18 vjeç, vritet “për nder” nga babai dhe ish-burri/ Një plagë që ende kullon në vitin 2025
Në një kohë kur bota pretendon të jetë më e përparuar, më e vetëdijshme dhe më e barabartë, lajmet që vijnë nga Pakistani sjellin një tronditje të thellë për çdo njeri me ndërgjegje. Sidra Bibi, vetëm 18 vjeç, u vra në mënyrë makabre nga njerëzit që duhej ta donin më shumë: nga babai dhe ish-bashkëshorti i saj. Faji i saj? Zgjodhi të martohej me njeriun që dashuronte, pa lejen e të tjerëve. Me pak fjalë: guxoi.
Me urdhër të një këshilli lokal pleqsh në qytetin e Rawalpindit, ajo u mbyt me një jastëk dhe më pas u varros fshehurazi. Toka u rrafshua për të zhdukur çdo provë. Asnjë shenjë dhembjeje. Asnjë pendesë. Autopsia, e kryer pas zhvarrosjes së trupit, konfirmoi torturën dhe mënyrën çnjerëzore të vdekjes. Një dëshmitar i arrestuar pranoi të tregonte gjithçka. Por çfarë vlere ka e vërteta, kur jeta është flijuar për një koncept të shpërfytyruar si “nder”?

Në vitin 2024, sipas Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Pakistan, 405 gra u vranë për arsye të tilla. Po, në vitin 2024. Ky është vetëm numri i regjistruar, realiteti është me siguri edhe më i errët, për shkak të heshtjes, frikës dhe turpit që shoqëria u imponon viktimave. Nuk është një problem vetëm i Pakistanit; është një problem universal, që vesh fytyra të ndryshme në kultura të ndryshme.
Fatmirësisht, Shqipëria, ndonëse një shoqëri patriarkale, rrallë herë mund të ketë parë raste kaq brutale. Por kjo nuk duhet të na bëjë të ndjehemi të përjashtuar nga përgjegjësia. Rastet e dhunës në familje, vajza që detyrohen të martohen të mitura, gratë që rrihen, fyhen apo kontrollohen në çdo hap, të gjitha janë pjesë të të njëjtës mendësi mizore që çon drejt vrasjeve për “nder”.
Nuk ka traditë që justifikon torturën. Nuk ka njeri që fiton respekt duke zhdukur jetën e një tjetri. “Nderi” nuk qëndron në trupin e një vajze, por në shpirtin e një shoqërie që nuk hesht përballë padrejtësisë.
Në Pakistan, në Shqipëri, kudo në botë, vrasja për “nder” është vrasje. Në këtë shoqëri, që shpesh i ngatërron burrninë me mizorinë dhe nderin me kontrollin, ne kemi një detyrë: të flasim. Të reagojmë. Të edukojmë. Të shkundim sistemin dhe mendësinë që i justifikon këto krime, qoftë edhe vetëm me heshtje.
Sepse nesër, ajo që guxon të jetë vetvetja, mund të jetë vajza jote, motra jote, shoqja jote. Dhe asnjëra prej tyre nuk duhet të ketë frikë nga vetë jeta. Asnjëra!
The post 18 vjeç, vritet “për nder” nga babai dhe ish-burri/ Një plagë që ende kullon në vitin 2025 appeared first on iconstyle.al.