Komisioni i jurisë, i përbërë nga kuratorë të shquar, duke përfshirë Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs, ka shqyrtuar me kujdes shtatë aplikacionet e pranuara në thirrjen e hapur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bienalen e Venecias në vitin 2026. Juria unanimisht ka përzgjedhur artistin Brilant Milazimi me projekt propozimin e titulluar “Dhëmbë të Fortë” të kuruar nga José Esparza Chong Cuy.
Juria e ka përzgjedhur propozimin e Milazimit pasi vlerësoi qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës. Në një ambient zhytës, të zymtë dhe të çuditshëm, vizitorët do të përballen me figura të pezulluara në një tension të qetë, që mishërojnë gjendje të pazgjidhura pritjeje, qëndrueshmërie dhe përmbajtjeje. Këto përvoja pasqyrojnë gjendje të paqarta politike, siç është edhe vetë njohja e pjesshme e Kosovës në skenën ndërkombëtare, ndërsa rezonojnë edhe globalisht në epokën e krizave të migrimit, ngërçit burokratik dhe pasigurisë kolektive.
Juria thekson se gatishmëria e artistit për bashkëpunim, së bashku me kuptimin e thellë të kuratorit për praktikën e tij, i japin mbështetje të mëtejshme realizimit të suksesshëm të këtij projekti në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias në vitin 2026.
Pavijoni i Republikës së Kosovës komisionohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës, e përfaqësuar nga kuratorja Hana Halilaj, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Gadishulli Reykjanes i Islandës përjetoi shpërthimin e 12-të vullkanik në pak më shumë se katër vjet, ndërsa lava shpërtheu nga një çarje pas një serie tërmetesh orë më parë.
Zyra Meteorologjike Islandeze konfirmoi shpërthimin pak para orës 04:00 GMT, duke thënë se një çarje me madhësi 700 deri në 1 000 metra ishte hapur në gadishullin me popullsi të pakët në jugperëndim të Reykjavík.
Pamjet e drejtpërdrejta nga transmetuesi publik RÚV treguan lavë të kuqe të ndezur që dilte nga çarja në tokë.
Ekspertët e përshkruan vendndodhjen e shpërthimit si të favorshme, pa kërcënim të menjëhershëm për njerëzit ose infrastrukturën në qytetin e afërt të peshkimit Grindavík.
”Megjithatë, autoritetet evakuuan një vend kampingu dhe banjën gjeotermale popullore Blue Lagoon si një masë paraprake”, raportoi RÚV.
Nuk kishte ndërprerje të pritura në trafikun ajror ndërkombëtar nga Aeroporti Keflavík, qendra kryesore e aviacionit të Islandës.
Shpërthimi është i nënti që nga fundi i vitit 2023 dhe i 12-ti që nga fillimi i vitit 2021.
Një shpërthim i mëparshëm ndodhi në prill dhe zgjati vetëm disa ditë.
Ekspertët nuk e kishin pritur ngjarjen tjetër deri më vonë gjatë vitit./atsh/ KultPlus.com
Sot ishte një ditë e veçantë për Kishën e Shën Mëhillit në Vithkuq, ku muzika, shpirti dhe natyra u bashkuan në një harmoni perfekte me koncertin “Ku bashkohet shpirti, muzika dhe kulinaria”. Norma Sereni interpretoi muzikë mesjetare të shoqëruar në piano nga Adelina Mula Qerfozi, ndërsa një panair lokal me produkte tradicionale të zonës e pasuroi përvojën e pjesëmarrësve.
Edhe pse fshati është larg qytetit, pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Surpriza e ditës ishte Ansambli i të rinjve të Vithkuqit, që bashkë me artistët e MIK Festivalit dhe turistët, krijuan një festë të vërtetë popullore me valle tradicionale, duke përmbushur një nga misionet kryesore të MIK-ut, zhvillimin dhe promovimin e zonave rurale shqiptare.
E pranishme në koncertin e mbajtur në oborrin e Kishës së Shën Mëhillit ishte dhe sopranoja e mirënjohur Inva Mula. /atsh/ KultPlus.com
Franca po shqyrton eliminimin e dy festave zyrtare, ndërsa qeveria synon shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve për të mbushur një boshllëk buxhetor, shkruan CBNC.
Kryeministri francez François Bayrou ka njoftuar një sërë shkurtime shpenzimesh , duke synuar kursime prej 43.8 miliardë eurosh (50.9 miliardë dollarë) në një përpjekje për të arritur një deficit buxhetor prej 4.6% në vitin 2026, nga deficiti prej 5.4% i këtij viti.
Ndër propozimet janë eliminimi i dy festave zyrtare, eliminimi i 3 000 vendeve të punës në sektorin publik dhe kufizimi i lehtësirave tatimore për të pasurit.
Qeveria franceze ka sugjeruar që festat publike që mund të hiqen përfshijnë të hënën e Pashkëve, e cila thotë se “nuk ka më ndonjë rëndësi fetare”, dhe 8 majin, i njohur edhe si “Dita e Fitores në Evropë”, e cila përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.
”Këto festa ranë në një muaj plot me fundjava të gjata dhe heqja e tyre do të nxiste aktivitetin ekonomik në biznese, dyqane dhe administratë publike, duke përmirësuar kështu produktivitetin tonë”, theksoi qeveria.
Qeveria deklaroi gjithashtu se do të kërkohej një përpjekje e veçantë” nga ata që kanë kapacitetin për të kontribuar më shumë, duke propozuar një “kontribut solidariteti” nga më të pasurit.
“Sot po përjetojmë një moment të së vërtetës, një nga ato momente në historinë e një kombi ku të gjithë duhet të pyesin veten: çfarë roli jam i gatshëm të luaj në të ardhmen tonë kolektive?” tha Bayrou në një konferencë për shtypi. / KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe publikimeve për arbëreshët (QSPA) kujtoi sot 113-vjetorin e themelimit të revistës arbëreshe të së dielës “Fjala e t’in Zoti”.
Kjo ishte një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë. Revista u themelua nga studiuesi Pal Skiroi (Paolo Schirò) dhe shërbeu si një dritare informimi për arbëreshët e Siçilisë.
Shumë prej albanologëve të kohës e përshëndetën dhe e pritën me interes shkencor botimin e “Fjala e T’in’Zoti”. Skiroi mbajti një letërkëmbim me studiuesin dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Lef Nosi, at Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë atdhetarë të tjerë të cilët e përkrahën këtë nismë. Kjo revistë ka një meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e të krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, që të merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e sakramenteve.
“Fjala e T’in’ Zoti” ishte dhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut dhe përforcimin e identitetit edhe kombëtar./ KultPlus.com
Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar, është mbajtur paneli “Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit”, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që animatorët nga Kosova dhe Ballkani kanë për të çuar projektet e tyre të animuara përtej kufijve lokalë.
Ky program u zhvillua si pjesë e iniciativës Ask the Pro, duke ofruar një hapësirë bashkëbisedimi dhe shkëmbimi idesh për krijues të rinj dhe profesionistë të fushës, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë nga zëra të rëndësishëm të industrisë globale.
Diskutimi, i cili u hap me pyetjen: “Çfarë e pret të ardhmen e animacionit?”, u moderua nga Aneta Ozorek, Drejtoreshë Artistike e Festivalit Kaboom në Holandë, ndërsa pjesë e panelit ishin:
● Corinne Destombes, Shefe e Zhvillimit në studion franceze Folimage ● Britt Raes, regjisore dhe ilustratore nga Belgjika ● Olivier Catherin, etnolog dhe përkrahës i animacionit në Francë ● Aaron Wood, bashkëthemelues i “Slurpy Studios” në Londër ● Lucia Dubravay Trautenberger, menaxhere kulturore dhe gazetare
Sipas Olivier Catherin, financimi i animacionit në nivel evropian nuk paraqet ndonjë problem të madh, megjithëse sfidat ekzistojnë. Ndërkaq, Corinne Destombes theksoi ndryshimet e fundit në treg: “Para një viti do të thoja se kompanitë e mëdha e kanë më të vështirë të përshtaten sesa ato të vogla. Sot ka më shumë fleksibilitet, por sigurimi i financimit mbetet ende një sfidë.”
Nga perspektiva sllovake, Lucia Dubravay Trautenberger foli mbi realitetin sfidues të vendeve më të vogla, duke theksuar se “po mësojmë si të shesim filma, e fillojmë që nga fillimi. Ka shumë institucione arsimore, dhe megjithëse është shumë e vështirë, duhet të mendojmë strategjikisht për të rritur rrjetet tona.”
Sipas regjisores belge Britt Raes, vështirësitë ekonomike përplasen me pasionin krijues, dhe fatkeqësisht “çmimet rriten, ndërsa fondet jo.”
Në fund, Aaron Wood i nxiti të gjithë të mendojnë përtej kufijve, duke i ftuar të shohin të ardhmen si një hapësirë ku mund të bashkëpunojnë të gjithë dhe të tejkalojnë lokalizmin në industrinë e animacionit.
Për krijuesit e rinj nga Kosova, panelistët theksuan nevojën për edukim mbi industrinë. “Një nga problemet më të mëdha është se shumë njerëz në industrinë e filmit nuk e kuptojnë të gjithë ekosistemin, si funksionon financimi, si të navigosh në festivale, si të prezantosh projektet në mënyrë efektive.”
Seanca përfundoi me një bashkëbisedim të hapur ndërmjet panelistëve dhe animatorëve të rinj kosovarë, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe kërkuan këshilla konkrete./ KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Operas Rame Lahaj do të bashkëpunojë për herë të parë me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare. I konsideruar si një nga institucionet më prestigjioze në vend, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të performojë në Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 2 gusht, nën dirigjimin e Maestro Roberto Rizzi Brignoli.
Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 dhe mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, e akorduar nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 2017. Krijimi i këtij formacioni muzikor shënoi një epokë të re dhe pati një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri. Fillimisht, e quajtur si Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë, u formua kryesisht nga muzikantë të rinj që studiuan në vend, si dhe profesionistë të specializuar në shtete të ndryshme të Evropës.
“Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit”, thuhet në njoftim.
Koncerti mbahet në Sheshin “Skënderbeu” më 2 gusht ora 20:30./ KultPlus.com
“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.” – Simone de Beauvoir
“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.” – Bertrand Russell
“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.” – François de La Rochefoucauld
“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.” – Arthur Schopenhauer
“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshiron tonë për të qenë komplet.” – Plato
“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.” – Albert Einstein
“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.” – Herman Hesse
“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.” – Fyodor Dostoevsky
“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.” – Kahlil Gibran
“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.” – Friedrich Nietzsche
“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.” – Virgil
“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.” – Socrates
“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndërrat e juaja.” – Dr. Seuss
“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.” – Ernest Hemingway
“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.” – Honore de Balzac / KultPlus.com
Me një kombinim të pazakontë mes muzikës K-Pop dhe aksionit fantastik, filmi i ri i në Netflix ka kapur vëmendjen e audiencës në mbarë botën, duke u kthyer në një nga produksionet më të përfolura të vitit.
Që nga publikimi i tij në qershor, “KPop Demon Hunters” ka pushtuar listat globale të Netflix dhe ka dominuar edhe klasifikimet muzikore në mbarë botën.
Por cili është sekreti i këtij suksesi të jashtëzakonshëm?
Filmi i animuar “KPop Demon Hunters” është bërë një hit global në kohë rekord, duke grumbulluar mbi 33 milionë shikime në vetëm dy javë dhe duke u ngjitur në Top 10 në 93 shtete. Aktualisht renditet i dyti në nivel global, përcjellë KultPlus.
Por nuk është vetëm filmi që po bën bujë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, që prej datës së publikimit, më 20 qershor, dy grupet muzikore fiktive që paraqiten në histori, grupi i vajzave Huntr/x dhe kundërshtarët e tyre rebelë Saja Boys, kanë dominuar listat muzikore globale, duke lënë pas edhe emra të mëdhenj si BTS dhe Blackpink. Shtatë këngë nga kolona zanore e filmit janë tashmë pjesë e Billboard Hot 100, ndërsa dy prej tyre kryesojnë listën e Spotify në SHBA.
“KPop Demon Hunters” ndjek historinë e Huntr/x, një grup K-pop prej tre vajzash, Rumi, Mira dhe Zoey, të cilat, përveçse superyje në skenë, janë edhe mbrojtëse të fshehta të botës kundër forcave mbinatyrore. Kundërshtarët e tyre janë djemtë e errët Saja Boys.
Është muzika ajo që ka qenë çelësi i vërtetë i suksesit. Maggie Kang, regjisore koreano-kanadeze, frymëzimin e ka marrë nga idhujt e K-pop-it që ajo admironte në rini. Në këtë film, muzika e grupit shndërrohet në një armë mbrojtëse kundër të keqes. Çdo këngë përforcon emocionet e skenave dhe është pjesë integrale e rrëfimit, jo thjesht një shtesë komerciale si në shumë filma të tjerë të animuar.
Një tjetër arsye e rëndësishme për suksesin e filmit është njohja në rritje që publiku botëror ka me kulturën koreane. K-pop-i, filmat dhe serialet koreane janë tashmë pjesë e tregut global. “KPop Demon Hunters” e pasqyron këtë realitet përmes përfaqësimit të saktë të elementeve të jetës së përditshme në Korenë e Jugut, që nga ushqimi dhe zakonet e ngrënies, deri te vendet ikonike si muret e vjetra të Seulit, klinikat tradicionale, banjat publike dhe Kulla Namsan.
Për të arritur këtë nivel autenticiteti, ekipi i filmit udhëtoi në Korenë e Jugut dhe bëri kërkime të thelluara për kulturën dhe arkitekturën, që nga fshatrat tradicionale deri te rrugicat e lagjes Myeongdong. “Ne deshëm që filmi të dukej sa më korean që të ishte e mundur,” tha Kang. “Çdo skenë, çdo dizajn përmban elemente koreane.”
Në thelb, përtej pamjes plot ngjyra dhe energji, filmi përcjell një mesazh universal: historinë e të rinjve që përballen me pranimin e vetvetes dhe më në fund arrijnë të gjejnë identitetin e tyre të vërtetë. Është një rrugëtim pjekurie që prek zemrat përtej kulturave.
“Bëhet fjalë për vetëpranim,” thotë Golka. “Ndoshta miqtë nuk të kuptojnë menjëherë, por ata të duan dhe me kohë e kuptojnë. Besoj se kjo është arsyeja pse shumë njerëz janë ndjerë të lidhur me këtë film.”/KultPlus.com
Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis! Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke, …Si vashë e virgjen: nuse sikur je; Dhe malet me bor Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis! Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon Difto-u e zonja; koha sot e don Ti t’çohesh përseri N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë Si luaj e si dragoj plot forcë që janë, Që e derdhin gjakun prrue Atdheun për m’e shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë Anmikut kur i sulen me rrebtsi Si breshni mi te hidhen me duhi.
Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue! Për nder të shtëpis s’vet; E falin shpirt e jet!
Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue Se mjaft e kanë robnue Dhe n’ zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë Që të huejt para syve të t’venë ledhe Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del Dhe duersh mos të lëshojn’ Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë “Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë! Atyne si u pëlqen kufijt i venë Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë; Mendojnë pa turp kurrfarë Se s’ka nji komb Shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur, Me lott qi qan e ankon E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe Po nanën ju kujtoni qi u ka le Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve Prej bijet e harrume mi ket dhe! Se ansht turp i math për ju Të huejt me i u çnderu!
Sot ora mbrrini, dita e bekueme Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme! Kosovës emnin me ja ngref te qilli Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli Me rrnue një Shqypni Si zonjë në lumni.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini! Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë Si ç’trimit mirë i prek Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com
Një mbrëmje e mbushur me humor, ilustrim, dhe identitet ballkanik pritet të zhvillohet këtë të hënë në zemër të Prishtinës. Autorja Lida Berisha sjell para lexuesve librin e saj më të ri me titull: “Meet the Balkans – An illustration guide to social life”, i cili do të promovohet më 21 korrik 2025, ora 18:30, në Barabar Centre, kati i katërt i Grand Hotel, Prishtinë, transmeton KultPlus
Ky botim i publikuar nga shtëpia botuese Rea, është një përmbledhje vizuale e përditshmërisë në Ballkan, me stil minimalist, humor të hollë dhe vëzhgime të mprehta për zakonet, sjelljet dhe momentet tipike që ndodh të jenë njëherësh komike dhe të ndjera.
‘’Funny, cultural and way too Balkan to be bring’’ – me këtë përshkrim njoftohet zyrtarisht edhe ngjarja, duke premtuar jo vetëm të qeshura por edhe një ndalesë të thellë në mënyrën si jetojmë dhe e kuptojmë jetën si ballkanas.
Eventi organizohet nga Barabar Centre, dhe përpos prezantimit të librit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë edhe një atmosferë të ngrohtë rrëfimesh, ku ilustrimet e Lida Berishës bëhen pasqyra të gjalla të realitetit tone shoqëror. /KultPlus.com
Në Amfiteatrin Antik të Durrësit u vu në skenë premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez.
Nën regjinë e Andia Xhungës, komedia e bëri publikun të qeshë dhe të futet në mendime, duke marrë duartrokitjet e merituara.
“Vendi më i humbur në Shqipëri” është sjellë në shqip nga përkthyesja Anxhela Çikopano dhe u interpretua nga trupa e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emra të njohur të skenës dhe ekranit.
Interesi i publikut ndaj veprës, ka qenë i menjëhershëm. Të gjitha biletat për dy netët e para u shitën në kohë rekord, duke e bërë këtë komedi një prej ngjarjeve më të shumëpritura të verës në qytetin bregdetar.
E vendosur në një fshat të vogël dhe të harruar, që rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta, ngjarja nis kur një gazetare e famshme mbërrin papritur, duke sjellë me vete një sërë përplasjesh botëkuptimesh, ngjarjesh të papritura dhe situatash komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo shoqërore me ngjyra absurde, por thellësisht njerëzore.
Me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe absurditetit.
Skenografia dhe kostumografia janë konceptuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale është krijuar nga Endri Sina.
Në kastin e aktorëve spikasin: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma./atsh/KultPlus.com
Galeria e arteve në Gjilan mbrëmjen e 15 korrikut, e kurorëzoi me hapjen e ekspozitës “Zeqa”, të krijuesit dhe piktorit Zeqirja Rexhepi, pikërisht në 70 vjetorin e lindjes së tij dhe 45 vjetorin e krijimtarisë.
Ekspozita “Zeqa” sjell për publikun një retrospektivë të veçantë pikturash të krijuesit, të ndërtuar mbi idenë e një kthimi në kohë. Përmes kësaj ekspozite, artisti ndërton një udhëtim emocional dhe artistik që rikthen kujtimet e vitit 1999, një periudhë e rëndë, e mbushur me dhimbje, humbje dhe përballje si për të si individ, njëlloj edhe për popullin e tij si kolektivitet.
Çdo vepër e paraqitur është më shumë se një kompozim estetik, është një dëshmi vizuale e plagëve të padukshme që bartin artisti dhe populli. Pikturat pasqyrojnë dhimbjen e artistit dhe të popullit të tij, duke shpalosur me ndjeshmëri dimensionet shpirtërore të një kohe të vështirë, e cila ka lënë gjurmë të thella në historinë tonë të afërt.
“Zeqa” më tepër se një ekspozitë arti, është një formë e kujtesës kolektive, një thirrje për të mos harruar dhe një dëshmi se si arti mbijeton edhe nëpërmjet vuajtjes, përcjellë KultPlus.
Nën udhëheqjen e kuratorit Avni Xh. Behluli, ekspozita “Zeqa” synon të vendosë publikun dhe artdashësit përballë dy periudhave jetësore thelbësore të artistit Zeqirja Rexhepi: periudha e jetës dhe krijimtarisë së tij në Kosovë, para vitit 1999, dhe periudha e mëvonshme, pas shpërnguljes së tij në Kanada.
“Të gjitha këto ndërtojnë jetën e tërë të artistit Zeqirja Rexhepi,” – shprehet kuratori Behluli, duke vënë theksin te forca e kujtesës dhe ndikimi i përvojave jetësore në krijimtarinë e tij.
Zeqirja Rexhepi, një artist me rrënjë shqiptare nga Gjilani, që jeton dhe vepron përtej oqeanit, përmes kësaj ekspozite synon të rikrijojë atmosferën shpirtërore të përjetimeve të tij më të thella, sidomos momentet dramatike të dëbimit nga forcat serbe në vitin 1999. Kjo ekspozitë është jo vetëm një rrëfim artistik, por edhe një akt kujtese që ngjall emocione dhe reflektim përmes fuqisë së pikturës.
“Është një reflektim mbi vuajtjet, mallin, shpresat dhe forcën që mban lidhjet e palëkundura me vendlindjen. Gjilani sot ndjehet më afër Kanadasë, falë artit që s’ka kufij. Falë një biri të këtij qyteti që, edhe pse larg në kilometra, kurrë nuk u largua në ndjenja dhe në përkushtim për kulturën shqiptare”, tha ndër të tjerë Morina Bunjaku, duke e falënderuar që me ngjyrat e shpirtit dhe fuqinë e kujtesës, ai rikthehet simbolikisht në vendlindje, duke ndihmuar në mbajtjen gjallë të identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore edhe jashtë kufijve./KultPlus.com
Nga data 21 deri më 28 korrik 2025, qyteti i Prizrenit do të shndërrohet në një skenë të hapur ndërkombëtare arti, me mbajtjen e Edicionit të IV-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest”.
Ceremonia solemne e hapjes do të zhvillohet më 21 korrik në ora 21:00, në hapësirën simbolike të Teatrit mbi Lum, ku do të prezantohet një performancë e veçantë e baletit nga Eno Peçi dhe Trupa e Baletit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë – një produksion që pritet të sjellë emocione të forta dhe estetikë të lartë artistike.
Në këtë edicion, festivali do të sjellë një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Italia, Franca, Palestina, Çekia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Përveç shfaqjeve teatrale, festivali do të përfshijë punëtori, konferenca dhe panele diskutimi mbi temat më aktuale të teatrit bashkëkohor dhe atij tradicional.
Drejtori i festivalit, Shkelzen Veseli, thekson se “Prizren Fest” është një takim ku arti takon shpirtin, ku kreativiteti nuk njeh kufij, dhe ku Prizreni kthehet në një skenë të hapur ndërkombëtare. Ai fton publikun dhe komunitetin artistik që të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të veçantë kulturor.
Për të konfirmuar pjesëmarrjen në festival, organizatorët ftojnë të interesuarit të kontaktojnë përmes emailit: contact@prizrenfest.org ose në numrin: +383 44 113 326.
“Prizren Fest” po afirmohet gjithnjë e më shumë si një festival i rëndësishëm rajonal që lidh artistët me publikun në një atmosferë magjike, mes teatrit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore./KultPlus.com
Në një botë ku shumica e vëmendjes i jepet filmave të Hollivudit, kinemaja botërore ka dhënë disa nga kryeveprat më prekëse, më artistike dhe më thellësisht njerëzore të historisë së filmit. Këto 10 filma jo-hollywoodianë janë përzgjedhur nga kritikë dhe dashamirës të kinemasë për vlerat e tyre artistike, temat që prekin dhe ndikimin e tyre kulturor, shkruan KultPlus.
Nëse jeni në kërkim të një përvoje të vërtetë filmike që zgjat përtej ekranit, këta janë filmat që duhet t’i keni në listën tuaj!
Këta janë filmat që secili duhet t’i shohë të paktën një herë në jetë: Parasite (2019, Kore e Jugut) – Një satirë e mprehtë për pabarazinë shoqërore që rrëmbeu Oscar-in për Filmin më të Mirë.
Amélie (2001, Francë) – Një udhëtim poetik në Parisin magjik përmes syve të një vajze me një zemër të jashtëzakonshme.
Cinema Paradiso (1988, Itali) – Një film nostalgjik për dashurinë ndaj kinemasë dhe fuqinë e kujtimeve të fëmijërisë. Një histori prekëse për një djalosh që rritet në një qytet të vogël italian dhe që zbulon dashurinë për kinemanë. Një letër dashurie për artin e të treguarit histori.
Pan’s Labyrinth (2006, Spanjë) – Një përrallë e errët përballë realitetit brutal të diktaturës. Një vajzë e vogël përballet me mizorinë e regjimit frankist në Spanjë, ndërsa shpëton në një botë fantastike dhe të errët. Një film i ndërlikuar dhe vizualisht i mrekullueshëm.
The Lives of Others (2006, Gjermani) – Një oficer i shërbimit sekret në Gjermaninë Lindore fillon të dyshojë te sistemi që e mban në fuqi. Një film i thellë mbi ndërgjegjen, kontrollin dhe transformimin njerëzor.
Rashomon (1950, Japoni) – Një nga filmat më me ndikim në historinë e kinemasë. E njëjta ngjarje tregohet nga katër këndvështrime të ndryshme dhe e vërteta humbet në labirintin e perceptimeve.
City of God (2002, Brazil) – Një rrëfim shpërthyes për dhunën, rininë dhe krimin në favelat e Rio de Janeiros.
A Separation (2011, Iran) – Një çift iranian përballet me një ndarje, ndërsa pasojat prekin klasën, besimin, sistemin gjyqësor dhe moralin. Fitues i Oscar-it për Filmin më të Mirë të Huaj.
Run Lola Run (1998, Gjermani) – Një eksperiment narrativ mbi kohën, zgjedhjet dhe rastësinë. Çfarë ndodh nëse një histori përsëritet me zgjedhje të ndryshme? Lola ka vetëm 20 minuta për të shpëtuar të dashurin e saj – tre versione të ndryshme të së njëjtës ngjarje.
The Intouchables (2011, Francë) – E bazuar në një histori të vërtetë, ky film flet për miqësinë e papritur midis një milioneri tetraplegjik dhe një të riu të ardhur nga periferia. /KultPlus.com
Një lajm i trishtë ka goditur sot skenën muzikore dhe komunitetin artistik të Gjakovës. Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit të njohur të këngës qytetare shqiptare “Ashikët”, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të thellë në kulturën dhe artin muzikor shqiptar.
Lajmi për ndarjen e tij erdhi pikërisht në kohën kur Radio Gjakova po përgatitej për emisionin e natës së nesërme, i cili do të ishte i dedikuar grupit të tij, një rastësi që e bën këtë humbje edhe më të dhimbshme. Shefik Pallaska ishte një figurë me peshë në skenën kulturore të Gjakovës dhe më gjerë, i njohur për përkushtimin dhe pasionin që e karakterizonte gjatë gjithë jetës së tij artistike, përcjellë KultPlus
Nën drejtimin e tij, grupi “Ashikët” realizoi 12 projekte muzikore me këngë të zgjedhura qytetare nga të gjitha trevat shqiptare, duke i dhënë jetë një repertori të pasur që ruante thelbin e traditës sonë muzikore. “Ashikët”, të përbërë nga muzikantë të moshës së tretë, u shndërruan në një simbol të dashurisë për artin, me një shpirt rinor që nuk shuhej kurrë, e që rezononte në çdo dalje të tyre publike. Përveç angazhimit me “Ashikët”, Pallaska ishte edhe një anëtar i hershëm i Korit të Burrave të Gjakovës dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm për dekada në organizimin e koncerteve, festivaleve dhe mbrëmjeve artistike, duke e bërë emrin e tij të pandashëm nga jeta kulturore e qytetit.
Figura e tij lidhet ngushtë me Çarshinë e Madhe të Gjakovës, aty ku shpesh dëgjoheshin tingujt e ëmbël të këngëve qytetare që ai i solli me aq dashuri. Për nder të jetës dhe veprës së tij, nesër më 17 korrik, në orën 12:00, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet po nesër në orën 17:00.
Radio Gjakova dhe e gjithë skena kulturore i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Pallaska, miqve, kolegëve dhe të gjithë adhuruesve të muzikës qytetare shqiptare për këtë humbje të madhe. Edhe pse Shefik Pallaska është ndarë nga jeta, muzika që ai la pas do të vazhdojë të jetojë si një testament i shpirtit të tij artistik./KultPlus.com
Galeria e Artit Tiranë ka përgatitur një ekspozitë vetjake të artistit Mario Shemaj, me titull “Fllad vere” (Summer breeze).
Ekspozita do të sjellë pranë publikut një cikël punimesh të krijuara në periudha të ndryshme, ku figurat njerëzore, të zhytyra në akte të thjeshta të përditshmërisë, lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat sesa me realitetin.
Personazhet, njëherësh të njohur dhe të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit, me një mungesë pranie të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë paraqitjeje e personazheve krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj (21 korrik-20 gusht) dhe mund të vizitohet nga e hëna në të premte./atsh/KultPlus.com
Kryeqyteti i Kosovës,Prishtina, është një destinacion i pasur me monumente dhe atraksione kulturore që reflektojnë historinë dhe identitetin e saj. Nga simboli i pavarësisë tek trashëgimia kulturore dhe fetare, qyteti ofron një përvojë unike për vizitorët. Monumentet si Newborn dhe Biblioteka Kombëtare, së bashku me katedralen “Nënë Tereza” dhe parkun arkeologjik të Ulpianës, tregojnë historinë e një kombi në tranzicion, nga periudha romake deri te pavarësia e saj modern,shkruan KultPlus
1.Monumenti Newborn-Ky monument është një simbol i pavarësisë së Kosovës dhe një atraksion kryesor turistik në Prishtinë. Ai ndryshohet çdo vit më 17 shkurt për të simbolizuar ndryshimin dhe përparimin e vendit. Ky monument është një skulpturë tipografike dhe tërheqje turistike në Prishtinë, Kosovë. Është e lokalizuar përballë Pallatit të Rinisë dhe, dhe është promovuar më 17 Shkurt 2008, në të njëjtën ditë kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Monumenti përmban fjalën angleze “Newborn” në shkronja te mëdha, te cilat janë ngjyrosur me ngjyrë te verdhë të qelët kur monumenti ishte zbuluar për here të pare. Monumenti, më vonë ishte ngjyrosur përsëri me flamuret e shteteve të cilat e njohin Kosovën. Newbornii do të ngjyroset ndryshe qdo 17 Shkurt. Monumenti i tërheqi mediat internacionale për të raportuar pavarësinë e Kosovës, dhe ishte përfshirë dukshëm edhe në faqen e pare të The New York Times.
2.Biblioteka Kombëtare e Kosovës – Një nga ndërtesat më ikonike të Prishtinës me një arkitekturë unike. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një nga ndërtesat më të veçanta të Prishtinës, e njohur për arkitekturën e saj unike, të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq. Ajo luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe arsimore të Kosovës. E themeluar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, biblioteka ka për mision të mbledhë, ruajë, promovojë dhe të bëjë të arritshëm trashëgiminë dokumentare dhe intelektuale të vendit. Ndërtesa e bibliotekës është katërkatëshe dhe përmban 99 kupola, që simbolizojnë dijen. Prej vitit 1999, ajo njihet si Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke shërbyer si qendër kombëtare për mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve bibliotekare me vlerë për kulturën, artin dhe shkencën.
3.Katedralja “Nënë Tereza” – Një nga kishat më të mëdha në Kosovë. Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë është një nga kishat më të mëdha në Kosovë dhe një atraksion i rëndësishëm për vizitorët. E dedikuar për Nënë Terezën, figurën humanitare me origjinë shqiptare, ndërtimi i saj u miratua nga Qeveria e Kosovës në vitin 2007. Ish-presidenti Ibrahim Rugova, një musliman, e propozoi këtë ide. Katedralja u inagurua më 26 gusht 2010, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, pavarësisht se ndërtimi i saj përfundoi më vonë dhe shkaktoi disa polemika. Ajo pritet të jetë ndër ndërtesat më të larta në Prishtinë dhe ka pritur ngjarje të rëndësishme, si ekspozita e historisë shqiptaro-austriake në 2015.
4.Parku arkeologjik “Ulpiana”- Një vend arkeologjik që ofron një dritare në të kaluarën romake të rajonit. Ky park është një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që janë të interesuar në historinë antike të Kosovës. Parku arkeologjik “Ulpiana”, i njohur gjithashtu si Justiniana Secunda, është një atraksion i rëndësishëm që reflekton historinë antike të Kosovës. I themeluar në fillim të shekullit II nga perandori romak Trajan, Ulpiana ishte një qytet i rëndësishëm në Mbretërinë Dardane. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar gjurmë të jetës pararomake dhe ndikimin e popullatës ilire. Qyteti përjetoi lulëzimin ekonomik dhe kulturor në shekujt III dhe IV, por u shkatërrua nga një tërmet në vitin 518. Më vonë, perandori Justinian e rindërtoi dhe i dha emrin Justiniana Secunda. Ky vend ofron një vështrim të vlefshëm mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.
5.Muzeu ‘Shtëpia e Pavarësisë, dr. Ibrahim Rugova’ – Shtëpia e pavarësisë së Kosovës dhe e liderit të parë të Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugova. Ky muze ka rëndësi historike dhe simbolike për qytetarët e Kosovës dhe vizitorët. Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” u hap më 2 dhjetor 2007, në përkujtim të 62-vjetorit të lindjes së presidentit Rugova. Ky muze përbëhet nga disa hapësira, përfshirë sallën e konferencave, zyrën e presidentit dhe zyrën e bashkëpunëtorëve të tij. Koleksionet në muze reflektojnë veprimtarinë politike të LDK-së dhe aktivitete të tjera të rëndësishme, përfshirë konferenca të përfaqësuesve të UÇK-së dhe ngjarjet kryesore që udhëhoqën popullin e Kosovës drejt pavarësisë. Ekspozita përmban rreth 100 eksponate, përfshirë zyra dhe pajisje të presidentit Rugova, objekte të bashkëpunëtorëve të tij, dokumente historike si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, muzeu përmban fotografi, shirita filmikë dhe dokumente që pasqyrojnë periudhën e pushtetit paralel gjatë regjimit të Millosheviqit (1989-1999)./KultPlus.com
Elizabeta I, vajza e Henrikut VIII, është e vetmja mbretëreshë angleze që nuk u martua kurrë.
Vizita e fundit e monarkut ikonik Tudor në Kenilworth 450 vjet më parë mund të përmbajë disa të dhëna për mbretërimin e saj solo, siç zbulohet në një instalacion të ri arti në kështjellë, që përshkruan tradhti, prerje kokash dhe një deklaratë të hollësishme dashurie
Në një mbrëmje korriku të vitit 1575, mbretëresha Elizabeta I, 41 vjeçe, mbërriti në Kështjellën Kenilworth në Warwickshire, Britani e Madhe, për atë që do të ishte vizita e saj më e gjatë dhe e fundit. Ajo ia kishte dhuruar kështjellën Robert Dudley-t në vitin 1563 dhe ia kishte dhënë titullin e Earl të Leicester-it vitin pasues. Dudley ishte një nga të preferuarit e mbretëreshës dhe mendohet të ketë qenë shoku i saj i fëmijërisë. Natyra e saktë e marrëdhënies së tyre të ngushtë ishte objekt i shumë thashethemeve.
Para mbërritjes së mbretëreshës beqare, Dudley kishte bërë një rinovim të madh në këtë kështjellë madhështore. Ishin ndërtuar ndërtesa të reja, ishte krijuar një kopsht i ri dhe prona ishte rregulluar me kujdes. Ai kishte bërë gjithçka që të organizonte një argëtim të jashtëzakonshëm me muzikë, valle, akrobatikë, fishekzjarre spektakolare dhe skeçe dramatike të interpretuara nga aktorë në kostume.
“Festimet e vitit 1575 ishin një përpjekje për të fituar zemrën e Elizabetës, tema e martesës ishte e pranishme në disa nga ngjarjet,” tregon Jeremy Ashbee, drejtori i pronave në English Heritage.
Loja e Dudley-t dukej se po ecte mirë, por më pas gjithçka ndryshoi. Pika kulmore e qëndrimit duhej të ishte një performancë, por që nuk u zhvillua kurrë.
A ishte thjesht moti i keq arsyeja, siç pretendonte versioni zyrtar? Apo mbretëresha kishte mësuar për përmbajtjen dhe u zemërua? Në performancë ishte Diana, perëndesha e virgjërisë, që kërkonte një prej nimfave të saj të virgjëra, të quajtur me qëllim “Zabetta”, një variant i emrit Elizabeth. Por performanca nuk arriti të përfundonte siç ishte planifikuar, dhe mbretëresha ditët e mbetura i kaloi në dhomë.
Tani, artistja Lindsey Mendick ka shënuar 450-vjetorin e kësaj vizite me krijimin e “Wicked Game”, një instalacion të madh skulptural në kështjellë. Wicked Game merr frymëzim nga mitologjia e lashtë, si dhe nga ngjarjet e vizitës së Elizabetës, dhe mënyra se si ajo përdori statusin e saj si mbretëreshë beqare në manovrat e saj të zgjuara politike gjatë 45 viteve të sundimit, përcjellë KultPlus.
Instalacioni përbëhet nga 13 tablo të ndryshme. Disa janë të zymta, të tjerat janë të mbushura me humor të zi. Skulpturat e copëtuara prej qeramike paraqesin në mënyrë të fuqishme Mbretëreshën dhe personazhet rreth saj si kafshë. Në pjesën qendrore, Elizabeta është një luan dhe Dudley një arush. Tablotë janë të pozicionuara mbi copat e një fushe shahu gjigante.
„Lojtarja e shahut është një analogji perfekte për atë që Elizabeta duhej të bënte për të mbijetuar,” thotë Mendick për mediat e huaja. “Mendoj se ajo është jashtëzakonisht interesante dhe një mënyrë e shkëlqyer për të parë se si trajtojmë gratë sot. Ky event (që planifikoi Dudley) në Kenilworth ishte menduar të ishte një festë masive për Elizabetën; duhej të ishte e shthurur dhe e këndshme. Por në të njëjtën kohë, ishte e mbushur me diçka tjetër. Për gratë e fuqishme si Elizabeta, refuzimi për të u martuar ose për të pasur fëmijë ishte një akt radikal i vetë-ruajtjes dhe autonomisë.”
Këshilltarët dhe anëtarët e Parlamentit e nxirrnin vazhdimisht para asaj idenë që duhej të martohej për të mbrojtur sigurinë e Anglisë. Një grua që sundonte vetë? E padukshme. Besohej se një mbretëreshë duhej të martohej, jo vetëm për të lindur një trashëgimtar mashkull dhe për të shmangur konfliktet për fronin, por edhe që një burrë të merrte përsipër çështjet politike dhe ushtarake. Thirrjet për martesë ishin të pandërprera, dhe kandidatë të shumtë për martesë u propozuan ose u ofruan vetë. Por Elizabeta vazhdimisht shmangu, kundërshtoi dhe refuzoi. Pse?
Është shumë e mundur që ajo thjesht e kishte të papranueshme idenë e të qenit nënshtruese ose e detyruar ndaj një burri, cilido burrë qoftë ai. Për më tepër, Elizabeta ishte shumë e arsimuar (fliste pesë gjuhë, frëngjisht, italisht, spanjisht, latinisht dhe flamishte dhe kishte studiuar histori dhe retorikë), shumë inteligjente, krenare dhe me temperament të zjarrtë. Thuhet se ajo kishte deklaruar: „Këtu do të kem vetëm një zonjë dhe asnjë zotërues.”
Qysh nga fillimi i sundimit, ajo kultivoi imazhin e Mbretëreshës Virgjër. Në vitin 1559, duke iu përgjigjur kërkesave të anëtarëve të Parlamentit për t’u martuar, ajo deklaroi se një ditë “një gur mermeri do të dëshmojë se një mbretëreshë, pasi ka sunduar për kaq kohë, ka jetuar dhe ka vdekur virgjër.”
Në fund të filmit të dashur të Shekhar Kapur, “Elizabeth” (1998), monarkia e re luhej nga Cate Blanchett, e cila e interpretoi përsëri rolin në vazhdimin “Elizabeth: The Golden Age” (2007). Në “Elizabeth”, ajo qëllimisht transformohet në Mbretëreshën Virgjër dhe, e veshur e tëra në të bardha, paraqitet para oborrit të saj të habitur duke shpallur: “Jam e martuar… me Anglinë.”
Filmi i Kapur e trajton historinë në mënyrë të lirë dhe jo gjithmonë të saktë, por dialogu pasqyron një deklaratë të vërtetë të Mbretëreshës, bërë në vitin 1559, ku ajo thoshte se nuk do të martohej sepse ishte “më parë e lidhur me një burrë, që është Mbretëria e Anglisë”./KultPlus.com