Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 August 2025Albeu

Oferta e Putin për ndalimin e ofensivës në Ukrainë, zbardhen kërkesat e Rusisë ndaj Zelenskyt

By: M C
16 August 2025 at 18:39

Vladimir Putin sipas BBC mësohet se ka ofruar të ndalojë ofensivën e tij dhe të “ngrijë” vijën e frontit në Ukrainë, nëse Volodymyr Zelensky pranon t’i dorëzojë kontrollin e rajonit lindor të Donetskut Rusisë.

Oferta e Putin

Shumë media gjithashtu raportojnë se Putini i ka kërkuar Ukrainës të tërhiqet më gjerësisht nga rajoni i Donbasit, i cili përbëhet nga Donetsk dhe Luhansk.

Kjo vjen pas raporteve të mëparshme që sugjeronin se Putini dëshironte që Ukraina t’i dorëzonte kontrollin në të dyja këto zona në këmbim të ndalimit të ofensivës ushtarake përgjatë vijës së frontit.

Çfarë dimë për Donbasin?

Rajoni ka qenë burim përplasjesh territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë që prej vitit 2014. Rajoni i Donbasit është kryesisht rusishtfolës dhe, pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, forcat e saj përfaqësuese (proksi) pushtuan më shumë se një të tretën e lindjes së Ukrainës në një luftë që nuk përfundoi kurrë.

Pak para se të niste luftën, presidenti Putin njohu të gjithë Luhanskun dhe Donetskun si të pavarur nga Ukraina, jo vetëm pjesët e kufizuara të krijuara nga forcat pro-ruse të mbështetura nga Moska.

Ngrirja e vijës së frontit?

Tani, disa media, përfshirë Financial Times, Bloomberg dhe Reuters, raportojnë se Putini i ka thënë Trump-it se do të ndalonte luftimet në pjesën tjetër të vijës së frontit në Ukrainë nëse Zelensky dorëzon kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit.

Siç tregon harta më poshtë, kjo do të kërkonte që presidenti ukrainas të dorëzonte disa pjesë të rajonit të Donbasit që Rusia ende nuk i ka marrë nën kontroll. Kjo gjithashtu do të përfshinte shumicën e Zaporizhzhias dhe Khersonit në jug – të cilat Rusia i ka pushtuar.

The post Oferta e Putin për ndalimin e ofensivës në Ukrainë, zbardhen kërkesat e Rusisë ndaj Zelenskyt appeared first on Albeu.com.

Zjarret në Gramsh/ Vatra aktive në tre fshatra të Skëndërbegasit, flakët përfshijnë edhe Zavalinën në Elbasan

By: M C
16 August 2025 at 18:36

Problematike vijon të mbetet situata me zjarret në Gramsh.

Sipas autoriteteve, rezulton se në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri.

Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë.

E njëjtë situata paraqitet situata edhe në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, ku herë pas here aktivizohen vatra të vogla.

Deri në orën 12:00 ka operuar 1 mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë.

Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit, ndërsa vatrat e zjarrit mbeten aktive.

Edhe Elbasani ka shfaqur problematika me vatrat e zjarrit, të cilat vijojnë të jenë aktive në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës.

Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake.

The post Zjarret në Gramsh/ Vatra aktive në tre fshatra të Skëndërbegasit, flakët përfshijnë edhe Zavalinën në Elbasan appeared first on Albeu.com.

Zyrtari ukrainas ngre alarmin: Trump foli si Putin, ja çfarë rreziqesh e presin Ukrainën

By: M C
16 August 2025 at 18:11

Zyrtari ukrainas, Oleksandr Merezhko, është i mendimit se Presidenti i SHBA, Donald Trump, po mban anën e Rusisë për sa kohë thotë që armëpushimi me Ukrainën të zëvendësohet me një marrëveshje paqeje.

“Fatkeqësisht, Trump ka marrë qëndrim si Putini, dhe kjo ishte kërkesa e tij”, tha Merezhko, kryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme në parlamentin ukrainas.

Merzheko thekson se një marrëveshje paqeje nënkupton disa gjëra të rrezikshme për Ukrainën ndërsa thekson se në vizionin e Presidentit të Rusisë, Ukraina nuk do të hyjë në NATO.

“Në vizionin e Putinit, kjo do të thotë se Ukraina nuk do të hyjë në NATO, do të pranohen kërkesat absurde për denazifikim dhe demilitarizim, si dhe statusi i gjuhës ruse dhe Kishës Ortodokse Ruse”, shtoi Merezhko.

The post Zyrtari ukrainas ngre alarmin: Trump foli si Putin, ja çfarë rreziqesh e presin Ukrainën appeared first on Albeu.com.

Meloni pas samitit Trump–Putin në Alaskë: Pozitive që po krijohen hapësira për paqe në Ukrainë, por marrëveshja mbetet e ndërlikuar

By: M C
16 August 2025 at 17:40

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar pas takimit të shumëpritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë, duke e vlerësuar si një zhvillim të rëndësishëm që mund të krijojë hapësira të vogla për paqe në Ukrainë, pas muajsh bllokade në frontin ushtarak.

Në një deklaratë për mediat italiane, Meloni tha:

“E konsideroj pozitive që në Ukrainë po krijohen disa hapësira të vogla për paqe. Marrëveshja duket ende e ndërlikuar, por më në fund e realizueshme, pas ngërçit që ka lindur prej shumë muajsh në frontin e luftës.”

Megjithatë, ajo nënvizoi se vetëm Ukraina ka të drejtën për të negociuar mbi kushtet dhe territorin e saj, duke theksuar nevojën për respektimin e sovranitetit dhe vendimmarrjes së Kievit.

Meloni konfirmoi se Presidenti Trump ka rikthyer në tryezë një propozim italian për garanci sigurie, i frymëzuar nga Neni 5 i NATO-s, që parashikon mbështetje kolektive në rast agresioni.

“Presidenti Trump e solli përsëri në tryezë idenë italiane të garancive të sigurisë. Propozimi fillon nga përkufizimi i një klauzole të sigurisë kolektive që do t’i lejonte Ukrainës të kishte mbështetjen e të gjithë partnerëve të saj – përfshirë SHBA-në – të cilët do të ishin të gatshëm të aktivizoheshin në rast të një sulmi të ri,” u shpreh ajo.

The post Meloni pas samitit Trump–Putin në Alaskë: Pozitive që po krijohen hapësira për paqe në Ukrainë, por marrëveshja mbetet e ndërlikuar appeared first on Albeu.com.

Broja nuk është as në stol ndaj Tottenham, zbulohet arsyeja e mungesës së tij

By: M C
16 August 2025 at 17:13

Armando Broja nuk është as në stol për Burnleyn, që sot po luan në transfertën e Tottenhem.

Futbollisti i Kombëtares është pjesë e lojtarëve që mungojnë, ndërsa arsyeja tregohet të jetë mungesa e formës fizike për të qenë gati në ndeshje.

Sfida që po luhet prej orës 16:00 është e vlefshme për javën e parë të Premier Ligë.

Broja u afrua këtë muaj te Bërnli duke lënë Çelsin pas shumë vitesh.

Bërnli e beson atë si një element të rëndësishëm për të ardhmen.

Duhet thënë se nuk vuan nga ndonjë dëmtim, ndërsa në momentin që do të jetë gati për të përballuar ndeshjen do të kthehet në fushën e blertë.

The post Broja nuk është as në stol ndaj Tottenham, zbulohet arsyeja e mungesës së tij appeared first on Albeu.com.

Liderët evropianë përkrahin një samit trepalësh Trump-Zelenskyy-Putin

By: M C
16 August 2025 at 16:56

Liderët evropianë e kanë ofruar të shtunën mbështetjen e tyre për një samit trepalësh në mes të presidentit amerikan, Donald Trump, atij ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe homologut të tyre rus, Vladimir Putin, pasi në një samit të mbajtur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Alaskë, më 15 gusht, palët nuk kanë arritur marrëveshje për armëpushim në luftën në Ukrainë.

E përditshmja amerikane, New York Times, i ka cituar disa zyrtarë evropianë t’i kenë thënë se edhe liderët evropianë janë ftuar për të marrë pjesë të hënën në Uashington, në takimin mes Trumpit dhe Zelenskyt.

Në një deklaratë të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është insistuar në rritjen e presionit ndaj Rusisë deri në arritjen e paqes, përfshirë vendosjen e sanksioneve.

Liderët evropianë kanë insistuar, gjithashtu, që Moska “nuk mund ta ketë të drejtën e vetos” në vendimet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian apo në NATO.

Rusia, në anën tjetër, e ka bërë të qartë se nuk do ta tolerojë anëtarësimin e Kievit në aleancën veriatlantike. Mirëpo, liderët evropianë, kanë thënë se janë të gatshëm që të punojnë drejt një samiti trepalësh, me mbështetje të BE-së.

Takimi i 15 gushtit në mes të Trumpit dhe Putinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret drejt dhënies fund të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Ne do ta vazhdojmë ashpërsimin e sanksioneve dhe masat tjera ekonomike për të rritur presionin ndaj luftës ekonomike të Rusisë, derisa të ketë paqe të qëndrueshme”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të zyrtarëve evropianë.

Liderët evropianë nuk kanë qenë shumë rehat me takimin Trump-Putin, duke argumentuar se Zelensky do të duhej të ishte përfshirë në samitin në Alaskë. Në një deklaratë të lëshuar ndaras, Starmer e ka përgëzuar Trumpin për përpjekjet që po bën për t’i afruar palët me fundin e luftës.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban – i cili është miqësor me Trumpin dhe Putinin – e ka duartrokitur samitin.

“Për vite me radhë i kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore duke prishur kornizën e bashkëpunimit të tyre dhe duke nisur mesazhe armiqësore. Kjo tani ka marrë fund. Sot bota është vend më i sigurt sesa dje”, ka thënë Orban përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Mirëpo, Macron ka bërë thirrje për kujdes kundër asaj që e ka quajtur “tendencë të dokumentuar nga Putini për mospërmbushje të zotimeve”. Ai ka kërkuar që secila marrëveshje për paqe t’i përfshijë garancitë “e pathyeshme” të sigurisë.

Edhe presidenti francez ka bërë thirrje për rritje të presionit ndaj Rusisë, derisa të arrihet një paqe e qëndrueshme. Liderët evropianë i kanë mirëpritur ato që i kanë quajtur “garanci të sigurisë” të përmendura nga Trumpi, por pa dhënë më shumë hollësi.

Një burim diplomatik i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se Trumpi i ka ofruar Ukrainës garanci të ngjashme – por të ndara – me ato të anëtarësimit në NATO.

“Garanci të forta të sigurisë që i mbrojnë interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës janë thelbësore”, ka shkruar von der Leyen në X.

Trump dhe Putini kanë diskutuar për gati tri orë në një bazë ushtarake amerikane në Alaskë. Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.

Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO./ REL

The post Liderët evropianë përkrahin një samit trepalësh Trump-Zelenskyy-Putin appeared first on Albeu.com.

Çfarë planesh ka Trump për armëpushimin Rusi-Ukrainë? Mediat ndërkombëtare: Presidenti do t’i kërkojë Zelenskyt t’i japë territore Rusisë

By: M C
16 August 2025 at 16:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të presë të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ftesë kjo që vjen pas takimit të Trump dhe Vladimir Putin në samitin e Alaskës.

SHBA është negociuesi kryesor për arritjen e armëpushimit mes Rusisë dhe Ukrainës. Referuar mediave ndërkombëtare, Trump ka parë si zgjidhjen më të shpejtë të konfliktit shkëmbimin e territoreve mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë të mbështesin një plan për të vënë fund luftës në Ukrainë duke i dorëzuar Rusisë territoret që nuk janë pushtuar, në vend që të përpiqen për një armëpushim,” shkruan Neë York Times.

Pas takimit me Vladimir Putinin, Trump ka hequr dorë nga kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm dhe sipas Neë York Times tani mendon se është e mundur të negociohet një marrëveshje paqeje e shpejtë nëse Zelensky pranon të dorëzojë pjesën tjetër të Donbasit, përfshirë edhe zonat që nuk janë pushtuar nga rusët.

Si shkëmbim, Putin ka ofruar një armëpushim në pjesën tjetër të Ukrainës, përgjatë linjave aktuale të frontit, dhe një premtim me shkrim që të mos sulmojë më Ukrainën apo ndonjë vend tjetër evropian. Gjatë bisedës me evropianët, Trump nuk përmendi asnjë sanksion apo presion ekonomik ndaj Rusisë.

The post Çfarë planesh ka Trump për armëpushimin Rusi-Ukrainë? Mediat ndërkombëtare: Presidenti do t’i kërkojë Zelenskyt t’i japë territore Rusisë appeared first on Albeu.com.

‘Policët po plago*en çdo ditë’, Vuçiç përballet me protestat më të mëdha në Beograd

By: M C
16 August 2025 at 16:27

Policia e Serbisë përdori gaz lotsjellës dhe automjete për kontrollin e turmës të premten në mbrëmje në Beograd, për të shpërndarë protestuesit antiqeveritarë të cilët hodhën fishekzjarre dhe flakë të forta ndaj oficerëve të policisë, në atë që shihet si një përshkallëzim i madh i protestave nëntëmujore.

Protestuesit u mblodhën rreth orës 8 të mbrëmjes përpara ndërtesës së selisë së ushtrisë që u bombardua në vitin 1999 nga NATO. Disa orë më vonë ata filluan të hedhin flakë të forta ndaj oficerëve të policisë.

Kontejnerët e mbeturinave u përmbysën dhe iu vunë flakë. Policia hodhi bombola gazi lotsjellës për të larguar protestuesit.

Protesta u mbajtën në disa qytete të tjera – Novi Sad, Nish, Kragujevac dhe Valjevo.

Gaz lotsjellës u përdor edhe në Nish. Nuk kishte shifra zyrtare se sa njerëz u plagosën.

Vala e protestave në të gjithë Serbinë, vjen si pasojë e vdekjes së 16 personave kur një çati në një stacion hekurudhor të rinovuar në Novi Sad u shemb.

Protestat kanë tronditur Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij SNS.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore deri të mërkurën në mbrëmje, kur 27 oficerë policie dhe rreth 80 civilë u plagosën në përleshje, dhe 47 persona u arrestuan.

‘Çdo mbrëmje ne vendosim 3,000 policë në të gjithë Serbinë, ata po rrihen dhe po plagosen’, tha Vuçiç për RTS TV më herët të premten.

Protestuesit kanë fajësuar korrupsionin për katastrofën e stacionit hekurudhor të Novi Sadit dhe po kërkojnë zgjedhje të parakohshme me shpresën për të rrëzuar Vuçiçin dhe partinë e tij.

Studentët, grupet e opozitës dhe organet mbikëqyrëse kundër korrupsionit kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, përdorimin e dhunës kundër rivalëve politikë dhe shtypjen e lirive të medias – akuza që ata i mohojnë.

The post ‘Policët po plago*en çdo ditë’, Vuçiç përballet me protestat më të mëdha në Beograd appeared first on Albeu.com.

Transformimi i këngëtares së njohur habit fansat, stili i saj bëhet kryefjalë

By: M C
16 August 2025 at 16:00

Këngëtarja Nelly Furtado po tërheq vëmendjen gjatë turit të saj “Better Than Ever Summer Festival Tour” në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Europë. Gjatë performancës në Newquay, ajo mahniti publikun me një pamje të guximshme, duke veshur pantallona të shkurtra me pala dhe një kombinim me gëzof sintetik që theksonte linjat e saj. Fansat nuk kanë reshtur së lavdëruari stilin e saj që prej asaj mbrëmjeje.

Fansat e mbushën rrjetin me komente pozitive:

• “Energjia e një mbretëreshe në maksimum #NellyFurtado”
• “Ende ndez skenën me atë stilin e saj unik.”
• “Madhështore si gjithmonë, ende super në formë në moshën 46-vjeçare.”
Një tjetër shkroi: “Duket kaq e ëmbël dhe e lumtur! Nuk më intereson çfarë po ndodh, kjo vajzë është në një vend të mirë.”

Në janar, Nelly publikoi një foto me bikini në Instagram duke treguar bukurinë e saj natyrale dhe duke folur për rrugëtimin drejt vetëdashurisë dhe besimit. Ajo u shpreh se kishte ndërmarrë hapa ligjorë kundër atyre që shpërndanin thashetheme të pavërteta për operacione plastike apo ndërhyrje estetike, duke sqaruar:

“Unë nuk kam bërë asnjë ndërhyrje në fytyrë apo trup, përveç vendosjes së fasetave në dhëmbët e sipërm kohët e fundit.”

Duke iu përgjigjur thashethemeve për ndërhyrje kozmetike, ajo shtoi:

“Deri tani nuk kam bërë as injeksione në fytyrë apo buzë, as mbushës të ndonjë lloji. Por kam një estetiste të vjetër besnike, prej së cilës blej serume dhe kremra që kur isha 20 vjeçe.”

The post Transformimi i këngëtares së njohur habit fansat, stili i saj bëhet kryefjalë appeared first on Albeu.com.

Plas sherri mes 5 personave në Laç, arrestohet Klajdi Rryta/ Policia i gjen pistoletën, në kërkim 4 persona të tjerë

By: M C
16 August 2025 at 15:54

Një konflikt mes 5 personave është regjistruar së fundmi në Laç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “Kurbini”, ndërsa menjëherë ka ndërhyrë policia për parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Sakaq, policia ka arrestuar Klajdi Rryta alias Klajdi Tusha 37 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur 4 persona të tjerë, konkretisht shtetasit E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç.

37-vjeçarit gjithashtu i është sekuestruar dhe një armë zjarri e tipit “Glock” fishek në fole gati për qitje. Referuar raportimit të policisë, nga konflikti nuk ka persona të lënduar.

Ndërkohë, burime për media raportojnë se ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri në ajër.

Njoftimi i policisë:

Pas njoftimit për një konflikt fizik ndërmjet disa shtetasve, rreth orës 11:00, në rrugën “Kurbini”, Laç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ndërhyrë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit fizik ndërmjet 5 shtetasve, gjatë të cilit dyshohet se është qëlluar edhe me armë zjarri.

Nga veprimet e shpejta u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. R., alias K. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit “Glock”, me fishek në fole gati për qitje.

Nga të dhënat e para rezulton se shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë konflikt, të identifikuar me iniciale G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë; E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç, banues në Laç, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt, nga i cili nuk ka të dëmtuar.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.

The post Plas sherri mes 5 personave në Laç, arrestohet Klajdi Rryta/ Policia i gjen pistoletën, në kërkim 4 persona të tjerë appeared first on Albeu.com.

Situata e zjarreve në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 10 vatra zjarri aktive, 3 mbahen nën monitorim

By: M C
16 August 2025 at 15:33

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar bilancin për situatën e zjarreve në Shqipëri teksa thekson se në 24 orët e fundit, në vend janë raportuar në total 13 vatra zjarresh.

Ndërkohë, aktualisht aktive janë 10 vatra dhe 3 të tjerat janë në monitorim të vazhdueshëm.

Ministria e Mbrojtjes:

13 vatra zjarresh janë regjistruar në total në të gjithë vendin në 24 orët e fundit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht janë aktive 10 vatra zjarresh dhe 3 të tjera në monitorim.

* Bashkia Bulqizë: Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të Vjetër Bulqizë. Në operacion sot janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca të pyjores dhe 30 forca ushtarake të FA. Zjarri zhvillohet në pyje të larta dhe bimësi të dendur duke marrë drejtim nga fshati Valikardhë. Prezenca e tymit është e lartë dhe intensiteti i flakëve mbetet i fortë. Banesat nuk rrezikohen. Në vendngjarje ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Aktiv* Bashkia Bulqizë: Vatra e zjarrit e rënë më 14.08.2025 në Malin me Gropa, në afërsi të fshatit Val, vijon të jetë aktive. Sot janë angazhuar për monitorim 5 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Digjen shkurre dhe barishte të thata në një zonë të vështirë dhe të rrezikshme për ndërhyrje tokësore. Monitorim

* Bashkia Fushë Arrëz: Në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar: 12 zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë policie me 2 automjete, 40 forca bashkiake, 13 forca të shërbimit pyjor dhe 80 forca ushtarake. Zjarri është i aktivizuar në 3 vatra të ndara, ndërsa në zonën e Kunorë Dardhës drejt lumit Truen flakët kanë hyrë në një sipërfaqe me pisha të dendura. Ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Akti

* Bashkia Mirditë: Në fshatin Velë, njësia administrative Rubik, vijon zjarri në një masiv me pisha. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë të MZSH, 17 forca bashkiake, 10 vullnetarë, 7 forca pyjore dhe 4 forca policore. Terreni është i thepisur dhe ndërhyrja nga toka mbetet shumë e vështirë. Aktiv

* Bashkia Tiranë: Në “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Tiranë, 5 forca të APR dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues. Aktiv

* Bashkia Tiranë: Në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, zjarri është vendosur nën kontroll. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë të MZSH, 5 forca të APR dhe forca policore. Aktiv

* Bashkia Tiranë: Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe ka kaluar në fshatin Priskë e Vogël. Situata është në kontroll dhe nuk ka rrezik për banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake. Aktiv

* Bashkia Tiranë: Në zonën Zgure, njësia administrative Zall Bastar, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe nuk rrezikon banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake. Monitorim

* Bashkia Tiranë: Në fshatin Pezë – Helmës, zjarri i rënë më 13.08.2025 ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura të Pezës. Në terren ndodhen 42 forca të MZSH Tiranë, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit. Ka operuar edhe një helikopter i EBA. Aktiv

* Bashkia Kolonjë: Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është neutralizuar, por për shkak të erës dhe temperaturës ka pasur riaktivizime të vogla të cilat janë eliminuar. Sot janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë të MZSH Kolonjë, 20 forca bashkiake, 6 forca policore dhe 4 vullnetarë. Monitorim

* Bashkia Gramsh: Në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri. Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë. Aktiv

* Bashkia Gramsh: Në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, herë pas here aktivizohen vatra të vogla. Sot kanë operuar deri në orën 12:00 1 mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë. Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit. Aktiv

* Bashkia Elbasan: Në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës, vijon aktive vatra e zjarrit. Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake.

The post Situata e zjarreve në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 10 vatra zjarri aktive, 3 mbahen nën monitorim appeared first on Albeu.com.

U tha se u dhunua nga dhëndri e dasmorët, Shpat Kasapi rrëfen të vërtetën e tij: Nuk donin të më paguanin se u vonova

By: M C
16 August 2025 at 15:04

Këngëtari Shpat Kasapi ka sqaruar njëherë e mirë ngjarjen e komentuar së fundmi në media sociale ku u aludua për një konfrontim fizik mes tij dhe disa dasmorëve ku ishte i ftuar për të kënduar.

Për Klan Kosova, këngëtari ka treguar se nuk ka pasuar asnjë përplasje fizike, por nuk mohon që ka pasur një debat mes tij dhe dasmorëve lidhur me vonesën e tij për të shkuar në dasmë.

Shpat Kasapi thotë se situata u tensionua paksa në fund, pasi në momentin e pagesës pala tjetër pretendoi se këngëtari nuk kishte kënduar mjaftueshëm dhe për këtë arsye nuk do të merrte paratë për të cilat ishin dakordësuar.

“U bë bujë e madhe, u rrah Shpati, u rrahën dasmorët… Por në të vërtetë nuk ka pasur asnjë rrahje. Unë jam nisur pak me vonesë sepse kishte kolonë. Dasmori më tha ‘Shpat, je vonuar, por këndo’, dhe unë iu përgjigja se do të këndoj më shumë për ta kompensuar vonesën.

Në fund thanë ‘ti s’ke kënduar, nuk do ta marrësh pagesën’. Unë pak u agravova, ata gjithashtu, dhe u bë një debat i vogël. Por asnjë nuk më ka prekur dhe askush nuk më ka ngacmuar.”

Ndër të tjera, këngëtari është shprehur se personi që ka trilluar për përleshje fizike do të mbajë përgjegjësi.

“Shpifësin e këtij lajmi do ta gjej,” u shpreh Kasapi.

The post U tha se u dhunua nga dhëndri e dasmorët, Shpat Kasapi rrëfen të vërtetën e tij: Nuk donin të më paguanin se u vonova appeared first on Albeu.com.

Skandal i përsëritur në Onkologjik/ Albana Vokshi: Pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën

By: V K
16 August 2025 at 15:02

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar në SPAK atë që ajo e quan skandal në Onkologjik, ku pacientët që po luftojnë me jetën nuk u jepet terapia e nevojshme.

Sipas Vokshit, aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik.

 

 

Denoncimi i Vokshit:

Skandal i përsëritur në Onkologjik!

Aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën!

❌ Nuk është hera e parë.
❌ Nuk është rast i izoluar.

📌 Prej një viti kam kallëzuar në SPAK Ramën, ministrat e Shëndetësisë, drejtuesit e QSUT e Onkologjikut për vrasje me dashje, shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore. Sot janë të njëjtët drejtuea në Qeveri, e në Onkologjik. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë nuk mban përgjegjësi për shëndetin apo jetët e humbura.

⚖️ Sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën.

👉 Ky është krim shtetëror. Dhe SPAK, duke heshtur, është bërë bashkëfajtor.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albana Vokshi (@vokshialbana)

The post Skandal i përsëritur në Onkologjik/ Albana Vokshi: Pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën appeared first on Albeu.com.

Biseda me Donald Trump, presidenti Zelensky zbardh detaje: Duhet të arrihet një paqe e qëndrueshme

By: V K
16 August 2025 at 14:46

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, është shprehur se gjatë bisedës me udhëheqësin amerikan Donald Trump, i ka thënë se sanksionet duhet të forcohen ndaj Rusisë “nëse nuk ka takim trepalësh ose nëse Moska përpiqet t’i shmanget një përfundimi të ndershëm të luftës”.

“Sanksionet janë një mjet efektiv”, shton ai në një deklaratë. Zelensky përsëriti se të gjitha çështjet e rëndësishme duhet të diskutohen me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe asnjë çështje, veçanërisht ato territoriale, nuk mund të vendoset pa Kievin.

Pas bisedimeve me Trump dhe koordinimit me udhëheqësit evropianë, Zelensky theksoi se qëndrimet janë të qarta: “Duhet të arrihet një paqe e vërtetë, një paqe që do të jetë e qëndrueshme, jo vetëm një pauzë tjetër midis pushtimeve ruse”.

Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund vrasjeve, për një armëpushim në tokë dhe në qiell, për lirimin e të burgosurve të luftës ukrainas si edhe për të ushtruar presion mbi Rusinë ndërsa vazhdojnë luftimet.

“Siguria duhet të garantohet në mënyrë të besueshme dhe afatgjatë, me përfshirjen si të Evropës ashtu edhe të SHBA-së”, shton ai.

The post Biseda me Donald Trump, presidenti Zelensky zbardh detaje: Duhet të arrihet një paqe e qëndrueshme appeared first on Albeu.com.

Edi Rama: Thethi, perla e Alpeve që magjeps vizitorët nga e gjithë bota

By: V K
16 August 2025 at 14:38

Kryeministri Edi Rama, e ka kthyer edhe një herë vëmendjen nga Thethi, por këtë rradhë jo për shembjet e ndërtimeve të paligjshme

Në një postim në facebook, ai thekson se perla e Alpeve Shqiptare, po mirëpret vizitorë nga e gjithë bota.

Më tej, shton se tashmë me hapësirat e rikthyera publike në identitet e në harmoni me peizazhin, ata mahniten me pamjet përrallore, mikpritjen tradicionale, me ujin e kristaltë e me ajrin e pastër që të falin qetësi dhe energji pozitive

Në reportazhin e publikuar në facebokk paraqet përshtypjene vizitorëve nga Australia, zelanda e re dhe jo vetëm

“Jam nga Australia e dua aq shumë thethin sa kam ardhur në shqipëri 8 javë më parë. Kam kaluar gati një muaj këtu duke u larguar dhe kthyer përsëri. Sepse e dua aq shumë”.

Nuk mungojnë as momentet kur vizitorët ngrenë dolli me raki

Theksojnë se miqve të tyre i rekomandojnë ta vizitojnë jo vetëm për magjinë e natyrës por dhe mikpritjen

“E rekomandoj shumë thethin sepse shtëpitë këtu janë thjeshtë të bukura dhe atmosfera, ndjesia këtu është thjesht magjike, është mistike të jep ngrotësi”.

Në përshtypjet e tyre për atë çfarë të ofrohet i konsiderojnë magji.

Ti vjen në theth eksploron ujvarën, del për ecje tek syri i kaltër, noton në ujin e ftohtë, shkon në male, ha ushqim të mirë tradicional, pi me miqtë e tu, shijon kafen me miqtë e tu, të vendos ty një lloj të vet të magjisë dhe të përfshin brenda saj.

Nuk njoh ndonjë që nuk do të vijë sërish apo nuk dëshiron të rrijë më gjatë”.

Tashmë në Theth numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm duke bërë që bujtinat të jenë të prenotuar thuajse në çdo ditë.

The post Edi Rama: Thethi, perla e Alpeve që magjeps vizitorët nga e gjithë bota appeared first on Albeu.com.

Tentoi të vriste me makinë komshiun, arrestohet 32-vjeçari në Durrës (EMRI)

By: V K
16 August 2025 at 14:23

Policia e Durrësit, ka arrestuar një të ri, i cili akuzohet se ka tentuar të vrasë komshiun e tij, duke e përplasur qëllimisht me makinë, pas një konflikti mes tyre.

Në pranga është vënë shtetasi Benard Shkajoti, 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

“Në fshatin Perlat, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta (fyerje dhe ofendime), ky shtetas tentoi të vriste me automjetin që drejtonte, komshiun e tij, shtetasin L. D., 40 vjeç, banues në Sukth. Ky i fundit, si pasojë e goditjes me automjet, pësoi dëmtime dhe u transportua në Spitalin Rajonal Durrës, ku po merr ndihmë mjekësore”, – thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Policia e Durrësit, bën me dije se Benard Shkajoti, pas testit të alkoolit ka rezultuar se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me masën 0.92 mg/l. Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

The post Tentoi të vriste me makinë komshiun, arrestohet 32-vjeçari në Durrës (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Shqiptari ekstradohet nga Franca në Angli, ja për çfarë akuzohet (EMRI)

By: V K
16 August 2025 at 14:17

Një shqiptar i akuzuar për vrasjen e një të riu në fund të vitit 2023 në Londër, është ekstraduar nga Franca në Angli.

Sipas Policisë Metropolitane të cilës i referohet Top Channel, Arlind Hashani, 22-vjeç , banues në Bray Fellows Road NW3, u paraqit të premten, më 15 gusht, në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, ku u akuzua zyrtarisht për vrasje, pas ekstradimit të tij nga Franca.

Arrestimi i tij ndodhi në Paris më 30 korrik. Hashani u la në paraburgim dhe pritet të dalë para Gjykatës së Lartë në Wood Green të martën, më 19 gusht.

Ai akuzohet se vrau Ahmed Ali Jama, 29-vjeç, i cili u gjet me plagë të marra nga thika pranë zonës Gaymead, në Abbey Estate, në Abbey Road, rreth orës 19:32 të mbrëmjes së 29 dhjetorit 2023.

Pavarësisht ndihmës së dhënë në vendngjarje, Ahmed ndërroi jetë më vonë në spital./TCH

The post Shqiptari ekstradohet nga Franca në Angli, ja për çfarë akuzohet (EMRI) appeared first on Albeu.com.

U bë viral teksa shpëtonte delen nga flakët/ 33-vjeçari shqiptar flet për mediat greke: Çmendem me njerëzit që ikin dhe i lënë kafshët të lidhur

By: V K
16 August 2025 at 13:20

Olsien Muçobega, e mori kafshën në krah dhe po e largonte me shpejtësi nga flakët, teksa ndodhej mbi motor. I riu nga Tepelena, u bë viral dhe preku të gjithë kombin grek dhe nxori në pah anën më njerëzore të një dite katastrofe.

Një 33-vjeçar shqiptar u bë simbol i humanizmit në Greqi, kur kamerat e filmuan ateksa shpëtonte një dele nga zjarri që kishte rënë në Patra.

Olsien Muçobega, e mori kafshën në krah dhe po e largonte me shpejtësi nga flakët, teksa ndodhej mbi motor.

I riu nga Tepelena u bë viral dhe preku të gjithë kombin grek dhe nxori në pah anën më njerëzore të një dite katastrofe.

Sipas mediave greke, shqiptari ka treguar se ky nuk ishte akti i tij i vetëm. Siç ka zbuluar për median greke, në të njëjtën ditë ai shpëtoi edhe kafshë të tjera midis tyre qen të lidhur që i kishin braktisur.

“A e dini sa kafshë shpëtuam? Dhe qen, shumë qen të lidhur. Po çmendem me atë që bëjnë njerëzit, ata ikin dhe i lënë qentë të lidhur. Kjo nuk është neglizhencë, është krim”, është shprehur shqiptari.

Nga Tepelena në Patra

Olsien erdhi në Greqi në moshën vetëm 3-vjeç, nga Tepelena e Shqipërisë. Babai i tij ishte ndërtues, nëna e tij shtëpiake dhe ai u rrit duke punuar që në moshë të vogël.

Gjatë jetës së tij, ai punoi si piktor, shpërndarës dhe mbështjellës në një restorant fast food. Ai është i martuar me greken Maria-Eleni, me të cilën ka dy fëmijë, Georgianna dhe Jasona.

Pavarësisht rrënjëve të tij dhe shumë viteve të pranisë në Greqi, ai vazhdon të përballet me pengesa burokratike: “Kam një problem me Rajonin, nuk më japin leje, ndërsa normalisht duhet të kisha marrë një pasaportë greke“, thotë ai me hidhërim.

I çmendur pas kafshëve

Ditën e zjarrit, ai ishte në vendngjarje me miq nga shoqata AEK në zonë, për të ndihmuar zjarrfikësit. Gatishmëria për të dhënë, dashuria e tij për kafshët dhe ankthi për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej ishin motivet pas aktit të tij.

“Jam i çmendur pas kafshëve”, thotë ai, duke theksuar se gjithçka që ata shpëtuan i përkiste një fermeri të moshuar, i cili po luftonte për të mbrojtur pronën e tij nga flakët.

Olsien Muçobega nuk e sheh veten si hero, megjithëse për shumë njerëz ai është pikërisht ky. Ai sheh një njeri që bëri të dukshmen: të qëndronte pranë gjithçkaje që është e gjallë, në një kohë kur gjithçka ishte e kërcënuar nga flakët.

The post U bë viral teksa shpëtonte delen nga flakët/ 33-vjeçari shqiptar flet për mediat greke: Çmendem me njerëzit që ikin dhe i lënë kafshët të lidhur appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Tiranë, 41-vjeçari plagos bashkëjetuesen e tij

By: V K
16 August 2025 at 13:06

Mmbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë është regjistruatr në Tiranë, ku një 41-vjeçar ka plagosur me thikë partneren e tij, me të cilën bashkëjetonte.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në rrugën “Besim Alla”, në zonën e “Misto Mames”.

Autori është arrestuar nga Policia dhe bëhet fjalë për shtetasin me inicialet F. C., ndërsa partnerja e tij është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Sipas Policisë së Tiranës, krimi ka ndodhur pas një konflikti mes tyre për motive të dobëta.

“41-vjeçari F. C. pas një konflikti për motive të dobëta, mbrëmjen e djeshme, në banesë, në rrugën “Besim Alla” ka goditur me mjet prerës (thikë) bashkëjetuesen e tij, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, – thuhet në njoftim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post E rëndë në Tiranë, 41-vjeçari plagos bashkëjetuesen e tij appeared first on Albeu.com.

Banorët denoncojnë ndërtimin pa leje tek “5 Maji”/ PD: Policia nuk ndërhyn pasi pronarët paguajnë nën dorë

By: V K
16 August 2025 at 12:34

Përmes një deklarate për mediat, Partia Demokratike, ka denoncuar indiferencën e policisë së shtetit ndaj ndërtimeve pa leje që po kryhen në Tiranë.

Zëdhënësja antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli, tha se një prej këtyre rasteve është objekti në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’.

Vangjeli tha se ky rast u denoncua nga qytetarët pranë PD-së, përmes fotove që tregojnë mungesën e reagimit të policisë së shtetit, megjithëse janë njoftuar nga qytetarët.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike ka marrë një tjetër denoncim nga qytetarë për ndërtim pa leje në Tiranë. Sipas informacioneve të tyre, objekti ndodhet në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’.

Këto pamje të siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm.

Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur asnjë reagim.

E njëjta situatë përsëritet edhe me strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilave u është bërë me dije shkelja, por pa asnjë ndërhyrje nga ana e tyre.

Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.

 

 

Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.

The post Banorët denoncojnë ndërtimin pa leje tek “5 Maji”/ PD: Policia nuk ndërhyn pasi pronarët paguajnë nën dorë appeared first on Albeu.com.

❌
❌