Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Tabaku: Konsultimet e komisionit Xhafaj, antikushtetuese

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot ndaj mbajtjes së tryezës për draftin e projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike si dhe për financimin e partive politike, organizuar nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion.

Tabaku reagoi së pari ndaj mbajtjes së tryezës kur sesioni parlamentar ka përfunduar dhe komisionet e përhershme nuk zhvillojnë më aktivitet, gjë që sipas saj, tregon se shumica ka zgjedhur t’i hapë dyert antikushtetutshmërisë dhe antiligjshmërisë.

“Në mënyrë të paprecedent, është thirrur një dëgjesë për dy nisma që prej vitesh mbahen peng nga kjo shumicë: ligji për konfliktin e interesit dhe ai për partitë politike. Dhe kush tjetër përveç Komisionit të mirënjohur të Xhafajt do ta merrte përsipër këtë shkelje?”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.

“Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen në një kohë pushimi institucional, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin. Shqipëria sot nuk ka një emergjencë ligjore që justifikon thirrjen e komisioneve”, vijoi ajo.

Sipas Tabakut, kjo sjellje është një “paralajmërim i qartë për atë që na pret në sesionin e ardhshëm parlamentar: një tentativë për të përdorur integrimin europian si armë kundër opozitës dhe për ta kapur për fyti këtë proces jetik për shqiptarët”.

The post Tabaku: Konsultimet e komisionit Xhafaj, antikushtetuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Mbështetje maksimale nga Kuvendi për paraqitjen e pozicionit negociues të Shqipërisë me BE

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ftesa e Presidencës Daneze për paraqitjen e pozicionit negociues për grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave për Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përshëndeti ftesën e Presidencës Daneze, duke garantuar mbështetjen e institucionit që drejton për ecurinë e procesit.

“Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.

The post Spiropali: Mbështetje maksimale nga Kuvendi për paraqitjen e pozicionit negociues të Shqipërisë me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO kthen për rigjykim çështjen ndaj Alqi Bllakos

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar prishi vendimin e Shkallës së Parë ndaj ish-deputetit Alqi Bllako që e ka dënuar me 4 vite burg, duke e rikthyer çështjen për rigjykim.

Bëhet fjalë për dosjen hetimore të Inceneratorit të Tiranës. Apeli i Posaçëm e dha vendimin pasi shqyrtoi ankimimin e SPAK dhe të vetë Alqi Bllakos, pas vendimit të Shkallës së Parë.

Në apelimin e vendimit të Shkallës së Parë, Alqi Bllako kishte kërkuar pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuzë e tillë.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani kryesuese dhe më anëtare Miliana Muça dhe Tereza Merkaj shpalli vendimin mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri Alqi Bllako ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Apeli vendosi prishjen e vendimit të 11 marsit 2025 duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.

The post Apeli i GJKKO kthen për rigjykim çështjen ndaj Alqi Bllakos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shiste online mallra të kontrabanduara, arrestohet 26-vjeçari në Gjirokastër

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Si rezultat i një hetimi shtatëmujor, të ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për goditjen e një rasti të kontrabandimit të mallrave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Marketing”.

Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi A. A., 26 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë babai i tij, shtetasi F. A., 51 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.

26-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, duke transportuar me automjet dhjetra parfume pa fatura blerjeje. Më tej, nga kontrolli në banesën e 2 shtetasve, u gjetën mallra të tjera, për të cilat ata gjithashtu nuk kishin fatura. Nga hetimet dyshohet se mallrat ishin kontrabanduar dhe mbajtur në banesë, me qëllim shitjen online.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.

The post Shiste online mallra të kontrabanduara, arrestohet 26-vjeçari në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: 15 mijë vota të diasporës në Itali “u mbytën” për arsye politike

TIRANË, 23 korrik/ATSH/

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh sot në konferencën për mediet se shumë nga zarfet e votimit në diasporë nuk u kthyen nga DHL në Shqipëri.

Duke u ndalur sërish tek zgjedhjet e 11 majit të cilat i cilëson farsë elektorale, Berisha tha se mbi 15 mijë vota të diasporës në Itali nuk u kthyen dhe se shumë zarfa të tjera janë zbuluar me firma të falsifikuara si vizë apo fjongo, ose ka patur raste kur kanë firmosur persona të tjerë dhe jo votuesi.

“Kam paraqitur disa ditë me radhë para medieve dhe publikut farsën zgjedhore të diasporës në Greqi. Skenarë të njëjtë me Greqinë janë zhvilluar edhe në zona të tëra të Italisë. Këtu, zgjedhës të miratuar në Itali kanë qenë 91 mijë. Zarfe të dërguar në Itali janë 91 mijë. Por zarfe të mbërritur në KQZ nga Italia janë 75 mijë apo 15 mijë më pak”, u shpreh Berisha.

Kjo, sipas tij, do të thotë se 15 mijë e 474 vota u mbytën në Adriatik për arsye politike.

“Grupi që po analizon ka shqyrtuar gjithsej 353 fatura që DHL ka paraqitur për dorëzimin e votave tek qytetarët shqiptarë. Nuk është u dorëzuar vota 7 për qind të votuesve, janë përjashtuar. Nuk është marrë firma tek 3 për qind e tyre. Kanë firmosur persona të tjerë në 21 për qind të rasteve”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha tha se ka patur edhe dorëzime të këtyre zarfeve pas zgjedhjeve të 11 majit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha vazhdoi të thotë se edhe në votimin e diasporës janë realizuar të gjitha falsifikimet, deformimet, manipulimet si e si që ky proces të mos shprehë votën e qytetarëve.

The post Berisha: 15 mijë vota të diasporës në Itali “u mbytën” për arsye politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mashtrimet me mikrokreditë, SPAK dërgon për gjykim 16 persona

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ SPAK përfundoi hetimet në lidhje me mashtrimet me mikrokreditë, duke dërguar për gjykim 16 persona dhe 4 persona juridikë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se personat në fjalë akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet të paligjshëm në fushën e mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.

Ndër të tjera është vendosur sekuestrimi i llogarive bankare me mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro. Këto shuma monetare janë sekuestruar në llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.

Të pandehurit janë:

Arben Meskuti, Elda Ibro, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Rigels Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari.

Personat juridikë “Micro Credit Albania” sh.pk. dhe “ADCA” sh.p.k, akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi personin juridik  “Final” sh.p.k. dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”.

Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se të pandehurit dhe shoqëritë e sipërcituara kanë vepruar si shoqëri e vetme me karakteristika të qarta të një grupi  të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, qëllimi i skemës ishte të shumëfishojë në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave ligjore të larta, deri 2% në ditë.

Të mblidhte detyrimin e detyrimit duke e kaluar këtë detyrim me metoda të paligjshme edhe tek familjarë apo të afërm të debitorëve që nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare. Përmes ristrukturimit të kredisë detyrimi kalonte tek familjarë që kishin mundësi pagese.

Të kalonin pasuri/prona të paluajtshme në ankande fiktive, në pronësi të institucioneve financiare jo banka: Micro Credit Albania sh.a/sh.p.k (MCA) dhe Final sh.p.k.

Për realizimin e qëllimit kriminal, punonjësit e këtyre shoqërive të urdhëruar nga drejtuesit apo organizatorët e kësaj skeme, kryen qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre. Dhjetëra – mijëra llogari bankare të qytetarëve u bllokuan dhe qëndruan të bllokuara në kundërshtim me ligjin për disa vite. Pasuri të paluajtshme u sekuestruan për vlera detyrimi minimale dhe u kaluan në pronësi të shoqërive MCA dhe Final me ankande fiktive. Përveç pasojave të kundraligjshme ekonomike, veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar kriminal, ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale.

Sekuestrimet

SPAk njoftoi se është vendosur sekuestrimi për subjektet financiare  MCA dhe Final mbi të gjitha asetet si pasuri të luajtshme dhe te paluajtshme të këtyre shoqërive.

Janë sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro.

Këto shuma monetare janë sekuestruar në llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.

 

The post Mashtrimet me mikrokreditë, SPAK dërgon për gjykim 16 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndeshja Shqipëri–Serbi, FSHF dënohet nga FIFA me gjobë 161.500 franga zvicerane dhe mbyllje 20% të stadiumit në ndeshjen me Letoninë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor pas ndeshjes Shqipëri–Serbi, e zhvilluar më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

Sipas vendimit, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare).

FSHF vlerësoi se ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren.

FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.

“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

The post Ndeshja Shqipëri–Serbi, FSHF dënohet nga FIFA me gjobë 161.500 franga zvicerane dhe mbyllje 20% të stadiumit në ndeshjen me Letoninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hargreaves: Partitë politike në Kosovë ta vënë vendin mbi interesat e tyre

PRISHTINË, 23 korrik/ATSH/ Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves njoftoi për takimin që e ka zhvilluar të martën, më 22 korrik, me presidenten Vjosa Osmani.

“U pajtuam se pasojat e një bllokimi të vazhdueshëm politik do të jenë të rënda për Kosovën dhe popullin e saj”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Tutje, Hargreaves tha se e ka përgëzuar Osmanin për përpjekjet e saj për zgjidhjen e bllokimit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Theksova përgjegjësinë e të gjitha partive politike për ta vënë vendin mbi interesat partiake për të gjetur një zgjidhje”, tha Hargreaves.

Osmani të martën zhvilloi takim edhe me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati me të cilën diskutoi për situatën rreth konstituimit të Kuvendit.

Të dy takimet u zhvilluan pak para se Osmani të dalë në konferencë për media për të njoftuar se e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik – afat i paraparë në aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses.

Ajo në konferencë për media të martën, tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit. Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheq kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt por ende nuk janë formuar institucionet e reja.

Osmani kërkon nga Kushtetuesja masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit për konstituimin e Kuvendit. /Kosovapress/

The post Hargreaves: Partitë politike në Kosovë ta vënë vendin mbi interesat e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pa nisur votimi

PRISHTINË, 23 korrik/ATSH/ Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ndërpreu atë, duke thënë se nuk ka kushte për zhvillimin e saj.

Kjo ndodhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia largoi mikrofonin.

Paraprakisht, Dehari nuk e lejoi atë të debatonte për çështje të tjera jashtë rendit të ditës.

Në seancën e sotme ishte e paraparë të bëhej përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit.

Dehari e caktoi mbledhjen e radhës për datën 25 korrik, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e institucionit ligjvënës skadon vetëm një ditë pas.

Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë arritur ta konstituojnë atë, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk ka kaluar në votim të hapur.

Vetëvendosje insiston që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por opozita kundërshton.

Në mes të këtij ngërçi politik, Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 26 qershor që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, por nuk ka sqaruar se çfarë ndodh në rast të mosrespektimit të këtij afati.

Katër ditë para skadimit të afatit, më 22 korrik, presidentja Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë dhe një masë të përkohshme për pezullimin e afati 30-ditor. /rel/

The post Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pa nisur votimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 11 vatra aktive zjarri, 345 forca ushtarake në terren

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Tiranë, Dimal, Malësi e madhe dhe Kukës.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri:

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, bashkia Dibër, vazhdon zjarri që po zhvillohet në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës. Vatrat janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth Liqenit të Zi dhe në Fushën e Pelave.

Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur të vënë nën kontroll.

Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Ditën e djeshme në terren u angazhuan 40 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA, 1 avion Canadair nga shteti Italian.

Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës, mbi fshatin Dukat, bashkia Vlorë, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat 32 operacionale të ndihmuar me 80 forca ushtarake, 2 helikopter të FA-së.

Në Qarkun Lezhë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Është shmangur përhapja drejt banesave.

Në fshatin Vernik, bashkia Devoll, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre.

Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.

Në fshatin Pustec, bashkia Pustec ka rënë zjarrin e rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve dhe sot vijon puna për izolimin dhe fikjen përfundimtare të tij.

Në fshatin Kosinë, bashkia Përmet, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktiv. Rrezik për banesa nuk ka.

Në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz. Sot vijon operacioni me forcat operacionale dhe me 100 forca ushtarake për shuarjen e zjarrit.

Në monitorim:
Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, zjarri i riaktivizuar ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë dhe 8 forca bashkiake.
Si pasojë e zjarreve të rënë, kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.
Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 635 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 helikopterë, 2 avionë Canadair nga shteti grek dhe 1 nga shteti italian. Gjatë ditës sotme janë në operacione 345 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 1 automjet zjarrfikëse me efektivin përkatës.

Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve: Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “i lartë” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “i moderuar”. Rrezik “i lartë” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (jug) dhe qarkut Durrës (juglindje).

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse.

The post MM: 11 vatra aktive zjarri, 345 forca ushtarake në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionin policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

The post Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mërkurë 23 korrik, mot i nxehtë me temperatura deri në 40°C

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit dhe orë të plota me diell.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 8-12 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 23/38 Diell
Kukës 22/39 Diell
Lezhë 23/36 Diell
Dibër 21/37 Diell
Durrës 22/38 Diell
Tiranë 27/39 Diell
Elbasan 22/40 Diell
Berat 23/40 Diell
Vlorë 25/38 Diell
Korçë 21/36 Diell
Gjirokastër 21/40 Diell
Sarandë 24/36 Diell

 

 

The post E mërkurë 23 korrik, mot i nxehtë me temperatura deri në 40°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 July 2025Main stream

Agjencia e Emergjencave në Kosovë: 320 zjarre vetëm në javën e fundit

PRISHTINË, 22 korrik/ATSH/ Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka deklaruar se vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë nga temperaturat e larta, ku si pasojë vetëm gjatë javës së fundit janë paraqitur 320 raste të zjarreve malore, fushore por edhe në objekte. Aktualisht shtatë zjarre janë aktive dhe po punohet që të shuhen plotësisht, tha AME të martën, më 22 korrik, në një konferencë për media.

“Bazuar në paralajmërimet nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës nga temperaturat e larta vendi është duke përballur me një situatë të vështirë, ku si pasojë janë paraqitur shumë zjarre në të gjithë vendin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve duke përfshirë zjarre malore, fushore por edhe objekte. Për të gjitha këto raste kemi intervenuar me sukses, pas intervenimit dhe koordinimit gjendja aktuale është stabile, momentalisht i kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht. Ky numër i madh dhe pasojat e mëdha që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga Gjakova, gjithashtu e ka humbur jetën një qytetarë nga komuna e Klinës. Për momentin i kemi të lënduar dy zjarrfikës një nga komuna e Lipjanit dhe Vitisë”, tha drejtori i AME-së, Genc Metaj.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se janë arrestuar gjithsej nëntë persona për zjarrvënie.  Ai  tha se deri më tani Policia ka intervenuar 211 herë dhe numri i rasteve të zjarrvënieve të iniciuara në polici dhe rrezikut të përgjithshëm, është 63.

“Policia e Kosovës ka marrë një varg aktivitetesh, po ashtu ka marrë pjesë edhe vet me autobotet tona që tu ndihmojmë AME dhe të gjitha institucionet tjera për parandalimin dhe përhapjen e zjarreve. Ne jemi duke bërë dhe hetime, kemi dy vepra penale sipas kodit penal që është shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe po ashtu zjarrvënie. Numri i përgjithshëm i zjarreve i raportuar në Kosovë është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është gjithsej 9, numri i intervenimeve të policisë është 211 dhe numri i rasteve të iniciuar në polici të zjarrvënies dhe për shkak të rrezikut të përgjithshëm është 63″, theksoi Hoxha.

Në këtë konferencë u theksua se sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve për të mos ndezur zjarre të qëllimshme.

Kosova po përballet me temperatura të larta, maksimalet e të cilave pritet të arrijnë në 39 gradë Celcius në fund të kësaj jave. /Kosovapress/

The post Agjencia e Emergjencave në Kosovë: 320 zjarre vetëm në javën e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Bursat Chevening, rrjet cilësor profesionistësh me lidhje të forta me Mbretërinë e Bashkuar

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot në takim përfaqësues të rrjetit Albanian Chevening Alumni dhe përfaqësues të Ambasadës Britanike në Tiranë.

Presidenti Begaj vlerësoi iniciativën e këtij rrjeti për të ndërtuar ura komunikimi me institucionet shqiptare dhe u shpreh mjaft i interesuar për të shkëmbyer mendime mbi mbështetjen e të rinjve shqiptarë të arsimuar jashtë vendit dhe kthimin e tyre në Shqipëri.

Kreu i Shtetit vlerësoi ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen me bursat Chevening dhe theksoi se “këto bursa kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për numrin e studimeve cilësore që mbulojnë, por edhe për krijimin e një rrjeti cilësor profesionistësh e intelektualësh me lidhje të forta me një vend mik si Mbretëria e Bashkuar”.

Presidenti Begaj theksoi se potenciali i të rinjve të mirëshkolluar që kthehen në atdhe duhet shfrytëzuar në të mirë të përparimit të vendit.

Kreu i Shtetit dëgjoi me vëmendje shembujt konkretë të kontributit të profesionistëve të këtij rrjeti në Shqipëri dhe diskutoi me ta për hapa konkretë mbështetës të iniciativave të tyre.

1 nga 2

The post Begaj: Bursat Chevening, rrjet cilësor profesionistësh me lidhje të forta me Mbretërinë e Bashkuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 13 vatra zjarri deri në orën 14:00, 9 aktive dhe një në monitorim

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes, referuar të dhënave të raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, njoftoi se deri në orën 14:00 janë raportuar 13 zjarre, nga të cilat 3 vatra janë shuar, 9 vatra zjarri janë aktive dhe 1 në monitorim.

Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

* Në fshatin Guras, njësia administrative Buçimas, bashkia Pogradec
* Në fshatin Lapardha, njësia administrative Otllak, bashkia Berat
* Në fshatin Buz Madh, njësia administrative Cakran, bashkia Fier

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

* Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, vatra poshtë Liqenit të Zi dhe mbi fshatin Gurë-Lurë.
* Në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Është në monitorim zjarri në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe bar i thatë.
* Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Ditën e sotme në terren janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 efektivë nga FA. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit po operon 1 avion Canadair nga shteti Italian.

Qarku Vlorë
* Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna e zjarrit të rënë më datë 06.07.2025. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake, 1 helikopter të FA-së dhe 2 avionë Canadair.

Qarku Elbasan
* Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje dhe ka përmasa të konsiderueshme. Puna po vijon në një terren të vështirë.
Qarku Lezhë
* Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, ka vazhduar aktiv zjarri dhe është përhapur në territorin e bashkive Kurbin, Mat dhe Mirditë. Në operacionin për fikjen e zjarrit janë angazhuar forca ushtarake (26 efektivë, 4 mjete dhe 1 helikopter si dhe forca bashkiake nga MZSH Kurbin me 1 automjet zjarrfikës dhe 50 efektivë, gjithashtu MZSH Mirditë me 11 efektivë. Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave dhe bizneseve në Shkopet. Terreni është i vështirë dhe i paarritshëm për mjete. Situata po monitorohet nga autoritetet dhe strukturat përkatëse. Nuk ka rrezik për objektet e banimit.

Qarku Korçë
* Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll, zjarri vijon të jetë aktiv, por në drejtim të pikës kufitare Kapshticë zjarri u vu nën kontroll, po vijon puna në krahun e fshatit, pasi ndihmuar nga era zjarri po përhapet në bimësi.
* Në fshatin Dishnicë, njësia administrative Bulgarec, bashkia Korçë.

Qarku Gjirokastër
* Në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse për momentin dhe 519 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme marrin pjesë 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 1 helikopter, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 avionë Canadair nga shteti italian.

The post MM: 13 vatra zjarri deri në orën 14:00, 9 aktive dhe një në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin, 2 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, dënimi i cili zbriti në 2 vite e 20 dite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Goro u dënua për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie.

Apeli po ashtu vendosi konfiskimin e apartamentit rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula.

Shkalla e pare e gjykimit kishte vendosur më herët t’ia kthente apartamentin firmës.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese) dhe me anëtarë Dhimitër Lara dhe Miliana Muça shpalli sot vendimin në lidhje me ankimimet e të pandehurve ndaj vendimit të datës 13 mars të këtij viti të GJKKO.

Apeli urdhëroi konfiskimin e apartamentit duke mos pranuar ankimimin e shoqërisë ndërtuese.

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin, 2 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rekomandon masa mbrojtëse nga i nxehti

PRISHTINË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë i ka rekomanduar institucionet publike dhe private në Kosovë që të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta në periudhën 22-25 korrik.

Ministria i ka bazuar këto rekomandime në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Në njoftimin e ministrisë është përmendur që temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura, apo në kushte pune me temperatura të larta.

Sipas rekomandimit të ministrisë:

  • duhet të shmanget puna në ambient të jashtëm në periudhën kohore 11:00-16:00,
  • gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00,
  • personat me sëmundje kronike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë,
  • duhet të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia,
  • duhet të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura dhe
  • duhet të vendosen pika freskimi në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftohtë për ta.

Temperaturat këtë javë në Kosovë pritet të shkojnë deri në 38 gradë Celsius.

Si pasojë e motit të nxehtë që ka përfshirë Ballkanin, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci është raportuar për përhapje të zjarreve, pasi temperaturat në disa raste kanë shkuar në mbi 40 gradë Celsius. /rel/

The post Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rekomandon masa mbrojtëse nga i nxehti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universitetet e tjera të ndjekin modelin e UBT, do ndryshojmë qasjen financiare

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës, tanimë gati me programet e Universitetit BOKU të Vjenës dhe me synimin që UBT2030 të bëhet antena rajonale e BOKU-t, një universitet lider me një traditë të hershme në fushën e shkencave të jetës në Europë.

Në ceremoninë e mbajtur në Universitetin Bujqësor të Tiranës me rastin e nisjes së 9 programeve të reja të UBT që duke nisur nga ky vit janë sipas modelit BOKU, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek mundësia që ato përfaqësojnë për të rinjtë ndërsa u bëri thirrje universiteteve të tjera në vend të ndjekin këtë model.

“Universitetet e Shqipërisë duhet ta kenë të qartë që nëse duan mbështetje ekstra duhet të bëjnë si UBT, të gjejnë shoqe, shokë europianë, të dorëzojnë letrat e fejesës që të bëjmë martesën. Qeveria do të ndryshojë komplet qasjen financiarë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, fondet ekstra do vendosen tek UBT.

“Do ta fusim në listën e universiteteve dinjitoze të Europë. Të tjerët janë tërësisht të respektuar, inkurajuar, do marrin pjesën e buxhetit që u takon, por më shumë nga ato ekstra, s’ka për të marrë askush që s’bën këto. Reformë reale! Ka një problem serioz këtu. Universitetet s’mund të vazhdohen si shkolla të mesme, duhet të jenë qendra kërkimore. Kërkimi shkencor që është pika kyçe dhe e dobët e UBT dhe ne do e mbështesim me çfarë kemi mundësi”, theksoi Rama.

Në mbyllje, Rama theksoi se së shpejti do të fillojë të rishkruhen disa pjesë të ligjit për arsimin e lartë.

“Do të marrim në konsideratë këto ndryshime thelbësore që janë bërë në UBT sa i përket kurrikulave. Përfshirje reale e studentëve që ka të bëjë më pjesën universiteteve. Do shqyrtojmë dhe problemin me shumë koka brenda universitetit. Universiteti ka një kohë, një drejtim, s’mund të ketë 17 koka që duan të mbajnë kioskën e tyre”, vijoi Rama.

“Juristë ka plot Shqipëria por profesionistë nuk ka mjaftueshëm. Së bashku me ta çdonjëri nga vajzat dhe djemtë që do trokasin në këtë derë universiteti do bëhen pjesë e kategorive që kërkohen më shumë dhe do i kenë dyert të hapura. Juristë harroje, në rastin më të mirë do përfundosh sekser nëpër gjykata”, përfundoi Rama.

 

 

The post Rama: Universitetet e tjera të ndjekin modelin e UBT, do ndryshojmë qasjen financiare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Irlanda, përkrahje konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në ambientet e MEPJ Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës,  Thomas Byrne.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si një dimension thelbësor për paqen dhe sigurinë afatgjatë në kontinent.

Në fokus ishte progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Hasani theksoi përkushtimin e palëkundur të qeverisë për të avancuar reformat kyçe, duke e cilësuar integrimin evropian si prioritet të qartë kombëtar.

“Mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Irlandës për procesin e zgjerimit dhe për përkrahjen konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit. Shpresojmë të thellojmë bashkëpunimin edhe më tej gjatë Presidencës së Irlandës në Këshillin e BE- së në gjysmën e dytë të vitit 2026,” – u shpreh ministri Hasani.

Ai shtoi se Shqipëria është e gatshme të hapë grupkapitujt e radhës në negociata dhe synon përmbylljen e pjesës teknike brenda vitit 2027, me synimin për anëtarësim përpara fundit të dekadës.

Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe është aktive në misionet civile dhe ushtarake të saj – një kontribut i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Irlandës, përfshirë hapjen e fluturimeve direkte, si dhe për mundësitë e rritjes së investimeve irlandeze. /j.p/

The post Hasani: Irlanda, përkrahje konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E martë 22 korrik, temperatura të larta deri në 41°C

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit dhe orë të plota me diell.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 6-9 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 23/38 Diell
Kukës 20/39 Diell
Lezhë 21/37 Diell
Dibër 19/37 Diell
Durrës 20/38 Diell
Tiranë 25/39 Diell
Elbasan 20/41 Diell
Berat 20/40 Diell
Vlorë 24/38 Diell
Korçë 19/36 Diell
Gjirokastër 18/40 Diell
Sarandë 21/36 Diell

 

The post E martë 22 korrik, temperatura të larta deri në 41°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌