Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

SKOCI – Arrihet marrëveshja prej 15 % për tarifat mes SHBA-së dhe BE-së

TURNBERRY (Skoci), 27 korrik /ATSH-ANSA/ – U arrit marrëveshja më e rëndësishme ndonjëherë mes SHBA-së dhe BE-së.

Ajo është 15%.

Në kodrat e Skocisë jugperëndimore, lufta tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ka mbaruar, të paktën për momentin.

Ajo përfundoi pas një takimi që zgjati më pak se një orë, duke filluar me një Donald Trump të vrenjtur dhe një Ursula von der Leyen, rrallëherë kaq të lodhur.

Dhe përfundoi me konfirmimin e tarifës bazë për të cilën ishte rënë dakord në ditët e fundit: 15%.

Von der Leyen fluturoi për në resortin e Trump në Turnberry, e shoqëruar nga kryenegociatori Maros Sefcovic dhe ekipi teknik që ishte përpjekur për muaj të tërë të zbuste qëndrimin amerikan.

Von der Leyen mbërriti pasdite në Klubin e Golfit.

”Trump sapo kishte mbaruar së luajturi me djalin e tij Eric dhe disa miq”, raportoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Pak para se të fillonte samiti, si Trump ashtu edhe Von der Leyen përsëritën se loja ishte ende duke u luajtur.

Në fakt, përmbajtja e marrëveshjes ishte gati.

Ishte një çështje tjetër të gjendej një mënyrë për ta shitur atë pa humbur shumë imazh dhe t’i jepej presidentit amerikan mundësia për ta rishitur atë në mënyrën e tij.

Të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë për shtyp me gazetarët evropianë dhe amerikanë para se të fillonte samiti.

Një orë më vonë, marrëveshja iu komunikua nga Trump dhe Von der Leyen vetëm gazetarëve që shoqëronin Trumpin./  a.jor.

The post SKOCI – Arrihet marrëveshja prej 15 % për tarifat mes SHBA-së dhe BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EURO 2025 – Anglia mbretëresha e re e futbollit femëror evropian

BAZEL, 27 korrik /ATSH/ – Anglia u shpall sonte kampione e Evropës, pasi mundi me penallti (3-1) në finale ekipin e Spanjës, sipas pamjeve televizive.

E gjithë ndeshja, së bashku me shtesat u mbyll në barazim 1-1.

Në ndeshjen e luajtur në stadiumin ”St. Jacob Park” të Bazelit, nën drejtimin e arbitres franceze, Stephanie Frappart, ishin spanjollet që shënuan të parat.

Në pjesën e parë Caldentey shënoi me kokë në minutën e 25-të.

Anglezet u kundërpërgjigjën po me një gol me kokë në minutën e 57-të me anë të Russos./  a.jor.

 

 

The post EURO 2025 – Anglia mbretëresha e re e futbollit femëror evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI – SHBA dhe BE arrijnë një marrëveshje për tarifat

TURNBERRY (Skoci), 27 korrik /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot pasdite se ”arritëm një marrëveshje me BE-në për tarifat”.

Edhe burime nga BE-ja thanë se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, arritën një marrëveshje për të zgjidhur një mosmarrëveshje tregtare mbi rritjen e tarifave.

Marrëveshja i jep fund negociatave disamujore midis Brukselit dhe Uashingtonit.

Pati një pritje të madhe nëse bisedimet do të rezultonin në një marrëveshje.

Trump e kishte kërcënuar Bashkimin Evropian me tarifa prej 30% për importet evropiane duke filluar nga 1 gushti.

Detajet rreth marrëveshjes nuk ishin menjëherë të disponueshme, por Trump tha gjatë takimit me von der Leyen në resortin skocez të golfit Turnberry se BE nuk mund të presë një normë tarifore më të ulët se 15%./ a.jor.

The post SKOCI – SHBA dhe BE arrijnë një marrëveshje për tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz telefonon Netanyahun për dhënien fund të krizës së urisë në Gaza

27 July 2025 at 19:33

BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz ka zhvilluar sërish një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke i bërë thirrje këtij të fundit që të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të lehtësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza.

“Kancelari shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën katastrofike humanitare në Gaza. Ai i bëri thirrje kryeministrit Netanyahu të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të arritur menjëherë një armëpushim”,  tha sot zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius.

“Masat e shpallura nga qeveria izraelite duhet të ndiqen tani me hapa të tjerë domethënës dhe të shpejtë”, thuhet më tej në deklaratën nga Berlini.

Qeveria gjermane planifikon të vendosë në ditët në vijim, në bashkërendim me vendet e E3-shit, që përfshijnë gjithashtu Francën dhe Britaninë e Madhe, si dhe me partnerë të tjerë evropianë, Shtetet e Bashkuara  të Amerikës dhe shtete arabe, se si mund të kontribuojë për përmirësimin e situatës.

E3-shi publikoi të premten një deklaratë, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e Gazës dhe për lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve izraelite që mbahen nga “Hamas”.

Kornelius përsëriti se njohja e shtetit të Palestinës nuk është aktualisht në agjendën e Gjermanisë. Qeveria gjermane vazhdon ta konsiderojë këtë si një nga hapat përfundimtarë në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz telefonon Netanyahun për dhënien fund të krizës së urisë në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku në Bulqizë: Penalitete për zjarrvënësit, identiteti i tyre do të bëhet publik

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se do të ketë dënim maksimal për zjarrëvënësit e qëllimshëm.

Balluku ndoqi nga afër aksionin për shuarjen e flakëve të zjarrit në Bulqizë, në zonën e Qafës së Buallit, teksa u shpreh se për këta persona do të ketë penalitete, si dhe identiteti i tyre do të bëhet publik.

“Është e patolerueshme kjo. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, kjo është në të gjithë Shqipërinë. Është bërë punë e shkëlqyer nga punonjësit e policisë, nga zjarrfikësit. Forcat e Armatosura kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin”, tha Balluku.

“Ne gjejmë rastin për t’i falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar. E rëndësishme është që nuk kemi pasur humbje në jetë njerëzish. Jugu vijon të jetë në situatë kritike, pritet rënie temperaturash. Kjo do na ndihmojë të rikuperojmë dhe të shuajmë vatrat e zjarrit”, theksoi ajo. /j.p/

The post Balluku në Bulqizë: Penalitete për zjarrvënësit, identiteti i tyre do të bëhet publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Vorë vijon prej orësh përballja me flakët, Hoxha: U evakuuan banorët, në terren 2 helikopterë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Vorë prej orësh dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Emergjencave Civile vendore, Policisë së Shtetit dhe helikopterë të Forcave të Armatosura po përballen me flakët në një terren të thyer, duke mbrojtur banesat dhe pyjet.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishte pranë forcave operacionale në zonë ku në koordim mes tyre trupat e policisë, ushtrisë dhe emergjencave po punojnë për fikjen e zjarrit.

Hoxha u shpreh se flakët janë zjarrvënie e qëllimshme. Ato kanë nisur në Shijak dhe kanë marrë kodrat mes Vorës dhe Shijakut.

Hoxha informoi se 2 helikopterë po punojnë shumë fort për të marrë masa për shuarjen e menjëhershme te zjarrit.

Sipas tij, flakët kanë 24 orë që vazhdojnë dhe janë evakuuar të gjithë banorët.

Ministri garantoi se janë marrë të gjitha masat që së bashku, policia, ushtria dhe forcat e mbrojtjes civile të 3 bashkive Kamzë, Vorë dhe Tiranë të vendosin nën kontroll vatrën.

The post Në Vorë vijon prej orësh përballja me flakët, Hoxha: U evakuuan banorët, në terren 2 helikopterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flakët rrezikojnë zonën e banuar në Kalasë, zjarrfikësit dhe helikopteri Black Hawk në terren

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në fshatin Kalasë, Delvinë, situata paraqitet serioze për shkak të përhapjes së zjarrit nga era e fuqishme pranë zonës së banuar.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e sotme se në aksion për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile dhe një helikopter Black Hawk.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kryetari i Bashkisë Delvinë Besmir Veli ndodhen në terren, ku po ndjekin nga afër operacionin në mbështetje të banorëve dhe përpjekjet për minimizimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.

The post Flakët rrezikojnë zonën e banuar në Kalasë, zjarrfikësit dhe helikopteri Black Hawk në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI – Trump: BE-ja të mos presë tarifa më të ulëta se 15% për eksportet në SHBA

TURNBERRY (Skoci), 27 korrik /ATSH-AFP-ANSA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot pasdite se ”BE-ja nuk do të përfitojë nga tarifat më të ulëta se 15% për eksportet e saj në Shtetet e Bashkuara”.

Ai e deklaroi këtë pak para se të fillonte bisedimet vendimtare në Skoci me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Jo”, u përgjigj presidenti amerikan kur u pyet për këtë mundësi nga gazetarët.

Ai gjithashtu pohoi se ”produktet farmaceutike nuk do të jenë pjesë e marrëveshjes”.

“Në thelb, produktet farmaceutike nuk do të jenë pjesë e saj, sepse ne duhet t’i prodhojmë ato në Shtetet e Bashkuara. Nuk mund të jemi në një pozicion ku duhet të varemi nga vendet e tjera”, tha Trump.

“Ursula ka bërë një punë të shkëlqyer për BE-në, jo për ne”, tha Donald Trump para takimit duke theksuar se “është një nder të shohim presidenten e Komisionit Evropian”.

“Tani është radha jonë”, theksoi ai.

“Nëse ka një marrëveshje, do ta dimë brenda një ore”, tha ai.

”Nëse ia dalim, do të jetë marrëveshja më e madhe tregtare e arritur ndonjëherë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë një konference për shtyp me Trump.

“Së bashku, ne përfaqësojmë dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe marrëdhënien më të rëndësishme tregtare në nivel global”, theksoi ajo.

“Afati i 1 gushtit vlen për të gjithë”, tha ajo.

“Mendoj se presidenti Trump ka të drejtë, kemi një shans 50-50 për të arritur një marrëveshje mbi tarifat, pasi ka të bëjë me ribalancimin e tregtisë transatlantike”, theksoi  Ursula von der Leyen gjatë konferencës për shtyp me Trump./  a.jor.

 

The post SKOCI – Trump: BE-ja të mos presë tarifa më të ulëta se 15% për eksportet në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çepe në Forumin e Stambollit: Shqipëria e përkushtuar ndaj paqes në Ballkan

TIRANË, 27 korrik / ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti Çepe mori pjesë në lançimin e Forumit për Paqe në Ballkan që u zhvillua në Stamboll.

Ky Forum është një iniciativë e shtetit te Turqisë që ka në fokus forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Në këtë aktivitet, Çepe rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për paqe.

“Bashkepunimi rajonal dhe avancimi i agjendës së konektivitetit në frymën e gjithëpërfshirjes dhe perspektivës evropiane ështe në fokus të vëmendjes tonë” tha ajo. /j.p/

The post Çepe në Forumin e Stambollit: Shqipëria e përkushtuar ndaj paqes në Ballkan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Mijëra vetë protestojnë sërish në Tel Aviv për lirimin e pengjeve

27 July 2025 at 18:18

TEL AVIV, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Mijëra persona protestuan në Tel Aviv duke kërkuar një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve të mbetura që mbahen nga grupi islamik Hamas.

Gjatë tubimit, Or Levy, i cili ka qenë vetë peng në Rripin e Gazës për 491 ditë, iu drejtua me një apel presidentit amerikan Donald Trump.

“Ju lutem, përdorni çdo mjet, çdo ndikim që keni, për t’i sjellë të gjithë në shtëpi, miqtë e mi, vëllezërit dhe motrat e mia, çdo shpirt ende i ngecur në errësirë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e vetmja rrugë përpara dhe vetëm ju mund ta bëni të ndodhë”,  tha Levy.

Të enjten, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara tërhoqën ekipet e tyre negociuese nga bisedimet indirekte në Katar për një armëpushim të mëtejshëm.

“Në kohë si këto, të mbushura me pasiguri dhe raporte shqetësuese për kolapsin e negociatave, e ndjej të rëndësishme të them, nga përvoja, nga përvojë tepër e hidhur,  se në çdo ndërprerje bisedimesh, në çdo dështim të tyre, janë pengjet që paguajnë çmimin”,  tha Levy përpara se protestuesit të marshonin drejt ambasadës së SHBA-së.

Në Rripin e Gazës ndodhen ende rreth 50 pengje, për të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Militantë të Hamasit dhe grupe të tjera islamike rrëmbyen mbi 250 persona nga Izraeli për në Gazë gjatë sulmit të tyre më 7 tetor 2023. Më shumë se 1,200 persona u vranë.

Izraeli reagoi me sulme të fuqishme ajrore dhe me një ofensivë tokësore.

Sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi, dhjetëra mijëra persona janë vrarë në Rripin e Gazës që prej atëherë.  /Ad.Ab./

The post IZRAEL – Mijëra vetë protestojnë sërish në Tel Aviv për lirimin e pengjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan dhe Macron diskutojnë situatën e krijuar në Gaza

27 July 2025 at 17:39

STAMBOLL, 27 korrik /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë diskutuar në një bisedë telefonike përshkallëzimin e krizës humanitare në Gaza dhe perspektivat për paqe në rajon.

Sipas presidencës turke, gjatë bisedës telefonike me homologun e tij francez, presidenti Erdogan shprehu shqetësim të madh për përkeqësimin e kushteve në Gaza, si dhe kërkoi ndërhyrje të shpejtë ndërkombëtare.

“Situata humanitare në Gaza po përkeqësohet”, theksoi Erdogan, duke theksuar se “komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime drejt një zgjidhje të menjëhershme”.

Erdogan përsëriti gjithashtu  thirrjen e tij për një zgjidhje afatgjate të konfliktit izraelito-palestinez, duke deklaruar se “konflikti midis Izraelit dhe Palestinës duhet të marrë fund” dhe se “një zgjidhje me dy shtete është thelbësore për paqen e qëndrueshme në rajon.

Presidenti turk e shfrytëzoi rastin për të përgëzuar vendimin e fundit të Francës për të njohur zyrtarisht Palestinën si shtet. Ai e përgëzoi Macronin për veprimin e Francës, i cili është mirëpritur edhe nga zërat pro-palestinezë në të gjithë botën. /Ad.Ab./

The post TURQI – Erdogan dhe Macron diskutojnë situatën e krijuar në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Enkileda Carja medalje të artë, Rama: Peshëngritëse e talentuar, theu tre rekorde evropiane

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Enkileda Carja ka arritur rezultate mbresëlënëse në Kampionatin Europian për 17-vjeçarët që po zhvillohet në Madrid, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës dhe duke thyer tre rekorde europiane gjatë garës.

Kryeministri Edi Rama përcolli pamje nga ceremonia e ndarjes së medaljeve në kampionat ku luhet himni shqiptar, ndërsa përcolli urimet për kampionen e re.

“Peshëngritësja e talentuar Enkileda Carja fiton medaljen e artë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj, që po zhvillohet në Madrid, duke thyer 3 rekorde europiane për të rinj, në peshën 63 kg”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Me një kombinim prej 204 kilogramësh, Enkileda Carja fitoi 3 medalje ari dhe la pas të gjitha rivalet, duke e ngjitur flamurin kuqezi në majën e podiumit në Madrid.

Peshëngritja shqiptare ka nxjerrë ndër vite talente duke shënuar suksese në arenën ndërkombëtare.

The post Enkileda Carja medalje të artë, Rama: Peshëngritëse e talentuar, theu tre rekorde evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzikë mbi normat e lejuara, gjobitet administratori i subjektit në Dhërmi

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara, në një beach bar në Dhërmi, gjobitet me 200 000 lekë administratori i subjektit.

Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, gjatë kontrollit të ushtruar dje në një beach bar, në Dhërmi, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Në përfundim, ndaj administratorit të këtij subjekti, shtetasit E. P., u vendos masë administrative me vlerë 200 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
1 nga 3

The post Muzikë mbi normat e lejuara, gjobitet administratori i subjektit në Dhërmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Dhjetëra të mitur kalojnë me not nga Maroku drejt Ceutës

27 July 2025 at 17:00

MADRID, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Pesëdhjetë e katër të mitur, kryesisht marokenë, kanë kaluar me not nga Maroku drejt Ceutës, enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut, raportoi televizioni shtetëror spanjoll RTVE.

Sipas raportit, ekipet e shpëtimit kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë natës dhe ditës në vijim për t’i shpëtuar ata, të cilët kaluan distancën nga 300 deri në 500 metra në detin që ndan Marokun nga Ceuta.

Pamjet televizive treguan disa nga migrantët duke u sjellë në breg me një varkë.

Fillimisht nuk është raportuar për viktima.

Ndërsa të rriturit zakonisht riatdhesohen menjëherë, të miturit e pashoqëruar lejohen të qëndrojnë të paktën deri në moshën 18-vjeçare.

Megjithatë, kapacitetet pritëse janë të mbingarkuara dhe qeveria rajonale i ka kërkuar qeverisë qendrore në Madrid të transferojë të rinjtë në Spanjën kontinentale.

Migrantët përpiqen vazhdimisht të arrijnë në njërën nga dy enklavat spanjolle në Afrikën e Veriut nga Maroku, duke rrezikuar jetën për një jetë më të mirë dhe për t’i shpëtuar konflikteve apo varfërisë në vendet e tyre.

Sipas UNHCR -së, këtë vit kanë mbërritur në Spanjë gati 20 000 migrantë, përfshirë 1 500 që kanë arritur në Ceuta./  /Ad.Ab./

The post SPANJË – Dhjetëra të mitur kalojnë me not nga Maroku drejt Ceutës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mjekët dhe infermierët ushtarakë, në terren pranë qytetarëve të prekur nga zjarret

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Situata me zjarret në vend ka angazhuar edhe punonjësit e mbështetjes të cilët po iu gjenden pranë qytetarëve që kanë nevojë.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Markatës, Konispol, ditën e djeshme, përveç ndërhyrjes për fikjen e flakëve, mjekët dhe infermierët ushtarakë të Batalionit të Mbështetjes ishin në terren për t’u gjendur pranë qytetarëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

“Përkushtimi i tyre është një shembull i mbështetjes gjithëpërfshirëse që Forcat e Armatosura ofrojnë në situata emergjente”, thuhet në njoftimin e MM që përcolli edhe momente nga puna e këtyre punonjësve në ndihmë të banorëve.

Një vatër e madhe zjarri u aktivizua gjatë ditës së djeshme në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar seriozisht të tjera objekte të banuara në zonë.

1 nga 3

The post Mjekët dhe infermierët ushtarakë, në terren pranë qytetarëve të prekur nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kingji nga Qafa e Buallit: Dy vatra zjarri, masa për evakuim nëse do jetë nevoja

TIRANË, 27 korrik / ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, nga zona e Qafës së Buallit dhe Planit të Bardhë në Bulqizë, ku ndodhet në krye të operacionit për shuarjen e dy vatrave aktive të zjarrit u shpreh se 35 trupa të FA janë angazhuar vetëm në këtë zonë.

Kingji tha se në koordinim me emergjencat civile dhe Agjencinë e Mbrojtjes Civile janë marrë të gjitha masat edhe për evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.

“Që në orët e para të mëngjesit jemi në zonën e Bulqizës, sepse jemi në rajonin e Qafës së Buallit ku jemi të angazhuar 35 forca pasi kemi dy vatra zjarri, njëra është këtu në Bulqizë dhe tjetra është në qafën e Buallit”, tha ai.

Sipas tij, FA po punojnë në gjithë qarqet e vendit në koordinim të plotë me emergjencat civile.

“Në qarkun Dibër, jemi në Qafën e Buallit dhe Bulqizës, në Lezhë jemi në Rrëshen, në Vlorë jemi në Himarë, Piqeras dhe në Kaninë. Në Berat, jemi në Gjirokastër në Fushë- Bardhë dhe në qarkun e Korçës jemi në Pustec. Nëse do të kërkohet evakuim janë marrë masat e plota. Jemi në kordinim edhe me agjencinë e mbrojtjes civile, FA janë të angazhuar në përballimin me sukses të kësaj situate”, u shpreh Kingji. /j.p/

The post Kingji nga Qafa e Buallit: Dy vatra zjarri, masa për evakuim nëse do jetë nevoja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet

PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat. Shkaku: mungesa e konsensusit politik. Tani është mbyllur afati 30-ditor që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënëafat deputetëve për ta përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit. Deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025, kur Gjykata Kushtetuese caktoi masën e përkohshme deri në një vendim përfundimtar të saj.

Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të këtij viti.

Fati i themelimit të institucioneve të reja i paqartë

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbëngulte me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë tjera politike opozitare të deritashme, PDK, LDK, AAK dhe një pjesë e pakicave, përfshirë edhe listën Srpska.

“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partitë e deritashme opozitare si bllokuese të konstituimit të Kuvendit.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Akuza për Vetëvendosjen

Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si bllokuese të procesit, tha se “Kosova tani nuk ka më një shtet funksional.

“Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha Krasniqi.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si njeri që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.

Ambasadori gjerman: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve

Që nga 15 prilli, kur nisën tentimet e deputetëve për konstituim të Kuvendit dhe dështonin radhazi, organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje vazhdimisht deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe diplomat të BE-së. Madje në seancën e së premtes ata ishin brenda sallës së Kuvendit, duke shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar nevojën pastaj “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin. Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurtdhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha Rohde.

“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, vuri në dukje ambasadori gjerman. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje politikanëve të Kosovës “që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës”.

“Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Hargreaves.

Dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës

Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi masën e përkohshme, tha se “nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja. /DW/

The post Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Të gjelbrit i kërkojnë Merzit një nismë evropiane për paqen në LM

27 July 2025 at 16:19

BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA – Partia e të Gjelbërve në Gjermani i ka bërë thirrje kancelarit Friedrich Merz që të ndërmarrë një nismë evropiane për të nisur një proces politik drejt një zgjidhjeje paqësore në Rripin e Gazës, në sfondin e një krize urie që po afron në këtë territor të goditur rëndë.

“Duke pasur parasysh situatën dramatike dhe të papranueshme humanitare në Gaza, qeveria gjermane duhet më në fund të kalojë nga komente në veprim”,  tha bashkëkryetarja e partisë, Franziska Brantner.

“Një armëpushim, dorëzimi i ndihmave humanitare dhe lirimi i të gjitha pengjeve mund të jenë vetëm hapi i parë. Mbi të gjitha, nevojitet urgjentisht një nismë evropiane për një proces politik, pasi kjo nuk mund t’i lihet vetëm në dorë Trumpit”,  tha ajo, duke iu referuar presidentit amerikan.

”Ky proces duhet të garantojë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, si dhe mbijetesën e palestinezëve me dinjitet dhe vetëvendosje në një shtet të tyre”, theksoi Brantner.

Sipas saj, kjo mund të arrihet në mënyrë realiste vetëm përmes Autoritetit Palestinez me qendër në Bregun Perëndimor.

“Dorëzimi i domosdoshëm i Hamasit do të përshpejtonte ndjeshëm njohjen e Palestinës”, shtoi ajo.

Brantner theksoi se Izraeli duhet të përballet me presion serioz, duke përfshirë “ndalimin e eksporteve të armëve për përdorim në Gaza, pezullimin e lehtësimeve tregtare dhe sanksione ndaj ministrave izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir”.

Të dy politikanët e ekstremit të djathtë mbështesin, ndër të tjera, aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.

Sipas Brantner, Merz duhet të udhëheqë një nismë të tillë së bashku me Bashkimin Evropian, Francën dhe Britaninë e Madhe. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Të gjelbrit i kërkojnë Merzit një nismë evropiane për paqen në LM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu dhe Kumbaro nga Vlora: Situata e zjarreve nën kontroll, vijon mbështetja nga ajri

TIRANË 27 korrik /ATSH/ Situata per shuarjen e zjarreve në vend po shkon drejt normalizimit, ndërsa kushtet atmosferike kanë lehtësuar ndjeshëm punën e forcave në terren që prej ditësh janë në përballje të vazhdueshme me flakët.

Nga Vlora, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, përsëritën angazhimin e plotë institucional në përballimin e situatës, me zbatimin rigoroz të ligjit dhe në mbështetje të banorëve të prekur.

Ministri Vengu deklaroi se situata në zonat më problematike është përmirësuar ndjeshëm

“Jemi në një situatë shumë më pozitive, si në aksin Borsh-Piqeras-Lukovë, ashtu edhe në lartësitë e Kaninës, ku vatrat janë shuar plotësisht. Vijojmë të jemi vigjilentë me forca të angazhuara në terren, si dhe me mbështetje ajrore nga dy helikopterë dhe një avion italian”, tha Vengu.

Nga ana e saj, ministrja Kumbaro siguroi se itineraret turistike, si në zonat malore ashtu edhe përgjatë bregdetit, janë të sigurta dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

“Garantojmë sigurinë në gjitha itineraret turistike qoftë në ato malore dhe përgjatë bregdetit. Asnjë nga zonat që janë të populluara nga turistët nuk kemi asnjë problematikë. Edhe kur ka protokolle të zhvendosjes së banorëve behet për parandalim dhe jo për rrezik të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër është e domosdoshme që çdo sinjal dhe alarm që mund të mendohet se na ndihmon për të parandaluar një vatër, është e nevojshme të njoftohet menjëherë”, tha Kumbaro.

Gjithashtu, Kumbaro u bëri thirrje barinjve që të shmangin ndezjen e zjarreve për ruajtjen e kullotave dhe zonave të mbrojtura

“Vatrat aktualisht janë nën kontroll dhe duam bashkëpunimin e çdo banori por edhe barinjve të zonës. Kullotat në male nuk janë vatra për t’u ndezur zjarre, por zona për t’u mbrojtur. Zonat e mbrojtura janë të parat që rrezikohen për shkak të relievit të thepisur. Shpëtuam Parkun e Llogarasë duam të përndajmë çdo varët në Karaburun dhe këtë thirrje e kemi jo vetëm me Vlorën por për të gjithë territorin”, tha ajo. /j.p/

The post Vengu dhe Kumbaro nga Vlora: Situata e zjarreve nën kontroll, vijon mbështetja nga ajri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Anulohet parada detare për shkak të shqetësimeve për siguri

27 July 2025 at 15:41

MOSKË, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Qeveria ruse ka anuluar paradën vjetore të Ditës së Marinës në Shën Petërburg, e planifikuar për sot, duke përmendur shqetësime për sigurinë.

“Kjo është e lidhur me situatën e përgjithshme, për arsye sigurie, të cilat kanë përparësi mbi gjithçka”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencitë ruse të lajmeve.

Presidenti Vladimir Putin e kishte prezantuar paradën detare në vitin 2017.

Në rajonin përreth Shën Petërburgut, më shumë se 10 dronë janë rrëzuar në mëngjes, sipas informacioneve zyrtare.

Guvernatori Alexander Drozdenko tha se një grua në Lomonosov ishte plagosur nga mbeturina e një droni të rrëzuar.

Aeroporti ”Pulkovo” i Shën Petërburgut u mbyll për disa orë në mëngjes për ngritje dhe ulje. Ushtria ruse raportoi rrëzimin e 99 dronëve në shkallë kombëtare.

Sulmet me dronë nga Ukraina ndaj territorit rus janë shtuar muajt e fundit.

Këto janë një përgjigje ndaj bombardimeve të vazhdueshme të qyteteve dhe fshatrave ukrainase nga ushtria ruse, si pjesë e luftës së nisur nga Putini në vitin 2022 kundër Ukrainës.

Pavarësisht sulmeve në rritje në territorin e tij, Kremlini këmbëngul se Moska është në rrugën e duhur për të arritur të gjitha objektivat e saj ushtarake./  /Ad.Ab./

 

The post RUSI – Anulohet parada detare për shkak të shqetësimeve për siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌