Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shpallet fituesi për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Kompania “Salillari” është shpallur fituese e procedurës për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit dhe pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një vepre të shumëpritur nga banorët dhe bizneset e zonës.

Sipas tij, procedura për përzgjedhjen e kompanisë fituese nuk ka qenë e lehtë, pasi disa përpjekje të mëparshme për realizimin e projektit nuk kanë rezultuar të suksesshme.

“Shpallja e fituesit bën të mundur që më në fund të nisë realizimi i kësaj vepre infrastrukturore, e cila do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe lidhjen e zonave veriore me pjesën tjetër të vendit”, u shpreh Karakaçi.

Ministri theksoi se institucionet do të angazhohen për nisjen sa më shpejt të punimeve, me synim përfundimin e projektit sipas afateve të parashikuara.

Aksi Milot-Balldren konsiderohet një segment strategjik i rrjetit kombëtar rrugor dhe lidhet drejtpërdrejt me investimet e tjera që qeveria po zbaton në veri të Shqipërisë për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

Gjurma e propozuar e rrugës Milot-Balldren ka një gjatësi prej 17 km dhe fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentin Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër, në Balldren.

Karakaçi kujtoi se vetëm pak ditë më parë u prezantua nisma “Porta e Alpeve”, një program financimi me vlerë 100 milionë euro, i dedikuar për veriun e vendit.

Sipas tij, kjo nismë synon të mbështesë investimet në infrastrukturë, turizëm dhe ekonomi, duke e kthyer rajonin në një nga motorët kryesorë të zhvillimit të vendit. /j.p/r.e/

The post Shpallet fituesi për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Investimi i “Lutech” konfirmon potencialin e Shqipërisë si qendër e inovacionit dhe teknologjisë në rajon

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të selisë së re të kompanisë “Lutech” në Shqipëri, në prani të përfaqësuesve të kompanisë si dhe ambasadorit të Italisë në vendin tonë, Marco Alberit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi investimin e “Lutech” si një dëshmi konkrete të transformimit që po kalon ekonomia shqiptare dhe të besimit në rritje që kompanitë ndërkombëtare po tregojnë ndaj potencialit të vendit.

“Vendimi i “Lutech” për të zgjeruar praninë e saj në Shqipëri dhe për të investuar në fusha strategjike si Inteligjenca Artificiale, Analiza e të Dhënave, Cloud Computing dhe Transformimi Digjital është një votë e fortë besimi për talentin shqiptar dhe për perspektivën e ekonomisë sonë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë investime me vlerë të shtuar të lartë, të mbështetura mbi kapitalin njerëzor, aftësitë profesionale dhe potencialin e të rinjve shqiptarë.

Ajo vuri në dukje se mbi 250 profesionistë shqiptarë janë tashmë pjesë e Qendrës Globale të Kompetencës së “Lutech” në Tiranë, duke kontribuar në projekte komplekse dhe inovative për tregjet evropiane dhe globale.

“Zhvillimi i kapitalit njerëzor mbetet një nga prioritetet tona kryesore. Investimet në arsimin profesional, aftësitë digjitale dhe lidhjen mes universiteteve dhe tregut të punës janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi konkurruese dhe të orientuar drejt inovacionit”, tha ministrja.

Duke vlerësuar fokusin e kompanisë në Inteligjencën Artificiale dhe teknologjitë e avancuara, Ibrahimaj theksoi se Shqipëria synon të jetë një pjesëmarrëse aktive në transformimin digjital global dhe se partneritete të tilla përshpejtojnë këtë proces.

Ministrja mirëpriti gjithashtu përfshirjen e “Lutech” në ekosistemin e Durana Tech Park, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për krijimin e një qendre rajonale të inovacionit, kërkimit dhe teknologjisë.

Ibrahimaj nënvizoi se ky investim përfaqëson një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë, të bazuar gjithnjë e më shumë te teknologjia, inovacioni dhe ekonomia digjitale.

“Shqipëria mbetet e hapur ndaj investimeve që sjellin dije, teknologji, punësim të kualifikuar dhe vlerë afatgjatë. Ambicia jonë është të ndërtojmë një ekonomi moderne, inovative dhe plotësisht të integruar në hapësirën ekonomike evropiane”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ambasador i Italisë, Marco Alberti, deklaroi se detyra e një ambasade është të promovojë më të mirën e vendit të saj jashtë kufijve, për të krijuar vlerë.

“Kjo është ajo që po bëjmë. Hapja e selisë së re të Lutech në Tiranë është një shenjë e prekshme e partneritetit të ri strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë. Një kompani në rritje të shpejtë, në një sektor kyç për zhvillimin e vendit”, tha ai.

CEO i Grupit Lutech, Giuseppe Di Franco tha në fjalën e tij se hapja e selisë së Tiranës përfaqëson një hap të mëtejshëm në ndërtimin e “Lutech” si një aktor evropian në fushën e teknologjisë digjitale dhe Inteligjencës Artificiale.

“Të rritesh nuk do të thotë vetëm të zgjerosh praninë ndërkombëtare, por mbi të gjitha të lidhësh talentet dhe kompetencat për të krijuar vlerë për klientët tanë. Me Global Competence Center synojmë të forcojmë një model që kombinon afërsinë me tregjet dhe kapacitetin e ofrimit të shërbimeve në shkallë globale”, tha ai.

Gianluca Ciminata, CEO i Lutech Balkans dhe drejtues i Global Competence Center të Lutech, theksoi se “inaugurimi i selisë së re në Tiranë përfaqëson një moment kyç në rrugëtimin tonë të rritjes ndërkombëtare.

Përmes Global Competence Center synojmë të krijojmë një mjedis dinamik dhe të hapur, të integruar ngushtë me qendrën e Kërkimit dhe Zhvillimit, ku njerëzit mund të forcojnë kompetencat e tyre dhe të kontribuojnë në projekte inovative për tregjet globale.”

Zgjedhja e Shqipërisë konfirmon strategjinë e Lutech për të investuar në territore me zhvillim të shpejtë teknologjik, për të vlerësuar talentet vendase dhe për të kontribuar në ndërtimin e ekosistemeve inovative.

Në këtë kontekst, selia e re synon të bëhet edhe një pikë takimi mes kompanisë, universiteteve dhe profesionistëve të rinj, duke nxitur zhvillimin e aftësive dhe krijimin e mundësive të reja të karrierës.

Me Tiranën, Lutech zgjeron praninë e tij gjeografike dhe forcon një model zhvillimi që e sheh Evropën si një sistem të integruar kompetencash, inovacioni dhe talentesh.

Profili i grupit “Lutech”

Grupi “Lutech”, lider në Itali dhe një nga aktorët kryesorë evropianë në fushën e teknologjisë digjitale dhe Inteligjencës Artificiale, projekton, zhvillon dhe menaxhon zgjidhje për transformimin digjital, inovacionin dhe rritjen e kompanive dhe institucioneve, falë njohjes së thellë të proceseve specifike të industrive të ndryshme.

Me 6,000 profesionistë dhe një volum biznesi prej 1 miliard eurosh, grupi “Lutech” udhëheq ndryshimin përmes një modeli që kombinon konsulencën strategjike, zbatimin dhe qeverisjen, duke maksimizuar rezultatet për klientët e tij dhe duke ofruar një paketë të plotë dhe të integruar shërbimesh.

“Lutech” zgjeron dhe përditëson vazhdimisht portofolin e zgjidhjeve dhe shërbimeve të tij përmes blerjeve strategjike dhe investimeve të vazhdueshme në njerëz, platforma dhe tregje të reja gjeografike. /j.p/

1 nga 4

The post Ibrahimaj: Investimi i “Lutech” konfirmon potencialin e Shqipërisë si qendër e inovacionit dhe teknologjisë në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IPARD III, Shqipëria përparon me përgatitjet për riakreditimin e programit

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Shqipëria po vijon përgatitjet për riakreditimin e menaxhimit të Programit IPARD III, ndërsa institucionet përgjegjëse po punojnë për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me kapitujt e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe peshkimit në procesin e integrimit europian.

Këto çështje u diskutuan në mbledhjen e katërt të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD III, ku morën pjesë përfaqësues të Komisionit Europian, Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, strukturave zbatuese dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, theksoi se fokusi i diskutimeve ishte ecuria e përmbushjes së detyrimeve për Kapitujt 11, 12 dhe 13 të negociatave me Bashkimin Europian, si dhe hapat e mëtejshëm për modernizimin e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e zonave rurale.

Sipas Sallës, Programi IPARD mbetet një nga instrumentet kryesore mbështetëse për rritjen e konkurrueshmërisë së fermave dhe industrisë agropërpunuese, duke nxitur investimet, përmirësimin e standardeve dhe forcimin e sigurisë ushqimore.

Ai vlerësoi se krahas mbështetjes së ofruar nga fondet e Bashkimit Europian, edhe Skema Kombëtare 2026 dhe Instrumenti i Garancisë Sovrane po krijojnë më shumë mundësi financimi për fermerët dhe agrobizneset shqiptare. /j.p/

1 nga 5

The post IPARD III, Shqipëria përparon me përgatitjet për riakreditimin e programit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten lehtë çmimet e prodhimit, udhëheq industria përpunuese

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Çmimet e prodhimit shënuan rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit u rrit me 0,02%.

Sipas sektorëve, rritja më e lartë është regjistruar në industrinë përpunuese, me 0,4%. Po ashtu, rritje është shënuar edhe në sektorin e furnizimit me ujë, si dhe në aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve, me 0,3%.

Nga ana tjetër, ulje e çmimeve është vënë re në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar, me 0,9%.

Sa i përket tregut, për produktet e destinuara për tregun vendas, çmimet janë rritur me 0,3% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa për eksportet është regjistruar ulje me 0,5%.

Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit që lamë pas, indeksi ka shënuar gjithashtu një rritje të lehtë prej 0,1%.

Brenda industrisë përpunuese, rritjet më të mëdha janë vërejtur në prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri, prodhimin e pijeve, shtypshkrimin dhe rigrupimin e mediave të regjistruara, si dhe në prodhimin e produkteve të kauçukut dhe plastikës, me rritje rreth 1,2% secila.

Ndërkohë, ulje e çmimeve është regjistruar në prodhimin e pajisjeve elektrike me 0,9%, si dhe në metalurgji me 0,6%. /j.p/

The post Rriten lehtë çmimet e prodhimit, udhëheq industria përpunuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat nga procesi i rivlerësimit arritën në 3,9 miliardë lekë në vetëm dy muaj

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se procesi i rivlerësimit të pasurive po ecën me ritme pozitive, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit vetëm në dy muaj nga nisja e tij.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj theksoi se interesi i qytetarëve për këtë proces ka qenë i lartë dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave buxhetore.

“Në vetëm dy muaj nga momenti i nisjes së procesit, të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit kapin vlerën e 3,9 miliardë lekëve, ose rreth 40 milionë euro, çka në fakt dëshmon një interes të lartë të qytetarëve për këtë proces, por nga ana tjetër duke kontribuar edhe në rritjen e të ardhurave buxhetore”, u shpreh ministri.

Sipas Malajt, krahasimi me procesin e mëparshëm të rivlerësimit, të zhvilluar në vitin 2022, tregon se rezultatet e këtij viti janë dukshëm më të mira.

“Nëse do të bënim një krahasim të procesit të rivlerësimit gjatë vitit 2026 me vitin 2022, kur u realizua rivlerësimi i fundit në vend, do të vërejmë se kemi një ecuri më të mirë të të ardhurave të realizuara nga ky proces. Në vitin 2022 realizuam rreth 5,6 miliardë lekë në total nga ky proces, ndërkohë që në vetëm dy muaj gjatë këtij viti kemi realizuar 3,9 miliardë lekë”, tha ai.

Ministri i Financave vlerësoi se ritmi i deritanishëm i realizimit tregon se procesi aktual pritet të tejkalojë rezultatet e regjistruara katër vite më parë.

“Kjo dëshmon se ky proces deri në fund të vitit do të jetë më pozitiv se ai i vitit 2022”, theksoi Malaj. /j.p/

The post Të ardhurat nga procesi i rivlerësimit arritën në 3,9 miliardë lekë në vetëm dy muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat buxhetore u rritën me 11,7%, 302 milionë euro më shumë se një vit më parë

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se të ardhurat buxhetore gjatë katërmujorit të parë të vitit shënuan rritje të konsiderueshme, duke reflektuar forcimin e bazës ekonomike të vendit, zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe përmirësimin e administrimit fiskal.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj bëri të ditur se vlera e të ardhurave buxhetore arriti në 275,8 miliardë lekë.

“Këto të ardhura shënuan rritje dyshifrore me 11,7% krahasuar me të njëjtin katërmujor të vitit të mëparshëm. Ose, e thënë ndryshe, të ardhurat e realizuara janë 302 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky është një sinjal i fortë sa i përket forcimit të bazës ekonomike të vendit”, u shpreh ministri.

Sipas tij, edhe të ardhurat tatimore dhe doganore kanë vijuar trendin pozitiv gjatë kësaj periudhe.

“Përgjatë katërmujorit të parë të vitit, të ardhurat totale tatimore dhe doganore kapin shifrën 172,7 miliardë lekë. Edhe këtu kemi një rritje me 8,8 miliardë lekë më shumë sesa katërmujori i vitit 2025”, tha Malaj.

Ministri theksoi se rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore është tregues i zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe i eficiencës më të lartë të administratës fiskale.

“Rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore tregon se bizneset janë duke gjeneruar gjithnjë e më shumë aktivitet ekonomik, por nga ana tjetër kemi edhe një administrim më të mirë tatimor dhe doganor. Kjo falë edhe implementimit më të thelluar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave”, deklaroi ai.

Malaj u ndal gjithashtu te ecuria e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat sipas tij kanë shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.

“Në të njëjtin trend rritës ishin edhe të ardhurat e realizuara nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, me 12,5% më shumë të ardhura të mbledhura krahasuar me të njëjtin katërmujor të vitit të mëparshëm”, tha ministri.

Sipas tij, në total të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arritën në 66,8 miliardë lekë.

“Në total, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kapin vlerën e 66,8 miliardë lekëve, me një rritje prej 7,4 miliardë lekësh më shumë sesa në vitin 2025”, u shpreh Malaj.

Ministri vlerësoi se kjo ecuri pozitive lidhet drejtpërdrejt me zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave në ekonomi.

“Kjo rritje është një tregues i zgjerimit të punësimit, por nga ana tjetër edhe i rritjes së pagave reale në të gjithë sektorët e ekonomisë”, tha ai.

Sipas Malajt, rritja e kontributeve në skemat e sigurimeve përkthehet në më shumë mbrojtje sociale për qytetarët dhe në një qëndrueshmëri më të madhe financiare të sistemit.

“Një rritje e të ardhurave në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përkthehet pa diskutim në më shumë siguri sociale për qytetarët, por edhe në një qëndrueshmëri më të lartë të skemës së sigurimeve”, deklaroi ministri. /j.p/

The post Të ardhurat buxhetore u rritën me 11,7%, 302 milionë euro më shumë se një vit më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Xhiroja e deklaruar e bizneseve u rrit me 11% në 4-mujorin e parë të vitit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se treguesit makroekonomikë dhe fiskalë të katërmujorit të parë të vitit 2026 konfirmojnë vijimin e tendencës pozitive të rritjes ekonomike në vend, të shoqëruar me rritjen e të ardhurave, përmirësimin e administrimit fiskal, formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj theksoi se të dhënat fiskale tregojnë një zhvillim pozitiv të ekonomisë shqiptare.

“Treguesit fiskalë konfirmojnë vijimin e tendencës pozitive të rritjes ekonomike, të rritjes së të ardhurave, të përmirësimit të administrimit fiskal, si dhe formalizimit më të lartë të ekonomisë dhe rritjes së aktivitetit ekonomik”, u shpreh ministri.

Duke u ndalur te qarkullimi i deklaruar i biznesit, Malaj bëri të ditur se gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 është regjistruar një rritje dyshifrore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Po të bëjmë një krahasim të xhiros së deklaruar përgjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 me të njëjtën periudhë të vitit 2025, rezulton se kemi një rritje dyshifrore me 11%. E thënë në terma monetarë, rritja është 133 miliardë lekë, ose rreth 1,4 miliardë euro më shumë xhiro e deklaruar sesa në katërmujorin e parë të një viti më parë”, tha ai.

Sipas ministrit, kjo rritje është mbështetur kryesisht nga tre sektorë të ekonomisë, me kontributin më të madh nga sektori i shërbimeve.

“Kjo rritje është e mbështetur nga tre sektorë, kryesisht nga sektori i shërbimeve, i cili ka shënuar një rritje më të lartë me 24,5%. Kjo tregon në fakt zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të lidhur me turizmin, por edhe sektorë të tjerë të ndërlidhur”, deklaroi Malaj.

Ai shtoi se rritja e qarkullimit është ndjekur edhe nga performanca pozitive e sektorit të ndërtimit dhe tregtisë.

“Kjo rritje pasohet edhe nga sektori i ndërtimit, i cili ka regjistruar një rritje me 13,2%, e pasuar më tej nga sektori i tregtisë me një rritje prej 10,4%”, tha ministri.

Malaj vlerësoi se rritja e qarkullimit të biznesit është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë dhe fiskalë.

“Rritja e qarkullimit të biznesit në fakt vjen si kombinim i disa faktorëve, siç janë rritja ekonomike, formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë, por nga ana tjetër edhe një rritje e konsumit të brendshëm, i cili mbështetet si nga zgjerimi i punësimit, ashtu edhe nga rritja e të ardhurave”, nënvizoi ai.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë katërmujorit të parë është rritur edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara në vend.

“Përveç rritjes së qarkullimit, kemi gjithashtu një rritje të numrit të bizneseve të reja përgjatë këtij katërmujori. Kemi 8,070 biznese të reja të regjistruara. Edhe këtu kemi rritje me 11%, ku në total, në fund të muajit prill, numri total i bizneseve të regjistruara pranë administratës tatimore është 144,940 subjekte”, tha Malaj.

Sipas tij, ritmi i rritjes së numrit të bizneseve pasqyron përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe rritjen e besimit të sipërmarrjes në ekonominë shqiptare.

“Ritmi i rritjes së numrit të bizneseve reflekton klimën e të bërit biznes në Shqipëri, rritjen e besimit të sipërmarrjes për sa i përket zgjerimit ekonomik të tyre, sidomos në sektorë si sektori i shërbimeve, por edhe në sektorin e transportit”, përfundoi ministri i Financave, Petrit Malaj. /j.p/

Ministri i Financave, Petrit Malaj, foto: Andrin Hoxha
1 nga 8

The post Malaj: Xhiroja e deklaruar e bizneseve u rrit me 11% në 4-mujorin e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Doganat e rajonit drejt procedurave plotësisht elektronike dhe zhdoganimit më të shpejtë

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Administrata Doganore mori pjesë në takimin e 31-të të Nënkomitetit të CEFTA-s për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, që u mbajt në Sarajevë, ku vendet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin për përshpejtimin e modernizimit doganor dhe transformimit digjital në rajon.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur në zbatimin e Konventës së Rishikuar PEM, si dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm për zhvillimin e certifikatave elektronike të origjinës (e-PoC), avancimin e programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO) dhe zbatimin e projektit CEFTA SEED+, i cili synon forcimin e shkëmbimit të të dhënave dhe bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore të rajonit.

Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu procedurat plotësisht elektronike, përpunimi i të dhënave para mbërritjes së mallrave, menaxhimi i riskut dhe masat për reduktimin e kohës së zhdoganimit, me qëllim krijimin e proceseve më të shpejta, më transparente dhe më efikase për komunitetin e biznesit.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e transformimit digjital dhe harmonizimit të procedurave doganore, si elemente kyçe për lehtësimin e tregtisë rajonale dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike.

Dogana ritheksoi angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian në fushën e doganave, me fokus lehtësimin e tregtisë dhe garantimin e sigurisë së zinxhirit të furnizimit. /j.p/

1 nga 3

The post Doganat e rajonit drejt procedurave plotësisht elektronike dhe zhdoganimit më të shpejtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ismailaj: Investimi në Zvërnec nuk cenon biodiversitetin, do të sjellë Imijëra vende pune

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismailaj deklaroi sot se investimi i planifikuar në zonën e Zvërnecit nuk do të dëmtojë florën dhe faunën e Lagunës së Nartës, ndërsa theksoi se projekti pritet të sjellë zhvillim ekonomik dhe mijëra vende të reja pune për zonën e Vlorës.

Gjatë një interviste në medie, Ismailaj iu përgjigj kritikave dhe shqetësimeve të ngritura nga organizata ambientaliste lidhur me ndikimin e mundshëm të projektit në biodiversitetin e zonës.

Ministrja tha se deri në vitin 2012, Laguna e Nartës nuk kishte biodiversitetin që gëzon sot, duke kujtuar se në atë periudhë peshkimi kryhej edhe me mjete të ndaluara si dinamiti.

“Deri në vitin 2012 në Vlorë gjuhej peshku me dinamit. Për shkak të kësaj praktike ishte dëmtuar rëndë flora dhe fauna detare. Në atë kohë nuk kishte flamingo dhe pelikanë në Lagunë. Janë dashur 12 vite nisma dhe investime për të arritur diversitetin biologjik që ekziston sot”, u shpreh Ismailaj.

Ajo nënvizoi se qeveria ka ndërmarrë politika që kanë kontribuar në rikthimin dhe pasurimin e biodiversitetit në zonë, duke shtuar se nuk ka arsye të mendohet se investimi i ri do të ndikojë negativisht në ekosistemin e Lagunës së Nartës.

Duke folur për përfitimet ekonomike të investimit, Ismailaj theksoi se investimi do të rrisë potencialin turistik të Vlorës dhe do të krijojë mundësi të reja punësimi, veçanërisht për të rinjtë.

“Ky investim do ta bëjë Shqipërinë më të njohur në elitën e destinacioneve turistike dhe do të krijojë mijëra vende pune për vlonjatët. Të kundërshtosh një investim të tillë do të thotë të pengosh një mundësi të rëndësishme zhvillimi për zonën dhe vendin”, deklaroi ajo.

Ismailaj solli në vëmendje edhe transformimin që ka pësuar Vlora gjatë viteve të fundit, duke e krahasuar me situatën e mëparshme, kur mundësitë ekonomike dhe turistike ishin më të kufizuara.

Sipas saj, zhvillimi i infrastrukturës dhe investimet në turizëm kanë ndryshuar ndjeshëm profilin ekonomik të qytetit, duke krijuar më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim lokal.

/r.e/a.f/

The post Ismailaj: Investimi në Zvërnec nuk cenon biodiversitetin, do të sjellë Imijëra vende pune appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tabaku: Qeveria po zëvendëson subvencionet me kredi, ndërsa bujqësia dhe fasoneria janë në krizë

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot në Kuvend se qeveria po ndjek politika të gabuara ndaj sektorëve të bujqësisë dhe prodhimit fason, duke zëvendësuar subvencionet me skema kredie që, sipas saj, nuk i japin zgjidhje problemeve të këtyre sektorëve.

Gjatë fjalës së saj në seancën parlamentare, Tabaku tha se bujqësia vazhdon të vuajë pas pezullimit të fondeve të programit IPARD, ndërsa fermerëve po u ofrohen kredi në vend të granteve.

Sipas saj, qeveria nuk ka politika efektive subvencionimi për fermerët, në një kohë kur sektori i bujqësisë është në rënie dhe zonat rurale po përballen me braktisje të vazhdueshme.

Tabaku kritikoi gjithashtu skemën e re të financimit për bizneset prodhuese dhe industrinë fason, e cila parashikon kredi me interesa të ulëta dhe fonde garancie. Ajo argumentoi se bizneset kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë dhe subvencione, pasi po përballen me vështirësi të shumta, përfshirë efektet e kursit të këmbimit të euros dhe rritjen e kostove të aktivitetit.

Tabaku tha se shumë ndërmarrje prodhuese dhe fasoneri po reduktojnë aktivitetin ose po mbyllin operacionet, ndërsa kreditë, sipas saj, nuk adresojnë nevojat e menjëhershme të këtyre bizneseve për kapital qarkullues dhe mbështetje financiare.

Ajo theksoi se bujqësia ka humbur peshë në ekonominë shqiptare dhe se prodhimi vendas po dobësohet, ndërsa ekonomia po mbështetet gjithnjë e më shumë te sektori i ndërtimit.

Sipas Tabakut, modeli aktual ekonomik po favorizon sektorë me ndikim afatshkurtër në rritjen ekonomike, ndërsa prodhimi dhe eksportet po humbasin konkurrueshmërinë. Ajo kërkoi politika që nxisin prodhimin, investimet në teknologji dhe përfundimin e ciklit të vlerës së shtuar në vend.

Tabaku deklaroi se bizneset e kanë të vështirë të operojnë në një klimë që, sipas saj, karakterizohet nga mungesa e konkurrencës së ndershme dhe përqendrimi i përfitimeve ekonomike në pak duar.

/r.e/a.f/

The post Tabaku: Qeveria po zëvendëson subvencionet me kredi, ndërsa bujqësia dhe fasoneria janë në krizë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investimi në Zvërnec, Ibrahimaj: Laguna dhe ekosistemi nuk preken

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se për investimin e diskutuar në zonën e Zvërnecit aktualisht po kryhen vetëm studime dhe analiza mjedisore.

Gjatë një interviste për “Abcnews”, Ibrahimaj theksoi se çdo zhvillim i mundshëm në zonë do të duhet të respektojë plotësisht standardet mjedisore dhe legjislacionin në fuqi, duke garantuar mbrojtjen e lagunës dhe ekosistemit natyror.

“Direktivat dhe standardet europiane, përfshirë legjislacionin që lidhet me mjedisin, janë një garanci që ne nuk mund të lejojmë ligjërisht ndërhyrje që cenojnë ekosistemin. Nuk është çështje vullneti individual, por çështje ligjore”, u shpreh ministrja.

Ajo solli si shembull praktika ekzistuese zhvillimi në zona të mbrojtura, ku projektet janë përshtatur me mjedisin pa e dëmtuar atë, duke theksuar se vendimmarrjet institucionale janë të bazuara në kritere të qarta mjedisore.

Sipas saj, në të kaluarën ka pasur raste kur projekte të propozuara janë rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit për shkak se nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.

“Ne e kemi treguar edhe më parë kur projektet nuk kanë qenë në linjë me mbrojtjen e mjedisit, i kemi rrëzuar”, tha Ibrahimaj.

Ministrja u shpreh se synimi i qeverisë është zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, i cili sipas saj garanton standarde të larta jo vetëm në ndërtim dhe mjedis, por edhe në shërbime, turizëm dhe zinxhirin ushqimor.

Ajo theksoi se investimet e mëdha në turizëm ndikojnë në rritjen e standardeve të shërbimit dhe të cilësisë në ekonomi, duke sjellë efekte zinxhir në sektorë të ndryshëm si bujqësia, tregtia dhe transporti.

“Kur vijnë investime të rëndësishme, ato ngrenë standardin jo vetëm në ndërtim dhe mjedis, por edhe në shërbime dhe cilësi. Ky është një efekt që ndikon në të gjithë ekonominë”, deklaroi ajo.

Duke iu referuar debatit publik për zonën e Zvërnecit dhe ndikimin e mundshëm në lagunë, Ibrahimaj u shpreh se vullneti i institucioneve është që ekosistemi të mos preket dhe të ruhet në gjendjen aktuale.

“Vullneti ynë është që laguna të mos preket dhe që ekosistemi të ruhet. Nuk kemi projekt, ndaj nuk mund të flasim për ndërhyrje konkrete”, tha ministrja.

Ajo shtoi se aktualisht janë në proces studimet mjedisore, të cilat do të përcaktojnë mënyrën e mundshme të zhvillimit pa dëmtuar natyrën, përfshirë edhe zonat e mbrojtura dhe habitatet si ai i pelikanit kaçurrel.

“Në mungesë të një projekti final dhe studimesh të plota, nuk mund të flasim për ndikime konkrete. Qëllimi është që as laguna dhe as ekosistemi natyror të mos dëmtohen”, nënvizoi Ibrahimaj.

/r.e/a.f/

The post Investimi në Zvërnec, Ibrahimaj: Laguna dhe ekosistemi nuk preken appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Nuk ka një projekt të dorëzuar për Zvërnecin, leja vetëm për analizat mjedisore

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt investimi i dorëzuar zyrtarisht në qeveri për zhvillimin e zonës së Zvërnecit, duke sqaruar se deri më tani është dhënë vetëm një leje për kryerjen e analizave mjedisore.

Gjatë një interviste në media, Ibrahimaj u shpreh se debati rreth këtij projekti duhet trajtuar me përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve.

“Nuk ka një projekt investimi strategjik, nuk ka një projekt të dorëzuar në qeveri për të cilin të flitet. Ka një leje e cila është dhënë për të bërë analizat mjedisore dhe kjo është historia”, tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se ekziston një projekt potencial, i cili më herët është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por që sipas saj, përfaqëson një investim me vlerë të konsiderueshme.

“Ka dhe një projekt potencial i cili është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili ka një vlerë të konsiderueshme, rreth 4,5 miliardë dollarë ose afërsisht 4 miliardë euro”, u shpreh ministrja.

Duke folur për ndikimin ekonomik që mund të kishte një investim i tillë, Ibrahimaj theksoi se sektori i turizmit ka treguar historikisht efekt të lartë shumëzues në ekonomi.

“Duke marrë në konsideratë sektorin e turizmit dhe sektorin në të cilin do të zhvillohej ky projekt, nga analiza e të dhënave në Shqipëri, jo hipotetike, çdo investim në turizëm ka një efekt multiplikativ prej 1,8 deri në 2 herë. Të paktën në të kaluarën ky efekt multiplikativ ka ekzistuar”, tha ajo.

Sipas ministres, ndikimi i investimeve në turizëm nuk kufizohet vetëm te sektori në vetvete, por shtrihet në të gjithë zinxhirin ekonomik.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një sektor, por për një sektor që ndikon në të gjithë zinxhirin e ekonomisë.

Ky efekt shumëzues ndikon në vlerën e shtuar, në punësim dhe në perceptimin për vendin”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo nënvizoi se projekti në fjalë do të sillte në Shqipëri marka të njohura ndërkombëtare të turizmit dhe hotelerisë.

“Bëhet fjalë për një projekt që do të sjellë brende shumë të mëdha ndërkombëtare, brende të cilat janë të pranishme vetëm në pak vende të botës”, tha ministrja.

Ibrahimaj sqaroi gjithashtu se projekti nuk ka ndjekur procedurën e parashikuar për investimet strategjike, por e cilësoi atë si një nismë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e turizmit në vend.

“Unë thashë që nuk është një investim strategjik në sensin që nuk ka bërë një procedurë të investimeve strategjike. Por, pa diskutim që është një projekt, ndoshta projekti më i rëndësishëm në turizëm që ne kemi parë deri më sot”, theksoi ministrja.

/r.e/a.f/

The post Ibrahimaj: Nuk ka një projekt të dorëzuar për Zvërnecin, leja vetëm për analizat mjedisore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektligji për nënproduktet shtazore, Salla: Hap drejt BE-së, rrit sigurinë dhe mbron mjedisin

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për nënproduktet me origjinë shtazore”, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se projektligji synon të forcojë mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e mjedisit, përmes vendosjes së rregullave të qarta për administrimin e nënprodukteve me origjinë shtazore që nuk destinohen për konsum njerëzor.

Sipas tij, kuadri aktual ligjor trajton vetëm pjesërisht kontrollin dhe administrimin e këtyre nënprodukteve, ndërsa projektligji i ri krijon një sistem të plotë dhe të harmonizuar me legjislacionin evropian.

“Standardet nuk janë pengesë, por kusht për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral, për rritjen e prodhimit vendas dhe për zgjerimin e aksesit në tregjet evropiane”, deklaroi ministri.

Projektligji parashikon klasifikimin e nënprodukteve sipas nivelit të riskut, garantimin e gjurmueshmërisë së tyre në çdo hallkë të zinxhirit, forcimin e masave të higjienës dhe biosigurisë, si dhe regjistrimin dhe miratimin e operatorëve dhe impianteve që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.

Salla bëri të ditur se projektligji do të mundësojë gjithashtu mbikëqyrje më të fortë veterinare, kontroll zyrtar më efektiv dhe mbrojtje më të mirë të mjedisit dhe biodiversitetit nga rreziqet biologjike.

Ministri nënvizoi se projektligji harmonizon procedurat për importin, eksportin dhe tranzitimin e nënprodukteve me origjinë shtazore, duke krijuar kushte më të favorshme për tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Ai theksoi se projektligji lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe avancimin në Kapitullin 12 të negociatave me Bashkimin Evropian, që përfshin sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare.

Sipas ministrit, projektligji vendos përgjegjësi të qarta për operatorët ekonomikë, të cilët do të duhet të garantojnë gjurmueshmërinë, higjienën, biosigurinë dhe trajtimin e sigurt të materialeve, si dhe të raportojnë çdo rrezik të mundshëm për shëndetin publik apo atë të kafshëve.

Salla bëri të ditur se hyrja në fuqi e ligjit është parashikuar më 1 janar 2027, për t’u dhënë institucioneve dhe operatorëve kohën e nevojshme për përgatitjen dhe përshtatjen me kërkesat e reja.

Ministri e cilësoi projektligjin një instrument të rëndësishëm për modernizimin e sistemit veterinar, rritjen e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e standardeve evropiane nga Shqipëria.

/a.f/r.e/

The post Projektligji për nënproduktet shtazore, Salla: Hap drejt BE-së, rrit sigurinë dhe mbron mjedisin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO dënon me 7,4 vite burg Erio Zejnon për grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për vrasje

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi me 7 vite e 4 muaj burg shtetasin Erio Zejno, pasi e gjeti fajtor për disa vepra penale të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Gjykata e deklaroi fajtor Zejnon për veprën penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të dy shtetasve, duke e dënuar me 7 vite burgim.

Po ashtu, ai u shpall fajtor për veprën penale “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në formën e grupit të strukturuar kriminal, për të cilën u dënua me 10 vite burgim.

Gjykata e deklaroi fajtor edhe për veprën penale “grupi i strukturuar kriminal”, duke i caktuar dënimin me 2 vite burgim.

Në bashkim të dënimeve, sipas Kodit Penal, gjykata caktoi një dënim të vetëm prej 11 vitesh burgim. Për shkak të zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar përfundimisht në 7 vite e 4 muaj burgim.

/a.f/r.e/

The post GJKKO dënon me 7,4 vite burg Erio Zejnon për grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për vrasje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Investimet e huaja strategjike rrisin vlerën e turizmit shqiptar

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vlerëson se investimet e mëdha të huaja në turizmin cilësor janë thelbësore për ta kthyer rritjen e numrit të vizitorëve në përfitime më të mëdha ekonomike për vendin, duke e zhvendosur fokusin nga volumi i turistëve drejt vlerës së krijuar prej tyre.

Sipas DHTIT-së, Shqipëria ka regjistruar rritje të qëndrueshme të fluksit turistik gjatë viteve të fundit, por sfida kryesore mbetet rritja e shpenzimeve dhe e vlerës së shtuar që gjeneron çdo vizitor.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2025 vendi priti rreth 12,5 milionë vizitorë të huaj, rreth 7% më shumë krahasuar me vitin paraardhës dhe 82% më shumë se në vitin 2019, duke shënuar një nga ritmet më të larta të rritjes në rajon.

Megjithatë, Dhoma e Tregtisë vëren se shpenzimi mesatar për turist mbetet më i ulët krahasuar me destinacionet e zhvilluara të rajonit. Sipas saj, modeli aktual i mbështetur kryesisht në turizmin sezonal dhe akomodimin me kosto të ulët kufizon të ardhurat, investimet afatgjata dhe qëndrueshmërinë e punësimit në sektor.

Në këtë kuadër, DHTIT e konsideron projektin me vlerë rreth 4 miliardë euro në Ishullin e Sazanit dhe Zvërnec si një investim me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit me vlerë të lartë.

Sipas vlerësimit të saj, investimi i parashikuar nga Affinity Partners pritet të krijojë rreth 1 mijë vende pune në komponentin e Sazanit dhe mijëra vende të tjera gjatë zbatimit të plotë të projektit.

Dhoma e Tregtisë thekson se ndikimi i projekteve të kësaj shkalle nuk kufizohet vetëm te punësimi, por shërben edhe si një sinjal pozitiv për investitorët e tjerë ndërkombëtarë, duke forcuar imazhin e Shqipërisë si destinacion për investime në turizëm.

“Megjithatë, efekti i tij ekonomik shkon përtej shifrave të drejtpërdrejta. Një investim i kësaj shkalle dhe i kësaj cilësie funksionon si katalizator: prania e fondeve ndërkombëtare të nivelit të lartë rivlerëson Shqipërinë si destinacion serioz investimi dhe nxit hyrjen e kapitalit dhe operatorëve të tjerë ndërkombëtarë në treg”, thuhet në deklaratën e DHTI.

Sipas DHTIT-së, investimet strategjike japin rezultatet më të mira kur shoqërohen me standarde të qëndrueshme institucionale dhe mjedisore, duke krijuar bazat për një zhvillim konkurrues dhe afatgjatë të sektorit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë u bën thirrje institucioneve, biznesit dhe komuniteteve vendore që investimet strategjike në turizëm të shihen si një mundësi për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare dhe për rritjen e vlerës së krijuar brenda vendit. /j.p/

The post Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Investimet e huaja strategjike rrisin vlerën e turizmit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKU: Analizat konfirmojnë përmbajtjen e deklaruar të azotit te urea në treg

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Produkti plehërues inorganik ure që tregtohet në vend rezulton të jetë i regjistruar dhe në përputhje me kërkesat ligjore për sa i përket përmbajtjes së azotit dhe treguesve fizikë, pas kontrolleve dhe analizave të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Kontrollet u ndërmorën pas denoncimeve dhe pretendimeve për tregtim të produktit Ure me përqindje të azotit më të ulët se ajo e deklaruar në etiketë, si dhe për dyshime mbi përmbajtjen, ngjyrën dhe regjistrimin e tij.

Sipas AKU-së, inspektimet u zhvilluan në të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në importin, magazinimin dhe tregtimin me shumicë e pakicë të këtij produkti në territorin e vendit.

Gjatë kontrolleve u morën gjithsej 15 mostra, të cilat iu nënshtruan analizave laboratorike në laboratorin e produkteve plehëruese pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë.

Rezultatet e analizave treguan se përqindja e azotit në të gjitha mostrat ishte në përputhje me vlerat e deklaruara në etiketë. Gjithashtu, edhe treguesit fizikë që lidhen me formën, përmbajtjen dhe ngjyrën e produktit rezultuan konform kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri të ditur se do të vijojë kontrollet në terren për të garantuar standardet dhe sigurinë në tregun e inputeve bujqësore, ndërsa u ka bërë thirrje fermerëve të raportojnë çdo rast të dyshuar për abuzim me produktet që përdoren në bujqësi. /j.p/

The post AKU: Analizat konfirmojnë përmbajtjen e deklaruar të azotit te urea në treg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistri i bizneseve numëron 250 mijë njësi, gratë drejtojnë 31,6% të sipërmarrjeve

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Numri i bizneseve në vitin 2025 shënoi rritje, krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në fund të vitit 2025 regjistri i njësive ligjore numëron 250,097 njësi ligjore aktive, duke shënuar një rritje prej 5,1% në krahasim me vitin 2024.

Numri i fermerëve aktivë arriti në 112.205, ose 6,1% më shumë se një vit më parë, ndërsa ndërmarrjet ekonomike aktive u rritën në 137,892, me një shtesë prej 4,3% krahasuar me vitin 2024.

Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 18,297 ndërmarrje të reja, kundrejt 15,970 të regjistruara në vitin 2024, duke reflektuar një dinamikë pozitive të sipërmarrjes në vend.

Ndërkohë, regjistri i njësive lokale përmban 146,527 njësi lokale aktive, ose 4% më shumë se në vitin 2024. Prej tyre, 136,068 ndërmarrje ushtrojnë aktivitet ekonomik në një vendndodhje, ndërsa 1824 ndërmarrje operojnë në më shumë se një vendndodhje.

Të dhënat tregojnë se grupi i aktiviteteve “prodhues të të mirave”, që përfshin bujqësinë, pyjet dhe peshkimin, industrinë dhe ndërtimin, përfaqëson 14,1% të ndërmarrjeve aktive, nga 14% një vit më parë. Ky grup realizon 31,8% të shitjeve neto në ekonomi.

Nga ana tjetër, grupi i “prodhuesve të shërbimeve”, ku përfshihen tregtia, transporti dhe magazinimi, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, informacioni dhe komunikacioni, si dhe shërbimet e tjera, përbën 85,9% të ndërmarrjeve aktive dhe gjeneron 68,2% të shitjeve neto.
Sipas regjistrit, ndërmarrjet me pronarë ose bashkëpronarë të huaj përbëjnë 5% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe punësojnë 12,5% të të punësuarve në vend.

Gjithashtu, vihet re një rritje e përfshirjes së grave në drejtimin e bizneseve. Në vitin 2025, gratë menaxhojnë ose zotërojnë 31,6% të ndërmarrjeve aktive, kundrejt 31,4% në vitin 2024.

Pjesëmarrja më e lartë e grave në vendimmarrje evidentohet në aktivitetet e tregtisë dhe shërbimeve të tjera, ku ato përfaqësojnë respektivisht 34,3% dhe 41,2% të drejtuesve apo pronarëve të bizneseve. Shumica e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë i përkasin kategorisë me 1 deri në 4 të punësuar.

Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë vetëm 1,5% të totalit të ndërmarrjeve aktive, por punësojnë 48,6% të të punësuarve gjithsej dhe realizojnë 44,8% të totalit vjetor të shitjeve neto, duke konfirmuar peshën e tyre të rëndësishme në ekonominë shqiptare. /j.p/

The post Regjistri i bizneseve numëron 250 mijë njësi, gratë drejtojnë 31,6% të sipërmarrjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj me maturantët: Vetëpunësimi, mundësi për të kthyer idetë në biznese

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me maturantë në Shkollën Teknike Ekonomike, ku u diskutua mbi Programin e Vetëpunësimit dhe mbështetjen që ai ofron për të rinjtë që duan të nisin aktivitetin e tyre ekonomik.

Ministrja theksoi rëndësinë e këtij programi si një instrument që synon të ndihmojë të rinjtë të kthejnë idetë e tyre në biznese konkrete dhe të hedhin hapat e parë në sipërmarrje.

“Ftoj çdo të ri me një ide, aftësi apo projekt konkret të aplikojë në Programin e Vetëpunësimit, pasi thirrja mbetet e hapur deri më 4 qershor”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, gjatë vitit të kaluar qindra të rinj kanë aplikuar dhe përfituar nga ky program, ndërsa interesi për të vijon të rritet edhe këtë vit.

“Programi i Vetëpunësimit mbështet financiarisht qytetarët që duan të kthejnë një ide në biznes dhe të hedhin hapat e parë në sipërmarrje. Vetëm gjatë vitit të kaluar qindra të rinj aplikuan dhe përfituan nga ky program, ndërsa këtë vit interesi është edhe më i lartë”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj shtoi se qeveria do të vijojë të mbështesë të rinjtë që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, duke kthyer idetë në biznese dhe talentin në histori suksesi. /j.p/

The post Ibrahimaj me maturantët: Vetëpunësimi, mundësi për të kthyer idetë në biznese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Zgjerohet “Garancia Rinore”, më shumë mundësi punësimi dhe vetëpunësimi për të rinjtë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka rishikuar Strategjinë Kombëtare të Punësimit, me fokus zgjerimin e programit “Garancia Rinore”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se ky instrument synon të rrisë mundësitë për punësim dhe zhvillim profesional për të rinjtë dhe të rejat në vend.

“Të rinjtë që nuk disponojnë aftësitë e nevojshme do të kenë mundësi të aftësohen përmes programeve të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, do të përfitojnë ndërmjetësim për punësim, programe trajnimi ose mbështetje financiare përmes programeve të vetëpunësimit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo informoi gjithashtu se deri nesër mbetet e hapur thirrja për programin e vetëpunësimit, duke u bërë thirrje të rinjve dhe të rejave që të aplikojnë me idetë e tyre të biznesit.

“Të gjithë të rinjtë dhe të rejat që kanë një ide biznesi kanë afat deri nesër për të aplikuar”, deklaroi ministrja. /j.p/

The post Ibrahimaj: Zgjerohet “Garancia Rinore”, më shumë mundësi punësimi dhe vetëpunësimi për të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi “Hospitality Albania”, Ibrahimaj: Asetet shtetërore menaxhohen në bashkëpunim me privatin

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot programin “Hospitality Albania”, i cili do të menaxhohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë se programi parashikon administrimin e vilave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, me synimin për rikualifikimin dhe shfrytëzimin më efikas të aseteve shtetërore, në bashkëpunim me sektorin privat.

“Qëllimi kryesor i këtij programi është rikualifikimi dhe shfrytëzimi më efikas i aseteve shtetërore, përmes bashkëpunimit me sektorin privat dhe me synim krijimin e vlerës ekonomike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo theksoi se bashkëpunimi me privatin lidhet vetëm me menaxhimin e kapaciteteve shtetërore dhe se prona shtetërore nuk transferohet në asnjë rast.

“Dua të theksoj qartë se bashkëpunimi me sektorin privat lidhet vetëm me menaxhimin e kapaciteteve shtetërore. Në asnjë rast prona shtetërore nuk transferohet tek privati”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, vendimi i Këshillit të Ministrave i hap rrugë Korporatës Shqiptare të Investimeve për të sqaruar statusin pronësor të sipërfaqeve përreth këtyre objekteve, në rastet kur ekziston mbivendosje mes pronës publike dhe private, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të programit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, foto: Andrin Hoxha
1 nga 2

The post Programi “Hospitality Albania”, Ibrahimaj: Asetet shtetërore menaxhohen në bashkëpunim me privatin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌