Rama: Rruga Ersekë-Leskovik, udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Segmenti i ri rrugor Ersekë – Leskovik ofron një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të një tjetër zone të mrekullueshme të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga rruga e re Ersekë – Leskovik, një aks që nxit turizmin dhe zhvillon sipërmarrjen lokale.
“Rruga e re Ersekë – Leskovik, jo vetëm një investim që shkurton distancat, por një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të kësaj zone, që nxit turizmin, zhvillon sipërmarrjen lokale, ruan traditën e motivon të rinjtë të mos emigrojnë por të investojnë në vendlindjet e tyre”, u shpreh Rama.
Punimet për rikonstruksionin e rrugës Ersekë-Leskovik janë financuar përmes një fondi prej rreth 6 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe BERZH.
Ky investim shkurton distancat e udhëtimit dhe është një dritare më shumë për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.
Rruga është e gjatë 42,67 kilometra, gjerësia e asfaltit ekzistues ishte rreth 4 metra, ndërsa asfalti i ri është 5 metra në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Ajo përmirëson ndërlidhjen mes rajoneve dhe lehtëson lëvizshmërinë drejt potencialeve turistike të rajonit të Korçës dhe Gjirokastrës, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të mundësive për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm rajonal.
/m.m/r.e/
The post Rama: Rruga Ersekë-Leskovik, udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.