Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

Policia gjobit administratorin e një lokali në zonën e plazhit në Durrës për muzikë të lartë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia e Durrësit ka gjobitur me 200 000 lekë, administratorin e një lokali në zonën e plazhit, në të cilin dëgjohej muzika e lartë dhe prishte qetësinë publike.

Policia njoftoi sot “në vijim të kontrolleve të përditshme te subjektet me aktivitete me muzikë, në zonën urbane dhe në atë bregdetare, me mjete të posaçme zhurmëmatëse, shërbimet e Policisë së Durrësit konstatuan se muzika që gjeneronte një lokal në zonën e plazhit, në lagjen nr. 13, ishte në nivelin 85.5 decibel”.

“Në zbatim të ligjit “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, administratori i subjektit, shtetasi F. B. u ndëshkua me masë administrative 200 000 lekë”, njoftoi policia.

/m.q/

The post Policia gjobit administratorin e një lokali në zonën e plazhit në Durrës për muzikë të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qëlloi me armë gjahu tufën e kuajve në Llogora, nën hetim 55-vjeçari

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Një 55-vjeçar u vu nën hetim nga policia e Vlorës pasi dyshohet se qëlloi me armë gjahu mbi një tufë me kuaj në zonën e Parkut Kombëtar të Llogorasë.

Policia njoftoi sot se është proceduar penalisht S.M, banues në Orikum, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.

Sipas policisë nga të shtënat kishte mbetur i dëmtuar vetëm një kalë.

“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogorasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum”, njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M

/m.q/

The post Qëlloi me armë gjahu tufën e kuajve në Llogora, nën hetim 55-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Prerja e sinjalit të News24, sulm ndaj fjalës së lire

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi sot në lidhje me aksionin e policisë për lirimin e godinës së televizionit News24, e cila ndodhet në ambientet shtetërore të ish-Uzinës së Autotraktorëve, në Shkozë të Tiranës.

Kreu i PD-së e ka cilësuar operacionin e policisë si një sulm ndaj fjalës së lirë. Berisha theksoi se qeveria urdhëroi policinë që “të ndërpresin sinjalin e televizionit të News24, një nga burimet kryesore e të pakta të informacionit të pavarur në Shqipëri”.

Berisha thekson se Partia Demokratike “duke shprehur solidaritetin më të plotë me gazetarët dhe të gjithë punonjësit e News24 dënon me forcën sulmin ndaj fjalës së lirë” dhe “kërkon largimin e menjëhershëm të forcave policore nga territori i Televizionit News24, lirimin e menjëhershëm të sinjalit të këtij televizioni”.

“Partia Demokratike ju bën thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit News24”, theksoi ndër të tjera Berisha.

/m.q/ /a.g/

The post Berisha: Prerja e sinjalit të News24, sulm ndaj fjalës së lire appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Efektivi Klajdi Mustaj shpëton tre të aksidentuar në aksin Levan-Fier, Proda i akordon certifikatën për ‘Shërbime të Dalluara’

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në aksin rrugor Levan-Fier nga efektivi Klajdi Mustaj, i cili ndërhyri duke shpëtuar tre qytetarë pas një aksidenti të rëndë rrugor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi dhe falënderoi sot inspektor Klajdi Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve dhe detyrës, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Proda i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Klajdi Mustaj, certifikatën për Shërbime të Dalluara.

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve. Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit”, theksoi Proda në mesazhin e tij.

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

/m.q/

The post Efektivi Klajdi Mustaj shpëton tre të aksidentuar në aksin Levan-Fier, Proda i akordon certifikatën për ‘Shërbime të Dalluara’ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Koordinata”, zbulohen dhe asgjësohen bimë narkotike kanabis në Krujë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”, policia e Krujës asgjësoi nëpërmjet djegies dhjetëra bimë narkotike.

Policia njoftoi sot se vuri në pranga shtetasin F. K., 32 vjeç, banues në Thumanë.

Sipas policisë 32-vjeçari u kap në flagrancë, duke u kujdesur për 110 bimët e dyshuara narkotike Cannabis Sativa që kishte kultivuar në fshatin “Miliskaj” Thumanë.

Kontrollet në kuadër të planit operacional “Koordinata”, vijojnë.

/m.q/

The post Operacioni “Koordinata”, zbulohen dhe asgjësohen bimë narkotike kanabis në Krujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes: Shtatë vatra zjarri aktive në vend, 11 janë shuar

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot në lidhje me situatën e zjarreve në vend.

Sipas MM gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 18 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 vatra zjarri, ndërsa 7 janë aktive.

Aktualisht, janë aktive vatrat në qarqet Vlorë, Fier, Lezhë, Dibër, Elbasan, Tiranës si dhe Gjirokastër.

Qarku Vlorë; Në fshatin Navaricë, njësia administrative, Dhivër, bashkia Finiq. Vatra e zjarrit u mbajt nën monitorim gjatë natës së kaluar. Ditën e sotme raportohet se situata për shkak të erës është problematike. Në mbështetje të forcave në terren po shkon helikopteri i Forcës Ajrore.

Qarku Fier; Fshatin Lofkënd, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Nga angazhimi i forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit në pjesën më të madhe të saj. Zjarri mbetet aktiv vetëm në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Ditën e sotme vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit  me mbështetjen e 25  efektivëve të FA dhe forcave të tjera nga strukturat e bashkisë.

Qarku Lezhë; Fshatin Malaj Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë. Zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujë hedhëse. Gjatë ditës së djeshme në zonë operuan 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Forcat po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Ditën e sotme në mbështetje të forcave po operojnë edhe 30 efektivë të FA. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qarku Dibër; Vendin e quajtur ”Mali i Allushit”, fshati Plani Bardhë, bashkia Klos, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje.

Qarku Elbasan; Fshatin Lleshaj, njësia administrative Poroçan, bashkia Gramsh. Vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mosriaktivizime të mundshme.

Qarku Tiranë; Malin e Bërzhitës, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Nga puna gjatë ditës nga forcat e MZSH Tiranë është arritur vënia nën kontroll dhe vatra është drejt izolimit. Gjatë natës zona u mbajt në  monitorim. Ditën e sotme në terren ka vijuar puna nga forca të MZSH për shuarjen përfundimtarë.

Qarku Gjirokastër; Në Tepelenë, midis fshatrave Turan dhe Dukaj, njësia administrative Qendër, ku po punohet nga forcat për shuarjen e zjarrit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët.

/m.q/

The post Ministria e Mbrojtjes: Shtatë vatra zjarri aktive në vend, 11 janë shuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 August 2025Main stream

PL: Fermerët të përjashtuar nga fondet mbështetëse, kredia sovrane mashtrim i qeverisë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin për mungesën e financimeve nga qeveria në sektorin e bujqësisë.

Në një deklaratë për mediet, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu theksoi se fermerët dhe prodhuesit e vegjël, po goditen duke u vendosur detyrime “për certifikime të kushtueshme, për fiskalizim dhe për burokraci të papërballueshme, pa ofruar asnjë ndihmë financiare”.

Sipas Haxhiut, fermerëve u kërkohet modernizim, të investojnë dhe të dalin në treg, por në të njëjtën kohë qeveria i ka përjashtuar nga çdo fond mbështetës.

Haxhiu tha se qeveria duhet të jepte një përgjigje për bllokimin e fondeve të IPARD, teksa shtoi se qeveria “zgjodhi të mashtrojë fermerët me premtime boshe, me skema të ashtuquajtura “kredi sovrane”, të cilat as nuk ekzistojnë në praktikë, as nuk janë ndihmë reale për bujqësinë, por thjesht propagandë”.

Haxhiu tha se bujqësia shqiptare po shkon drejt kolapsit total.

“Shqipëria është sot vendi me buxhetin më të ulët në Evropë për bujqësinë. Në të njëjtën kohë, fermerët shqiptarë paguajnë TVSH-në më të lartë në kontinent për prodhimet e tyre. Kjo është një politikë e qëllimshme e shkatërrimit të fshatit dhe prodhimit vendas, që i shërben vetëm interesave të importuesve të mëdhenj dhe oligarkëve të lidhur me pushtetin”, tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi se Partia e Lirisë e ka zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerit prioritet kryesor të saj.

“Mbështetja për fermerin është më shumë se një politikë ekonomike, është një strategji kombëtare për mbijetesën dhe forcimin e Shqipërisë. Një vend që nuk siguron ushqimin e vet, është i varur nga importet dhe i ekspozuar ndaj krizave globale, çmimeve të larta dhe presioneve të huaja. Investimi në bujqësi do të thotë rritje ekonomike, vende pune në fshat, stabilitet social dhe forcim i sovranitetit ekonomik”, u shpreh Haxhiu.

/m.q/r.e/

The post PL: Fermerët të përjashtuar nga fondet mbështetëse, kredia sovrane mashtrim i qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Besnik Bakiut pas 44 vitesh në polici

TIRANË, 8 gusht /ATSH/Pas 44 viteve të mbushura me përkushtim, ndershmëri dhe sakrifica, në radhët e Policisë së Shtetit, oficeri i karrierës, Drejtues i Parë Besnik Bakiu, mbylli sot shërbimin aktiv, duke dalë në pension, por jo duke u ndarë nga misioni i tij.

Për kontributin e tij të çmuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i akordoi Certifikatën e Karrierës, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizim dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Gjatë ceremonisë së organizuar për këtë qëllim, Proda vlerësoi maksimalisht Bakiun për gjithë kontributin e dhënë, si dhe për vlerat e tij edhe në fushën e krijimtarisë dhe gazetarisë.

“Të shërbesh 44 vite në Policinë e Shtetit dhe ta mbyllësh me nder këtë rrugëtim kilometrik, është krenari për ty në radhë të parë, për familjen tënde, për ne, Policinë e Shtetit, dhe për shoqërinë ku bën pjesë. Dera e shtëpisë sonë është përherë e hapur për të dhënë këshillat e tua të vyera për përmbushjen sa më cilësore të shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit”, tha Proda.

Bakiu falënderoi Prodën për certifikatën dhe theksoi se “tashmë do të vijoj të jem një zë i fortë në media dhe në shoqërinë civile, ku do të aderoj për të mbrojtur e vlerësuar angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Për më shumë se 4 dekada jam përpjekur të respektoj ligjin dhe qytetarët dhe kam guxuar të shkruaj në media shumë herë për përbaltjen e padrejtë të Policisë së Shtetit, gjë që tashmë do ta bëj akoma më shumë dhe më mirë”.

Drejtues i Parë Besnik Bakiu, përveçse një oficer i dalluar, është studiues dhe shkrimtar, i përkushtuar ndaj kërkimit dhe dokumentimit të historisë, sfidave dhe arritjeve të Policisë së Shtetit. Me daljen në pension, sipas njoftimit për shtyp të policisë “ai do t’i bashkohet shoqërisë civile, duke vazhduar të shkruajë, të ndajë përvojën e tij dhe të mbrojë me fjalë dhe fakte figurën dhe sakrificën e punonjësve të Policisë”.

“Ky është një mision që nuk matet me vite shërbimi, por me gjurmët e lëna në zemrat e kolegëve dhe në kujtesën e shoqërisë”, nënvizoi policia e Shtetit.

/m.q/

The post Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Besnik Bakiut pas 44 vitesh në polici appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Lazarat e Visokë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata” janë asgjësuar dhjetëra bimë narkotike kanabis në Gjirokastër dhe në Mallakasatër dhe janë arrestuar dy të dyshuar.

Policia e Gjirokastrës njoftoi sot se ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi P. Gj.

“Në oborrin e banesës së tij në fshatin Lazarat, u gjetën të kultivuara 48 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

“Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, njoftoi Policia.

Gjithashtu edhe në Mallakastër janë asgjësuar 77 bimë narkotike kanabis sativa.

“Nga kontrollet, në fshatin Visokë u konstatua një parcelë ku ishin kultivuar 77 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, një pjesë e të cilave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, njoftoi Policia.

Policia njoftoi se gjatë ndërhyrjes u kap në flagrancë, në parcelë, shtetasi K. Xh., 58 vjeç, i cili u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Lazarat e Visokë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dogji sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore, arrestohet 47-vjeçari në Kavajë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Policia e Kavajës ka arrestuar një 47-vjeçar i cili dyshohet si autor i zjarrvënies që përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj.

Policia njoftoi sot se arrestoi shtetasin G. B., 47 vjeç, banues në Kavajë.

Sipas Policisë, arrestimi i tij u bë pasi duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

/m.q/r.e/

The post Dogji sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore, arrestohet 47-vjeçari në Kavajë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Qeveria, promovime dhe inaugurime në shkelje flagrante të Kodit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat denoncoi sërish atë që e cilëson si “farsën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit”.

Berisha tha se qeveria përdori gjysmë miliardi euro për aktivitete që të ndikonte tek qytetarët.

“Njëri nga aspektet më kriminale të farsës elektorale 11 maj 2025, ishte përdorimi i ngjarjeve, prokurimeve të cilat tejkalojnë mbi gjysmë miliardi euro për qëllime elektorale për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë.

“Në periudhën janar gjer në 11 Maj, periudhë në të cilën ligji elektoral, neni 91/3 i tij ndalon prokurimet, ndalon ngjarjet, aktivitetet, organizimin e tyre, aktivitetet që mund të kenë ndikim në zgjedhje dhe sipas raportit të OSBE-ODIHR, pikërisht në këtë periudhë u organizuan 4500 veprimtari kombëtarë dhe ndërkombëtare, përfshirë ‘Giro d’Italia’, 7 milionë euro një organizate private ditën e votimit dhe një ditë para zgjedhjeve”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se bashkitë e vendit kanë prokuroruar tërësisht për qëllime elektorale në total 57 milionë euro.

Sipas Berishës nga këto “rreth 14 milionë para xhepi të themi, blerje të përqendruara. 32 milionë bashkitë të ndryshme dhe Fondi shqiptar i grabitjes apo plaçkitjes, apo i zhvillimit siç quhet, ka përdorur për qëllime elektorale 10 milionë  euro”.

Kreu i PD-së akuzoi edhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin si “bashkëfajtor në farsën elektorale”.

“Këtu kemi më poshtë tenderat e bashkive të vendit, të cilat nuk kanë respektuar asnjë ligj, as kushtetutën, por kanë bërë gjithçka që të ndikojnë në elektoratin e tyre në veprimtari kriminale antiligjore dhe për këtë njeriu i dytë më përgjegjës për farsën elektorale Altin Dumani, thotë se nuk kemi të dhëna, fakte dhe prova, sepse për Dumanin ligji është letër e vdekur, dokumentet zyrtare janë letra pa vlerë, mbasi ai është një fanatik i verbër, një avokat i verbër i krimit elektoral të qeverisë dhe bashkëfajtor në farsën elektorale”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu publikoi sipas tij rastet e abuzimit me fondet publike si dhe të promovimeve nga qeveria, për përfitime elektorale.

Sipas Berishës u bënë promovime dhe inaugurime në shkelje flagrante të kodit dhe parimeve ndërkombëtare.

/m.q//a.f/

The post Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Qeveria, promovime dhe inaugurime në shkelje flagrante të Kodit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tavo-qytetarëve: Çadrat janë publike, jo pronë private

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo bëri të ditur se po përballen me një problem në rritje, për zaptimin e çadrave publike nga qytetarët.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Tavo thekson se pushuesit nuk mund të privatizojnë çadrën, teksa e cilësoi situatën si ta paprecdentë.

“Zgjeruam plazhet publike këtë vit. Për të rritur cilësinë e shërbimit, vendosëm edhe shumë çadra me logon e bashkisë, për të qenë të qartë, se ato mund të përdoren nga kushdo. Shërbim më i mirë, por edhe një mjedis më estetik.

“Por përballemi me një problem në rritje! Pushuesit kërkojnë të kenë çadrat e tyre të sigurta. Kërkojnë të kenë të njëjtën çadër për të gjitha ditët e qëndrimit në plazh. Dhe për këtë gjejnë çdo mënyrë për ta “privatizuar” çadrën”, shkruan Tavo.

Tavo nënvizoi se pasi pushuesit “mbarojnë plazhin, lënë të lidhur në çadra peshqirë, rroba, çanta, qese e sende të tjera. Por jo vetëm kaq. Ata që nuk kanë shumë besim te rrobat, i lidhin shezllongët me çadrën me zinxhirë dhe i kyçin Njësoj siç lidhin biçikletat nëpër pemë”.

“Veprime të paprecedenta këto, të pahasura më parë”, thekson Tavo.

Tavo iu bën thirrje qytetarëve se “çadrat e vendosura nga bashkia janë publike, janë për t’u përdorur nga gjithkush që ka nevojë!”.

“Hapësira publike është e lirë – gjithkush mund të vendosë karrigen apo edhe çadrën e tij”, tha Tavo.

Tavo nënvizoi se po punojmë “për të liruar: plazhet e zëna pa leje, trotuaret dhe hapësirat e tjera publike të zëna pa leje, por nuk do të tolerojmë as “çadrat e zëna””.

Çadra të "zaptuara"

/m.q//a.f/

The post Tavo-qytetarëve: Çadrat janë publike, jo pronë private appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ILD, 21 inspektime në gjykata e prokurori, përfshirë edhe SPAK

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) që nga nisja e funksionimit të tij ka kryer gjithsej 21 inspektime tematike dhe institucionale në gjykata dhe prokurori, përfshirë dhe Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas ILD-së 12 prej inspektimeve kanë përfunduar dhe raportet përkatëse me 118 rekomandime në total.

Gjatë vitit 2024, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë njoftoi se ka finalizuar 6 inspektime tematike me 54 rekomandime të lëna, konkretisht 9 rekomandime lidhen me marrjen e masave për miratim/nxjerrje aktesh, 29 rekomandime për ndërmarrjen e veprimeve administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

“Inspektimet kanë verifikuar aspekte të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorive dhe administratës së prokurorisë, bazuar në planin vjetor të inspektimeve, por edhe në kërkesën e motivuar me shkrim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm”, njoftoi ILD.

ILD bëri të ditur se “inspektimet e përfunduara kanë pasur për objekt trajtimin e ankesave me objekt “lirimin me kusht”, nga disa gjykata dhe prokurori pranë tyre në 15 gjykata të shkallës së parë në vend dhe 5 ish-gjykata të Apelit, përpara hartës së re gjyqësore, si dhe prokuroritë pranë tyre. Nuk kanë munguar edhe inspektimet mbi respektimin e kushteve dhe kritereve për caktimin e masave të sigurimit personal për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i kryer në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Shkodër dhe Vlorë, mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale të Prokurorit të Përgjithshëm mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, i kryer në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe të Apelit Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër”.

Një tjetër inspektim, ku ka pasur edhe ankesa të qytetarëve, që i janë drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka qenë ai për ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik në gjykata. Ky inspektim njoftoi ILD është kryer në Gjykatën e Lartë dhe në dy shkallët e gjyqësorit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pa përjashtuar edhe disa gjykata të tjera.

“Dy inspektime të tjera të kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë pasur për objekt praktikat për shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve dhe caktimin e çështjeve në prokurori, inspektime që janë kryer në Elbasan, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Për caktimin e çështjeve në prokurori, inspektimi përfshiu SPAK, si dhe disa gjykata të vendit. Inspektimet e tjera për të cilat ka raporte përfundimtare kanë qenë mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhomës Civile dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik në gjykata, mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve dhe dokumentimi nga gjyqtarët i informimit të palëve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim, të cilat janë kryer në disa gjykata dhe prokurori të vendit përfshirë edhe SPAK dhe Gjykatën e Posaçme”, njoftoi ILD.

ILD bëri të ditur se tema të caktuara inspektimesh, si ndarja e çështjeve me short, praktika e caktimit të çështjeve, shkaqeve dhe zëvendësimi i prokurorëve, kohëzgjatja e çështjeve gjyqësore, procedura e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve etj., rimerren edhe në vitet pasardhëse, për të bërë një skanim sa më të mirë të këtyre fenomeneve në sistem.

Inspektimet tematike dhe institucionale janë mekanizmi që bën fotografimin e situatës mbi një tematikë të caktuar e një periudhë të caktuar nëpër gjykata e zyrat e prokurorive.

/m.q//a.f/

The post ILD, 21 inspektime në gjykata e prokurori, përfshirë edhe SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas ‘Sunny Hill’, Dua Lipa shijon pushimet në Shqipëri

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zgjedhur jugun e Shqipërisë për të kaluar disa ditë pushimi, pas performancës në festivalin Sunny Hill, që u mbajt në Prishtinë dhe mblodhi yje dhe adhurues të muzikës nga e gjithë bota.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, ku ndau me miliona ndjekës një fotografi mahnitëse të bregdetit shqiptar.

“Arrita në shtëpi me kohë për këtë perëndim të mrekullueshëm të diellit”, shkroi Dua mbi foto duke e quajtur Shqipërinë “shtëpi”.

Në foto shfaqej një peizazh i mrekullueshëm i bregdetit të jugut me ujëra të kristalta dhe një perëndim dielli magjepsës.

Vitet e fundit Dua Lipa ka vizituar shpesh bregdetin e jugut, e shoqëruar edhe nga familjarët e saj, duke promovuar në të gjithë botën, natyrën e mrekullueshme shqiptare.

/m.q//a.f/

The post Pas ‘Sunny Hill’, Dua Lipa shijon pushimet në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

11 maji, Berisha: Qeveria bleu vota duke përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference me gazetarët denoncoi sërish sot atë që e cilëson si “farsën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit”.

Sipas Berishës qeveria përdori “përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën e tyre”.

Berisha gjithashtu tha se qeveria bleu vota “duke përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe”.

“Janë përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe në kulmin e fushatës elektorale për të blerë vota. Ka shpërndarë për 164 mijë persona me aftësi ndryshe, dhe për mijëra e mijëra kujdestarë të tyre që në total shkojnë rreth 200 mijë, ka shpërndarë si shpërblim 4 mijë lekë apo 40 euro”, tha Berisha.

Berisha shtoi se në vend që “të ishte ndjekur politika e rritjes së pensioneve, e vendosjes së minimumit jetik, ndiqet praktika e shpërblimit për votë si për pensionistët, ashtu edhe për 200 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre”.

“Dënoj dhe njëherë me forcën më të madhe këtë farsë të shëmtuar zgjedhore dhe deklaroj se PD kurrë nuk do të njohë, nuk do ta pranojë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën”.

“Kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, e cila ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë”, tha Berisha.

/m.q//a.f/

The post 11 maji, Berisha: Qeveria bleu vota duke përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Storm 5” në Durrës, tre të arrestuar, 7 nën hetim

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Policia e Durrësit njoftoi sot se ka finalizuar operacionin “Storm 5”, për goditjen e veprimtarive të kundraligjshme të shfrytëzimit për prostitucion. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 3 persona si dhe u vunë nën hetim 7 të tjerë.

Policia bëri të ditur se “në lagjen nr. 13, Durrës, u arrestuan shtetaset kineze D. Sh., 54 vjeçe dhe S. Y., 40 vjeçe. Gjithashtu, u arrestua shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, pasi kishte dhënë apartamentet me qira, pa kontrata, dhe i kishte përshtatur ato për shfrytëzim të prostitucionit”.

“Më tej, në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 5 shtetas shqiptarë”, njoftoi policia.

Sipas policisë në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash, celularë, karta krediti, etj.

“Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi, rezultoi se dy shtetaset kineze të arrestuara kishin marrë me qira, pa kontrata, 2 apartamente në lagjen nr. 13, të cilat i kishin përshtatur për shfrytëzim të prostitucionit”, njoftoi policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, njoftoi policia po vijojnë hetimet, pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, e cila dyshohet se e ka qendrën jashtë vendit, pasi rezultoi se telefonatat kryheshin nëpërmjet call center-it.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

/m.q//a.f/

The post Operacioni “Storm 5” në Durrës, tre të arrestuar, 7 nën hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: TVSH-ja në bujqësi të jetë e njëjtë në hyrje dhe në dalje në nivelin 6%

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë në lidhje me mbështetjen për bujqësinë, duke theksuar se politika aktuale e TVSH-së po i penalizon fermerët shqiptarë. Sipas saj importuesit e mëdhenj po blejnë jashtë vendit, duke lënë pas dore produktet vendase.

“Duke pasur një diferencë të TVSH në hyrje dhe në dalje pra të fermerit të vogël dhe të importuesit të madh e gjithë kjo diferencë TVSH-je kthehet në një supertaksë për fermerin. Pra diferenca 0%, 10%, 20% konsiderohet si një taksë dhe të gjithë importuesit e mëdhenj preferojnë më mirë që të marrin jashtë, sesa të blejnë nga fermeri shqiptar”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate theksoi nëpermjet një video të publikuar në rrjetet sociale se opozita ka propozuar që TVSH-ja në bujqësi të unifikohet në 6%, si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të ndihmuar formalizimin e sektorit.

“Për këtë arsye kemi propozuar me ligje që taksa në bujqësi, TVSH-ja në bujqësi të jetë e njëjtë në hyrje dhe në dalje dhe të jetë në vlerën 6% në mënyrë që të formalizohet i gjithë sektori”, u shpreh Tabaku.

Tabaku tha më tej se “dëgjon ministrat e qeverisë që kanë dalë dhe po nxisin fermerët që të marrin kredi për investime në bujqësi. Pse duhet të marrë fermeri kredi në bujqësi kur kishte fondet e IPARD dhe u dogjën!! Çfarë vlere ka kredia në bujqësi, kur sot ka rënë prodhimi në bujqësi, kur pjesa më e madhe e produkteve janë duke u importuar nga jashtë, për çfarë i duhet një fermeri në mes të sezonit të verës, kur janë duke i përfunduar të gjithë të vjelurat e stinës të marrë një kredi”.

Sipas saj, bujqësia ndodhet në krizë të thellë për shkak të politikave të qeverisë.

“Bujqësia sot ndodhet në një situatë të vështirë edhe për shkak të këtyre politikave, politikës së taksës, politikës së mbështetjes së bujqësisë dhe politikës së shpërndarjes së fondeve”, tha Tabaku.

/m.q//a.f/

The post Tabaku: TVSH-ja në bujqësi të jetë e njëjtë në hyrje dhe në dalje në nivelin 6% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U-19, Shqipëria luan miqësoren e parë me Italinë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Shqipëria U-19 luajti pasditen e sotme takimin e parë miqësor kundër Italisë U-19. Në takimin e zhvilluar në Novarello Sporting Center, ekipi i drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj u mund me rezultatin 4-1.

Tekniku kuqezi e nisi sfidën me këtë formacion: Taho (GK), Avdullari, Sina, Gecaj, Shpuza, Gashi, Huqi, L. Krasniqi, B. Krasniqi, Arifi (C), Malaj.

Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh falë golit të realizuar nga Besalet Krasniqi në minutën e 8-të. Por axurrët barazuan shifrat pas tri minutash me Cama-n, ndërsa pëmbysën rezultatin në minutën e 17-të me Federico Coletta-n. Vendasit shënuan edhe golin e tretë në minutën e 41-të me Artesanin. Trajneri Ahmataj bëri dy zëvendësime pak para përfundimit të pjesës së parë, duke hedhur në fushë El Malem dhe Sylejmanin. Fraksioni i parë mbyllet me shifrat 3-1 për Italinë.

Pjesa e dytë nis mirë për italianët, të cilët realizojnë golin e katërt me Atzenin. Trajneri shqiptar ndërhyri në fushë edhe në këtë fraksion duke hedhur forca të freskëta si Duka, Hoxha e Lataj. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshon më, pavarësisht përpjekjeve të skuadrës sonë.

Ekipi kuqezi do të luajë të enjten sfidën e dytë miqësore të programuar ndaj Italisë në ora 11:00. Këto dy takime janë të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të kualifikueseve të Europianit për këtë grup-moshë.

/r.e/

The post U-19, Shqipëria luan miqësoren e parë me Italinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Policia e Shtetit: Shqipëria, jo strehë për rrjetet kriminale

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Mbrojtja e personave që largohen nga diskriminimi, përndjekja dhe konfliktet është detyrim ligjor dhe angazhim ndërkombëtar.

Në kuadër të projektit EU4Migration, u zhvillua sot një takim në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, me pjesëmarrjen e drejtoreshës për Politikat e Migracionit, Azil dhe Antitrafikut në Ministrinë e Brendshme Alma Bime, përfaqësuesve të departamentit për Kufirin dhe Migracionin, të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, UNHCR, dhe International Police Organization – IPO.

Sipas Policisë së Shtetit, takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit institucional në fushën e azilit, menaxhimit të kufijve dhe identifikimit të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

“Shqipëria nuk do të shërbejë si rrugë kalimi apo strehë e sigurt për rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore. Ky është një shembull i vendosmërisë së institucioneve ligjzbatuese për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor, si dhe për të goditur çdo formë të krimit të organizuar”, njoftoi Policia.

/m.q/r.e/

The post Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Policia e Shtetit: Shqipëria, jo strehë për rrjetet kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullimi i trafikut në Tiranë, vijon aksioni nga Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Në Tiranë vijon aksioni për të siguruar qarkullim të lirë dhe të sigurt të makinave në rrugët e kryeqytetit.

Policia bashkiake e Tiranës njoftoi sot se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit vijoi aksionin për rregullimin e trafikut, lirimin e korsive të autobusit dhe largimin e mjeteve të parkuara në mënyrë të paligjshme.

Ky është një operacion i ndërmarrë nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake për të siguruar qarkullim të lirë dhe të sigurt.

“Shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor do të ndëshkohen sipas ligjit”, theksoi Policia Bashkiake.

/m.q//r.e/

The post Rregullimi i trafikut në Tiranë, vijon aksioni nga Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌