Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Rasti i gjyqtarit Llabani, Haxhiu: Patëm dërguar kërkesë në Kushtetuese për shkarkimin e tij, por thoshin se ‘po ndërhyjmë në pavarësinë e tyre’

6 August 2025 at 11:09

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pasi një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën në Kushtetuese për seancën konstituive për shkak të gjyqtarit serb, Radomir Llaban pasi sipas saj paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se i kishin drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.

Sipas Haxhiu në vend që të merrej parasysh kërkesa e tyre, kishin pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa e tyre përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre”.

Lexoni të plotë postimin e ministres në detyrë:

Kur në vitin 2018,  ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.

Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre”. /Telegrafi/

The post Rasti i gjyqtarit Llabani, Haxhiu: Patëm dërguar kërkesë në Kushtetuese për shkarkimin e tij, por thoshin se ‘po ndërhyjmë në pavarësinë e tyre’ appeared first on Telegrafi.

Aksident i rëndë në Veternik, Policia e ambulanca shkojnë në vendngjarje

6 August 2025 at 10:51

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 10:00 në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës, ndërsa në vendngjarje janë parë duke shkuar Policia dhe Ambulanca.

Aksidenti ka ndodhur ndërmjet dy veturave dhe një kamioni.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës i tha Telegrafit se sot rreth orës 10:00 kanë pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete (një kamion dhe dy vetura). Si pasojë e aksidentit është lënduar një person”, tha ajo.

Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal. /Telegrafi/

The post Aksident i rëndë në Veternik, Policia e ambulanca shkojnë në vendngjarje appeared first on Telegrafi.

Kushtetuesja pezullon vendimin e Qeverisë për dhënien e parcelave të Graçanicës në shfrytëzim për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për Autizëm

6 August 2025 at 09:45

Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Komunës së Graçanicës për vendosjen e masës së përkohshme, pezullimin e vendimit të Qeverisë për dhënien e parcelave të kësaj Komune në shfrytëzim të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e Qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë.

Kjo u bë e ditur në vendimin për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, të publikuar më 5 gusht.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme ndaj Vendimit të kontestuar duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

“Gjykata, në fund rithekson se, miratimi i masës së përkohshme deri më 31 tetor 2025, nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe meritat e kërkesës”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 28 gusht 2024, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimin me të cilin disa parcela në Komunën e Graçanicës i jepen në në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë down, dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” në periudhë prej 99 vitesh. /Telegrafi/

 

The post Kushtetuesja pezullon vendimin e Qeverisë për dhënien e parcelave të Graçanicës në shfrytëzim për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për Autizëm appeared first on Telegrafi.

Ambasadori i Suedisë: S’mund t’i drejtoni çdo pyetje Kushtetueses, udhëheqësit politikë të marrin vendime

6 August 2025 at 09:33

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, në një intervistë për Ekonomia Online, lidhur me vendimin që pritet të dalë nga Gjykata Kushtetuese deri të premten e 8 gushtit, tha se ndonëse ekziston si prirje që këto çështje t’u drejtohen gjykatës, udhëheqësit politikë do duhej të ishin më të guximshëm dhe të merrnin vendime pa i referuar të gjitha pyetjet gjykatës.

Ai shtoi se ani pse të gjithë duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ata që janë në pozita për të mbrojtur Kushtetutën do të duhej të mbanin përgjegjësitë dhe të luanin rolin e tyre në drejtimin e mbrojtjes së saj dhe funksionimit demokratik të shtetit të Kosovës.

“Dua të them, ka një sërë pyetjesh që Gjykata Kushtetuese do të duhej t’i trajtonte. Njëra prej tyre do të ishte: çfarë ndodh nëse Parlamenti nuk arrin të konstituohet dhe a do të duhej kjo të trajtohej si çështje për të ardhmen? Që të mos ndodhë më? A ka nevojë për një sqarim në Kushtetutë? Kjo është një pyetje tjetër. Po mendoj për të ardhmen. Pra, pyetje të tilla do të duhej t’i trajtonte Gjykata Kushtetuese.

Por, ekziston edhe një fenomen tjetër në botën perëndimore, ku pyetje i dërgohen vazhdimisht gjykatës. Besoj se kjo është një prirje që vjen nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik. Udhëheqësit politikë në mbarë botën do të duhej të jenë më të guximshëm dhe të marrin vendime. Nuk mund t’i referoni të gjitha pyetjet gjykatave. Për të qenë i sinqertë, ky afat përfundon të premten, më 8 gusht, dhe të gjithë duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ata që janë aty për të mbrojtur Kushtetutën do të duhet të merrnin rolin dhe përgjegjësitë e tyre. Aktualisht, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të mbrojtur Kushtetutën dhe funksionimin demokratik të shtetit”, tha ambasadori Westerlund.

The post Ambasadori i Suedisë: S’mund t’i drejtoni çdo pyetje Kushtetueses, udhëheqësit politikë të marrin vendime appeared first on Telegrafi.

Ngërçi politik, tërheqja e kërkesës nga Kushtetuesja për seancën konstituive dhe deklaratat e presidentes Osmani

6 August 2025 at 07:46

Që nga 9 shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, vendi është ende pa institucione të reja të dala nga këto zgjedhje, rrjedhimisht ende nuk kemi kuvend të konstituuar dhe qeveri të re.

Këto ditë pritej që Kushtetuesja të dalë me një sqarim lidhur me situatën pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme, pasi Kuvendi nuk u konstituua edhe pas 30 ditëve afat sa kishte dhënë fillimisht Kushtetuesja.

Por, një ditë më parë, e para e shtetit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Osmani tha se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilëson si figurë problematike për sigurinë e shtetit.

“Sot, në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren përkatëse, kam tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës, tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë rast është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se, sipas të dhënave të sigurisë, gjyqtari Laban përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues të vendit.

“Caktimi i tij në një çështje të një rëndësie të tillë kushtetuese është thellësisht shqetësues dhe mund të krijojë pasoja serioze për institucionet tona,” theksoi presidentja.

Presidentja ka kërkuar vëmendje të shtuar ndaj integritetit të institucioneve kushtetuese dhe sigurisë së shtetit, duke nënvizuar se nuk mund të lejohet që çështje të ndjeshme të trajtohen nga individë për të cilët ekzistojnë dyshime të thella për rrezikshmëri ndaj rendit kushtetues të Kosovës.

Tutje theksoi se gjyqtari Llaban nuk është emëruar nga ajo. Procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim të marrë nga dy të tretat e anëtarëve të kësaj gjykate, çka e bën të pamundur çdo veprim të Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.

Osmani u rekomandon deputetëve t’i drejtohen Kushtetueses, pas tërheqjes së kërkesës për seancën konstituive

Presidentja Osmani, tutje, në këtë konferencë për media ka rekomanduar deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pas tërheqjes së kërkesës së saj lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.

Osmani theksoi se deputetët kanë mandat të plotë për të kërkuar sqarime për çështjet që mbeten të paqarta, posa të publikohen vendimet në rastet e iniciuara nga PDK dhe LDK.

Ajo u shpreh se kjo duhet bërë me shpresën se në rastin e ri nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues.

“Unë dua t’i inkurajojë deputetët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mandat të plotë që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, që pasi të publikohen vendimet në dy rastet e iniciuara nga partitë PDK dhe LDK, për çështjet që mbesin të pasqaruara dhe pas atij aktgjykimi që t’i adresohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, nën shpresën që nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se për një çështje kaq sensitive, nuk do të inkurajonte askënd ta linte lëndën në Kushtetuese nëse gjyqtar raportues mbetet i njëjti.

“Unë nuk do ta inkurajoja asnjë institucion që ta linte lëndën në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se gjyqtar raportues, për temë kaq sensitive është fjala, vendoset ky gjyqtar, së paku derisa të sqarohet përfundimisht nga institucionet tona të drejtësisë”, tha ajo.

Por, kush është Radomir Laban?

Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

Si shihet veprimi i Osmanit nga juristët?

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës tërheqjen e kërkesës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani ka thënë se ky veprim është “djallëzor fund e krye” dhe ka për synim bllokimin e punës së Gjykatës Kushtetuese në prag të vendimit që pritet të merret deri më 8 gusht, kur edhe skadon masa e përkohshme e kësaj gjykate për çështjen e moskonstituimit të Kuvendit.

“Kjo tërheqje është djallëzore dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese. Si veprim, është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përbën shkelje flagrante të saj,” deklaroi Hasani.

Ndërkaq, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka ngritur katër pyetje publike ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të saj për të tërhequr kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 22 korrik 2025.

Në këtë kontekst, Kryeziu kërkon përgjigje për sa vijon:

A keni komunikuar me Kryetaren e kaluar dhe Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me këto gjetje të organeve të sigurisë?

A janë këto gjetje të organeve të sigurisë të faktuara mirë, përtej çdo dyshimi të bazuar?

A keni biseduar me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje?

A keni sugjeruar që, në dritën e këtyre gjetjeve, Gjykata Kushtetuese të nisë procedurën për të rekomanduar shkarkimin e gjyqtarit?

 

The post Ngërçi politik, tërheqja e kërkesës nga Kushtetuesja për seancën konstituive dhe deklaratat e presidentes Osmani appeared first on Telegrafi.

Moti në Shqipëri

6 August 2025 at 07:21

Shqipëria të mërkurën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet i kthjellët e me vranësira mesatare e hera-herës deri të dendura në orët e mesditës në relievet malore në verilindje e juglindje.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në zonën lindore të vendit, kryesisht në relievet malore, ndërsa pjesa tjetër e territorit parashikohet pa reshje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 7-14m/s.

Valëzimi në det do të i forcës 1-3 ballë. /Telegrafi/

The post Moti në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Mot me diell dhe vranët

6 August 2025 at 07:06

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 – 16°C, ndërkaq temperaturat maksimale do të jenë ndërmjet 24-27°C.

Era do të fryjë kryesisht nga verilindja, 1–4 m/s. /Telegrafi/

 

The post Mot me diell dhe vranët appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 5 August 2025Main stream

Prattipati: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë, s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione – ngërçin ta zgjidhin liderët

5 August 2025 at 13:58

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.

Në një intervistë për Gazetën Express ajo tha se Administrata Trump “kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.

Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.

Prattipati tha se “udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre” dhe se ngërçin politik duhet ta zgjidhin po ata.

“Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës”.

Që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”, diplomatja amerikane thotë se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet”, ndërsa tregoi edhe se çfarë mund të pritet nga Administrata Trump.

The post Prattipati: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë, s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione – ngërçin ta zgjidhin liderët appeared first on Telegrafi.

​Aliu: Ndërtimi i urave në Mitrovicë po bëhet me kërkesë të komunave

5 August 2025 at 13:33

Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se ndërtimi i urave mbi lumin Ibër po bëhet me kërkesë të komunave.

Gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Ndërtimi i urave në Mitrovicë po bëhet me kërkesë të komunave”, tha Aliu shkurt për KosovaPress, të martën ndërsa po merrte pjesë në përurimin e një rruge në Shtime.

Sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Përfundimi i ndërtimit të urave pritet në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.

Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetim për ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e dy urave.

The post ​Aliu: Ndërtimi i urave në Mitrovicë po bëhet me kërkesë të komunave appeared first on Telegrafi.

Gucati thotë se personi i arrestuar në Serbi nuk ishte pjesë e UÇK-së

5 August 2025 at 13:06

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës kanë konfirmuar se Behar Preniqi i arrestuar mbrëmë nga autoritetet serbe nuk ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati tha për KosovaPress se Preniqi nuk figuron në emrat e listave të arkivave të kësaj organizate.

“Në dokumentacionet tona në organizatë të veteranëve ai nuk është as anëtar as nuk ka dosje, te ne nuk ka. Te ne ai nuk ka dokumentacion se është veteran i UÇK-së, mua më vjen keq sepse ai është qytetar i Kosovës, por tek ne nuk është në evidenca”, tha Gucati.

Behar Preniqi është ndaluar nga autoritetet serbe nën arsyetimin e krimeve të luftës duke pretenduar se ai ishte pjesë e UÇK-së, transmeton KosovaPress.

Raportohet se Preniqi është arrestuar në Bajakovo në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë.

Pretendimet e autoriteteve serbe se Preniqi ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka hedhur poshtë edhe familja e tij, duke potencuar se Preniqi në kohën e luftës në Kosovë ishte i mitur rreth moshës 16 vjeçare.

The post Gucati thotë se personi i arrestuar në Serbi nuk ishte pjesë e UÇK-së appeared first on Telegrafi.

“Ushtarët serbë stërviten bashkë me ata kinezë”, Ramadani: Kërcënim për Ballkanin, Serbia të përjashtohet nga Partneriteti Për Paqe me NATO-n

5 August 2025 at 11:46

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka deklaruar sot se stërvitja ushtarake e Serbisë dhe Kinës është kërcënim për Ballkanin.

Njohësi i sigurisë në një postim në Facebook shkruan se Serbia duhet të përjashtohet nga Partneriteti për Paqe me NATO-n.

Lexoni të plotë reagimin e Ramadanit:

Serbia dhe Kina – stërvitja ushtarake si hap kërcënimi në Ballkan

Në Kinën Veriore, në provincën Hebei, ushtarët e Serbisë stërvitën bashkë me ushtarët kinezë për 10 ditë me radhë.

Ushtarët e Brigadës së 72-të për Operacione Speciale të Serbisë morën mësime nga kinezët për “integrimin e taktikave me dronë në operacione speciale”.

Serbia – masha e Rusisë në Ballkan – që vazhdon të jetë kërcënuesi i vetëm i paqes në rajon tashmë i ka hapur derën e plotë Kinës për qëllime armiqësore ndaj demokracive në rajon e në Evropë.

Reagimi i Perëndimit duhet të jetë më i vendosur dhe më i zëshëm. Kjo politikë kërcënuese e Serbisë tejkalon Ballkanin, është kërcënim më i gjerë.

Serbia duhet të përjashtohet nga Partneriteti Për Paqe me NATO-n. /Telegrafi/

 

The post “Ushtarët serbë stërviten bashkë me ata kinezë”, Ramadani: Kërcënim për Ballkanin, Serbia të përjashtohet nga Partneriteti Për Paqe me NATO-n appeared first on Telegrafi.

Tritoli në garazhin e Elvis Kosovës në Tiranë, Policia e Shtetit publikon pamje – dentifikohet autori nga Fushë-Kruja

5 August 2025 at 09:47

Policia e Tiranës njofton se ka zbardhur ngjarjen e datës 24 korrik, kur një sasi lënde plasëse u vendos në garazhin e shtetasit Elvis Kosova.

Në njoftimin e policisë thuhet se është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Klodian Steli, 36 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dyshuar se ka vendosur lëndën plasëse në portën hyrëse të garazhit të shtetasit Elvis Kosova, raporton euronews.al.

“Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 24.07.2025, në rrugën ‘Peti’, ku në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K. u vendos një sasi lënde plasëse, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin: K. S., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thekson se po punohet intensivisht për lokalizimin dhe ndalimin e tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

 

The post Tritoli në garazhin e Elvis Kosovës në Tiranë, Policia e Shtetit publikon pamje – dentifikohet autori nga Fushë-Kruja appeared first on Telegrafi.

Lidhja e Bizneseve: ZRRE të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë

5 August 2025 at 07:51

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve, është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore. Qasja e deritashme e ZRRE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit.

“LBK shpreh keqardhje që ZRRE dhe Qeveria kanë ndërmarrë një vendim pa konsultime të thelluara, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa ndonjë plan kalimtar të qartë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji për sektorin privat.

Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, edhe gjykata kompetente ka vlerësuar se ky vendim është kundërshtim më legjislacionin dhe ka urdhëruar pezullimin e tij, çka e bën të pakuptimtë këmbënguljen për zbatimin e tij nga ana e ZRRE-së.

LBK kërkon që ky vendim të rishikohet me urgjencë dhe që të ndërmerren masa konkrete për të ndaluar zbatimin e tij deri në një analizë të plotë gjithëpërfshirëse, të hartuar në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe partnerët institucionalë.

“Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe një qasje të arsyeshme në raport me një çështje kaq jetike për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/

The post Lidhja e Bizneseve: ZRRE të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë appeared first on Telegrafi.

Parashikimi i motit në Shqipëri

5 August 2025 at 07:17

Shqipëria të martën do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Shërbimi Ushtarak Meteorologjik njofton se moti parashikohet fillimisht me kthjellime dhe gradualisht shtim vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në relievet kodrinore-malore të vendit.

Reshjet e shiut parashikohen me intensitet të ulët të karakterit lokal në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në intervale të shkurtra kohore në mënyrë të izoluar, në jug priten shtrëngata me shkarkesa elektrike e breshër (në male).

Era e lehtë me drejtim kryesor juglindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë shpejtësi 8-16m/s

Deti – Valëzimi forcës 2-3 ballë. /Telegrafi/

The post Parashikimi i motit në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Mot me vranësira dhe riga shiu

5 August 2025 at 07:06

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të martën në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

IHK njofton se vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen dhe si rezultat priten riga shiu nëpër disa zona, kryesisht në juglindje të vendit.

Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 12 – 17°C, ndërkaq maksimale: 21 – 25°C.

Era do të fryjë nga veriperëndimi, 1–5 m/s. /Telegrafi/

The post Mot me vranësira dhe riga shiu appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Kodi i ri Penal: Deri në 3 vite burg kush keqtrajton ose braktis kafshët në Shqipëri

2 August 2025 at 15:47

Drafti i Kodit të ri Penal parashikon burg deri në 3 vite për braktisjen apo keqtrajtimin e kafshëve.

Kjo është një nga pikat e një kapitulli të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve ku janë nenet që trajtojnë dëmtimin, braktisjen dhe moskontrollin e kafshëve, duke përcaktuar masa ndëshkuese që variojnë nga gjoba deri në burgim.

Neni 944 e konsideron braktisjen e një kafshe, nga kushdo që ka përgjegjësi mbi të, si vepër penale, kur akti i braktisjes ndodh në rrethana që rrezikojnë jetën apo shëndetin e saj, raporton euronews.al.

Për këtë shkelje, drafti parashikon dënim me gjobë ose deri në 3 vite burg.

Ndërsa pika 1 e nenit 943 përcakton qartë se:

“Shkaktimi i një dëmtimi të përhershëm ose të përkohshëm te një kafshë shtëpiake, të zbutur, të stërvitur apo që jeton përkohësisht ose në mënyrë të vazhdueshme nën kontrollin njerëzor, jashtë veprimtarive të rregulluara ligjërisht dhe me çdo mjet ose procedurë, – përfshirë aktet me natyrë seksuale – për të cilat kërkohet trajtim veterinar për rikthimin e shëndetit të kafshës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Gjithashtu, në draft parashikohet dënim për ata që nuk kontrollojnë kafshët në publik.

Nëse qeni shkakton dëmtim të lehtë ndaj një personi për shkak të mungesës së kontrollit apo mungesës së maskës mbrojtëse, pronari mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg.

Dënime parashikohen edhe për organizimin e ndeshjeve ndërmjet kafshëve, si dhe për pronarët që nuk i mbajnë nën kontroll në hapësira publike.

Neni 946 dënon me gjobë ose burgim deri në tre muaj çdokënd që promovon, organizon apo drejton ndeshje ndërmjet kafshëve që u shkaktojnë atyre vuajtje apo torturë.

Sakaq, neni 947 përcakton se kur veprat ndaj kafshëve kryhen me egërsi, mizori apo për qëllime fitimi, ndëshkimi rëndohet me 50%.

Dënimi shtohet me 50% edhe kur vepra kryhet gjatë një ngjarjeje publike ose shpërndahen pamje të saj nëpërmjet teknologjive të informacionit ose komunikimit.

The post Kodi i ri Penal: Deri në 3 vite burg kush keqtrajton ose braktis kafshët në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Osmani pret në takim Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker

2 August 2025 at 15:26

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendësndihmës sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker.

Pas takimit me presidenten Osmani, Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes priteT ta takojë edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se pritja do të bëhet me ceremoni zyrtare në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 16:00.

“Ftohen përfaqësuesit e mediave të përcjellin këtë takim i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Osmani pret në takim Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker appeared first on Telegrafi.

Komandanti Barduani takon zëvendësndihmës sekretarin amerikan të mbrojtjes, KFOR: Baker riafirmoi angazhimin e SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it

2 August 2025 at 13:31

Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, u takua sot me ZëvendësNdihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së për politikën evropiane dhe të NATO-s, David Baker, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se takimi ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të ndarë vizione mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi rrugën përpara për të mbështetur më së miri një angazhim të ripërtërirë politik për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Z.Baker riafirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.

KFOR tutje thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. /Telegrafi/

The post Komandanti Barduani takon zëvendësndihmës sekretarin amerikan të mbrojtjes, KFOR: Baker riafirmoi angazhimin e SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it appeared first on Telegrafi.

Shërbime seksuale e trafikim me njerëz, arrestohen dy të dyshuar në Malishevë

2 August 2025 at 09:58

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të trafikimit me njerëz dhe shërbime seksuale me viktimën e trafikimit.

Rasti ka ndodhur në Malishevë, më 23 korrik, ndërkaq janë arrestuar dy të dyshuarit.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet të kenë kryer veprën e lart-cekur, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

The post Shërbime seksuale e trafikim me njerëz, arrestohen dy të dyshuar në Malishevë appeared first on Telegrafi.

Presidentja Osmani pret sot në takim Zëvendësndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së ShBA-së, David Baker

2 August 2025 at 09:16

Zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Baker ndodhet për vizitë në Kosovë.

E para e shtetit, Vjosa Osmani do ta pret në takim zëvendësndihmës sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-ve, David A. Baker në ora 15:00.

“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Zëvendësndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-ve, David A. Baker. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit”< thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndryshe, edhe ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci në një vizitë të para dy muajve në SHBA është takuar me zyrtarin amerikan, Baker.

Pas asaj vizite, Maqedonci kishte deklaruar se Kosova dhe ShBA hapin një kapitull të ri të marrëdhënieve për mbrojtje dhe siguri. /Telegrafi/

The post Presidentja Osmani pret sot në takim Zëvendësndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së ShBA-së, David Baker appeared first on Telegrafi.

❌
❌