Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kushtetuesja ua ndalon deputetëve të zgjedhur vendimet pas afatit 30-ditor

PRISHTINË, 24 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka kthyer sot përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.

“Në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44 (2), 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 24 korrik 2025, njëzëri vendosi  të caktojë masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25. Të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025, në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025. Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025”, thuhet në vendim.

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur, sipas detyrës zyrtare, masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Në një postim në Faceboook, Cakolli ka shkruar se Kuvendi do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30-ditor, por nuk do të mund të marrë asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht.

“Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK”, ka shkruar ai.

/KosovaPress/

The post Kushtetuesja ua ndalon deputetëve të zgjedhur vendimet pas afatit 30-ditor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia fiton pastër 0-2 në transfertën përballë Dinamos së Minskut

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ekipi kampion i Shqipërisë, Egnatia fitoi 0-2 sot në transfertën hungareze përballë bjellorusëve të Dinamo Minsk.

Ndeshja e vlefshme për turin e dytë të Conference League u dominua nga ekipi rrogozhinas, i cili gjeti dy herë rrugën e rrjetës me anë të Regi Lushkjes (’28) dhe Soumaila Bakajokos (’88).

Ndryshimet e bëra nga trajneri Tetova i Egnatias, në krahasim me ndeshjen e humbur përballë Breibablik (5-0), sollën një lojë më të qartë e rezultative.

FORMACIONET ZYRTARE

Dinamo Minsk(4-3-3): Shpakovski; Ibrahim, Gavriloviç, Begunov, Kalinin; Bakhar, Abdullai, Miakish, Padstrelau; Bakiç, Djimet

Trajner: Aleksandër Pavlov

Egnatia(4-3-3): Dajsinani; Alijev, Xhemajli, Sota; Fangaj; Medeiros, Aleksi, Lushkja; Gruda, Bakajoko, Selmani

Trajner: Edlir Tetova

Kështu, kampionët e Shqipërisë presin me qetësi ndeshjen e kthimit që do të luhet në Rrogozhinë në datën 31 korrik, në orën 21:00.

The post Egnatia fiton pastër 0-2 në transfertën përballë Dinamos së Minskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Izraeli dhe SHBA-ja tërheqin ekipet negociuese, shenjë e dështimit të bisedimeve me Hamasin

24 July 2025 at 22:47

TEL AVIV, 24 korrik /ATSH-DPA/- Ekipet negociuese amerikane dhe izraelite të përfshira në përpjekjet për të siguruar një armëpushim midis lëvizjes militante palestineze Hamas dhe Izraelit në Rripin e Gazës janë tërhequr, një shenjë se bisedimet mund të jenë në prag të dështimit.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, shkroi në platformën X se Hamasi nuk ishte i gatshëm të arrinte një armëpushim.

“Edhe pse ndërmjetësit kanë bërë përpjekje të mëdha, grupi islamist nuk duket se po vepron në një mënyrë të koordinuar ose të ndershme”, tha ai.

“Tani do të shqyrtojmë mundësi alternative për të sjellë pengjet në shtëpi dhe do të përpiqemi të krijojmë një mjedis më të qëndrueshëm për popullin e Gazës”, tha Witkoff.

“Është turp që Hamasi ka vepruar në këtë mënyrë egoiste. Ne jemi të vendosur të kërkojmë një fund të këtij konflikti dhe një paqe të përhershme në Gaza”, shtoi ai.

SHBA-ja, së bashku me Katarin dhe Egjiptin, veprojnë si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit, pasi dy palët ndërluftuese nuk flasin drejtpërdrejt me njëra-tjetrën.

Në tryezën e negociatave u paraqit propozimi për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit Hamasi do të lironte 10 nga pengjet e mbetura. //a.i/

 

The post FOKUS – Izraeli dhe SHBA-ja tërheqin ekipet negociuese, shenjë e dështimit të bisedimeve me Hamasin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Militarizimi i Gjermanisë nga Merz është një arsye për shqetësim.

24 July 2025 at 22:46

MOSKË, 24 korrik /ATSH/Rusia akuzoi sot  kancelarin gjerman Friedrich Merz për ndjekjen e një rruge të “militarizimit” dhe tha se kjo është një arsye për shqetësim, sipas Reuters

Merz, një konservator që mori detyrën në muajin maj, ka mbajtur një qëndrim më të ashpër në mbështetje të Ukrainës sesa paraardhësi i tij socialdemokrat Olaf Scholz, ndërsa ka premtuar të rrisë presionin ndaj Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Ai vizitoi Kievin brenda pak ditësh pasi mori detyrën si kancelar dhe mbështeti të drejtën e Ukrainës për të kryer sulme me raketa me rreze të gjatë në territorin rus.

Nën drejtimin e Merz-it, Gjermania planifikon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në mënyrë të shpejtë, duke arritur në 3,5% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2029.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha në konferencën e saj javore për shtyp se “Gjermania ka ndjekur një politikë të hapur armiqësore ndaj Rusisë gjatë viteve të fundit dhe se Merz po e shton retorikën anti-ruse fjalë për fjalë çdo ditë”.

“Kjo retorikë po bëhet gjithnjë e më agresive dhe militante. Dhe ne besojmë se kursi që ai ka zgjedhur, për të përshkallëzuar marrëdhëniet me Rusinë paralelisht me militarizimin e detyruar të Gjermanisë, është një arsye për shqetësim të madh, para së gjithash për vetë qytetarët e Gjermanisë”, tha Zakharova. /Ad.Ab./

 

The post RUSI – Militarizimi i Gjermanisë nga Merz është një arsye për shqetësim. appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia fiton 2-1 me përmbysje përballë islandezëve të Vikingurin

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Vllaznia fitoi sonte 2-1 me përmbysje ndeshjen e parë të turit të dytë e vlefshme për UEFA Conference League, përballë islandezëve të Vikingurin.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi” kuqeblutë arritën të përmbysin golin e islandezëve të minutës së 10-të, duke shënuar dy herë në portën kundërshtare.

Golit të Gunarson (’10) iu përgjigjën Bajrami (‘67) dhe Mala (’75).

FORMACIONET ZYRTARE

Vllaznia: Jukaj; Jago, Kuro, Gjini, Gurishta; Kruja, Krymi, Sala; Mala, Balaj, Bismark

Trajner: Edi Martinaj;

Vikingur: Xhonson; Gudjonson, Thorkelson, Ekroth, Ibrahimagiç, Gunarson; Sigurdson, Hafsteinson, Ingimundarson, Agnarson; Hansen

Trajner: Solvi Xhonson

Me këtë fitore Vllaznia hedh një hap drejt kalimit të turit dhe shkon me besim në ndeshjen e kthimit në Islandë, e cila do të luhet në datën 31 korrik, në orën 20:45.

The post Vllaznia fiton 2-1 me përmbysje përballë islandezëve të Vikingurin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky bisedon me Merz pas protestave për ligjin anti-korrupsion

24 July 2025 at 22:01

KIEV, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përfunduar një paketë të re rregullash për punën e autoriteteve anti-korrupsion pas protestave kundër një ligji të diskutueshëm të miratuar nga parlamenti në Kiev.

Zelensky diskutoi sot rreth legjislacionit të rishikuar me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Në një postim në platformën X, Zelensky përmendi një projektligj që garanton pavarësinë dhe efektivitetin e autoriteteve anti-korrupsion në Ukrainë.

Ligji duhet të miratohet nga parlamenti

Zelensky u tërhoq pas protestave më të mëdha që Ukraina ka parë që nga fillimi i luftës mbi trevjeçare me Rusinë. Qytetarët dolën në rrugë për të protestuar kundër një ligji që ai nënshkroi të martën, i cili vendoste autoritetet anti-korrupsion nën kontrollin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

“Ne të gjithë ramë dakord se nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje apo ndikim nga Rusia mbi funksionimin e infrastrukturës sonë anti-korrupsion. E ftova Gjermaninë të marrë pjesë në rishikimin ekspert të projektligjit. Friedrich më siguroi për gatishmërinë për të ndihmuar”, shkroi Zelensky.

Ai kishte deklaruar më parë se ligji i ri do të merrte parasysh të gjitha shqetësimet e protestuesve. Megjithatë, Zelensky nuk dha detaje të mëtejshme.

Më herët, Zelensky kishte zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Keir Starmer, sipas një burimi të  “Downing  Street”.  Starmer riafirmoi gjithashtu “mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe  për Ukrainën”,  njoftoi burimi  /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky bisedon me Merz pas protestave për ligjin anti-korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 24 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

ANALIZË – Hungaria mund të goditet rëndë nga tarifat e SHBA-së pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta Trump-Orban

24 July 2025 at 21:43

BUDAPEST, 24 korrik /ATSH/- Kryeministrit populist të Hungarisë, Viktor Orban i janë dashur vite për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë politike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, sipas AP.

Por, pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta të Viktor Orbán me administratën Trump, vendi i tij mund të goditet rëndë nga tarifat e SHBA-së ndaj Bashkimit Evropian.

Këtë muaj, Trump njoftoi se do të vendoste tarifa prej 30% ndaj Meksikës dhe BE-së duke filluar nga 1 gushti – një veprim që mund të shkaktojë trazira masive midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së me 27 anëtarë, anëtare e së cilës është edhe Hungaria.

Si një ekonomi e vogël, e orientuar drejt eksportit me industri të mëdha automobilistike, farmaceutike dhe të verës – disa nga kategoritë kryesore të produkteve që Evropa eksporton në SHBA – Hungaria do të preket më shumë nga tarifat e Trump.

“Tarifat do ta vendosnin ekonominë hungareze në një situatë shumë të vështirë – pasi e gjithë mundësia që Hungaria të eksportojë në Amerikë do të eliminohej”, tha Peter Virovacz, analist kryesor në “ING Hungary”.

Partnerët më të mëdhenj tregtarë të Hungarisë janë vendet e tjera të BE-së si Gjermania, Italia dhe Rumania, dhe Kina, por shumë kompani hungareze eksportojnë mallrat e tyre përtej Atlantikut.

Tregtia drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqëson rreth 15% të të gjitha eksporteve hungareze në vendet jashtë BE-së.

Lidhjet politike mund ta zbusin goditjen

Qeveria e Hungarisë, një mbështetëse e zëshme e politikës së jashtme “patriotike” të Trump – që i jep përparësi interesave kombëtare – ka pranuar se tarifat do të paraqisnin një sfidë per vendin.

Hungaria ka fajësuar BE-në, për dështimin në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregtare me Uashingtonin.

Në një intervistë në prill, Orban tha se ndërsa tarifat do të ishin një disavantazh, qeveria e tij po negocionte marrëveshje dhe çështje të tjera ekonomike që do t’i kompensonin ato.

Por Peter Kreko, drejtor i “Political Capital” me seli në Budapest, shprehu dyshime se lidhjet politike mund të luanin një rol domethënës në zbutjen e dëmit në ekonominë e Hungarisë – të shkaktuar nga politika tregtare e Trump.

“Marrëdhëniet padyshim të mira dypalëshe thjesht nuk mund të kompensojnë konfliktet tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, dhe si pasojë, Hungaria do t’i vuajë tarifat në të njëjtën mënyrë si BE-ja”, tha Kreko. //a.i./

 

The post ANALIZË – Hungaria mund të goditet rëndë nga tarifat e SHBA-së pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta Trump-Orban appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Kombëtare e Zvicrës, Huber: Mbetemi partner i palëkundur i Shqipërisë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Mbi 250 të ftuar, miq dhe partnerë u mblodhën në Tiranë për të festuar Ditën Kombëtare të Zvicrës. Ambasadorja zvicerane Ruth Huber mirëpriti të ftuarit për festimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, disa ditë para datës zyrtare të 1 gushtit.

Përfaqësues nga komuniteti diplomatik, qeveria dhe bashkitë, si dhe shoqëria civile dhe media iu bashkuan pritjes në Rezidencën Zvicerane. Këtë vit eventi përfshinte një performancë në alphorn – një instrument tradicional zviceran, degustimin e raclette-s dhe ëmbëlsirave zvicerane të ofruara nga Shkolla e Hotelerisë dhe Turizmit në Tiranë, e mbështetur nga Shkolla e Hotelerisë EHL e Lozanës.

Ambasadorja Huber theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat këtë vit shënojnë 55 vjet.

“Zvicra ka qenë dhe do të mbetet një partner i palëkundur në udhëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit. Edhe pse financimi nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC do të përfundojë gradualisht brenda pak vitesh, programi i bashkëpunimit zviceran, me financim nga SECO, Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike, do të vazhdojë në fushën e zhvillimit ekonomik”, tha ambasadorja Huber.

“Këto aktivitete synojnë të promovojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në më shumë vende pune dhe në një shoqëri të begatë. Fushat e mbështetura përfshijnë promovimin e financave publike të besueshme dhe tregjeve financiare të qëndrueshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe konfidencën ekonomike”, vazhdoi ambasadorja Huber.

Gjatë vitit të kaluar, presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter, si dhe ish-presidenti Zviceran Alain Berset, kanë vizituar Shqipërinë me rastin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe aktiviteteve të tjera. “Shpresojmë të ndërtojmë mbi këto lidhje të forta me vizita të mëtejshme dypalëshe”, tha ambasadorja Huber.

Zvicra feston ditën e saj kombëtare më 1 gusht, një datë që shënon paktin e Rütlit në gusht të vitit 1291, kur tre kantone zvicerane krijuan për herë të parë atë që më vonë do të bëhej Konfederata Zvicerane.

/m.q//r.e/

The post Dita Kombëtare e Zvicrës, Huber: Mbetemi partner i palëkundur i Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) mirëpriti sot një delegacion nga institucionet homologe të Republikës së Kosovës, në vijim të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike.

Delegacioni nga Kosova kryesohej nga Lulëzon Jagxhiu, këshilltar për Teknologjinë e Informacionit pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dhe përfshinte përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike dhe transformimin digjital.

Sipas AKSK-së, “vizita u fokusua në prezantimin e veprimtarisë së AKSK, kuadrit ligjor dhe rregullator, strukturës funksionale dhe kapaciteteve operacionale, përfshirë proceset e monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me aktorët e tjerë në vend”.

Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi se ndërtimi i një partneriteti me institucionet homologe të Kosovës është pjesë e vizionit të qeverisë për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel rajonal. Ai u shpreh se shkëmbimi i praktikave dhe përvojave konkrete është thelbësore për të adresuar sfidat gjithnjë në zhvillim të hapësirës digjitale.

Vizita, sipas AKSK-së, “konfirmoi angazhimin e ndërsjellë për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për sigurinë kibernetike, në funksion të një objektivi të përbashkët për mbrojtjen e hapësirës sonë digjitale dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel kombëtar dhe rajonal”.

/m.q//r.e/

The post Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TESLA-Kompania ndërton makina elektrike me kosto të përballueshme

24 July 2025 at 21:11

AUSTIN, 24 korrik /ATSH / – “Tesla” deklaroi se ka ndërtuar versionet fillestare të një makine elektrike të përballueshme, një lëvizje që duket se synon të ndalë rënien e ndjeshme të shitjeve që kompania ka përjetuar në tregjet globale, sipas Reuters.

Kompania e Elon Musk raportoi rënien më të madhe tremujore të shitjeve në më shumë se një dekadë dhe një fitim që nuk përmbushi pritshmëritë e “Wall Street”-it. Megjithatë, përqindja e fitimit nga prodhimi i makinave ishte më e mirë se sa pritej.

Tesla tha se pret të nisë prodhimin në volum të modelit të lirë gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, duke ngjallur shpresa se kjo do të ringjallë kërkesën në një kohë kur kompania po përballet me konkurrencë në rritje nga makinat elektrike më të lira, sidomos në Kinë, si dhe me një reagim të vazhdueshëm ndaj pikëpamjeve të djathta ekstreme të Musk.

Shefi  i Financave i “Tesla”-s, Vaibhav Taneja, deklaroi gjatë një telefonate me investitorët se prodhimi i modelit më të lirë do të përshpejtohet tremujorin e ardhshëm, por me një ritëm më të ngadaltë se sa ishte parashikuar fillimisht. Kompania nuk dha asnjë përditësim për parashikimin e saj vjetor për dorëzimet.

“Rezultatet zhgënjyese të Tesla-s nuk janë befasuese duke pasur parasysh vështirësitë që ka kaluar së fundmi”, tha analisti i Emarketer, Jacob Bourne. “Një model vërtet i përballueshëm mund të jetë çelësi për të rritur shitjet nëse Tesla arrin ta pozicionojë atë në mënyrë të suksesshme, pa dëmtuar imazhin e modeleve të saj më të shtrenjta.”

Kjo është rënia e dytë radhazi e të ardhurave tremujore, me një rënie prej 12%, pavarësisht se kompania prezantoi një version të përmirësuar të Model Y, SUV-i më i shitur i saj, që pritej të ndihmonte në rritjen e kërkesës.

Një rënie prej 51% në shitjet e kredive rregullatore të makinave,  të cilat blihen nga prodhues të tjerë që nuk i përmbushin rregulloret e ndotjes , ndikoi gjithashtu negativisht në të ardhurat dhe fitimin.

Të ardhurat ranë në 22,5 miliardë dollarë për tremujorin prill-qershor, nga 25,5 miliardë dollarë një vit më parë. Analistët kishin parashikuar mesatarisht 22,74 miliardë dollarë. Fitimi i rregulluar për aksion ishte 40 cent, më pak se parashikimi prej 43 cent.

Marzhi bruto nga automjetet, duke përjashtuar kreditë rregullatore, ishte 14.96%, më i lartë se pritshmëritë, falë uljes së kostos për njësi.

Në prill, “Tesla” kishte deklaruar se do të fillonte prodhimin e modelit më të përballueshëm deri në fund të gjysmës së parë të vitit, por burime për Reuters kishin thënë se ai do të vonohej disa muaj. Tesla nuk dha detaje për modelin, numrin e njësive të prodhuara apo çmimin që do të nxjerrin në treg. /Ad.Ab./

The post TESLA-Kompania ndërton makina elektrike me kosto të përballueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar zhvilloi mbrëmjen e sotme një koncert, në parkun “Rinia” në Tiranë, me muzikë nga kolonat zanore të filmave më të njohur shqiptarë.

Nën drejtimin e maestros Gridi Kraja, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar përcolli për publikun artdashës nostalgjinë e filmave shqiptarë.

Në repertorin e koncertit ishin kolonat zanore të filmave të kompozitorëve shqiptarë si Kujtim Laro, Limos Dizdari, Çesk Zadeja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo.

Emocionet e kinemasë u përcollën përmes Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar me fuqinë e muzikës simfonike, që u prit me emocion nga publiku artdashës.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.

Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të “Ramë Lahaj & Friends Concert”, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota.

/m.m//r.e/

The post Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NOTRE DAME – Rikthehet statuja e “Shën Tomasit” në bazën e kambanarës

24 July 2025 at 20:27

PARIS, 24 korrik  /ATSH-AFP/ – Një statujë e apostullit “Shën Tomas” u rikthye sot në katedralen Notre-Dame në Paris, duke kompletuar kthimin e të 16 statujave që zbukuronin bazën e kambanarës përpara zjarrit shkatërrues të vitit 2019.

Statuja, me gjatësi tre metra dhe peshë 100 kilogramë, nuk u prek nga zjarri, pasi ishte hequr nga katedralja vetëm disa ditë më parë për restaurim rutinë, së bashku statujat e tjera.

“Kjo është pothuajse një mrekulli”, tha Marie-Hélène Didier, përgjegjëse për ndërtesat historike në rajonin e Parisit. “Është një simbol shumë i fuqishëm të shohësh të gjitha statujat sërish atje lart”, i tha ajo agjencisë AFP.

Pas bekimit nga kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich, statuja u vendos në bazën e kambanarës me një vinç. Ajo aktualisht qëndron e fshehur pas skelave që rrethojnë kambanarën, por do të jetë plotësisht e dukshme deri në fund të gushtit.

Notre-Dame ishte pranë shkatërrimit në vitin 2019, por u rinovua plotësisht nga brenda dhe iu vendos një çati dhe kambanare e re gjatë një restaurimi intensiv pesëvjeçar.

Të 16 statujat, që përfaqësojnë 12 apostujt dhe katër ungjilltarët sipas traditës katolike, u dizenjuan në vitin 1857 nga Eugène Viollet-le-Duc, arkitekti i kambanarës, dhe u gdhendën nga Adolphe-Victor Geoffroy-Dechaume.

Shkaku i saktë i zjarrit të vitit 2019 nuk është identifikuar kurrë, pavarësisht një hetimi  të hollësishëm , për të cilën u sugjerua si më e mundshme një aksident, p.sh. një defekt elektrik. /Ad.Ab./

The post NOTRE DAME – Rikthehet statuja e “Shën Tomasit” në bazën e kambanarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lirohen hapësirat publike, rikthehet ajri për komunitetin në zonën e Freskut

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Në rrugë dhe lagje të ndryshme në kryeqytet, por edhe në bashkitë e tjera të vendit, po zhvillohet aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga çmontimi, prej vetë bizneseve, i strukturave që cenonin hapësirat publike në zonën e Freskut.

“Edhe tek Fresku në Tiranë rikthehet ajri për komunitetin”, u shpreh Rama.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/m.m/r.e/

The post Rama: Lirohen hapësirat publike, rikthehet ajri për komunitetin në zonën e Freskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer dhe Zelensky diskutojnë për luftën kundër korrupsionit

24 July 2025 at 19:44

LONDËR, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutuan sot në një bisedë telefonike “rëndësinë” e masave kundër korrupsionit, pas protestave që shpërthyen ndaj një projektligji të diskutueshëm në Ukrainë.

Zelensky tha se i kishte paraqitur kryeministrit britanik planet e tij për të siguruar “pavarësinë dhe efektivitetin e infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”, pasi qeveria e tij në Kiev u përball me protestat të fuqishme, të parat që nga fillimi i luftës tre vjet më parë.

Presidenti ukrainas njoftoi sot se do të paraqesë një projektligj të ri kundër korrupsionit në parlamentin e vendit.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera këtë javë për të protestuar kundër një projektligji që synon të rrisë mbikëqyrjen ndaj dy agjencive kundër korrupsionit.

Dy liderët gjithashtu diskutuan për sanksionet ndaj të ardhurave nga energjia ruse gjatë bisedës së tyre telefonike, sipas një deklarate nga “Downing Street”.

Në përmbledhjen e bisedës, një zëdhënës tha se të dy liderët “ranë dakord që partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojnë të rrisin presionin ndaj Rusisë”.

“Kryeministri theksoi mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe për Ukrainën  dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e rolit të institucioneve të pavarura kundër korrupsionit në zemër të demokracisë ukrainase”, tha zëdhënësi.

“Të dy liderët theksuan se presidenti rus Vladimir Putin duhet të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë një armëpushim pa kushte për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ai.

Zelensky tha se kishin pasur “një bisedë shumë të mirë dhe thelbësore” gjatë telefonatës.

Në një postim në platformën X, ai shkroi se “kishte folur  për përgatitjen e një projektligji që synon forcimin e sistemit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë dhe efektivitetit të infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”.

Zelensky shtoi se kryeministri britanik “sugjeroi përfshirjen e ekspertëve që mund të kontribuojnë në një bashkëpunim afatgjatë.”

Dy liderët janë takuar edhe muajin e kaluar personalisht, kur Zelensky u prit në zyrën e kryeministrit Starmer. /Ad.Ab./

 

The post BM – Starmer dhe Zelensky diskutojnë për luftën kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Giorgia Meloni në kopertinën e revistës amerikane “Time”

24 July 2025 at 19:22

ROMË, 24 korrik /ATSH-ANSA/- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është shfaqur në kopertinën e revistës javore amerikane “Time” – e cila i ka kushtuar një artikull të gjerë në botimin e saj të fundit.

Artikulli i shkruar nga Massimo Calabresi bazohet në një intervistë të zhvilluar më 4 korrik  me titull “Ku po e udhëheq Evropën Giorgia Meloni” – duke ndjekur një profil kompleks dhe shumëplanësh të lideres së “Fratelli d’Italia”.

Në Itali, Meloni është përqendruar në disa nga premtimet e saj më dramatike të fushatës, si vendosja e një bllokade detare për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm të transportuar me anije.

“Në skenën ndërkombëtare, ajo është shfaqur më pak si një revolucionare e krahut të djathtë sesa si një konservatore pragmatike.

Meloni ka përqafuar Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Ukrainën, ka punuar për të izoluar Kinën dhe ka punuar me shkathtësi për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara midis Amerikës dhe Evropës gjatë fillimit të mandatit të dytë të presidentit te SHBA-së, Donald Trump.

Gjatë rrugëtimit të saj, Meloni ka fituar mbështetjen e udhëheqësve nga i gjithë spektri ideologjik, nga Biden te presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e deri te zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance. //a.i/

 

 

The post ROMË – Giorgia Meloni në kopertinën e revistës amerikane “Time” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Në Tiranë po vijon lirimi i hapësirave publike.

Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, vijoi sot aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga pergola, pedana dhe instalacione të ndryshme.

Policia njoftoi se “aksioni do të vijojë pa ndërprerje, në të gjitha zonat ku konstatohet shkelja e ligjit dhe pengimi i aksesit të lirë të qytetarëve”.

Ajo fton të gjitha subjektet të lirojnë vullnetarisht hapësirat dhe të respektojnë rregullat e bashkëjetesës urbane.

/m.q//r.e/

The post Tiranë, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Reynolds: Qeveria “thellësisht e përkushtuar” për njohjen e Palestinës

24 July 2025 at 19:03

LONDËR, 24  korrik  /ATSH-DPA/ – Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer është “thellësisht e përkushtuar” për njohjen e një shteti palestinez, tha një anëtar i kabinetit të tij.

Sekretari për Biznesin, Jonathan Reynolds, theksoi se një hap i tillë duhet të jetë domethënës dhe të ndodhë si pjesë e një “lëvizjeje të vërtetë drejt një zgjidhjeje me dy shtete dhe një marrëveshjeje afatgjatë për paqe” me Izraelin.

Starmer po përballet me presion në rritje për të përmbushur premtimin e Partisë Laburiste për të njohur Palestinën.

“Ne jemi thellësisht të përkushtuar për njohjen e Palestinës si shtet, gjë që ishte pjesë e manifestit tonë, por, natyrisht, duam që kjo të jetë domethënëse”, i tha Reynolds  radios “LBC”.

“Tani për tani, nuk ekziston një shtet palestinez. Nuk ka një marrëveshje politike mes dy territoreve kryesore palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gazë. Kemi ndërmarrë hapa të tjerë përballë situatës së papranueshme në Gazë. Kemi vendosur sanksione ndaj dy ministrave të kabinetit izraelit. Personalisht kam ndaluar eksportet e armëve drejt Izraelit që mund të përdoren në konfliktin në Gazë”, shtoi ai

“Kemi pezulluar bisedimet me Izraelin për një marrëveshje më të avancuar tregtare dhe marrëdhënie ekonomike. Pra, kemi ndërmarrë këto hapa të menjëhershëm. Dhe ne duam të shohim Palestinën të njihet. Dua që kjo të jetë domethënëse. Dua që të ndodhë në bashkëpunim me partnerët, me vende të tjera anembanë botës”, përfundoi Reynolds. /Ad.Ab./

The post BM – Reynolds: Qeveria “thellësisht e përkushtuar” për njohjen e Palestinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hulk Hogan, legjenda e wrestling vdes në moshën 71-vjeçare

24 July 2025 at 18:50

FLORIDA, 24 korrik /ATSH/- Hulk Hogan, 12 herë kampion bote në mundje profesionale (wrestling) dhe personalitet televiziv, i cili ndihmoi në transformimin e WWE – “World Wrestling Entertainment” në një sport të njohur në nivel global – ka vdekur në moshën 71-vjeçare, sipas “People”.

Sipas raporteve Hogan pësoi një atak kardiak. Ikona e mundjes, ylli i kinematografisë dhe i dhe reality show-t, ishte dy herë anëtar i “Hall of Fame” të WWE.

Për 35 vjet, deri në daljen në pension në vitin 2012, Hogan ishte i njohur për shfaqjet e tij televizive dhe hyri në mijëra ringje anembanë botës.

Hogan luajti në 15 filma, duke përfshirë “Rocky III” (1982).

Ai u shfaq në “Grammy Awards” në vitin 1985 në krah të këngëtares Cyndi Lauper si truproja e saj.

Ai mori pjesë në mbi 200 filma dhe seriale, duke përfshirë “The Love Boat” (1986) deri te shfaqjet e mundjes, “WWE Raw”.

Nga viti 2005 deri në vitin 2007, Hogan dhe bashkëshortja e tij Linda dhe fëmijët e tyre Brooke dhe Nick luajtën në serialin “reality” të VH1, “Hogan Knows Best”. //a.i/

 

 

 

 

The post Hulk Hogan, legjenda e wrestling vdes në moshën 71-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League, Dinamo City fiton me përmbysje në transfertën e Andorrës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ “Dinamo City” ka fituar me rezultatin 1-2 në transfertë takimin e parë në Conference League përballë ekipit nga Andorra, “FT Atletik D’Eskaldes”.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Vieira në minutën e 43-të. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1 me 0, teksa pjesa e dytë i lojës foli për skuadrën shqiptare, që arriti të shënonte dy herë, me Zabërgjanë dhe Qardakun. 

Sulmuesi shqiptar i Kosovës, përfitoi nga një gabim i portierit në minutën e 65-të, ndërkohë që shkodrani Qardaku, realizoi në prekjen e parë të topit, vetëm disa sekoda pas aktivizimit. 

Falë këtij triumfi Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, teksa gjithçka pritet të formalizohet në duelin e kthimit.

FT ALTETIK D’ESKALDES – DINAMO CITY 1-2

Vieira 43′ / Zabërgja 65′, Qardaku 86′

Po sot luajnë edhe dy ekipet e tjera shqiptare, Egnatia dhe Vllaznia.

Egnatia, skuadra kampione e Shqipërisë që e filloi nga raundet e para eliminatore të Ligës së Kampioneve, do të luajë sot në transfertë ndeshjen e parë në Conference League përballë “Dinamos së Minskut” të Bjellorusisë.

Ndërkohë Vllaznia do të presë islandezët e “Vikingurit” këtë herë në “Loro Boriçi”, pas mrekullisë së bërë në ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminator të Conference League.

The post Conference League, Dinamo City fiton me përmbysje në transfertën e Andorrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan reportazhin e BBC: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike ka ndodhur në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga reportazhi i BBC-së, ku Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.

“Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.

Kryeministri theksoi se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi.

“Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.

Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë.

/m.m//r.e/

The post Rama ndan reportazhin e BBC: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌