Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

Mbështetje fermerëve të Kukësit dhe Dibrës për kultivimin e mjedrës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kultivimi i frutit të mjedrës, një kulturë e re në vendin tonë, falë mbështetjes nga ekspertët e bujqësisë, po realizohet me sukses nga fermerët në vendin tonë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi realizimin me sukses të mbjelljes së fidanëve të mjedrës nga fermerët në Dibër dhe Kukës.

Ajo e cilësoi këtë iniciativë, një hap konkret drejt kultivimit të kësaj kulture të re, që është  fitimprurëse dhe ka kërkesë të lartë në treg për të.

“Falë mbështetjes së GIZ dhe njohurive të fituara nga trajnimet praktike dhe përgatitjet në terren, fermerët po zbatojnë teknika moderne që rrisin efikasitetin në përdorimin e tokës dhe cilësinë e prodhimit, duke e bërë sektorin bujqësor më të qëndrueshëm për të ardhmen”, u shpreh Denaj.

Mjedra bën pjesë në grupin e pemëve manore me vlera të larta ushqyese dhe ekonomike. Ajo është e pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë.

Mjedra kultivohet gjerësisht në Kosovë dhe falë mbështetjes nga Skemat Kombëtare, fermerët kanë nisur të investojnë për kultivimin e saj, që kërkon teknologji të posaçme, teksa kushtet klimaterike në Shqipëri e favorizojnë zhvillimin e mjedrës. /j.p/

1 nga 4

The post Mbështetje fermerëve të Kukësit dhe Dibrës për kultivimin e mjedrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Euroja fiton lehtë terren ndaj lekut

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten leku forcoi pozitat në raport me dollarin amerikan dhe u zhvlerësua me euron, krahasuar me një ditë më parë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 82,98 lekë, ose 0,12 lekë më pak dhe euroja u forcua me 0,02 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 97,54 lekëve.

Paundi britanik këmbehet me 112,38 lekë, ose 0,134 lekë më pak se ditën e mërkurë dhe  franga zvicerane zbriti në këmbim me lekun me 0,41 lekë.

Franga zvicerane këmbehet sot me 104,47 lekë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.98 -0.12
Euro EUR 97.54 +0.02
Poundi Britanik GBP 112.38 -0.13
Franga Zvicerane CHF 104.47 -0.41
Jeni Japonez (100) JPY 56.61 -0.10
Dollari Australian AUD 54.92 +0.22
Dollari Kanadez CAD 60.98 -0.20
Korona Suedeze SEK 8.71 -0.04
Korona Norvegjeze NOK 8.22 -0.04
Korona Daneze DKK 13.07 +0.01
SDR SDR 113.79 +0.04
Ari(OZ 1) XAU 279031.00 -6,213.91
Argjend(OZ 1) XAG 3242.86 -28.79
Juani Kinez (onshore) CNY 11.60 0.00
Juani Kinez (offshore) CNH 11.60 0.00
Lira Turke TRY 2.05 -0.01

The post Euroja fiton lehtë terren ndaj lekut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku Kombëtar “Shebenik”, zonë pilot e projektit EU4Nature

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Parku Kombëtar “Shebenik”, i shtrirë përgjatë kufirit lindor të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, është një nga zonat më të rëndësishme për ruajtjen e natyrës në vend. Me një sipërfaqe prej mbi 34,500 ha, ai përfshin një mozaik habitatesh malore dhe pyjore me vlera të larta ekologjike, gjeologjike dhe kulturore.

Ky park strehon pyje të virgjra ahu me moshë mbi 140 vjeç, të shoqëruara me bredhin dhe specie të tjera halore, si dhe livadhe alpine të pasura me bimë mjekësore dhe aromatike si çaj mali, boronicë dhe sanëz. Brenda tij ndodhen 14 liqene glaciare që krijojnë peizazhe mahnitëse, ndërsa pyjet e ahut në Rajcë janë shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO si pjesë e grupit “Pyjet e Vjetra të Ahut në Evropë”.

Në Shebenik janë identifikuar dhjetëra lloje gjitarësh, zogjsh, zvarranikësh dhe amfibësh, përfshirë edhe rëqebullin e Ballkanit, një nga speciet më emblemë të parkut, i konfirmuar përmes kamerave kurth.

Megjithatë, sfida të tilla si nevoja për rishikimin e planit të menaxhimit dhe forcimi i kapaciteteve administrative kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për ruajtjen efektive të kësaj pasurie të rrallë natyrore.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me PNUD Albania bën të ditur se, në këtë kuadër, EU4Nature do të mbështesë:

Rishikimin e Planit të Menaxhimit për të reflektuar nevojat aktuale të biodiversitetit dhe kërkesat e rrjetit Natura 2000;

Ngritjen e kapaciteteve të stafit të administratave rajonale dhe institucioneve partnere, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira;

Investimet për rehabilitimin e habitateve dhe rikuperimin e specieve të rrezikuara, me fokus të veçantë tek llojet me rëndësi për Natura 2000.

Parku menaxhohet përmes katër nënzonave – Qendrore A, Qendrore B, Përdorim Tradicional dhe Rekreacion – duke integruar ruajtjen me përdorimin e qëndrueshëm nga komunitetet lokale.

Me mbështetjen e Projektit të qeverisë shqiptare dhe BE, Parku Shebenik synon të kthehet në një model reference për menaxhimin efektiv dhe të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke forcuar rrjetin Emerald dhe përafruar me standardet Natura 2000.

EU4Nature financohet nga BE dhe Ambasada e Suedisë në Tiranë dhe zbatohet nga UNDP Albania në bashkëpunim me MTM dhe AKZM. /j.p/

1 nga 5

The post Parku Kombëtar “Shebenik”, zonë pilot e projektit EU4Nature appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pagesa në euro në zonën SEPA, Sejko: Bankat plotësisht operacionale më 7 tetor

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një intervistë për Këshillin Evropian të Pagesave (European Payments Council – EPC) mbi rrugëtimin e vendit drejt SEPA (Tregut Unik të Pagesave në euro) nënvizoi përfitimet që sjell kjo arritje për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.

Sejko tha se, “në nëntor 2024 Shqipëria u pranua në zonën SEPA dhe deri në maj 2025 të gjitha bankat shqiptare u regjistruan dhe do të jenë plotësisht operacionale më 7 tetor 2025”.

Guvernatori e cilësoi anëtarësimin një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin financiar evropian, por edhe për ekonominë shqiptare, pa qenë ende anëtare e BE-së.

Sipas tij, ofrimi i pagesave në euro në zonën SEPA do të sjellë kursime të menjëhershme; remitanca më të lira si dhe avancim të modernizimit dhe inovacionit në industrinë bankare.

“SEPA do të ulë kostot me të paktën 20 milion euro në vitin e parë të operimit. 80 % e remitancave pritet të kushtojnë deri në pesë herë më pak, ndërsa adaptimi i standardit ISO 20022 dhe zhvillimi i pagesave të menjëhershme rajonale do të rrisin digjitalizimin dhe përfshirjen financiare”, theksoi Sejko.

Guvernatori u shpreh se ky është një hap konkret në rrugën drejt integrimit evropian dhe modernizimit të ekonomisë shqiptare.

“Skemat SEPA konsiderohen si pikë referimi e standardeve të pagesave në Evropë dhe pjesëmarrja është e rëndësishme në shumë nivele. Së pari, ajo nxit sisteme pagesash efikase dhe të besueshme për vendet e vogla si Shqipëria. Duke standardizuar pagesat ndërkufitare dhe duke përdorur teknologji të përparuar, do të jetë e mundur të krijohet një treg pagesash më modern në përputhje me politikat evropiane dhe të rritet depërtimi i teknologjisë së informacionit. Së dyti, pjesëmarrja në SEPA pritet të nxisë tregtinë. Partneri kryesor tregtar i Shqipërisë është BE-ja, me më shumë se gjysmën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve që drejtohet atje. Së treti, SEPA jo vetëm që do të ndihmojë në formalizimin e remitancave, por edhe do të rrisë kursimet dhe mirëqenien e familjeve që mbështeten tek ato. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, kjo do të thotë që të gjithë vizitorët evropianë do të përjetojnë kosto, kohë dhe siguri të ngjashme për pagesat siç do të përjetonin në vendet e tyre të origjinës”, theksoi Sejko.

Guvernatori deklaroi se, një nga objektivat kryesore për Shqipërinë, të paktën deri në vitin 2030, është përafrimi i plotë me acquis të BE-së në kuadër të axhendës së integrimit në BE.

“Objektivi ynë tjetër i menjëhershëm është krijimi i një sistemi pagesash të menjëhershme që mundësisht zhvillon pagesat e menjëhershme ndërkufitare brenda rajonit, dhe pjesëmarrja në TARGET Instant Payment Settlement (TIPS). Trendi i rritjes së përdorimit të pagesave elektronike dhe reduktimit të parave të gatshme do të vazhdojë ndërsa vendi bëhet më i arritshëm për tregjet e BE-së. Ne presim që përfshirja financiare dhe edukimi të zgjerohen ndërsa vazhdojmë të promovojmë programet e shkrim-leximit financiar dhe dixhital”, tha Sejko. /j.p/

The post Pagesa në euro në zonën SEPA, Sejko: Bankat plotësisht operacionale më 7 tetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare, mbështetje për uljen e kostove dhe rritjen e rendimentit

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ilir Manlliku, në fshatin Vaqarr kultivon prej vitesh rrush dhe domate në 1.5 hektarë serra.

Ai duke bashkuar përvojën me teknologjinë ka arritur të sigurojë prodhim cilësor “Made in Albania”, që shkon i freskët në treg.

Ministrja e  Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e tij teksa vuri në dukje se, Iliri është përfitues i Skemës Kombëtare për naftën dhe inputet bujqësore në serra.

“Përmes mbështetjes nga Skema Kombëtare, ai ka ulur kostot dhe rritur rendimentin, duke forcuar ekonominë familjare dhe ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të zonës”, tha Denaj.

Ministrja theksoi angazhimin e qeverisë për rritjen e mbështetjes financiare të fermerëve në të gjithë vendin.

“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, tha ajo. /j.p/

 

 

The post Skema Kombëtare, mbështetje për uljen e kostove dhe rritjen e rendimentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë janë sekuestruar 32 tonë mall pa faturë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/Aksioni i përbashkët i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore ka vijuar në të gjithë vendin për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga mallrat blegtorale dhe të mishit që janë sekuestruar nga inspektorët tatimorë pasi janë gjetur pa faturë tatimore.

Në 6 ditët e para të këtij aksioni, janë sekuestruar 32 tonë mallra ushqimore, qumësht, djathë dhe mish pa faturë tatimore.

Rama shprehet se ky aksion do të vazhdojë deri në fund.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, deklaron Kryeministri Rama.

Ky aksion ka nxjerrë në pah nevojën për formalizim të plotë të këtij sektori, si një element thelbësor për cilësinë e produkteve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, aksion që sipas autoriteteve, do të vazhdojë me zero tolerancë ndaj kujdo që shkel ligjin. /j.p/

The post Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë janë sekuestruar 32 tonë mall pa faturë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan foton: Welcome to Albania

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Shqipëria, tashmë kthyer në një destinacion të preferuar turistik ndërsa sezoni veror sjell në vendlindje dhe emigrantët për pushime.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale foton e një familjeje që ka zbritur në aeroportin e Tiranës dhe përshëndesin duke bërë me duar shqiponjën.

“Welcome to Albania” shkroi Rama .

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari deri në maj në vendin tonë kanë hyrë rreth 3.4 milionë të huaj, një rritje kjo me gati 4% në krahasim me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

/j.p/

The post Rama ndan foton: Welcome to Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendrat shëndetësore verore, Rama: Sezon turistik i sigurt

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në zonat turistike të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat malore, janë hapur qendra shëndetësore verore për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët, që frekuentojnë vendin gjatë këtij sezoni veror.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale pamje nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Drimadhes në jug të vendit, që është në shërbim çdo ditë për pushuesit vendas dhe të huaj, që frekuentojnë këtë plazh.

Mjekja e kësaj qendre u shpreh se është viti i pestë që shërben pranë qendrës shëndetësore verore, teksa i vlerësoi këto qendra një opsion shumë i mirë për pushuesit për t’iu gjendur sa më afër atyre, për çdo nevojë shëndetësore që mund të kenë.

Ajo tha se gjatë këtyre 5 viteve është hasur me shqetësimet nga më lehta si gërvishtjet e deri tek sëmundjet kardiovaskulare, teksa i bëri apel pushuesve të mos frekuntojnë plazhin në pikun e orareve të nxehta.

Janë 36 qendra të hapura në të gjithë bregdetin, për pushime të sigurta dhe të qeta, ku stafi mjekësor është në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë. /j.p/

The post Qendrat shëndetësore verore, Rama: Sezon turistik i sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Masa për furnizimin pa ndërprerje me energji këtë sezon veror

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku siguroi se se po merren të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje me energji në të gjithë vendin, këtë sezon veror.

Balluku tha se, ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, (OSHEE) janë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Grupet e OSHEE në të gjithë vendin, janë në krye të detyrës për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji elektrike”, u shpreh Balluku.

Ajo shprehu angazhimin e institucioneve të linjës, me të gjitha forcat, për një shërbim sa më cilësor për të gjithë.

Sezoni turistik rrit ngarkesën dhe OSHEE po vepron në përputhje me një plan masash për të përcjellë sa më pak probleme tek konsumatorët. /j.p/

1 nga 4

The post Balluku: Masa për furnizimin pa ndërprerje me energji këtë sezon veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Rreth 1 600 persona kanë shprehur interes për t’u regjistruar në vetëm shtatë ditët e para të thirrjes për investime në skemën e paketës së maleve.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u shpreh se ka një interes të madh si nga investitorët vendas, ashtu edhe të huaj për të aplikuar në Paketën e Maleve.

Në një intervistë për mediet, Musabelliu tha se “Paketa e Maleve” është një iniciativë ligjore e qeverisë për të mundësuar zhvillimin e ekonomisë malore, e cila për një periudhë të gjatë ka mbetur e pazhvilluar për shkak të mungesës së titujve të pronësisë.

“Të gjithë individët e interesuar mund të shprehin interesin për të zhvilluar një parcelë apo një zonë të caktuar në kuadër të zbatimit të këtij ligji. Deri tani janë rreth 1600 aplikime për shprehje interesi që janë bërë në zona të ndryshme të Shqipërisë“, tha Musabelliu.

Ai vuri në dukje se “nga aplikimet që na kanë ardhur, më shumë interes paraqitet për agroturizmin, blegtoria, bujtinat si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre”.

Sipas tij, ky projektligj i jep mundësi njësoj si qytetarëve shqiptare që jetojnë brenda vendit apo atyre që kanë emigruar që të aplikojnë dhe të kenë një mundësi për të zhvilluar aktivitete ekonomike në zonat malore.

Programi është një nga politikat e reja që mbështet sipërmarrjet në zonat më pak të zhvilluara. Musabelliu nënvizoi se kjo nismë ka sjellë optimizëm dhe besim nga investitorët. Qeveria e konsideron këtë paketë si një instrument për rigjallërimin e zonave malore. /j.p/

The post Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Liqeni i Roshnikut në Berat

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Liqeni në fshatin Roshnik, 12 kilometra larg Beratit është një destinacion i shkëlqyer për të kaluar një fundjavë të këndshme në mes të natyrës dhe për të shijuar shëtitje me varka.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga liqeni i Roshnikut që gjendet i rrethuar nga një pamje mahnitëse e mbushur me pyje, ndërsa në këtë sezon po frekuentohet nga pushues që shëtisin me varka. Krahas liqenit, fshati i Roshnikut është i mbushur me peizazhe mahnitëse ku mund të shëtisësh dhe të zbulosh bukuritë natyrore që ofron kjo zonë.

Zona është shumë e rëndësishme për bujqësinë dhe blegtorinë në të gjithë Beratin dhe është njohur si prodhuesi më i madh i ullinjve dhe verërave. Një numër i madh i pemëve të ullirit dhe vreshtave rrethojnë fshatin.

Roshniku është pjesë e Programit Kombëtar 100 Fshatrat për profilin e tij dhe potencialet e zhvillimit në bujqësi, agropërpunim, agroturizëm, turizëm natyror e kulturor. /j.p/

 

The post Rama ndan pamje nga Liqeni i Roshnikut në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parakalim i rrezikshëm, Policia e Vlorës masa administrative për drejtuesit e mjeteve

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë reagoi sot në lidhje me dy video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen manovra të rrezikshme parakalimi në dy segmente rrugore të ndryshme në qarkun Vlorë.

Policia sqaron se, ne aksin  rrugor “Dhimiter Konomi”, drejtuesi i një automjeti ka kryer parakalim të gabuar ndaj mjeteve që lëviznin ngadalë për shkak të ngarkesës së trafikut, në kundërshtim me nenin 146, pika 11, të Kodit Rrugor, duke krijuar rrezik për aksident për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Ndërsa në aksin rrugor “Vlorë–Fier”, drejtuesi i një tjetër automjeti ka kryer parakalim të gabuar duke përshkuar anën e djathtë të karrexhatës, në kundërshtim me nenin 146, pika 1, të Kodit Rrugor, duke vënë në rrezik sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore Vlorë kanë identifikuar pronarët e 2 automjeteve dhe u kanë vendosur secilit masën administrative 10 000 lekë, për shkeljet e konstatuara.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm dhe konform ligjit.

The post Parakalim i rrezikshëm, Policia e Vlorës masa administrative për drejtuesit e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me taskforcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar dje, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.

Ndërkohë, nga ana e taskforcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, u vendos masë administrative ndaj subjektit, për shkeljen e konstatuar.

Policia njofton se, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit në çdo zonë të qarkut. //j.p/

The post Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në takimin që zhvilloi sot në Berat, Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, ku u diskutua mbi rrugën e bërë dhe sfidat për “Shqipërinë 2030” në Bashkimin Europian.

Duke marrë fjalën Gonxhja tha se, “për MEKI-n mbetet prioritet zhvillimi i mëtejshëm i ekosistemit të inovacionit në vend, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, për një mjedis sa më të qëndrueshëm dhe konkurrues”.

Spas tij, forcimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale, mbështetja për sipërmarrjet inovative dhe përfshirja në rrjetet europiane janë shtyllat ku mbështetemi për ta çuar përpara këtë mision.

Ai theksoi se, “nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, me një strategji të qartë, një buxhet të dedikuar dhe një mekanizëm të vetëm monitorimi, mbetet thelbësore për të garantuar koherencë ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë inovacionit vendin që i takon në zhvillimin e vendit”.

“Në këtë kuadër, po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin, i cili vendos rregulla të qarta për funksionimin e ekosistemit, ndërsa ligjet për byrotë e kreditit dhe për crowdfunding synojnë të lehtësojnë aksesin në financim për individët dhe bizneset, duke nxitur sipërmarrjen dhe transformimin teknologjik”, u shpreh Gonxhja. /j.p/

The post Gonxhja: Po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Strehim dinjitoz për 29 familje në nevojë në Roskovec

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Enti Kombëtar i Banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Roskovec, po finalizon ndërtimin e një objekti strehimi social që do t’u ofrojë strehim të sigurt dhe dinjitoz 29 familjeve në nevojë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga godina e re, që përfshin 2400 m² ndërtim, 6 kate banimi me 29 apartamente të tipit 1+1 dhe 2+1, të ndërtuara me standarde bashkëkohore.

Ky investim është realizuar me fondet e vetë Entit Kombëtar të Banesave.

Gonxhja tha se, punimet janë drejt përfundimit dhe objekti është pothuajse gati për t’u dorëzuar tek familjet përfituese.

Ai e cilësoi këtë një tjetër shembull konkret i bashkëpunimit me pushtetin vendor, në funksion të mbështetjes sociale dhe strehimit të familjeve në nevojë. /j.p/

The post Gonxhja: Strehim dinjitoz për 29 familje në nevojë në Roskovec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Traktati i Komunitetit të Energjisë, Balluku: Shqipëria po zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po merr pjesë në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që mbahet në Athinë.

Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Balluku tha se “Traktati i Komunitetit të Energjisë, u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha vendet partnere”, teksa vuri në dukje se në këto 5 vitet e fundit, TKE për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes.

“Traktati i Komunitetit të Energjisë, u kthye në një tryezë ku ne arritëm të adresonim të gjithë problematikat, sidomos ato të bashkëpunimit rajonal, aty ku ne arritëm që të vinim më afër kërkesave të Bashkimit Europian, të kishim një zë për t’i diskutuar dhe përmes Sekretariatit të Energjisë t’i çonim këto problematika pikërisht në Bruksel”, u shpreh Balluku.

Ajo vuri në dukje se, “në takimin që po mbahet në Athinë, do të bisedojmë për të ardhmen e këtij Traktati, por nga ana tjetër edhe për të ardhmen e të gjithë sektorit energjetik në Ballkanin Perëndimor”, teksa shprehu besimin se detyra që ka kryer deri më tash Sekretariati i Energjisë do të jetë po aq e rëndësishme edhe në të ardhmen.

Balluku theksoi se, “sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”.

Por mbi të gjitha, nënvizoi ajo, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor.

Ajo tha se Shqipëria synon të zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme.

“Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbër”, tha Balluku.

“Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë”, deklaroi Balluku, teksa falënderoi Komisionin Europian, Komisionerin Europian për Energjinë dhe Sekretariatin e Energjisë për të gjithë punën e bërë në gjithë këto vite dhe të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë.

Takimi i Traktatit të Komunitetit të Energjisë në Athinë
1 nga 10

/e.xh/j.p/

 

The post Traktati i Komunitetit të Energjisë, Balluku: Shqipëria po zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj me tregtarë të pakicës: Siguroni faturë tatimore për çdo produkt

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë vizitës që zhvilloi në dy biznese të shitjes me pakicë të mallrave të bulmetit dhe mishit në qytetin e Lushnjës, theksoi rëndësinë që çdo produkt që shesin duhet ta shoqërojnë me faturë tatimore.

Gjatë bisedës me përfaqësuesit e këtyre bizneseve, Malaj tha se tregtimi i këtyre produkteve përmes shoqërimit me faturë fiskale, shërben jo vetëm për formalizimin e tregut, por edhe për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë tregtarët e pakicës që çdo produkt që ata tregtojnë, qofshin këto produkte të bulmetit, qofshin këto produkte apo nënprodukte të mishit, do të duhet të jenë të shoqëruara me një faturë fiskale. Kjo jo vetëm në kuadër të formalizimit të tregut, por edhe në kuadër të sigurisë ushqimore”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se, “duhet të kuptohet që nëpërmjet faturës ne jemi në gjendje të bëjmë një gjurmueshmëri të produktit nga ferma, te tregtari e deri te tryeza e konsumatorëve”.

“Ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve me pakicë që të fillojnë dhe të sigurojnë faturat e tyre të blerjeve për çdo mall që ata blejnë, në mënyrë që jo vetëm të formalizojnë aktivitetin e tyre, por nga ana tjetër edhe të sigurojnë dhe të garantojnë sigurinë ushqimore për konsumatorët shqiptarë”, u shpreh Malaj.

Ministri i Financave theksoi se “të gjitha subjektet e tregtimit me pakicë duhet të ndërgjegjësohen mbi detyrimet ligjore, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë”. /j.p/

The post Malaj me tregtarë të pakicës: Siguroni faturë tatimore për çdo produkt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: 35% më shumë eksporte bujqësore në sasi, në qershor

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se, eksportet bujqësore gjatë muajit qershor 2025 arritën në 81,778 tonë, duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Sipas Denajt, ky rezultat konfirmon ecurinë pozitive të sektorit bujqësor.

“Rritja e prezencës së produkteve shqiptare Made in Albania në tregjet elitare ndërkombëtare na afron gjithnjë e më shumë me objektivin ambicioz prej 1 miliard euro eksporte bujqësore brenda kësaj dekade”, tha ministrja.

Ndër produktet më të kërkuara mbeten produktet e stinës si domate, qepë, karota, rrepa, zarzavate të tjera, si dhe një pjesë e konsiderueshme e frutave. /j.p/

 

The post Denaj: 35% më shumë eksporte bujqësore në sasi, në qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pensionet me Italinë, firmoset marrëveshja mbi shkëmbimin elektronik të formularëve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado dhe Valeria Vittimberga, drejtoreshë e Përgjithshme e INPS, firmosën sot në Tiranë marrëveshjen teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve zbatues, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, që ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.

Për herë të parë, në marrëveshjen me Italinë, formularët do të shkëmbehen në rrugë elektronike, duke shkurtuar kohën e transmetimit të dokumentacionit për dhënien e përfitimeve.

Kjo marrëveshje synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat administrative ndërmjet institucioneve kompetente të sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, duke mundësuar shkëmbimin e sigurt dhe efikas të kërkesave për përfitime në të dy vendet, në mënyrë elektronike.

Firmosja e këtij dokumenti përbën një hap tjetër konkret në zbatimin e plotë të marrëveshjes dypalëshe, me qëllim garantimin e të drejtave të qytetarëve që kanë punuar dhe kontribuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. /j.p/

1 nga 4

The post Pensionet me Italinë, firmoset marrëveshja mbi shkëmbimin elektronik të formularëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IMT: Mbi 17 mijë metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme, të liruara në kryeqytet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Tiranë njofton se po vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, me qëllim kthimin e trotuareve dhe ambienteve të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.

Deri më tani, sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), janë liruar plot 17 mijë e 334 metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme.

Në kryeqytet ky operacion është fokusuar fillimisht në akset kryesore, por pritet të shtrihet në të gjitha lagjet dhe zonat periferike.

Në deklaratën zyrtare IMT Tiranë, thekson se “po vijon lirimi i hapësirave publike në akset kryesore, për të vijuar më tej, në çdo cep të qytetit”.

IMT Tiranë bën të ditur se, janë njoftuar 1428 subjekte për lirimin e hapësirave të zëna; janë realizuar 352 çmontime vullnetare nga subjektet përkatëse; janë hartuar 32 akt-konstatime për kundërvajtje, ndaj atyre që nuk kanë respektuar afatet apo urdhrat ligjorë.

Aksioni është pjesë e nismës së lirimit të hapësirave publike në vend në mbrojtje të komuniteteve ku në shumë bashkia vijon kthimi i këtyre hapësirave tek qytetarët.

The post IMT: Mbi 17 mijë metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme, të liruara në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌