UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/ – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) po tërhiqet nga komentet apo kritikat për zgjedhje të ndryshme jashtë SHBA-së, përveç se kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme amerikane për ta bërë këtë, sipas AP.
Në udhëzimet e reja të lëshuara dje në mbrëmje për të gjitha ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së jashtë vendit, DASH-i tha se këto zyra duhet të përmbahen nga lëshimi i deklaratave që përmendin ndonjë ideologji të veçantë dhe se ajo që mund të thonë duhet të jetë në përputhje me qëndrimin e deklaruar të presidentit Donald Trump se ”SHBA-ja do të respektojë sovranitetin e të gjitha kombeve të huaja”.
“Në përputhje me theksin e administratës mbi sovranitetin kombëtar, departamenti do të komentojë publikisht mbi zgjedhjet vetëm kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme të SHBA-së për ta bërë këtë”, sipas kabllogramit, një kopje e të cilit u pa nga Associated Press.
Për shume dekada, Departamenti i Shtetit ka lëshuar deklarata shumë kritike ose ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të caktuara, veçanërisht në vendet autoritare.
Kjo po ndryshon, pasi administrata Trump ka theksuar një qasje të politikës së jashtme “Amerika e para” të përqendruar në interesat e SHBA-së.
”Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhej në kabllogram.
Në dokument, i cili u nënshkrua nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe u raportua për herë të parë nga ”Wall Street Journal”, theksohej se ”mesazhet duhet të shmangin shprehjen e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”.
Në të kaluarën, komentet amerikane që vinin në pikëpyetje ose kritikonin zgjedhjet brenda vendit shpesh kanë mbështetur gjetjet nga grupe të ndryshme të monitorimit të zgjedhjeve, të tilla si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ose institucione me bazë në SHBA si qendra ”Carter”, Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan.
Kabllogrami i Departamentit të Shtetit tha se amplifikimi i gjetjeve të grupeve të jashtme ose denoncimi i parregullsive zgjedhore mund të bëhet vetëm me lejen e zyrtarëve të lartë në Uashington./ /Ad.Ab./
The post SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.