E di çka mendon nëna ime

Ballsor Hoxha
“… trouble so hard…
woke up and borther was dead”
(Tekst nga një këngë e Moby)
Mendoj për vëllain tim të vogël, të dashur, të dashur sa më s’ka, diku në Siri, apo ndoshta tani është në Damask, “po grumbullohen, aradhet, celulat, grupet, armatat, fuqitë e pushtetet. Por, mirë… i di pak a shumë nga filmat, si aktivizohen e mobilizohen fuqitë e pushtetet e shteteve… por sa është sot temperatura në Siri, dyzet e pesë shkallë Celsius, dhe “it feels like hell”; Siria tanimë është tokë e shkretë, tokë e kallur, njerëz të kallur, rrënojë njerëzish e toke, dhe si, si është e mundur që në këtë temperaturë, mobilizohen të gjithë këta luftëtarë, të nxënë nga instinkti për liri, e çmenduria e madhështisë, dehja në të vërtetë….” e mendoj vëllain tim të vogël duke paramenduar para hartës së tij të punës, të aktivizimit, të mobilizimit të ushqimit e ndihmave më thelbësore për fëmijët e Sirisë. “Apo, grumbullohen natën, këto grupe të armatosura, kur është më freskët, më lehtë? Por, si të jetë më lehtë, kur çdo gjë shihet në mijëra kilometra distancë në këtë vend aq të madh, nga mungesa e ndërtesave në këmbë të tyre,”, vazhdon ai, “ka vetëm, tokë e pushkë, e pak bukë, dhe kampe, kampe, kampe të syrgjynosurish jete e historie. Sesi, për dreq gjërat e dreqit mobilizohen, por jo edhe ndonjë copë bukë për këta fëmijë.”
Paradite vëllai i vogël, ma ka dërguar një alarm/kërkesë që ka bërë publikisht, nga pozita ku është në fushën e ndihmave humanitare, dhënë në Radio BBC, ndaj të gjitha palëve në konflikt, ndër të tjera ka thënë:
Çdo luftëtari që mbanë një armë në dorë,
dhe çdo kryeqendre që mbanë pushtetin, unë u them këtë:
Shuani armët e juaja,
mbrojini rrugët për ndihma humanitare,
dhe qëndroni krahë fëmijëve të Sirisë.”
E lë shkrimin, paramendimin e vëllait të dashur, “Heat Warning in Kosovo and the Region”, lexoj në MSN. Pastaj, duke pas ndryshuar mendim vërej se më dhemb koka, më kujtohet edhe një herë se kam pirë mbrëmë, jam dehur jetë në paqe, e sy të saj, të bardhë e të zezë, ku? Në dasmë. Kishim dasmë mbrëmë në familjen e gjerë, tërë ai mish i freskët, sallata, verë, paragjella, ushqime, alkoole të të gjitha llojeve dhe llojeve të kënaqësive, dhe trupa, të zhveshur, të veshur e të dehur jete, të gjithë të dehur jete. Pikërisht në Kosovën e rrezikuar nga nxehtësia këto ditë.
Duart mbi kokë, mendoj pas pak, se si, afria e vdekjes, së vëllait të vogël, vëllezërve të vegjël, të fëmijëve, në Siri, e vende tjera, të jep një solemnitet mendimi nga serioziteti. Po, edhe mund të vdes vëllai im i dashur në punën e tij. Kolateral.
Por, megjithatë unë shtrihem, më dhemb koka. Në banesën lart, fëmijët e fqinjëve po luajnë basketboll. Ç’të bëjnë? Kushedi qe sa ditë nuk kanë dalë nga shtëpia për shkak të nxehtit, etj. Vajza ime është në deti, djali te gjyshërit e tij nga nëna.
A ka topa si, origjinal të Barçës, në Siri, përnjëherë mendoj shtrirë ashtu si jam. Djali im, dhjetë vjeç, është i varur nga sporti, të luajturit dhe të shikuarit e tij. Dhe, pikërisht këtu më ka shkuar mendja më së pari. Ndoshta, mendoj, ka fëmijë në Siri që kurrë nuk kanë parë top normal të futbollit. Por, e di edhe se në një opinion që e ka shkruar për REUTERS së voni, vëllai, kishte thënë se kishte parë fëmijë me bluza me mbishkrime të improvizuara me emrin e Yamal të Barçës.
“Të mendoja, mbrëmë, Bujar” i thosha vëllait herën e fundit që kemi biseduar në telefon, “ti me djalin tënd duke shikuar Yamal duke luajtur për Barçën (megjithëse kanë humbur nga Inter, në gjysmëfinale), unë i kam blerë top të ri origjinal djalit tim, dhe opinionin tënd në median gjigante për atë djalin me mbishkrimin e emrit të po të njëjtit lojtar në bluzën e tij, dhe të urreja ty, djalin, tënd, timin, dhe jetën, apo atë që e quajmë liri, ne njerëzit. Urreja çdo gjë.”
Në telefon bëhet qetësi. Nuk flasim asnjëri. Si nga larg, larg edhe është, ishte tanimë, ishte kthyer në Damask, dëgjoj frymëmarrjen e tij, nuk e di pse, por në mendje më kalojnë pamje të tij si i vdekur në luftën e tij, tyre, tërë kësaj armate humanitarësh. Kolateral.
Pas pak, merr frymë edhe disa herë. E dëgjoj, aq jo largët, por aq ndryshe, këputur nga bota ku jemi ne, ne njerëzit! Kishte kuptuar, i trishtuar thellë, Bujari, vëllai i vogël. Duke dashur të pushojë, të mos mendojë për tërë atë që sheh në Siri, ndërsa kishte qenë në pushim te familja e tij, më kishte treguar se kishte shikuar këtë lojë futbolli me djalin e tij, e kur e kisha ndërmendur, urrenim bashkë.
Por, them, në vete, gjysmë i fjetur me gjithë dhembjen e kokës nga dasma mbrëmë, ndoshta është paska e çuditshme për njerëzit që do ta lexojnë këtë tregim, se po shkruaj, po mendoj, kam ankth për vëllain tim të vogël dhe fëmijët e Sirisë, ndërsa Palestina është edhe më keq, e ka vende edhe po kaq rëndë …, nuk e di… gjërat fillojnë të bëhen onirike, ndoshta e kam nga nxehti, them, e shoh Bujarin, me dy shokët e tij në vitet nëntëdhjetë, nuk pranojnë cigare nga unë, tymosnim shumë, ishte e tëra që kishim në Kosovën e të nëntëdhjetave, i shoh, duke e ditur se nuk kam as unë cigare mjaftueshëm për vete, janë të çmendur dhe të bukur si dreq. Si fëmijë lufte më. Pa fillim as fund. Shkëputur, po njëjtë sikur Bujari tani në Siri. Pastaj, unë ndahem nga Bujari dhe shokët e tij, dhe vazhdoj atë “ku ta qimë atë nanë, me Fatin, shokun tim”, që disa e dinë çka do të thotë.
Një zjarr, si top, rrotullohet dhe pikon substancë, klishe, të shkrirë zifti, e ky zift është tërë dashuria dhe urrejtja e njeriut. Është bota vetë. Bota, dhe unë. Pastaj rrotullohemi të tretë së bashku, bota, si zjarr, unë dhe sytë e saj të bardhë e të zi, nga dasma e mbrëmshme, si tri krijesa në lindje, së paku, njëra nga ne, krejt çuditshëm. Sikur duam të shpërthejmë, ne të tre, unë dhe ajo, jemi tepër për këtë botë, duam, të dalim, njëri ose tjetri nga kjo situatë. Apo, jo, ndërsa bota në kallje e sipër, shpërthen, kuptoj, kjo botë e njeriut nuk mund të rri kështu, ajo shpërthen.
Në, këtë, jetë të re, zgjuar, pyes, pse nuk mund të ketë dashuri. Totale. Të pafundme. Pse nuk mund të duhemi si njerëz…. “ne, njerëzit, jemi të mbaruar nga bota, e bota është e mbaruar nga ne”, më thotë Alain De Botton, “e ne, nuk e duam dhe aq shumë njëri tjetrin”, e vazhdoj unë, … por edhe kuptoj, por nuk mund të zgjohem, se prapë, apo ende jam në gjumë.
Sesi, në këtë që po e shoh, në ëndërr apo zgjuar, tërë Kosova jonë e dashur, me të gjithë ne, sidomos me njerëzit që kanë filluar të qethen e të shfaqin teatrin e ngërçit të çmendurisë së paqes sonë, para vetë Kuvendit të Kosovës, është një llavë krejtësisht si në filmin “Solaris” të Tarkovsky. Janë duke dalë nga ky tmerr. Por, diku, shkëputur, prapë, e shoh Bujarin, vëllain tim të vogël, është krejt i vogël, duke notuar nëpër të, duke pas shpëtuar, njëlloj eksplodimi të botës, pak më herët. Dhe përnjëherë, e shoh si ato hijet e Solaris, si vetë e dashura e Kapitenit të filmit të njëjtë, dhe, se ai është në këtë llavë duke notuar duke provuar të shpëtojë, zgjas këmbën nga një mundësi krejtësisht prej ëndrre dhe e zhys, e fundosi vëllain, vëllain e vogël.
I zgjuar, pyetem, por, pse, pse e mbyta, e fundosa, kam një shije të hidhur, edhe pasi që e kam bërë veten para se të flija. Më kujtohet, se ai është atje për shkak meje. Për shkak të tërë… tërë, luftës që e kemi kaluar bashkë, duke ndihmuar të tjerët, me ndihma humanitare, por jo, i them vetes, nuk është nga kjo dhe, nuk më del asgjë tjetër. Pastaj, duke pirë ujë, e mendoj, vazhdoj ta mendoj, dhe më del qartë, si duket është e kundërta, e kisha fundosur sepse më tregonte për këta fëmijë, për këto luftëra, për këta Yamalë vdekur kudo e sido. Për këta vëllezër të vegjël, si Bujari, që vdesin.
Me të vërtetë po më dhembte shumë koka, pa ndonjë rëndësi për luftën në Siri apo kudo në botë. Mendoj, kjo botë, ka me të vërtetë shumë njerëz të çmendur. Dikush, edhe mund të pyes, kush janë ata? Apo, ndoshta, cilët nuk janë ata?
E thërras, menjëherë Bujarin në telefon, shumë, shumë rrallë e thërras këto ditë.
“Si je? Çka ka në Siri, Bujar?” e pyes. “Kallzom çka ka atje, ti Ballsor. Në Kosovë?” më pyet ai.
Unë, unë nuk di çka të them. Ai, përpos të më tregojë për hartën e tij të udhëtimeve nëpër rrënojat e kampet në Siri, fëmijët e parritur nga mungesa e gjërave elementare, rrënojës që është bërë ky vend, apo, jehonës së raportimit të pushkëve aty këtu nëpër rrugë, apo, bombardimeve nga disa net më herët në Damask, nuk ka dhe çka të më tregojë.
Por, them në vete, derisa rrimë në qetësi duke dëgjuar frymëmarrjet e shkëputura trupash, nga këto dy botë, ndoshta mund ta pyes si ishin bombardimet, a ishin të njëjtat si në Kosovën e 1999 në Prishtinë, ku edhe ishim, e përcillnim të gjitha llojet e sporteve që jepeshin në TV, edhe ato kohë, por edhe lajmet, edhe filmat, edhe një nga ditët e bombardimeve edhe një natë patinazhi në Rusi diku, sepse, vetëm kanalet e Beogradit mund t’i shihnim edhe ashtu, mbyllur në banesat tona, shqiptare, ndërsa në banesat fqinje serbe, në Prishtinë dhe lagjet tona, dhe ndërtesën tonë, dëgjoheshin po të njëjtat raportime të kallashëve. Dhe në këto kohë kisha vetëm një mendim, ku ishte më premtuese një jetë, për familjen, apo, ta them shkurt, për Bujarin, fundin e familjes sonë, vazhdimin e familjes sonë, në Drenicë diku për shembull, në malet e saj, apo në Prishtinën ku ishim më 1999.
“Ballsor, po e ndërpres” më thotë Bujari në telefon. Para se t’i përgjigjem më shkon mendja se kemi marrë frymë së bashku për disa sekonda, pa fjalë, them edhe kjo mjafton, kështu të shkëputur si jemi.
“OK, Bujar. Kujdesu për veten, njeri!” i them.
Pasi e kam mbyllur, e mendoj, e lus, edhe një herë datën 16 gusht, kur do të kthehet Bujari, pasi të ketë kryer misionin. Do të kthehet edhe për ditëlindje të vajzës së tij. Dhe, ndërsa dua të mendoj ç’do të bëjmë së bashku, nuk më vjen asgjë në mendje.
Paj, them, do t’ shkojmë në ndonjë dasmë tjetër. Pa sirianë, as palestinezë, as somalezë, askush përpos kosovarë të çmendur nga paqja e fituar me mundin e tërë botës, pikërisht në Kosovë.
Por, e di edhe se pas këtij misioni, Bujari, ka mision tjetër. Edhe një tjetër, pastaj do të ketë dhe tjetrin. Pasi që po që se ke parë luftën, një herë, e ke jetuar, e mbijetuar, pasi ke ndihmuar një, qoftë edhe njeri, ke dëshirë të kalosh në atë anën tjetër të botës shkëputur nga bota e mbetur, ndoshta, në tërë mundësitë e luftës, për të ndihmuar, qoftë, një njeri. / KultPlus.com