Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Verifikimi i transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec zhvillim pozitiv, përgjigje pretendimeve për pronësinë

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve për blerjen e tokës në Zvërnec dhe çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë edhe pronarë.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Rama e konsideroi këtë një zhvillim shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeministri e konsideroi po ashtu shumë pozitive që SPAK ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi për të cilin ka një proces hetimor.

“Kjo në këndvështrimin tim është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut”, shtoi Rama.

Ndaj sipas tij, rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i jap fund çdo spekulimi, manipulimi dhe pretendimi që nuk është i bazuar në ligj.

“Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës do të marrë paratë. Nëse nuk e ka, paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe do të përdoren për cilindo që do të pretendojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar. Kështu që këtu merr fund çdo lloj shqetësimi i atyre që janë pretendentë të sinqertë të pronës dhe çdokush tjetër që shfaqet si pretendent me Shqipërinë e shqiptarëve në gojë dhe me kurdisjen e duarve të tjera nga mbrapa mund të vazhdojë të shfaqet por nuk është më problemi ynë”, shtoi Rama. /j.p/

The post Rama: Verifikimi i transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec zhvillim pozitiv, përgjigje pretendimeve për pronësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reforma Territoriale, kryebashkiakët e qarkut Dibër kërkojnë më shumë kompetenca dhe mbështetje financiare

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Shtimi i kompetencave si dhe rishikimi i formulës së shpërndarjes së taksës minerare ishin ndër kërkesat e paraqitura nga kryetarët e bashkive të qarkut Dibër, në seancën dëgjimore me komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Para anëtarëve të komisionit, kryetari i bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu u ndal te sfidat me të cilat përballet bashkia, ndërsa kujtoi se Dibra është qarku i tertë më i madh në vend sa i përket shtrirjes territoriale.

Shqetësim kryesor, sipas tij, mbeten kompetencat që ka bashkia, e cila shtrihet po ashtu në një terren malor, gjë që krijon vështirësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Spahiu u ndal te investimet në infrastrukturë të cilat sipas tij kanë afruar edhe zonat më periferike të territorit me qendrën e bashkisë.

“Nëse në vitin 2014 në Lurë shkoje për 4 orë, sot shkohet për 40 minuta. Pra, jemi në një situatë tjetër me investimet që janë bërë në këtë bashki. Kjo bën që shërbimet të shkojnë në zonën më të largët të bashkisë. Sot në Lurë shkon makina e pastrimit”, shtoi ai.

Por sipas Spahiut, bashkitë kanë nevojë për më shumë kompetenca edhe për sa i përket administrimit të zonave të mbrojtura.

Lidhur me Kadastrën, Spahiu kërkoi që të kalojë te bashkia, pasi kjo do të ndikojë edhe te rritja e të ardhurave për bashkinë.

“Bashkitë kanë nevojë për më shumë financa, kjo nuk diskutohet, por 4 vitet e fundit financat kanë ardhur në rritje”, shtoi ai.

Edhe kryetarja e bashkisë Klos, Valbona Kola theksoi rëndësinë e shtimit të kompetencave të bashkisë.

Sipas saj, bashkia e Klosit është një bashki në zhvillim falë Rrugës së Arbrit dhe kërkesat janë të mëdha për ndërtime dhe për zhvillimin e bujtinave dhe agroturizmit.

“Rruga e Arbrit i jep një tjetër orientim rishikimit të planit vendor dhe zhvillimi do t’i japë ‘oksigjen’ bashkisë Klos për sa i përket investimeve”, tha ajo.

Kola kërkoi po ashtu rritjen e financimeve, pasi sipas saj, reforma territoriale e viti 2014 solli shumë shërbime në bashki. “Përveç shërbimit zjarrfikës që ka buxhet të mjaftueshëm, funksionet e tjera nuk përballohen nga transferta e kushtëzuar”, shtoi ajo.

Duke u ndalur te renta minerare, Kola u shpreh se për bashkinë Klos ajo sjell vetëm me 1.6 milionë lekë të ardhura.

“Kjo sepse taksa shkon për bashkinë që e shet dhe jo për atë që e prodhon. Duhet të shikohet baza ligjore që të përllogaritet në burim taksa dhe Klosit t’i shkojë taksa që duhet. Nëse dikur ka qenë 25% sot është një vlerë e papërfillshme”, shtoi ajo.

Ndërsa kryetarja e bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri nënvizoi se pas vitit 2014 janë shtuar investimet në infrastrukturë.

“Sfida jonë është shpërndarja e madhe e territorit ndaj është rritur numri i punonjësve sepse ka shërbime më shumë. Kemi forcuar kapacitetet që t’i ofrohet shërbimi të gjithë qytetarëve. Ne kemi 63 fshatra dhe asnjë fshat nuk është i braktisur”, tha Mjeshtri.

Sipas saj, Bulqiza është qytet industrial dhe 20-25%, rreth 400 milionë lekë, e të ardhurave nga renta minerare i kalon buxhetit të bashkisë.

Kryetari i bashkisë Mat, Altin Bojni theksoi se falë investimeve në ujësjellës, qyteti i Burrelit ka ujë 24 orë.

Ai kërkoi rritje të transfertës së kushtëzuar për të bërë më shumë investime në territorin e bashkisë. /j.p/

The post Reforma Territoriale, kryebashkiakët e qarkut Dibër kërkojnë më shumë kompetenca dhe mbështetje financiare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria zgjidhet presidente e “Evropës së Pyjeve”, Rama: Zgjedhje domethënëse, votë unanime nga 45 vende

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Shqipëria është zgjedhur me votë unanime të 45 vendeve anëtare, si Presidente e Forest Europe (Europa e Pyjeve) për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ky është një tjetër sukses i rëndësishëm diplomatik, që e forcon më tej profilin ndërkombëtar të vendit.

Rama informoi se deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj organizate, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve.

“Po si ka mundësi, që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit për ta kthyer në geto palestinezësh të spastruar etnikisht nga Gaza, ta mbështesin fuqimisht nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet më në fund pa asnjë kundërshtim?!”, ironizoi Rama, duke iu përgjigjur edhe disa prej akuzave të ngritura në protestat e fundit për ngjarjen në Zvërnec.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Çudi e madhe ëëë…

Shqipëria e tradhtarëve sapo u zgjodh me votë unanime të 45 vendeve anëtare, si Presidente e Forest Europe (Europa e Pyjeve) për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Po si ka mundësi, që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit për ta kthyer në geto palestinezësh të spastruar etnikisht nga Gaza, ta mbështesin fuqimisht nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet më në fund pa asnjë kundërshtim?!

Forest Europe është platforma më e rëndësishme pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve, që bashkon 45 shtete evropiane dhe Bashkimin Evropian për të përcaktuar drejtimet strategjike të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetit pyjor, klimës dhe ekonomisë së gjelbër.

Iku kjo botë, madje u prish dynjaja, se u bashkuan në Shqipëri Trumpi me Sorosin që të bëjnë “Shqipërinë e shqiptarëve” me hormone transgjenitale, me një ishull izraelit në tokë e një në det, me zëvendësim të pelikanëve me palestinezë, ku kulmi i degjenerimit është partneriteti i tyre me Katarin, që në Zvërnec do vihet në shërbim të Izraelit paçka se në Gjirin Arabik nuk e shohin me sy njëri-tjetrin… Dhe kush i bën të tëra këto, tradhëtari në kryeministri që ku t’i ketë robt e shpis se paska qenë Satanai vetë.

Deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj organizate, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve. Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm diplomatik, që e forcon më tej profilin ndërkombëtar të vendit dhe rrit rolin e Shqipërisë në diplomacinë mjedisore, duan s’duan ata që s’duan, qofshin ata të “Shqipërisë së shqiptarëve”, e qofshin ata që i përdorin si kukulla të pavetëdijshme, duke ua bërë flakë tik-tokun me raketat e luftës hibride të manipulimeve online”.

/m.m/j.p/

The post Shqipëria zgjidhet presidente e “Evropës së Pyjeve”, Rama: Zgjedhje domethënëse, votë unanime nga 45 vende appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Domosdoshmëri të ecim me ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve të negociatave të integrimit

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm për përmbushjen e detyrave me qëllim mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama vlerësoi rolin e tij si mbështetës i palodhur i Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti Costa vjen për herë të pestë në Tiranë, një mik gjithmonë e më i vendosur dhe i çmuar i Shqipërisë, por edhe i Ballkanit Perëndimor. Mbështetës i palodhur, qysh në krye të herës si kryeministër i Portugalisë, i procesit të zgjerimit të BE-së dhe i bashkimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, tha Rama.

Rama i konsideroi takimet e presidentin Costa si momente mësimi nga një eksperiencë e madhe dhe një njohje e thellë e çështjeve të Europës, të botës, i çështjeve të ekonomisë e çështjeve sociale, e kështu me radhë.

Rama shprehu mirënjohjen për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për mbështetjen e palodhur gjatë procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

“Kjo mbështetje ka ardhur edhe përpara se sa ne të realizonim praktikisht mbylljen e fazës së parë, atë të çeljes së kapitujve me Konferencën Ndërqeveritare të pak ditëve më parë dhe hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve, në një kohë kur të gjithë së bashku u përballëm me shumë sfida, që nuk janë sfidat tona individuale, por janë sfidat tona të përbashkëta”, tha Rama.

Në këtë fazë të negociatave me BE-në, Rama shprehu bindjen se pjesën kryesore të punës e ka Shqipëria, e cila ka detyra për të përmbushur jo për hir të Brukselit apo Berlinit e Parisit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit, të institucioneve dhe të pushteteve të pavarura në Shqipëri.

“Në këtë fazë theksi kryesor është zbatimi i atyre reformave që janë kryer me sukses apo i gjithë këtyre ligjeve që do të vazhdojnë të hyjnë në trupin e organizmit ligjor të Shqipërisë nga trupi ligjor i BE-së”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky është një proces me shumë sfida.

“Me të drejtë Presidenti Costa na ka sugjeruar që të rrisim përpjekjet për të njohur publikun e gjerë me të gjitha këto sfida që shoqërojnë çdo hap që ne hedhim përpara. Kemi folur për eksperiencën e Portugalisë në momentin e parë dhe për eksperiencën e fermerëve dhe të prodhuesve të verës, sfidave që ata patën për t’u adoptuar, sfida të shoqëruara me dhimbje, por pastaj të pasuara nga sukses dhe rezultate shumë më të mira për fermat dhe prodhimet e tyre”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se kemi dakordësi 100% me të gjitha çështjet, për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë.

“Po ashtu kemi dakordësi 100% për sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve. Kemi dakordësi 100% që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues”, shtoi Rama.

Rama theksoi se ka dakordësi 100% që të gjitha këto janë më të lehta për faktin se në këtë rrugë ne nuk jemi vetëm, por kemi një partner të jashtëzakonshëm si BE dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijesh siç është procesi i negociatave dhe ndërveprimit me KE.

Kryeministri Rama mikpriti më herët në takim Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, i cili vizitoi Tiranën, në kuadër të vizitave diplomatike, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të  Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

Samiti mbahet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Samiti do të kryesohet nga presidenti i Këshillit të Europës dhe do të mikpritet nga presidenti i Malit të Zi.

 

Konferenca e përbashkët për mediet Rama-Costa, foto: Andrin Hoxha
1 nga 16

/j.p/r.e/

The post Rama: Domosdoshmëri të ecim me ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve të negociatave të integrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ende nuk ka projekt për investimin në Zvërnec, do bëjmë transparencë të plotë

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nëse projekti në Zvërnec do të realizohet, Shqipëria do të ketë një nga destinacionet më spektakolare të gjithë Mesdheut.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi investimin në Zvërnec.

Së pari kryeministri theksoi se ky është një investim privat për të cilin nuk ka projekt akoma.

“Investimi ka nisur mbi bazën e një marrëdhënie private mes entitetesh private dhe kontrata private në Shqipëri bëhen shumë dhe privatët nuk janë të detyruar të më japin llogari as mua as ju kur shkojnë e negociojnë për të blerë një tokë, apo kur fillojnë të punojnë për një projekt”, tha Rama.

Transparenca, sipas tij, fillon kur projekti futet në fazën për t’u miratuar dhe pasi miratohet.

“Për sa i takon qeverisë ju nuk keni absolutisht asnjë transparencë për të kërkuar lidhur me këtë projekt, sepse nuk kemi projekt por kemi proces të brendshëm ndërveprimi institucional mes të interesuarve dhe strukturave tona. Ashtu siç bëjmë me të gjithë zhvilluesit e kësaj Republike është bërë edhe më këta zhvillues duke vendosur kushte dhe standarde. Çfarë transparence duhet të bëjë qeveria në këtë rast?”, tha Rama.

Ndërsa media, sipas tij, ka plotësisht të drejtë që të pyesë dhe të marrë përgjigje dhe jo t’i thotë publikut gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.

“Nuk duhet të hidhet hije dhe baltë me investitorë që disa nga ata që luftojnë kundër kësaj do të donin t’i kishin për vete. Porto Montenegro që bëri fatin e Malit të Zi do të ndërtohej këtu, do të ishte Porto of Durazzo. Investitori kanadez ka qenë këtu, i ka rënë këtyre dyerve dhe ka ikur sepse nuk ka gjetur dashamirësi por ka gjetur berberë me gërshërë në dorë për të prerë biletat dhe shkoi ndërtoi atje”, shtoi Rama.

Ndaj kryeministri theksoi se mikpritja ndaj investitorëve duhet të jetë shqetësim i të gjithëve.

“Ata janë ‘preja’ për të cilën luftojnë të gjitha vendet, si të marrin më shumë investitorë, si të krijojnë më shumë lehtësi. Klima e biznesit është problemi kryesor që kanë të gjitha vendet. Si u bëka kjo punë me baltë dhe me hile, me pabesi dhe gënjeshtra? Nuk bëhet”, shtoi Rama.

Rama sqaroi se aktualisht nuk bëhet fjalë për investime strategjike pasi nuk ka ende një kërkesë të tillë.

“Mbase sepse ata nuk kanë nevojë fare për incentivat tona. Do të sjellin 4 miliardë euro në Shqipëri. Me ato 4 miliardë euro do të bëhet një Shqipëri më e mirë. Ndaj transparencën ta bëjmë të plotë. Ky projekt ka dy vjet që është publikuar dhe e kam thënë më shumë se një herë: Sazani është një projekt që lidhet me tokë publike, aty kemi si shtet detyrat tona. Ky është projekt privat. Kur të vijë te ne për të marrë miratim do të bëhet publik. Nëse do ta realizojmë ashtu siç unë besoj se do ta realizojmë, të gjithë ju do të jeni shumë krenar si shqiptar kur të thoni që Shqipëria ka një nga destinacionet më spektakolare të gjithë Mesdheut. Kjo është ambicia”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Ende nuk ka projekt për investimin në Zvërnec, do bëjmë transparencë të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Transformimi i Pallatit të Kongreseve krijon tjetër pol turistik në kryeqytet

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ Konkursi Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve ka hyrë sot në fazën përfundimtare, ku pesë skuadrat finaliste po prezantojnë përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë e tyre arkitekturore për transformimin e një prej hapësirave më simbolike të kryeqytetit.

I pranishëm në nisjen e prezantimeve, Kryeministri Rama theksoi se ka ardhur koha për një transformim tërësor të Pallatit të Kongreseve, duke ruajtur identitetin e tij dhe duke e sjellë atë në standardet bashkëkohore të teknologjisë, funksionalitetit dhe cilësisë së hapësirave.

Synimi i këtij projekti është që, përmes riorganizimit dhe rigjallërimit të ndërtesës dhe zonës përreth, Pallati i Kongreseve të shndërrohet në një destinacion të ri të Tiranës turistike, kulturore dhe sociale, duke forcuar rolin e tij si një qendër e rëndësishme e jetës publike dhe aktiviteteve të përditshme të kryeqytetit.

Rama u shpreh se tashmë shteti kthehet në një zotërues pronash.

“Shteti adreson nevojat e veta duke vënë në dispozicion, njësoj siç bëjnë të gjithë pronarët legjitimë të aseteve të veta, por jo më si në të kaluarën, jo më duke i dhënë ato për zhvillim me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në një zotërues të madh asetesh me vlerë të cilat janë në dispozicion të shtetit”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se ka akoma sot një numër të konsiderueshëm hapësirash ku operojnë institucionet publike të cilat janë me qira që paguajnë për pronarët privatë.

“Këtu po ndodh një forcim i rëndësishëm drejt zotërimit të aseteve nga shteti dhe ndërkohë përmes kësaj po ndodh edhe një transformim i rëndësishëm i strukturës urbane dhe i cilësisë së ndërtimeve që ndodhin”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se Pallati i Kongreseve, nga pikëpamja e infrastrukturës së brendshme ka probleme serioze për të adresuar.

Ndaj Rama tha se tani është koha për transformim duke ruajtur identitetin e tij.

Thirrja për bashkëpunim e sipërmarrjes, sipas kryeministrit, nënkupton edhe zhvillimin e një ose disa objekteve pranë Pallatit të Kongreseve.

“Qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, e cilësisë së hapësirave, nga pikëpamja e gjithë strukturës të riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht. Ky pallat dhe kjo zonë do të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike, duke mos e lënë një ishull gjithmonë të heshtur ku nuk ka aktivitete, por duke krijuar edhe këtu jetë siç kemi krijuar rreth gropës së dikurshme të stadiumit, që sot është një pol tjetër të jetës së kryeqytetit”, shtoi Rama. /j.p/

The post Rama: Transformimi i Pallatit të Kongreseve krijon tjetër pol turistik në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku për ATSH: Mungesa e specialistëve në disa bashki problem serioz, kërkohet ushtrim më efikas i kompetencave

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm të qeverisjes vendore, që garanton shërbime më të mira dhe aftësi për të përfituar maksimalisht nga mundësitë që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Mazniku informoi mbi sfidat që duhet të adresojë reforma e re territoriale, e cila sipas tij, nuk duhet parë thjesht si një ndarje e re në hartë.

Mazniku theksoi se duhet ndërtimi i bashkive më funksionale, më të forta dhe më të përgatitura për sfidat e ardhshme.

Në përmbyllje të fazës së parë të dëgjesave publike në të 12 qarqet e vendit, Mazniku theksoi se “ky proces na ka dhënë një panoramë edhe më të qartë si të arritjeve të reformës së vitit 2014, ashtu edhe të sfidave me të cilat përballet sot pushteti vendor”.

Tashmë 10 vite pas kësaj reforme, sipas tij, mund të bëhet një bilanc i plotë dhe i bazuar në të dhëna konkrete.

“Ky bilanc është pozitiv. Të ardhurat e bashkive janë rritur, investimet janë shtuar, cilësia e shërbimeve është përmirësuar ndjeshëm dhe shumë zona që më parë nuk do të kishin pasur mundësi të përfitonin investime publike, sot i marrin ato. Reduktimi nga 373 njësi vendore në 61 bashki ka forcuar pushtetin vendor, ka ulur kostot administrative dhe ka përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të bashkive”, theksoi ai.

Megjithatë, sipas Maznikut, “këto arritje nuk kanë qenë të njëjta në çdo territor”.

Nga njëra anë, sipas tij, kemi bashki që kanë arritur të përfitojnë më shpejt nga potenciali i krijuar nga reforma e vitit 2014, duke rritur investimet, cilësinë e shërbimeve dhe kapacitetet administrative.

Ndërkohë, Mazniku theksoi se në disa bashki të tjera progresi ka qenë më i ngadaltë.

“Pikërisht kjo ecuri e pabarabartë na shtyn sot të analizojmë me kujdes se si mund të krijojmë kushte për një zhvillim më të balancuar dhe për bashki që i përgjigjen me të njëjtën cilësi nevojave të qytetarëve në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh ai.

Për Maznikun, asnjë reformë nuk është e përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Ndaj sipas tij, pas një dekade, është koha të analizohet me qetësi çfarë ka funksionuar mirë dhe çfarë duhet përmirësuar, në mënyrë që pushteti vendor të jetë më i përgatitur për sfidat e dekadave të ardhshme.

I pyetur mbi sfidat që dalin para komisionit në këtë fazë të punës, Mazniku informoi se tashmë komisioni është në përfundim të dëgjesave publike në territor dhe në Kuvend, ku kanë mbetur edhe tre qarqe aktualisht: Berat, Korçë dhe Tiranë, për të vijuar me fazën tjetër, atë të dëgjesave tematike.

Deri tani, Mazniku theksoi se janë identifikuar disa sfida kryesore që kërkojnë vëmendje.

“E para lidhet me kapacitetet njerëzore dhe administrative. Veçanërisht në bashkitë më të vogla, mungesa e specialistëve mbetet një problem serioz, ndërsa në bashkitë më të mëdha sfida lidhet më shumë me ushtrimin efikas të kompetencave që u jep ligji. Sot një pjesë e bashkive nuk arrijnë ende të ushtrojnë me cilësinë e duhur të gjitha funksionet që u janë besuar”, u shpreh ai.

Sfida e dytë, sipas Maznikut, “është ajo demografike”.

“Shqipëria po përjeton një lëvizje të vazhdueshme të popullsisë nga periferia drejt qendrave urbane. Sot rreth 30% e popullsisë është e përqendruar në qytetet më të mëdha dhe kjo krijon nevoja të reja për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”, tha Mazniku.

Ndërkohë sfida e tretë lidhet me zhvillimin e balancuar të territorit.

Manziku theksoi se duhen zbutur diferencat mes zonave dhe duhen krijuar më shumë mundësi zhvillimi për çdo komunitet, në mënyrë që çdo bashki të ketë kapacitetet e nevojshme për t’u shërbyer qytetarëve të saj në çdo cep të territorit.

Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, “është përgatitja për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.

“Shqipëria synon të mbyllë negociatat në vitin 2027 dhe të anëtarësohet brenda kësaj dekade. Kjo do të thotë se bashkitë duhet të jenë më të afta për të përthithur fondet europiane, veçanërisht fondet e kohezionit dhe fondet strukturore, të cilat do të luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e territorit”, tha Mazniku.

I pyetur mbi skenarët e mundshëm për ndarjen e re territoriale, Mazniku informoi se nuk ka ende një model të parapërcaktuar mbi tavolinë.

“Fillimisht duam të përfundojmë procesin e dëgjimit, të analizojmë të dhënat dhe të marrim kontributin e ekspertëve. Vetëm mbi këtë bazë do të arrijmë te vlerësojmë sakte se cilat ndryshime janë të nevojshme për të ndërtuar bashki më funksionale, më të forta dhe më të përgatitura për sfidat e ardhshme”, tha ai.

Për Maznikun, objektiv nuk është thjesht një ndarje e re në hartë.

“Objektivi është të ndërtojmë një model të qëndrueshëm të qeverisjes vendore, që garanton shërbime më të mira, zhvillim më të balancuar dhe aftësi më të madhe për të përfituar maksimalisht nga mundësitë që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi për ATSH-në bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale.

/j.p/r.e/

The post Mazniku për ATSH: Mungesa e specialistëve në disa bashki problem serioz, kërkohet ushtrim më efikas i kompetencave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për raportimin nga mediet greke: Për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me projekt marramendës

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reagimin e kryetarit të diasporës shqiptare në Greqi, Edmond Guri, i cili shprehet i habitur me jehonën që ka shkaktuar në median greke ngjarja në Zvërnec.

Guri shprehet se në 35 vite në Greqi nuk e ka parë kurrë këtë mobilizim.

Në këtë drejtim, Rama kujton se “për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës”.

“E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë. Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës”, shtoi Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:

“35 vjet s’e kam parë kurrë këtë mobilizim”

Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës.

E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.

Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull, largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që mos e dhëntë Zoti do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…

Po mirë këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, i cili edhe kaq edhe u teprua shumë, sepse në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum.

Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur d.m.th”.

/m.m/j.p/

 

The post Rama për raportimin nga mediet greke: Për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me projekt marramendës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama i përgjigjet Tsipras: I habitur që partia jote e re e shndërroi një incident në çështje politike

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot ish-kryeministrit grek, Alexis Tsipras lidhur me incidentin në Zvërnec duke e konsideruar të padrejtë dhe të papërgjegjshme shndërrimin e një incidenti të izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës.

Në reagimin e tij në rrjetin social “X”, Rama thekson se faktet duhet të prevalojnë mbi spekulimet politike.

Duke iu drejtuar Tsipras, i cili ka krijuar formacionin e tij të ri politik me emrin “ELAS”, Kryeministri Rama shprehet i habitur që partia e tij e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike.

“Ajo gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke”, siguroi Rama.

Në përfundim, Rama uroi që partia e re e Tsipras të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të vjetra të debatit publik, përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetje përmes retorikës patriotike dhe përfundimeve të nxituara mbi fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane”.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama ndaj Tsipras:

I dashur @atsipras,

Uroj të jesh mirë!

Ndjesë për shqetësimin, por doja të ndaja habinë time për mënyrën se si, kaq shpejt, edhe partia jote e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e konfirmuara dhe duke vënë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste!

Incidenti fatkeq, në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga dezinformim i gjerë, i shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, që operojnë në tokë private, të cilën e kanë blerë nga pronarë të ligjshëm me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar.

Çdo dëmtim ndaj çdo individi, shqiptar, grek apo cilido qoftë, është për të ardhur keq. Rrethanat u sqaruan me shpejtësi, duke çuar në arrestimin e punonjësve të sigurisë private përgjegjës, heqjen e licencës së kompanisë së tyre dhe shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.

Çfarë më tepër prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si Kryeministër në këto rrethana? Për aq sa më kujtohet nëse pozicionet do të ishin të kundërta, reagimi yt me shumë gjasë do të kishte qenë shumë më pak vendimtar. Por ky nuk është thelbi.

Thelbi është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme të shndërrohet një incident i izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës. Përkundrazi, një gjë e tillë është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat europiane që të dy pretendojmë se ndajmë. Asnjë fushatë zgjedhore nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, sidomos nga një parti e re që aspiron të përfaqësojë të majtën europiane të shekullit XXI.

Angazhimi i Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare nuk është çështje leverdie politike. Ai është detyrim kushtetues, angazhim europian dhe një realitet i pasqyruar në legjislacionin dhe institucionet tona.

Siç e kam theksuar edhe më parë, përfshirë kur u jam përgjigjur shqetësimeve të tua lidhur me rrugën europiane të Shqipërisë në çështje që kanë përfshirë grekët etnikë, jam plotësisht dakord se respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor. Pikërisht për këtë arsye, faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklarata politike të lëshuara nga një vend tjetër dhe të ndikuara nga konsiderata të politikës së brendshme.

Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri është një pasuri që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ajo gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke.

Prandaj besoj se do të biesh dakord që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë u shërbehen më së miri fakteve dhe jo hamendësimeve, respektit për shtetin e së drejtës dhe institucionet e vendeve fqinje dhe jo spekulimeve politike.

Duke të uruar sukses në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj sinqerisht që partia jote e re të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të vjetra të debatit publik, përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetje përmes retorikës patriotike dhe përfundimeve të nxituara mbi fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane.

Në fund të fundit, Europa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjithë të mirat, miku im i vjetër!”

/a.k/ m.m/

The post Rama i përgjigjet Tsipras: I habitur që partia jote e re e shndërroi një incident në çështje politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Turizmi elitar rrit të ardhurat për buxhetin, përfitime zinxhir për ekonominë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, foli për përfitimet që i sjellin vendit projektet e investimeve në turizëm, siç është rasti i Zvërnecit.

Ndërsa solli në vëmendje panoramën që ofron rajoni në turizëm, Rama theksoi se Shqipëria duhet të ngrihet tashmë në një nivel tjetër.

“Unë betejën e kam bashkë me ju dhe çfarë niveli e duam Shqipërinë, është pyetja që duhet të bëjmë përballë këtij projekti. Ndërkohë që projekti akoma nuk është dorëzuar, studimi mjedisor akoma nuk është bërë. Patjetër që do t’i shohim kur të vijnë dhe do t’i ekspozojmë, dhe do të kuptojmë të gjithë se çfarë po bëhet, por po them që me ç’më kanë parë sytë, nga çfarë po bëjnë ata njerëz, është diçka që në Europë dhe në Mesdhe nuk është”, siguroi Rama.

Kryeministri solli në vëmendje projekte të ngjashme të ndërtuara në Greqi (Costa Navarino) dhe në Mal të Zi (Sveti Stefan) apo në Dubrovnik.

“Duam të konkurrojmë ne me këta? Nëqoftëse nuk duam të konkurrojmë dhe duam të rrimë tek turizmi i masës me bukë me vete, që prodhojnë mbetje më shumë seç sjellin të ardhura, kjo është një zgjedhje që mund ta bëni, jo me mua. Turizmi i masës na është dashur në këtë fazë sepse është turizmi i ambasadorëve. Të gjithë ata janë ambasadorët tanë që shkojnë kudo dhe thonë: “Sa e bukur është Shqipëria'”, tha Rama.

Sipas tij, tani Shqipërisë i duhet turizmi i klasit që të sjellë shumë para për të rritur Prodhimin e Brendshëm.

“E kemi rritur goxha, e kemi pasur më pak se 10 miliard, e kemi çuar 27, unë dua ta çojmë 35 deri në fund të dekadës. E dini sa e impakton Prodhimin e Përgjithshëm ky investim? Llogariteni vetë, ne e kemi 27 miliardë, 4 miliardë është investimi dhe nuk është vetëm vlera që krijohet nga investimi vet, po janë të gjitha ato që vijnë mbrapa. 10.000 të punësuar”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se investimi do të sjellë përfitime zinxhir edhe për bujqësinë shqiptare.

“Po bujqësinë si do ta mbështesim, si do ta e ndihmojmë ne? E dini sa ushqim duhet për këto investime? Po ku do t’i marrin ata? Ndërkohë që shikojeni “powerholding.com”, është holding-u që ka kompaninë më të madhe të agro-ushqimit dhe biznesit në Lindjen e Mesme dhe një nga pjesët e planit është stimulimi dhe lidhja e marrëdhënieve me fermerët për të dhënë ushqimin bio të Shqipërisë. E kuptoni se çfarë lloj fabrike ndërtohet atje për ekonominë tonë?”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se projekti në Zvërnec parashikon pastrimin e lagunës dhe  shtimin e brezave të tërë me pemë, rëre, ishuj të vegjël.

“Është diçka krejt tjetër. Lëreni të mbarojnë punën! Pastaj gjykoni, këtu jemi prapë, s’ka problem. Nëse s’do ju pëlqejë projekti, shkoni edhe merreni me guna përmbi tela, gunat aty janë. Ne nuk mund ta lëmë këtë debat, të bëhet një debat për një kompani private hajvanësh të sigurisë që na morën fytyrën të gjithëve si vend në fakt, edhe pse unë nuk do isha aq i lumtur kur i shikoja ato pamje që i shpërndan bota. Se për botën është bukur shumë që të na tregojë ne, “ja këta janë ata të vërtetët”, po këtë nuk e marrin parasysh këta manipulatorët tuaj”, shtoi Rama.

Por sipas tij, “ky nuk është debat as për kompaninë e sigurisë, as për Shefqet Kastratin, por është debat për çfarë Shqipërie duam nesër. Patjetër që është një projekt i madh, ka risqet e veta. A jemi të gatshëm që të punojmë për këtë duke i mitiguar të gjitha risqet edhe duke bërë më të bukurën për atë vend, për vendin tonë, për popullin tonë, për fëmijët tanë. Kjo është sfida jonë dhe për këtë duhet të angazhohemi, është kollaj të bësh të kundërtën”, shtoi Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se “nuk kemi asnjë luftë dhe asnjë dilemë lidhur me ata që protestojnë”.

“Dhe mos e harroni asnjëherë ditën që do të më shkonte në mendje t’ju tradhtoja, do largohesha kokulur dhe nuk do rrija më këtu”, u shpreh Rama

/m.m/j.p/

The post Rama: Turizmi elitar rrit të ardhurat për buxhetin, përfitime zinxhir për ekonominë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Do të revoltohesha edhe unë njësoj nga tërheqja zvarrë e protestuesit në Zvërnec, akt i neveritshëm

TIRANË, 1 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste reagoi sot lidhur me situatën e krijuar për investimin e zonës së Zvërnecit, ndërsa e konsideroi të neveritshëm aktin e  tërheqjes  zvarrë të njërit prej protestuesve.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë të gjithë atyre që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër tij personalisht, pasi panë aktin e neveritshëm.

“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë, madje ju siguroj se në vendin tuaj dhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit”, tha Rama.

Sipas tij, është e tmerrshme që disa roje private sigurie në sytë e Policisë së Shtetit, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vetë.

“Ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar e pastaj Polica të thoshte që i zvarrituri u fut vetë në pronën private dhe në këtë mënyrë ta relativizonte dhunën. Ndërkohë që duhet t’i kishte arrestuar aty në vend ata që morën zvarrë protestuesin”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se i mirëkupton të gjithë ata që kanë reaguar dhe mbase duke pasur parasysh se çfarë ka bërë kur ishte në anën tjetër të barrikadës do të kishte bërë edhe më keq se ata.

(vijon)

The post Rama: Do të revoltohesha edhe unë njësoj nga tërheqja zvarrë e protestuesit në Zvërnec, akt i neveritshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: PS zëdhënëse e pajtimit, jo e përçarjes dhe hakmarrjes

TIRANË, 30 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se PS është forca politike që ka mishëruar vullnetin për të ndërtuar dhe jo instiktin për të shkatërruar.

Në takimin e zhvilluar në Lezhë për 35-vjetorin e PS-së, Rama tha se PS është forca politike që ka qenë gjithmonë zëdhënëse e pajtimit, e afrimit, e bashkëpunimit dhe jo e përçarjes, e ndarjes dhe e hakmarrjes.

“Sot e gjithë ditën, PS është një forcë politike që ka mishëruar qytetarinë europiane dhe jo hakmarrjen primitive”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se kundërshtarët politikë e kanë kthyer Shqipërinë në një vend të përçarë.

“Një përçarje që shkoi deri në fshatin më të largët ku edhe fqinjët filluan të mos i flasin më njëri-tjetrit në emër të partive. Këtë përçarje e mbollën dhe e ushqejnë dhe sot e gjithë ditën ata që PS i ka pasur gjithmonë përballë. Sot në fakt i kemi mbrapa, sepse përpara kemi vetëm objektivin historik, majën ku do të vendosim flamurin e Gjergj Kastriotit edhe të Ismail Qemalit në oborrin e shtëpisë europiane”, shtoi Rama.

Sipas tij, vetëm PS ka një raport të drejtë me shoqërinë.

“Ne nuk i ndajmë njerëzit, nuk i kemi ndarë kurrë në të tanët dhe të tyret. Pavarësisht se edhe në PS jo të gjithë janë të lumtur kur shikojnë se si dyert hapen edhe për ata që vijnë nga rrugë të tjera të jetës politike. Prapë se prapë ata ndjehen në shtëpinë e tyre kur vijnë në shtëpinë tonë dhe bëhen pjesë e jona dhe të gjithë së bashku çojmë përpara projektin e transformimit të Shqipërisë”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “kjo nuk ndodh në anën tjetër ku njerëzit janë trajtuar si armiq”.

“Janë trajtuar si armiq socialistët që e përfaqësuan në fillimet e veta PS-në. Nuk kishin asnjë mundësi të kishin kushte të barabarta konkurrence. Kishte vetëm një ekran, ekrani i bardhë e zi i Radio Televizionit shtetëror, ku gëlonte propaganda kundër PS-së dhe ku edhe kur një përfaqësues i PS-së dilte në lajme, nuk dilte me zërin e vet, por figura mbulohej me komente denigruese për PS-në”, tha Rama.

Rama kujtoi se opozita e asaj kohe e pati kryetarin në burg për një kohë të gjatë, të futur me dhunën e një drejtësie politike.

“Një drejtësi politike e asaj kohe kur PS nuk arriti dot të nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve pluraliste, sepse zgjedhjet nuk ishin pluraliste. Zgjedhjet ishin zgjedhje të kontrolluara me shkop gome dhe me shkop gome u rrahën e u masakruan përfaqësuesit e partisë tonë, gjë që sot është e paimagjinueshme për të gjithë të rejat dhe të rinjt që janë këtu”, tha Rama.

/a.f/

The post Rama: PS zëdhënëse e pajtimit, jo e përçarjes dhe hakmarrjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: PS nuk ka lëvizur asnjëherë nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar

TIRANË, 30 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se “PS nuk ka lëvizur asnjëherë nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar”.

Në takimin e zhvilluar në Lezhë për 35-vjetorin e PS-së, Rama vlerësoi rolin e atyre që me kurajo morën vendimin për ta shkëputur PS-në nga e shkuara dhe për ta kthyer me sytë nga e ardhmja.

“35 vjet janë pak për historinë, por janë shumë për të parë dhe për të kuptuar jo vetëm peshën, por edhe impaktin e jashtëzakonshëm që ka pasur PS në jetën e vendit. Mbi të gjitha për të kuptuar vlerën e shtuar që PS ka sjellë duke ju qasur në një mënyrë të pa diskutueshme e të drejtë interesit tonë kombëtar”, tha Rama.

Rama theksoi se edhe pse duket e zakonshme dhe normale që një forcë politike të ketë një qëndrim solid, të palëkundur dhe të kthjellet në raport me interesin kombëtar, kjo nuk ndodh.

“Po të ishte kaq e zakonshme do të ishte karakteristikë e të gjitha forcave politike në Shqipëri, por kjo është karakteristikë e vetëm një force politike, PS-së”, shtoi ai.
Rama solli në vëmendje shembuj që sipas tij, i dallojnë si dita me natën PS-në me kundërshtarët e saj politikë.

PS, sipas tij, “gjendet përballë një fronti kundërshtarësh që nuk lënë gjë pa thënë ndaj përfaqësuesve të saj”.

“Do të jenë ata që janë humbësit kronikë dhe shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare dhe ata e sulmuan brutalisht PS-së si parti e lidhur me Serbinë, si parti shërbëtore e Beogradit. Por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër, që pikërisht ata që rrihnin gjoksin ditën dhe gjuanin me gurë PS-në, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Sllobodan Milosheviçit dhe furnizonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik”, kujtoi Rama.

Ndërkohë, sipas tij, PS qysh në ditën e parë të marrjes në dorë të frenave të vendit pas katrahurës së paimagjinueshme të vitit ‘97 u bë mbështetja më e fortë, më e palëkundur dhe mbështetja e përhershme e UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës.

“Çlirimtarët e Kosovës trajtoheshin si terroristë dhe përndiqeshin në Tiranë nga ata që sulmonin PS-në si e shitur tek Beogradi. Ndërkohë që po të njëjtët gjetën në Tiranë mbështetjen më të madhe jo vetëm morale, por të gjithanshme për ta çuar përpara kauzën e tyre, betejën e tyre dhe për ta fituar në fund së bashku me aleatët e mëdhenj të Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve”, tha Rama.

Rama tha se PS është e vetmja forcë politike që u krijua si një shëmbëlltyrë e vendosmërisë për të ndarë të shkuarën me të ardhmen dhe për ta kthyer drejtimin nga e ardhmja.

“PS mbeti e vetmja forcë që diti të ruaj me të shkuarën një marrëdhënie dinjiteti kombëtar dhe një marrëdhënie vërtetësie historike, sepse u bë njëkohësisht edhe forca që kurrë nuk lejoi që të përdhosej Lufta Nacional Çlirimtare”, shtoi Rama.

/a.f/

The post Rama: PS nuk ka lëvizur asnjëherë nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD krijon me IA avatarin e Skënderbeut

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Në punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike u prezantua edhe avatari i Skënderbeut, i krijuar me inteligjencë artificiale.

Ky avatar është krijuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale i Partisë Demokratike.

“Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë: që nga pushtimi otoman askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar. Në fund, më lejoni që t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje, jo vetëm e Ripërtëritjes, por edhe e Antivjedhjes”, iu drejtua avatari, Kuvendit Kombëtar të PD-së.

/m.m/a.f/

The post PD krijon me IA avatarin e Skënderbeut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha-Fassino: Angazhim për zbatimin e reformave ambicioze drejt BE-së

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një takim në Romë me Piero Fassino, Zëvendëspresidentin e Komitetit të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve të Republikës Italiane, si dhe President i Komitetit të Ballkanit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Hoxha vlerësoi se Fassino është një mik i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, dhe një mbështetës aktiv dhe i palodhur i integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor.

Në qendër të diskutimit ishin progresi i Shqipërisë në procesin e pranimit në BE, angazhimi ynë i palëkundur për zbatimin e reformave ambicioze, përfundimi me sukses i standardeve që çuan në miratimin e IBAR, dhe puna që na pret drejt mbylljes së kapitujve negociues.

Gjithashtu Hoxha bëri të ditur se në takim u shkëmbyen mendime mbi ritmin dhe afatet kohore të procesit të zgjerimit, duke riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së momentumit aktual dhe për të përparuar me vendosmëri drejt objektivit tonë strategjik për përfundimin e negociatave brenda kësaj dekade.

Hoxha theksoi se ky nuk është vetëm një prioritet kombëtar, por edhe përmbushja e aspiratës europiane që breza të tërë shqiptarësh e kanë mbartur dhe punuar për shumë vite.

“Ne ramë dakord që zgjerimi mbetet një nga politikat strategjike më të suksesshme të Bashkimit Evropian, e aftë të nxisë transformimin, stabilitetin dhe prosperitetin. Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal, forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe avancimit të integrimit evropian të të gjithë rajonit”, tha Hoxha.

Sipas tij, në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, një rajon i sigurt, i qëndrueshëm dhe i begatë është një imperativ strategjik për sigurinë, unitetin dhe besueshmërinë e Evropës në tërësi.

“Ne ramë dakord që momentumi i ripërtërirë i zgjerimit të BE-së përfaqëson një mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të gjitha vendet e rajonit përmes reformave, dialogut dhe bashkëpunimit të zgjeruar rajonal”, u shpreh ministri.

/m.m/a.f/

The post Hoxha-Fassino: Angazhim për zbatimin e reformave ambicioze drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, finalja e turneut ndërkombëtar të padelit në Tiranë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Finalja e turneut ndërkombëtar të padelit, “Fip Platinum Albania” do të zhvillohet sot në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Turneu, i cili po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka sjellë në Tiranë disa nga emrat më të njohur të padelit ndërkombëtar, duke e kthyer sheshin qendror të kryeqytetit në një arenë të madhe sportive.

Sheshi “Skënderbej” është transformuar plotësisht në një arenë moderne sportive, ku është ngritur infrastruktura teknike dhe fusha e garës, duke krijuar kushtet për zhvillimin e këtij kompeticioni të nivelit të lartë ndërkombëtar.

FIP Platinum konsiderohet një nga kategoritë më prestigjioze të kalendarit ndërkombëtar të Federatës Ndërkombëtare të Padelit (FIP).

Kryeministri Edi Rama ftoi sot sportdashësit të bëhen pjesë e atmosferës festive dhe të ndjekin nga afër ndeshjen finale, e cila pritet të ofrojë spektakël dhe emocione.

“Me ftesën që pas finales së madhe të UEFA Champions League të shijoni finalen e turneut ndërkombëtar të padelit, Fip Platinum Albania sonte në Sheshin Skënderbej”, u shpreh Rama.

Prej pesë ditësh, sheshi “Skënderbej” është kthyer në një “arenë” gare dhe emocionesh, për të gjithë dashamirësit e sportit të padelit.

Si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive ndërkombëtare, “FIP Platinum Albania” ka sjellë në kryeqytet lojtarë ndërkombëtarë të nivelit të lartë, ndeshje spektakolare dhe një atmosferë festive në zemër të Tiranës.

Gjatë pesë ditëve të aktivitetit, publiku ka pasur mundësinë të ndjekë nga afër përballjet e sportistëve ndërkombëtarë në një arenë të ngritur posaçërisht në qendër të kryeqytetit.

FIP Platinum, niveli më i lartë i CUPRA FIP Tour, konsiderohet një nga turnetë më prestigjioze të padelit në botë, me pjesëmarrjen e sportistëve elitarë dhe një fond çmimesh që varion nga 120 mijë deri në 150 mijë euro, si dhe 300 pikë për renditjen botërore për fituesit.

Sakaq, turneu “FIP Platinum Albania” promovon Shqipërinë si destinacion për evente sportive ndërkombëtare duke sjellë një tjetër aktivitet me rëndësi për turizmin dhe sportin në vend.

 

1 nga 9
Screenshot
Screenshot
Screenshot
Screenshot
Screenshot

/m.m/a.f/

The post Sot, finalja e turneut ndërkombëtar të padelit në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, ku pritet të votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

Fillimisht pritet që delegatët të votojnë për komisionin e drejtimit të punimeve të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik. Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit do të përbëhet nga Ivi Kaso, kryetar; Floriana Garo; Bardh Spahia; Eliona Shkreli; Nada Meçorpaja.

Përveç fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, gjatë punimeve të Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, pritet të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore, të cilat do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.

Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë.

Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme.

Sipas medieve në Kuvendin Kombëtar të PD-së do të ketë edhe të ftuar ndërkombëtarë të cilët do të mbajnë edhe fjalë, si dhe do të ketë disa videomesazhe.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar vjen menjëherë pas konfirmimit me 37 mijë e 341 vota, të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.

/m.m/a.f/

The post PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha takon kreun e komunës Tetovë: Nevojë për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot në një takim Bilall Kasamin, kryetar i Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht kryetar i partisë “VLEN”.
Gjatë takimit, u diskutua mbi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar, sfidat aktuale politike në rajon, si dhe mbi rëndësinë e koordinimit më të madh të faktorit politik shqiptar në funksion të interesave kombëtare dhe të ardhmes sonë të përbashkët europiane.
Berisha informoi se temë e takimit ishte edhe perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian, zhvillimet politike në rajon dhe domosdoshmërinë që shqiptarët të kenë një zë të fortë, të bashkuar dhe vizionar në proceset që lidhen me të ardhmen e rajonit dhe të kombit tonë.
“U dakordësuam të vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin me synimin për të forcuar më tej marrëdhëniet politike dhe institucionale mes faktorëve shqiptarë në rajon, në shërbim të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit europian”, bëri të ditur Berisha.
/m.m/j.p/

The post Berisha takon kreun e komunës Tetovë: Nevojë për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla me të rinjtë e njësisë 5: PS, forca që e çon Shqipërinë drejt BE-së

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla zhvilloi një takim me anëtarë dhe të rinj të njësisë 5 në Tiranë, ku u theksua rëndësia e angazhimit të brezit të ri në rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se të rinjtë që i bashkohen sot Partisë Socialiste e dinë se kjo forcë politike ka qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë dhe të rrugës europiane të vendit.

“Sot kemi një numër të konsiderueshëm të rinjsh që i bashkohen Partisë Socialiste dhe kjo është një përgjegjësi edhe më e madhe për ne. Partia Socialiste është forca politike që me vendimet, qëndrimet dhe veprimet e saj ka qenë gjithmonë në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Balla u ndal tek rëndësia e procesit të integrimit në BE, ku theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 është një ambicie politike që mbështetet tek vullneti i shumicës qeverisëse dhe angazhimi i kryeministrit Edi Rama.

“Ambicia jonë për të mbyllur negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm nuk varet vetëm nga aspekti teknik, por mbi të gjitha nga vullneti politik i kësaj qeverie dhe i kësaj shumice për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Balla.

1 nga 3

/m.m/j.p/

The post Balla me të rinjtë e njësisë 5: PS, forca që e çon Shqipërinë drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: PS do ta hapë “tunelin” e BE-së përfundimisht për Shqipërinë

TIRANË, 29 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se ashtu sikurse PS bëri realitet rrugën e Arbrit, ashtu do të bëjë realitet edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas Ramës, PS-në e ka karakterizuar gjithmonë prirja për të ndërtuar dhe gjithmonë ka qenë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit.

“Po aq e vështirë dhe po aq e pamundur sa dukej rruga e Arbrit, po aq e vështirë dhe po aq e pamundur duket rruga për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe po ju them siç e bëmë njërën do bëjmë dhe tjetrën”, u shpreh ai.

Duke bërë një paralelizëm me ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Rama siguroi se Shqipëria do të jetë e lidhur me Europën siç është sot Dibra e lidhur me Tiranën që është bërë jastëku i gjelbër i Tiranës.

“Siç nuk u tërhoqëm kur edhe gjeologjia na doli kundër dhe na bllokoi për një kohë të gjatë tek tuneli i Murrizit që detyruam pastaj ta bëjmë hap pas hapi, ashtu ne e kemi bërë deri tani dhe do ta bëjmë deri në fund edhe rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe edhe ai tunel do hapet përfundimisht për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, tha Rama.

Rama tha se në raport me shoqërinë, PS-në e ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe fryma e njerëzillëkut, ndërsa forca tjetër politike karakterizohet nga ndasia dhe përçarja.

“Ndërsa ata, që Partia Socialiste ka pasur dhe tani s’i kam më përballë, se i ka mbrapa, kanë qenë gjithmonë mishërimi i përçarjes edhe i urrejtjes, i ndarjes së shqiptarëve në këtej dhe andej, në demokratë dhe në komunistë, në njerëz të demokracisë dhe njerëz të diktaturës. Një ndasi, një përçarje, një poshtërsi që u shtri deri në fshatin më të largët ku zihej komshiu me komshiun për partinë”, tha Rama.

Rama tha se PS karakterizohet nga toleranca jo sepse është më e butë dhe nuk di të reagojë, , por sepse ne jemi qytetar të Europës në radhë të parë një herë këtu në shpirt pastaj jemi edhe europianë këtu në mendje.

“Ne jemi qytetarët e Europës, ne socialistët edhe kur jemi në maj të maleve, edhe kur jemi në fund në cepin më të largët Shqipërisë, qytetarin më europian dhe e them pa asnjë ekzagjerim në të gjitha qindra e mijëra kilometra e mia xhiro rreth Shqipërisë gjithë këto vite e kam gjetur mbi 100 vjeç në kalanë e Dodës. Për të ardhur tek rrëmuja dhe tek hakmarrja, çfarë na dallon si dy botë me të tjerët ne këtu në skenën politike shqiptare na dallon pikërisht dëshira, pasioni dhe vullneti për rregullin dhe angazhimi i paepur për shtetin e së drejtës, për drejtësinë me çdo kosto”, shtoi ai.

Rama theksoi se PS është forca politike që mori përsipër të dorëzonte pushtetin gjyqësor tek prokurorët dhe gjykatësit dhe të tërhiqej nga një territor duke ndarë në realitet atë që Kushtetuta e ka ndarë prej kohësh në letër.

“Demokracia nuk funksionon nëse nuk ka tre pushtete të ndara dhe ne po bëjmë demokracinë të funksionojë pavarësisht të gjitha vështirësive dhe pavarësisht të gjitha kostove. Prandaj edhe kush na hidhet në fyt duke na treguar se sa veta u burgosën e sa veta u hetuan, e sa veta janë të përfshirë këtu e janë të përfshirë atje dhe pastaj habitet kur del rezultati nga kutitë e votimit, është kaq imbecil sa nuk kupton që populli shqiptar në shumicë, duke qenë një popull europian në shpirt dhe në Europë në mendje, e kupton që te gjitha këto janë kostot e një ndërmarrjeje historike që mund ta bënte dhe mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë”, shtoi Rama.

Rama theksoi se këto janë prova që drejtësia që ne po mbështesim që të ndërtohet nuk është lojë, është reale.

“Dhe kur një pushtet pranon të goditet nga një pushtet tjetër si pushteti i drejtësisë dhe nuk reagon për ta shkelur me këmbë siç mund ta kishte shkelur dhe siç e ka shkelur me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra vite, atëherë rruga e vendit është rrugë e sigurt, rruga e lirisë është rrugë e sigurt, rruga e të drejtave dhe e barazisë para ligjit është rrugë e sigurt. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.

The post Rama: PS do ta hapë “tunelin” e BE-së përfundimisht për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌