PARIS, 28 qershor /ATSH-AFP/ – Vala e të nxehtit vazhdoi sot në Evropën Jugore, veçanërisht në Francë, me rreziqe të shtuara nga zjarri.
Fenomeni pritet të jetë nesër edhe më i rëndë në Itali, Spanjë dhe Portugali.
”Në Francë, të dielën dhe të hënën, termometri do të tregojë 35°C të paktën në dy të tretat e vendit, duke premtuar netë shumë të pakëndshme, gjatë të cilave zhiva nuk pritet të bjerë nën 20°C”, sipas Tristan Amm i ”Meteo-France”.
Fenomeni goditi sot jugun e vendit për të dytën ditë radhazi, përpara se të përhapej drejt veriut, duke sjellë dukshëm rreziqe të shtuara nga zjarri.
Pritet të zgjasë të paktën deri të martën.
”Meteo-France” pret që temperaturat të arrijnë 34 deri në 38°C sot pasdite në departamentet nën alarm portokalli, dhe “herë pas here të afrohen 40°C pranë Mesdheut”.
Shkaku i këtij kulmi të ri në Francë është një “kupolë nxehtësie”: një anticiklon i madh dhe i fuqishëm formon një lloj kapaku që bllokon ajrin në shtresat e poshtme, duke parandaluar hyrjen e shqetësimeve, ndërsa gradualisht e ngroh atë.
Në Marsejë, bashkia njoftoi se pishinat komunale do të jenë falas dhe publikoi një hartë të vendeve publike me ajër të kondicionuar.
Qyteti i Nisës siguron se gati 250 ventilatorë portativë “janë dorëzuar gjatë dy javëve të fundit” në shkolla dhe se është vendosur shpërndarja e ventilatorëve për të moshuarit e izoluar.
Në Itali, 17 qytete u vendosën sot në alarm të kuq (niveli 3), si në veri, si Milano, Bolonja dhe Torino, ashtu edhe në jug, veçanërisht Napoli dhe Palermo, me temperatura maksimale të pritura prej 39°C.
Vala e të nxehtit do të godasë edhe më fort të dielën, me 21 qytete të vendosura në alarm të kuq.
Disa rajone si Liguria dhe Siçilia, kanë lëshuar urdhra që ndalojnë punën në natyrë gjatë orëve me rrezik më të lartë, dhe sindikatat po mobilizohen për ta zgjeruar këtë zbatim në rajone të tjera.
”Nxehtësia ka shkaktuar një rritje të numrit të thirrjeve emergjente gjatë javës së kaluar”, raportoi agjencia e lajmeve ANSA.
Në Romë, termometri TREGOI 30°C në orën 10:00 dhe temperaturat parashikohet të arrijnë deri në 37°C.
Shumë turistë që vizituan sot Qytetin e Përjetshëm u përpoqën të mbroheshin nga nxehtësia, duke veshur kapele, maska dhe krem kundër diellit ose duke shuar etjen e tyre në një nga shatërvanët publikë.
“Mundohem të mos mendoj për këtë, por pi shumë ujë dhe nuk rri kurrë në vend, sepse atëherë të zë dielli”, tha studentja italiane Sriane.
Në Spanjë, disa rajone janë sot në alarm portokalli për shkak të temperaturave të larta që mund të vijnë nga vala e parë e të nxehtit të verës, duke arritur deri në 42ºC në disa zona, sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike Spanjolle (Aemet).
Vala më e keqe e të nxehtit pritet të dielën dhe, me pasiguri më të madhe, të hënën, kur temperaturat mund të kalojnë 40ºC në jugperëndim të vendit dhe në pjesë të verilindjes.
“Temperaturat pritet të kalojnë 42ºC në lumenjtë Guadalquivir, Guadiana dhe Tagus, pa përjashtuar Ebron”, tha AEMET.
Nxehtësia intensive kontribuon gjithashtu në faktin se ujërat detare të gadishullit dhe Ishujve Baleare “tejkalojnë 26°C: një shifër rekord për këto data, tipike për mesin e gushtit”, vuri në dukje AEMET.
Tre vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat në historinë e Spanjës.
Në Portugali, dy të tretat e vendit do të jenë në alarm portokalli të dielën, me temperatura që parashikohen të arrijnë 42°C në Lisbonë dhe një rrezik maksimal për zjarre./ a.jor.
The post KOMENT – Vala e të nxehtit ”përqafon” Evropën Jugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.