Yuri Kim vijon përsëri të punojë për Departamentin e Shtetit
Pretendimi: Ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim është shkarkuar nga posti i saj në Departamentin amerikan të Shtetit në korrik 2025
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Më 11 korrik 2025, Departamenti amerikan i Shtetit filloi të pushojë nga puna mbi 1300 punonjës, si pjesë e planit të administratës Trump për të riorganizuar departamentin.
Ky lajm u pasua nga pretendimi i ngazëllyer, në mediat shqiptare, se ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, ishte ndër të pushuarit nga DASh.



Si provë për këtë pretendim, sillet prania e Kim në një “protestë” të punonjësve të pushuar. Në video Kim shihet duke duartrokitur kolegët që patën ditën e fundit të punës, një traditë në disa institucione amerikane.
Megjithatë, Kim nuk u largua si pjesë e reformës në Shërbimin e Jashtëm të sekretarit të shtetit, Marco Rubio. Kjo sepse prej 1 marsit të këtij viti, znj. Kim pranoi të zhvendosej nga pozicioni i zv.asistentes së sekretarit të shtetit në një pozicion më të ulët si “këshilltare e lartë për Efiçencën dhe Llogaridhënien” në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike. Ky pozicion i Yuri Kim vijon të listohet ende në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York se Ambasadorja Kim vazhdon të jetë pjesë e administratës amerikane.
Megjithatë, ai tha se pas disa muajsh, Kim do të tërhiqet nga shërbimi diplomatik “pas një karriere të shquar 29 vjeçare,” duke theksuar se largimi i saj “nuk ka lidhje me riorganizimin e Departamentit.”
Kim u emërua si ambasadore në Shqipëri nga presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Pasi mbaroi mandatin si ambasadore në 2023, shërbeu si zv.Asistente Kryesore e Sekretarit të Shtetit.
Deri më 14 korrik 2025, ajo vijon të jetë Këshilltare e Lartë për Efiçencën dhe Llogaridhënien në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike sipas faqes zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime se ambasadorja Yuri Kim ishte shkarkuar nga Departamenti i Shtetit.
The post Yuri Kim vijon përsëri të punojë për Departamentin e Shtetit appeared first on Faktoje.al.