Presidenti i Sporting Lisbonës lëshon një ‘deklaratë shpërthyese’ për rastin e Gyokeres
Sulmuesi suedez Viktor Gyokeres është vendosur nën masë disiplinore nga Sporting Lisbona, pasi nuk u paraqit në grumbullimin e ekipit, konfirmoi të shtunën presidenti i klubit, Frederico Varandas.
I pyetur për mungesën e sulmuesit, i cili kërkon largimin nga klubi, Varandas theksoi se Sporting është duke mbrojtur interesat e veta dhe shprehu besimin se situata do të zgjidhet.
“Jemi të qetë. Gjithçka do të zgjidhet me mbylljen e afatit kalimtar, një gjobë të rëndë dhe një kërkimfalje ndaj skuadrës”, u shpreh ai.
Gyokeres, golashënuesi më i mirë i kampionatit portugez në dy sezonet e fundit, ka qenë në qendër të vëmendjes për një transferim të mundshëm, me Arsenalin që ka treguar interes të përsëritur për të.
“Nëse ata nuk duan të paguajnë vlerën reale të tregut për Viktor Gyokeres, ne ndjehemi shumë rehat me atë situatë për tre vitet e ardhshme”, theksoi Varandas.
27-vjeçari iu bashkua Sportingut në fillim të sezonit 2023/2024 nga Coventry Cit për 20 milionë euro, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2028, me një klauzolë lirimi prej 100 milionë euro.
“Nëse ‘strategët’ që po përpiqen të ushtrojnë presion mendojnë se kjo do ta bëjë më të lehtë largimin e lojtarit, jo vetëm që janë plotësisht gabim, por po e bëjnë gjithçka më të vështirë për të. Askush nuk është mbi interesat e klubit, kushdo qoftë ai”, deklaroi Varandas për agjencinë Lusa.
Gyokeres mungoi në prezantimin zyrtar të ekipit të parë këtë të shtunë, ku skuadra u nis për në Lagos, ku do të zhvillojë përgatitjet parasezonale deri më 22 korrik./Telegrafi/
The post Presidenti i Sporting Lisbonës lëshon një ‘deklaratë shpërthyese’ për rastin e Gyokeres appeared first on Telegrafi.