Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Dua një familje tjetër” – Flet komshiu që mbrojti 12-vjeçaren nga babai abuzues

5 July 2025 at 22:04

Bahri Mblloshmi, personi që gjeti i pari 12-vjeçaren e abuzuar nga babai i saj në fshatin Sheqisht të Fierit tregoi në një intervistë për gazetaren e Euronews Albania Matilda Braho se mitura kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së tij në orët e para të mëngjesit.

Ai tha se e mitura ishte e trembur dhe i kishte rrëfyer se nuk donte të kthehej më në shtëpinë e saj dhe se donte të kishte një familje tjetër.

“Ishte ora 6:00 kur në ballkon shoh një fëmijë. E pyeta se kush ishte më tha unë u hodha nga dritarja. E pyet je çun? Jam vajzë, më tha. Kush të ka qethur? Babi. Nuk dua të iki më në shtëpi, dua një familje tjetër. Thirra nuset e djemve. E pashë ishte e trembur, në fillim mendova mos… Më pyeti cilën ke vajzë nga këto? Të dyja thashë. Sa baba i mirë, më tha. Thoshte vazhdimisht nuk dua të shkoj në shtëpi. Iu thashë ta mbanin vajzën dhe shkova te kryetari i fshatit, thashë është e trembur. Policia erdhi vonë, po e kërkonin se kishte denoncuar i ati”, tregoi ai.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Dua një familje tjetër” – Flet komshiu që mbrojti 12-vjeçaren nga babai abuzues appeared first on Euronews Albania.

Flet kreu i ri i PS në Vlorë: Jemi gjithmonë gati për çdo nevojë të partisë

5 July 2025 at 21:44

Kryeminstri dhe kryetari i PS, Edi Rama shkarkoi dy ditë më parë kryetarin dhe nënkryetaren e PS në Vlorë Admir Malaj dhe Vilma Bello, dhe në vend të tyre emëroi Klevis Kason dhe Erjona Ismailin.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Now me gazetaren Greta Topjana, Kaso u shpreh se ishte i surprizuar por edhe i vlerësuar për këtë detyrë.

Ai komentoi edhe kritikat e fundit të kryeministrit ndaj bashkisë që pasuan me dorëheqjen e 21 drejtorëve, duke i argumentuar me vëmendjen e madhe që kreu i qeverisë ka ndaj Vlorës.

“Nuk e prisja fare dhe nuk e kisha idenë por duke qenë se bëjmë pjesë në strukturat e PS shumë aktive, ne jemi gati në çdo moment për çdo nevojë që partia ka dhe është kënaqësi dhe përgjegjësi të drejtosh PS e Vlorës, një nga bastionet më të mëdha në vend. Vlora është një qytet që gëlon ndaj problematikat duhet të marrin zgjidhej po aq shpejt, nuk ka probleme që nuk zgjidhen por njerëz që nuk i zgjidhin. Kryeministri ka vëmendje shumë të madhe ndaj Vlorës, ndaj reagimi duhet të jetë në lartësinë e duhur”, tha Kaso.

The post Flet kreu i ri i PS në Vlorë: Jemi gjithmonë gati për çdo nevojë të partisë appeared first on Euronews Albania.

Përplasja në Vlorë, zyrtari i PD: Luftë klanesh brenda PS, Dredha u bë pengesë

5 July 2025 at 21:11

Atird Hoxha, anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, nga radhët e PD-së komentoi në një intervistë për Euronews Albania përplasjen e kryeministrin Edi Rama me bashkinë Vlorë dhe dorëheqjen e 21 drejtorëve të kësaj bashke pas ultimatumit të këtij  të fundit.

Sipas tij bëhet fjalë për një përplasje mes klaneve brenda PS për shkak të prishjes së interesave të mëdha financiare në këtë qytet.

“Kjo është një përplasje e brendshme në PS në të cilën Rama tashmë ka marrë pozicion duke përkrahur një grup të caktuar në PS për të sulmuar Dredhën, është një luftë mes klaneve në PS. Nuk mundet kurrsesi të detyrosh të dorëhiqen në grup 21 drejtorë, jo për t’i mbrojtur, por çfarë përgjegjësie ka me pastrimin drejtori i teatrit, të pallatit të sportit? Janë të gjithë të PS këta. Portalet e PS në Vlorë po bëjnë një luftë të shëmtuar kundër Dredhës. Interesat në Vlorë në sektorin e ndërtimit janë shumë të larta dhe ndoshta Dredha dhe të tijtë janë bërë pengesë për ta kthyer Vlorën në kantier kullash ndërtimi dhe mendoj se kjo është arsyeja e vetme”, tha Hoxha.

 

LEXONI GJITHASHTU:


The post Përplasja në Vlorë, zyrtari i PD: Luftë klanesh brenda PS, Dredha u bë pengesë appeared first on Euronews Albania.

Kuvendi i Kosovës dështon sërish konstituimin, me gjithë aktgjykimin e Kushtetueses

5 July 2025 at 20:49

Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe të shtunën, me gjithë aktgjykimin e gjykatës më të lartë të vendit që i detyron ata të formojnë institucionin ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Vazhdimi i seancës konstituive – që u mbajt në vonesë në mbrëmje pas një alarmi të rrejshëm për bombë – zgjati sërish vetëm pak minuta dhe udhëheqësi i saj, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të hënën, më 5 korrik.

Kjo është hera e 42-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Për dallim nga grumbullimet e kaluara, në takimin e sotëm të pranishëm ishin vetëm 74 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Ky dështim i radhës vjen pavarësisht takimeve të presidentes Vjosa Osmani me partitë parlamentare për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdaljeje dhe paralajmërimeve të saj se do të ketë pasoja juridike nëse nuk bëhet Kuvendi deri më 26 korrik.

Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, por nuk dha hollësi se çfarë do të ishin pasojat në rast se afati nuk respektohet.

Osmani tha se do t’i drejtohet gjykatës nëse deputetët s’e formojnë institucionin ligjvënës së shpejti.

 

 

 

 

The post Kuvendi i Kosovës dështon sërish konstituimin, me gjithë aktgjykimin e Kushtetueses appeared first on Euronews Albania.

“Nuk flet, vetëm leh”/ Historia prekëse nga Tajlanda, gjendet djali që u rrit me qen

5 July 2025 at 20:10

Policia tajlandeze gjeti një djalë tetëvjeçar gjatë një bastisjeje, i cili jetonte vetëm në një kasolle të rrethuar nga qen, i paaftë për të komunikuar, vetëm duke lehur, raportoi sot Mirror.

Djali u gjet në një kabinë ku ishte braktisur nga nëna dhe vëllai i tij 23-vjeçar, të cilët, siç treguan analizat, përdornin drogë.

Nëna e tij e regjistroi në shkollë për të marrë ndihmë shtetërore, megjithëse fëmija nuk ndoqi asnjë orë mësimi, gjë që e shtyu shkollën të kontaktonte aktivisten për të drejtat e fëmijëve Pavina Hongsakul, e cila e raportoi rastin në policinë lokale.

Hongsakul shpjegoi se djali “nuk po fliste, ai vetëm po lehte” dhe se ishte e trishtueshme ta shihte në atë gjendje.

Vendasit raportuan se e kishin parë nënën duke lypur ushqim dhe familjet vendase ua ndaluan fëmijëve të tyre të ndërvepronin me djalin për shkak të sjelljes së nënës së tij.

The Mirror raporton se djali, duke mos pasur njerëz me të cilët të ndërvepronte, iu drejtua qenve për socializim dhe përfundimisht filloi të imitonte sjelljen e tyre.

Ministria e Arsimit e Tajlandës dhe policia e Lap Lae kryen një operacion të përbashkët më 30 qershor, në të cilin të rriturit u akuzuan për përdorim droge dhe djali u vendos në një shtëpi për fëmijë të lënë pas dore.

“Djalit do t’i jepet një shans për një jetë të mirë. Ne do të monitorojmë progresin për t’u siguruar që ai të marrë gjithçka që i nevojitet”, tha ministria.
 

The post “Nuk flet, vetëm leh”/ Historia prekëse nga Tajlanda, gjendet djali që u rrit me qen appeared first on Euronews Albania.

Gjirokastër, përfshihet nga zjarri transformatori elektrik në fshatin Kakoz

5 July 2025 at 20:02

Mbrëmjen e sotme një transformator elektrik në fshatin Kakoz, Gjirokastër është përfshirë nga zjarri.

Flakët rrezikuan të përhapeshin në mjedisin përreth.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të forcave zjarrfikëse, të zjarri u vendos nën kontroll në kohë dhe u shuan plotësisht, pa shkaktuar dëme të mëdha materiale apo rrezik për banorët.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Gjirokastër, përfshihet nga zjarri transformatori elektrik në fshatin Kakoz appeared first on Euronews Albania.

Turqia, vendi i paradokseve meteorologjike: Në Izmir, 40 gradë, në Rize bie borë

5 July 2025 at 19:47

Në disa pjesë të Turqisë, temperatura i kaloi këto ditë 40 gradë Celsius, ndërsa, nga ana tjetër, në zonën e Rizes ka rënë borë.

Zjarret në pyje kanë shpërthyer ditët e fundit në disa rajone, duke përfshirë Izmirin, Bursën, Tekirdagun dhe Adanan, dhe shërbimet zjarrfikëse janë në terren.

Nga ana tjetër, zona e Rizes u zbardh, veçanërisht Rrafshnalta Balikli, e cila ndodhet në rreth 2,400 metra mbi nivelin e detit, raporton Haber.

Në atë rajon, shërbimet kompetente po punojnë me intensitet për pastrimin e rrugëve nga bora.

Në zonat me lartësi të madhe të rajonit të Detit të Zi, siç është Rize, ndonjëherë bie borë gjatë muajve të verës, por reshjet e këtij intensiteti janë të rralla.

Me këtë rast, ekspertët theksojnë efektet e ndryshimeve klimatike dhe paralajmërojnë se fenomene të tilla mund të bëhen më të shpeshta.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Turqia, vendi i paradokseve meteorologjike: Në Izmir, 40 gradë, në Rize bie borë appeared first on Euronews Albania.

Bytyçi: Vuçiç me ekstremistët e Dodikut do destabilizojnë Ballkanin

5 July 2025 at 19:24

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi tha në emisionin Balkan Talks se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç po bashkëpunon me forca ekstremiste në Republikën Srpska për të ndalur protestat në Serbi.

Sipas tij, këto forca ekstremiste janë një rrezik real, pasi mund të përdoren për të destabilizuar Ballkanin.

“Qytetarët në Serbi ballafaqohen me një regjim për arsye të provokimeve që bëjnë paramilitarët edhe nga republika Srpska. Mendoj se për Evropën është me rëndësi të merret seriozisht bashkëpunimi i Beogradit me ekstremistë në republika Srpska se këta njerëz që sot shërbehen për të dhunuar studentët për të ndalur protestat, nesër mund të shërbejnë për të destabilizuar Ballkanin. Nëse nisemi nga parullat  e ekstremistëve gjatë protestave për Kosovë besoj se këto janë sinjal i qeverisë së Beogradit se nuk do bëjë lëshime. Nëse protesta vazhdon dhe përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare Vuçiç do përdorë mjete të dhunshme për të mbajtur pushtetin në emër të sovranitetit të Serbisë”, tha ai.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Bytyçi: Vuçiç me ekstremistët e Dodikut do destabilizojnë Ballkanin appeared first on Euronews Albania.

Udhëheqësi famëkeq i bandës suedeze arrestohet në Turqi

5 July 2025 at 19:14

Një nga krerët e bandave më të kërkuara të Suedisë, Ismail Abdo, është arrestuar në Turqi, tha të premten zyra e prokurorit suedez.

Sipas agjencisë globale të policisë, Interpol, kundër tij rëndojnë një listë e gjatë akuzash për drogë, me shtetësi të dyfishtë suedeze dhe turke.

35-vjeçari, me nofkën Luleshtrydhe, është një udhëheqës i njohur i bandës kriminale Rumba në Suedi. Ai akuzohet për orkestrimin e operacioneve të paligjshme nga jashtë dhe ka qenë subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit që nga viti i kaluar.

Policia suedeze nuk e identifikoi atë, por konfirmoi arrestimin e një burri “të dyshuar për përfshirje në trafik të rëndë droge dhe nxitje të krimeve të rënda të dhunshme” për shumë vite në Suedi.

Ai ishte një nga 19 personat që u arrestuan gjatë bastisjeve në Turqi, ku oficerët sekuestruan më shumë se një ton drogë, raportoi transmetuesi shtetëror TRT. Vendi i saktë ku u zhvilluan bastisjet nuk është zbuluar ende.

Urdhra arresti u lëshuan për 21 të dyshuar të tjerë, nga të cilët 14 besohet se janë jashtë vendit dhe tre janë tashmë në paraburgim për akuza të tjera. Katër janë ende në arrati, shtoi TRT.

Autoritetet turke thuhet se sekuestruan asete me vlerë rreth 1.5 miliardë lira turke (27.8 milionë paund; 38 milionë dollarë), duke përfshirë 20 automjete, llogari bankare dhe 51 prona të paluajtshme.

Dhuna midis bandave në Suedi është përshkallëzuar vitet e fundit, pjesërisht sepse ish-shoqja e Abdos, Rawa Majida, është udhëheqësja e një bande rivale, Foxtrot.

Shumë njerëz janë vrarë që kur filloi lufta e tyre vdekjeprurëse për territor. Ajo hyri në një kapitull të ri dhe të dhunshëm në vitin 2023 kur nëna e Abdos u vra në shtëpinë e saj në Uppsala, në veri të kryeqytetit, Stokholm.

Përshkallëzimi e shtyu qeverinë të angazhojë ushtrinë për të ndihmuar në përballimin e rritjes së vrasjeve nga bandat.

Në vitin 2024, policia turke arrestoi Abdon gjatë një kontrolli rrugor, por e liroi me kusht pavarësisht njoftimit të kuq aktiv të Interpolit kundër tij – një veprim që shkaktoi kritika nga autoritetet suedeze të cilat po kërkonin ta ekstradonin Abdon.

 

The post Udhëheqësi famëkeq i bandës suedeze arrestohet në Turqi appeared first on Euronews Albania.

Pas 8 orësh seancë, lihen në fuqi masat për 9 të arrestuarit e Bankers

5 July 2025 at 19:04

Ka përfunduar pas 8 orësh seanca maratonë në Gjykatën e Fierit për 9 personat e arrestuar për çështjen Bankers.

Gjykata ka lënë në fuqi të gjitha masat siç i kishte kërkuar Prokuroria. Në sallën e gjyqit të pandehurit janë shprehur se janë të pafajshëm duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga prokuroria e Fierit për evazion fiskal apo shpërdorim detyre.

Mes personave të ndaluar janë dhe drejtori aktual i Bankers Petroleum, Hong Ping Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo, të cilët mbërritën në gjykatë me pranga në duar, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Prokuroria e Fierit akuzon kompaninë dhe drejtuesit e saj për disa vepra penale, përfshirë:

“Krijim të skemave mashtruese lidhur me TVSH”

“Fshehje të të ardhurave”

“Pastrim të produkteve të veprës penale”

“Shpërdorim detyre”

“Moskryerje të detyrave nga organet tatimore”.

Hetimet e deritanishme zbulojnë se në periudhën 2004-2024, “Bankers Petroleum” ka deklaruar humbje të njëpasnjëshme, duke shmangur pagesën e taksave, ndonëse ka realizuar eksporte dhe shitje brenda vendit me një vlerë që kalon 532 miliardë lekë. Sipas organit të akuzës, kompania ka raportuar shpenzime të rreme që tejkalojnë të ardhurat, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.

Në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle në ambientet e kompanisë dhe në disa banesa private, ku janë sekuestruar dokumente dhe prova që konsiderohen kyçe për çështjen. Ndërkohë, hetimet shtrihen edhe ndaj disa individëve dhe subjekteve të tjera të dyshuara për përfshirje në skemat e mashtrimit dhe pastrimit të parave.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Me pranga në duar, dalin përpara gjykatës CEO dhe ish-administratori i Bankers

Arrestimet tek “Bankers”, reagon Sindikata: Do mbrojmë punonjësit

The post Pas 8 orësh seancë, lihen në fuqi masat për 9 të arrestuarit e Bankers appeared first on Euronews Albania.

Numri i viktimave nga përmbytjet në Teksas shkon në 27, përfshirë 9 fëmijë

5 July 2025 at 18:19

Numri i viktimave të përmbytjeve në Teksas është rritur në 27, përfshirë nëntë fëmijë, thanë autoritetet lokale. Shtohet se kërkimet vazhdojnë, raporton AP.

Autoritetet më parë thanë se të paktën 24 persona humbën jetën, përfshirë më shumë se 20 vajza që po qëndronin në një kamp veror.

Midis viktimave ishte Jane Ragsdale, drejtoreshë dhe bashkëpronare e Kampit të Vajzave Hart O’d Hills në Hunt.

Në Qarkun Kerr të Teksasit, më shumë se 230 persona janë shpëtuar ose evakuuar deri më tani, thanë autoritetet.

Shumë prej tyre u shpëtuan me helikopter, pasi disa pjesë të rajonit përjetuan reshje shiu që bien një herë në 100 vjet.

Ndërkohë, kërkimet vazhduan për më shumë se 20 vajza që ende rezultojnë të zhdukura nga Kampi Mystic, një kamp veror privat i krishterë i vendosur përgjatë një lumi që u rrit më shumë se gjashtë metra në më pak se dy orë.

 

The post Numri i viktimave nga përmbytjet në Teksas shkon në 27, përfshirë 9 fëmijë appeared first on Euronews Albania.

Turqi, 3 kryebashkiakë të opozitës arrestohen në hetimin për korrupsion

5 July 2025 at 17:33

Tre kryetarë bashkie u arrestuan në tre qytete të mëdha në Turqinë jugore, sipas Reuters, duke vazhduar një seri arrestimesh të politikanëve të opozitës në vend.

Kryetarët e bashkive Abdurahman Tutdere nga Adiyamani, Zeydan Karalar nga Adana dhe Muhitin Bocek nga Antalia u arrestuan në bastisjet e kryera nga policia turke.

Kryetarët e arrestuar të bashkive janë anëtarë të partisë kryesore të opozitës, Partisë Republikane Popullore (CHP).

Tutdere dhe Karalar u arrestuan si pjesë e një hetimi të nisur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Publik të Stambollit, i cili përfshin akuza për krim të organizuar, ryshfet dhe manipulim tenderash.

Karalar u arrestua në Stamboll, ndërsa Tutdere u ndalua në Ankara.

Të dy thanë në mediat sociale se u transferuan në Stamboll për hetime të mëtejshme.

Një rast i ngjashëm ndodhi në Antalia, ku Bocek u arrestua së bashku me dy të dyshuar të tjerë.

Ky hetim, i cili u krye në një rast të veçantë që lidhet me ryshfetin, përfshin edhe shumë të dyshuar të tjerë.

Arrestimet e fundit vijnë pas një vale arrestimesh të politikanëve të CHP-së në muajt e fundit, më së shumti pasi kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, u burgos në mars për akuza për korrupsion.

Që atëherë, Imamoglu është bërë një figurë kyçe në opozitë dhe kandidati zyrtar presidencial në zgjedhjet e ardhshme.

 

 

 

 

The post Turqi, 3 kryebashkiakë të opozitës arrestohen në hetimin për korrupsion appeared first on Euronews Albania.

Lumi Sena rihapet për notarët në Paris pas një ndalimi shekullor

5 July 2025 at 17:26

Lumi Sena në Paris është rihapur publikisht për notarët për herë të parë që nga viti 1923, pas një ndalimi shekullor.

Hapja sezonale e Senës për not shihet si një trashëgimi kyçe e Lojërave Olimpike Paris 2024, kur notarët dhe triatlonistët në ujëra të hapura garuan në ujërat e saj, të cilat u pastruan posaçërisht për këtë ngjarje.

Të shtunën në mëngjes, në orën 08:00 sipas kohës lokale, disa dhjetëra notarë mbërritën përpara hapjes dhe u zhytën në ujë.

Në Sena ka tre zona të caktuara për not publik – një pranë Kullës Eiffel, një tjetër pranë Katedrales Notre Dame dhe një e tretë në lindje të Parisit.

Zonat kanë dhoma zhveshjeje, dushe dhe mobilje në stil plazhi, të cilat lejojnë deri në 300 persona të shtrojnë peshqirët e tyre.

Deri në fund të gushtit, të tre vendet e notit do të jenë të hapura falas në orare të caktuara për këdo me moshë minimale 10 ose 14 vjeç, varësisht nga vendndodhja.

Rojet bregdetare do të jenë gjithashtu të pranishme për të mbajtur nën vëzhgim ata që janë në lumë.

 

 

The post Lumi Sena rihapet për notarët në Paris pas një ndalimi shekullor appeared first on Euronews Albania.

Përplasen 2 automjete në rrugën Sarandë-Delvinë, 4 të plagosur

5 July 2025 at 16:55

Një aksident mes dy mjeteve ka ndodhur të shtunën në rrugën nacionale Sarandë – Delvinë në vendin e quajtur Shijan.

Dy mjete, njeri Ford me targe AA240GE me drejtues Leonard Begolli 64 vjeç dhe mjetit tip Benz  me targë AB896TC në pronësi të Alen Preçi janë përplasur me njëri tjetrin në këtë aks.

Nga aksidenti kanë ngelur të plagosur 4 persona që ndodheshin në mjete, mes tyre edhe drejtuesit e mjeteve, të cilët u transportuan më ambulancë në urgjencën e Sarandës, ku sipas bluzave të bardha janë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë kanë shkuar në vend shërbimet e Qarkullimit Rrugor Sarandë të cilët po punojnë për të zbardhur shkakun e aksidentit.

The post Përplasen 2 automjete në rrugën Sarandë-Delvinë, 4 të plagosur appeared first on Euronews Albania.

Gjirokastër, kalaja tërheq turistët, regjistron 100 mijë vizitorë

5 July 2025 at 16:49

Kalaja e Gjirokastrës përgjatë këtij viti ka regjistruar 100 mijë vizitorë duke qenë ndër monumentet e kulturës më të frekuentuara në vendin tonë. Kalaja një “Monument kulture” me vlera të veçanta vetëm gjatë muajit qershor mirëpriti 40 mijë turistë ndërsa vazhdon të jetë destinacioni kryesor kulturor në jug të Shqipërisë. Vizitorët vlerësojnë historinë dhe arkitekturën e kalasë së gurtë.

“Jam nga Polonia, hera ime e parë që ndodhem këtu. Qyteti është shumë, shumë interesant. Më pëlqeu shumë kalaja sepse mund t’i ikësh edhe pak diellit. Monumenti është shumë informativ dhe patjetër është një rekomandim shumë i mirë për verën në Gjirokastër”, thotë një turist.

“Unë vij nga Gjermania. Kalaja ka një hije të rëndë dhe mbresëlënëse që e vëren edhe kur del nga korridori në oborr e sidomos duke dëgjuar historinë interesante që ka”, shprehet një tjetër.

E integruar në strukturën historike të qytetit muze të Gjirokastrës pasuri botërore e UNESCO-s, kalaja mbetet një nga monumentet më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare.

 

 

 

The post Gjirokastër, kalaja tërheq turistët, regjistron 100 mijë vizitorë appeared first on Euronews Albania.

Sulmet ajrore izraelite vrasin 24 palestinezë në Gazë

5 July 2025 at 16:39

Sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë 24 palestinezë në Rripin e Gazës të shtunën, përfshirë 10 njerëz që po kërkonin ushqim në këtë enklavë të rrënuar nga lufta, thanë zyrtarë spitalorë për Associated Press.

Dy punonjës amerikanë të ndihmës humanitare nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i cili mbështet nga Izraeli, u plagosën gjithashtu në jug të Gazës pasi persona të panjohur hodhën granata ndaj tyre në një pikë të shpërndarjes së ushqimit, tha organizata.

Kjo gjakderdhje ndodhi në një kohë kur përpjekjet për armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që synojnë t’i japin fund luftës pothuajse 21-mujore, duket se po fitojnë vrull.

Hamas – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – dha përgjigje “pozitive” të premten në mbrëmje për propozimin e fundit amerikan për një armëpushim 60-ditor, por tha se nevojiten më shumë bisedime për zbatimin e tij.

Hamas po kërkon garanci që armëpushimi fillestar do të çojë drejt një fundi të plotë të luftës dhe tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po shtyn për një marrëveshje dhe pritet ta mirëpresë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për të biseduar për një marrëveshje.

Sulmet ajrore izraelite goditën tenda në zonën Muvasi në skajin jugor të bregut mesdhëtar në Gazë, duke vrarë shtatë njerëz, përfshirë një mjek palestinez dhe tre fëmijët e tij, sipas Spitalit Nasser në Han Junis.

Katër të tjerë u vranë në qytetin Bani Suheila në jug të Gazës, dhe tre njerëz të tjerë u vranë në tri sulme të ndryshme në Han Junis.

Ushtria izraelite nuk i ka komentuar këto sulme.

Ndërkohë, tetë palestinezë u vranë pranë një pike të GHF-së për shpërndarjen e ndihmave në qytetin jugor të Rafahut, sipas spitalit. Një palestinez tjetër u vra pranë një tjetër pike të GHF-së në Rafah.

GHF-ja e mohoi që vrasjet të kenë ndodhur pranë pikave të saj shpërndarëse. Më parë, organizata ka thënë se askush nuk është qëlluar pranë pikave të saj, të cilat ruhen nga kontraktorë privatë, por në to mund të arrihet vetëm duke kaluar pranë pozicioneve ushtarake izraelite qindra metra larg.

Një palestinez tjetër u vra duke pritur në radhë për kamionët me ndihma në lindje të Han Junisit, sipas zyrtarëve të Spitalit Nasser.

 

 

 

The post Sulmet ajrore izraelite vrasin 24 palestinezë në Gazë appeared first on Euronews Albania.

Banorët e Rrajcës: Veshjet dhe vallet duhet të bëhen pjesë e UNESCO

5 July 2025 at 16:34

Në zemër të Rrajcës, trashëgimia kulturore nuk është vetëm kujtim, por jetë e përditshme. Veshjet popullore që dikur përdoreshin në dasma e festa sot ruhen me përkushtim nga gratë e zonës, të cilat i punojnë ende me dorë siç i kanë trashëguar nga nënat dhe gjyshet e tyre.

Kjo pasuri shpirtërore e Rrajcës nuk ndalet vetëm tek veshja. Edhe vallja e saj, me hapat e veçantë dhe ritmin karakteristik, mësohet që në vegjëli, duke u bërë pjesë e pandashme e identitetit të banorëve të kësaj zone.

Banorët e Rrajcës kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta përfshirë këtë trashëgimi të vyer në listën e UNESCO-s, si një pasuri kulturore jo materiale që i përket gjithë njerëzimit. Por rruga drejt njohjes ndërkombëtare kërkon më shumë se sa pasion, kërkon mbështetje konkrete nga institucionet.

“Ajo që është e rëndësishme është se janë disa valle burra dhe grash, të rinjsh dhe të moshuarish ku në krye të kësaj historie qëndron mjeshtri i madh Sadi Halili. Veshja dhe vallja rrajcare, të mbrohen në UNESCO. Përpjekje janë bërë por gjë nuk është arritur”, thotw Flori Karaj, koreograf.

“Rrajca ka dominuar në shkallë vendi, në evente të ndryshme, në festivale por edhe në botë. Është Rrajca, nuk bëhet fjalë vetëm për një valle po për shumë valle. Është një vlerë e trashëguar dhe duam që ta trashëgojmë dhe brezave. Vallja e Rrajcës është mbretëreshë”, shprehet Destan Myftari, studiues

Duhet që Ministria e Kulturës, pushteti vendor dhe organizatat për trashëgiminë të japin ndihmën e duhur për ruajtjen dhe promovimin e kësaj vlere unike, sepse Rrajca nuk kërkon vetëm të ruajë traditat për vete, por të ndajë me botën një pjesë të shpirtit të saj.

 

 

 

The post Banorët e Rrajcës: Veshjet dhe vallet duhet të bëhen pjesë e UNESCO appeared first on Euronews Albania.

Gjirokastër, suveniret e importit “pushtojnë” tregun, artizanët drejt falimentit

5 July 2025 at 16:24

Rritja e ndjeshme e fluksit të turistëve, të cilët në këto ditë vere vizitojnë Gjirokastrën ka shtuar kërkesat për suvenire dhe prodhime karakteristike.

Artizanët lokalë e shikojnë këtë rritje të kërkesës për prodhimet artizanale si një mundësi të mirë për zgjerimin e punës dhe rritjen e të ardhurave ekonomike.

Shtimi i kërkesës për suvenire nga turistët ka bërë që në treg të konstatohet një prani e madhe e suvenireve të importuara.

Bëhet fjalë për punime tradicionale të sjellë nga Kina, Turqia dhe vende të tjera të cilat tregtohen me kosto të ulët duke konkurruar produktet artizanale vendase.

“Kjo është pika më e dobët për pjesën e artizanatit  në pazarin e Gjirokastrës, pasi me ardhjen e turistëve ajo që është për t’u habitur është fakti që këtu vijnë suvenire të vogla, me dizenjo Gjirokastrën, me simbolika Gjirokastrën të prodhuara jashtë në Kinë apo në Turqi dhe ato dalin me një kosto shumë të ulët minimale,  që është e pamundur që të konkurrohen”, thotë Viktor Nurçe, mjeshtër drugdhendës.

Turistët e huaj që vizitojnë Gjirokastrën vlerësojnë traditën dhe suveniret e prodhuara në mënyrë karakteristike nga mjeshtrit lokalë ndërsa një pjesë preferojnë të trajnohen në zejet tradicionale.

“Personalisht më pëlqejnë punimet karakteristike ne drugdhendje. Mendoj se druri është diçka e bukur dhe këtu po mësoj sesi të realizoj produkte të vogla në dru të gdhendur, është një përvojë mjaft e mirë si pjesë e vizitës në qytetin e Gjirokastrës”, shprehet një turiste.

Artizanët lokalë në Gjirokastër apelojnë për mbështetje nga shteti për mbrojtjen e punimeve karakteristike dhe vlerave të traditës nga suveniret e importuara nga vende të tjera.

The post Gjirokastër, suveniret e importit “pushtojnë” tregun, artizanët drejt falimentit appeared first on Euronews Albania.

16 vatra zjarri në 24 orë, 4 vijojnë të jenë aktive

5 July 2025 at 16:14

16 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, nga të cilat 4 mbeten ende aktive, në Elbasan, Finiq, Tiranë dhe Has.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.

Në dy raste pati dëme materiale: Në fshatin Seman i Ri, të Fierit një banesë u përfshi nga flakët, pronari u transportua në Spitalin Rajonal dhe banesa pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.

Në fshatin Fushë Prezë, të Vorës një hangar me bar u përfshi nga flakët duke shkaktuar djegien e 1600 dengjeve me bar.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 21 automjete zjarrfikëse, 190 forca operacionale, 35 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter Cougar, 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit, 2 automjete zjarrfikëse ushtarake.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile iu bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr në mjedis.

Gjithashtu, iu kërkon që të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse në rast të konstatimit të flakëve apo tymit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post 16 vatra zjarri në 24 orë, 4 vijojnë të jenë aktive appeared first on Euronews Albania.

Arkeologët zbulojnë një anije të mbytur 2000-vjeçare pranë brigjeve të Turqisë

5 July 2025 at 16:09

Një anije që daton 2000 vjet më parë me një ngarkesë të paprekur më mallra qeramike është zbuluar në brigjet e Adrasanit, Turqi.

Anija e mbytur u gjet në një thellësi prej 120 deri në 150 metrash dhe është e jashtëzakonshme jo vetëm për ruajtjen e ngarkesës së saj, por edhe për rregullimin e kujdesshëm të qeramikës.

Tasat, pjatat dhe enët e vendosura njëra mbi tjetrën, të vendosura me kujdes në pozicionet e tyre origjinale, ofrojnë një pamje të rrallë të tregtisë, prodhimit dhe teknikave të paketimit të lashtë detar.

Zbulimi është i rëndësishëm si për arkeologët ashtu edhe për historianët, pasi ofron një pamje të pashembullt të praktikave të lashta tregtare, dhe ruajtja e saj e shkëlqyer është pjesërisht për shkak të një teknike të pazakontë mbrojtëse, qeramikat ishin të veshura me argjilë të papërpunuar, e cila i mbrojti ato nga degradimi gjatë shekujve.

Zbulimi i qeramikës së lashtë nuk është vetëm një triumf arkeologjik; ai gjithashtu përmban informacione të paçmuara rreth teknikave të lashta të prodhimit dhe transportit.

Veshja me argjilë të papërpunuar, një metodë ruajtjeje e panjohur më parë, i mbrojti qeramikat dhe i mundësoi atyre të ruanin shumë nga ngjyrat dhe tiparet e tyre origjinale. Ky zbulim është i pari i këtij lloji, duke u ofruar arkeologëve një pasqyrë kritike mbi paketimin dhe transportin e mallrave në të gjithë botën e lashtë.

 

 

 

The post Arkeologët zbulojnë një anije të mbytur 2000-vjeçare pranë brigjeve të Turqisë appeared first on Euronews Albania.

❌
❌