Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025KultPlus

‘Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese’, vizita e parë për bashkëpunëtorët

By: Kult Plus
18 July 2025 at 23:40

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ndau me publikun imazhe nga “vernissage” i ekspozitës “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.

Vernissage janë vizitat private në një galeri përpara hapjes së një ekspozite ndaj publikut të gjerë.

Kuratorja Kim Knoppers shoqëroi përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore në ekspozitë: Néprajzi Múzeum, Ambasada e Hungarisë në Tiranë, Ambasada e Holandës në Shqipëri, Bashkia Shkodër etj.

Mbas fjalëve përshëndetësë të drejtorit të Muzeut të Etnografisë së Budapestit, dr. Lajos Kemecsi, Ambasadores së Hungarisë në Tiranë, Martina Kasnyik, Ambasadorit të Holandës në Tiranë, Reinout Vos, dizajnerit të tekstileve, Jozef Martini, kuratorja Kim Knoppers i shoqëroi të pranishmit në një shëtitje vizuale në Pazarin e Vjetër të Shkodrës.

Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane./atsh/ KultPlus.com

Merr fund “The Late Show” i Stephen Colbert

By: Kult Plus
18 July 2025 at 23:19

“The Late Show” me Stephen Colbert do të përfundojë në maj 2026, njoftoi dje rrjeti televiziv CBS, në një deklaratë surprizë, sipas BBC.

”Lëvizja është thjesht një vendim financiar në një sfond sfidues në emisionin e orëve të vona të natës dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me performancën, përmbajtjen apo çështje të tjera të shfaqjes”, tha CBS.

Njoftimi vjen vetëm dy javë pasi kompania mëmë e CBS, ”Paramount” zgjidhi një padi me presidentin Donald Trump që rridhte nga një intervistë në CBS me rivalen e tij në zgjedhjet e vitit 2024, Kamala Harris.

Lëvizja i jep fund programit më shumë se prej tre dekadash duke e lënë CBS-në pa një ”talk show”, për herë të parë që nga viti 1993.

Prezantuesi Stephen Colbert e dha lajmin në një regjistrim më herët dje në mbrëmje, duke shkaktuar një kor fishkëllimash nga audienca e studios live.

“Dua të them se njerëzit në CBS kanë qenë partnerë të shkëlqyer”, tha Colbert, duke shtuar se “sigurisht, jam mirënjohës ndaj jush, audiencës, që na jeni bashkuar çdo natë këtu, atje apo në të gjithë botën”.

Colbert ishte informuar për vendimin të mërkurën në mbrëmje.

“Nuk është vetëm fundi i shfaqjes sonë, por është fundi i The Late Show në CBS. Nuk po zëvendësohem. E gjithë kjo thjesht po zhduket. Është një punë fantastike. Do të doja që dikush tjetër ta merrte atë”, tha ai.

”The Late Show” u krijua nga CBS, partneri amerikan i lajmeve i BBC-së, në vitin 1993 si konkurrent i NBC.

Kjo erdhi pas një mosmarrëveshjeje midis prezantuesve David Letterman dhe Jay Leno se kush duhet të pasonte Johnny Carson në ”Tonight Show” të NBC-së, një emision jashtëzakonisht popullor.

Colbert mori drejtimin e programit të CBS nga Letterman në vitin 2015 dhe është bërë një nga kritikët më të vendosur të Trump.

Para se të merrte përsipër punën në ”The Late Show”, Colbert kishte qenë prezantuesi i “The Colbert Report” në ”Comedy Central” – një program që kritikonte politikën dhe kulturën konservatore amerikane.

Njoftimi për mbylljen e programit erdhi mes bisedimeve midis ”Paramount” dhe ”Skydance Media” për të bashkuar dy kompanitë, një veprim që do të kërkonte miratimin nga qeveria federale e SHBA-së.

Senatori demokrat Adam Schiff postoi në X të enjten se kishte përfunduar regjistrimin e një interviste me Colbert pak para se të njoftohej anulimi.

Ai vuri në dyshim nëse njoftimi ishte i lidhur me marrëveshjen prej 16 milionë dollarësh që rrjeti pranoi t’i paguante Trump, duke shkruar se “nëse ‘Paramount’ dhe CBS e mbyllën ‘Late Show’ për arsye politike, publiku meritonte ta dinte”.

Zgjidhja erdhi pasi Trump paditi CBS, tetorin e kaluar, duke pretenduar se rrjeti kishte modifikuar në mënyrë mashtruese një intervistë që u transmetua në programin e lajmeve ”60 Minutes” me rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale Kamala Harris, për të “anuar peshoren në favor të Partisë Demokratike”.

Colbert ka qenë një kritik i madh i Trump dhe ka pritur shumë politikanë demokratë gjatë mandatit të tij si prezantues.

Muajin e kaluar, ai zhvilloi një diskutim me Zohran Mamdani, një socialist demokrat që kryeson garën për t’u bërë kryetari i ardhshëm i bashkisë së Nju Jorkut.

Vendimi për të anuluar programin vjen ndërsa rrjetet përpiqen të tërheqin shikues të rinj, mes konkurrencës nga transmetuesit dhe podkastet online, së bashku me kostot në rritje të televizionit të drejtpërdrejtë.

“Ne e konsiderojmë Stephen Colbert të pazëvendësueshëm dhe do ta tërheqim ekskluzivitetin ‘The Late Show”, tha CBS në deklaratën e saj.

“Jemi krenarë që Stephen e quajti CBS shtëpi. Ai dhe transmetimi do të mbahen mend në panteonin e të mëdhenjve që zbukuruan televizionin”, tha CBS-ja./ atsh/ KultPlus.com

Yesterday — 18 July 2025KultPlus

Kornisti Felix Kleiser dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli mbajnë koncert artistik në Durrës

By: Kult Plus
18 July 2025 at 22:48

Një mbrëmje e veçantë muzikore u zhvillua në Katedralen Shën Lucia në Durrës, ku artisti gjerman Felix Kleiser performoi me instrumentin e kornos, i shoqëruar në piano nga pianistja kosovare Lirika Pula Kasapolli.

Koncerti u organizua në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar Chamber Fest Durrës ndërsa repertori përfshinte vepra nga Schumann, Glière, Haydn, Strauss dhe Beethoven.

Felix Kleiser, i njohur për virtuozitetin por edhe për historinë e tij frymëzuese, u prit me duartrokitje nga publiku.

Harmonia me pianistën Kasapolli u vlerësua për elegancën dhe profesionalizmin artistik.

“Kam qenë në Tiranë disa vjet më parë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë,” tha Felix Kleiser, kornist.

Ky koncert ishte një tjetër dëshmi e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kultura dhe për të sjellë art të vërtetë në zemrën e qytetit.

Chamber Fest Durrës vijon me aktivitete të tjera në ditët në vijim, duke sjellë përvoja të reja për dashamirësit e muzikës klasike./euronews.al/ KultPlus.com

Hapet thirrja për përzgjedhjen e filmit që do të garojë në “International Feature Film” në Oscars 2026

By: Kult Plus
18 July 2025 at 22:23

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) shpalli zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e kandidaturave shqiptare në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 98-të të çmimeve OSCAR, që do të zhvillohet në vitin 2026.

QKK fton të gjitha shtëpitë kinematografike dhe producentët shqiptarë që të dorëzojnë filmat e tyre pranë institucionit, si pjesë e procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit zyrtar të Shqipërisë për këtë kategori prestigjioze.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 1 gusht 2025, dhe aplikimi duhet të bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sipas kritereve dhe dokumentacionit të parashikuar./atsh/ KultPlus.com

‘Tef’ Palushi ikoniku i karikaturës, satirës dhe humorit shkodran

By: Kult Plus
18 July 2025 at 21:55

Albert Vataj

Shkodra ka trashëguar një traditë të pasur të humrit, satirës, barcaletës, bejtes, sarkazmës, karikaturës, dhe krejtçfarë mëndja dhe shpirti në një nevojë për t’u ndeshur me të keqen dhe çliruar prej çdo kufizimi, krijon të qeshurën, jeton me të duke e përdorur si një antitrup. Të gjitha ata që patën fatin të kishin artin e të qeshurës, dhe jo vetëm, si emër, jetë dhe vepër, u bënë pjesë e kujtesës së qytetit, u bënë përfaqësuesit e saj identitar, u bënë e përgjithmonshmja e Shkodrës dhe shkodranëve gjithkund ata ndodhen. Mes emrave, atyre që lartësuan traditën e humorit, Shtjefën Palushi-Tefa është më i veçanti.

Shtjefën Palushi-Tefa është aq i ngulitur në kujtesën e Shkodrës, sa çdo barcaletë, çdo batutë e atypëratyshme, çdo ndodhi komike, çdo episod grotesk, çdo fabul, apo çdo e qeshur, lidhet me bëmat e tij, me çfarë ai tha, me mënyrën se si ai zgjodhi të mbetej i pavdekshëm.

Ai nuk ishte tamam një krijues dhe interpretues humori i kultivuar, një personalitet, jeta dhe vepra e të cilit, do të kalonte përmes një rritje profesionale. Ai ishte një komik i lindur, sepse ishte mbrujtur dhe gatuar në një vend si Shkodra. Në një qytet që “Një ndër madhështitë apo vlerat e shumta që ka qytetit i Shkodrës, asht humori popullor. Kurdoherë e në ëdo situatë, qytetari i Shkodrës asht mundue me përballue problemet e ditës me humor, apo me ndonji “loje pa zarar”, të sajueme aty për aty. Edhe ndër shtërngesat e mëdha të jetës nën diktaturë, në fatkeqsi familjare e natyrore (tërmete përmbytje),në katastrofa financiare apo ekonomike si ajo eskemave piramidaleose, mbyllja e ndërmarrjeve e privatizimi i tyne, në kohën e eksodit apo mashtrimit me viza, në kohën e rrumujave të dhunshme të 97-ës, mbas ndonjë fushate të egër elektorale apo mitungu, mbas ndërprerjeve të gjata të dritave, në terr e pa ujë, qyteti ka marrë frymë nëpërmes humorit të dalë nga shpirti i paepun i qytetarve të tij… shkrian Pjetur Logoreci.

Ai bëri të qeshnin ata që nuk mund të qanin. Guxoi të tallej me shtetin, me vinte në lojë indirekt ata që nuk u’a bënte kush “fjalën dysh”. Jo vetëm kaq, përgjatë dy dekadave të agonisë së gjatë të diktaturës, si për të humbur gjurmë, apo për të mos bërë askënd me përgjegjësi faji, barsaletave antikomuniste u vishej autorësia e Tef Palushit. Edhe syri dhe veshi i kudogjendur i diktaturës, nuk ishte aq vigjilent të kapte me “presh në duar”, ata që në një farë mënyre sulmonin pushtetin, kritikonin dhe fshikullonin fenomene dhe personazhe, dhe “i’a hidhnin pa u lagur”, duke thënë se e ka thënë Tefa.

Edhe sot pas 40 vitesh që nuk jeton më, nevoja për të qeshur shkodranshe, për të bërë hoka e për t’u tallur, për të bërë sarkazëm e për të vënë në lojë, për të thënë batuta dhe për të ngërthyer në mendim, për të krijuar një situatë dhe përjetuar një të qeshur, ende është i gjallë Tefa. Mesazhi i barsoletave, të ndaluara dikur nga komunizmi dhe trazimtare për politikanët e demokracisë dhe gjithkënd që e bën veten për “dajak”, është ai humor, janë ato grimca të argëtimit shpirtëror dhe çlirimit nga çdo kufizim.
Ai zëfilli bëmat e tij komike me pëshpëritjet vesh më vesh, me përçimin gojë më gojë, e pse jo edhe duke e pasuruar në çdo interpretim që i bëhej një grimce të dalë nga Tefa.

Arti i tij ishte origjinal, siç ishte e tillë e drejtpërdrejtë, e atypëratyshme dhe tejshpuese, sarkazma e tij, shpotija, loja, ironia, cinizmi, e qeshura “me majt barkun me dorë”. Të thënë ose jo shumë prej barcaletave që i atribuohen atij, janë patjetër të tijat, sepse i tillë ishte humori që ai bëri, e tillë ishte e qeshura që ai na dhuroi, sa e shndërroi humorin, këtë magji të çlirimit nga trazimi dhe hidhërimi, një sinonim të emrit të tij, të të drejtës që kemi të qeshim.

Ne patëm fatin të ishim të shpërblyer me kaq shumë të qeshura. Shkodra u begatua bujarisht nga shpirti, mendja, pena, zëri, virtuoziteti dhe e hirshmja e një bukurie që na vezullon në fytyrë me të qeshurën Pjeter Gjinit, Bik Pepës, Gjosho Vasisë, Tano Banushit, Paulin Prekës, Gëzim Krujës, Paulin Selimit, Mergim Muhjes apo Nexho Shabanit, etj., etj… që mbetën të pavdekshëm me çfarë na lanë si pasuri, anipse prej një kohe që kishim pak gjëra, por shumë zemër për ta ndezur shpirtin e të bukurës, vezullimin e të qeshurës. Ndër ta, Tefa ishte dhe mbeti një yll në galaksinë e humorit, ajo çfarë ka mbetur në kujtesë dhe bujarisht e shtron sofrën e të qeshurave, të gëzim, në shyqyre, dasma, ahengje, por edhe në vaki.

Shtjefën Palushi-Tefa ishte gjithashtu një karikaturist unik! “Veç punës në Fabrikën e Pëlhurave e dizajnimit të skenografive për shfaqje të ndryshme, Tef Palushi zotëronte edhe një tjetër talent të rrallë. Ai ishte i jashtëzakonshëm në ideimin dhe skicimin e karikaturave. Ishte kjo një dhunti që shpejt do të kapërcente Shkodrën dhe trokiste në dyert e revistës së mirënjohur humoristike “Hosteni”. Brenda kornizave të kohës, por me ca gjetje të jashtëzakonshme, fundi i viteve 1970 dhe fillimi i viteve 1980 të shekullit të shkuar e gjejnë Taf Palushin një ndër karikaturistët më të preferuar të kësaj reviste, së paku duke e gjykuar nga punimet e përzgjedhura për kopertinën.”

Duke e përmbyllur këtë kujtesë-homazh për një njeri të vogël në shtat por gjigand në vepër, kujtoj se Shtjefën Palushi u lind në Shkodër më 28 qershor 1943 dhe u nda nga jeta më 18 Korrik 1985 në moshën 41-vjeçare. Nuk u martua kurrë, dhe nuk la trashëgimtarë, pasi shëndeti i lig nuk ja mundësonte. Edhe pse jeta u tregua aspak bujare me shëndetin e tij, ai u “hakmor” ndaj saj duke jetuar pak, por kjo nuk e ndaloi atë ndërtonte pavdeksinë e tij në një tempull të lartë kujtese. Brezat që shkuan, ata që janë dhe ato që do të vijnë do ta kenë të pamundur ta harrojnë “Tef Palushi”, këtë emër që nuk mundi të ishte vetëm një emër, por sinonim i një fenomeni të humorit. Ai lindi, jetoi dhe ju dha përjetësisë me shpirtin e bukur dhe pafundësinë e stolisur me të qeshura.
Përgatiti: Albert Vataj

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur ‘PrizrenFest’ vjen me edicionin e katërt

By: Kult Plus
18 July 2025 at 20:23

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest do të mbahet sivjet nga data 21 deri më 28 korrik në Prizren.

Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje e performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova.

Programi i sivjetëm i festivalit përpos që i bën konak botës në Prizren, na fton ta imagjinojmë dhe pranojmë teatrin në të gjitha mënyrat e bërjes së tij, por mbi të gjitha ta njohim e ta ritheksojmë fuqinë e shprehjes teatrore për të krijuar hapësira të përbashkëta për reflektim shoqëror.

Edhe në këtë edicion, nderojmë trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, duke e shndërruar atë në një skenë teatri dhe duke e sjellë teatrin e botës në të.  

Prej formave më klasike të shprehjes teatrore deri tek ato më alternative e eksperimentale, ky program që ju flet të gjitha grupeve të audiencave, navigon nëpër tema që lidhen me luftën, shërimin, kujtesën, identitetin, rezistencën, heshtjen, shëndetin mendor, ambientin e dhunën shtetërore.

I sjellim këto tema në skenat e sivjetme të PrizrenFestit, jo për të rikonfirmuar atë që tashmë e dijmë për gjendjen në të cilën ndodhet sot bota përreth nesh, por për të treguar se ashtu siç brengat dhe tragjeditë shoqërore nuk njohin kufij, njëlloj nuk njeh kufij as këmbëngulja dhe shpresa jonë për t’u bërë bashkë nëpërmjet teatrit – gjuhës që ne e flasim më së miri.  Pra ne, së bashku, nuk i frikësohemi territ që e kemi përreth nesh, por i bëjmë ballë me publikun dhe artistë nga anembanë botës, për të nderuar tregimet që na bëjnë bashkë.

Programi i sivjetëm i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ e diskursiv. Gjithashtu, sivjet afrohemi me publikun, jo vetëm nëpërmjet skenave të ngritura nëpër qytet dhe formave tradicionale të tij, por edhe duke e dërguar teatrin tek ata që nuk mund të vijnë në teatër dhe duke e bërë teatrin të qasshëm për të gjithë, nëpërmjet një programi të posaçëm në shtëpinë e të moshuarve, me shfaqjen “La Beauté du Souvenir” nga Franca si dhe nëpërmjet teatrit me gjuhë të shenjave me shfaqjen e programit për fëmijë “Three”.

PrizrenFest 2025 nis më 21 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun më 28 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë.

Përgjatë tetë ditëve të festivalit, në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit do të jipen shfaqjet “Komedia e zezë” nga Kosova, “5 fytyrat e heshtjes” nga Shqipëria, “Unë jam vet grua” nga Kosova, “Drunks” nga Bullgaria.

Skena e ngritur në oborrin e Kishës së Zojës Ndihmëtare do të bëhet nikoçire e shfaqjeve “Elettra” nga Italia dhe “P’tit Jean Le Géant” nga Franca.

Në Amfiteatrin e Autostradës Bienale do të jipet shfaqja “Oedipus Rex” nga Greqia ndërsa “8%” nga Maqedonia e Veriut jipet në Autostrada Hangar.

Lidhja e Prizrenit do të bëhet skenë për shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, e Burgu i qytetit të Prizrenit për shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Kosova, ndërsa që në Kejin pranë xhamisë së Sinan Pashës do të zë vend shfaqja “Unboxed – Unpacking Prejudice” nga Anglia.

Ekspozita “Teatri Ilegal” gjithashtu do të jetë e hapur përgjatë gjithë festivalit në hollin e Teatrit “Bekim Fehmiu”. Të gjitha shfaqjet e programit për fëmijë do të jipen në Teatrin mbi Lumë.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të sivjetëm të PrizrenFest është falas! Ndërsa pas përfundimit të shfaqjeve, për çdo mbrëmje mblidhemi e festojmë bashkë me muzikë të përzgjedhur në pikëtakimin e festivalit në Kejin e Sinan Pashës.

Nga 21 deri më 28 korrik, shihemi në skenat e ngritura teatrore të PrizrenFestit!

Për më shumë detaje në lidhje me programin e sivjetëm, lokacionet dhe oraret, mund të ndiqni faqet në rrjetet sociale në Instagram – PrizrenFest dhe Facebook – PrizrenFest./ KultPlus.com

Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE

By: Kult Plus
18 July 2025 at 19:57

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot përfundimin e punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Bashtovës, një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë.

E ndërtuar fillimisht në shekullin e 15-të nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e grurit, Kalaja e Bashtovës është ruajtur dhe restauruar përmes ndërhyrjeve të thella që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e strukturës, nxjerrjen në pah të elementeve historike dhe përgatitjen e saj për përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Punimet përfshinë restaurimin e mureve dhe kullave të kalasë, përmirësimin e aksesit dhe elementëve të sigurisë, kërkime të detajuara arkeologjike, zhvillimin e një sistemi interpretimi interaktiv multimedial si dhe ndërtimin e një qendre për vizitorët.

Ky projekt u realizua në kuadër të programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Zyra e BE-së fton qytetarët dhe vizitorët të ndjekin informacione të mëtejshme mbi këtë sit kulturor të rëndësishëm.

Presidentja Osmani në takim me Avokatin e Popullit flasin për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut

By: Kult Plus
18 July 2025 at 18:31

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelajn, me të cilin diskutuan për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët.

Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët.

“Ajo theksoi se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, shkroi Presidenca, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Avokati i Popullit bëhet e ditur se e informoi Osmanin për çështjet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion.

“Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë”, u tha në njoftim.

Projekti filmik ‘Nëna është gjallë sot’ shpërblehet me çmim në kategorinë ‘Works in Progres’ në Kroaci

By: Kult Plus
18 July 2025 at 17:46

Projekti filmik “Nëna është gjallë sot” me regji dhe skenar nga Josip Lukic është shpërblyer me çmim në kategorinë Works in Progress, në edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë.

Ky bashkëprodhim mes Kroacisë dhe Kosovës, me bashkëproducent nga Kosova Bujar Kabashi, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionim të vitit 2023-2024.

Filmi, i cili është në fazën finale të post-produksionit, është prodhuar nga Dinaridi Film, Mobius dhe Non-Aligned Films, ndërsa producentë janë Tena Gojić, Bujar Kabashi dhe Ognjen Glavonić./ KultPlus.com

‘I kam lutur sytë që fjalën luftë të mos e venerojnë’

By: Kult Plus
18 July 2025 at 16:20

Poezi nga Musa Ramadani

Brenga mendjen në merimangë ma pështolli
Tmerri zemrën në fole minjsh ma shndërroi

Faqet e para të gazetave
Kurrë më s’i lexoj

E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë

I kam bindur veshët që fjalën
Mortje kurrë të mos e dëgjojnë

E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më!

Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do ta kenë shëruar. / KultPlus.com

Shqipëria, bashkëprodhuese në filmin e ri të Milcho Manchevski

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:53

Milcho Manchevski, një nga regjisorët më të njohur në Ballkan, fitues i mbi 50 çmimeve ndërkombëtare, nisi xhirimet e filmit “Leaving Copacabana”.

Përmes Tirana Film Institute, në bashkëpunimin e dytë me Banana Film dhe regjisorin Milcho Manchevski nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria merr pjesë në këtë produksion si bashkëprodhuese.

Filmi rrëfen historinë e një motre dhe një vëllai me karaktere të ndërlikuara dhe shumëdimensionale, të cilët përballen me sfidat e jetës në një shoqëri thellësisht të ndarë mes privilegjuarve dhe të pambrojturve.

Disa prej aktorëve protagonistë janë Sara Klimoska, Filip Trajković, Petar Mirčevski, Sonja Mihajlova, Dejan Lilić.

“Leaving Copacabana” është një bashkëprodhim mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Serbisë, Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Milcho Manchevski është një emër i njohur në fushën e kinematografisë. Ai ka fituar një Luan të Artë të Venecias si dhe është i pari regjisor maqedonas që u bë kandidat për çmimet Oscar. Filmi i tij “Before the rain” konsiderohet si një ndër filmat më të rëndësishëm të dekadës.

Manchevski ka patur bashkëpunime me Tirana International Film Festival, ku janë shfaqur filma të tij. Në TIFF-in e para dy vjetëve, Manchevski solli në Tiranë, filmin e tij premierë “Kaymak”./KultPlus.com

“Kohët keq të mësuan kur zotat i munda”

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:52

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Ti s’di asgjë miku im
pse unë këndoj
kur ti ma shkel hijen
pse kurrë dorë nuk ngrita në ty
Kohët keq të mësuan
Kam parë njerëz duke blerë litar
Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit
dhe kam pyetur: për cilën kokë ai lak
për cilin gjak ai hak
Tinëz vetes tinëz dreqit dola në kunavikë
me gurin e shqetësuar në behe
hijena gjuajta mbi botë
në zjarr vura dorën për ty
Ti s’di asgjë miku im
pse pikon vetmi
nën strehë
pse sytë më zmadhohen
Kohët keq të mësuan
kur zotat i munda /KultPlus.com

Armend Rexhepagiqi nderohet me “Hyjneshën në Fron”, promovon albumin “Dashni e Vjetër”

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:26

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar artistin e njohur, Armend Rexhepagiqi, me simbolin e kryeqytetit, “Hyjneshën në Fron”, si njohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës muzikore dhe artistike të Kosovës.

Ky çmim i jepet Rexhepagiqit për angazhimin e tij të pandalshëm dhe ndikimin që ka pasur në skenën muzikore shqiptare, duke i dhënë zë shumë këngëve që janë bërë pjesë e kulturës muzikore të vendit,transmeton KultPlus.

“Dashni e Vjetër” – Albumi i Ri dhe Koncerti Promovues në Prishtinë
Në këtë ngjarje speciale, Rexhepagiqi do të ngjitet në skenë këtë të shtunë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë për të promovuar albumin e tij të ri me titullin “Dashni e Vjetër”. Ky koncert do të shënojë një moment të veçantë për fansat e tij, ku do të performojë këngë të njohura si “Dashurinë ku e kam”, “Ti nuk më meriton”, dhe “Shkel”, por edhe disa këngë të reja nga albumi, si “Kutia e zezë”, “Boll m’ke dalë”, “Dyfish ma pak”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”.

Rexhepagiqi është një nga artistët më të dashur të Kosovës, dhe këngët e tij vazhdojnë të mbeten pjesë e pandashme e listave të dëgjimeve të publikut shqiptar. Ai është gjithashtu një autor i njohur tekstesh për shumë këngëtarë shqiptarë, duke i dhënë rëndësi të madhe muzikës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
Armend Rexhepagiqi është një nga emrat ikonikë të skenës muzikore vendore, dhe promovimi i albumit të tij të ri është një moment i veçantë që padyshim do të sjellë shumë emocione dhe kujtime për të gjithë adhuruesit e tij. /KultPlus.com

Rikthimi i Lewis Capaldi pas luftës me shëndetin mendor

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:10

Lewis Capaldi, këngëtari i njohur skocez, ka folur hapur për betejën e tij me shëndetin mendor dhe ndikimin jetik që kanë pasur medikamentet antipsikotike në jetën e tij. Pas një periudhe të gjatë tërheqjeje nga skena publike, artisti 28-vjeçar po rikthehet fuqishëm, duke filluar nga turneu i tij i suksesshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe me koncerte të planifikuara në Australi dhe Zelandën e Re.

Pas një performance shumë të vështirë në Festivalin “Glastonbury” në verën e vitit 2023, ku u duk se po luftonte për të përfunduar interpretimin e këngës së tij hit “Someone You Loved,” Capaldi u largua nga vëmendja e medias dhe publikut. Ai rrëfeu në një intervistë të fundit, se atë moment e kishte përjetuar si “momentin më të ulët në jetën e tij,” duke e cilësuar atë si një rrënim të brendshëm që e shtyu drejt ndryshimeve rrënjësore.

Megjithatë, kalimi te medikamentet antipsikotike solli një ndryshim thelbësor në jetën e tij, përcjellë KultPlus.

“Ka qenë një ndihmë shumë, shumë e madhe,” tha Capaldi, duke theksuar se ky trajtim i ka ndryshuar jetën në mënyrë të jashtëzakonshme. Përveç medikamenteve, ai ka ndjekur terapi dhe ka bërë ndryshime të rëndësishme në stilin e jetesës, ka reduktuar konsumin e alkoolit, ka ndryshuar dietën dhe ka nisur aktivitet fizik.

Këto ndryshime i kanë ulur ndjeshëm nivelet e ankthit dhe stresit, duke i dhënë mundësinë të rifitojë kontrollin mbi jetën dhe karrierën e tij. Ai rrëfeu se momenti në “Glastonbury” ishte një kthesë e domosdoshme, pasi përndryshe, “nuk do të ishte ndalur” nga kjo rrugë e vështirë.

Rikthimi i Lewis Capaldi në skenë pas këtij periudhe të errët është një dëshmi e fuqisë së trajtimeve të duhura dhe vendimeve të guximshme për shëndetin mendor. Ai vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në hapjen e diskutimeve për mirëqenien psikologjike dhe për rëndësinë e kërkimit të ndihmës në momentet më të vështira./CNN/KultPlus.com

Nelson Mandela ishte një hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:01

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela vdiq në moshën 95-vjeçare. Në vijim një profil i njeriut që ndihmoi për ta çliruar Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja.

Për shumëkënd, Nelson Mandela ishte një hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit. Ai cilësohej shpesh si njeriu i thjeshtë, karizmatik dhe besnik, si njeriu që kujdesej për të tjerët.

Nelson Mandela u lind më 18 korrik, 1918, dhe u rrit në Transkei – një ish-territor zezak afrikanojugor. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Qeveria e ndaloi organizatën në vitin 1960, por ajo vazhdoi të veprojë fshehurazi. Nelson Mandela vazhdimisht i shmangej policisë dhe detyrohej të jetonte larg gruas së tij të dytë, Winnie, e cila më vonë u bë gjithashtu aktive në lëvizjen e anti-aparteidit.

Kur Kongresi Kombëtar Afrikan vendosi të ndërmerrte veprime të forta për t’i dhënë fund aparteidit, zoti Mandela u bë drejtues i krahut ushtarak të organizatës, duke ndërmarrë një fushatë sabotimesh kundër ushtrisë së Afrikës së Jugut dhe objekteve qeveritare.

Në vitin 1962, 44 vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Dy vjet më vonë ai u dënua me burgim të përjetshëm në ishullin Robben pranë brigjeve të Kejptaunit. Mandela kaloi 18 vjet në këtë burg famëkeq, duke refuzuar një ofertë të qeverisë për lirimin e tij, nëse hiqte dorë nga lufta e armatosur e Kongresit Kombëtar Afrikan. Ai doli nga burgu më 1990, pasi qëndroi gjithsej 27 vjet, kur qeveria e bardhë e presidentit Frederik de Klerk legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë.

Në vitin 1991, zoti Mandela u zgjodh kryetar i Kongresit Kombëtar Afrikan, ndërsa më1994, kur Kongresi fitoi zgjedhjet e para shumëracore, ai u bë presidenti i parë zezak i vendit, në moshën 75-vjeçare.

“Kurrë, kurrë dhe kurrë më kjo tokë e bukur nuk do të përjetojë shtypjen e njeriut nga njeriu,” deklaroi Mandela gjatë marrjes së mandatit.

Herman Cohen ishte Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Afrikën nga viti 1989 deri më1991. Ai thotë se shumica e zezakëve të Afrikës së Jugut i mbanin sytë te Mandela si njeriu i cili mund t’ua bënte jetën më të mirë:

“Ai kishte një qasje të veçantë, karizmatike. Ai u bë simbol në luftën kundër aparteidit dhe ishte e natyrshme që do të zgjidhej si presidenti i tyre i parë.”

Presidenti Mandela shpalli se do të qëndronte në këtë post vetëm për një mandat. Zoti Cohen thotë se gjatë pesë viteve si president, zoti Mandela fitoi respekt ndërkombëtar për ripajtimin e vendit:

“Mandela iu përkushtua kryesisht mobilizimit të afrikanëve për të punuar për zhvillimin ekonomik. Duke patur një arsimim të mirë, ai u bë gjithashtu një lloj zëdhënësi në skenën ndërkombëtare.”

Nelson dhe Winnie Mandela jetuan një kohë së bashku pas lirimit të tij nga burgu, por shpejt marrëdhëniet e tyre u ftohën dhe ata u divorcuan. Në ditëlindjen e tij të 80, zoti Mandela u martua me Graca Machel, e veja e ish-presidentit të Mozambikut, Samora Machel.

Zoti Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

Dy vjet më vonë, sida shkaktoi vdekjen e njërit prej djemve të tij.

Në vitin 1999, në moshën 85-vjeçare, Nelson Mandela tha se do të tërhiqej nga jeta publike. Megjithatë, ai vazhdoi të luftojë për të drejtat e fëmijëve.

Në një vend të rrënuar nga konflikti racor, Nelson Mandela është parë si një udhëheqës i jashtëzakonshëm – si njeriu që e çliroi Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja duke e bërë një vend me më shumë paqe dhe mirëkuptim. /KultPlus.com

Drama shekspiriane në Teatrin Kombëtar në Tiranë

By: Kult Plus
18 July 2025 at 14:45

“Si ta doni” nga Shakespeare, vjen në skenën shqiptare si pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar. Komedia romantike “Si ta doni”(As You Like It), një nga veprat më të dashura të William Shakespeare, do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e John Blondell. Kjo vepër që feston dashurinë, identitetin dhe lirinë, vjen në skenë me një ekip të zgjedhur aktorësh.

Në role do të interpretojnë Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri dhe Krist Lleshi, përcjellë KultPlus.

Shfaqja ndjek historinë e Rosalindës, e cila detyrohet të largohet nga oborri për shkak të persekutimit të xhaxhait të saj dhe nis një udhëtim në Pyllin e Ardenit, së bashku me kushërirën e saj Celia. Aty, ndërsa kërkojnë lirinë dhe dashurinë, takojnë plot karaktere unike dhe të paharrueshme, duke përfshirë edhe Jaquesin filozofik dhe melankolik, i cili sjell në skenë një nga monologët më të njohur të Shakespeare-it: “Gjithë bota është një skenë”.

Shkruar rreth vitit 1599 dhe e vendosur për herë të parë në skenë në “Wilton House” në vitin 1603, kjo komedi ka njohur qindra adaptime. Në versionin e saj më të fundit, publiku shqiptar do të ketë mundësinë ta përjetojë këtë klasik në një interpretim të gjallë dhe plot emocion./KultPlus.com

Sophia Loren: Kur shihesh në pasqyrë, bëj tifozllëk për veten

By: Kult Plus
18 July 2025 at 14:30

Çdo fazë e jetës ka dështimet dhe të bukurat e veta!

Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik.

Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para.

Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen.

Kjo është vetëm një nga thëniet e Sophia Loren, gruas plot pushtet në kinematografi, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë.

Në vijim, ju njohim me disa nga shprehjet e saj më të bukura, që janë pjesë e frazeologjisë botërore, duke frymëzuar miliona gra.

“Kur shihem në pasqyrë, bëj tifozllëk për veten. Nuk pyes ‘a jam e mrekullueshme?’ apo ‘a jam e bukur?’ Jo! Ka të bëjë me atë se si ndihem, sa e sigurt dhe e lumtur jam. Ajo ka rëndësi”.

Kur ti je nënë, ti vërtetë nuk je vetëm në mendimet e tua. Një nëne i duhet të mendojë dy herë. Një herë për veten dhe një herë për fëmijën e saj.

Veshja e një femre duhet të jetë si një gardh telash me gjemba: që t’i shërbejë qëllimit pa e penguar shikimin.

Një grua mund të duket më mirë, nëse ndihet mirë nën lëkurën e saj. Këtu nuk hyjnë as fustani e as tualeti, por mënyra se si shkëlqen.

Ka një burim i pashtershëm rinie: është mendja jote, talenti yt, krijimet që ti sjell në jetën tënde dhe jetët e njerëzve që ti do. Kur ti mëson ta shfrytëzosh këtë burim, ti vërtet e ke mundur moshën.

Duhet ta gëzosh jetën. Gjithmonë të jesh me njerëz që i pëlqen, njerëz me të cilët ke bisedë të këndshme. Ka kaq shumë gjëra pozitive për të cilat të mendosh.

Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur.

Gabimet janë pjesë e haraçeve që paguhen për një jetë sa më të plotë.

Duhet të jesh e lindur një sex symbol. Përndryshe nuk bëhesh dot. Nëse ke lindur me këtë cilësi, atëherë do ta kesh edhe kur të jesh 100 vjeçe.

Pas kaq vitesh, unë prapë jam e përfshirë në procesin e vetëzbulimit. Ishte më mirë ta shfrytëzoja jetën dhe të bëja gabime se të bëj një jetë të sigurt.

Seksi është si të lash fytyrën – diçka që do ta bësh, sepse duhet bërë. Seksi pa dashuri është absolutisht qesharak. Seksi pason dashurinë, asnjëherë nuk e paraprin.

Shumë njerëz mendojnë se i dëshirojnë gjërat, por ata nuk kanë vërtet forcën, disiplinën. Ata janë të dobët. Unë mendoj se njeriu arrin çfarë do, nëse ai e do vërtet shumë.

Kurrë nuk jam përpjekur t’i errësoj kujtimet e së shkuarës, edhe kur ato janë tejet të dhimbshme. Gjithçka që përjeton, të ndihmon që të jesh njeriu që je.

Për të përparuar në profesion, kërkohet shumë besim tek vetja. Prandaj disa njerëz, me talent mediokër, por me shtysa të brendshme të fuqishme, shkojnë shumë më përpara se njerëz me talent të madh.

Nuk gjen kënaqësi në punë, nëse nuk e bën punën që dëshiron. / KultPlus.com

Vargjet dhe Partia: Përplasja letrare e 1961 në Shqipërinë Komuniste

By: Kult Plus
18 July 2025 at 14:15

Korriku, ndër të tjera, mban në kujtesë edhe datën e përplasjes më të madhe letrare në Shqipëri, gjatë pushtetit diktatorial komunist. Në korrik të vitit 1961, në një mbledhje të rëndësishme në Tiranë, u përplasën dy kahje të rëndësishme në letërsinë shqipe: “poetët e rinj” dhe “poetët e vjetër”.

Takimi, që në fillim u lajmërua si diskutim për “Vendimin e Komitetit Qendror të PPSH-së mbi Letërsinë dhe Artet” (7 qershor 1961), u kthye në një debat të ashpër mbi drejtimet që po merrte poezia shqipe dhe kufirin midis “traditës” dhe “novatorizmit”.

Në këtë mbledhje, që nisi me referatin e Ramiz Alisë, theksi binte mbi kritikat ndaj poetëve të rinj, të cilët po eksperimentonin me forma të reja shprehjeje si vargu i lirë, tema ndërkombëtare, figura të reja letrare e stilistike, e largime nga temat klasike të partisë dhe jetës shqiptare.

Diskutimet e para i morën poetët e brezit të vjetër, si Andrea Varfi, Llazar Siliqi dhe Luan Qafëzezi, të cilët folën ashpër kundër prirjeve të reja.

Andrea Varfi tha:
“Të jesh artist i realizmit socialist dhe të ndjekësh në të njëjtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim…
Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën novator dhe origjinal dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet e të huajve. Futuristët, me shokë, deshën të varrosnin çdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot izmat e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim, nuk lë gur pa luajtur në kët drejtim…”

Llazar Siliqi theksoi:
“Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbet puna që atë ta fillojmë me e krijua sot, pa mohu përpjekjet e ma tejshme që ne të gjithë duhet të bëjmë për ta çue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator…!
Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e formës dhe, nga ana tjetër, novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku ka fjalë të reja si asfalt, najlon dhe tematikë ndërkombëtare…”

Më i ashpër ishte Luan Qafëzezi, i cili deklaroi:
“Në vitet 1960-‘61, vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime, duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë nën pretekstin e një farë “novatorizmi”…!
Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë, nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtësisht formale… Ne prapa këtij “modernizimi” shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë…”

Kjo klimë kritikash të drejtpërdrejta në një sallë ku ndodhej edhe Enver Hoxha, krijoi një atmosferë tensioni për “poetët e rinj”, përfaqësuar nga Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe Dhori Qiriazi. Dritëro Agolli mungonte, por do të reagonte më vonë përmes një artikulli në gazetën “Drita”.

Pasdite, në seancën e dytë të mbledhjes, morën fjalën Kadareja dhe Arapi. Ata u mbrojtën, por edhe kundërsulmuan, duke argumentuar qartë drejtimin që duhet të merrte poezia shqiptar, përcjellë KultPlus.

Në mbrojtje të poetëve “të kryqëzuar” doli Ismail Kadare, me fjalimin e shkruar gjatë kohës së pauzës në mbledhje, ku i drejtohet me guxim Enver Hoxhës se “Asgjë tragjike nuk ka ndodhur”.
“Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”, në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile, me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira, por te poezia e disa poetëve të rinj…
Unë mendoj se, në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme. Te ne përmbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje, disa herë me sukses e disa herë pas sukses…
Në qoftë se arti është i vërtetë, ai do të ketë patjetër të renë, novatoren…” – shprehet Kadareja.

Ndërsa Fatos Arapi u shpreh:
“Shpesh herë, – tha ai,- na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nënçmojmë gjithçka që është krijuar te ne… Në qoftë se dikush ka bërë traditë të tij ‘personale’ të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë…
Nuk e ka fajin vargu. Dhe në qoftë se dikush, duke bërë poezi të këqija ka diskretituar veten e tij, ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin tonë të mrekullueshëm…
Shyqyr që na doli vargu i lirë, sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhe të tregojnë se ekzistojnë, janë gjallë…”

Pasi u duk se takimi po mbyllej me një përplasje të hapur mes brezave, ndërhyri papritur vetë Enver Hoxha, i cili kishte ndjekur gjithçka në heshtje. Ai nuk e mohoi që e kishte lexuar dhe miratuar referatin e Ramiz Alisë, por vendosi të ndërhyjë si “gjyqtar”, për të ulur tensionet.

Ai tha:
“Nuk është problem çështja ‘të rinj’ dhe ‘të vjetër’!
Të rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetërve…
Por unë jam i bindur se ju, shokë të rinj … nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…!
Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar, p.sh., atë që ai i ka kushtuar kalasë së Gjirokastrës, (‘Princeshës Argjiro’), dhe mua më ka pëlqyer…
Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, tërheqëse, të qartë, ato s’kanë sepse të mos pëlqehen…!
Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë.”

Kështu, Hoxha zgjodhi një rrugë të mesme, duke këshilluar të vjetrit të mos ishin përjashtues dhe të rinjtë të ruanin përmbajtjen ideologjike “të saktë”.

“Në këtë mënyrë ai “kërkonte unitet”, – vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”.

Në thelb, ky takim përfaqësonte një nga përplasjet më të rëndësishme kulturore të epokës komuniste në Shqipëri, ku për herë të parë poetët e rinj guxuan të mbronin artin si formë të re shprehjeje përtej klisheve ideologjike, duke i dhënë një tjetër ritëm zhvillimit të letërsisë moderne shqiptare./KultPlus.com

Oficeri i FSK-së, Kapiten Shkëlqim Raci, diplomon me sukses në ShBA dhe nderohet me çmim ndërkombëtar

By: Kult Plus
18 July 2025 at 14:02

Kapiten Shkëlqim Raci, një oficer i dalluar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka përfunduar me sukses Kursin e Karrierës së Kapitenit për Logjistikë në Universitetin e Mbështetjes së Ushtrisë (Army Sustainment University) në Fort Lee, Virxhinia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kuadër, ai është nderuar me çmimin prestigjioz “Distinguished International Honor Graduate”, çmim që jepet vetëm për studentët ndërkombëtarë që kanë arritur performancë të jashtëzakonshme akademike dhe profesionale gjatë trajnimit,transmeton KultPlus.

Ky sukses i Kapiten Racit është një dëshmi e qartë e përkushtimit, profesionalizmit dhe standardeve të larta që përfaqësojnë pjesëtarët e FSK-së në arenën ndërkombëtare. Ai ka bërë krenar jo vetëm institucionin që përfaqëson, por edhe vendin, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të imazhit të Kosovës në botë.

Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare të Kosovës./KultPlus.com

‘Vogue’ zbulon librat feministë që duhet t’i lexoni këtë verë në plazh

By: Kult Plus
18 July 2025 at 13:43

Me hapjen e sezonit të verës dhe ditëve të gjata në plazh, leximi mbetet një nga aktivitetet më të preferuara. Por, përtej argëtimit, kjo periudhë është një mundësi e artë për të thelluar njohuritë dhe ndërgjegjësimin mbi çështje të rëndësishme sociale, përcjellë KultPlus.

‘Vogue’ ka përzgjedhur një listë të librave feministë më të mirë ndër vite, me ndihmën e autoreve që vazhdojnë të frymëzojnë dhe edukojnë për temat e gjinisë, identitetit dhe pushtetit. Këto libra nuk janë vetëm lexime të këndshme, por edhe mjete thelbësore për reflektim dhe ndryshim.
Where the Girls Are: Growing Up Female With the Mass Media – Susan J. Douglas (1994)

Girl, Woman, Other – Bernardine Evaristo (2019)

Hunger: A Memoir of (My) Body – Roxane Gay (2017)

Wages Against Housework – Silvia Federici (1975)

Corregidora – Gayl Jones (1975)

Immaculate Conception – Ling Ling Huang (2025)

Love Is an Ex-Country – Randa Jarrar (2021)

Hood Feminism: Notes From the Women That a Movement Forgot – Mikki Kendall (2020)

The Cancer Journals – Audre Lorde (1980)

The Group – Mary McCarthy (1963)

Miss Major Speaks – Toshio Meronek dhe Miss Major Griffin-Gracy (2023)

The Argonauts – Maggie Nelson (2016)

SCUM Manifesto – Valerie Solanas (1967)

Ndërsa nxiheni nën rrezet e diellit, pse të mos kombinoni pushimet me një udhëtim intelektual drejt njohjes së mëtejshme feministe?/KultPlus.com

❌
❌