Bayern Munich e do yllin e Arsenalit në rast se dështojnë me transferimin e Luis Diaz
Planet e Arsenalit për të ardhmen e Leandro Trossard kanë marrë një kthesë të re, pasi tani në garë është futur edhe Bayern Munich, që po e konsideron sulmuesin belg si alternativë për repartin ofensiv.
Deri pak ditë më parë, 30-vjeçari dukej pranë largimit drejt Fenerbahces, me raportime që flisnin për një marrëveshje personale të arritur për një kontratë trevjeçare.
Por negociatat me klubin turk janë bllokuar, dhe në të njëjtën kohë Arsenali ka rihapur bisedimet për një rinovim kontrate.
Sipas të përditshmes gjermane BILD, Bayern Munich po ndjek nga afër situatën e Trossard si alternativë e mundshme për Luis Diaz, për të cilin një ofertë prej 52 milionë euro është refuzuar nga Liverpooli.
Ky zhvillim mund ta detyrojë Arsenalin të veprojë shpejt, pasi Trossard ka edhe një vit kontratë të mbetur, që ai e kishte nënshkruarnë janar 2023 kur erdhi nga Brighton.
Ndërkohë, përfaqësuesit e lojtarit kanë kërkuar përmirësim të kushteve që nga vera e kaluar.
Aktualisht, Trossard fiton rreth 90 mijë euro në javë, shumë më pak se disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së Mikel Artetës. Statistikat e tij janë solide: 51 kontribute në gola në 124 paraqitje me fanellën e Arsenalit.
Një tjetër sinjal që mund të çojë drejt një transferimi është ndërrimi i agjentit nga ana e belgut, një veprim që shpesh sinjalizon ndryshime të mëdha.
Arsenali ka qenë i hapur për ta lënë të largohet për një shumë rreth 20 milionë euro, por Fenerbahce, klubi që mban rekordin e vet të blerjes për 19.5 milionë euro, ende nuk ka bërë një ofertë zyrtare.
Në këtë fazë, mbetet të shihet nëse Bayerni do të konkretizojë interesin e tij, apo nëse Trossard do të zgjedhë të vazhdojë aventurën në Ligën Premier./Telegrafi/
The post Bayern Munich e do yllin e Arsenalit në rast se dështojnë me transferimin e Luis Diaz appeared first on Telegrafi.