Suedia i hap kualifikueset me një vizitë në Slloveni më 5 shtator, dhe tre ditë më vonë do të luajë në Prishtinë ndaj Kosovës.
Edhe pse aktualisht është jashtë fushave për shkak të një mosmarrëveshjeje me drejtuesit e Newcastle United , sulmuesi Alexander Isak është në listën e lojtarëve të kombëtares suedeze për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Edhe pse ka një kontratë me Newcastle United deri në vitin 2028, Isak po përpiqet të largohet nga “St James Park” dhe të vazhdojë karrierën e tij te Liverpool, por klubet ende nuk kanë rënë dakord.
Sulmuesi suedez aktualisht po stërvitet veçmas nga ekipi i parë i ‘Larsakave’ dhe së fundmi publikoi një mesazh ku thuhej se ka humbur besimin te drejtuesit e klubit për shkak të premtimeve të pambajtura.
“Jam shumë i lumtur që Isak dëshiron të jetë pjesë e ekipit, ai është një lojtar i shkëlqyer”.
“Situata e tij nuk është perfekte dhe ai nuk është stërvitur me ekipin e tij. Por ai është një lojtar që mund të jetë i vendosur dhe dëshiron të jetë pjesë e ekipit tonë. Kupa e Botës është e rëndësishme për Alexander Isak”, ka thënë përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson.
Suedia do të luftojë për Kupën e Botës në Grupin B së bashku me ekipet kombëtare të Zvicrës, Kosovës dhe Sllovenisë. /Telegrafi/
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë deklarata të rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një punim akademik të botuar më 22 gusht 2012.
Në këtë punim, Basha pretendon se gjatë ngritjes së saj, UÇK-ja kishte bashkëpunuar me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës.
“Ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë etnikë brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruante Basha.
Ai theksonte se fondet për UÇK-në nuk vinin vetëm nga diaspora shqiptare, por edhe nga rrjete të trafikut të drogës që operonin në Evropën Perëndimore dhe SHBA.
Sipas tij, kjo mbështetje përfshinte edhe dërgimin e luftëtarëve të armatosur për t’u bashkuar me UÇK-në dhe blerjen e armëve në emër të saj.
Në punimin e tij, Basha citon raste gjyqësore nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Çekia, të cilat, sipas tij, sugjeronin lidhje të forta midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së.
Ai përmend një rast në Belgjikë, ku “i ashtuquajturi ‘bosi i mafias shqiptare’ VH” i kishte lënë plumba para dyerve të familjeve shqiptare në diasporë si mjet presioni për pagesën e “taksave vullnetare” në mbështetje të UÇK-së.
Basha shprehet se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që merrte nga banditët patriotikë që operonin përtej kufijve”.
Ai përmend edhe emrin e ish-deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, duke thënë se ky i fundit kishte rol kyç në fondin “Vendlindja Thërret”, i cili grumbullonte të ashtuquajturat taksa vullnetare.
Sipas punimit të Bashës, një raport i KFOR-it e lidhte Halitin me menaxhimin e këtij fondi, duke pretenduar se kur financimi kishte rënë, fondi “u kthye në krim të organizuar në një masë të madhe”.
Publikimin në rrjetin social Facebook, të këtij punimi e ka bërë gazetari, Besnik Krasniqi.
Vendimi i Leon Avdullahut për të zgjedhur Kosovën, pasi kishte avancuar në radhët e ekipeve zinxhir të Zvicrës, erdhi vetëm pak ditë pas atij të Eman Kospos, i cili vendosi të përfaqësojë Bosnjën në vend të helvetikëve. Këto vendime i ka komentuar ish mesfushori i helvetikëve, Blerim Xhemaili, i cili e sheh Zvicrën si viktimë, në rastin e ikjes së talentëve.
Leon Avdullahu, shihet si një prej talentëve më premtues, i cili u largua nga Zvicra, për të përqafuar rrënjët e tij – një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm gjatë viteve të fundit.
Shembuj të ngjashëm nga e kaluara janë Mladen Petric dhe Ivan Rakitic, që kishin lënë Zvicrën për të kaluar te Kroacia.
Ish-mesfushori i Kombëtares së Zvicrës, Blerim Xhemaili, e sheh situatën si një sfidë të vazhdueshme për federatën zvicerane, ndërsa ka ofruar ndihmën e tij që lojtarët me prejardhje shqiptare të mos zgjedhin Kosovën dhe Shqipërinë.
“Federata duhet të ndihmohet më shumë, ndoshta duke përfshirë ish-lojtarë si ne, të cilët kanë kaluar nëpër të njëjtat zgjedhje dhe në fund kanë zgjedhur Zvicrën”, deklaroi Xhemiali.
Në pyetjen nëse Zvicra është viktimë apo bashkëpunëtore në këto raste, duke mos i vlerësuar talentët, Xhemaili u përgjigj qartë, duk i dal në krah federatës.
“Mendoj se është më shumë viktimë. Shpesh këta janë lojtarë që nuk do të kishin shumë hapësirë këtu ose përballen me konkurrencë të madhe. Por ndonjëherë është edhe çështje zemre. Të dyja janë të kuptueshme”, ka thënë Xhemaili.
Megjithatë, ai shkoi edhe më larg, duke i paralajmëruar lojtarët si Avdullahu dhe Kospos se një vendim i tillë, largimi nga Zvicra, mund të ndikojë në karrierën e tyre.
“Është një humbje, duhet të kishim luftuar më shumë për ta mbajtur (te Zvicra). Unë për shembull, nëse nuk do të kisha luajtur me Zvicrën, nuk e di nëse do ta kisha pasur të njëjtën karrierë”, përfundoi Xhemaili intevistën e tij për RSI.
Mesfushori bëri karrierë te Zurich, Bologna, Montreal, Galatasaray, Napoli, Torino, Parma dhe Bolton. /Telegrafi/
Antikushtetuese dhe në shpërputhje me aktgjykimin e fundit të këtij institucioni po konsiderohet vendimi që përmes procedurës së ndarë të votimit të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës nga komunitetet jo shumicë.
Avokatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq nuk ka të drejtë dhe nuk mund të propozohet për nënkryetar të legjislativit nëse nuk propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, rrjedhimisht Listës Serbe.
Madje, kërkohet që edhe procesi i votimit të nënkryetares nga komunitetet joserbe, Emilja Rexhepi të përsëritet pasi sipas tyre, votimi i dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë duhet të bëhet në pako. Në të kundërtën, të njëjtit theksojnë se nëse ky rast dërgohet në Gjykatë Kushtetuese e njëjta do të shpallë se zgjedhja e tyre ka qenë jokushtetuese.
Kuvendi i Kosovës, të martën zgjodhi Dimal Bashën kryeparlamentar si dhe katër nënkryetarë, mirëpo dështoi të zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti serb, rrjedhimisht dështoi të zgjidhet kryesia që do të konstituonte legjislaturën e nëntë.
Vendimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha që përmes shortit të zgjidhen emrat e deputetëve nga komuniteti serb dhe të hidhen në votim për nënkryetar të Kuvendit vlerësohet se është devijim nga Rregullorja e Kuvendit, pasi Lista Serbe kishte propozim për nënkryetar dhe se i njëjti do të vlente nëse s’ka propozim për nënkryetar.
Avokati, Ardian Bajraktari, thotë për KosovaPress se zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet në pako, sikurse ka ndodhur në praktikat e kaluara parlamentare.
Sipas tij, edhe propozimi për nënkryetar nga komuniteti serb në Kuvend duhet të vijë nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë atë komunitet, në rastin konkret Lista Serbe.
Prandaj, Bajraktari thotë se deputeti nga komuniteti serb në Kuvend, Nenad Rashiq nuk mund të propozojë vetën, mirëpo një gjë e tillë duhet të vijë nga Lista Serbe.
“Tentativa për të devijuar nga praktika e deritashme është në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë aktgjykimin e fundit, sipas të cilit në pikën njëqind e pesëdhjetë e gjashtë obligohen deputetët që sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se tridhjetë ditë nga publikimi i aktgjykimit të zgjedhin kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë. Ndër të tjera në pajtim me praktikën e deriatëhershme parlamentare, e cila natyrisht që nënkupton që nënkryetarët të zgjidhen në dy pako, fillimisht anëtarët e Kryesisë, përkatësisht nënkryetarët nga radhët e komunitetit shumicë dhe pastaj anëtarët e Kryesisë nga radhët e dyja komuniteteve, përkatësisht komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Tentativa për të devijuar, përkatësisht për ta ndryshuar krahët e praktikash, është në shpërputhje me aktgjykimin dhe rrjedhimisht edhe në shpërputhje me Kushtetutën. Për më tepër, synimi i kujtdo qoftë për të propozuar ose për të zgjedhur dikë, i cili nuk përfaqëson shumicën e komunitetit brenda vendit, në bindjen time është në shpërputhje edhe me vetë parimet mbi bazën e të cilave është ndërtuar dhe funksionon vendi ynë sipas parimeve kushtetuese. Për më tepër është edhe në kundërshtim me vetë Rregulloren e punës së Kuvendit për faktin se neni dymbëdhjetë paragrafi gjashtë e përcakton qartazi që përfaqësuesit, përkatësisht anëtari i Kryesisë nga radhët, në këtë rast të komunitetit serb, propozohet nga shumica e deputetëve që e përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thekson ai.
E, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress se votimi i ndarë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë është shkelje e Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe praktikave të deritanishme parlamentare.
Ai thekson se nëse Kuvendi voton të enjten Rashiqin për nënkryetar, rasti shumë lehtë mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe e njëjta të konstatojë se zgjedhja e dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë ka qenë jokushtetuese.
“Në rastin konkret kishim të bëjmë me shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së tanishme parlamentare. Kjo situatë tani tregon se kemi një skenar të ri për bllokimin e Kuvendit të Kosovës… Procesi i votimit duhet të jetë në pako, meqenëse këto dy aspekte nuk janë përmbushur, në rastin konkret i bie se edhe zgjedhja e zonjës Rexhepi ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe kemi të bëjmë me shkelje të dyfishtë të Kushtetutës, si në përzgjedhjen e zonjës Rexhepi nga komuniteti joserb, e po ashtu edhe mohimin e së drejtës së komunitetit serb për t’u përfaqësuar në Kryesinë e Kuvendit… Nëse ky rast shkon në Gjykatën Kushtetuese, bazuar në Kushtetutë dhe praktikën e deritanishme parlamentare ka pritje të arsyeshme se ky vendim dhe kjo mënyrë e zgjedhjes së nënkryetarëve do të konstatohet si kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, thekson ai.
Kuvendi i Kosovës nesër do të vazhdojë përpjekjen e 59 për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Të zgjedhurit e popullit pritet të vazhdojnë seancën konstituive në pikën e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi kryetari i Kuvendit dhe katër nga nënkryetarët janë zgjedhur pas bllokadës gjashtë mujore në Kuvend.
Zhbllokimi i situatës erdhi vetëm pasi disa prej deputetëve të PDK-së dhe AAK-së votuan për zgjedhjen e deputetit të LVV-së, Dimal Basha si kryetar të Kuvendit, pasi i njëjti nuk ishte pjesë e kabinetit qeveritar në detyrë. /KP/
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar kontrabandën e duhanit dhe produkteve të falsifikuara në Bërnjak.
Në njoftim thuhet se në pikëkalimin kufitar Bërnjak, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me zyrtarët e pikës kufitare, kanë zhvilluar një plan operativ me fokus në kontrolla të detajuara.
“Gjatë këtij operacioni është selektuar për kontroll një automjet, ku pas një verifikimi të hollësishëm janë zbuluar dhe sekuestruar: 27,5 kg duhan i grirë, i dyshuar për kontrabandë; 126 palë trenerka me marka të mbrojtura tregtare, të dyshuara si produkte të falsifikuara”, bëhet e ditur në njoftim.
Dogana e Kosovës thekson se përmes Njësive Antikontrabandë do të vazhdojë me kontrolle të rrepta në të gjitha pikat kufitare dhe brenda territorit të vendit, me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut dhe konsumatorëve nga mallrat e paligjshme dhe produktet e falsifikuara. /Telegrafi/
Një deponi e veturave në Hajvali është përfshirë nga zjarri.
Rasti ka ndodhur rreth orës 11:30, dhe si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa vetura.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 11:30, është raportuar për një incident zjarri në Hajvali, ku në një autoservis janë përfshirë nga zjarri disa vetura. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur lokalizimin e zjarrit”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar.
“Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti.
Ndërkaq drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi tha se ata informatën e pranuan rreth orës 11:45 dhe se fillimisht u ishte thënë se janë duke u djegur mbeturina dhe se dyshohej për një veturë të përfshirë nga zjarri.
“Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë parë që ishte përfshirë nga zjarri deponi e veturave dhe materialeve të ndryshme (vetura, hekrari dhe material të ndryshme). Zjarri është lokalizuar”, tha Gashi.
E Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka njoftuar se falë reagimit të shpejtë dhe koordimit të mirë mes ekipeve në terren, flakët janë lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e mëtejshme e zjarrit në zonat përreth.
“Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit, ndërsa banorët pranë zonës janë këshilluar të shmangin lëvizjen në afërsi për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut të mbetjeve të djegura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Fidan Husmanit, i lindur në Belgjikë.
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Prizren bën të ditur se Fidan Isak Husmani dyshohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
“Kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar, mund të kontaktojë Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Qytetarët mund të kontaktojnë në stacionin më të afërt policor ose në numrat kontaktues: 192 ose 038 550 999 (nga telefoni fiks dhe mobil), numri pa pagesë dhe anonim: 0800 19999 ose edhe përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’.
Policia thekson se të gjitha të dhënat dhe informacionet e ofruara do të ruhen në konfidencialitet të plotë. /Telegrafi.
Zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit u pasua me dorëheqjen e menjëhershme të Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës.
Kjo ngjarje riktheu në vëmendje përplasjet e disa viteve më parë mes dy figurave të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër më të rëndësishmen, atë të mbajtur në seancën parlamentare të 8 dhjetorit 2022.
Gjatë asaj seance, Basha e kishte kritikuar ashpër Aliun, duke e akuzuar se po mbronte interesat e asaj që e quante “mafia e betonit”, në lidhje me projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Puna kryesore e këtij ligji, unë mendoj që ky ligj e bën amnistimin e atyre keqpërdoruesve që shpesh herë janë quajtur ‘mafia e betonit’, por gjithashtu amnistimi i zyrtarëve publik që kanë lejuar degradim. Krejt ata investitor që se kanë respektu asnjë kriter por kanë betonuar dhe nuk kemi asnjë centimetër hapësirë të gjelbër, ata jo vetëm që nuk dënohen por legalizohen dhe inkurajohen që të vazhdojnë. Pse me marr leje në ndërtim e me pagu pesë euro kur ndërton me leje, po duke qenë me ndërtu pa leje dhe me shku me legalizu me dy euro”, ka thënë Basha, përcjell Telegrafi.
Basha gjithashtu kishte vënë theksin te përgjegjësia e investitorëve dhe jo e qytetarëve që kishin blerë banesa në objekte pa leje.
“Ligji thotë që qytetarët të aplikojnë për legalizim, por ata i kanë blerë ato banesa. Është investitori që duhet të mbahet përgjegjës. Duhet ndjekur ligjërisht dhe t’i kërkohet llogari për vlerën e shitjes”, kishte shtuar ai.
Përballë këtyre kritikave, Aliu kishte reaguar duke sqaruar se qëndrimi i tij kishte qenë i njëjtë qysh nga fillimi, duke theksuar kompleksitetin e situatës me ndërtimet pa leje në Kosovë.
“Po fillojmë me çështjen ‘a ka ndryshu Liburni?’. Ky ligj në leximin e parë është votuar nga LVV-ja, në leximin e dytë as LVV-ja dhe as LDK-ja për arsye se e kemi bojkotu PAN-in nuk e kemi votu. Qëndrimi politik ka qenë pro ligjit asokohe, pra fjalimin tim nuk e dëgjove deri në fund. Thuaje realisht se qysh ka qenë votimi…për sa i përket fjalimit tim, atë ditë e kam thënë shumë qartë dhe po e përsëris edhe sot: ‘Projektligji është i padrejtë sepse legalizon ndërtimet pa leje, projektligji diskriminon atë që ka ndërtu me leje në krahasim me ato pa leje, por ama është i domosdoshëm sepse 75 për qind e ndërtimeve ekzistuese në Kosovë janë pa leje dhe s’mund t’i injorosh ato…”, kishte thënë Aliu. /Telegrafi/
Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare ka njoftuar se është pasuruar së fundmi me një nga veprat më të rëndësishme dhe voluminoze të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion prej 11 vëllimesh që tashmë është pjesë e fondit të saj të çmuar.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pasuruar fondin e saj me një nga veprat më të rëndësishme shumëvëllimëshe të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion 11-vëllimesh, pjesë e serisë prestigjioze Geschichte der europäischen Staaten (Historia e shteteve evropiane) të botuar nga A.H.L. Heeren dhe F.A. Ukert, midis viteve 1840 dhe 1863.
Nëntë vëllimet e para, të botuara nga 1840 deri në 1859, janë të historianit të njohur gjerman Johann Wilhelm Zinkeisen dhe mbulojnë historinë e Perandorisë Osmane nga rritja e saj e hershme deri në fillim të shekullit XIX, duke përfshirë periudha kyçe si kulmi i zhvillimit dhe i zgjerimit të fuqisë osmane, fillimi i rënies së brendshme, luftërat me Venedikun, ndikimin e Rusisë, ndryshimet politike të shekullit XVIII, reformat dhe rivalitetet e Fuqive të Mëdha.
Vëllimi i 10-të dhe i 11-të, të botuar në 1812 dhe 1815, përfshijnë vepra të tjera historike të rëndësishme mbi Perandorinë Osmane dhe rajonin e Ballkanit, duke përfshirë punimet e Joseph von Hammer dhe Mustafa Ben Abdalla Hadschi Chalfa. Këto vëllime ofrojnë kontekste të gjera mbi organizimin shtetëror, administrimin dhe zhvillimet gjeografike në Rumeli dhe Bosnjë, duke i shtuar koleksionit një dimension të gjerë historiografik dhe rajonal.
Veçanërisht e rëndësishme është vlera e këtij koleksioni për historinë e Ballkanit, përfshirë edhe të shqiptarëve. Ai ofron informacion të detajuar mbi marrëdhëniet ndërkufitare, strukturën e shoqërisë dhe ndikimet osmane në territorin e sotëm shqiptar, duke e bërë këtë koleksion një burim të pazëvendësueshëm për studiuesit që studiojnë historinë kombëtare dhe rajonale në kontekst evropian.
Përveç rëndësisë shkencore, koleksioni ka një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, duke e bërë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës një pikë referimi të rëndësishme për studiuesit e historisë osmane, ballkanike dhe evropiane.” – shkruhet në postimin e publikuar./KultPlus.com
Kombëtarja e Suedisë e ka publikuar listën për ndeshjet me Slloveninë dhe Kosovën, të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Skandinavët do të luajnë gjatë shtatorit dy ndeshjet e para kualifikuese, ku fillimisht presin Slloveninë, pastaj udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen me Kosovën.
Për këto dy ndeshje, përzgjedhësi i suedezëve, Jon Dahl Tomasson, ka publikuar listën me 24 futbollistët e ftuar.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë ndërtuar mbi lidhje historike, kulturore dhe njerëzore, të cilat sot përkthehen në bashkëpunim politik, ekonomik dhe të sigurisë. Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm strategjik.
Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Telegrafi.com, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, i cili flet për marrëdhëniet mes dy vendeve, investimet turke në Kosovë, projektet në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ai ndalet edhe te bashkëpunimi kulturor, roli i diasporës dhe nismat e reja rajonale që synojnë stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Ballkanit.
Telegrafi: Ambasador, kanë kaluar dy vite nga ardhja juaj në Kosovë. Si i vlerësoni sot marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë?
Tunç Angili: Mund t’i përkufizoj marrëdhëniet Kosovë–Turqi si marrëdhënie shumë të ngushta, sepse nuk janë vetëm marrëdhënie qeveri me qeveri, por edhe marrëdhënie mes njerëzve. Ajo që dua të them është se kemi një diasporë të madhe të qytetarëve turq me origjinë shqiptare në Turqi. Shumica prej tyre e kanë prejardhjen nga Kosova. Pra, kur ndodh diçka në Kosovë, ata e ndjekin me shumë vëmendje, sepse ende kanë të afërm këtu ose, edhe nëse nuk kanë më, e ndjejnë se rrënjët e tyre janë këtu. Kjo krijon një simpati të madhe të opinionit publik turk ndaj Kosovës. Dhe, si rrjedhojë, mund të them se Kosova ka edhe një lobi të fortë në Turqi. Në Ballkan, shqiptarët gjithmonë i shohim si vëllezër, sepse nga këndvështrimi ynë kemi një histori të përbashkët. Ka shumë shqiptarë që kanë ndikuar shumë në zhvillimin e identitetit modern turk.
Ndoshta më i rëndësishmi është, për shembull, Sami Frashri, i cili edhe sot mësohet në shkollat turke si autor i romanit të parë turk, fjalorit të parë turk dhe fjalorit të parë turqisht–frëngjisht. Varrin e tij e kemi ende në Stamboll. Djali i tij ka themeluar njërin prej klubeve më të mëdha të futbollit në Turqi. Po ashtu, autori i himnit kombëtar turk, Mehmet Akif Ersoy, është me origjinë nga Kosova – babai i tij ka lindur në një fshat afër Pejës. Për këtë arsye mendoj se dy kombet kanë ndikuar shumë njëra-tjetrën, sidomos gjatë procesit të pavarësimit të shqiptarëve. Për Turqinë, për Anadollin, shumica e figurave shqiptare të asaj kohe kanë qenë nga Kosova. Edhe pse Sami Frashëri nuk është nga Kosova, Lidhja e Prizrenit u drejtua nga tre vëllezërit e tij, që ishin figura kyçe. Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë një vend të veçantë në zemrën dhe mendjen e Turqisë.
Duke ardhur tek e sotmja, ne mendojmë se pavarësia e Kosovës është një gjë e mirë për stabilitetin në Ballkan. Nuk është kërcënim, përkundrazi është diçka pozitive. Prandaj e mbështesim ndërtimin e shtetit të Kosovës. Besojmë se një Kosovë e pavarur dhe sovrane është e mirë jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për stabilitetin e tërë Ballkanit. Në nivel qeveritar, dialogu politik dhe marrëdhëniet vazhdojnë. Kemi shumë vizita të nivelit të lartë, takime edhe në margjina të forumeve ndërkombëtare si Asambleja e Përgjithshme e OKB-së apo Forumi i Diplomacisë në Antalya që e organizojmë çdo vit. Presidenti Erdoğan dhe Presidentja Osmani janë takuar atje. Kryeministri Kurti ka vizituar Turqinë dy herë në dy vitet e fundit. Po ashtu, ministri ynë i jashtëm, Hakan Fidan, vizitoi Kosovën vitin e kaluar. Pra, kemi një nivel të shkëlqyer dialogu politik dhe nuk kemi nevojë për ndërmjetës për të përcjellë mesazhet tona.
Telegrafi: Kosova dhe Turqia bashkëpunojnë ngushtë në ekonomi dhe siguri. Cilat projekte të përbashkëta po realizohen aktualisht?
Tunç Angili: Mendoj se në Kosovë, për shkak se është komb i vjetër, por shtet i ri, siguria shpesh shihet vetëm në dimensionin e mbrojtjes ushtarake. Por siguria është një koncept shumë më i gjerë. Për shembull, sot siguria energjetike është më e rëndësishme për shumë shtete sesa armët. Edhe për Kosovën, siguria energjetike është kritike. Po ashtu, siguria ushqimore është bërë çështje kombëtare në shumë vende, sidomos pas pandemisë COVID, kur të gjitha shtetet mbyllën kufijtë dhe nuk shisnin grurë. Por për shkak të lidhjeve tona të ngushta, Turqia bëri një përjashtim vetëm për Kosovën dhe lejoi eksportin e grurit. Pra, siguria duhet parë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Nëse e sheh vetëm si çështje mbrojtjeje, është sikur të provosh të ecësh me një këmbë ose të boksosh me një dorë të lidhur. Në aspektin e mbrojtjes, siç e tregon vetë fjala, është diçka mbrojtëse. Ne duam që problemet në Ballkan të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë. Për këtë arsye, më 26 korrik, ministri ynë i jashtëm ftoi në Stamboll gjashtë ministrat e jashtëm të Ballkanit – nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi – për një takim joformal të quajtur “Platforma e Paqes së Ballkanit”, pa deklarata zyrtare, vetëm për të biseduar hapur. Pse? Sepse nëse ka destabilitet në Ballkan, kjo prek drejtpërdrejt edhe Turqinë, për shkak të lidhjeve të ngushta historike dhe të diasporës. Plus, Bashkimi Evropian është partneri ynë kryesor tregtar dhe të gjitha lidhjet ekonomike dhe sociale me Evropën kalojnë përmes Ballkanit.
Sa i përket mbrojtjes, nga fillimi ne kemi mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kornizën e NATO-s, njësoj si SHBA, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Kroacia. Po ashtu mbështesim KFOR-in, sepse mendojmë që është vendimtar për stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga 3 tetori i këtij viti, komandanti i KFOR-it do të jetë sërish nga Turqia – hera e dytë që e marrim këtë detyrë. Pra, bashkëpunimi ynë në mbrojtje nuk është kundër ndonjë vendi të tretë, por synon stabilitetin rajonal.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, foto: Ridvan Slivova
Telegrafi: Kur flasim për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë, nuk mund të anashkalohet dialogu Kosovë–Serbi. Si e sheh Turqia një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve?
Tunç Angili: Sigurisht që duam normalizim të vërtetë mes Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Roli i KFOR-it është të garantojë siguri, në mënyrë që të ketë hapësirë për dialog. Por mendojmë se duhet edhe një diskutim më i hapur e i sinqertë mes vendimmarrësve politikë në rajon, jo vetëm biseda formale diplomatike. Për këtë e krijuam “Platformën e Paqes së Ballkanit”. Procesi i dialogut i lehtësuar nga BE-ja është në ngërç. Ne mbështesim qasjen e përfaqësuesit të ri të posaçëm të BE-së, z. Sorensen, që të mos synojë menjëherë objektiva të mëdha, por të fillojë me hapa të vegjël, të arritshëm, për të ndërtuar besim. Sepse çdo shtet ka politikën e vet të brendshme, vijat e kuqe dhe prioritetet e sigurisë kombëtare. Nëse synon shumë lart dhe dështon, krijohet zhgënjim. Prandaj, kjo qasje pragmatike është e duhura. Dhe mos harroni, edhe Turqia është vend ballkanik. Pra, nuk jemi një aktor i jashtëm, por pjesë e rajonit. Kemi përgjegjësi të kontribuojmë në paqe dhe stabilitet. Pa pronësi rajonale është e vështirë të arrihen zgjidhje të qëndrueshme.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, foto: Ridvan Slivova
Telegrafi: Përmendëm bashkëpunimin ekonomik. Turqia ka edhe investime në Kosovë. Si e shihni këtë bashkëpunim dhe a mund të bëhet më shumë dhe në cilat fusha?
Tunç Angili: Patjetër që mund të bëhet më shumë. Duhet të shtypim më fort “pedalin e gazit”. Aktualisht kemi mbi 500 milionë euro investime turke në Kosovë, të cilat gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune. Tregtia dypalëshe arrin rreth 1 miliard euro. Por duam ta bëjmë më të balancuar përmes projekteve të përbashkëta investive. Vitin e kaluar u mbajt forumi i parë ekonomik Kosovë–Turqi në Stamboll, me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe ministrit tonë të tregtisë. Duam që edicioni i dytë të mbahet këtë herë në Prishtinë, për të krijuar një kornizë institucionale të bashkëpunimit mes bizneseve. Gjithashtu, vitin e kaluar Turqia dhe Kosova nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik. Një tjetër ide shumë e rëndësishme është krijimi i një zone të lirë ekonomike të përbashkët në Kosovë, ku investitorët turq mund të prodhojnë për eksport në BE, në Ballkan dhe madje edhe në SHBA. Mendoj se ekonomia e Kosovës është e fortë në shërbime, sektori bankar funksionon mirë, përdoret euroja, ka stabilitet financiar. Por prodhimi dhe industria janë ende të ulëta. Aktualisht ekonomia mbahet gjallë kryesisht nga remitancat e diasporës. Por kur të vijë gjenerata e tretë apo e katërt në Zvicër e Gjermani, ato remitanca do të pakësohen – siç ndodhi me Turqinë në vitet ’80. Pra, duhet shfrytëzuar kjo periudhë për të investuar në prodhim, jo vetëm në ndërtim. Dhe Turqia mund të jetë partnere e shkëlqyer, sepse kemi përvojë dhe dije në industri.
Telegrafi: Pra, ju po e shtyni përpara këtë ide?
Tunç Angili: Po, por për këtë na duhet një qeveri funksionale në Kosovë.
Telegrafi: Shpresojmë që qeveria të formohet ose të shkohet në zgjedhje të reja.
Tunç Angili: Si ambasador, jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës arriti të zgjedhë kryetarin. Është diçka e mirë për Kosovën dhe për miqtë e saj. /Telegrafi/
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partia Guxo, Haxhi Avdyli ka thënë se është akt puro sabotimi i integritetit dhe sovranitetit të vendit, barazimi i deputetit serb Nenad Rashiq me Slavko Simiq nga Lista Serbe.
Avdyli në një postim në Facebook, ka shkruar se Rashiq njeh Kosovën si shtet ndërkaq Simiq jo.
“Tentimi i turpshëm i barazimit të Rashiqit me Simiqin e Srspkës, është një akt puro sabotimi që i bëhet integritetit, sovranitetit dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Po, dytë janë Serb, me emër e mbiemër. Por njëri njeh Kosovën shtet , dhe ka punuar qe 20 vite si çdo pjesëtar i pakicës në institucionet tona dhe për shtetin tonë. E ata tjerët, a i njihni? Ju eksponent të opozitës, që po barazoni këta dy, ku keni jetuar deri tash pash zotin?”, ka shkruar Avdyli.
Deputeti tutje është shprehur se përse duhet të përkrahet Simiq që është masha e Vuçiqit.
“Po, pse kaq pak e doni vendin tuaj? Pse ia keni marr inati vendit tuaj? Çka ju ka bë Kosova keq, përveç që ju dha bukë, e shtëpi e ju rriti? Pse duhet të përkrahni Simiqin, mashën e Vuçiqit, lider i terroristëve të veshur me petkun e politikanit. A mbani mend barrikadat? A mbani mend dëbimin e shqiptarëve nga veriu? A mbani mend kontrabandistët, e bandat terrorizuese? A mbani mend sa Kosovë e sa Serbi ishte veriu? Kush i udhëhoqi krejt trazirat, e krejt këqijat që ndodhën këtij vendi?”, ka pyetur deputeti Avdyli.
Ai shtoi se fajtor i krejt këtyre ishte Lista Serbe dhe tutorët e tyre në Beograd.
“Nëse ju ka rrok amnezia po ju tregoj ishte SRPSKA dhe tutorët e tyre në Beograd. Nesër, kur të paloheni si LDK e të abstenoni si PDK, mendoni edhe për Enver Zymberin e Afrim Bunjakun. Mendoni pak edhe për jetimët, fëmijët e heronjve, që mbetën jetimë, vetëm nga veprimet e Simiqave e Radojqiqave. Nesër me heshtjen tuaj do ia zgjatni jetën sponsorëve të vrasësve, dhe krahut politik të terroristeve në veri….Ose do kaloni në anën e shtetit tuaj. Ndoshta”, ka shkruar Avdyli. /Telegrafi/
Njësitet policore në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit më konkretisht Njësiti për Reagim të Shpejtë gjatë kontrolleve të rregullta ka ndalur një drejtues të një veture në rrugën Ahmet Krasniqi në Prishtinë.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur 38 qese substanca që dyshohet të jenë lëndë narkotike të llojit kokainë.
“I dyshuari menjëherë është proceduar më tej dhe ndaj tij janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore. Ky veprim është pjesë e angazhimit tonë të përhershëm për luftimin e shpërndarjes dhe posedimit të substancave të paligjshme, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe u bën thirrje që çdo aktivitet të dyshimtë ta raportojnë në numrat kontaktues 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/
Edon Zhegrova, ylli i madh i Kosovës, pritet të realizojë transferimin e madh tek Juventusi falë nënshtetësisë së Shqipërisë.
Vetë futbollisti ofensiv, që luan në Ligën e Parë të Francës me Lilën, tregoi në faqen e tij zyrtare në Instagram fotografinë e pasaportës së tij të re, asaj të Republikës së Shqipërisë.
Kjo lëvizje mund ta ndihmojë 26-vjeçarin “dardan” që të kalojë tek Juventusi në Serinë A.
Dekreti është i presidentit Bajram Begaj, por gjithsesi Zhegrova falënderoi kryeministrin Edi Rama, I cili duket se ka ndikuar në dhënien e dokumenteve shqiptare.
Kujtojmë se futbollistët me pasaportë shqiptare nuk njihen si jashtëkomunitarë në Itali, pas një marrëveshjeje mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Italiane të Futbollit, sipas së cilës çdo ekip italian mund të ketë një lojtar të tillë.
Kjo heq pengesën që kishte Juventusi për ta marrë, sepse e kishte plotësuar numrin e lejuar të futbollistëve jashtë Bashkimit Europian.
Zhegrova është kthyer në stërvitje pas dëmtimit dhe duket në formë, ndërsa prej viti 2021 luan me Lilën në elitën franceze, duke pasur statistika me 107 ndeshje, 26 gola e 18 asistë.
Lilë kërkon 25 milionë euro për të, ndërsa Juve është gati të japë 20.
Agim Veliu, ish-ministër i Punëve të Brendshme, ka folur lidhur me një aksion të Policisë së Kosovës në veri gjatë kohës sa ishte në detyrë, të cilin e ka përmendur gazetari Lirim Mehmetaj duke thënë se ishte ndalur nga Albin Kurti.
Veliu në një lidhje direkte në “Debat Plus” ka deklaruar se Policia e Kosovës e kishte pasur planin e detajuar për ndërhyrje, por Kurti nuk e kishte pranuar.
“Jo unë, por Policia e Kosovës e ka pasur planin e detajuar për ndërhyrje, dhe Albin Kurti nuk e ka pranuar”, ka thënë ai.
“Unë ia kam kërkuar, por arsyetimi ka qenë pse unë po dua me hap tash telashe. Kjo qeveri me Serbinë, me veriun e të tjera, e të tjera – arsyetime bajate”, ka shtuar ai, duke theksuar se aksioni kishte qenë i ndarë në dy plane: për veriun dhe për lojërat e fatit në kufi.
“Të dy planet kanë qenë të përgatitura, të detajuara. Njëri është plani për veriun, tjetri është plani për lojërat e fatit… Të dyja ia kam kërkuar dhe Albin Kurti, në njëfarë forme, nuk e ka pranuar asnjërën”, ka deklaruar Veliu.
PRISHTINË, 26 gusht /ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mirëpriti procesin e konstituimit të Kuvendit, proces i cili ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën.
Presidenca, në një postim sot në rrjetet sociale, informoi se Osmani i uroi punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, Znj. Vlora Çitaku, z. Kujtim Shala dhe znj. Emilija Redžepi.
Presidentja Osmani bëri thirrje që Kuvendi të vijojë me hapat kushtetues të radhës dhe të votohet qeveria e re e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në postim.
Leon Avdullahu ka marrë vendimin për të veshur fanellën e ekipit kombëtar të Kosovës. Ka disa arsye që mund të çojnë një lojtar të ndërron ekipin e përfaqësimit, një temë që mediumi Blue Sport e diskutoi me sulmuesin Mladen Petric, i cili kishte bërë njëjtë.
Futbollisti, i cili ka kaluar të gjitha grupmoshat e Zvicrës nga U15 deri në U21 dhe ishte në listën për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, tani mund të debutojë për Kosovën më 5 shtator kundër Zvicrës.
Për Federatën Zvicerane, kjo është humbja e dytë e një talenti të madh brenda pak ditësh, pas mbrojtësit Eman Kospo, i cili vendosi të luajë për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Petric shpjegon se vendime të tilla nuk janë të rralla në Zvicër, me sulmuesin që kishte kaluar te Kroacia në atë kohë.
“Mund të ketë arsye të ndryshme për secilin lojtar. Disa lojtarë zgjedhin të ndërrojnë sepse shohin perspektiva më të mira për të luajtur. Ka edhe ata që besojnë se mund të kenë sukses më të madh me ekipin kombëtar të vendlindjes së tyre”, ka thënë ish-lojtari kroat për Blue Sport.
Megjithatë, për Avdullahun, perspektiva e pjesëmarrjes në turne të mëdha ndërkombëtare nuk është e njëjtë si me Zvicrën.
“Aktualisht është e pamundur që ai të luajë në një turne të madh me Kosovën në një kohë të afërt”, thotë Petriç, duke theksuar se Kosova po ngjitet ngadalë në renditjen botërore.
Një faktor tjetër mund të jetë ndikimi i familjes dhe lidhja emocionale me vendin e origjinës.
“Është vendimi i tij dhe ai duhet të jetojë me të. Ka shumë arsye që nuk i dimë, dhe sigurisht është një humbje për futbollin zviceran, por në fund, është zgjedhja e lojtarit”, deklaroi Petric. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me kafshë të imëta në rajonin lindor të vendit, konkretisht në fshatin Domorovc, Komuna e Kamenicës.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore kufitare nga SPMK – Muqivërc (DRK Lindje), pas pranimit të informatave operative, kanë ndërmarrë veprime të shpejta taktike që kanë rezultuar me ndalimin e një automjeti me targa vendore. Automjeti po drejtohej nga një person i dyshuar, mashkull kosovar.
Gjatë kontrollit, në automjet janë gjetur 40 krerë kafshë të imëta (keca) me një vlerë të përafërt prej 6,000 euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokumentacion të nevojshëm ligjor.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për kontrabandë. Ndërkohë, kafshët janë dorëzuar në Doganën e Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e të gjitha formave të kontrabandës dhe ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe informatat që ndihmojnë në parandalimin e veprimtarive të paligjshme.
Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë dyert këtë të mërkurë, më 27 gusht, nga ora 17:00 deri në 19:00, për një ngjarje komunitare të veçantë: “Rrëfime të Ushqimit” me grafistin dhe studiuesin e kulturës ushqimore, Jeton Jagxhiu.
Në këtë takim, Jagxhiu do të ndajë reflektime mbi bukën, gatimin dhe rolin e tyre në ndërtimin e identitetit kulturor të Kosovës. Ngjarja synon të shpalosë mënyrën se si ushqimi nuk është vetëm një nevojë bazike, por edhe një element i rëndësishëm i kujtesës dhe traditës shoqërore, transmeton KultPlus.
Jeton Jagxhiu (i lindur në Prizren më 1972) është grafist dhe inxhinier i diplomuar në teknologjinë grafike. Përveç profesionit, ai është i angazhuar në hulumtimin e marrëdhënieve mes ushqimit, kulturës dhe identitetit, me theks të veçantë tek krahinat e Prizrenit. Në librin e tij të ardhshëm “Hajet, kërkimet dhe krejt rrëfimet”, ai sjell një dokumentim të ciklit të hajeve tradicionale, ku veçohet rrëfimi mbi origjinën e djathit të Prizrenit si një dëshmi mbi lashtësinë e qytetit.
Kjo ngjarje e Galerisë Kombëtare të Kosovës pritet të afrojë artin, kulinarinë dhe kujtimet kolektive në një hapësirë dialogu, ku ushqimi shihet si trashëgimi kulturore dhe rrëfim identitar./KultPlus.com