SHBA – Trump diskuton mega-marrëveshjen për dronët me Ukrainën
UASHINGTON, 17 korrik /ATSH/- Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky po shqyrtojnë një marrëveshje që përfshin blerjen e dronëve ukrainas të testuar në fushëbetejë nga Uashingtoni – në këmbim të blerjes së armëve amerikane nga Kievi, tha sot Zelensky në një intervistë për “New York Post”.
Zelensky tha se bisedimet e tij të fundit me Trump ishin fokusuar në një marrëveshje që do të ndihmonte secilin vend të forconte teknologjinë e tij ajrore.
Dronët ukrainas kanë qenë në gjendje të godasin objektiva deri në 800 milje (1,300 km) në territorin rus.
“Populli i Amerikës ka nevojë për këtë teknologji dhe ju duhet ta keni atë në arsenalin tuaj”, tha Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas tha se dronët ishin mjeti kryesor që i ka lejuar vendit të tij të luftojë pushtimin rus për më shumë se tre vjet.
“Ne do të jemi të gatshëm ta ndajmë këtë përvojë me Amerikën dhe partnerë të tjerë evropianë”, tha ai.
“Gjithashtu, Ukraina po zhvillon bisedime me Danimarkën, Norvegjinë dhe Gjermaninë”, tha ai.
Zelenskiy njoftoi sot marrëveshje të paspecifikuara të ardhshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ai tha se do ta forconin vendin e tij.
Kërkesa e vitit të ardhshëm për buxhetin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së rrit shpenzimet për blerjen e dronëve – pjesërisht për shkak të mësimeve të nxjerra gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë – ku avionët pa pilot kanë treguar se janë një pjesë integrale e luftimeve me kosto të ulët, por shumë efektive. //a.i/
The post SHBA – Trump diskuton mega-marrëveshjen për dronët me Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.