Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayCitizens.al

Kapja e shtetit përmes territorit

27 June 2026 at 19:07

Vjen një moment kur propaganda rrëzohet nga pesha e vet. Mjafton një dokument publik, i lexueshëm nga të gjithë, që fabula të mos arrijë më të mbajë peshën e realitetit. Kjo ndodhi pas rezolutës së Parlamentit Evropian të 17 qershorit 2026, e cila kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Për disa ditë, qeveria u përpoq ta tregonte ndryshe historinë. Por vendimi ishte transparent dhe faktet ishin kokëforta. Sipas Hannah Arendt gënjeshtra ka autorë, ndërsa e vërteta dëshmitarë. Në këtë rast, duket se dëshmitarët ishin shumë më tepër se autorët e fabulës së ndërtuar rreth këtij vendimi.

Qysh prej 1 Qershorit, dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë përpara Kryeministrisë kundër mënyrës se si po qeveriset vendi. Dy javë më pas erdhi edhe rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila i vendosi Shqipërisë një kusht të qartë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian: Mbrojtjen e territorit. Por dhjetë ditë pas këtij vendimi, Kuvendi i Shqipërisë vijon të mos mbajë një qëndrim. Avokati i Popullit, hesht. Ndërsa Presidenti i Republikës reagoi vetëm pas 25 ditësh, me një deklaratë të shkruar, pasi kishin folur qytetarët, organizatat, ekspertët, opozita dhe vetë Parlamenti Evropian. Kjo renditje tregon se impulsi politik nuk erdhi nga institucionet, por nga vetë shoqëria.

Por, Rezoluta e Parlamentit Evropian nuk shpjegon pse Shqipëria arriti deri në këtë pikë. Ajo vetëm konfirmon se problemi ekziston por pyetja mbetet:

Si arritëm deri këtu?

Nëse e vërteta mbi pasojat në territor tashmë është dokumentuar publikisht, pse qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur? Çfarë e bën atë të besojë se mund të injorojë një kritikë kaq të qartë nga institucionet Evropiane? Përgjigjja nuk duhet kërkuar te komunikimi politik i ditës, por te mënyra se si është ndërtuar marrëdhënia midis pushtetit, territorit dhe interesit privat.

Për tridhjetë e pesë vjet me radhë, konfliktet mbi territorin kanë pasur pothuajse gjithmonë të njëjtin epilog: qytetarët protestojnë, ekspertët paralajmërojnë, opozita kundërshton, ndërsa projekti ecën përpara. Kjo ka ndodhur me tokën, bregdetin, hapësirat publike, trashëgiminë kulturore dhe, së fundmi, me zonat e mbrojtura. Ky model nuk lindi me debatin për zonat e mbrojtura, por ai është ndërtuar gradualisht gjatë gjithë tranzicionit.

Kryeministri e ka përshkruar dikur me shkurtesën KÇK – “kap ç’të kapësh” – për të ironizuar një kulturë përfitimi që kishte zënë vend në jetën publike. Por kur bëhet fjalë për territorin, kemi kaluar në një fazë tjetër, pasi nuk kemi më vetëm individë që përpiqen të përfitojnë nga dobësia e shtetit. Jemi përballë një situate ku vetë shteti, i drejtuar nga qeveria, përdor instrumentet e tij për t’i hapur rrugë këtij përfitimi.

Rasti i Teatrit Kombëtar e bëri të dukshëm për herë të parë këtë mekanizëm. Konflikti nuk ishte vetëm për një ndërtesë historike. Ai zbuloi mënyrën se si shteti përdorte instrumentet e tij për të favorizuar interesin privat mbi tokën publike. Publiku u përjashtua nga vendimmarrja, protesta u injorua dhe, në fund, u dhunua. Me shembjen e teatrit nuk u mbyll një konflikt; u konsolidua një model qeverisjeje territoriale që më pas do të shtrihej në pjesë të tjera të vendit.

Në këtë dritë duhen parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Ato nuk prekën vetëm procedurat; ato ndryshuan vetë kuptimin e mbrojtjes. Ashtu si më parë ishte riinterpretuar zona e mbrojtur e Ansamblit Historik dhe Kulturor të Tiranës, edhe kufijtë e zonave natyrore filluan të trajtohen si vija që mund të ridizenjohen me vendim administrativ. Rasti i Vjosë-Nartës, ku një pjesë e territorit u hoq nga mbrojtja për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, krijoi një precedent domethënës: mbrojtja nuk u trajtua më si një kufi i pakalueshëm, por si një kategori e negociueshme. Pas këtyre ndryshimeve, zonat e mbrojtura nuk u konceptuan më vetëm si hapësira që duhet të ruhen nga ndërhyrja e njeriut, por si hapësira ku ndërhyrja mund të konsiderohet e pranueshme nëse etiketohet si “zhvillim”. Në këtë mënyrë, togfjalëshat “zhvillim” dhe “resort turistik elitar” nuk shërbyen vetëm si objektiva ekonomike; ato u shndërruan në instrumente për të riformuluar vetë kuptimin e mbrojtjes.

Paradoksi bëhet i dukshëm. Turisti që pushon në një resort me pesë yje nuk konsiderohet aktivitet njerëzor problematik për zonën e mbrojtur, ndërsa qytetari që kërkon të kalojë disa ditë në një kabinë të vogël druri trajtohet si kërcënim për të njëjtin territor. Në këtë mënyrë nuk mbrohet natyra, por krijohen territore ekskluzive, ku vetë shteti përzgjedh kush hyn, kush përfiton dhe kujt i ndalohet qasja.

Në Zvërnec ky paradoks mori formën e tij më konkrete. Tërheqja zvarrë e një banori nga persona të maskuar, përtej aktit të dhunës, tregoi mënyrën se si ushtrohet pushteti në territore që formalisht janë private, por që në praktikë funksionojnë si zona përjashtimi për qytetarët. Shpërfaqi për herë të parë fytyra pas „interesit privat“, të dhunojnë në sytë e policisë pa ju dridhur qerpiku. Pushtet ekstraligjor.

Por Zvërneci nuk është një rast i izoluar. Ai është manifestimi më i dukshëm i një modeli më të gjerë qeverisjeje territoriale, ku vendime me ndikim të madh publik merren në funksion të interesave të ngushta private dhe më pas mbrohen nga aparati institucional i shtetit. Konfliktet që kanë shoqëruar projektet në territor gjatë dekadës së fundit nuk janë episode të shkëputura. Ato janë shprehje të së njëjtës logjikë vendimmarrjeje.

Në Zvërnec shfaqet edhe një nga kontradiktat më të mëdha të tranzicionit shqiptar: e drejta e pronës private. Për qytetarët e zakonshëm ajo ka qenë për dekada e mohuar, e vonuar dhe e cenuar; ndërsa bëhet pothuajse e paprekshme dhe me të drejta absolute kur lidhet me pushtetin politik dhe ekonomik. Gardhi me gjemba nuk ndau vetëm një pronë. Ai ndau interesin publik nga privilegji privat dhe tregoi se territori po fragmentohet në hapësira ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

Kjo logjikë nuk kufizohet te resortet e kontestuara. Ajo shfaqet në zhvillime të ndryshme ku fuqia ekonomike dhe mbështetja politike krijojnë privilegje të paarritshme për qytetarin e zakonshëm. Teatri Kombëtar, Butrinti, Palasa, Durrës Marina, Lalëzi, Tala dhe Rrjolli etj., janë raste të ndryshme të së njëjtës mënyrë të ushtrimit të pushtetit mbi territorin. Kur shihen veçmas, këto raste duken si konflikte të ndryshme. Të marra së bashku, ato zbulojnë të njëjtin mekanizëm: kapjen e shtetit përmes territorit.  Instrumentet e shtetit – ligji, planifikimi, lejet, institucionet dhe autoriteti publik – nuk përdoren më kryesisht për të mbrojtur interesin e publikut, por për të prodhuar dhe garantuar përfitime private në territor.

Por problemi nuk është prona private. Problemi është shteti.

Në momentin kur arbitri zbret në fushë dhe luan për njërën skuadër, loja pushon së qeni e drejtë. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me kryeministrin dhe disa ministra anëtarë, është krijuar për të mbrojtur interesin publik, sipas kuadrit ligjor të Planifikimit dhe Zhvillimit të territorit. Megjithatë, në debatin për zonat e mbrojtura publiku ka dëgjuar shumë për interesin e investitorëve dhe shumë pak për atë publik. Ky i fundit është përmendur vazhdimisht si përfitues i zhvillimit të pretenduar, por rrallëherë është shpjeguar dhe asnjëherë është provuar.

Kur shteti pushon së vepruari si rojtar i interesit publik dhe bëhet palë me interesa te grupeve apo individëve, besimi te institucionet fillon të shembet. Kjo u pa qartë edhe më 30 maj në Zvërnec, kur mbrojtja e interesit privat u perceptua si mbrojtje e vetë shtetit. Ky ndryshim i rolit të qeverisë – nga mbrojtëse e territorit dhe interesit publik në mbrojtëse të interesave private – ka lënë pasoja të thella. Ai ka dobësuar shtetin e së drejtës, ka cënuar besimin te institucionet dhe ka krijuar territore ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

Gardhi i Zvërnecit u bë simbol pikërisht sepse bëri të dukshme atë që zakonisht mbetet e fshehur: dorëzimin e shtetit ndaj interesit privat dhe, në këtë rast, ndaj interesave të grupeve kriminale. Për këtë arsye, debati për zonat e mbrojtura nuk është vetëm debat për natyrën, as vetëm debat për turizmin. Është debat për mënyrën se si merren vendimet mbi tokën shqiptare, në interes të kujt merren ato dhe për rolin e shtetit në mbrojtjen e interesit publik.

Zvërneci nuk është më vetëm emri i një vendi. Është emri i një modeli qeverisjeje, ku territori pushon së qeni një e mirë e përbashkët dhe kthehet në objekt negocimi e privilegji. Kjo është arsyeja pse zemërimi i qytetarëve nuk buron vetëm nga një ligj apo nga një projekt i vetëm. Ata e kuptojnë se në lojë nuk është thjesht një zonë e mbrojtur.

Në lojë është vetë ideja e Republikës.

Sepse, nëse toka, natyra dhe pasuritë e përbashkëta qeverisen sipas interesit të më të fortit, atëherë kemi pranuar kapjen e shtetit përmes territorit. Nëse jo, territori mbetet ajo që duhet të jetë në një demokraci: një e mirë e përbashkët që administrohet në emër të të gjithëve dhe jo në favor të disave.

Mënyra se si qeveriset territori është mënyra se si qeveriset Republika.

The post Kapja e shtetit përmes territorit appeared first on Citizens.al.

Nga gardhi te sheshi

13 June 2026 at 17:50

Për dekada me radhë gjatë diktaturës, Shqipëria ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba. Kufijtë e saj ruheshin me bunkerë, posta kontrolli dhe armë të drejtuara jo vetëm ndaj botës së jashtme, por edhe ndaj qytetarëve të vet.

Gardhi ishte simboli më i qartë i një regjimi që nuk qeveriste përmes besimit, por përmes izolimit, kontrollit dhe përjashtimit. Sot askush nuk po ngre tela me gjemba në kufijtë e Republikës. Por logjika e gardhit është rikthyer brenda saj, por sot nuk po gardhohet më Shqipëria nga bota, por shqiptarët nga Shqipëria.

Gardhi është ndoshta elementi më politik i ndërtimit. Ai mbulon territore, izolon hapësira, fragmenton tokën dhe krijon privilegje. Për vite me radhë kemi parë gardhe kantierësh që kanë copëzuar qytetet tona. Kanë zënë trotuare, kanë zhdukur lulishtet, kanë kufizuar lëvizjen dhe kanë reduktuar hapësirat ku njerëzit takohen e ndërveprojnë me njëri-tjetrin.

Sot gardhimi ka mbërritur edhe në plazhe si Rrjolli, Manastiri, Palasa, Dhërmiu edhe në zona të mbrojtura si Vjosë – Narta, sikur privatizimi i hapësirës të ishte modeli i vetëm i zhvillimit që i ka mbetur Shqipërisë. Por gardhi që mbron një interes privat duke mobilizuar të gjithë autoritetin e shtetit për ta mbrojtur, nuk nisi në Zvërnec. Gardhimi si instrument pushteti është një proces shumë më i vjetër.

Gardhe ka pasur gjithmonë. Ajo që ka ndryshuar është funksioni i tyre. Në një demokraci, shteti vendos kufij për të mbrojtur interesin publik. Në Shqipërinë e viteve të fundit kemi parë shpesh të kundërtën: interesi publik është mbajtur jashtë gardhit, ndërsa shteti është vendosur në shërbim të atyre që ndodhen brenda tij.

Teatri Kombëtar ishte ndoshta momenti kur kjo logjikë u shfaq hapur para syve të të gjithëve. Nuk ishte thjesht prania e policisë. Ishte përdorimi i gjithë fuqisë së shtetit për të mbrojtur me gardhe policore, një vendim të kontestuar publikisht, ndërsa qytetarët që kundërshtonin përjashtoheshin me forcë nga hapësira që e konsideronin të tyren. Gardhi nuk ishte më një strukturë fizike, por vetë pushteti.

Zvërneci e çoi këtë logjikë një hap më tej. Nëse te Teatri gardhi kishte formën e kordonëve policorë, në Zvërnec ai mori formën e telave me gjemba, policisë private dhe një territori të ndaluar për vetë qytetarët.

Por ajo që e bëri edhe më domethënës këtë rast ishte fakti se vetë Policia e Shtetit dukej sikur kishte mbetur jashtë gardhit. Për herë të parë nuk ishte vetëm qytetari ai që përjashtohej nga territori. Edhe autoriteti i shtetit dukej i kufizuar prej tij. Qytetarë u dhunuan para syve të policisë nga persona të tretë, ndërsa policia u shfaq e pafuqishme për të ndërhyrë. Brenda gardhit vepronin të tjerë; jashtë gardhit qëndronte shteti.

Ky është ndoshta momenti kur gardhi pushon së qeni një strukturë fizike dhe shndërrohet plotësisht në një instrument pushteti. Sepse nuk përcakton më vetëm kush hyn dhe kush del. Përcakton edhe se kush ka të drejtë të ushtrojë autoritet dhe kush jo.

Nëse te Teatri policia ishte vetë gardhi, në Zvërnec gardhi dukej sikur kishte fituar autonomi edhe ndaj vetë policisë. Dhe kjo është një situatë shumë më shqetësuese. Sepse nënkupton se territori nuk po administrohet më sipas rregullave të shtetit të së drejtës, por sipas një rendi paralel ku interesi që mbrohet është më i fortë se vetë autoriteti publik.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Sepse kjo mënyrë qeverisjeje ngjan më shumë me kulturën e kontrollit, izolimit dhe nënshtrimit që shqiptarët menduan se e kishin lënë pas me rrëzimin e komunizmit. Ajo ngjan më shumë me logjikën feudale të territorit si privilegj i pakicës sesa me logjikën demokratike të territorit si e mirë e përbashkët.
Për dy breza shqiptarësh të lindur pas vitit 1990, liria nuk është vetëm e drejta për të votuar. Është edhe e drejta për të hyrë në hapësirat publike, për të kundërshtuar vendimmarrjen, për të marrë pjesë në debat dhe për të mos u përballur me gardhe sa herë që ngrihet një interes privat mbi interesin e përbashkët.

Si arritëm deri këtu?

Kjo histori nuk fillon me një gardh, por me një model. Një model që prej vitit 2015 ka ndërtuar gradualisht një regjim përjashtimi mbi territorin. Në emër të investimeve strategjike janë ndryshuar ligje, janë dobësuar mekanizma mbrojtës dhe janë hapur rrugë ndërhyrjeve në zona të mbrojtura, ligatina, pyje, monumente natyre dhe peizazhe që për dekada konsideroheshin pasuri të përbashkëta.

Territoret më të vlefshme të vendit janë trajtuar gjithnjë e më shumë si mall këmbimi. Hapësira që duhej të mbroheshin për interes publik janë vënë në dispozicion të interesave private, ndërsa publikut i është kërkuar të besojë se çdo ndërhyrje është automatikisht zhvillim.

Për vite me radhë qytetarët, organizatat dhe ekspertët i kanë kundërshtuar këto procese përmes argumentit, ligjit dhe institucioneve. Prandaj, kur institucionet pushuan së dëgjuari dhe argumenti pushoi së prodhuari efekt, qytetarët morën përsipër ta mbrojnë vetë interesin publik në shesh. Ndaj dhe qëndresa qytetare në bulevard nuk është thjesht reagim ndaj një gardhi në Zvërnec, por reagim ndaj një procesi shumë më të gjatë fragmentimi të territorit, privatizimi të interesit publik dhe përqendrimi të përfitimeve në duart e një pakice.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e trajton qartë interesin publik. Ajo nuk e barazon atë me interesin privat dhe as nuk e konsideron investimin privat si formën e vetme të zhvillimit. Përkundrazi, interesi publik është parimi mbi të cilin ushtrohet pushteti dhe mbi të cilin institucionet kanë detyrimin të japin llogari. Rasti i Zvërnecit e ekspozoi qartë këtë përmbysje. Interesi privat u justifikua, u mbrojt dhe u promovua. Ndërsa interesi publik mbeti i pashpjeguar, i paprovuar dhe pa mbrojtje institucionale.

Ndoshta për këtë arsye konflikti nuk është thjesht për një territor në Nartë apo në Zvërnec. Ai është një konflikt mes dy ideve për Shqipërinë. Njëra e sheh vendin si një mozaik hapësirash të gardhuara, me akses të kufizuar dhe privilegje të rezervuara. Tjetra e sheh si një republikë të qytetarëve, ku territori, ligji dhe interesi publik nuk mbrohen me tela me gjemba, por me institucione demokratike.

Për këtë arsye qytetarët kanë dalë në shesh. Për të kujtuar se territori nuk është pronë e qeverisë së radhës. Ai është trashëgimi e përbashkët. Është pasuria që kemi marrë nga të parët dhe që kemi detyrimin t’ua lëmë brezave që vijnë. Dhe kur institucionet dështojnë ta mbrojnë këtë interes të përbashkët, qytetarët e marrin vetë përsipër ta mbrojnë. Jo vetëm Zvërnecin. Jo vetëm Nartën. Por vetë idenë se Shqipëria nuk mund të qeveriset me gardhe.

Në fund të fundit, beteja që po zhvillohet sot nuk është për një gardh. Është për të vendosur nëse Shqipëria do të mbetet një republikë e gardheve, apo do të bëhet më në fund një republikë e qytetarëve.

The post Nga gardhi te sheshi appeared first on Citizens.al.

Zvërnec-Pishë Poro: Territor i mbrojtur apo territor i negociueshëm?

30 May 2026 at 18:31

Peizazhet zakonisht nuk humbasin nga një vendim i vetëm. Ato humbasin pak nga pak. Fillimisht vjen gardhi. Pastaj infrastruktura. Më pas ndërtimi, dhe kur mbërrijnë ndërtesat, transformimi ka filluar prej kohësh.

Në Pishë Poro, shenja e parë nuk ishte një hotel. Ishin telat me gjemba.

Ato u shfaqën mes lagunës, pyllit dhe detit, në një nga peizazhet më të veçanta të bregdetit shqiptar. Por nuk ishin telat me gjemba që e hapën këtë debat. Debati ishte hapur më herët, në shkurt të vitit 2024, kur ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura ndryshuan vetë mënyrën se si shteti e sheh territorin e mbrojtur. Për herë të parë, zonat e mbrojtura nuk u trajtuan më vetëm si territore që duhen ruajtur nga zhvillimi i njeriut, por si territore ku zhvillimi mund të negociohet. Ndaj, dhe gardhi shfaqet si momenti kur ky ndryshim ligjor u bë i dukshëm në peizazh.

Prej ditësh debati publik është zhvilluar rreth pyetjes nëse investitori ka leje apo jo. Nëse ambientalistët kanë të drejtë apo jo. Nëse gardhi është i ligjshëm apo jo. Nëse prona është publike apo private. Por ndoshta këto pyetje po na largojnë nga ajo më e rëndësishmja, pasi konflikti në Pishë Poro-Zvërnec nuk është thjesht një debat mbi një investim dhe as vetëm një debat mjedisor. Ai është konflikti i parë i madh që ka shpërthyer pas ndryshimit të regjimit ligjor të zonave të mbrojtura dhe prek një pyetje shumë më të thellë: çfarë ndodh kur një peizazh që është jetuar si i përbashkët fillon të trajtohet si territor i negociueshëm për zhvillim?

Rripi i “Pishë Poro- Zvërnec”, është vetëm prova e parë e një ndryshimi shumë më të madh, dhe kjo është arsyeja pse konflikti nuk mund të reduktohet tek një investim i vetëm, aq më pak tek një emër i vetëm, i Kushner apo Trump.

Për vite me radhë sistemi i planifikimit territorial dhe legjislacioni mjedisor kanë funksionuar mbi parimin se vlerat ekologjike të këtij territori përbënin kufizim themelor për urbanizimin dhe transformimin e tij. Legjislacion ky i përafruar me atë të BE-së, si detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit. Ndryshimet e vitit 2024 e zhvendosën këtë ekuilibër. Për herë të parë, pyetja nuk ishte më nëse mund të ndërtohet në një zonë të mbrojtur, por në çfarë kushtesh dhe në çfarë mase mund të ndërtohet. Pishë Poro është rasti i parë i madh ku kjo filozofi e re po testohet në terren.

Argumenti që përsëritet më shpesh nga qeveria, më qartë dhe më me zë të lartë nga kryeministri, është se toka është pronë private. Në pamje të parë tingëllon si fundi i debatit. Por sa më shumë përsëritet, aq më shumë pyetje ngre. Askush nuk po debaton nëse ekzistojnë certifikata pronësie. Askush nuk po pretendon se toka nuk figuron e regjistruar. Ajo që mbetet e paqartë është diçka tjetër: Si u privatizuan këto territore? Si përfunduan në pronësi private hapësira që për shekuj janë perceptuar si pjesë e peizazhit të përbashkët? Si ndodhi që bregu, laguna, pylli dhe territori ndërmjet tyre kaluan nga një pasuri kolektive në një mozaik parcelash private?

Në fakt, argumenti i pronës private nuk qetëson. Përkundrazi. Ai hap një debat që Shqipëria nuk e ka diskutuar kurrë seriozisht. Sepse legjitimiteti i këtyre pronave vazhdon të endet nëpër procese gjyqësore, pretendime të mbivendosura dhe polemika që zgjasin prej vitesh. Ndaj, ankorimi i justifikimit të Kryeministrit, tek statusi i pronësisë, – që do të duhet të ishte pika më e qartë e gjithë debatit-, mbetet ende një nga pjesët më të mjegullta të tij. Në vend që të na qetësojë, argument i përdorur prej tij, na shtyn të pyesim se si u prodhua kjo pronësi, përmes cilave vendime, përmes cilave procese administrative, përmes cilave heshtje institucionale. Sepse peizazhet nuk lindin private. Ato bëhen të tilla. Dhe mënyra se si bëhen është po aq e rëndësishme sa statusi juridik që mbajnë sot.

Po aq e paqartë sa historia e pronësisë është edhe historia e procedurave që po shoqërojnë këtë zhvillim. Nga njëra anë autoritetet deklarojnë se ekzistojnë leje të miratuara. Nga ana tjetër po të njëjtat institucione pranojnë se dokumentacioni përkatës nuk është zbardhur ende, se projekti përfundimtar vazhdon të jetë në shqyrtim dhe se procesi administrativ nuk ka përfunduar plotësisht.

Se imazhet e shpërndara nga investitori, kanë ndryshuar, dhe se kemi në këtë faze vetëm një projekt ide. Vetë Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka deklaruar se leja mjedisore nuk është administruar ende, ndërkohë që punimet në terren kanë filluar. Në vend që të qartësojnë situatën, deklaratat publike kanë prodhuar një panoramë ku duket se gjithçka është e miratuar dhe njëkohësisht gjithçka vazhdon të shqyrtohet. Projekt s’ka, por punimet ndërtimore mund të fillojnë sepse ka projekt.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur flitet për ndikimin në mjedis. Nga njëra anë pranohet se projekti ndodhet në një territor ekologjikisht sensitiv, brenda një zone me status të veçantë mbrojtjeje dhe pranë ekosistemeve më të rëndësishme të bregdetit shqiptar. Nga ana tjetër argumentohet se vetë gardhi nuk ka ndikim mjedisor dhe për këtë arsye nuk përbën problem.

Por pyetja që lind natyrshëm është nëse një gardh kilometra i gjatë me tela me gjemba, i vendosur mes lagunës, pyllit dhe detit, mund të trajtohet si një objekt i izoluar nga projekti që e ka prodhuar. Sepse konflikti nuk ka të bëjë me gardhin si objekt fizik. Ai ka të bëjë me procesin territorial që gardhi paralajmëron. Në fund të fundit, transformimi i territorit nuk fillon kur ndërtohet godina e parë. Ai fillon shumë më herët, kur ndryshon aksesi, kur ndryshon peizazhi dhe kur vendosen kufij të rinj mbi një hapësirë që deri dje perceptohej si e përbashkët. Unë e kam vizituar atë zonë me studentët, por që nga 16 Maji i këtij viti, jemi të ndaluar të kalojmë.

Pikërisht për këtë arsye reagimi nuk erdhi vetëm nga organizatat mjedisore. Kjo është ndoshta shtrembërimi më i madh që po i bëhet konfliktit. Në Pishë Poro nuk protestuan vetëm ambientalistët. Protestuan banorë, peshkatarë, qytetarë të ardhur nga Vlora, Tirana dhe qytete të tjera. Njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me një organizatë. Njerëz që panë se një peizazh që e konsideronin të përbashkët po fillonte të mbyllej. Kur një gardh me tela me gjemba shfaqet në një peizazh të tillë, konflikti nuk është më vetëm mjedisor. Ai bëhet qytetar. Bëhet territorial. Bëhet politik.

Dhe pikërisht këtu fillon shqetësimi më i madh. Sepse gabimi më i madh do të ishte ta shihnim Pishë Poron si një konflikt të izoluar. Ashtu si aeroporti i Vlorës nuk është thjesht një aeroport, edhe ky projekt nuk është thjesht një resort. Të dyja janë pjesë e së njëjtës logjikë transformimi territorial. Një aeroport nuk sjell vetëm avionë. Ai sjell rrugë të reja, investime të reja, kërkesë për ndërtim, rritje të vlerës së tokës dhe presion të vazhdueshëm urbanizimi. Çdo aeroport krijon një fushë gravitacionale zhvillimi rreth vetes. Kjo është arsyeja pse planifikuesit urbanë nuk e analizojnë kurrë një aeroport si objekt të izoluar, por si katalizator transformimi për të gjithë territorin përreth.

Prandaj, ajo që po ndodh sot në Pishë Poro duhet parë në këtë kontekst më të gjerë. Në njërën anë kemi aeroportin e Vlorës, një projekt i kundërshtuar për ndikimin e tij mbi ekosistemet e Nartës dhe korridoret e migrimit të shpendëve, dhe nën hetim nga SPAK. Në anën tjetër kemi një zhvillim turistik gjigant që po projektohet në një nga pjesët më të ndjeshme të bregdetit shqiptar. Të marra veçmas mund të duken si projekte të ndryshme. Të lexuara së bashku, ato tregojnë drejtimin që po merr i gjithë territori.

Në fakt, rreziku real nuk është vetëm humbja e një pjese të Pishë Poros apo Zvërnecit. Rreziku është urbanizimi gradual i gjithë bregut verior të Vlorës. Nga Zvërneci në Nartë, nga laguna deri në vijën bregdetare, po krijohen kushtet për një efekt zinxhir ku çdo investim justifikon investimin pasardhës, çdo rrugë kërkon një rrugë tjetër, çdo resort kërkon një resort tjetër, derisa territori të mos lexohet më si sistem natyror, por si rezervë ndërtimi.

Ne e kemi parë këtë histori edhe më parë. E kemi parë në Velipojë. E kemi parë në Shëngjin. E kemi parë në Durrës, Golem, Spille, Dhërmi, Himarë, Sarandë dhe Ksamil. Kudo skenari ka qenë pothuajse i njëjtë. Fillimisht vjen infrastruktura. Më pas vjen investimi strategjik. Pas tij vijnë rrugët, parcelimet, resortet, apartamentet turistike, rritja e vlerës së tokës dhe gradualisht urbanizimi i peizazhit. Ajo që dikur ishte sistem natyror fillon të lexohet si rezervë zhvillimi.

Për këtë arsye, ndoshta termi më i saktë për të përshkruar atë që po ndodh nuk është „zhvillimi“, por „Golemizimi“. Një fenomen që prej vitesh ka ecur përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, nga Velipoja deri në Ksamil, duke e transformuar vijën bregdetare në një korridor të pandërprerë urbanizimi turistik. Sot duket se ky model po troket edhe në bregun verior të Vlorës.

Nëse dikur ligji pyeste si ta mbrojmë territorin nga zhvillimi, sot pyetja duket se është sa zhvillim mund të fusim në territor pa hequr dorë formalisht nga mbrojtja e tij. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema më e madhe. Sepse statusi i mbrojtjes nuk paraqitet më si kufi i pakapërcyeshëm. Ai paraqitet si një regjim i negociueshëm, i cili mund të ridimensionohet, të interpretohet ose të rikonfigurohet në funksion të një vizioni të ri zhvillimi.

Por, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Në vitet e fundit kemi parë se si instrumentet e mbrojtjes kanë humbur gradualisht karakterin e tyre kufizues dhe janë shndërruar në instrumente që mund të përshtaten për t’i hapur rrugë transformimit. E pamë në territorin ku u ndërtua Aeroporti i Vlorës. E pamë në Teatrin Kombëtar. E pamë në stadiumin Qemal Stafa. E pamë në „Pikën e voçkël“ të Kumbaros, në Butrint. Në secilin rast, ajo që konsiderohej e mbrojtur, e trashëguar ose e paprekshme, u bë e negociueshme.

Pikërisht për këtë arsye konflikti në Pishë Poro nuk ka të bëjë vetëm me atë që po ndodh sot. Ai ka të bëjë me besimin se kufijtë e mbrojtjes do të vazhdojnë të ekzistojnë nesër. Sepse kur çdo përjashtim justifikohet si „rast unik“, (kujto ligjin special të Teatrit),  territori fillon të jetojë në një gjendje përjashtimi të përhershëm. Dhe kur përjashtimi bëhet normë, vetë ideja e mbrojtjes humbet kuptimin.

Ndoshta pas disa vitesh në Pishë Poro do të ngrihen vila, marina dhe hotele luksoze. Ndoshta procedurat do të përfundojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Ndoshta investimi do të konsiderohet një sukses ekonomik. Por pyetja që ngre sot ky gardh nuk lidhet vetëm me këtë projekt. Ajo lidhet me modelin e zhvillimit që kanë zgjedhur për bregdetin shqiptar.

Sepse në fund konflikti nuk është për një gardh, as për një resort dhe as për një investitor të vetëm. Konflikti është për kufirin që vendosim mes zhvillimit dhe territorit. Dhe nëse sot edhe territori i mbrojtur mund të negociohet, atëherë pyetja që mbetet është e thjeshtë: a ekziston ende në Shqipëri një territor që nuk mund të negociohet?

Lexo gjithashtu:

“Ndalni punimet në Pishë Poro-Nartë!”; Protestë para Ministrisë së Mjedisit

“Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur

The post Zvërnec-Pishë Poro: Territor i mbrojtur apo territor i negociueshëm? appeared first on Citizens.al.

Teatri u shemb, spektakli vazhdon

25 December 2025 at 13:19

Teatri Kombëtar rikthehet në vëmendje pas një mungese të gjatë nga fejsbukët zyrtarë të qeverisë. Këtë herë, përmes një video-performance me “drone drop” mbi një kantier ndërtimi, i cili nuk dallon shumë nga qindra të tjerë në qytet.

Pamja promovohet si reklamë e një “pune” të premtuar që po kryhet – pra një lloj raportimi, në mungesë të llogaridhënies, – ndërsa qyteti vazhdon të ndërtohet dhe qindra leje të reja miratohen, pa pyetur askënd tjetër përveç pushtetit.

Nuk ishte një njoftim ndërtimor, por një akt simbolik: Një rikthim i kontrolluar i çështjes së Teatrit Kombëtar në ekranet e pushtetit.

Me dashje ose pa dashje, Kryeministri – dhe më pas ministri i Kulturës, e pas tyre i gjithë tabori i pushtetit, – na përsërisin prej kohësh të njëjtin mesazh: The show must go on! (Spektakli duhet të vijojë!), për sa kohë ata janë aktorët kryesorë në skenën e pambaruar të teatrit.

Në fakt, e gjithë qeverisja Rama 1, 2 dhe 3 ka funksionuar si skenë e madhe teatrale, ku vetë teatri u shndërrua në njësi marketingu, ndërsa “star-arkitektët” në kukullat e teatrit prej letre.

Faksimile e videos së qeverisë, ku dallohet kantieri i Pixel Tower në të majtë.

Kjo ndodhi pikërisht në mungesë të teatrit si zhanër kritik, si kundër-forcë e pushtetit. Kur teatri real u zhduk, u fshi, u shemb, spektakli institucional zuri vendin e tij.

Tre vjet më parë, më 21 dhjetor 2022, Rama dhe Veliaj – të shoqëruar nga taborët e administratave përkatëse – vendosën atë që e quajtën “gurin e parë të themelit”.

“Baballarët e kombit” në themel të Teatrit të Ri Kombëtar, “më të bukurit dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, sipas logjikës patriarkale të pushtetit: njësoj si kryefamiljari që vendos gurin e parë të shtëpisë.

Tradita, megjithatë, e thotë qartë: Që themeli të qëndrojë, duhet edhe një kurban, përndryshe muret, si ato të Rozafës, bien.

Kurbani i kësaj dysheje, që ka qeverisur Tiranën për 21, nga 35 vitet e tranzicionit shqiptar, ishte ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar, të cilën e shembën natën.

Ndërsa e shembën, u kujdesën ta kthenin aktin në spektakël: Një mizanskenë dramatike në teatrin e madh të pushtetit, ku ndërthuren korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave.

Por akti final nuk ishte vetë shkatërrimi i teatrit; ai duhej edhe legjitimuar estetikisht.

Shembja, në vetvete, nuk mjaftonte. Duhej një imazh i ri, një formë e re, një premtim arkitektonik që ta zhvendoste vëmendjen nga dhuna mbi trashëgiminë drejt admirimit për spektaklin.

Faksimile e videos së qeverisë, ku dallohet kantieri i Pixel Tower anës Teatrit Kombëtar.

Duhej shembur teatri, që spektakli i kullave të merrte skenën. Për shembull, kulla që duhej ta zëvendësonte atë – dhe që do t’i merrte tokën, hapësirën dhe kujtesën, – sot ngrihet 33 kate lart (Pixel Tower, projekt nga Bjarke Ingels për Fusha shpk), deri në kufijtë e pronës, praktikisht ngjitur me të.

Teatri u zhduk që ky spektakël të shtrihej pa pengesë në çdo cep të Tiranës: Një profeci e artikuluar qartë nga protesta 27-mujore e Teatrit, e cila u tall si nostalgji, por rezultoi lexim politik i saktë i së ardhmes urbane.

Kulla ngrihet e qetë, duke na vështruar nga lart me cinizëm pedagogjik, sikur të na thotë: “Kot bëtë zhurmë. Nuk ju mora asnjë metër truall. Ju lashë madje dhuratë projektin më të bukur në Evropë që nga viti 1945. Të ma dini për nder!”

Kjo është arkitekturë disonante: Një formë pushteti që prodhon konflikt me kujtesën urbane, mohon dhunën mbi trashëgiminë përmes estetikës dhe e “ribrendon” shkatërrimin si bujari institucionale – ndërsa publiku ftohet, edhe një herë, të duartrokasë.

Sepse kur pushteti merr rolin e regjisorit, qyteti mbetet skenë, kujtesa dekor dhe qytetarët spektatorë të një shfaqjeje ku humbja prezantohet si fitore.

Lexoni gjithashtu:

The post Teatri u shemb, spektakli vazhdon appeared first on Citizens.al.

Nga sheshi te kulla – Kronika e një hipokrizie të betonuar

28 July 2025 at 15:38

Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.

Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj

Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.

E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.

Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.

Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.

Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.

Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.

Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.

Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.

Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.

Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.

Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.

Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.

Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.

Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.

Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.

Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.

Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.

Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.

Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.

Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër

Teatri ishte vetëm fillimi

Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.

Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.

Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.

Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al

Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.

Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.

Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.

Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.

Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.

Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.

Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.

“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.

Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.

Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.

Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.

Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.

Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”

Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.

Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.

Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike

Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.

Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?

Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.

E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.

I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.

Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.

Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.

Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.

Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.

Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.

Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.

Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.

Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.


*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.

The post Nga sheshi te kulla – Kronika e një hipokrizie të betonuar appeared first on Citizens.al.

Qyteti që na premtuan nuk ekziston – Rrënojat kanë emra dhe një i pandehur nuk mjafton

23 July 2025 at 17:22

Gjashtë vjet më parë, më 23 korrik 2019, Teatri Kombëtar u mor në mbrojtje nga qytetarët. Në të vërtetë, ishte hera e parë që qyteti nisi të mbrohej me trup – jo thjesht si një godinë, por si ide, si truall, si simbol, si hapësirë për njerëzit dhe jo për interesat e betonit.

Qyteti nisi të përkufizohej jo më për çfarë ndërtohej mbi të, por për çfarë nuk lejohej të shembej. Sot, gjashtë vjet më vonë, një nga ekzekutorët e asaj shembjeje, Erion Veliaj, mban statusin zyrtar të të pandehurit.

Jo më thjesht në sytë tanë, por edhe në letrat e drejtësisë.

A është kjo një ditë feste? Po.

A mund të gëzojmë? Vështirë, sepse ndërkohë që fituam një akt simbolik drejtësie, humbëm gjithçka tjetër që ai simbol përfaqësonte.

Humbëm teatrin. Humbëm hapësirën publike. Humbëm qytetin.

Për më shumë se një dekadë kemi ngritur zërin për mbrojtjen e të përbashkëtës. Në sheshe, në media, në rrjete sociale.

Kemi protestuar për parqet, për shkollat, për trotuaret, për ajrin dhe për dritën. Për gjithçka që duhet të na përkiste të gjithëve dhe që na është marrë copë-copë.

Sot, për të mbyllur ciklin, vjen një absurditet i madh, se paskemi qenë ne fajtorët. Ne që pimë kafe. Ne që ulemi në trotuar, që “e kemi zënë qytetin” me praninë tonë.

Pas 12 vitesh ndërtimesh pa kriter, mijëra metra katrorë të zaptuar me leje e pa leje, tashmë sulmi vjen mbi karriget.

Është një zëvendësim i qëllimshëm i debatit të vërtetë mbi qytetin me një teatër të rremë histerie, ku gishtat tregojnë qytetarët, ndërkohë që ndërtuesit dhe firmëtarët ikin pa zhurmë nga pasarelat e betonit që vetë ngritën.

Nëse duam të dimë se kush e zuri realisht qytetin, s’mjafton të shohim kafenetë. Mjafton të shohim kullat.

Artikulli i fundit i Citizens.al, “Hetimi urbanistik në Milano, çfarë e ndërlidh me Tiranën?”, që ndërlidh rastin e Milanos me Tiranën, e shpjegon qartë: hapësira publike nuk u zaptua nga karriget, por u zhduk me plan.

U zhduk me firmë.

Dhe ata që e zhdukën, sot na mësojnë si të sillemi në rrugët që vetë i ngushtuan.

Trotuaret janë kthyer në korridore mes kangjellave dhe xhamave të errët. Parkimet zënë gjithçka që mbetet. Parqet janë bërë qendra tregtare.

Ndërsa liqenet janë shndërruar në pasqyra uji, ku reflektojnë vitrinat e betonit, të vetkënaqura si Narcissus, tek pa veten të rekflektuar. Edhe ndonjë copë e gjelbër që shpëton mes betonit, konsiderohet luks.

Janë po ata që miratuan planet, që firmosën lejet, që shpikën rregullat. Dhe janë po ata që tani na flasin për “zaptimin e qytetit”.

Pas aksionit propagandistik në Theth, me truproje, dronë dhe buldozerë, u lançua një tjetër klishe: “Rilindja Urbane 2.0”. Faza e dytë, nëse mund ta quajmë kështu, e një projekti që nuk ka dhënë asnjëherë llogari për fazën e parë.

Nuk kemi parë asnjë raport për efektin ekonomik të ndërhyrjeve që kanë kushtuar 365 milionë euro. Nuk kemi parë asnjë analizë për impaktin social. Nuk dimë asnjë gjë për pasojat afatgjata. Dimë vetëm se qyteti është bërë më i shtrenjtë, më i dendur, më i zhurmshëm, më i pashëtitshëm, më i pajetueshëm.

Në qendër të këtij transformimi, që nuk ka më as pamje dhe as përmbajtje publike, qëndron Plani TR030, dizajnuar nga Stefano Boeri, pa asnjë garë publike, por me urdhër politik. U paraqit si “vizion i gjelbër”, si “pyll orbital” për të mbrojtur bujqësinë rreth qytetit.

Çfarë hipokrizie!

Atë që në fakt plani i Boerit bëri, ishte pikërisht ajo që u denoncua nga dhjetra ekspertë të akademisë dhe planifikimit urban në veçanti: në vend që të frenonte zgjerimin informal, e formalizoi atë me leje. Zhbëri kufijtë urbanë. Legjitimoi ndërtimet vertikale. Ngjeshi qytetin deri në kufijtë e frymëmarrjes.

Të gjitha këto u shoqëruan me imazhe të përpunuara në photoshop, me unaza të gjelbra dhe pyje masive, për të përdorur edhe dronë që fluturojnë vetëm sipër gënjeshtrave.

Tirana Riverside është shembulli më i ndyrë i këtij modeli. I promovuar si rindërtim post-tërmet dhe “smart city”, në një zonë  të paqtë, që nuk ishte prekur nga tërmeti. Banorët u përzunë në dimrin e 2020-ës me polici.

Jo për t’i ndihmuar nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por për t’ua marrë truallin. I gënjyen me dekada se do t’ia legalizonin investimin, por më pas i përzënë dhe i morën çfarë kishte qenë në posedim dhe përdorim të tyre. I shkatërruan shtëpinë, dyqanin apo garazhin dhe i flakën rrugëve.

Plani i ri solli vetëm përjashtim dhe beton. Dhe kjo është paradigma që po përsëritet. Projekti i qytetit të së ardhmes po ndërtohet duke zhdukur të shkuarën dhe duke përjashtuar të tashmen. A mund të ketë të ardhme ky qytet?

Ndërkohë, kriza e strehimit është kthyer në një krizë ekzistence. Qiratë janë më të larta se pagat. Në periferi, mbi 500 euro; në qendër, dyfish. Paga mesatare, vijon të qëndrojë në kufijtë 400 euro.

Apartamentet e reja fillojnë nga 1500 dhe shkojnë deri në 7000 euro për metër katror, sipas zonës. Janë ndërtuar mbi 10 milionë metra katrorë të reja, dhe shumica janë bosh.

Janë blerë, por jo për të jetuar në to. Janë blerë për të fituar. Dhe banorët që jetojnë pranë tyre, nuk e përballojnë më as qiranë, as taksat, as jetën. Të vetmet rrugë që u kanë mbetur janë jashtë qytetit – ose jashtë vendit.

Qyteti i premtuar i Boerit, Ramës dhe Veliajt, nuk ekziston.

Qyteti që kemi është qytet mallrash, jo qytetarësh. Me rrënimin e hapësirës publike, Tirana ka humbur pjesën më të rëndësishme të vetes – pjesën e përbashkët, hapësirën publike. Nuk është më një vend për të gjithë. Është një produkt për ata që kanë para. Për të tjerët – rruga, në kuptimin më të plotë të fjalës.

Tani që edhe Veliaj është zyrtarisht i pandehur, nuk mjafton të ndalemi tek një emër. Sepse ai nuk është i vetmi. Janë shumë të tjerë që heshtën, që firmosën, që përfituan.

Dhe janë shumë vendime që kaluan pa asnjë diskutim publik, pa asnjë konsultim me ata që do t’i  preknin jetën realisht. Është koha për të kërkuar më shumë se një përgjegjës.

Është koha për të kërkuar përgjegjësi politike. Dhe mbi të gjitha, për të rikthyer pyetjen që na është mohuar për shumë gjatë: A është ky qyteti që donim? Dhe nëse jo, kush do ta paguajë këtë rrënojë?

Lexoni gjithashtu:

The post Qyteti që na premtuan nuk ekziston – Rrënojat kanë emra dhe një i pandehur nuk mjafton appeared first on Citizens.al.

Dehumanizimi i Thethit dhe betonizimi si regjim

16 July 2025 at 16:35

“Betonizim” është fjala që, në zhargonin e përditshëm urban shqiptar, e tejkalon kuptimin e saj teknik. Nuk ka nevojë të ketë beton që të ndjesh ftohtësinë e një hapësire të ngurtësuar, të mbyllur, të mbytur nga mungesa e frymëmarrjes. Është një gjendje – dhe një fenomen – që prej vitesh sundon realitetin shqiptar, veçanërisht në Tiranë.

Në vitin 2016, betonieret e para hynë në kodrat e liqenit Artificial, të vetmin park të mirëfilltë publik të Tiranës. Qytetarët panë mjetet ndërtimore të zbrisnin në zemër të natyrës.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj e quajti ndërhyrjen “Park për fëmijë”, por shumë shpejt u bë e qartë se bashkë me lodrat vinin dhe strukturat e betonit. Refuzimi i alternativave më të buta nga ana e institucioneve, dhe përdorimi i policisë për të mbrojtur betonieren, ndezi protestën që zgjati tre muaj. Ishte pikërisht aty ku fjala “betonizim” mori kuptimin e saj të plotë politik dhe simbolik.

Më pas erdhi Teatri Kombëtar – një tjetër zonë publike, një tjetër rast i mbrojtjes së qytetit nga shkatërrimi, një tjetër betejë që zgjati 27 muaj dhe përfshiu të gjitha pushtetet.

Fundi? Shembja e teatrit nën mbikëqyrjen e 1500 policëve dhe forcave RENEA. Një akt simbolik i një shteti që përdor gjithë arsenalin e tij për të rrënuar kujtesën kolektive dhe hapësirën publike.

Sot, historia përsëritet në Theth. Brenda 7 ditësh, mbi 100 ndërtesa u shembën nga IKMT me një urdhër verbal të Kryeministrit. Asnjë dokument publik, asnjë vendim transparent, asnjë proces gjyqësor. Vetëm urdhra nga lart.

Shumë kanë folur për informalitetin, për mungesën e lejeve, për nevojën e “rregullimit” të territorit. Por ajo që po ndodh në Theth nuk është rregullim – është brutalitet shtetëror.

Vetë Kryeministri, vetëm një vit më parë, në qershor 2024, i kishte premtuar banorëve të Dukagjinit se ndërtimet pa leje do të trajtoheshin me mirëkuptim dhe se investimet në turizëm do të inkurajoheshin. Ministrja e Kulturës, me krenari e përmendi në Parlament rritjen e numrit të shtretërve turistikë në Theth si sukses të qeverisë.

Dhe sot? Të njëjtët njerëz, që ndërtuan mbi tokat e tyre të trashëguara, po shpallen zaptues. Ndërtesat – të cilat dje u përshëndetën – sot shkatërrohen me fadroma.

Në zemër të kësaj tragjedie është edhe një dramë më e thellë: ajo e pronësisë. Në Theth, si në shumë zona të Shqipërisë, njerëzit kanë lindur dhe jetuar për breza mbi tokë që nuk iu njihet zyrtarisht. Një shtet që nuk njeh të drejtën e trashëgimisë, por që kërkon leje dhe taksa nga qytetarë të cilëve nuk u ka kthyer ende asnjë dokument pronësie.

Ky është thelbi i një regjimi betonizues: që ndërton e shkatërron me të njëjtën lehtësi, që premton dhe harron, që përkëdhel dhe dhunon – gjithnjë sipas interesit të momentit.

Në fund, ajo që po ndodh në Theth nuk është thjesht betonizim fizik. Është një proces dehumanizimi. Është mënyra si shteti sheh qytetarin: si zaptues, si pengesë, si barrë. Dhe është pikërisht kjo që e bën betonin më të rrezikshëm se ç’duket: nuk është vetëm material – është mendësi, është politikë, është dhunë e sistematizuar.

Lexoni gjithashtu:

The post Dehumanizimi i Thethit dhe betonizimi si regjim appeared first on Citizens.al.

Kulla që mbulon Zotin me beton

8 June 2025 at 00:46

Në një ditë që i përket kujtimit të sakrificës, në një shesh që i përket historisë, u lartësua një kullë që s’ka të bëjë as me Zotin, as me qytetin.

Më 6 qershor 2025, në Kurban Bajram, Edi Rama nuk flijoi një dash. Flijoi një tjetër copë Tirane. Me lavdi dhe spektaklin e ngjyrave të larmishme të tepihëve, inauguroi një nga kullat më të kontestuara të Tiranës.

E ngulur pas Sahatit dhe ngjitur me Xhaminë e Et’hem Beut, në zemër të zonës historike të qytetit, ajo kullë nuk është thjesht një ndërhyrje urbane.

Forma e saj pesëkëndëshe nuk është e rastësishme. Si vetë Pentagoni amerikan, simbol i komandës dhe i pushtetit absolut, kjo kullë ngrihet si një shenjë e arkitekturës që nuk strehon njerëz, por mbart një mesazh të koduar: një rit i ri flijimi, një ideologji e re.

Atje ku dikur sakrifikohej biri për një vizion hyjnor, sot sakrifikohet qyteti për një vizion personal.

Kjo kullë, që ka sfiduar ligjin dhe moralin, e ngritur mbi hirin e Bar Sahatit – e paralajmëruar dhe denoncuar pesë vjet më parë – është projektuar si një lavatriçe gjigande: një makineri betoni për riciklimin e parasë së zezë dhe larjen e mëkateve shtetërore me bojë estetike dhe forma arkitektonike.

Fjalimi i hapës i kryeministrit ishte një akt i mirëfilltë teatral. Me poezi, me metafora të ngarkuara me folklor, me përmendje të Abrahamit dhe “mendjeve të lira që nuk mbyten nga rregulloret”, ai nisi një spektakël ku arkitektura u shndërrua në alibi, dhe arti në pretekst për dominim, ku të vetmit spektator ishin mëkëmbësit e tij: Arkitektët.

Ai nuk ishte thjesht një fjalim, por një skenar për të legjitimuar një sistem. Një mashtrim i paketuar bukur për sytë e ushtrisë (siç i quajti vetë) prej 150 arkitektësh të huaj të ftuar, që si mëkëmbës të bindur duartrokitën – jo nga madhështia e idesë, por nga mirënjohja ndaj atij që u siguron çeqet dhe terrenin “më të lirë në Evropë” për të ndërtuar pa pyetur askënd: “në mënyrë të pabesueshme e lirë nga komforti i rregulloreve që nuk mbysin” (cit.).

Në emër të imagjinatës dhe ëndrrave arkitektonike, me investitorë të garantuar që s’kanë asnjë kërkesë përveçse të ndërtojnë shpejt, me vetëm një gjeneral idesh, dhe me projekte ku paguhen mbi 1 milion euro vetëm për dizajnin, Shqipëria u prezantua si vendi ku ëndrrat bëhen realitet – jo ëndrrat e qytetarëve, por të atyre që duan të pastrojnë para dhe të lyejnë krimin me ngjyrat e artit.

Si çdo lavatriçe që ka nevojë për aromatizues, edhe kjo lavatriçja e re urbane ka nevojë për arkitektë që të japin miratimin estetik. Ata u prezantuan si ushtri vizionarësh, por në thelb janë bashkëpunëtorë të një makinerie pushteti që përdor arkitekturën për të prodhuar amnezi kolektive.

Rama, i shndërruar nga piktor në arkitekt, nga kryeministër në “host-man”, ndoshta për disa minuta edhe e besoi atë që tha.

Por për të huajt që i vërtiten rrotull, fakti që kryebashkiaku i Tiranës është sot në burg për korrupsion, është thjesht një detaj – sa kohë që spektakli vazhdon, lejet vijojnë miratohen pa pengesa dhe çeqet 1 milion dollarësh plotësohen me përpikëri.

Për ne që jetojmë këtu, maketet, 3D-të dhe animacionet janë si tymi i djegies së plehrave – në pritje të inceneratorëve që nuk vijnë, dhe me sytë nga SPAK-u: kush e ka radhën pas Erionit?

Sepse ne e dimë, se pas atyre emrave dhe projekteve fshihen lejet e paligjshme, ndërhyrjet mbi monumente, mbi zonat historike, mbi zonat e mbrojtura, mbi malet dhe pyjet, bregdet, lumenj dhe liqene.

Pas shkëlqimit një ditor të “star-arkitektëve” fshihet dëbimi i njerëzve nga shtëpitë, dhe një ekonomi që mbijeton jo nga zhvillimi, por nga larja e parasë të bërë pis nga krimi dhe korrupsioni.

Arkitektët vendas, trullosur nga poezia e Kryeministrit, ndoshta dolën nga salla të frymëzuar – me atë vetëkënaqësinë e rreme se “arkitektura transformon jo vetëm hapësirën, por edhe mendjet” ose ndoshta si ushtarë të bindur – janë rreshtuar krah për krah me të huajt, përpara udhëheqësit të tyre, të cilit i kanë dhënë pushtetin e Kryearkitektit.

Ata u bënë bashkë në ditën e kurbanit – jo për të ndërtuar qytete më të drejta, më të qëndrueshme, më njerëzore – por për të zbatuar një mision shumë më të thjeshtë: Të shpëlajnë mëkatin me stil dhe të legjitimojnë krimin me dizajn.

Andaj, kulla pentagonale ku u prezantua ky “vizion” nuk është një koincidencë formale, porse ajo mishëron formën gjeometrike të një rendi të ri – ku sakrifica nuk është më akt besimi, por një strategji propagande.

Aty futen paratë e pista, betoni i paligjshëm dhe iluzioni i progresit, për të dalë më pas të pastruar me ngjyrat e artit dhe bekimin e arkitektëve të ftuar.

Prandaj, ngritja e saj pranë Sahatit dhe Xhamisë nuk ishte një zgjedhje arkitektonike-urbane – por një ritual i përmbysur flijimi, sepse sot, në këtë qytet, nuk sakrifikohet më djali për vizionin – por sakrifikohet vetë qyteti, për ta bërë vizionin të paprekshëm.

The post Kulla që mbulon Zotin me beton appeared first on Citizens.al.

❌
❌