Spanja e nis si kampione/ “Furitë e Kuqe” fitojnë 5-0 derbin femëror me Portugalinë
Nuk janë kampione të kontinentit, por diçka më shumë. Kombëtarja e femrave të Spanjës në futboll është kampione e botës në fuqi, dhe me këtë status është padyshim favorite për të fituar Kampionatin Europian për vajza.
Pretendimet e iberikeve u konfirmuan që në ndeshjen e parë në grup, atë ndaj Portugalisë që e fituan 5-0. Një diferencë e frikshme, dhe “Furitë e Kuqe” sikur morën hakun e kombëtares së djemve që u mund nga “luzitanët” e Ronaldos në finalen e Ligës së Kombeve pak javë më parë.
Ester Gonzales u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes në stadiumin “Vankdorf” të Bernës, ku jo më kot biletë kishin blerë më shumë se 29 500 tifozë.
Golat e tjerë u shënuan nga Viki Lopez, Aleksia Putejas dhe Kristina Martin-Prieto. Vajzat e trajneres Montserrat Tome mbajtën topin 72 për qind si dhe patën 22 gjuajtje ndaj 7 të rivaleve, me kornet që ishin në kontrastin e thellë me shifrat 10-1.
Në pritje të Anglisë e Gjermanisë, Spanja ishte me të vërtetë e frikshme. Shumë më pak entuziazmuese Italia, por që gjithsesi e bëri detyrën. Vajzat e kaltra fituan 1-0 ndaj Belgjikës, në një sukses të merituar edhe pse të vështirë.
Goli I vetëm I ndeshjes u shënua nga Ariana Karuzo në fund të pjesës së parë. Italia nuk ka emrin e Spanjës, të Gjermanisë apo të Shteteve të Bashkuara, duke qenë se prej gati 30 vitesh nuk njeh suksese në arenën ndërkombëtare.
Gjithsesi, objektivi është çerekfinalja, dhe më pas çdo gjë do të ishte bonus./abcnews.al