FRANCË – Macron: Liria e Evropës po përballet me sfidat më të mëdha që nga LIIB
PARIS, 14 korrik /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paraqitur planet për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se liria e Evropës po përballet me një “kërcënim më të madh” se kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, sipas BBC.
Në një fjalim drejtuar forcave të armatosura në Paris, ai tha se “po jetojmë në një moment vendimtar” për shkak të gjendjes komplekse gjeopolitike.
Macron kërkoi që shpenzimet për mbrojtjen e Francës të rriten me 3,5 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe më pas edhe me 3,0 miliardë euro të tjera në vitin 2027.
Duke iu referuar kërcënimit nga Rusia, ai dënoi “politikat imperialiste” dhe “fuqitë që aneksojnë territore”.
Macron premtoi të dyfishojë buxhetin ushtarak të Francës deri në vitin 2027, tre vjet më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht.
Në vitin 2017, buxheti i mbrojtjes ishte 32 miliardë euro dhe sipas planeve do të arrijë në 64 miliardë euro për dy vjet.
Këto propozime duhet ende të miratohen nga qeveria franceze.
“Që të jesh i lirë në këtë botë, duhet të jesh i frikshëm. Që të jesh i frikshëm, duhet të jesh i fuqishëm”, tha ai në fjalim, i cili u mbajt në prag të Ditës së Bastijës.
Macron tha se bota po përjeton rikthimin e fuqisë bërthamore dhe “përhapjen e konflikteve të mëdha”.
Ai përmendi gjithashtu bombardimin amerikan të Iranit, luftimet mes Indisë dhe Pakistanit dhe atë që e quajti “luhatjet e mbështetjes amerikane për Ukrainën”.
Muajin e kaluar, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të angazhohen që të shpenzojnë 5% të PBB-së çdo vit për mbrojtje, nga objektivi i mëparshëm prej 2%./ /Ad.Ab./
The post FRANCË – Macron: Liria e Evropës po përballet me sfidat më të mëdha që nga LIIB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.