Izraeli e zgjeron ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës
Izraeli e ka lansuar një ofensivë të re ushtarake në Rripin e Gazës, duke synuar t’i lirojë pengjet e mbajtura në qytetin Deir al-Balah. Si pasojë e përshkallëzimit të luftës, të paktën 130 palestinezë mbeten të vdekur gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa gjendja humanitare lë shumë për të dëshiruar.
Ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme të mëdha ajrore dhe një operacion tokësor në Rripin e Gazës, duke i shënjestruar lagjet në qytetin Deir al-Balah, qendra kryesore e përpjekjeve humanitare në territorin e shkatërruar palestinez, mes paralajmërimeve në rritje për krizën e urisë.
Tanket hynë për herë të parë në zonat jugore dhe lindore të qytetit, një pjesë ku burimet izraelite kanë pretenduar se mund të ndodhen disa nga pengjet e mbajtura. Operacionet më të fundit po ndodhin një ditë pas numrit më të lartë të viktimave në 21 muajt e luftës, ku të paktën 85 palestinezë që po prisnin për ndihmat ushqimore, u vranë të dielën nga Ushtria Izraelite.
Dëshmitari okular, Ehab Al-Zein, e ka përshkruar tmerrin e ditës së djeshme, duke pretenduar se popullata civile ishte e rrethuar nga tanket për më shumë se një orë.
“Po prisnim për miell, sepse ishim të uritur. Donim të hanim e të pinim. Papritur dolën tanket, na rrethuan. Filluan të qëllonin mbi ne dhe nuk mundëm të lëviznim. Nuk arritëm ta marrim miellin dhe mbetëm të rrethuar për rreth një orë e gjysmë, deri në dy orë. Disa arritën të shpëtonin, disa u vranë dhe të tjerë u plagosën. Siç mund ta shihni, kjo është gjendja jonë”, ka deklaruar Al-Zein.
E Rachael Cummings, drejtoreshë humanitare në Gazë, nga radhët e Organizatës “Save the Children”, e ka vlerësuar situatën në enklavën palestineze si jashtëzakonisht të rëndë. Ajo ka theksuar se palestinezët nuk kanë zgjidhje tjetër, përpos se t’i rrezikojnë jetët e tyre, në mënyrë që t’i marrin pakot ushqimore.
“Situata këtu është jashtëzakonisht e rëndë. Ekipi im më tha sot se situata në Gazë nuk ka qenë kurrë kaq e keqe. Ata janë në krizë të urisë. Fëmijët qajnë vazhdimisht për ushqim. Pra, situata është absolutisht e tmerrshme dhe njerëzit po bëjnë zgjedhje të pamundura, duke e rrezikuar jetën për të provuar të gjejnë ushqim”, është shprehur Rachael Cummings
Ministria e Shëndetësisë, e kontrolluar nga Hamasi, ka njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit kanë mbetur të vdekur të paktën 130 persona. Sipas shifrave të kësaj ministrie në Gazë, bilanci total i palestinezëve të vdekur që kur lufta nisi më 7 tetor të vitit 2023, ka shkuar në mbi 59 mijë.
Mes tjerash, negociatat midis Izraelit dhe grupit militant Hamas në Katar rreth armëpushimit të ri në Rripin e Gazës dhe një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve, kanë ngecur pas disa javësh bisedime indirekte. Izraeli dëshiron me patjetër t’i kthejë të gjitha pengjet që mbahen në Gazë nga Hamasi, që prej fillimit të luftës.
50 pengje janë ende në robëri, prej të cilëve deri në 20 besohet se janë ende gjallë.