Në fillim të korrikut u arrit një marrëveshje, sipas të cilës, aleatët evropianë të NATO-s do të blejnë armë amerikane, përfshirë raketat Patriot, për Ukrainën. Megjithëse Gjermania njoftoi së fundi se dy sisteme Patriot do të dërgohen së shpejti në Kiev, ende ka dyshime nëse kjo marrëveshje do t’ia japë Ukrainës atë që i nevojitet në muajt në vijim.
Marrëveshja, e shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Uashington më 14 korrik, është në thelb një vazhdim i mënyrës së veprimit që aleatët perëndimorë kanë ndjekur prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më shumë se tri vjet më parë: evropianët i dërgojnë Kievit pajisje ushtarake që i kanë në dispozicion dhe më pas i zëvendësojnë ato me armë të reja kryesisht amerikane.
Dallimi i madh tani është se evropianët duhet t’i rrisin ndjeshëm dërgesat e armëve për Ukrainën, pasi administrata Trump deri më tani nuk ka dhënë ndonjë premtim të ri. (Dërgesat e premtuara gjatë administratës Biden, megjithatë, vazhdojnë ende.)
Deri në njëfarë mase, evropianët e kanë rritur prodhimin për ta mbushur boshllëkun. Instituti Kiel, me bazë në Gjermani, thekson se për herë të parë që nga qershori 2022, Evropa ka tejkaluar SHBA-në në ndihmën ushtarake për Ukrainën, me 72 miliardë euro, krahasuar me 65 miliardë euro nga Uashingtoni.
Çështja për Ukrainën dhe aleatët e saj është: sa i qëndrueshëm do të jetë ky mekanizëm? Në planin afatgjatë, evropianët do të duhet të blejnë më shumë armë, pasi janë zotuar t’i shpenzojnë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2034, në samitin e NATO-s në Hagë në qershor.
Armët për Ukrainën do të jenë pjesë kyç e këtyre shpenzimeve.
Një diplomat nga një vend i BE-së, që foli në mënyrë anonime për Radion Evropa e Lirë, tha se marrëveshja e korrikut në Uashington është mënyra më e mirë për të mbajtur “amerikanët të angazhuar në Ukrainë në veçanti dhe në Evropë në përgjithësi”, pasi Shtetet e Bashkuara do të përfitojnë nga rritja e pritur e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen.
Dhe, ndonëse Evropa është e prirë të investojë në sektorin e vet të mbrojtjes, një gjë e tillë do të kërkojë kohë. Udhëheqësit evropianë kanë vendosur që, të paktën përkohësisht, është më mirë të blejnë nga SHBA-të.
“Është ose kjo, ose ta lëmë Ukrainën pa armë,” tha një zyrtar i NATO-s për REL-in, në kushte anonimiteti, pasi nuk është i autorizuar të flasë publikisht.
“Mendoj se në anën evropiane ka një vetëdije të dhimbshme që kjo duhet të ndodhë në një mënyrë apo tjetër”, shtoi ai.
Më 21 korrik, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – një aleancë prej më shumë se 50 shtetesh, përfshirë të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe disa partnerë joanëtare – u mblodh për herë të parë online që nga njoftimi i marrëveshjes në Uashington.
Në këtë takim, që ka qenë koordinatori kryesor i dërgesave të armëve perëndimore për Kievin, deri në shtatë vende shprehën interes për të blerë armë amerikane për Ukrainën. Këto përfshinin Kanadanë, Belgjikën, Gjermaninë, Holandën dhe disa shtete nordike.
Rezultati i takimit të Grupit të Kontaktit, i njohur gjithashtu si grupi Ramstein, ishte që Ukraina do të përgatiste një “listë të hollësishme dëshirash” për ato që i nevojiten, me theks të veçantë në mbrojtjen ajrore dhe municionet. NATO-ja, nga ana tjetër, do të ofrojë një vlerësim të kostos së këtyre pajisjeve ushtarake. Më shumë qartësi priten kur grupi Ramstein të mblidhet sërish në vjeshtë, mbase për herë të parë në Ukrainë.
Pyetja kryesore tani është se sa shpejt mund të dorëzohen këto pajisje ushtarake në Ukrainë. Pritet që vendet evropiane ta furnizojnë atë me 2 milionë predha artilerie 155-milimetërshe këtë vit, dhe meqë Ukraina po fillon prodhimin e brendshëm me mbështetje financiare perëndimore, mungesa e shkaktuar nga ndalimi i eksporteve amerikane mund të mbulohet.
Por, për mbrojtjen ajrore, gjendja është më e ndërlikuar. Dhe, pikërisht këtu Ukraina ka ende nevojë për armë amerikane, veçanërisht për raketat tokë-ajër, Patriot.
Alternativa evropiane ndaj sistemit amerikan Patriot, sistemi francezo-italian SAMP-T, i është dorëzuar Kievit. Roma njoftoi së fundmi se bateria e tretë do të dërgohet në vjeshtë. Por, sipas diplomatëve të NATO-s, prodhimi i interceptorëve të nevojshëm dhe i të gjithë konfigurimit të sistemit kërkon më shumë kohë krahasuar me Patriotët. Për më tepër, edhe vetë Kievi ka vënë në pikëpyetje ndikimin e sistemit evropian.
Kur Trump dhe Rutte dolën para mediave për të shpallur marrëveshjen më 14 korrik, presidenti amerikan përmendi se 17 sisteme Patriot mund të përgatiten për t’u blerë për Ukrainën.
Javën e kaluar, Gjermania njoftoi se do të dërgojë dy bateri në Ukrainë së shpejti, por nuk është e qartë se nga do të vijnë sistemet e tjera. Aktualisht, gjashtë vende evropiane – Gjermania, Greqia, Holanda, Polonia, Rumania dhe Spanja – operojnë sisteme Patriot, por këto shtete druhen se dërgimi i tyre në Ukrainë mund t’i lërë të pambrojtura hapësirat e tyre ajrore.
Kompanitë Lockheed Martin dhe Raytheon, dy prodhuesit kryesorë të Patriotëve, po rrisin prodhimin për të përmbushur kërkesat evropiane, por Ukraina, e cila është nën sulme të vazhdueshme nga Rusia, me shumë gjasë nuk do t’i ndiejë përfitimet e kësaj rritjeje së shpejti./REL