël.”

Postimet në rrjete sociale nuk ofrojnë ndonjë detaj identifikues mbi skenën, si për shembull ku dhe kur ka ndodhur aksidenti i pretenduar.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme me gjasa është gjeneruar me anë të videolojës BeamNG.Drive.

E publikuar për herë të parë në 2015, BeamNG.Drive përmban fizikë të trupave të butë për të simuluar manovrimin realist dhe dëmtimin e automjeteve. Ajo përdoret gjithashtu nga teknikët dhe prodhuesit e makinave për të mbledhur të dhëna fizike dhe për të modeluar skenarët e trafikut.

Video të panumërta në Youtube tregojnë aksidente të ndryshme të simuluar nga përdoruesit e lojës, grafikat e të cilave i përngjajnë videos së mësipërme.

The post Videoloja ndahet si aksident i vërtetë në rrjet appeared first on Faktoje.al.

Transplantet, kufiri tek veshkat, për të tjerat shpresa jashtë vendit

By: FAKTOJE
11 July 2025 at 17:00

Nga Mimoza Picari – Në Shqipëri prej 17 vitesh zhvillohet vetëm transplanti i veshkave në dy struktura shëndetësore private, i cili rimbursohet nga buxheti i shtetit. Për transplantet e tjera qytetarët që kanë mundësi financiare drejtohen jashtë vendit, ndërsa autoritetet nuk dhanë shpjegime nëse ka ose jo Ministria e Shëndetësisë protokolle bashkëpunimi me institucione shëndetësore në vende të tjera për qytetarë, që kanë nevoja të tilla. Mjekë dhe ekspertë thonë se duhen shtuar përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të fushës së transplanteve, e cila paraqet sfida të shumta, që nga edukimi i shoqërisë për dhurimin e organeve dhe deri tek kostot e larta të ofrimit të këtij shërbimi.

Sistemi shëndetësor në Shqipëri paraqet sfida të shumta kur bëhet fjalë për transplantet e organeve. Megjithëse ligji i vitit 2011 “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në republikën e Shqipërisë” vendosi një bazë për të gjitha organet, transplantet kryhen vetëm për veshkat, e rregulluar ligjërisht në vitin 1997. 

Ky shërbim ofrohet në dy spitale private, dhe  rimbursohet nga buxheti i shtetit. Që prej vitit 2008 janë kryer 335 transplante të veshkave nga donatorë të gjallë me lidhje familjare, sipas të dhënave të publikuara në kongresin ndërkombëtar të organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Shoqata Evropiane e Transplantimit të Organeve. Por gjithçka ka mbetur këtu, ndërsa mjekë dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë po ngrenë një debat mbi përparimin e fushës së transplanteve që do të bënte të mundur transplantin e melçisë, palcës së kockës apo pankreasit, kundrejt afro 15 -18 tipologjive të transplanteve që zhvillohen sot në botë, disa prej tyre në faza eksperimentale.

Shefi i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT Arvin Dibra, tha për Faktoje.al se duhen shtuar përpjekjet për t’i hapur rrugë kryerjes së tranplanteve të tjera në vend përveç atij të veshkave, që është më i shpeshti në botë.

“Duke pasur parasysh epidemiologjinë dhe nevojat për transplante pak a shumë mendoj se duhet të jenë të ngjashme dhe këtu tek ne. Mendoj se është një fushë për të cilën duhet të fillojmë të punojmë dhe të përpiqemi  për ta ofruar edhe këtë shërbim, i cili është shumë kompleks dhe për pasojë ka dhe nevojë për një kujdes të veçantë shumëplanësh. Në sytë e njerëzve mund të jetë dhe iluzioni që mjafton që të dish ta marrësh dhe ta heqësh dhe ta vendosësh një organ por ndërkohë ka një plan shumëdimensional për të cilin duhet të fillojmë të  punojmë, pa të cilin çdo akt unik transplanti, siç mund të jenë dhe ato që u bënë dikur në QSUT, do të mbeteshin në vlerën e një individi dhe jo të një shërbimi”, thotë Arvin Dibra, shef i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT.

Nga ana tjetër mjekja e shërbimit të nefrologjisë në Shqipëri Arjana Strakosha  tha në një përgjigje me shkrim për Faktoje. al se nevojiten disa përmirësime edhe në fushën e transplantit të veshkave, që synojnë transplante nga donatorë kadaverik, si dhe rregullime ligjore që mundësojnë realizimin  e transplantit të veshkave me shkëmbim donatoresh të gjallë në rastet kur nuk ka pajtueshmëri.

Por pyetja që shtrohet sot me këtë panoramë që ofron mjekësia në Shqipëri është: Çfarë ndodh me qytetarët që kanë nevoja jetike për transplante të organeve të tjera? Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj interesit të Faktoje.al për një intervistë në lidhje me problematikat e transplanteve në Shqipëri, dhe nuk mundi të qartësojë ( deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi) nëse ka apo jo kjo Ministri protokolle bashkëpunimi me institucione shëndetësore jashtë vendit  për kryerjen e llojeve të tjera të transplanteve kundrejt rimbursimit nga buxheti i shtetit shqiptar.

Por nga të dhëna të siguruara në rrugë jo zyrtare mësohet se shumica dërrmuese e qytetarëve që kanë nevoja të tilla, duhet t’i gjejnë vetë mundësitë jashtë vendit me shpenzimet e tyre.

Faktoje.al arriti të sigurojë dëshminë e qytetarit Ermal Muhametaj, që ka kryer transplantin e palcës së kockës në Turqi, (Spitali Acibadem) si dhe dëshminë e të afërmes së një pacienteje që ka kryer transplantin e mëlçisë, të cilët pasi janë diagnostikuar në Shqipëri, iu është bërë e ditur nga mjekët se nuk mund të kurohen në vend.

“Më tha mjeku këtu mund të shesësh shtëpinë dhe gjithçka, por zgjidhje në Shqipëri nuk ke. E vetmja mënyrë ishte të ikja jashtë. Turqia ishte e hapur për të udhëtuar në atë kohë se bëhet fjalë për vitin 2020, në kohën e Covid-it, dhe aty u drejtuam”,  thotë Z. Muhametaj.

E afërmja e pacientes që ka kryer transplantin e mëlçisë në Turqi, kërkoi të mbetej anonim. Ajo konfirmoi të njëjtën situatë si Zoti Muhametaj.

“Mjekët shqiptarë na thanë  nuk ka zgjidhje këtu në Shqipëri nuk mund të realizohet asnjë lloj mjekimi tjetër. Nëse ju nuk do përpiqeni dhe nuk do gjeni një rrugë për të shkuar në një spital jashtë vendit për të kryer transplantin nuk do gjeni zgjidhje as në strukturat shtetërore dhe as në ato private shëndetësore në Shqipëri, dhe pacientja mund të jetojë dy deri në tre muaj”, thotë e afërmja e pacientes e cila kërkoi të mbetej anonim.

 Sot të dy pacientët gëzojnë shëndet të mirë në vitin e pestë dhe të tretë përkatësisht pas kryerjes së transplanteve, por buxheti i tyre familjar është dëmtuar rëndë. Z. Muhametaj thotë se familja e tij ka shpenzuar deri tani mbi 200 mijë euro ndërsa e afërmja e pacientes tjetër rreth 80 mijë euro, si pasojë dhe të disa ndërhyrjeve të tjera të paparashikuara.

Faktoje.al kontaktoi dhe me përfaqësuesen e Spitalit turk “Acibadem” në Shqipëri, për të mësuar më shumë mbi numrin e pacientëve shqiptarë që kryen transplante në vitin 2024 vetëm në këtë spital si dhe mbi kostot e disave prej tyre.

“Aplikime janë shumë po për arsye  të kostove dhe të frikërave të ndryshme të tipit që ‘ku do ta marr organin, kujt do t’ia jap organin’ – janë bërë 17 transplante për veshkat, për mëlçinë 8 dhe për palcën e kockës janë bërë 16. Transplanti i veshkës, si paketë vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën është 20 mijë euro, transplanti i mëlçisë është 60 mijë euro ndërsa ai i palcës së kockës 35 mijë euro”,  konfirmon Flora Manuka, përfaqësuese e grupit spitalor turk “Acibadem” në Shqipëri. 

Pra, ata pacientë me fat që mund të përballojnë shuma të konsiderueshme financiare dhe kur gjithçka shkon mirë, ia dalin të kurohen në spitale të ndryshme jashtë vendit. Ndërkaq nuk ka të dhëna se sa qytetarë kanë kryer transplante jashtë kufijve apo sa kanë pasur nevojë për transplante të tilla, apo dhe të tjera, dhe kanë humbur jetën për shkak të pamundësive financiare.  Faktoje.al nuk mundi të marrë një koment nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje, por edhe për aspekte të tjera që lidhen me situatën aktuale dhe të ardhmen në fushën e transplanteve, deri në publikimin e këtij shkrimi.

E megjithatë mjaft ekspertë tashmë e dinë se çfarë kërkohet, si për transplantin e veshkave ashtu dhe për zhvillimin në të ardhmen të transplanteve të tjera në Shqipëri.

“Një aspekt që afekton procesin e transplantit është aspekti i cilësisë. Pra një shërbim mjekësor për të ofruar transplantin duhet patjetër të ketë garanci që ky proces bëhet i një cilësie të lartë profesionale. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ai i sigurisë, sepse mund të kemi abuzime nga operatorë të ndryshëm që mund ta ofrojnë, apo nga profesionistë që mund të jenë problematikë në këtë drejtim. Transplantimi është një proces që afekton dhe buxhetin. Transplantimi konsumon një buxhet shumë të lartë të sistemit shëndetësor. Ky sistem duhet të jetë dhe garantor i jetës së individëve duke rritur normat e buxhetit në drejtim të ofrimit të mundësisë më të lartë të transplantimit”, argumenton për Faktoje.al Qamil Dika, pedagog në Fakultetin e mjekësisë Tiranë.

Shefi i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT, Zoti Dibra i konfirmoi Faktoje.al se kanë filluar disa përgatitje në rrafshin teknik dhe social përsa i takon zhvillimit të mëtejshëm të fushës së transplanteve, duke veçuar këtu një projekt serioz, siç e cilëson ai, për të cilin po punon një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, QSUT-së dhe Universitetit Tor Vergata në Romë. Mjaft rëndësi sipas Z. Dibra ka përgatitja dhe specializimi i ekipeve mjekësore si dhe i shoqërisë për konceptin e dhurimin të organeve.

“Dhurimi është problem edhe në vendet e zhvilluara. Ne jemi të vetëdijshëm që ka 30-40 vjet që flitet punohet, miratohen ligje për këtë gjë dhe sërish donacioni është një problem. Edhe tek ne duhet të fillojmë dhe të mendojmë për të orientuar mendimin shoqëror drejt nevojës për një trajtim të tillë, siç është bërë goxha punë në drejtim të dhurimit të gjakut. Po të krahasojmë me kohën e para 20 apo 25 viteve jemi shumë më mirë. Kemi akoma shumë nevoja të paplotësuara por jemi ndjeshëm më mirë se sa ishim. Duhet të fillojmë të punojmë dhe në këtë drejtim”,  argumenton Z. Dibra.

Fusha e transplanteve edhe në botën e zhvilluar paraqet sfida të shumta ndërsa në vendet e rajonit ato janë më të mëdha. Nga ana tjetër mjekësisë shqiptare, e cila ka kaluar në vitet e tranzicionit në një rrugë të mundimshme me përparime të ngadalta, herë të qëndrueshme dhe herë jo, do t’i duhet ende kohë për t’u ballafaquar me një fushë sfiduese si ajo e transplantimit të organeve. Por sot profesionistët e fushës së shëndetësisë shqiptare po nxisin debatin për to, i cili së paku për momentin shtron rrugën e së ardhmes në këtë drejtim. 

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë

The post Transplantet, kufiri tek veshkat, për të tjerat shpresa jashtë vendit appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar mbytja e varkës nga kredhja në det

11 July 2025 at 15:59

Pretendimi: Kjo video tregon mbytjen e një varke nga hedhja në det e një gruaje të shëndoshë 

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————-

Një video që duket se tregon një grua të shëndoshë duke u hedhur nga një varkë duke e përmbytur atë si pasojë, po qarkullon në rrjete sociale.

Megjithatë, një shqyrtim i kujdesshëm i videos zbulon detaje që nuk përputhen me realitetin dhe tregojnë se kjo video është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Për shembull, burrat e ulur me shpinë nga gruaja ndërsa ajo hidhet në ujë, kthejnë kokat gati 180 gradë për ta parë. Megjithatë trupat e tyre nuk kthehen. Kjo është veçanërisht e dallueshme për burrin në të majtë, i cili duket se po “këput qafën” për të parë prapa.

Më tej, “EVID SHN CO182” emri i varkës, i shkruar në trupin e saj, nuk ka asnjë kuptim.

Kur gruaja hidhet në ujë, ajo shfaqet në video si një formë e sfumuar me ngjyrë të verdhë jo-natyrale.

Një tjetër tregues i çuditshëm është pozicioni i dy personave të ulur në pjesën e pasme të varkës ndërsa ajo anohet. Ata janë ende në një pozicion të drejtë, pavarësisht ndryshimeve fizike që duhet t’i bënin të lëviznin.

Për më tepër, mënyra e përmbytjes së varkës nuk përputhet me ligjet e fizikës. Varka anohet dhe hunda bie nën ujë. E gjithë varka lundron, dhe në momentin që 10% e pjesës së përparme bien nën vijën e ujit, gjysma e pasme ngrihet nga uji. Vetëm graviteti do të mjaftonte për ta nxjerrë hundën e varkës përsëri nga uji.

E vetmja mënyrë që kjo fundosje do të funksiononte në një farë mënyre është nëse e gjithë varka do të ishte ndërtuar nga material jo-lundrues, do të ishte e zbrazët, trupi do të ishte çarë dhe uji do të mbushte menjëherë zonën e zbrazët nga përpara në prapa brenda 1 sekonde. 

Nëse përdorim mjetin e detektimit të pamjeve të gjeneruara me AI, Hive Moderation, për të analizuar këtë video rezulton gjithashtu se ajo është gjeneruar me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post E gjeneruar mbytja e varkës nga kredhja në det appeared first on Faktoje.al.

Legalizimet, 46 bashki në vend numëro

11 July 2025 at 15:58

Verën e kaluar, kryeministri Edi Rama u la tre muaj kryebashkiakëve për të ngritur zyra të posaçme legalizimesh në çdo bashki. Ai kërkoi përshpejtim të procesit me stafe të dedikuara që do të ishin në ndihmë të qytetarëve. Një vit më vonë, në një mbledhje të ngjashme, rezultoi se 46 bashki ende nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.

Esmeralda Topi

Që prej qershorit të shkuar, bashkitë kanë marrë zyrtarisht një rol të ri për t’i dhënë shtysë procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Vendimi i qeverisë përcakton rregullat e bashkëpunimit mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke u dhënë palëve rol koordinues në funksion të përmbylljes së legalizimeve.

Bashkitë kanë detyrim ngritjen e zyrave të posaçme me staf të dedikuar, pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Kadastrën. 

“…Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator, kur ky proces do të fillojë”, deklaroi kryeministri Edi Rama, verën e kaluar gjatë një takimi me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Procesi që duhet të niste zbatimin prej muajit shtator, do të kontrollohej nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, pasi palët kanë detyrimin për t’i raportuar çdo muaj.

Fakt

46 bashki ende nuk kanë caktuar staf të dedikuar, e as kanë ngritur zyra të posaçme për legalizimet, një detyrim që duhej të ishte përmbushur një vit më parë. 

Në një mbledhje të zhvilluar një vit më pas, me të njëjtët aktorë institucionalë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri një përmbledhje të ecurisë. Ai tha se të gjitha bashkitë kanë nënshkruar marrëveshjen me ASHK-në, por vetëm 14 prej tyre kanë firmosur aneksin që përcakton tipologjinë e bashkëpunimit. Ndërkohë, Malësia e Madhe nuk figuron tek harta e bashkëpunimit të bashkive me ASHK-në.

“Kemi një seri bashkish që akoma nuk kanë aneks. Dhe ato që s’kanë aneks, janë tipikisht edhe ato që nuk kanë caktuar staf për këtë çështje”, deklaroi Mazniku. 

Ecuria e dobët e këtij procesi u faktua fundvitin e kaluar nga një hulumtim i Faktoje.al. Të dhënat e siguruara përmes ligjit “Për të drejtën e informimit” vërtetuan ecurinë e dobët të procesit. Deri në tetor të 2024, 16 bashki nuk kishin nënshkruar as marrëveshjen e bashkëpunimit me ASHK-në, siç kërkon VKM-ja. 

Burimi: ASHK

Legalizimet, roli i bashkive me rëndësi

Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive e sheh me rëndësi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimeve. “Është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë që të kenë rol në këtë proces. Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron interesi për ta përshpejtuar procesin”, thotë ai.

Haxhimali shton se veç rolit koordinues bashkitë duhet të ushtrojnë presion edhe tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Agjencia e Kadastrës ka monopolin për certifikimin final, për çdo rast që mendojnë se dosja është korrekte dhe zvarrijet janë të pajustifikuara”, shprehet ai.

Ligji parashikon dhjetorin e vitit 2028 si afat për përfundimin e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në Shqipëri.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se procesi i legalizimeve do të udhëhiqej nga bashkitë, me një staf të dedikuar deri në muajin shtator 2024 e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Legalizimet, 46 bashki në vend numëro appeared first on Faktoje.al.

Ky version “yll diskoteke” i Macron është i manipuluar

11 July 2025 at 14:16

Pretendimi: Kjo video tregon presidentin francez Emmanuel Macron në një diskotekë në Paris më 1984

Verdikti: Satirë, video e manipuluar

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon presidentin francez Emmanuel Macon duke vallëzuar në një diskotekë të Parisit në 1984.

Video, dukshëm, është modifikuar. 

Si fillim, në vitin 1984, Emmanuel Macron, lindur më 1977, do të ishte 7 vjeç.

Siç mund ta shohim në video, Macron po kërcen në një klub, megjithëse ka veshur rroba të ndryshme. Në fakt, fytyrat e njerëzve që kërcejnë në video janë zëvendësuar me fytyrën e Macron me anë të teknologjsë deepfake.

Video e ka origjinën në një llogari në platformën X, @JebraFaushay, e cila e shoqëroi klipin me përshkrimin: “Kjo është nga një diskotekë e vitit 1987, a e shihni udhëheqësin e Francës, Macron, me paruke?” Jebra Faushay, sipas një biografie në BuyMeACoffee, po “krijon satirë/lajme çdo ditë”. 

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, pjesa më e madhe e së cilës është xhiruar në klubin Stratus në San Diego në vitet 1986-1987.

Video origjinale, së cilës i është mbivendosur fytyra e Macron

Duke qenë se autori i videos origjinale prodhon satirë, dhe se video është kronologjikisht e palogjikshme dhe qartazi e montuar dobët, kjo video bie qartë në kategorinë e satirës.

Në 9 shkurt 2025, Macron promovoi Samitin e Veprimit për Inteligjencën Artificiale (IA), një takim ndërkombëtar që do të zhvillohej në Paris, duke u argëtuar me video parodi për veten e tij të gjeneruara nga inteligjenca artificiale në rrjetet e tij sociale. Video e mësipërme ishte ndër pamjet.

The post Ky version “yll diskoteke” i Macron është i manipuluar appeared first on Faktoje.al.

❌
❌